Te “Biblioteka e Babelit”, Borges përshkroi një bibliotekë imagjinare, që përmbante të gjithë librat e mundshëm, në të gjitha gjuhët e mundshme.
Titulli e çon lexuesin te një tjetër mrekulli e Babelit të lashtë – kulla e mirënjohur, që nuk u përfundua dot, pse Perëndia i përçau ndërtuesit, duke ua shumëzuar gjuhët.
Ndonjëherë mendoj se biblioteka e përfytyruar nga Borges-i nuk është veçse forma që ka marrë kulla e hershme e Biblës, në kohë.
Shumësia e gjuhëve, tashmë e konsideruar jo në realitetin e vet, por edhe në kombinatorikën e vet teorike, mishërohet në vëllimet e rreshtuara në raftet e bibliotekës.
Çdo libër është i ndryshëm nga tjetri, thotë Borges-i (“No hay en la vasta Biblioteca, dos libros idénticos”).
Gjuhë të ndryshme, dialekte të ndryshme, idiolekte të ndryshme. E njëjta fjalë, në të njëjtin kontekst, por në dy libra të ndryshëm, nuk ka më të njëjtin kuptim.
Kullën e Babelit njerëzit deshën ta ngrenë për të arritur qiellin; Perëndia u hakmor, duke ua shndërruar kullën në bibliotekë, e cila, gjithnjë sipas Borges-it, është “një sferë që e ka qendrën në secilën [dhomë] të saj dhe cirkumferenca e së cilës nuk mund të arrihet.”
Në Bibël, ndërtuesit nuk e përfunduan dot kullën, por të përçarë prej gjuhëve, u shpërndanë nëpër botë.
Se çfarë ndodhi pastaj me kullën vetë, nuk thuhet; prandaj kushedi është për t’iu besuar Borges-it, kur shkruan se mistikët, në ekstazat e tyre, kanë parë një dhomë në trajtë rrethi, e që përmban një libër të madh gjithnjë në trajtë rrethi, me shpinë të vijueshme e që ndjek rrumbullakësinë e mureve – ky libër ciklik është Perëndia.
Si i dëboi njerëzit nga kulla, Perëndia u fut vetë aty për ta banuar, parim sekret i njësisë, shifër unike mbi të cilin ngrihet, dialektikisht, pluraliteti i gjuhëve.
Dhe meqë çdo libër është i ndryshëm nga tjetri, madje po aq i ndryshëm sa edhe vizitori që shpesh e humb rrugën në labirintin e bibliotekës, atëherë tragë e mallkimit të dikurshëm të Perëndisë nuk është përçarja e gjuhëve, por shkronja vetë, ose ajo teknologji – a në daçi magji – që e shkëput fjalën nga goja.
Pyet Borges-i: Ti, që më lexon, je i sigurt se ma kupton gjuhën? (Tú, que me lees, ¿estás seguro de entender mi lenguaje?). Edhe sikur lexuesi të përgjigjej, kushedi askush nga të humburit në bibliotekë nuk do ta kuptonte.
Dihet se Borhesi e përfytyronte parajsën si bibliotekë e mburrej për ç’kish lexuar e jo për ç’kish shkruar.
“Biblioteka e Babelit” e shoh më shumë si botën, ose botët e tij të përtejshme, ku Perëndia, natyrisht, nuk ka pse të mungojë dhe po ashtu “Libri i jetës”, i përfolur ky i fundit si në Bibël, ashtu edhe në Kuran.
Veçse ky libër është bibliotekë, me ferrin për diturinë e vdekur ( a nuk i hedhin disa kokëposhtë?) e gjithë pafundësitë mes 0 dhe 1-shit për në parajsë, e cila, në fund të fundit, është vendi, ose libri, i të urtëve.