NON SUM REX, SED CAESAR*

Nga Read Me

Ishte 16 vjeç kur iu dhurua për herë të parë toga romake. Atë vit u përball me provën më therëse të burrërimit, vdekjen e të atit. Ndërkohë, klani i tij i Julianëve, kishte humbur të gjitha zotërimet, por jo krenarinë e origjinës, si pasardhës të zotave romake, Venerës, nënës të Romës.

Si Julian, romakët e pikasën herët, kur provonte oratorinë e tij në atriumet private e publike të Romës. Megjithatë, atëkohë ishte akoma larg të njohurit si Cezar. Ky emër do të bëhej i pranishëm dhe  do ta shoqëronte kur ngjiste shkallët e pushtetit dhe së fundi, kur shkatërroi Republikën e Romës – siç edhe patricët kundërshtarë do ta akuzonin – për tu bërë diktatori i saj. Republika u nëpërkëmb, u lëkund, kur ai vendosi të rrinte konsull më gjatë se e lejonte ligji republikan.

Juliani u bë Cezar prej talentit të tij si politikan, ku oratoria xhelozonte, egërsonte dhe frikësonte patricët, por njëherazi fitonte zemrat e turmave të plebenjve. Plebenjtë ishin shumica e Romës dhe Cezari, më mirë se kushdo romak tjetër, e dinte sa e rëndësishme ishte të bënte për vete këtë ushtri besnike, të gatshme, në pritje.

Shumica duhej të bëhej më e dukshme, duhej të përfaqësohej më mirë. Cezari kishte nevojë për vota te cilat do t’ia jepnin pa hezitim veçse plebenjtë. Numri i senatorëve u rrit nga gjashtëqind në nëntëqind, duke shtuar numrin e plebenjve në shkallët e Senatit. Cezari po e bënte këtë për popullin e Romës. Jo për të ndihmuar fushatën e Cezarit për t’u bërë Diktator, siç mund të thuhej dhe akuzohej nën zë prej patricëve xhelozë e të pakënaqur.

Shumë bojë është derdhur për të treguar për Republikën, Romën dhe Cezarin. Por më saktë mëson për pushtetin e Cezarit, ndikimin e tij mbi romakët nga pjesë të shpëtuara pergamenash prej dy senatorësh të rreshtuar në radhët e armiqve dhe miqve të diktatorit të Romës.

Pjesët e ditarëve janë një dhuratë e paçmuar që koha, kjo jetë-ngrënëse e paskrupullt, na i ka shpëtuar, për të na çelur një dritare të vogël emocionesh njerëzore dymijë vjeçare. Sa pak kemi ndryshuar prej kohës së Cezarit!

Pjesë nga ditari i autorit anonim, senator patric, kundërshtar i Cezarit.

Ditari im besnik,

Dua të mbys dikë. Në fakt, e kam ndarë mendjen se kë. Një njeri që shkatërroi Republikën Romake. Një njeri që poshtëroi familjen time, pasardhës të Romulit. Po si, – më pyet ti – si mundet? Po ja, fare thjesht. Na hodhi në shkallët e Senatit edhe treqind vagabondë të tjerë, plebenj mediokër, ca pisanjosë, gjak i rëndomtë.

Familjes sime i janë dashur vite përpjekjesh e përkushtimi, punë brezash të tërë për t’u bërë ata që janë sot. E ky thyerës i ligjit, bukëshkalë i republikës sonë të dashur, na solli nga rruga njerëz që vinë erë, të pisët, injorantë, duke i dhënë të drejtën të ulen në mermerin e bardhë të Senatit.

O Zot! Çfarë mund të bëj? Të ruaj buzëqeshjen në fytyrën time të merakosur dhe të qep gojën? Nëse do të flas, do të shaj Cezarin, nëse do të qesh, do të zbuloj sikletin që kam. Me siguri një nga senatorët besnikë të Cezarit, do të frikësonte dhe lumturonte shumë të tjerë, duke më spiunuar tek diktatori.

Cezari di si të kënaqë turmën. Ai di më shumë se kaq. Megjithëse me keqardhje, e pranoj të vërtetën e hidhur: plebenjtë janë sekreti, çelësi i politikës së Cezarit, për të marrë e për të mos ta lëshuar pushtetin. Janë shumica. Cezari është mishërimi i gjallë i një suksesi të tillë.

Po pozicioni im, i senatorit sot? Hiçgjë. Vota ime nuk e ka fuqinë e dikurshme. Cezarit nuk i mjaftoi të mbetej konsull për shumë vite, sot e sheh veten një diktator: të gjithë pushtetin për vete.

A mundet të përballet kush me pushtetin e tij? Unë jo që jo, por nuk besoj se mundet dikush tjetër. A nuk ishte ai që mposhti Pompein e madh? Atëherë ishte Cezar, sot përveç, është edhe një diktator. Nëse dikur mundi një Pompe të madhërishëm, mund të bëjë çfarë të dojë me një Senat të korruptuar?

Por… më duket se diçka po ndodh. Dëgjoj pëshpërima. Këtu, atje, dëgjoj grimca bisedash nën zë, por jo vetëm kaq…  Mark Bruti, një mik i ngushtë i Cezarit, me ftoj në një takim në një nga dhomat sekrete të Senatit. Për çfarë mund të jetë vallë? E kotë…shpresoj të mos jem zbuluar tek Cezari. Emri i tij më bën të rrëqethem.

Unë… nuk… e di… përse gjithkush e pëlqen Cezarin. Ai u racionoi romakëve grurin, u hoqi kafshatën e bukës nga goja! O Zot, përsëri vazhdojnë të brohorasin për të. Kurse ai është i njëjti Cezar, por më ambicioz, më i etur për pushtet. Ai do të diktojë. Cezari është një diktator, e do Romën të tërën, veçse për vete.

Më duhet të iki tashti… është koha  të vizitoj tregun fshatar. Nuk mund t’u besoj as skllevërve të mi… Ndoshta dikujt tjetër…? Harroje fare.

 Autori – Anonim (për t’u siguruar nëse dikujt i bie në dorë ky ditar)

Pjesa më poshtë ka gabime të shumta në të shkruar, që dëshmon që shumë prej plebenjve nuk dinin të shkruanin latinishten korrekte. Por për të mos paragjykuar autorin thirrëm në ndihmë një korrektues letrar.

Pjesë nga ditari i senatorit plebe Publius, mik i Cezarit.

I dashur ditar,

Cezari është një udhëheqës aq i madh… sa që më dha edhe mua mundësinë, një plebeu rishtazi, një fshatari të varfër, të bëhet pjesë e Senatit. Bile, unë kam filluar të mësoj të shkruaj latinishten e mjeshtërve të mëdhenj.

Tani, ditët e mia të dikurshme i kam lënë pas. Për mua nuk ka më hapje apo punim toke, mbjellje apo korrje, shkuarje në treg për të shitur mallin e tjetrit… Kanë mbaruar përgjithmonë kohërat kur flija në kasolle ngastrash apo apartamente të ngushta, të errëta dhe të pista diku në periferi të Romës, gjithmonë i rrezikuar prej shkrumbimit të zjarreve  të shpeshta.

Nuk mbjell më tokën e tjetrit. Sot jetoj në një vilë të bukur, në sajë të Cezarit, dhuratë e zemërgjerësisë së tij. I kam dhënë besën të raportoj çdo fjalë që cenon të njollosë emrin dhe lavdinë e tij.

Por përse vallë dikush mund të flasë keq për Cezarin? Në sajë të tij, njerëzve të zakonshëm si unë, mund t’i dëgjohet fjala kur diskutohet politikë dhe fatet e Romës në Senat; jo vetëm atyre patricëve që pretendojnë të jenë pasardhësit e Zotave.

Ai, Cezari, është thjeshtësisht një udhëheqës i mrekullueshëm, i shkëlqyeshëm. Ai vjen prej origjine patricësh… pavarësisht, ai mendon e kujdesohet për plebenjtë si unë, që punojnë kaq rëndë. Mjafton kjo shfaqe e dashurisë dhe kujdesit të tij, për të dëshmuar për zemrën e tij të artë. Unë gjykoj me bindje se, ai e meriton të jetë përjetë udhëheqësi i parë dhe i vetmi i Romës tonë.

Ashtu si patricët edhe unë mendoj se Cezari është ambicioz. Por nuk e shoh në mënyrën se si e shohin ata: i etur për pushtet, i çmendur, një lloj egërsire, bishe pushteti. Një shikim ndryshe na duhet, një gjykim tjetër për të vlerësuar ambicien e tij. A mundet që, një “bishë” t’i japë ushtarëve të tij, romakëve të tij besnikë, tokë, shtëpi dhe plaçka të tjera? Nuk më ngjan të jetë sadopak  ashtu siç thonë patricët. Atyre i ka errësuar sytë xhelozia, ata nuk mund të pranojnë suksesin dhe popullaritetin që gëzon Cezari.

Nëse Cezari arriti të mund Pompein e madh, kush mund të imagjinojë kufijtë e potencialit të tij, çfarë tjetër mund të arrijë Cezari? Bile, edhe kur ai zapton territore të reja, njerëzit, popullsitë i dorëzohen, i gjunjëzohen skeptrit të tij me plot dëshirë, bëhen pjesë entuziaste e perandorisë  cezariane.

E vetmja e metë e Cezarit është krenaria e të qenit Cezar. Ai gjithmonë na kujton neve plebenjve të Romës se Non Sum Rex, sed Caesar. Nuk jam sundimtar, jam veçse Cezari. Kush mund të fajësojë atë për diçka kaq sublime, thjeshtësinë dhe krenarinë e tij? Pas gjithë atyre gjërave që ai ka bërë për Romën e romakët, nga kush mund të druhet ai? Unë nuk i besoj besëtytnive, pëshpërimave gojëliga, fallxhorëve dashakeqë.

Ai nuk ka nevojë për legjionarë që t’i shkojnë pas, roje që ta mbrojnë. Çfarë thua, o fallxhor? Kujdes nga Idus Martii, nga festimet e Marsit? Po ne kemi hyrë në festat dhe siç e sheh, Cezari gëzon shëndet të plotë. Shpresoj që gjithçka do të shkoj për së mbari. I uroj Cezarit fat e jetë të gjatë!

                                                                      Së shpejti,  Publius

Cezari u vra në 15 mars të vitit 44 PLK. Duket se kështu u përmbush profecia e fallxhorit. Diktatori u vra, por republika nuk u shpëtua. Roma u shndërrua nga kryeqyteti i republikës në qendrën e perandorisë.

Thuhet se kur Cezari me legjionet romake kaloi lumin e Rubikonit thirri: Iacta alea est (shq. zari u hodh). Plutarku thotë se e tha në greqisht. Shprehja latine e bërë e famshme përgjatë historisë, mund të shqipërohet: Nuk ka kthim mbrapa.

* Nuk jam mbreti, jam Cezari (latin)

Nuk ka komente

  1. Mendoj se nuk jane njerezit qe e bejne epoken, pavaresisht nga personalitet e vecanta qe ata mund te paraqesin. Eshte e kunderta qe ndodh.

    Si tha ai ? ” It is the economy, stupid…”

    Ciceroni , ne 50 pes, kur ishte governues i Qipros, u skandalizua nga afaret e Brutit te virtytshem, qe i kish “dhene” qytetit te Salamis kredi me nje interes prej 48%.
    Senati ishte kthyer ne nje shtepi oligarkesh dhe hajdutesh, cmimin e te ciles e paguanin te gjithe. Atehere, si edhe tani, senatoret me ne emer ishin te gjithe avokate ( prerekuizite per tu shquar ne llafollogji), dhe shumica dermuese as se kane pasur dhe as e kane idene me te vogel mbi efektin e ligjeve “te zgjuara”, mbi jeten e njeriut te rruges.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: