Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Komunikim / Totalitarizëm

NGA PYETJA NË NORMALIZIM

Një anekdotë nga fëminia ime do të ndihmojë për të treguar pse, në disa mjedise të sunduara nga dogma, një pyetje mund të mjaftojë për ta (ri)normalizuar situatën.

Bënim muhabet për dikë, një sportist nëse nuk më gënjen kujtesa, që kish qenë në Gjermaninë Lindore – në atë kohë Gjermania ishte ende e ndarë më dysh – dhe, mes të tjerash, kish parë aty se “në çdo shkollë kishte pishinë.”

Do të kenë qenë vitet 1970; kur nuk mund të lëvdoje haptazi, në publik, madje as motin në një vend revizionist, e jo më gjendjen e arsimit publik.

Ishim vërtet fëmijë, por edhe fëmijët gabojnë, xhanëm!

Ky tipi që kish parë pishinat në Gjermaninë Lindore nuk ishte i pranishëm në bisedë; e kish thënë këtë diku, pasi ishte kthyer, dhe ashtu ishte përcjellë fjala.

Ne aso kohe s’kishim parë ndonjëherë pishinë me sy, veç atyre që tregonte RAI. Kish një të tillë, me sa mbaj mend, diku në katin përdhes të Pallatit të Sportit; por unë atë gjithnjë të zbrazët e kam parë, pa ujë.

Gjithsesi, kjo puna e pishinës duhej korrigjuar sa më parë, përndryshe mund ta çonte bisedën në ujëra të rrezikshme: nxënësit në një vend revizionist paskëshin në dispozicion shërbime që ne s’i shihnim dot as në ëndërr?

Aty ndërhyri njëri prej nesh; një gomar klasik, personazh i mirëfilltë i Shvejk-ut; një pëllitës me delikatesë barngrënësi të regjur.

Dhe pyeti ashtu, pa iu drejtuar kujt veçan:

“Po kush lahet në ato pishina, se?”

Pyetja e normalizoi tensionin sakaq; në një vend revizionist mund të kishte vërtet pishina, por ato i përdornin vetëm fëmijët e borgjezisë së re dhe teknokratëve dhe aparatçikëve të shtetit.

Vëmendje duhej t’i kishim kushtuar, pra, jo shërbimit dhe instrumentit përkatës, por aksesit; kishim gabuar, duke admiruar për një moment pishinën, por tani do të na falej, sa kohë që pyetja e këtij kretinit na kthente në realitet, duke na kujtuar se ku ndodheshim dhe çfarë pritej prej nesh.

Ajo pyetje ofronte, në mos rikujtonte, edhe një model të metodës që duhej të kishim ndjekur, në analizën e perceptimeve; sidomos në një kohë kur brezi i ri i nënshtrohej propagandës së shfrenuar nga Perëndimi, nëpërmjet televizionit.

E kotë të shtoj se e sillte përgjigjen me vete; madje jo vetëm përgjigjen, por një doktrinë të tërë për shpjegim të kontrastit midis mirëqenies dhe luksit, lirisë dhe aksesit.

Nuk ishte pyetje, por përgjigje.

Madje përgjigje jo vetëm e një individi, por e të gjithëve ne që merrnim pjesë në bisedë; pse pyetja do të përftonte përgjigjet përkatëse, në mendjet tona.

Nuk ishte as përgjigje tamam, por një komandë e llojit: “Gati-tú!”

Kështu komunikohej në ato kohëra; duke riprodhuar statusin tënd jo vetëm në raport me bashkëbiseduesin, por edhe me autoritetin total.

Në situata politikisht të ndera, por shumë më serioze se muhabeti ynë te “paralelet” e shkollës, një pyetje e mbjellë me mjeshtëri do të godiste më rëndë se akuza më e ashpër.

Kjo varej nga shumë faktorë – mes të cilëve, edhe nga personi se kush pyeste.

Një tjetër ekskursion në histori; këtë herë në Konferencën e Partisë së Tiranës, në vitin 1956; kur diskutantët “bënë shumë pyetje”, kryesisht të drejtuara ndaj udhëheqjes.

E megjithatë, forca ilokutive e këtyre pyetjeve as mund të krahasohet me forcën e pyetjes së vetme, por të famshme, të udhëheqësit:

“Pa na thuaj, ç’deshe ti në makinën e ambasadës jugosllave, në filan datë e filan vend?”

Kjo nuk ishte pyetje, por sentencë.

Gjithçka që do të pasonte: mëdyshjet, mohimi, përgënjeshtrimi, pohimi i pjesshëm, fajësimi i tjetrit, veç do ta konfirmonin këtë sentencë.

Një nga arsyet e këtij zhbalancimi do të jetë, me siguri, që premisa, ose presupozimi i një pyetjeje do të na mbetet në mendje si më e vërtetë se përgjigjja, cilado përgjigje që mund t’i jepet.

Kjo ngaqë përgjigjja lidhet me diçka që ka ndodhur në realitet (“nuk kam hipur ndonjëherë në atë makinë”, ose “hipa gabimisht, nuk e pashë që kishte targë diplomatike”, ose “hipa sepse u gjunjëzova para presionit të armikut,”); ndërsa vërtetësia e premisës së pyetjes është kusht për kryerjen e komunikimit.

Natyrisht, pyetjen për atë pickup aq fatal e bëri vetë Enveri; në një kohë që pyetjet e tjera, ato të Konferencës, i kish bërë elementi armik – prandaj edhe ishin, me përkufizim, “provokuese.”

Prandaj edhe një diskutim për të drejtën e pyetjes ishte edhe më delikat se një diskutim i ngjashëm, për të drejtën e fjalës.

Mjaft të përmend se nuk kam dëgjuar kurrë t’i bëjë kush pyetje Enver Hoxhës, së paku në plenume e poshtë.

Përtej ca raporteve pedagogjike të mirënjohura, e që mund t’i shpërfillim këtu, të pyesësh do të thotë ta vësh veten, qoftë edhe momentalisht, qoftë edhe teorikisht ose kinse, në një raport vertikal me tjetrin; dhe shpesh ndodh që sa më publik të jetë mjedisi i shkëmbimit, aq më e ngarkuar (loaded) të jetë pyetja.

Një komentues që i drejtohet autorit të një artikulli dhe e pyet “kush të paguan ty?”, thjesht është duke vënë në dukje se atë autor e paguan dikush, për të folur ashtu.

Ashtu godet edhe më rëndë se akuza e drejtpërdrejtë: “Ty të paguan greku!”; jo vetëm pse i pyeturi ftohet që të vetakuzohet; por edhe pse hapësira e kësaj vetakuze të pritshme është gjithnjë më e gjerë se ajo e akuzës së drejtpërdrejtë (greku, serbi, greko-serbi, turku, Vatikani, rusi, qarqet antishqiptare, sllavi).

Veç kësaj, të mos harrojmë kënaqësinë e dyfishtë të akuzuesit-pyetësit, kur viktima e rrëfen vetë fajësinë.

Pohojnë me gojën e tyre,” ka qenë një rubrikë e kamotshme te revista Hosteni, ku përktheheshin gjithfarë materialesh kritike për mënyrën e jetesës në Perëndim.

Të tilla, për shembull, si ajo që, në Gjermaninë Lindore, fëmijët nga radhët e proletariatit nuk  notonin dot në pishinat shkollore.

Pa Komente

  1. Mua më duken tejet intriguese përsiatjet e mësipërme. Pyetja ka gjithnjë diçka subversive, sepse rreket t’i rivendosë raportet e bashkëbisedimit. Nga ana tjetër, pyetja klasike nënkupton gjithnjë diçka të paqartë paraprakisht, që duhet sqaruar pikërisht me ndërhyrje shtesë, me pyetje. Ndoshta për këtë arsye, pyetjet ndonjëherë keqkuptohen: në klasë mund të duken si ngacmuese, për ta kapur mat profesorin, në mbledhjet e dikurshme mund të dukeshin si provokuese, si qëllimisht armiqësore; madje kishte pyetje që mund të të çonin drejt e në burg për agjitacion e propagandë. Ja një pyetje e rrezikshme në atë kohë: “Pse s’ka vaj ulliri në treg”?

    Pyetja ka raste që shfaqet si termet i vogël marrëdhëniesh. Liderit totalitar nuk mund t’i bëheshin pyetje serioze, sepse ai nuk mund të vihej në diskutim, ishte rendi natyral i personifikuar. Por pyetje servile edhe mund t’i drejtoheshin: “Përse nuk pushoni pak më shumë? Partia ka nevojë për udhëheqësin…”.

    Pyetjet retorike janë tejet dinake, sepse dalin me maskën e pikëpyetjes, por kanë imperativin e pikëçuditjes. Kështu edhe i përdorte regjimi në atë kohë. Pyetjet retorike janë të rrezikshme për faktin se nuk pranojnë as përgjigje, as pyetje të tjera. E si mund t’i përgjigjesh pyetjes: “Në cilën borderò firmos ti shok (dje), ose zotëri (sot)?”. Këtu e kemi brenda përgjigjen (nga dikush paguhesh, kjo është e sigurtë), e vetmja pyetje (si e ka emrin korruptuesi) është krejt pleonazëm.

    Tek “paralelet” Xha Xha, bëheshin vërtet gjithfarë pyetjesh, por edhe përgjigje jepeshin nga më të çuditshmet. Si të thuash, nuk forcoheshin vetëm muskujt e krahëve, por edhe truri. Ndoshta ishte një nga hapësirat më të lira të asaj kohe, përjashto ndonjë festë me kitare e konjak Skënderbeu.

    Tani, unë desha të nënvizoj një kategori tjetër pyetjesh: ato që njeriu ia bën vetes. Kam përshtypjen se këto pyetje janë nga më problematiket, sepse drejtuesi e marrësi përputhen tek i njëjti njeri, ndaj edhe efekti “subversiv” ka pasoja të ndryshme. Në kohën e totalitarizmit, shumë pyetje i bëheshin vetes në pamundësi për t’ua bërë të tjerëve. Në një farë kuptimi ishin të detyrueshme, sepse gjenin hapësirë të sigurtë vetëm tek vetja. Sot, pyetjet ndaj vetes mund të bëhen për shumë arsye, p.sh. për t’i ofruar vetes një mundësi reflektimi për një problem çfarëdo, ose për të vënë në dyshim koherencën personale.

    Gjithsesi, një botë pa pyetje është e pajetueshme.

    1. Të paktën, te “paralelet”, kishe gjithnjë opsionin që t’i shmangeshe një pyetjeje me spec duke u ngjitur në vegël, për një cikël pompash ose “kipesh” dhe duke e konvertuar frustrimin (psikologjik) në energji kinetike të kulluar.

      Anasjelltas, sot mungesa e kujdesit obsesiv për muskujt (p.sh. anekset) priret t’i bëjë ndonjëherë (simbolikisht) të dhunshme deri edhe kafenetë.

  2. Xhaxha c’deshe qe na e kujtove rubriken “Pohojnë me gojën e tyre”? Une e lexoja shpesh dhe nje nga gjerat qe me ka ngelur ne mendje ishte nje teme qe permendej shume shpesh “Gjendja shume e keqe e sherbimit dentar ne Hollande”. S’di se cfare dreqi i kishte zene keta tanet ti qanin hallin popullit hollandez te cileve u duhej “te prisnin dy vjet per nje takim te dentisti”. Une qe ne ate kohe isha i vogel ne moshe, rrija e vrisja mendjen, sa budallenj qenkan keta hollandezet, si nuk gjejne ndonje njeri si gjyshja ime qe ma shkuli dhembin per dy minuta brenda ne shtepi pa patur nevoje te rezervoj takim me te e per me teper s’me dhembi hiq fare?

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin