Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

FOL E SHKRUAJ

Reformatorët e drejtshkrimit të shqipes i arsyetojnë sugjerimet e tyre me argumente të ndryshme – disa praktike, disa teorike; disa sociologjike e kulturore, të tjera thjesht gjuhësore.

Një argument, që po e dëgjojmë këto ditë, është nevoja për t’i qëndruar besnik të ashtuquajturit parim fonetik, i cili – në vija shumë të trasha – kërkon që “fjalët të shkruhen ashtu siç shqiptohen.”

Çka duhet të përkthehet kështu: meqë, prej 1972-shit e këtej, shqiptimi i shqipes ka evoluar disi, atëherë duhen bërë ndërhyrje në drejtshkrim, për t’ia përshtatur këtë shqiptimit të ri.

Sipas dekanit të Fakultetit Filologjik, Shezai Rrokaj, që bën pjesë në Këshillin Ndërakademik, synimi i përpjekjeve të tanishme është të përgjithësohen

“sa më shumë rregulla që na japin mundësinë e krijimit të asaj, që teorikisht quhet izomorfizëm apo përkatësi midis të folurës dhe të shkruarës. Kjo do të ishte shumë e dobishme, sepse do të mënjanonte mjaft gabime drejtshkrimore.”

Nuk po cek fare këtu çështjen se ku e bazon, ky koleg, pohimin në lidhje me rrugën e mënjanimit të “mjaft” gabimeve drejtshkrimore por po mjaftohem të vë në dukje vetëm se, në gojën e Rrokajt, izomorfizmi s’është veç një tjetër emër, më teknik,  për përputhjen që u dashka të ekzistojë mes shqiptimit dhe shkrimit të shqipes.

Po a është vërtet kështu?

Është thënë shpesh se parimi fonetik, ose shkrimi i fjalëve “ashtu si shqiptohen” ndihmon në fazën e alfabetizimit, ose kur fëmijët mësojnë shkrim-këndim në fillore (“Shabani sharron me sharrë”).

Në rastin e një gjuhe me traditë të shkruar, si shqipja; përfshi këtu edhe shqipen standard, ky parim nuk mund të vlejë tale quale; së pari, sepse fjalët do të shkruhen ashtu siç janë shkruar më parë (parimi i vijueshmërisë); dhe së dyti, sepse kur ekziston një standard gjuhësor, zakonisht është shqiptimi ai që ndjek shkrimin, jo e kundërta.*

Në nivelin e klasës së parë, ky realitet përthyhet kështu: fëmija mëson që p.sh. fjala <sorrë> shkruhet  sorrë. Mund të qëllojë që fëmija të vijë nga një dialekt a e folme e shqipes ku rr-ja e fortë nuk përdoret si fonemë më vete; por kjo nuk do të thotë gjë as ngre peshë, sa kohë që fëmijës nuk i kërkojmë të bëjë analiza fonematike, por vetëm të mësojë, pak a shumë mekanikisht, një sistem rregullash – i cili do të vlejë edhe për të lexuar tekste, edhe për t’i krijuar ato duke i shkruar.

Pa përmendur pastaj faktin elementar, por që shpesh harrohet, se fëmijët mësojnë më parë të lexojnë dhe pastaj të shkruajnë; dhe se leximi dhe shkrimi kanë mes tyre shumë të përbashkëta, sikurse kanë edhe dallime.

Për shembull, nuk ka dyshim se shkrimi alfabetik, edhe i një fjale të vetme, është linear dhe sekuencial, por leximi mund edhe të mos jetë; madje ka psikolinguistë që mendojnë se fjalët e shkruara i perceptojmë si të ishin ideograma, ose në tërësinë e tyre, pa i ndarë në segmente grafematike ose pa i lexuar shkronjë pas shkronje; këtë ide e gjen deri edhe te Saussure-i.

Në fakt, arsyet praktike pse shkruajmë sot sorrë (dhe jo, p.sh. “sorë”) nuk kanë fare të bëjnë me parimin fonetik.

Të gjithë ne kur shkruajmë, thjesht zbatojmë parimin e traditës – i shkruajmë fjalët ashtu siç shkruhen (“me drejtshkrim”, ose “siç i ka fjalori” ose “si na i kanë mësuar në shkollë”, etj.); ose, më mirë akoma, ashtu siç i kanë shkruar.

Qarkullon një ide, sipas së cilës parimi fonetik i drejtshkrimit, në vetvete, është më “demokratiku” – meqë i afrohet më shumë mënyrës “si do t’i shkruante fjalët populli”; ose duhet parë si zbatim i vijës së masave në politikën gjuhësore.

Ideja është rrejshmëri (fallacy); meqë nuk ka asgjë popullore, as të vetvetishme, në analizën fonematike që i paraprin çdo zbatimi praktik të parimit fonetik. Provoni të shkruani sipas parimit fonetik, për shembull, një thënie në koreançe ose edhe në holandishte, që jua kapi veshi në dyqan ose në një film…

(Më ka rastisur të lexoj, dikur, një letër të shkruar “shqip” nga një fëmijë që shqipen e fliste mirë, por që në shkollë kish mësuar anglisht vetëm. I vetëm, ai dokument do të mjaftonte për të bindur këdo se vetëdija që kemi për strukturën fonologjike të shqipes i detyrohet më shumë sistemit shkrimor që kemi mësuar në shkollë.)

Po të marrim tani shqipen e sotme, për shembull, do të shohim se ajo është shkruar në krye të herës me alfabetin latin, nga autorë katolikë të Veriut, që zbatuan modelet alfabetike të italishtes dhe të latinishtes (p.sh. Buzuku).

Kjo ka ndodhur edhe pse shkronjat e saj, që janë edhe baza e këtij sistemi shkrimor, shqipja si rregull i ka marrë të gatshme nga gjuhë të tjera; së bashku me vlerat “fonematike” përkatëse.

Asgjë veçanërisht fonetike nuk ka pasur në këtë mes; por kryesisht përshtatje të shqipes ndaj sistemit shkrimor të një gjuhe tjetër: italishtes (dhe latinishtes vetë).

Vetëm një shkrim që ndjek alfabetin fonetik ndërkombëtar mund të pretendojë se ndjek “parimin fonetik”; por dihet se alfabetin fonetik ndërkombëtar nuk e përdor asnjë gjuhë.

Në momentin e tanishëm, kur shqipja e ka një traditë shkrimore disashekullore, këmbëngulja në nevojën e ruajtjes së parimit fonetik në drejtshkrimin e saj veç shkakton vështirësi dhe dëme, në funksionimin e gjuhës dhe në imazhin që krijon shoqëria për raportet mes të folurit dhe të shkruarit.

Para së gjithash, duke krijuar bindjen e gënjeshtërt se shkrimi i fjalëve, i çdo fjale, pasqyron shqiptimin e tyre; ose nuk është veçse një mënyrë për të hedhur dhe ruajtur, në letër, rrjedhën e folur; çka nuk ka kuptim, as nga pikëpamja praktike, as nga ajo semiologjike.

Shkrimi i një gjuhe është në fakt, jo stenografi, as transkriptim, por sistem shenjash autonom, që funksionon dhe riprodhohet pavarësisht nga të folurit, edhe pse në lidhje të ngushta e të ndërsjella me të.

Më tej akoma, të gjithë ata që nuk e zotërojnë ose e refuzojnë shqiptimin standard, mund të ndihen vetvetiu të titulluar për të kërkuar rishikim të drejtshkrimit, sa kohë që nuk e gjejnë shqiptimin e tyre të pasqyruar besnikërisht në format standarde të fjalëve.

(Një gegë që thotë <knoj> dhe shkruan këndoj me të drejtë do të vërente se izomorfizmi këtu mungon dhe, së bashku me Rrokajn, do t’u kërkonte llogari akademikëve, që e kanë lënë popullin pa izomorfizëm.)

Kjo rrejshmëri qëndron në bazë të çfarë do të mund ta quanim “parimi demokratik” në drejtshkrim, sipas të cilit fjalët u dashkan shkruar ashtu siç i shqipton “shumica.”

Në fakt, këtu sërish bëhet një ngatërresë e madhe – dhe pikërisht midis historisë së drejtshkrimit, ose mënyrës specifike si u arrit kodifikimi i shqipes së shkruar në rrjedhë të kohës; dhe funksionimit të drejtshkrimit dhe të vetë standardit (i cili nuk është vetëm drejtshkrim) në momentin e tanishëm.

Një vështrim funksional i drejtshkrimit dhe në përgjithësi i normës do të na lejonte menjëherë ta shihnim këtë si katalizator të stabilitetit, brenda një kulture ende të paqytetarizuar përfundimisht, si jona; ose ku shumë individë vazhdojnë të identifikohen sipas prejardhjes krahinore, jo përkatësisë sociale.

Kjo nuk e përjashton gjë a priori reformën në drejtshkrimin vetë; edhe pse jo për arsyet që sillen tani nga Komisioni; pra jo për hir të ruajtjes, imponimit dhe rikonfirmimit të shenjtërisë së parimit fonetik, as të izomorfizmit.

Përkundrazi – nëse duam vërtet të flasim për parim fonetik sot, këtë mund dhe duhet ta bëjmë vetëm në kontekstin e konsolidimit të një drejtshqiptimi të shqipes publike, duke kërkuar që forma e shkruar e fjalëve të përdoret si bazë dhe si orientim për shqiptimin e tyre të njësuar, së paku në nivelin publik të komunikimit shqip.

*Shënim: Shkrimi i fjalëve të huazuara rishtas, ose i emrave të përveçëm të huaj është e vetmja fushë ku drejtshkrimi i shqipes së sotme zbaton vërtet një lloj parimi fonetik: khs. softuer, uebsajt ose Çaushesku.

Pa Komente

  1. Perderisa shqipes i eshte parashkruar renia ë-ve te patheksuara, kur t’i vije ora secila prej tyre do te bjere. Ne patem fatmiresine apo fatkeqesine qe te zbatonim parimin fonetik ne prag te alfabetizimit masiv, keshtu qe shqipja ne ndryshim nga gjuhet qe jane shkruar me heret, ka mundesi reale te shkruhet ashtu si shqiptohet, apo me mire qe gjuha e shkruar te mos largohet teper nga ajo e folur.

    Renia e ë-së së patheksuar kryen, ne fund te fundit, edhe nje afrim mes dialekteve, s’ka si te ndodhe ndryshe, se i njejti gjen e kerkon renien e saj tek te dyja.

    Keto propozime jane me 40 vjet vonese, sepse ky komision duhet te kishte vepruar qysh me vitin 1973, si rregullues kundrejt disa aspekteve te pashqyrtuara mire ne Kongres.
    Ky komision, persa i perket propozimeve eshte plotesisht i mbeshtetur ne Kongres, nuk perfaqeson ndonje alternative apo nisjen e nje udhe te re.

    Prania e vetem 2 dialekteve nuk na i lehteson gjerat nga pikepamja socio-kulturore e politike, po te kishim me shume do te ishte me e lehte, sepse do mblidhnin mendjen te gjithe, zgjidhej ai dialekt qe i ra lapsi historik e amen.

    Me vetem 2 dialekte, e vetmja rruge eshte ajo e kompromiseve te vazhdueshme, respektimi ne maksimum i gjenetikes se perbashket ( psh renia e ë-se se patheksuar) dhe mposhtja e prirjeve vetvetore te secilit dialekt.

    Parimin fonetik duhet ta zbatojme me sa kemi mundesi aty ku respektohen fenomenet qe burojne nga gjenetika e perbashket, pasi eshte nje nga te paktet privilegje qe kane gjuhet qe jane shkruar vone, ne prag te alfabetizimit masiv.

    Kemi mundesine qe nepermjet shkrimit te ndalojme harlisjet dialektore, pse te mos e shfrytezojme.

    1. Harlisjet dialektore jane pozitive, madje kjo si teze eshte ne themel te qasjes se Keshillit Nderakademik qe po ndermerr nismen e reformes. Madje permes ullukut dialektor supozohet se do pasurohet edhe standardi, per te cilin Kongresi i 1972 ne kete pike thirret me shume si alibi, sesa premise shkencore ne diksutim. Perndryshe edhe ata qe kontestojne, jane gjuhetare dhe njohes te fushes dhe nuk jane gegofobe. Madje me duhet te them se ne thelbin e vet, qofte edhe per shkak te historise se standardit, per nje jugor, gegnishtja ne stadin e tanishem, kur njihet si gjuhe librash te eshte shume e dashur dhe te vjen shume e embel. Si te thuash ajo ka themeluar per veshin e nje jugori statusin e nje gjuhe qe ekziston mrekullisht si gjuhe e nje letersie qe eshte privilegj te njohesh, apo te pakten ta lexosh si te tille. Mjafton te kujtojme ketu se edhe nje rast i abuzuar si Migjeni eshte dashuri panshqiptare, te pakten per disa breza, Bukuria e gjuhes, pra si e tille e konfirmon vetiu miratimin e te gjitheve dhe nuk ka nevoje per kompromise sociale dhe kulturore. Nuk po them qe gegnishtja te trajtohet si latinishte e shqipes, por po perpiqem te sqaroj se teksa standardit i perafrohen me viktimizimin e gegnishtes, ne fakt nuk bejne gje tjeter vecse zbulojne nje pretendim per status politik dhe kulturor ne hierarkine e institucioneve sesa sanksionojne drejtesin shkencore. Nuk eshte pune gjuhetaresh te perpunosh dhe hartosh teza qe rrethohen nga dyshime, kontestime dhe dilema; kjo eshte pune politikanesh dhe aparatcikesh. Nuk eshte kontribut akademiku te besh takime hoteleve dhe te hedhesh ne votim teza dhe vendime qe sado te arsyetuara te jene jane ne fakt prone e te gjitheve. Dhe ketu keta qe ndermarrin reforma duhet paraprakisht t’i pergjigjen pyetjes sesi do ta vene ne jete kete rishikim, kur edhe standardi i sotshem calon ne cdo drejtim ne asimilimin e vet nga masa e madhe e qytetareve. Apo do aplikohet edhe ketu taksa e sheshte ose progresive per cdo gabim te bere? Dhente Zoti e mos te aplikohet kjo e dyta ne kushtet ku jemi.

      1. Me lart pohova se:

        – Ky komision, persa i perket propozimeve eshte plotesisht i mbeshtetur ne Kongres, nuk perfaqeson ndonje alternative apo nisjen e nje udhe te re.

        Pra, persa i perket propozimeve.

        Persa i perket statusit politik e kulturor, shtet-kombi eshte financuesi universal me i fuqishem i gjuhes e kultures, ne shtetet e vogla madje i pakrahasueshem fare me privatin, prandaj orientimi politik i shtetit eshte percaktor vendimtar ne statusin politik e kulturor.

        Ne kete kendveshtrim, jane vete masat taksapaguese qe duke prodhuar orientimin politik te shtetit, prodhojne edhe statuset politiko-kulturore. Persa kohe qe ne Shqiperi 2/3 e masave jane absolutisht kunder ndryshimeve ne shqipen zyrtare, sado te cenohet nga lart dhenia e statuseve, perseri askujt nuk ia mban qe te dale kunder.

        E thene ndryshe, sado qe politika te nderhyje ne mjedisin akademik ne çeshtje emerimesh, do te jete prape politika qe do u vere te emeruarve kufirin tek thana nqs 2/3 e masave taksapaguese jane kunder ndryshimeve, pikerisht sepse nuk ka asnje interes qe te demtohet politikisht.

        Rrjedhimisht, pavaresisht perberjes se komisionit dhe synimeve te fshehta te tij, propozimet konkrete nuk kane si te mos jene ne linje me Kongresin. Nderkaq ndryshimet rrenjesore kane nevoje per Kongres, asnje komision apo keshill sado i zgjeruar, nuk ka si te kete tager te rivalizoje nje Kongres.

        Keto propozime me ngjajne si pjese e fushates zgjedhore, ku Sala u shkel syrin te ‘veteve’ duke mos u dhene asgje ne praktike, thjesht u shet iluzionin per te cilin kane nevoje, nderkaq pjesa e te veteve qe eshte kunder ndryshimeve veren se realisht s’ka asgje per t’u shqetesuar, pasi propozimet konkrete (te bera publike) jane ne linje me Kongresin.

        1. Jam pjeserisht dakord. Kjo sepse puna qe po nxitet me kete Keshill ka angazhuar institucione shteterore dhe ne fakt nuk mund te klasifikohet vetem si propagande dhe demagogji. Dhe eshte keq pastaj edhe sikur te mendosh se nje Keshill me profesioniste te fushes mund te jete duke u perdorur si rrufeprites propagandistik nga politika. Nga ana tjeter, sot te flasesh per mbeshtetje shumice dhe pakice ne ceshtje si kjo e gjuhes, i bie qe rotacioni demografik mes grupeve te ndryshme te ricikloje norma te reja nje here ne 50 vjet. Dhe ketu nuk po merret ne konsiderate se ndryshimi social eshte gjitheperfshires si proces, por i kontekstualizuar, ai diku eshte emancipim, e diku regres dhe invazion kulturor. Ndaj standardi eshte nje marreveshje qe edhe sikur te pranojme se eshte ne pararoje te nje Politike unifikuese, qe sidoqofte krahas sensit nacional ka edhe ndajshtesat ideologjike si premisa frymezuese, duhet adoptuar si nje produkt APOLITIK. Eshte perftimi i kesaj ndergjegjeje qe do t’i jepte atij autoritetin qe ka nisur t’i bjerret dhe do ta ndihte te perballonte me mire nderhyrjen e qellimshme te politikes. Per analogji mund te shohim fare mire se cfare ndodh me rishikimin e Historise dhe figurave te caktuara. Ne vend te debatit dhe analizes, kemi katapultimin, ne vend te reflektimit dhe veshtrimit ne kohe te kontributeve dhe veprimeve kemi dekretimin e privilegjeve dhe monumenteve. Edhe kjo natyrisht mund te jete serioze vetem sa per fushate elektorale, por fakti eshte se pasojat jane tejelektorale. Aty ku cdo vend eshte konservator ne jemi liberale te shpartalluar dhe aty ku kerkohet liberalizem dhe sens qytetar ne jemi konservatore dhe cinike. Sesa e vertete eshte kjo, kete e verteton kjo fjali qe ti e shkruan si analize faktesh:
          “Rrjedhimisht, pavaresisht perberjes se komisionit dhe synimeve te fshehta te tij, propozimet konkrete nuk kane si te mos jene ne linje me Kongresin. Nderkaq ndryshimet rrenjesore kane nevoje per Kongres, asnje komision apo keshill sado i zgjeruar, nuk ka si te kete tager te rivalizoje nje Kongres”.
          E c’na duhet ky Keshill kulisash? Boll i kemi partite dhe politiken per t’u stervitur me intrigen. Edhe ata qe nuk e dine c’eshte djallezia, le te martohen. Nuk jane ne gjendje valle keta akademike qe te dalin dhe te thone hapur fare: nuk funksionon standardi, ose une mendoj keshtu dhe duhet bere ashtu? Pse duhet perdorur Kongresi si mburoje, kur shumekush prej tyre e sheh ate si akt kriminal?

          1. Pozicioni mbrojtes i sensit qytetar has ne te pakten 2 probleme; i pari lidhet me rangun e ulet qe ze qytetaria si identitet, pas atij fisnor( e dialektor), krahinor, politik, kombetar e fetar; i dyti lidhet me mungesen e qytetarise kur u vendos gjuha zyrtare.

            Persa i perket problemit te pare, me shume gjasa ka qe te ngresh ta zeme lebrit apo mirditoret, pro apo kunder standartit duke i bere thirrje qenesise labe apo mirditore sesa qytetarise. Po njesoj me korçare e shkodrane.

            I dyti s’besoj se ka nevoje per ndonje rresht argumentues.

            Qosja verejti jo pa nje sens mosmiratimi nje evolucion nga gjuhe kombetare si i thuhej dikur ne standard. Dallimi kuptimor, megjithese behet fjale per te njejten gje, zhvesh gjuhen nga mbrojtja qe ofron vetvetiu fjala kombetar/e dhe e ben te diskutueshme.
            Ne fakt gjuha kombetare nuk ha diskutim, duhet te zbrese ne nivelin e gjuhes zyrtare apo standart qe te haje diskutim. Perderisa eshte zyrtare varet nga zyrat, perderisa eshte standart mund te ristandartizohet.

            I njejti proçes me rishikimin e historise, ta gezojme shtatoren e Zogut.

            Ne thelb, proçeset e rishikimit ne nje mjedis ku politika qe kontrollon gjithçka, bazohet tek identitetet fisnore, krahinore, historiko-politike e fetare, materializohen ne formen e revanshit fisnor, krahinor, historiko-politik e fetar.

            Qe te ndodhe nje rishikim mbi baza te mirefillta shkencore, duhet qe politika te mos kontrolloje gjithçka dhe te jete e mbeshtetur ne identitete moderne socio-ekonomike.

            Jetojme ne kohet e revanshit, çfare u mboll do korret.

            Problemi gjuhesor do behet gjithnje e me i ndjeshem sa me shume stabilizohet Kosova, kur perqendrimi i vemendjes nuk do te jete me ne raportet Serbi-Kosove por ne te natyrshmin Shqiperi-Kosove, sepse pavaresisht se s’duam te shikojme, marredheniet me Kosoven do te jene me kryesoret ne gjithçka, sidomos marredheniet kulturore.

            Kur te vije koha qe Kosova te kerkoje status tjeter brendakombetar ne marredheniet me Shqiperine, me siguri do te jene kohe te veshtira per standartin e sotem. Shkodra ne krahasim me Kosoven eshte peshe pupel.

            1. Se pari, standardi i sotem, si korpus i mvetesishem i nje politike gjuhesore, nuk ka shanse te vihet ne prove asnjehere per nga cilesia. Dhe ajo cfare po ndodh sot e verteton mjaft mire kete gje. Ne komentin e pare, ti thua se Keshilli nuk ka sesi te mos ece ne rrugen e Kongresit, ndonese ky keshill ka ne sirtar qellime krejt te tjera. Kjo ndodh per arsye se Kongresi i 1972 nuk ishte plenum partie me teza armiqsh, por nje Kongres shkencor me kontributin e ajkes se gjuhetareve shqiptare dhe madje me konsensusin e shumices se trevave shqiptare. Perndryshe, Keshilli meqenese jetojme ne kohet e revanshit, si skllav i kryeministrit qe eshte, as do pyeste per etike dhe takt ne sulmin e pabese qe i ben Kongresit dhe normes. Ne anen tjeter, eshte e vertete qe jetojme ne kohen e revanshit, por kjo vetem sa na jep te kuptojme se cila eshte filozofia e te kuptuarit te historise qe ne kemi. Pse sot ofensiva e shkaterrimit eshte prirje dominuese, kjo ne parim, nuk e zhben kontributin dhe vleren e Kongresit. Ajo thjesht sa provon se kush dhe cfare jane ata qe e sulmojne ate. E thashe edhe me siper qe standardi nuk ka per te pesuar asnje lekundje, pikerisht sepse ndaj tij nuk ka argumente te qenishme per ta rrezuar; ate e ka vene ne diskutim vetem injoranca e qellimshme dhe e sponsorizuar keto kohe dhe politika e dites si antiagreganti me i madh. Nga ana tjeter, ne kohen kur u hartua standardi, vertet nuk kishte qytetari ne ate kuptim qe i jep ti, por ne thelbin e vet, madje edhe ne aspektin formal, Kongresi dhe miratimi i normes eshte padiksutim akti me qytetar qe ky surrogato shtet ka bere qe kur urdheruan ardhjen e tij ne kete dynja.
              Thua:
              “Ne thelb, proçeset e rishikimit ne nje mjedis ku politika qe kontrollon gjithçka, bazohet tek identitetet fisnore, krahinore, historiko-politike e fetare, materializohen ne formen e revanshit fisnor, krahinor, historiko-politik e fetar.Qe te ndodhe nje rishikim mbi baza te mirefillta shkencore, duhet qe politika te mos kontrolloje gjithçka dhe te jete e mbeshtetur ne identitete moderne socio-ekonomike”.
              Pse valle atehere ky rishikim na qenka shume me civil si akt, sesa vete hartimi i standardit, i cili ne trajtimin e ketyre ujerave te nendheshme ishte shume me i hapur dhe shume me transparent? Ka munguar qytetaria apo thjesht ne sot deshmohemi nihiliste dhe “demokrate” ne retrospektiven e asaj kohe? Nuk ka sot sulm ndaj atyre qe nuk asimilojne standardin, por ndaj atyre qe ushqejne retorika te kesaj natyre. Qe te flasim drejt, duhet pra te sjellim ne sens krahasimi grupet e punes ne te dyja kohet, sepse norma gjuhesore eshte ceshtje e elites. Dhe pastaj te shohim se ku ka ngecur qytetaria. (Eshte tjeter pune me ata qe besojne dhe jane te bindur se standardi duhet ndryshuar dhe rishikuar cdo gje).
              Parashtrimi qe ben ne finale merr ne konsiderate probleme te gjeopolitikes shqiptare si premsa percaktuese per standardin. Ne kete blog keto ceshtje jane bere cope dhe une nuk kam cfare te shtoj.
              “Udha mbare”, mund te them. Vetem se koha do sanksionoje drejtesine e vet padyshim. Udha mbare edhe Kosoves, te cilen nuk mund ta gjykojme pa e degjuar eliten e saj, por as nga rrokja emocionale e termave absurde dhe logjikisht te pakuptueshem si ai i Gjuhes Kombetare. Koha do vertetoje nder te tjera edhe ate qe eshte me e rendesishme: kush e shperdoroi lirine, ai edhe nuk e ka merituar ate asnje sekonde. Nuk ka me budallenj.

  2. Vete anetaret e keshillit nderakademik e shqiptojne shqipen ne menyra te ndryshme. Keshtu Rrokaj, Likaj, Topalli, Mansaku, Ismajli, Bokshi etj. kane shqiptime ku me shume e ku me pak te ndikuara nga dialekti perkates. Sipas cilit shqiptim duhet ta shkruajme shqipen? Apo mos valle duhet te presim qe Shezaiu e co. te merren vesh me pare per nje norme drejtshqiptimore?
    Bir Selman i nenes – tha – ke te qaj me pare, se keta kane dale mendsh te gjithe.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin