Edhe pse vite që jam abonuar në një shërbim muzikor (Rhapsody), blej herë pas here muzikë, zakonisht në formatin mp3, nga Amazon ose ndonjë sajt tjetër, sipas rastit.
E keqja me shërbime të llojit Rhapsody, është se kontratat e tyre me shtëpitë botuese muzikore lidhen e zgjidhen në dukje arbitrarisht; dhe shpesh ndodh që artistë të cilët ti i ndjek prej kohësh të zhduken papritur nga katalogu.
Gjithsesi, një dyqan i muzikës së shkarkueshme, si Amazon, të ofron gjithnjë mundësinë për ta dëgjuar paraprakisht një pjesë të albumit – si rregull, 30 sekonda deri 1 minutë për këngë. Ka edhe artistë, sidomos pak të njohur, që ofrojnë dëgjime të plota në sajtet e tyre ose faqet përkatëse; por në përgjithësi, shërbimi i dëgjimit paraprak mbetet më komodi dhe më i lehti për t’u përdorur.
Përtej ndikimit të reputacionit të artistit, të pjesës ose të albumit vetë (shto këtu edhe kritikën muzikore), shumë blerës, përfshi këtu edhe mua, detyrohen të vendosin nëse do të blejnë albumin, ose edhe një pjesë të vetme, në bazë të pak sekondave të cilat zakonisht i përkasin fillimit të kësaj apo të asaj pjese.
Nga pikëpamja e marketing-ut dhe, në përgjithësi, e ekonomisë së shitjeve, mënyra si fillon një pjesë muzikore luan kështu rol vendimtar në vendimin e blerësit.
Nëse një këngë fillon e ngadalshme, vazhdon ashtu për disa minuta, pastaj përfundon me një crescendo ose presto, shanset janë që blerësi do ta perceptojë atë si të ngadalshme.
Të vendosësh për një blerje në bazë të dëgjimit paraprak nuk është aq sipërfaqësore dhe casual sa ç’mund të duket. Ta zëmë, ti ke zbuluar një album të një artisti jo edhe shumë të njohur (ta zëmë, Ulf Wakenius) që të pëlqen shumë dhe tani dëshiron të eksplorosh albumet e tjera nga ky muzikant – për të vendosur se çfarë do të blesh. Sido që të rrotullohesh, opsioni i dëgjimit paraprak është më praktiku.
Tani, meqë të gjithë po e kuptojnë rëndësinë e këtij mekanizmi dhe procesi, ma merr mendja që herët a vonë një numër i madh muzikantësh do t’i ndërtojnë hyrjet e këngëve ose të pjesëve të tyre duke pasur parasysh se shumë blerës potencialë do të vendosin në bazë të atyre 30-60 sekondave fillestare. Edhe në mos daçin ata, do t’ua kërkojnë producentët!
E gjithë kjo i jep një kuptim të ri konceptit të “hyrjes.” Çfarë është hyrje për pjesën muzikore, do të shërbejë edhe si hyrje e të ardhurave në llogarinë bankare të autorëve, muzikantëve, producentëve dhe sidomos botuesve përkatës.
Deri më sot, përkundrazi, hyrja kryesisht ka pasur për funksion të përgatitë dëgjuesin për çfarë vjen pas: t’i japë tonin pjesës, ose të krijojë një atmosferë të caktuar, ose një kontrast (synimi i notës së parë është nota e fundit). Në jazz dhe në muzikën klasike hyrja paraqit edhe temën ose leitmotivin e pjesës – sido që vlera e pjesës vetë varet nga mënyra si do të përpunohet, zhvillohet ose transformohet kjo temë ose leitmotiv. Në prog rock ose psychadelic rock, hyrjet janë shpesh të gjata, të ngadalshme dhe hipnotike – sjell si shembull vetëm hyrjen e “Sheltering Sky”, nga albumi Discipline i King Crimson (mund të dëgjohet këtu, sa për të krijuar një ide); hyrja e kësaj pjese të gjatë instrumentale merr kuptim vetëm në kontekstin e çfarë vijon – prandaj edhe praktika e “paradëgjimit” dështon bujshëm.
Natyrisht, albumi Discipline s’ka nevojë për 30 sekondat që ofron Amazon për t’u konsideruar si kryevepër; problemi ka të bëjë me artistë të rinj, të cilët për arsye estetike, strukturore dhe koncepti nuk arrijnë dot të shprehin asgjë për aq pak kohë; as ta ndërtojnë hyrjen në mënyrë tërheqëse.
Paradëgjimi ka diçka të përbashkët me trailerët e filmave, ose promovideot, siç e kam parë fjalën të përkthyer në shqip; e megjithatë, trailer-i është një produkt i ndërtuar ad hoc, me materiale të filmit e megjithatë i pavarur; synon t’i japë publikut një ide ose një feel për filmin, pa qenë pjesë e filmit vetë. Shpesh qëllon që të mbetesh i zhgënjyer nga një film, pasi ke shkuar ta shohësh i nxitur nga trailer-i; sepse qëllon që premtimi i trailer-it ndryshon nga dhurata që të jep filmi vetë, pa çka se kjo e dyta mund të ketë vlerë absolute në vetvete. Në fakt, trailer-i ka tipare të përbashkëta edhe me kolazhin, si përftesë artistike; dhe prandaj vështirë të përfytyrohet një trailer për një pjesë muzikore (p.sh. një simfoni) ose edhe një roman; dhe kjo ndoshta ngaqë vetëm trailer-i i një filmi arrin të përftohet si diçka organike, që ngacmon por që mund edhe të konsiderohet i vetëmjaftueshëm; edhe kur thotë “të vërtetën” edhe kur “gënjen.” Gjithnjë më ka zbavitur, për shembull, një pseudo-trailer në YouTube, i një klasiku të kinemasë horror: The Shining i Kubrick-ut. Ndonjë optimist, mund të përmendte këtu mashups dhe të tjera eksperimente të vona, por le të mos futemi në ato ujëra të turbullta.
Nga ana tjetër, pat bërë bujë ca kohë më parë refuzimi i Pink Floyd për të lejuar shitjen e këngëve veç e veç, nga albumet e tyre të periudhës së artë (refuzim që, me sa shoh në Amazon, është “refuzuar” edhe ai tashmë, dhe “Dogs” mund të blihet për thjesht $2.99); me arsyen se këto albume ishin konceptuar dhe duhen konsumuar si tërësi organike; dhe të shesësh një këngë të, bie fjala, Animals, nuk do të ishte dhe aq e pangjashme me të shesësh kohën e dytë të një koncerti për piano dhe orkestër, ose një variacion të vetëm Goldberg-ut, të Bach-ut (edhe pse këto të fundit gjithnjë janë shitur lirisht; dhe Zoti i bekoftë ata që i blejnë veç e veç dhe që i dëgjojnë pastaj në treadmill). Si i apasionuar pas konceptit të albumit, gjithnjë më ka ngacmuar koncepti i organikes në muzikë; dhe kush mendon se, sa i përket muzikës së lehtë, dukuria është kapërcyer tashmë, ose është zhdukur së bashku me dinosaurët e rock-ut të viteve 1970 (shembulli klasik: Thick as a Brick, i Jethro Tull), le të gjejë një mënyrë për të dëgjuar një album si The Hazards of Love, të The Decemberists, për ta kuptuar se disa koncepte muzikore kanë nevojë për forma më të gjata se një këngë e vetme 2-6 minutëshe; dhe s’e kam fjalën vetëm për jazz-in, siç mund të kuptohet edhe nga shembulli që solla.
Për ta marrë vesh si është vera, s’ka nevojë ta pish krejt fuçinë, thotë një fjalë e vjetër; por këtë urtësi s’e fut dot në punë me një album muzikor – ecë e merre vesh simfoninë e nëntë të Beethoven-it vetëm nga scherzo-ja (koha e dytë)… ose krijo një ide për Animals të Pink Floyd vetëm nga “Pigs on the Wing”. E megjithatë, shumë prej nesh i kanë njohur Beatles-at nëpërmjet Ob-La-Di, Ob-La-Da… (se ashtu ishte koha atëherë), sikurse kanë njohur Beethoven-in nga “für Elise”, Mozart-in nga “marshi turk” (koha e fundit e sonatës për piano no. 11) dhe Listin nga La campanella (e cila në fakt mbështetet mbi kohën e fundit të koncertit no. 2 për violinë dhe orkestër, të Paganinit). Le vie del Signore sono infinite.
Ndoshta është koha të vlerësohet oferta e piraterisë në internet. Kjo prej kohësh mbështet qëndrimin se puna e tyre nuk e dëmton, përkundrazi i vjen në ndihmë botës së prodhimit të muzikës, filmit apo prodhimit të programeve kompjuterike. Është e njohur thirrja e shumë grupeve që ngarkojnë piratisht në faqet e shkarkimeve falas se “nëse ju pëlqen kjo (muzikë, film, program a lojë që shkarkon e përdor), blije dhe mbështete prodhuesin”, duke sqaruar shpesh se ngarkimet janë për përdorim paraprak. Më e pasura në këtë fushë është bota e torrenteve. Duke kërkuar me një motor të thjeshtë kërkimi torrentesh si Torrentz dhe duke përdorur një program po aq të thjeshtë si uTorrent për shkarkim, mund të gjesh një pasuri pafund nga bota e prodhimit dixhital. Ndër faqet me shkarkimet më të besueshme janë The pirate bay dhe h33t.com, por ky është vetëm vlerësim personal – faqet e shkarkimeve janë të panumërta. Ndonjëherë mund të dështosh në kërkim (jo gjithçka gjendet aty) apo në shkarkim (kur ngarkuesit e materialit janë amatorë dhe e kanë lënë të vdesë lidhjen për shkak të interesit të ulët), por në përgjithësi kërkimet dhe shkarkimet kanë sukses. Si i thonë, kush kërkon, gjen. Kështu, sa i takon temës më sipër, mund t’i dëgjosh paraprakisht të plota pjesët muzikore dhe, në të pëlqejnë, mund t’i blesh pastaj me një format me cilësi më të lartë nga autorët a tregu “i ligjshëm”,
Xha Xha, meqe permende Amazon, pse nuk u thua botuesve te tu Cabej dhe Dudaj te t’i vene librat ne format e-book ne Amazon? Kete te fundit nuk kam mundur ta lexoj sepse nuk me ka rene rruga nga Tirana. Ne format e-book mund te blihen pa sekelldisur miq, kusherinj dhe sherbime postare.
Do të flas me Arlinda Dudajn – falemnderit.
Dhe nëse bëhet e mundur, gjë që nuk ka si të jetë e vështirë në fakt, duhet të ekzistojnë sidoqoftë, qysh më parë, në format numerik, por në çdo rast,nëse kopjet numerike bëhen të shërbyeshme, publiku besoj do e mësojë si fakt prej këtij blogu…si dhe të kundërtën ndoshta?