THE DAY AFTER

Pasi e vumë re të parët publikisht, në këtë blog (Lost in Translation), se lajmi për kryetarin e AKZ-së Kreshnik Spahiu të shpallur qytetar nderi i NYC ishte thjesht i rremë, reaksionet nuk munguan, në media dhe në rrjetet sociale.

Shkrimi im, për këdo që e lexoi me qetësi, denonconte jo Spahiun, as AKZ-në, as programin e tyre politik – këtë e kemi bërë gjetiu dhe do ta bëjmë sipas rastit; por mënyrën si përcillet dhe transmetohet lajmi nga mediat shqiptare.

Në fakt, atë lajm të paqenë, shkruar nga kushedi kush dhe shpërndarë nga kushedi kush tjetër, e botuan tale quale të gjitha mediat kryesore në hapësirën shqiptare, ose të paktën të gjitha ato që munda unë të kontrolloj – pa ia verifikuar burimin dhe vërtetësinë.

Me shumë të drejtë, M. Nano sot në Shqip e shpjegonte se ky është problem i mediave, dhe këto duhet të reflektojnë e të ndryshojnë me rrënjë mënyrën si i qasen lajmit, për të mos e lënë këtë infeksion të gangrenizohet.

Shkruan Nano:

Nuk na falet që nuk i kemi lejuar vetes as dyshimin më të vogël përballë kësaj sendërgjie, që ia bën mú që është sendërgji, nuk na falet që e kemi publikuar ashtu si na ka ardhur, d.m.th të shkruar në versionin orwell-ian të shqipes, në newspeak-un tonë pra, e të panënshkruar nga një autor, nuk na falet që e kemi publikuar pa bërë asnjë verifikim, e pa iu referuar asnjë burimi, dhe së fundmi nuk na falet që bëhemi instrumente të një propagande kaq vulgare.

Unë e kuptoj një gazetë ose një faqe online që rreshtohet në favor të një force politike ose të një partie; madje edhe që thjesht bën propagandë për të. Kështu, vendi që i kanë dhënë Spahiut dhe nismave të tij në shtypin shqip online është ku e ku më i madh se vendi që i është dhënë, bie fjala, kryetarit të opozitës Edi Rama.

Por rreshtimi politik është një gjë, dizinformimi një gjë tjetër.

Personi që e zografisi lajmin, duke e shndërruar fletë-lavdërimin në “qytetarí nderi” dhe duke shtuar edhe zbukurime të tjera nga xhepi (“i vetmi nënshtetas i huaj që e ka marrë…”) ka bërë një shtrembërim me dashje, edhe pse të trashë. Të trashë, sepse veprimtaria ku u dhanë këto fletë-lavdërimi ishte publike dhe kushdo mund ta verifikonte se çfarë kish ndodhur atje tamam.

Mua m’u desh jo më shumë se gjysmë ore për t’i bërë këto verifikime: që nga fakti që qytetaria e nderit në NYC nuk ekziston si titull, te fakti tjetër që atë titull z. Spahiu nuk ia kish dorëzuar kryetari i lagjes Manhattan, as ishte zhvilluar gjë ceremonia në ndonjë seli zyrtare.

Atëherë pse nuk e bënë këtë edhe personat dhe institucionet që e kanë për profesion të informojnë publikun përkatës? Këtë pyetje bëja unë dhe do të bëj edhe më pas, në kontekstin e kësaj katrahure dhe më gjerë.

Në qoftë se media nis ta shpërfillë dallimin mes të vërtetës dhe rrenës, atëherë misioni i saj nuk është më informojë, por vetëm të dizinformojë; dhe problemi vjen e bëhet serioz.

Një gazetë ose një TV që interesohet të marrë vesh se ç’po ndodh me Kreshnik Spahiun në NYC, ose ngarkon dikë, një korrespondent të vetin të besuar, për ta dhënë lajmin; ose i referohet një burimi të tretë dhe e citon atë shprehimisht.

Lajmi për “qytetarinë” e Spahiut thuhet se erdhi nga AKZ-ja vetë; në këtë rast, do të mjaftonte të thuhej, në tekst të lajmit, se “sipas burimeve të brendshme të AKZ-së, Kreshnik Spahiu ka marrë në NYC, etj.”

Kjo do të ishte më etike dhe më profesionale – por unë këtë nuk e pashë gjëkundi.

Çështja e burimit të lajmeve në media meriton vëmendje me përparësi. Duke parë se ç’del në faqet online të mediave shqip, duket sikur këto ose njoftojnë lirisht se çfarë ka ndodhur ose sidomos është thënë në TV një ditë më parë; ose botojnë komunikatat për shtyp të partive dhe të institucioneve publike.

Mungon, në këtë mes, puna e mirëfilltë e gazetarit, i cili e gjen dhe e filtron lajmin, për t’ia dhënë sa më mirë e më qartë qytetarit.

Ka shumë sensacionalizëm, shkelje të kufijve të privatësisë, thashetheme dhe thjesht trash; por mungon përgjegjshmëria e zërit që flet ose e dorës që shkruan.

Nga ana tjetër, fakt mbetet që dikush diku gënjeu për këtë dhe unë, nga AKZ-ja, do të kisha pritur një përgënjeshtrim zyrtar, së bashku me një mea culpa. Kushedi do ta bëjnë nesër, për të treguar se, si forcë politike, i kushtojnë rëndësi jo vetëm votës dhe dukjes, por edhe së vërtetës; dhe e kuptojnë se, si parti e re, nuk mund ta ndërtojnë imazhin e tyre me bujë, gënjeshtra, photo-op-e dhe rrahje trashamane gjoksi.

Nga komentet që shoqëruan gjestin tonë, më tërhoqën vëmendje disa që e kontekstualizuan atë menjëherë, duke e përfshirë në luftën politike që zhvillohet në Tiranë; dhe duke e klasifikuar denoncimin tonë si “të krahut të Ramës.”

Kjo logjikë nuk ndalet as para supozimit foshnjor se të kundërshtosh sot AKZ-në dhe Spahiun, të thuash edhe gjënë më të vogël që e dëmton imazhin e tyre, do të thotë të punosh për këtë apo atë politikan dhe forcë tjetër politike (që zakonisht vjen nga njerëz me shpirt skllavi, që nuk e konceptojnë dot lirinë e fjalës dhe të mendimit).

Po ta besosh këtë, atëherë i bie që armiku kryesor i AKZ-së të jetë AKZ-ja vetë dhe pisqollat e saj vullnetare e të paguara; sidomos në qoftë se provohet që lajmi në fjalë ka dalë nga kuzhinat e asaj partie.

M’u tha edhe se lajme të rreme jepen pothuajse çdo ditë nga mediat e Tiranës dhe unë nuk paskam marrë mundimin t’i përgënjeshtroj me radhë; çka qëndron, por unë nuk jam zotuar gjë se do të punoj si watchdog i shtypit shqip, dhe as e bëj dot edhe sikur të doja.

Në fakt, lajmi në fjalë më interesoi meqë në NYC jetoj edhe unë vetë, dhe u bëra kurioz të marr vesh se me ç’motivacion do ta kishin bërë Spahiun qytetar nderi të këtushëm, sa kohë që kontributi i tij për The Big Apple ka qenë në masën zero.

U nisa, pra, të kënaq një kureshti personale, dhe zbulova një mashtrim të rëndomtë, tipik shqiptar, dredharak, me shkelje syri të tipit “hajde se nuk po e merr vesh kush”.

Prandaj timin e shoh thjesht si kontribut qytetar, që i ndihmon qytetarisë së mirë, në Tiranë dhe në NYC; në një kohë që ua ndal pak hovin kukuvajkave, arrivistëve dhe skileve politikuese të të gjitha ngjyrave, që nuk e shohin dot botën përveçse në optikën bardhezi të karshillëkut dhe intrigës.

Nuk ka komente

  1. Ju po gaboni ne menyre fatale zoti Xha Xhai. Ju doni t’na largoni si popull nga deshira jone e perjetshme per t’na genjyer dhe mashtruar. Kjo eshte me te vertete gjeme. Por diheni mire, nga kjo vetem Ju keni per te mbetur i humbur, duke rene ne nje vetmi te frikshme. C’te kemi bere zoteri, qe kerkon tna heqesh ushqimin tone te perditshem, dmth, genjeshtren? Tek e fundit, ju duhet ta dini , i nderuar zoteri, shkakun pse ne kerkojme te udhehiqemi perjetesisht nga revolucionare; genjeshtrat e tyre jane melhem per shpirtin tone. Apo nuk i leshojne si fishekzare, te kenaqin shpirtin, lerme o zot te rroje….

  2. Gazetaria jone eshte nje zgjatim i shemtuar i gazetarise Italiane por ne variantit me te poshter te mundshem. Me duket me shume si nje pushtet horrash se sa nje pushtet i katert per nje qeverisje te mire.

    Me ka rene rasti qe te shoh gazetat dhe mediat ne fillimet e viteve 90′ ne vendin tone dhe sa me shume afrojne vitet me 93′ akoma me i madh eshte zhgenjimi, sahanlepirja dhe peshturosja qe ndjej ndaj species gazetar. E di, ngjall krupe kjo qe sapo shkrova sepse udket sikur jam kunder lirise se fjales…ne fakt une jam kunder lirise ne perdhunimin e fjales se lire. E ne eshte nje gje qe ne dime te bejme me mire si qytetare te nje vendi eshte perdhunimi i lirive qe gezojme…qofte dhe per sport.

  3. Sepse me kujtove atje ku ha ndonjehere pica druri, ne pamundesi per te gatuar per familjen. Njeri pergatit brumin, tjetri mbushjen, ndersa i fundit, furrtari, i fut e i pjek ne furre druri.

    Furrtari sepse m’u faneps si gazetar…Fut e nxirr tavat ne furre me nje lopate te gjate e servir ‘pica’ te parapergatitura nga te tjeret. Keta te tjeret jane PR-ja e partive politike…

    Jam lodhur per te etiketuar nje me emrin ‘gazetar’ ashtu sic e di une, por jam sikletosur sa me s’ka.Te gjithe me jane dukur si punonjes ‘deliveri’, qe te ofrojne ‘mish kali’ ne vend te ‘mish gjedhi’ (meqenese eshte lajm i fresket), plot e perplot OMGJ, anipse rrojme ne nje vend BIO. Te gjithe jane furretar, qe fusin e nxjerrin ate lopaten e e gjate ne furren e zjarrte plot thengjij te perflakur te partive politike. Absolutisht nuk kam gje me ata te pozicionuarit politik, jeta keshtu eshte,por e kam me ata gazetare qe jane klonuar ne ‘tru’ sipas klonit ‘albanes’ dhe nuk japin qofte dhe nje mendim kur dikush nga bashkebiseduesit thote se dy e dy bejne pese…Dikush do te thote qe eshte e kollajshme te mohosh dicka qe s’te pelqen. Dakort jam edhe me ate ‘dikush’. Por,ama. (na hengren shpirtin keto ‘por’ ) jo te tallen te vetquajturit a te ashtuquajturit gazetare me ne, duke na treguar pishen e plakur gerdalle ne pyllin me pisha lastare.

    Kur je i barazlarguar nga i drejti dhe i padrejti, per gazetaret e kam xhanem,te akuzojne menjehere se i ke rene me qafe te drejtit…(Ndiqni emisionet ‘opinioniale’ neper tv-te kombetare e jo, dhe do te kuptoni sesi ata, ‘gazetaret’, jane pa pike ‘opinioni’ vetjak, pra nuk marrin pjese ne gatimin e mbushjes se pices qe i jep shijen shtreses se brumit ‘politik’.qe i serviret ‘analfabetit’ politik.).Besoji po deshe ! Bjeri kafkes me gur strall, caje, dhe mbushe me ato qe te thone gjithe kohes qe ti mban telekomanden ne dore .Pse te lodhesh ?!

    E ndjej veten ne siklet kur kam nevoje per te shuar ‘etjen’ e informacionit,..pasi nuk di cfare te zgjedh, restorant a vetsherbim informativ, online a print a direkt tv, kur te gjithe tallen me mua, dhe mundohen te shesin ‘omgj-ne’ per ‘bio’ me reklama llamburitese e trullosese, dhe une si i dehur, duke u kalamendur udheve e rrugicave pyes veten me ze te zvargur : ” Kur kandari eshte i prishur, kush fiton xhanem ?!”:

    Demi me i madh qe na shkaktohet eshte percudnimi i individit ‘gazetar’ dhe i kolektivit ‘te inkubatorit’ qe merr oksigjen me ‘aparat’…

    Ka dy rruge: E para- te ndrohemi ne qe te na beje kostumi gazetaresk dhe E dyta te veshim kostum te ri (mbase dhe te importuar) sipas trupit.

  4. Kot prisni pergenjeshtrim zyrtar nga AKZ, kjo do te ndodhte vetem tek nje force politike serioze. Mos harrojme premtimin e bujshem te Spahiut per te patur 1 milione anetare / simpatizante te AKZ dhe per t’i bere publike emrat e tyre me rastin e 100 -vjetorit te pavaresise.

  5. Ne fakt nuk mund te pritet nje pergenjeshtrim nga AKZ-ja kur vete z. Spahiu dhe AKZ-ja e perhapen kete lajm ne faqet e tyre ne Facebook. Personalisht kam pasur nje ndjenje te dyzuar per ta per vete faktin se ishin te paret qe po llomotisnin dicka per ceshtjen kombetare, por ne te njejten kohe me shqeteson niveli i ulet i tij si dhe premtimet pa fund qe nje mendje racionale nuk mund ti besoje. Pasi pashe kete lajm nga FB i tyre, thjesht nenqesha me dhimbje (duke pranuar perfundimisht kotesine e ndjekjeve te lajmeve shqiptare dhe vazhdimin e shpreses se dic do rregullohet) dhe i hoqa nga lista e lidhjeve te mia ne FB. Por jo pa pare edhe fotot e (4) musketjereve me xhaketa meshini me zinxhire ne mes te Times Square. Eshte thjesht e kote.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: