Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

KRIM ME PLUMB

fajtoriA ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë midis rritjes së nivelit të plumbit në ajër dhe shtimit të kriminalitetit të dhunshëm?

Sipas një artikulli të Kevin Drum, botuar këto ditë në Mother Jones (“America’s Real Criminal Element: Lead”), lidhja është kaq e qartë, sa mund të merret e mirëqenë.

Artikulli u referohet, mes të tjerash, studimeve të Rick Nevin dhe të Jessica Reyes, të cilat kanë hasur në një bashkëlidhje të habitshme midis ndotjes së ajrit me plumb dhe niveleve të krimit të dhunshëm.

Në të dy rastet, autorët besojnë se lakorja e krimit në ShBA gjatë këtyre dekadave të fundit ka ndjekur – me besnikëri të madhe – lakoren e përdorimit të benzinës me plumb nga automjetet.

Nevin ka gjetur të njëjtën bashkëlidhje edhe në shumë vende të tjera anembanë botës.

Drum vëren se hipoteza e lidhjeve mes krimit dhe përdorimit masiv të benzinës me plumb është e vetmja që arrin të shpjegojë, bindshëm, edhe rritjen e krimit në vitet 1960-1970, ashtu edhe rënien e krimit që prej viteve 1990.

Natyrisht, efekti helmues i plumbit njihet prej kohësh, dhe ka qenë një nga arsyet që benzina me plumb sot nuk përdoret më.

Është vërejtur, për shembull, se edhe ekspozime jo shumë të larta të fëmijëve ndaj këtij agjenti shoqërohen me agresivitet, impulsivitet dhe IQ më të ulët.

Megjithatë, hipoteza e Nevin-Reyes mëton të ketë hedhur dritë mbi një raport mes ekspozimit të hershëm ndaj plumbit atmosferik dhe përfshirjes së viktimave të mbiekspozuara në krime të dhunshme, në moshë të rritur.

Në fakt, dy lakoret bashkëlidhen për bukuri, por me një diferencë rreth 20-vjeçare.

Plumbi (më saktë tetraetili i plumbit, ose Pb(C2H5)4 filloi t’i shtohej benzinës në vitet 1920, për të përmirësuar rendimentin e motorëve të automjeteve.

Sot benzina me plumb nuk përdoret më, të paktën në botën e qytetëruar.

Për Shqipërinë më mungojnë të dhënat e sakta. Një studim i mjedisit i komisionuar nga Kombet e Bashkuara në 2003, më thotë se normat shtetërore të përmbajtjes së plumbit në benzinë në atë kohë e kufizonin përmbajtjen e plumbit në max. 5 ppb; por “Në Shqipëri nuk ekzistojnë instrumente ekonomike për të reduktuar emisionet në atmosferë, përveç një takse ndaj makinave të përdorura të importuara. Për më tepër, akciza relativisht e lartë ndaj benzinës pa plumb (90%, krahasuar me 20% për benzinën me plumb) ka të ngjarë të shkurajojë importin e automjeteve që përdorin konvertues katalitikë.”

Kjo në 2003; që atëherë situata ka ndryshuar dhe benzina me plumb nuk duket të përdoret më, për shkak edhe të nevojës për t’u konformuar me legjislacionin europian për mjedisin.

Edhe sipas të dhënave të INSTAT-it, përmbajtja e plumbit në ajrin e kryeqytetit ka mbetur relativisht e lartë së paku deri në vitin 2006: rreth 1 µg/m3; shumë, shumë më e lartë se në kryeqytete të tjera europiane dhe gjetiu në Perëndim; për të rënë pastaj në mënyrë dramatike (pas gjase, për arsye të ndryshimit të legjislacionit).

Nëse hipoteza e mësipërme qëndron dhe duke u nisur nga fakti që brezi i fëmijëve i rritur në zonat urbane të Shqipërisë në vitet 1990-2005 (përafërsisht) u është ekspozuar niveleve tepër të larta të plumbit atmosferik me prejardhje nga benzina me plumb, atëherë, për fat të keq, është për t’u pritur një rritje domethënëse e krimit të dhunshëm në këto zona urbane dhe veçanërisht në Tiranë, duke filluar nga viti 2010 (gjithnjë përafërsisht), së paku deri në vitet 2020-2025.

U lutem lexuesve më ekspertë t’i krahasojnë vetë të dhënat dhe të kontribuojnë, brenda mundësive, në këtë temë me interes të përbashkët (sikurse u lutem edhe që të mos komentojnë me batuta).

Pa Komente

  1. Nuk i besoj kesaj hipoteze. 1960-1970 ne US eshte dekada kryesore e intensifikimit te problemeve urbane si largimi i puneve nga qendrat e qyteteve, largimi i shtresave te mesme ne perferi, dhe izolimi i minoriteteve ne qendrat urbane me perqindje papunesie te larte dhe programe ndihme kunder varferise akoma ne zhvillim e siper. Nuk them se autoret kane menjanuar me qellim keto shkaqe te rritjes se krimit, por nje teori qe nuk shikon pertej lidhjes se plumbit ndaj krimit eshte jashtezakonisht thjeshtesuese.

    Falemnderit per shkrimin.

    1. Siç del edhe nga materialet që citova në tekstin më lart, lakorja e kriminalitetit në ShBA gjatë viteve 1970-2010 është objekt debatesh të mëdha mes kriminologëve, sociologëve dhe “-logëve” të tjerë gjithfarësh. Çfarë dihet me siguri, është se pati një rritje të paparë të krimit, dhe pastaj një rënie po aq të paparë, kudo në ShBA. Për këtë janë dhënë shpjegime nga më të ndryshmet, nga ato tradicionalet (punësimi, ndryshimet ekonomike dhe demografike, etj.) te të tjerat më “ekzotike” – p.sh. teoria e dritares së thyer, ose lakorja e përhapjes dhe përdorimit të “crack”-ut. Ka edhe teori që rënien e krimit pas vitit 1995 (pak a shumë) e shpjegojnë me legalizimin e abortit në ShBA pas vitit 1973, meqë supozohet se shumë prej fëmijëve shumica jashtë kurore që filluan të abortohen ligjërisht do të përbënin kontingjent të kriminalitetit (aborti “i vrau” këta kriminelë që në embrion). Kjo e plumbit është një hipotezë që, siç e shoh tani, i ka rezistuar kohës dhe duket goxha e mbështetur nga pikëpamja e analizës së të dhënave. Çfarë ka interes të madh për ne në kontekstin e PTF është se çështje të tilla diskutohen gjerësisht në ShBA, madje edhe në nivelin e mediave për publikun e gjerë, duke e përndjeshmuar opinionin publik edhe për tema që i kapërcejnë kufijtë e “ky i tha kështu, ai i tha kështu.” Shqipëria ka pësuar shndërrime të jashtëzakonshme në këto 20 vjet; por nuk shoh të diskutohet gjëkundi për pasojat afatgjatë të këtyre shndërrimeve. Tirana duket sikur është indiferente ndaj së ardhmes. Veç të shohësh shkatërrimin e mjedisit, ndotjen e atmosferës, shtimin e madh të makinave dhe krizën e përgjithshme të mashkullit, mjafton për të supozuar se jemi duke luajtur me zjarrin; jo sepse i kemi kaluar dhe përjetuar këto procese (nuk jemi të vetmit), por sepse nuk po reflektojmë për to, nuk u kushtojmë rëndësi, të fiksuar siç jemi pas problematikës meskine të pushteteve (“çfarë tha Berisha në Twitter”).

      1. Kam pershtypjen se per rastin shqiptar shpjegimi me i arsyeshem do te ishte ai i “dritares se thyer”.

  2. Me teper sesa plumbit, rritjen e kriminalitetit ne Shqiperi, krahas prapambetjes kulturore konstante dhe agresivitetit te lindur trasheguar nga prinderit, une ja dedikoj edhe cilesise se keqe te alkolit qe konsumohet rendom neper klubet tona.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin