Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

TORTA E PAVARËSISË

Kremtimi i tortës gjigante dje në Tiranë më gjeti të sekuestruar në një studio televizive të A1 Report, ku kisha shkuar për të biseduar rreth librit dhe të tjerave tema “të miat” me sugjerim të botueses Dudaj; dhe ashtu e pashë të transmetuar live një ngjarje që përndryshe do ta kisha snobuar, meqë nuk besoj të ketë gjë më të mërzitshme në këtë dynja, sesa të shohësh disa njerëz (aq më keq politikanë) që presin një tortë.

Natyrisht, eventi gastronomik do të merrte përparësi ndaj kundërshtimeve të mia për purizmin, dhe ashtu u përfshimë, me drejtuesen e emisionit M. Kazhani, në një bisedë komentuese rreth çfarë po shpalosej në ekranet, përtej kuqezisë së detyruar të festës; edhe pse ishte praktikisht e pamundur të përmbaje hilaritetin, kur kryebashkiaku i Tiranës ia dha fjalën “njeriut që e mbështeti dhe ndoqi minutë pas minute gjithë përgatitjen”, dhe që unë kujtova se do të ishte kryepastiçieri ose kushedi ndonjë inxhinier kremërash, por që  paskësh qenë no one but mah main man, kryeministri i Shqipërisë Berisha, i cili megjithë agjendën e ngjeshur kish mundur të merrej edhe me administrimin e ëmbëlsirës ceremoniale.

Natyrisht, u tha dhe u përsërit me këtë rast se kjo ishte torta më e madhe në këtë anë të Rrugës së Qumshtit, 550 metra katrorë dhe 15 ton, një fushë e mirëfilltë futbolli, që vezullonte ngjyrë shege, me një shqiponjë të zezë dhe enigmatike në mes; në ekran siprina e tortës dukej sikur dallgëzonte lehtazi, një flamur prej kremi, lëngu shege dhe gjalpi të freskët, kurbani kosher për Tiranën, pas braktisjes dinake të planit A, ose të qingjave qumështorë.

Pastaj sollën një si thikë rrethore, nga ato të picave por edhe ajo kushedi më e madhja në Rumeli, dhe gjithçka dukej se po shkonte sipas parashikimeve, me kusht që këto parashikime t’i kish bërë kush; dhe pushtetarët kullufitën nga pak tortë për harenë e të gjithëve, në një kohë që masa e njerëzve e mbledhur në shesh dukej ende e matur dhe e përmbajtur, edhe pse me stomakun të gatshëm për kremtimin gustativ të tortës kuqezi, dhe bashkëbiseduesja ime në studio po e kthente me lezet muhabetin në temat “tona”, kur befas ia nisi një farë trazimi në turmë, tek buthtuan pak figura katalitike, të shpupurisura dhe gjithnjë anonime, me xhupa ngjyrë miu, që duke u shtyrë brinjas përftuan vorbulla alarmante, mu nën sytë thithës të kamerave.

Ashtu robtë e ardhur atje veç e veç e filluan metamorfozën e tyre në turmë, teksa unë – dhe besoj të tjerë shikues të A1 Report – po dëgjonin telekronikën e shqetësuar të Kazhanit, si të një ndeshjeje regbije që po i dilte arbitrit nga dora kushedi edhe për faj të ndonjë çete tifozësh të zbritur si përrua në fushë; dhe turma po i avitej tortës tashmë me një hap dhe ritëm tjetër, më kërcënues, sikurse veç turma di ta bëjë; dhe sakaq u shfaq një grua e shkalafitur, së cilës i ra të fikët mu përpara tortës, në krahët e bëshëm të policëve, si t’i ish fanitur ndonjë vizion i përtejmë, dhe u desh ky incident grotesk që ta shndërronte festën në festival, nga ato të Dionisit në Greqinë e lashtë, sepse tashmë midis turmës dhe tortës më të madhe në galaktikën tonë nuk gjendej më asnjë barrierë, asnjë hendek, asnjë rrip toke të askujt.

Çfarë të thuash në këto raste, përveçse të sjellësh në mendje e kushedi edhe në vëmendje pamje të tjera turmash të ngjashme, madje të njëjta, si ato të krizës së ambasadave në korrik të 1990-ës, ose të refugjatëve shqiptarë në kalatat e porteve të Puglia-s në pranverë dhe në verë të 1991-shit; ose edhe më keq, ato të sulmit ndaj Pallatit të Dimrit (korrigjoj: selisë së kryeministrisë) në janar të 2011-ës; vetëm se në këtë rast nuk ish fjala për dhimbje, as për uri e panik, as për etje dhe frikë dhe dëshirë për ikje; por vetëm për festë, të pompuar nga politika dhe të zbrazur nga kuptimi, mu për shkak të pompimit.

Kjo ishte festa e tortës, e ideuar në Tiranën kaotike të këtij 28 nëntori, për turp të organizatorëve – të cilët nuk arritën të parashikojnë e të programojnë asgjë, as të ngrenë në këmbë ndonjë sistem të thjeshtë mekanik për kontrollin e masës së njerëzve në lëvizje. Tashmë nuk shihje më as autoritete, as polici; por vetëm “qytetarë” që sulmonin qilim-flamurin prej kremi, me qese dhe kuti plastike dhe lopata; teksa të tjerë nisën të ecin mbi të, si të ishte edhe torta një truall për t’u kapur e për t’u dhunuar; shtresë e freskët çimentoje për t’u shenjuar me gjurmën e çizmes. Torta më e madhe në univers, vërtet; por edhe budallallëku më i madh i vitit, së paku brenda sistemit tonë diellor.

Çfarë i bëri vallë njerëzit të lëshoheshin ashtu mbi ëmbëlsirën publike? Asgjë, vërtet; askush prej tyre, i marrë veçmas, nuk do të kish guxuar t’i vërvitej tortës aq babëzisht. Përkundrazi, ishte turma ajo që sulmoi, dhe motivet e turmës janë sa të thjeshta, aq edhe të vështira për t’u verbalizuar: turma iu vërvit tortës sepse torta thjesht ishte aty, e ofruar për konsum; tek e fundit njerëzit prandaj edhe ishin mbledhur në shesh, jo aq për ta ngrënë tortën, sesa për ta konsumuar simbolikisht; torta ishte arsyeja e turmës, po aq sa ç’ishte turma arsyeja e tortës.

Në këtë tablo, që rimerr emblematikisht historinë e marrëdhënieve tona me hapësirën publike këto njëzet vjet, munguan vetëm forcat e rendit, organizatorët, sistemi i kontrollit masiv, parashikimi i skenarit më të keq; me fjalë të tjera, qytetërimi, gjakftohtësia dhe përgjegjshmëria. Festa e madhe e 100-vjetorit të Pavarësisë, degradoi kështu në një konsum ritual të flamurit kombëtar, të cilin njerëzit e copëtuan dhe e hëngrën; veç jo me rregull dhe hijeshi, si në gostinë aq të pritur dhe të uruar; por me atë kaos, egërsi dhe instinkt të cilin jemi mësuar tashmë ta shohim te shqiptarët, sa herë që këta mblidhen bashkë, në momente kritike të historisë.

E ulur përballë meje, Kazhani më tingëllonte pak e shqetësuar nga pamjet, por ndoshta këtë shqetësim ia kërkonte edhe roli në mos përgjegjësia; unë mbeta, përkundrazi, indiferent – të thuash se nuk prisja më tepër, prej një mase të mbledhur në shesh për të festuar rekordin botëror në lëmin e pastiçerisë dhe për të marrë pjesë në konsumin ritual të këtij rekordi. Megjithatë, më duhet të rrëfehem se pamja e disa pak të çarturve që vraponin mbi tortë, me një shprehje pothuajse bezdie në fytyrë, do të më mbetet në mendje; por ndoshta thjesht ngaqë nuk shoh shumë televizion dhe aq më pak televizionin shqiptar, që është shquar gjithnjë për zotësinë me të cilën i ka përcjellë live momentet më të shëmtuara, në mos më dramatike, të dinamikës së turmave tona në këto 20-25 vjet, të cilët, në analizë të fundit, kanë qenë vitet e turmave, teksa shqiptarët kanë fituar njëkohësisht edhe lirinë edhe demokracinë, por me çfarë çmimi! Historia përsëritet, le ta themi edhe një herë me Hegelin, por herën e parë si kurban gjaku, dhe herën e dytë si ëmbëlsirë – pa çka se dinjitetin e shtetit dhe të qytetarit e kemi shkelur me këmbë në të dy herët.

Kështu e kalova pasdreken e festës së madhe duke filozofuar mbi një fiasko; dhe duke u bërë pjesë, dashur pa dashur, në shndërrimin e kësaj orgjie gastronomike në diçka në mos të pranueshme, së paku zbavitëse për publikun. Ja ç’të bën Tirana…

Pa Komente

  1. “Në këtë tablo, që rimerr emblematikisht historinë e marrëdhënieve tona me hapësirën publike këto njëzet vjet”.

    Xhaxha, kjo marredhenia jone me publiken, jo vetem hapsinore, me kujton vegjeline dhe idilet e kaluara ne fshat veres andaj nga fundi i viteve 80-te. Rendom fshataret qe gjate dites ju kullonin djerset neper arat e vreshtat e kooperativave, gjate nates e reduktonin kete abstraksionin e ‘publikes’, kooperatives (te mirat e punes se perbashket me nje fjale) ne nje marrdhenie me te drejtperdrejte, me nje qark te shkurter duke ‘i vjelur’ direkt te mirat. Nuk jam i zoti as sot e kesaj dite te shkoqis shkaqet e kesaj pamundesie qe si shoqeri kemi per ta brendesuar kete absktraksion qe eshte ‘publikja’.

    Edhe nje gje tjeter, e gjith ideja e konsumimit publik te tortes-flamur me ngjau mu si nje lloj eukaristie laike. Simon Critchley tek libri “The Faith of the Faithless” (http://www.newyorker.com/online/blogs/books/2012/02/simon-critchley-faith-of-the-faithless.html) rreket te argumentoje se sekularja nuk eshte teresisht e zhveshur nga metafizikja edhe ne praktika te tilla si betimi mbi flamur dhe nje lloj fetishizimi i disa simboleve dhe praktikave te shtetit shohim nje lloj manifestimi te besimit te atyre qe nuk besojne. Refleksioni im ketu eshte qe ne kete ‘eukaristine’ e flamurit duket qartazi qe as “fene publike” nuk e kemi perqafuar me tere zemer.

  2. U be nje orvatje nga disa qe kjo babezi e mases se njerezve te shikohej si nje reflektim i varferise materiale te njerezve. Madje qe edhe shoqerimi te pakten me te qeshur i nje momenti kaq grotesk ne mes te kryeqytetit ishte ne nje fare menyre e denueshme sipas tyre. Besoj se pjesa me e madhe e Shqiptareve jane dakort se ketu vehen ne pah nje sere problemesh me te cilat perballet cdo dite shoqeria jone. Varferia eshte faktor, por me i madh jane mungesa totale e konceptit te qytetarise, kultures, arsimimit, higjenes, ndergjegjes, respektit per ligjin etj. Njerezit (nese mund ti quajme te tille) qe masakruan torten jane vetem maja e ajsbergut e nje mase jashtezakonisht te madhe produkti te shperfytyruar njerezor qe kane krijuar keto 20 vite te fundit te kaosit te gjithecfareshem ne kete vend.

  3. Me jeni dhimbsur dje tek ju shihja ne ate studio “te sekuestruar” sic thoni, i detyruar per te bere here pas here edhe ndonje koment. U kuptua lehtesisht se per tjeter qellim gjendeshit aty edhe pse vihej re nje perpjekje tinzare dhe aspak profesionale e Kazhanit, per tju perfshire medoemos ne bisede teksa “shqyhej” torta flamur… Por ne momentet kur po lutesha qe ajo studio te nderpriste transmetimin e imazheve te ndyta dhe sidomos komentet live mbi to, ju shihja ju si mundesine e vetme qe gazetarja ti therriste mendjes dhe te na e kursente ate pacavurllek …

    1. Të gjithë u kapën të papërgatitur – besoj edhe autorët e emisionit. Natyrisht, unë nuk jam mësuar të komentoj ashtu, as jam njeriu i përshtatshëm për atë punë, prandaj edhe instinktivisht “u mbrojta” pak; por përndryshe u zbavita dhe nuk i vë faj drejtueses Kazhani, e cila edhe ajo s’e pati të lehtë ta përcillte ngjarjen.

  4. Në këtë tablo, që rimerr emblematikisht historinë e marrëdhënieve tona me hapësirën publike këto njëzet vjet, munguan vetëm forcat e rendit, organizatorët, sistemi i kontrollit masiv, parashikimi i skenarit më të keq; me fjalë të tjera, qytetërimi, gjakftohtësia dhe përgjegjshmëria

    Ne mos gabofsha, forcat e policise te shtetit, sa here qe mblidhen turrma te tilla i bejne me shume dem vetes, me ate coroditjen e tyre. Ose te pakten keshtu thoshte analiza qe policia i beri vetes per rastin famekeq te 21 Janarit.

  5. “torta ishte arsyeja e turmës, po aq sa ç’ishte turma arsyeja e tortës.”

    Thjesht, shkurt dhe bukur! Kjo ishte permbledhja e pershkrimit te festimit te 100 vjetorit te pavaresise ne kryeqytetin e shqipetareve.

  6. Sieriozisht e ke Z. autor se ishte mungesë qytetërimi e përbashkët shkelja e tortës nga 20 a 30 veta?

    E filloni shumë bukur me papërgjegjësinë e policisë së shtetit dhe organizatorëve që nuk vendosën dot ca kangjella si në çdo hyrje koncerti dhe e mbyllni me mungesën e përgjithëshme të qytetërimit. Nuk e kuptoj se si arrini të identifikoni një qytet, një fshat a një komb me veprimet e qoftë edhe 100 vetëve.

    E habitshme si analizë, por shpresoj ta kem lexuar gabim.

    1. Edhe papërgjegjshmëria e autoriteteve është mungesë qytetërimi – autoritetet janë tonat po aq sa torta.

  7. I nderuar! E çmoj pershkrimin dhe vleresimin tuaj per kete “madheshti” te denje per pushtetvjedhesit e sotshem por dua te bej vetem nje verejtje kur ju shkruani “….atë kaos, egërsi dhe instinkt të cilin jemi mësuar tashmë ta shohim te shqiptarët, sa herë që këta mblidhen bashkë, në momente kritike të historisë…” Une nuk mendoj se eshte tamam keshtu, bile mund te shprehem se kjo nuk eshte keshtu sepse ne më te shumten e momenteve te tjera te historise kur shqiptaret jane bere bashke kane treguar aftesi dhe kulture per ta orjentuar energjine e tyre qe buron nga ndjenjat me te pastra e me te civilizuara njerzore, drejt perparimit, civilizimit dhe lartesimit te vlerave kombetare.Nuk po ndalem ti evidentoj keto momente sepse jame i bindur qe autori , me pak perqendrim, dhe me më pak revolte ndaj se keqes qe me te drejte e ka ngacmuar, ka kulturen per ti gjetur vete ne trajektoren e levizjeve historike te kombit tone.

    1. Shkruan:

      ne më te shumten e momenteve te tjera te historise kur shqiptaret jane bere bashke kane treguar aftesi dhe kulture per ta orjentuar energjine e tyre qe buron nga ndjenjat me te pastra e me te civilizuara njerzore

      Dakord. Flisja më tepër për grumbullimet masive, jo për bashkime si Lidhja e Prizrenit, ose Kongresi i Lushnjës.

  8. eshte e hidhur kur e sheh veten ne pasqyre kaq taze. Mbyllje e denje e nje celebrimi po aq te denje.

    1. Torta ‘gines’ e shtrire me ngjyre shege sepse m’u be si nxjerrja e carcafit ne ballkon pas nates se pare te marteses (nje rit i vjeter tek komshinjte tane).

      Sqarim koti: Meqenese jemi dy ‘ana’ ne blog po e beje ‘anna’…

  9. Meqë po flisnim për racizmin tek tema tjetër, dhe mënyrën sesi e shohim… Xha Xhai thotë se i ngeli në mendje ajo skena, citoj:: “Megjithatë, më duhet të rrëfehem se pamja e disa pak të çarturve që vraponin mbi tortë, me një shprehje pothuajse bezdie në fytyrë, do të më mbetet në mendje;”

    Mua më ngeli në mendje një tjetër skenë, ajo e disa njerëzve që ndërsa hanin tortë me mënyra jo ndër më të civilizuarat, mbulonin fytyrën, në mënyrë që të tjerët (në këtë rast kamera) të mos i shihnin. Mua më duket formë mëse përfaqësuese e mënyrës sesi i shohim problemet. Apo do duhej, për t’i qëndruar tortës arsye dhe arsyes tortë (shumë e gjetur), të them: mënyra sesi problemet na shohin ne. Çështje këndvështrimi, je në syrin e kameras që filmon, apo pëllëmba përpara fytyrës…

  10. Kjo puna e tortes, “ceshtja Torta”-po te besosh komentet ne internet, me kujtoi ato vajzat serbe qe vodhen “patika” diten qe serbet po digjnin e shkaterronin dyqanet “perendimore” te nesermen e shpalljes se pavaresise se Kosoves.

  11. Ajo skena e tortes nuk perben problem, sepse kudo ne bote te behej keshtu do te degjeneronte po nuk pati organizim. Ajo qe me ben me shume “pershtypje” eshte prezenca i kryeminsitrit, i cili eshte person i kudondodhur ku jane prezent mediat. Eshte si ai çamarroku qe do te hipe i pari ne cdo peme frutash per te marre nje kokerr, te tjeret vetem pas tij mund te vijojne. Po keshtu edhe me kete artisten Rita Ora. Doli si zorre prane saj a thua ti kishte prere kerthizen. Nuk po e zgjas se me hapet barku.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin