Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

UDHËTIM ME LAVJERRËS

 

Vrasja – një mes të shumtave – që kap kryetitujt e mediave: një vajzë fare e re vret të dashurin e vet. Thuhet se “ai” e kish rrëmbyer, se e mbante me forcë, se e mbante si skllave seksi; se kërkonte ta trafikonte, ta çonte përtej detit, ta shiste si robinjë.

Ngrihet pastaj i ati i vrasëses dhe e falënderon të bijën në publik, sepse “i shpëtoi nderin.” Një farë ligjërate mesjetare, primitive, arkaike për gjakun e marrë dhe gjakun e pashlyer përcillet edhe ajo, si pa të keq, nga mediat.

Rrjetet sociale e përjetojnë vrasjen si drejtësi të vënë në vend, si vetëmbrojtje, si gjest të skajshëm proteste nga viktima kundër përndjekësit, si apoteozë të vetëgjyqësisë. Nga të gjitha anët burojnë mesazhe përgëzimi për gjestin dhe thirrje që autores t’i njihet pafajësia.

Publiku shqiptar e përjeton këtë ngjarje, të trishtuar në vetvete, të pikëlluar, të mjeruar; këtë dramë të periferisë; këtë konflikt mes njerëzish të çrrënjosur nga dheu i tyre, si të ishte një episod i mëtejshëm i një telenovele; i njërës prej telenovelave të shumta, brenda dhe jashtë televizionit, me të cilat nyjëtohet sot jeta e shqiptarit anonim.

Një ditë më pas, mediat e çojnë një shkallë më lart histerinë e informimit, duke shtënë në dorë dhe bërë publike mesazhet SMS të shkëmbyera mes viktimës dhe “viktimës” – ku nuk mungojnë hollësitë erotike dhe ethet epshore të një çifti kapur peng i vetvetes.

Lexuesi nuk di nëse të zhgënjehet me këtë dhunim të ri që i bëhet vajzës së re, pavarësisht nëse vrasëse apo heroinë, femme fatale apo viktimë, ëngjëll apo demon; apo të zhgënjehet me personazhin vetë, që sakaq duhet zbritur nga piedestali prej shënjtoreje të dëlirë, ku e kishin hipur vetëm një ditë më parë.

Çuditërisht, vetë SMS-të e botuara s’e kanë hiç të vështirë të integrohen në vijën narrative të telenovelës që vazhdon; krahas me foton intime të çiftit, të nxjerrë pas gjase me të njëjtin celular ku janë ruajtur dhe pastaj zbuluar e zbardhur shkëmbimet soft porn.

Kanë folur, ndërkohë, sociologët dhe feministet, antropologët dhe urbanistët, sikurse kanë folur ruajtësit e rendit, të indinjuarit profesionistë, viktimologët, etnologët dhe ithtarët e drejtësisë ekstreme.

Kanë folur edhe të gjithë ata që tundohen nga vrasje të tilla, duke parë aty hijen ose projektimin e përçudnuar të nevojës për dënim me vdekje, ose të një shoqërie të sëmurë, si ajo shqiptarja, për t’i ekzekutuar të gjithë ata që ia kujtojnë në mënyrë flagrante dështimet e veta.

Një vrasje banale, një narrativë e melodramatizuar nga media të kategorisë së tretë, një motiv hakmarrjeje i risjellë në mënyrë më të pranueshme nga të njëjtat mendje të ngecura në Kanun, një mori viktimash të llojeve të ndryshme, që ia përcjellin fajin njëra-tjetrës thjesht për t’u ngushëlluar.

Vapë e madhe këtë verë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin