NJË SHOQËRI ME AUTIZËM

nga Xhabyni

Kur një qenie e izolon veten nga bota që e rrethon duke krijuar një botë të sajën në mendje nuk arrin të perceptojë veprimet, kohën, kontekstin dhe realitetin. Izolohet në një botë imagjinare e cila shërben jo vetëm si një vend arratisje por edhe si basen i cili ushqen tërësinë e ndjenjave dhe vendimeve, një qenie autike tenton të shkëpusë të gjitha marrëdhëniet e saj me botën dhe atë çka e rrethon. Edhe sikur për një moment kjo qenie të fitojë njohuritë dhe të kuptojë (përmes shqisave të saj) se bota që ka krijuar është tërësisht e trilluar dhe jashtë realitetit të pranuar nga shoqëria ajo e ka të vështirë që të shprehet dhe të flasë duke qenë se vetë natyra e saj nuk e lejon të shprehet. Imagjinoni sikur ky person të jetë shoqëria dhe sikur elementët që krijojnë këtë botë dhe detyrojnë autizmin të jemi ne.

Gjatë dy javëve media raportuan gati pesë krime të tmerrshme që ndodhën  me një vrull të hatashëm njëra pas tjetrës, por duket se askush nuk u e vendosi ujin në zjarr. Një pjesë ishin të shushatur për datën 6 gusht dhe vazhduan replikat e tyre, të tjerë ishin të hutuar nga pushimet që po afronin dhe se u duhej të zgjidhnin bikinit apo shapkat për atë ditë hyjnore, ato të paktë që folën ishin pak të dëgjueshëm.  Shoqëria në tërësi reagoi duke i dënuar por askush nuk shkoi më tej. Jeta vazhdon, sikundër duhet të vazhdonte apo jo? Askujt nuk i interesoi se një baba arriti të vriste vajzën e tij duke e goditur me gjakftohtësi e pas një debati të gjatë me një automatik, që një tjetër prind mori në duar fëmijën dhe me një ftohtësi dhe djallëzi e hodhi atë nga kati i katërt i maternitetit.

Ndërkohë që po të flasësh me një amerikan dhe ta pyesësh se çfarë duhet të kesh për të qenë një amerikan i mirë (patriot i mirë le të themi?) ai përmend vlera morale që mund të zotërojë njeriu, duhet të kultivosh ato vlera morale për të qenë një amerikan i mirë. Për të qenë shqiptar nuk ka nevojë të kultivosh vlera morale sepse de facto shqiptari i ka të gjitha vlerat e larta morale të kultivuara, pra ti mjafton të jesh shqiptar sepse vetiu i zotëron të gjitha vlerat morale në një stad të lartë. Zotëron besën, mikpritjen, drejtësinë, trimërinë, zgjuarsinë, dinakërinë e kështu me radhë të gjithë cilësitë më të larta morale që njeriu njeh.

Që këtu nis brumosja e deformuar e shoqërisë sonë e cila nuk të ysht të ushqesh vlerat për të qenë një qytetar dhe nënshtetas i mirë por përkundrazi të ysht të veprosh si të duash sepse ti shëlbimin hyjnor e ke në gen, pak a shumë si hebrenjtë të cilët parajsën e kanë të siguruar duke qenë se janë të përzgjedhurit e Zotit. Që nga ky moment shoqëria jonë shndërrohet në një entitet i cili mbyllet në veten e saj përmes ushqimit të miteve, legjendave dhe po kështu merr një karakter egoist dhe përjashtues për shoqëritë e tjera. Kur ne flasim për vlerat morale ato domosdoshmërish lidhen me kombin dhe shenjtërinë e gjakut  tonë.

Por realiteti është tërësisht i kundërt me atë që ne mundohemi të predikojmë, ajo çfarë sytë tanë po shohin përditë është tërësisht e kundërt me atë që ne i dëftejmë vetes duke i heshtur ato që mundohen të perceptojnë realitetin dhe të meditojnë mbi të. Sepse për ne nuk është e shenjtë vlera morale e lirisë së tjetrit por për ne është e shenjtë gjaku dhe shenjtërimi i kombit e shoqërisë sonë. Kultivimi i vlerave morale nuk është i detyrueshëm për eskatologjinë e individit në shoqëri sepse individi është i shpëtuar që në çastin kur ai pranon me zemër dhe me vepra mbisundimin e shoqërisë sonë ndaj gjithë shoqërive të tjera, ndaj kultivimi i vlerave morale mbetet vetëm një proces personal jo i detyrueshëm. Mangësia e këtyre vlerave nuk e ul personin nga piedestali i të qenit pjesë krenare dhe mbizotëruese e shoqërisë sonë sepse ai vetiu i ka të gjitha të mirat dhe vlerat morale duke qenë se gjaku i tij rrjedh nga ai i Akil Peleut, Aleksandrit të Madh, Teutës, Komnenëve, Topiajve , Skënderbeut etj të cilët janë mbartësit e këtyre vlerave dhe tejçuesit e tyre. Një sendërtim i tillë krijon një problem të thellë kulturor (që edhe Sokrati ua vuri në dukje athinasve) atë të mospasjes së katarsisit, zhdukjen e meditimit dhe hulumtimit shoqëror që vijnë si pasojë e përsosjes morale. Por kur një përsosje e tillë nuk është e obligueshme për shoqërinë sepse ajo ekziston dhe qëndron e kultivuar vetiu në këtë shoqëri atëherë u hapet udha zhdukjes së zërave që kërkojnë të rizgjojnë katarsisin dhe përsosjen morale të njeriut, me pak fjalë ato që predikojnë përsosjen morale dhe largimin nga mitet janë armiqtë e kombit apo thënë më mirë korruptuesit e shoqërisë civile.  Kështu që fillojmë të zhdukim ato zëra që realisht na tregojnë se bota që po ndërtojmë për veten tonë është thjesht një botë jo reale, se  po vazhdojmë të mbledhim pasuri për të qenë të pavdekshëm, të ndërtojmë tempuj adhurimi për vetët tona ashtu që brezat e ardhshëm të adhurojnë dhe të përmendin emrin ani pse ne nuk do të jemi më as nën tokë.

Këto ditë po na tregojnë qartazi se shoqëria jonë po vjen drejt grahmave të fundit të një jete pa katarsis, nuk është se po parashikoj apokalipsin por po mundohem të gjykoj përmes asaj që po shoh dhe realisht ajo që po shoh është shumë e trishtë. E të mos biem pre e justifikimit të kahershëm “Politika i ka fajet” sepse kjo do të thotë t’i lajmë duart si Ponc Pilati, nuk është faji i politikës por edhe nëse është faji saj sërishmi “gjaku i saj do të bie mbi ne dhe kokat e fëmijëve tanë”. Ka ardhur një kohë për të kthyer kokën pas dhe për të vëzhguar se çfarë kemi bërë, ndoshta ka ardhur koha që të kalojmë nga një shoqëri e post-tallonizuar në ideologji, ka ardhur koha të reflektojmë mbi atë që duhet të kishim bërë dhe mbi atë që kemi kryer. Ka ardhur koha të ulemi dhe të shohim veten tonë në pasqyrë dhe të pranojmë pamjen që kemi dhe jo atë që kemi dashur të kemi.

Nuk ka komente

  1. Trishtim i shendetshem (sa per te hapur fjalen), por nuk jam shume i bindur se e gjitha kjo nuk ka lidhje me politiken. Mbase jo drejtperdrejt do te thuash, por lidhje ka. Se pari sepse politikes shqiptare nuk i njohim akte shembullore te administrimit legal te vendit. Per me teper, ajo, klasa politike me te drejte identifikohet me baronet e ekonomise se vendit. Drejtesia shqiptare eshte mbrojtesja me e mire e krimeve te politikes.

    Sinjali qe ka dhene deri tani politika eshte ai i pasurimit nepermjet krimit e permes krimit.Pa turp dhe ne sy te te gjitheve.
    Nga nje ane jane ata te tenderave te sotem nga ana tjeter jane ata te tenderave te djeshem, miliarderet me klientelat perkatese.
    Shkurt ai krimineli i rruges e di se kriminele me te medhenj se ai jane ne pushtet. Dhe nuk ka shprese shpetimi. Perspektivat jane te mira per tu shtuar edhe me shume.Kriminele te tjere me nofulla te medha po pergatiten te marrin pushtetin. Per te siguruar ate qe grabiten dje.

    Si mase paraprake nuk lejojne heqjen e imunitetit, por kjo eshte pjesa me e dukeshme e shpirtit te ndragur e te felliqur te politikanit shqiptar, i karshillekut ndaj vendit. Krimi i vogel i rruges kultivohet ne shtratin e madh te krimineleve politike.

    Vuajme edhe pasojat e regjimit komunist, sado te duket i larget.

    Kriminelet e sotem te rruges jane ato femijet e traumatizuar te cilet nenat e tyre kooperativiste i perplasnin ne kopshte duke u lene nje shishe uji me sheqer te koka e shkonin te zhyteshin si skllever neper balta, per hiç gje. Ata femije do te kishin rastin te ngopnin barkun me buke vetem atehere kur prinderit e tyre vidhnin ndonje kg groshe te arat e kooperatives.
    Shoqeria shqiptare i ka zbuar dhe i ka te zhveshur nga çdo moral dhe ndjenje. Nuk u ben syri xixa dhe e kane me kollaj te te ngulin thiken e te te marrin bizhute se sa te tentojne nje here ti kerkojne me fjale.
    Krimi riprodhon krimin, tha.

    1. Në fakt, çfarë po ndodh sot në Shqipëri është diçka e paprecedent në histori – një kalbëzim moral i paparë i institucioneve, që nga maja e shtetit deri familje, por në rrethanat kur reagimi normal politik ndaj këtij kalbëzimi (kundërdhuna e organizuar institucionale, dënimi me vdekje, diktatura e djathtë, regjimi policor, grushti i shtetit) janë pamundësuar për shkak të lidhjeve dhe varësive ndërkombëtare të vendit.

      Natyrisht, rreziku i shqiptimit policor është i papranueshëm në vetvete, por luan rol pozitiv, si deterrent, sa kohë që mbetet si kërcënim në sfond; mirëpo kriminelët sot në Shqipëri nuk kanë fare frikë nga skenarë të tillë hipotetikë, sa kohë që klasa politike synon Europën dhe u konformohet hareshëm standardeve skandinave që BE-ja eksperimenton me ne.

      Me logjikë vetëm, nga rrethana të tilla nuk mund të presësh veçse që shoqëria shqiptare të pjellë një të keqe me cilësi dhe përmasa të tilla, që të përbëjë rrezik për rajonin dhe krejt Europën; dhe duke gjykuar nga format e tanishme të kësaj të keqeje, ajo s’mund të ketë veçse fytyrën e krimit të organizuar.

      Rreziku është që Shqipëria të përfundojë, në raport me Europën, me një status të përafërt me atë të rajoneve të sunduara nga kriminaliteti i organizuar në Italinë e Jugut: Campania, Calabria, Sicilia, Puglia brenda një shteti si Italia, të modeluar si shtet demokratik europian modern, që nuk mund të përdorë dhunën si mjet kryesor për të luftuar kriminalitetin të rrënjosur në shoqëri.

      (Italinë e shelboi, deri diku, aleanca midis gjyqësorit të pavarur dhe të majtës komuniste; por nuk duhet të harrojmë rolin e madh që luajti Kisha Katolike atje, për mirë dhe për keq, dhe gjithsesi si amortizator i mrekullueshëm. Vetëm se Italia ka traditë institucionale shumë të pasur, të pakrahasueshme me tonën.)

      M’u kujtua këtu një batutë e vjetër prej serialit televiziv La Piovra, ku një mafioz italo-amerikan shprehet kështu: “L’Italia conta poco negli Stati Uniti. Quello che conta è Palermo.”

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: