Një kolege më njoftoi, në faqen e Gastares në FB, se në një emision lajmesh të TV Klan-it kish dëgjuar shprehjen e mnershme:
Gjatë lançimit të çeljes së konkursit
Dukuria, sa absurde aq edhe tipike, hedh dritë mbi mekanizmin si depërtojnë dhe përdoren fjalët e huaja “të panevojshme” në shqipen publike.
Natyrisht, mund të thuhet lançimi i konkursit (shëmtuar, por kuptimisht e saktë); sikurse mund të thuhet çelja e konkursit (gjithashtu e saktë) – në një kohë që lançimi i çeljes së konkursit vetëm sa sinjalizon një problem me thënien dhe ndoshta me vetë folësin.
Thjesht çelja e konkursit do të mjaftonte; dhe folësi me siguri e di se ç’kuptim ka kjo shprehje.
Nëse ky folës e di apo jo edhe kuptimin e fjalës lançim për këtë vetëm mund të spekulojmë.
Gjithsesi, sikur ta dinte, zor se do ta përdorte së bashku me fjalën çelje, për të përftuar këtë pleonazëm qesharak.
Kemi të drejtë të mendojmë, në një rast si ky, se fjala lançim në thënien e mësipërme kryen një funksion ose përmbush një detyrë gjuhësore cilësisht të ndryshme nga ajo e fjalës çelje.
Nëse kjo e dyta, çelje, i referohet ngjarjes, e para – barbarizmi lançim – e kontekstualizon ngjarjen dhe lajmin vetë; duke e futur në një kategori ngjarjesh dhe lajmesh përkatëse, të cilave u bashkëlidhet zakonisht fjala lançim.
Për ta thënë me mënyrën e Roland Barthes-it, lançim mund të jetë nga ato fjalë në ligjërimin shqip që nuk denotojnë asgjë, por veç konotojnë.
Po cili është ky kontekst, i cili kërkon që fjalët, shprehjet dhe thëniet të vijnë me sinjale të tilla, njëlloj si jahtet që duhet të ngrenë flamuj të caktuar, kur u afrohen porteve?
Për fat të keq, ky është konteksti i ligjërimit publik shqip.
Nëse qëndron kjo hipotezë, atëherë shumë fjalë të huaja futen në ligjërim jo sepse folësve u shërben vërtet kuptimi i tyre (denotacioni) për të kumtuar çfarë duan, por sepse një ligjëratë e spërkatur me barbarizma të tillë u thotë dëgjuesve: unë jam ligjëratë publike.
Dihet se çdo element i vargut të thënies përmbush një funksion të caktuar. Funksioni i fjalëve të huaja, si në shembullin më lart, është të sinjalizojë një lloj ligjërate, njëlloj siç sinjalizon, një pllakëz plastike e varur në qafë, identitetin funksional të nëpunësit të një korporate, kur ky lëviz nëpër ndërtesë, ose edhe kur kthehet në zyrë, pasi ka dalë që të blejë pak salep.
Dukuria ka edhe një aspekt tjetër të trishtuar: tradhton paaftësinë e ligjërimit publik që ta sinjalizojë vetveten me mjete të shqipes.
Pak ditë më parë, vumë re te Gastarja një togfjalësh tjetër të kësaj natyre: pakicat minoritare. Kush e kish përdorur, me siguri e kish një ide, sado të vagullt, për kuptimin e fjalëve pakicë dhe minoritet, por jo për njëjtësinë e tyre kuptimore, ose sinoniminë semantike.
Si në shembullin e “lançimit” më sipër, folësi në këtë rast e kish përdorur pakicë me kuptim denotativ, ndërsa minoritare e kish shtuar për konotacionin: ligjërim publik, me tone të forta europiane.
Kjo do të jetë edhe një nga arsyet, pse këshilla e përsëritur, për t’i zëvendësuar fjalët e huaja në ligjërim me fjalë “shqipe”, nuk ka sukses, megjithë zotimin e plotë të folësve, në parim, për ta ndjekur.
Ajo këshillë i ka rrënjët në konceptimin linear, romantik të gjuhës; dhe nuk merr parasysh dinamizmin e ligjërimit, në kontekste të ndryshme sociale.
Urime per Gastaren!
Lançimi i çeljes dhe pakice minoritare, jane thjesht tregues te kaosit qe vjen nga mesymja e nje gjuhe te huaj.
Per mua, kjo dukuri sherben per te ilustruar shume nga ato fjale qe ne gjuhe te ndryshme i gjejme me kuptime te peraferta.
Lançoj ne italisht hedh, ndersa ne shqip mund te zevendesoje fjalet, çel, nxjerr, del etj.
Ndersa fjala ne gjuhen meme me ane te kuptimit te dyte ose te trete, mbulon nje dukuri te re, ne gjuhen tjeter, perdoret per dukurine e re, si fjale e re, duke mos lejuar dukurine te mbulohet nga kuptimi i dyte ose i trete i nje fjale qe ka ne fjalor.
Deri diku mund te vleresohej edhe si pasurim, meqe dukurine e çeljes se konkursin e kemi me fjale te posaçme, meqe ajo eshte tjeter gje ta zeme nga çelja e lules.
Por, kjo fjale ka filluar te zevendesoje gjeresisht foljet, hedh, nxjerr, del, me pak fjale, nuk kryen asnje funksion, perpos atij parazitar.
Ne rast se ligjerata publike, konceptohet si parazitare atehere ka nevoje per fjale parazite.
Ne fakt, ky eshte edhe problemi, ligjerata publike ne nje shtet ku publikja eshte thelbesisht e korruptuar, nuk ka si te mos jete gjeresisht parazitare. Ne vija te trasha vlen kalimi; ligjerate publike = ligjerate te korruptuar = ligjerate parazitare.
Ne rast se gjuha i ngel besnike vetem kuptimeve te para te nje fjale, atehere me zhvillimin e shoqerise, rrezikon qe te shquhet si gjuhe e veçante vetem nga gramatika, se fjalori do tejmbushej nga fjale te gjuheve qe zhvillojne qyteterimet e perparuara, fjale qe rendom jane kuptimi i dyte, i trete apo i katert i nje fjale te moçme apo te formuara duke u nisur nga ato kuptime.
Gjithnje nese gramatika arrin t’i mbijetoje nje fjalori te tjetersuar te gjuhes.
Ja edhe nje pleonazem qesharak: “sinonimia semantike”.
Sinonimia eshte KUPTIMI i njejte ose i ngjashem ndermjet dy ose me shume fjaleve, kurse fjala ‘semantike’ d.m.th. ‘kuptimore’. Pra sinonimia semantike na thote: Kuptimi i ngjashem ose i njejte kuptimor.
Rudi, mos e kapërce vetveten tani. Sinoniminë në fjalë (mes pakicë dhe minoritet) e quajta semantike, për ta dalluar nga ajo stilistike. Ideja, që me sa duket nuk e kam përcjellë dot, është se pakicë dhe minoritet, si fjalë shqipe, kanë kuptim të njëjtë, ose përkufizohen njëlloj në fjalor; por vlera përdorimi të ndryshme (të cilave u kemi pasë thënë ngjyrime, në bankat e shkollës). Në fakt duhet të kisha folur për sinonimi denotative dhe konotative, por desha ta bëj tekstin të kuptueshëm edhe për jospecialistët.
Nese ‘pakice’ e ‘minoritet’ jane denotativisht te njejta, ato jane pra sinonime ne kete rrafsh. Nese konotativisht nuk jane te njejta, meqe sic dime, ‘minoritet’ menjehere sugjeron stil a-la franga te te ligjeruarit, gje qe simotres ‘pakice’ i mungon, atehere ne planin konotativ, pra stilistik, nuk ka me sinonimi. E ti, tash na thua se duhej te kishe folur per sinonimi denotative e konotative.
(sido qe te jete, ‘sinonimi semantike’ e ka vendin te Gastarja, meqe faqja eshte krijuar pikerisht per keso grimcash qesharake)
OK. E shoh që dashke sherr.
Jo, sherr nuk dua. Para shume vjetesh me kishte zene syri ne nje reklame me ngjyra, andej nga faqja e brendshme e kopertines, qe thoshte: “Ofrojme mallra cilesore dhe kualitative”. Dhe kjo me kishte futur ne kete zhbirim qe po e diskutojme ketu.
Prandaj, te mbetet vetem te na e provosh se si i behet qe nje cift fjalesh qe krijojne tautologji – ja si fjalet ‘pakice’ e ‘minoritet’ qe kemi ketu – mund te hyjne ne raport sinonimie edhe ne rrafshin denotativ, edhe ne ate konotativ.
Lexova mjaft neper internet rreth sinonimise dhe sinonimit, por nuk arrita te gjej nje deshmi te ekzistimit te sinonimise ne te dyja rrafshet. Kjo madje logjikisht me duket e pamundshme, nga vete fakti se te dy shenjuesit jane te ndryshem pikerisht sepse, sic u tha ketu mirefilli, ne nivelin konotativ shenjojne edhe te shenjuar te ndryshem. Prandaj nuk jane shenja krejtesisht te njejta, dhe prandaj ky dallim ndermjet tyre eshte pikerisht ai qe tashme ne nivelin sociolinguistik, ate te perdorimit te te dyja ketyre fjaleve nga pjesetare te shoqerise, vjen e shnderrohet ne dallimin ndermjet perdorimit te shenjuesit qe cilesohet si Poshte (pakice) dhe atij qe cilesohet Lart (minoritet). Dhe, meqe diskursi publik duhet te pasurohet me elemente nga regjistri i larte i fjaleve, del edhe pleonazmi: pakice minoritare.
Edhe qumështi me tamlin çift sinonimesh përbëjnë, por nuk është edhe aq sinonimi semantike se sa dialektore. Po ashtu, çdo metonimi dhe çdo sinekdokë, në çift me objektin që përfaqësojnë, përbëjnë sinonimi, por do ishte më e saktë të konsideroheshin sinonimi pragmatike, se sa semantike. Kështu që “sinonimi semantike” nuk është aq qesharake përderisa ka edhe të tjera lloj sinonimish.
Nëse klienti shkupjan i kërkon një makiato me shumë tamël kamarierit vlonjat dhe ky nuk ia kupton porosinë, sepse nuk ia ka kuptuar fjalën ‘tamël’, atëherë sinonimia nuk ka funksionuar. Sinonimia funksionon vetëm kur të dy palët e komunikimit kanë të njejtën njohuri lidhur me KUPTIMIN e fjalëve. .
SINEKDOKA
A dhe B janë në një lokal. Vjen C. C është shok me A, por nuk njihet me B.
A: Erdhe në këmbë apo me rrota?
C: Erdha me rrota.
Vetëm pasi dalin nga lokali, C afrohet të marrë bicikletën që e ka të lidhur jashtë lokalit. Atëherë B mund të thotë: “Kur folët qëparë për ‘rrota’, kujtova se e kishit fjalën për makinë’.
Sinonimia, ku sinekdoka ‘rrota’ për A dhe C ka pasur kuptimin e ‘bicikletës’, ka mundur të funksionojë vetëm sepse A e di që C lëviz me bicikletë sa herë nuk lëviz në këmbë. Dhe po, nga rrafshi pragmatik, ata kanë zbritur lehtë në atë semantik, brenda të cilit fjala ‘rrota’ ka marrë KUPTIMIN ‘bicikletë’.
Për B, që këtë njohuri nuk e kishte, nuk ka funksionuar në nivelin semantik sinekdoka. Ai ka kuptuar se fjalës ‘rrota’ i është dhënë kuptimi i një mjeti të qarkullimit, por meqë nuk ka njohuri të rrafshit pragmatik lidhur me mjetin e qarkullimit që përdor C, nuk ka arritur të zbresë në rrafshin semantik dhe të kuptojë se ‘rrota’ është sinonim për ‘bicikletë’.
Pra, për të funksionuar në rrafshin pragmatik sinonimia, duhet pëmbushë kriteri që ajo të funksionojë në rrafshin semantik; dhe anasjelltas.
Nuk shoh se si mund të flitet për sinonimi, duke e anashkaluar rrafshin semantik.
Jam dakord që sinonimia pragmatike duhet të funksionojë në rrafshin semantik. Madje isha në mëdyshje kur solla sinekdokën dhe metoniminë në çift me objektin që shënojnë si shëmbuj të një sinonimije që nuk është semantike.
Megjithatë, ndryshon puna kur bëhet fjalë për një sinonimi dialektore. Një sinonimi e tillë, madje nuk ka nevojë as të funksionojë, e megjithatë mbetet sinonimi. Tamël dhe qumësht, janë sinonime pavarësisht faktit në merret apo nuk merret vesh nga bashkëbiseduesi. Tamël dhe qumësht janë sinonime jo sepse mund të përdoren në menyrë të shkëmbyeshme nga përdoruesit, por sepse shënjojne të njëjtin objekt. Natyrisht, kjo nuk i pengon ata që ua njohin kuptimin që t’i përdorin në mënyrë të shkëmbyeshme, por edhe nëse imagjinojme X person, i cili nuk ia njeh kuptimin tamlit, ndërkohë që ia njeh qumështit, e rrjedhimisht kur i kërkojnë tamël nuk e kupton kërkesën, kjo nuk do të thotë se qumësht dhe tamël nuk janë sinonime. Pra, ekziston rasti i sinonimeve dialektore, ku dy fjalë janë sinonime të njëra tjetrës në mënyrë të pavarur nga fakti që bashkëbiseduesit nuk ia dinë kuptimin të dyjave. Sinonimia dialektore është tipike e nje sinonimie denotative, e që nuk ka të bëjë pothuaj fare me semantikën.
Dalim sërish tek rrafshi denotativ dhe konotativ. Në rrafshin denotativ, qumësht dhe tamël janë sinonime, sepse shënjojnë të njëjtin objekt, pavarësisht faktit që përdoruesit e termave mund të mos kuptohen me njëri tjetrin. Kjo është sinonimi sepse i përkasin të dyja fjalët gjuhës shqipe, pavarësisht se dy dialekteve të ndryshme. Pra nuk është njësoj si me çiftin qumësht-milk. Në rrafshin konotativ, ndryshon puna, sepse subjekti/konteksti që konotojnë, nuk është më i njëjti subjekt/kontekst. Kuptimi kolektiv në rastin e një sinonimie semantike, bën që përveç objektit të njëjtë që denotojnë, sinonimet të konotojnë gjithashtu të njëjtin subjekt/kontekst. Mirëpo në rastin e sinonimisë dialektore, konteksti është ai i gegërishte në rastin e tamlit, dhe i toskërishtes në rastin e qumështit, ndërkohë që objekti, mbetet i njëjtë. Pra sinonimia ekziston pavarësisht faktit që mund të mos funksionojë fare, pavarësisht kuptimit, e rrjedhimisht semantikës.
Të njëjtin fenomen vërej edhe në argumentin e Xhaxhait. Objekti që denotohet me lançoj dhe me çel është i njëjti objekt, ndërkohë që subjekti, apo konteksti, ndryshon: ligjërimi publik, dhe ligjërimi privat (?).
Po e sqaroj edhe një herë idenë time, pa hyrë në polemika për gjëra të vogla.
Të gjithë e dimë se ka lloje të ndryshme sinonimesh, edhe pse në enciklopedi mund të gjesh një përkufizim unik për sinonimet.
Për shembull, folje si shpie dhe çoj, bie dhe sjell, shkoj dhe vete, janë sinonime pak a shumë të plota, në të gjitha rrafshet.
Edhe emra si anëtar dhe pjesëtar janë sinonime njëlloj pothuajse të plota (me ndonjë dallim distributiv: p.sh. thuhet anëtar partie, jo pjesëtar partie, etj.).
Përkundrazi, inauguroj dhe përuroj, që janë gjithashtu sinonime (sikurse çelje dhe lançim në shembullin tim më lart), kanë edhe dallime të mëdha mes tyre.
Çka do të thotë se çelje dhe lançim janë sinonime në një mënyrë të ndryshme nga ç’janë anëtar dhe pjesëtar.
Gjithashtu, nëse çelje dhe lançim janë sinonime, atëherë duhet të pyesim se çfarë kanë të përbashkët mes tyre (sikurse duhet të pyesim se në çfarë dallojnë).
Unë sqarova se kanë të përbashkët “kuptimin” dhe i quajta “sinonime semantike”; për të shmangur një diskutim për denotacionin dhe konotacionin, që m’u duk i tepërt në këtë forum jo për gjuhëtarë dhe logjicienë.
Mbiemri “semantike”, në termin tim, kishte funksion kufizues (restriktiv); ose përdorej për ta dalluar sinoniminë midis një fjale shqipe dhe një huazimi të vonë, nga sinonimia mes fjalësh si anëtar dhe pjesëtar, që përfshin edhe livele të tjera, përtej nivelit denotativ.
Deri më sot, është folur rëndom për “huazime të panevojshme,” qëndrim ky që nënkupton një marrëdhënie sinonimie absolute midis fjalës vendëse dhe huazimit rishtas.
Unë dua ta luftoj këtë shpjegim, për të treguar se huazime të tilla nuk janë “të panevojshme” për atë që i shtie në punë, meqë ndryshojnë mes tyre nga vlera e përdorimit, ose nga funksioni që luajnë në ligjërim.
Këtë e sqarova shkurt edhe në shkrimin më lart, duke vërejtur se këto fjalë mund të kenë vërtet kuptim të njëjtë (duke pasur parasysh me “kuptim” denotacionin), por ndryshojnë mes tyre në një rrafsh tjetër.
Çështja më duket me rëndësi, meqë të gjithë duket se shqetësohen për këto fjalë të huaja – por pa arritur dot ta shpjegojnë rrugën e futjes së tyre, përveçse nga një këndvështrim psikologjik (folësi e bën për t’u dukur, etj.)
Tani, le të diskutojmë për këtë, në vend që të hyjmë në garë se kush e hedh pështymën më larg. Pështymë është dhe pështymë mbetet, e shkreta.
Une hyra vetem sa per te shenuar se ne nji shkrim, qe tallte tautologjite e pleonazmat, gjeta nje pleonazem, me cka mbase desha te provoja se te njejtat do te jene gjithmone pjese e gjuhes, meqe njeriu vete nuk eshte krijese e persosur.
Dhe meqe e gjithe ideja e shkrimit kishte ardhur nga faqja Gastarja ne FB, e pashe te udhes qe edhe “sinonimia sintaksore” te shtohet ne te.
Nuk do te hyja ne perimtime rreth asaj se si fraza e mesiperme eshte pleonazem, sikur te mos vinin gjithe perpjekjet per te arsyetuar se nuk eshte.
Autori i frazes, duke e vene ate ne Gastarja, qe tubon pikerisht keso grimcash, do t’i vinte kapak kesaj ceshtjeje nje here e mire.
Vërtet, por duke vepruar ashtu, shkele me të dy këmbët etiketën e komunikimit në rrjet.
Blogu PTF është ndërmarrje individuale, e papaguar dhe e pambështetur nga njeri. Mediat shqiptare, me të cilat merret Gastarja, janë ndërmarrje me qëllim fitimi, që i kanë mundësitë të paguajnë redaktorë dhe korrektorë teknikë.
Në një blog si imi gjithnjë do të ketë gabime – por prej lexuesit unë pres që këto gabime të trajtohen me simpati, jo me keqdashje.
Ti je vizitor i ri në blog dhe ndoshta nuk e ke vënë re akoma që këtu i mbajmë të larta standardet e komunikimit, shumë më të larta se në një faqe komentesh të një gazete. Unë si autor i blogut dhe si administrator pres prej çdo vizitori të rregullt dashamirësi dhe mirëkuptim. Askush nuk është i detyruar të vijë këtu, as të lexojë çaprashitjet e mia; por njëlloj askujt nuk i lejohet të tregohet armiqësor me autorët.
Autori është gjithnjë i ekspozuar; ti, p.sh. e di se cili jam unë, se ç’përfaqësoj dhe sa reputacion rrezikoj me çdo rresht që shkruaj. Unë nuk e di se cili je ti; ti shkruan me pseudonim dhe nesër mund ta zhdukësh atë pseudonim nga Interneti dhe nga faqja e dheut.
Pikërisht kjo asimetri mes pozicioneve tona, ky disnivel, kjo diferencë të detyron – dhe këtu flas për një detyrim moral – që ta përmbash veten, para se t’i vërsulesh autorit, para se të tallesh me të, ta vësh në lojë dhe të shpalosësh kapacitetet e tua.
Sosa ketu, duke u nisur nga profili ne FB i nje mikeje, si duket te perbashket, ku ishte afishuar Gastarja. Klikova dhe dola perfundimisht ketu, te ky blog. Cilatdo standardet e blogut, une nuk hyra per t’i shkele ato. E para gje qe evidentova lidhur me autorin ishte pikerisht pesudonimi.
Cka m’u duk interesante ishte pleonazmi ne shkrimin kunder pleonazmit. Kaq gje evidentova. Autorin e pleonazmit nuk di ta kem fyer kund. Ishte kjo, “Rudi, mos e kapërce vetveten tani”, qe ndonese jo fyerje, me tingelloi pakez ex-cathedra nga ana jote. Ketu ti ishe ai qe nuk shfaqe as dashamiresi, as mirekuptim. Prandaj me vure perpara detyren qe te deshmoja se kisha te drejte. Une vertet isha i interesuar ta debatoja vetem pleonazmin, dhe miza u be buall, nga menyra se si m’u ktheve, si dhe nga idete kundershtuese qe dolen. Kaq.
Te deshiroj mbaresi.
pp
pp me të vogla duhet ta lexojmë dhe marrim për pikë përqindje (percentage point) që është njësia e diferencës aritmetike të dy përqindjeve. E që të mirëkomunikojmë mesvedi kur flasim e shkruajmë për pikë përqindjen duhet ta përcjellim ashtu siç na u përcoll nga tjetri së jashtmi e jo ashtu siç na volet a siç na e komunikon injoranca jonë së brendëshmi. Mirpo në medien shqiptare kjo nuk ndodh, jo në një e në dy por thuajse në të gjithë shtypin e tv-të e sotshme, kudo ku ishte shkruar për uljen e normës bazë të interesit, gjen të shtrembëruar (ç’shtrembëruar, thyer) një fjali të Guvernatorit të B.SH. Fullani. Ja ç’u ka thënë Fullani gazetarëve në konferencën për shtyp:
“Banka e Shqipërisë ka vendosur të ulë me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit duke bërë që kjo normë të zbritet në 4 përqind.”
Ja ç’shkruajnë gazetat shqiptare (sipas rendit alfabetik … të anglishtes):
Balknabweb – Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të mërkurën, të ulë me 0.25% normën bazë të interesit për lekun, duke e zbritur atë në nivelin më ulët historik prej 4%.
Panorama – Këshillimi Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur sot të ulë me 0.25% normën bazë të interesit.
Shekulli – Banka e Shqipërisë ul me 0.25% normën bazë të interesit (Shekulli titullin e ka kështu ndërsa fjalët e guvernatorit i përcjell korrekt.)
Shqip – Banka e Shqipërisë njoftoi sot se ka vendosur të ulë normën bazë të interesit në ekonominë shqiptare me 0.25 për qind, një lëvizje kjo që shpreh shqetësimin e BSH për gjendjen e vështirë ekonomike të vendit.
Shqiptarja.com – Banka e Shqipërisë njoftoi sot uljen me 0.25 normën bazë të interesit. duke e çuar në nivelin historik 4 %. (Vini re boshllëkun në titull e tyre – BSH ul me normën bazë
të interesit, ekonomia pati ulje)
Sot – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, ndërsa ka prezantuar raportin mujor të këshillit mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë bëri të ditur se Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së vendosi të ulë normën bazë të interesit të lekut me 0.25 përqind, duke e çuar atë në nivelin 4 përqind. (ndërs titulli – Fullani: BSH ul me 0.25% normën bazë të interesit)
Ja dhe ç’kanë folur televizionet (pa rend):
top-channel – Banka e Shqipërisë vendosi të ulë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje, duke e zbritur në 4 për qind, niveli me i ulet historik. (Por ja ç’ka për titull – BSH ul normën e interesit 4 %)
ora-news – Banka e Shqipërisë ka vendosur të ulë me 0.25 përqind normën bazë të interesit. Ndërsa ka prezantuar raportin mujor të këshillit mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë guvernatori Ardian Fullani ka theksuar se kjo ulje do të rrisë stimulimin monetar të kërkesës së brendshme.
“Banka e Shqipërisë ka vendosur të ulë me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit duke bërë që kjo normë të zbritet në 4 përqind. Vlerësimi i kushteve monetare në ekonomi do të dominojnë në respekt të objektivit të inflacionit në periudhën afatmesëm, duke rritur stimulin monetar të kërkesës së bredshme” tha Fullani.
Abc news – Norma bazë e lekut arrin në nivelin e saj më të ulët historik. Banka e Shqipërisë ka ulur normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje, duke e çuar në 4%. (për titull – Fullani: Ulet me 0.25% norma bazë e interesit)
Të dashur gazetarë.
Norma bazë e interesit është ulur me 0.25 pikë përqindje.
Norma bazë e interesit është ulur 5.88%.
E kuptoj se konfuzionin i dukshëm vjen nga padija, nga mosrrahja e termit prej specialistësh në nivele më të ulëta e më të gjëra se ai prej së lartmi i guvernatorit, por dhe nga arroganca (po) juaj për të shkruar ndryshe ç’ju ka thënë tjetri. Ju shkelni me të dy këmbët misionin e shtypit. Dhe këtë nuk e tregoni vetëm nga ngatërresa me përqindjen dhe pikë përqindjen por edhe me çuarjen (lart) në 4% të normës bazë të interesit. Lëvizja nga 4.25% në 4% nuk është çuarje (lart) por zbritje (poshtë), e për këtë ju nuk ju duhej të mendoheshit fare përveçse ti përcillnit publikut atë që u komunikoi guvernator Fullani: norma bazë e interesit zbriti në 4%.
Të dashur gazetarë.
Ju që prekeni nga ilustrimi e ju të tjetrët që prej vonesës në përditësimin e medieve në www nuk ju shfaqen këtu puçrat e kësaj epidemie, mos u turpëroni. Ju jeni pasqyra e popullit tuaj.
I nderuar Guvernator i B.SH.
Duke e ditur se ju e dini se asnjë gazetar nuk do t’ju bëjë pyetje të çuditëshme të llojit ç’do të thotë ky term e ç’do të thotë ai term që ju përdorni apo do të përdorni në të ardhmen (siç mesa duket edhe ka ngjarë me rastin e pp) jeni i lutur që, mes mënyrave tuaja transparente të komunikimit, ti jepni përparësi asaj më shpjegueses; ta përdorni atë mbi kokat e ulura të gazetarëve mbi shënime si një mbret i mirë shpatën mbi kokat e ulura të princave.
Xha Xhai,
Kur lexova Gastaren, mendoja sa e sa gabime apo lapsuse, siç i quan, do të gjenden përditë në shtyp. Mendja më vërtitej e më vërtitej për ndonjë emër tjetër: psh mjerimtare. Por kur Hyllini të uroi për Gastaren tërë ato vërtitje ndaluan. Jo – mendova, nuk mund ta bëj dot urim të tillë. Do të ishte njëlloj sikur të uroja dikë se ka hapur një shtëpi varrimi apo një varrezë. Por dhe ngushëllime nuk them se mund të thuhet.
Sa më sipër mbase duhej nisur për Gastare, por unë s’jam regjistuar atje, dhe ky është megarast krahasuar me formatin që ndjek Gastarja por dhe me shtrirjen që ka.
pp-në po e lë këtu si rekrutin në gazermë; le të shërbejë ku ta thërrasë atdheu
CD
p.s. kujdesuni ta fusni në normë se me vete ka pak bukë në torbë dhe vetëm një milion lekë.
CD
p.s.s. një million të vjetra desha të shkruaj
CD
”’Jo – mendova, nuk mund ta bëj dot urim të tillë. Do të ishte njëlloj sikur të uroja dikë se ka hapur një shtëpi varrimi apo një varrezë. ”’
:D:D, e marre nga nje ane ke te drejte, ngjan sikur ti thuash varrmihesit, puna e mbare.
Po xha xhai po kryen nje pune te mire me ironine, se ve bast qe shume gazetare po ndjekin Gastaren dhe do perpiqen te mos jene tek tabela e fleterrufeve.
Nese po varroset diçka, ajo eshte e keqja, prandaj atij qe varros te keqen, ndoshta mund t’i thuhet puna e mbare.
Ndonjehere mjafton kembengulja e pak vetave qe te behet pune e mire, sidomos kur puna behet e keqe pa ndonje arsye thelbesore, thjesht per shkeleshkoizem.
Dita më e mbarë për Gastaren do të jetë dita kur mos të ketë asnjë material për të nxjerrë.
Në fakt, qëllimi i asaj faqeje nuk është të varrosë mediat, por gabimet e mediave; ose të paktën gabimet më flagrante, më të shmangshme, më idiote.
Jam i vetëdijshëm se njerëzit që punojnë në gazetat, gazetarë e redaktorë e korrektorë, paguhen pak; ndonjëherë lihen pa rroga me muaj të tërë, edhe pse u kërkohet të rrinë në zyrë në orare të pabesueshme.
Këto kushte kaq të rënda, për të cilat fajin e kanë pa dyshim pronarët e mediave, që kërkojnë të nxjerrin dhjamë nga pleshti, bëjnë edhe që shumë njerëz të aftë të largohen, për t’u zëvendësuar nga të tjerë të rastit, studentë dhe stazhierë që nuk dinë ta shkruajnë shqipen e duhur.
E vetmja garanci e mbijetesës së këtij rrethi vicioz është indiferenca e publikut; indiferencë që nesër do të përkthehet në zbythje të madhe të standardeve gjuhësore (dhe nuk e kam fjalën për ‘standardin’).
Kushedi mbase qesëndia do të vërë diçka në lëvizje.