Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Politikë / Sociologji

DANEZI DHE KINEZI

Po veçoj në fillim disa pasazhe nga intervista, tashmë e mirënjohur, e ambasadorit danez në Tiranë, Karsten Ankjær Jensen, dhënë Skënder Minxhozit të Javës.

Theksimet janë të miat.

Fakti shqetësues është se komuniteti ndërkombëtar, për më shumë se njëzet vjet, ka harxhuar shuma marramendëse në ndihma dhe asistenca të tjera për Shqipërinë, me qëllim që ajo të hyjë shpejt në rrugën drejt Evropës. Përpjekje të ngjajshme në vendet e tjera ish-komuniste të Evropës janë kurorëzuar me sukses. Ata tashmë janë anëtarë të BE-së. Ndërsa në Shqipëri, pushtetet e rradhës, me vendosmëri kanë mbetur në vend dhe për vite me rradhë kanë hedhur poshtë shumë mundësi që iu janë ofruar. Jo me fjalë, – përkundrazi, me vepra, vepra të tëra. Kur shikoni se një sjellje e tillë shpërblehet vazhdimisht nga elektorati shqiptar, ju duhet t’i falni ndërkombëtarët që ndonjëherë ndjejnë se integrimi i Shqipërisë në BE duket si një mision i pamundur.

[…]

[P]asojat rrënuese të korrupsionit për perspektivën e ardhshme të Shqipërisë zor se janë kuptuar plotësisht, edhe nga shqiptarët që kanë përvojë jashtë vendit. Korrupsioni është një krim, edhe sipas ligjit shqiptar.  Çdokush i përfshirë në korrupsion është një kriminel. Thjeshtë dhe qartë. I tillë është dikush që tejkalon kufirin e lejuar të shpejtësisë, parkon në mënyrë të paligjshme apo tymos në restorante. Nga përvoja ime shumë shqiptarë priren ta shohin korrupsionin e zakonshëm si një krim të papërfillshëm. Nuk ndodh kështu në vendet e Evropës veriore, përfshirë Danimarkën, ku korrupsioni përbën një krim shumë të rëndë. Korrupsioni shihet me përbuzje të thellë dhe fajtorët janë të destinuar për të hyrë në burg për sjellje të pahijshme, të cilat në Shqipëri nuk do ta bënin ndonjërin as të ngryste vetullat.

[…]

[Ë]shtë jashtëzakonisht shqetësuese të shohësh një numër politikanësh shqiptarë, që hapur shesin mend me pasurinë e tyre, të cilën çdokush e di që nuk mund ta kenë fituar me punë të ndershme. Jo vetëm sepse ata janë në gjendje t’ia hedhin paq, por edhe se njerëz të tillë zgjidhen, urohen madje edhe konsiderohen si të përshtatshëm, edhe për postet më të larta të shtetit. Pyetja që nuk e dëgjoj ta bëjë askush, por të cilën votuesit shqiptarë dhe analistët politikë me të vërtetë duhet të kishin filluar ta drejtonin prej kohësh është kjo: A ka ndonjë mundësi që politikanët e korruptuar, pra kriminelët, ta udhëheqin këtë vend drejt BE-së?

[…]

[P]arimi i shtetit të së drejtës dhe drejtësia për të gjithë, ende nuk ka zënë rrënjë në shoqërinë shqiptare. Lidhjet personale dhe pushteti duket se marrin përparësi mbi atë që është e drejtë apo mbi atë që thotë ligji. Shumica e shqiptarëve duket se në heshtje e pranojnë që ka një palë rregulla për njerëzit me pushtet dhe para, si dhe një palë rregulla krejtësisht të ndryshme për veten e tyre.

[…]

 Problemi me zgjedhjet shqiptare nuk është ligji, por vullneti për ta zbatuar atë. Siç e kam thënë më parë, ligji danez është një broshurë, në krahasim me ligjin shqiptar, që ka madhësinë e një libri. Ligji danez funksionon sepse çdokush punon për të respektuar gërmën dhe frymën e tij. Ligji shqiptar nuk respektohet, as teksti as fryma e tij, pra nuk mendoj se ka rëndësi se çfarë shkruhet për të penguar keqpërdorimin, sepse zgjuarsia njerëzore gjithmonë do e gjejë mënyrën për të mashtruar, nëse ka këtë qëllim.

[…]

[F]atkeqësisht, sikurse e pamë gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2011, në fund, nuk duket se ka shumë rëndësi se çfarë thotë ligji. Ajo çfarë ka rëndësi në Shqipëri, është se kush ka shumicën dhe kush administron rregullat. Kjo nuk është demokraci apo shtet i së drejtës. Këtë fakt nuk e ndryshon as ndryshimi i tekstit në letër. Vetëm ndryshimi në mentalitet mund ta bëjë këtë gjë. Vetëm atëherë Shqipëria mund të pretendojë se është më tepër se një demokraci në krijim.

[…]

 jam habitur nga ngurrimi i popullit shqiptar për t’u ngritur për të drejtat dhe interesat e tij. Nuk mendoj se ndonjë popull tjetër evropian do të kishte reaguar ndaj ngjarjeve të 21 Janarit, ashtu siç reaguan shqiptarët. Nuk mendoj se shumica e evropianëve do të pranonin nivelet e korrupsionit dhe padrejtësinë që ju shikoni në Shqipëri, pa reaguar. Nuk besoj se ndonjë popull tjetër evropian do të pranonte në heshtje që mjedisi i tij të shkatërrohej për shkak të përfitimit dhe lakmisë personale. Por më e habitshme është se elektorati shqiptar, herë pas here, vazhdon të zgjedhë të njëjtët njerëz, të cilët nuk e gëzojnë aspak respektin e tij.

Një lexim i kujdesshëm i këtyre pasazheve të hidhura, në mos i krejt intervistës, nuk lë vend për dyshime: ambasadori danez në thelb beson se shqiptarët, si të tillë, janë ende larg standardeve të një shoqërie që kërkon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Natyrisht, është lehtë të qortosh për këtë udhëheqjen politike dhe ekonomike të vendit, por kjo udhëheqje, tek e fundit, është krijesë dhe pasqyrë e kulturës politike sunduese sot në Shqipëri – dhe këtë e dimë të gjithë, pa qenë nevoja të na e kujtojë kush.

Shqiptarëve, si shoqëri, u mungon zemërata (angl. outrage) për abuzimin flagrant me gjithçka publike, thotë ambasadori danez; çka tradhton një mangësi të thellë etike, ose një tipar të një populli që ende nuk e ka arritur pjekurinë e vet. Provë e mëtejshme për këtë do të ishte edhe lehtësia me të cilën indinjohemi për gjepura: për një fyerje imagjinare të fisit ose të krahinës, për një këngë kundër flamurit, për një shtrembërim të “historisë.” Si të ishim fëmijë, nuk duam të na i prekë kush lodrat, as të na i shtrembërojë përrallat – në një kohë që nuk ndihemi të përgjegjshëm, as na bëhet vonë për hajnitë e prindërve.

Ndërkohë më qëlloi lexoja, këto ditë, një pasazh ku shkrimtari i njohur kinez Lu Xun flet për popullin e vet, e të cilin po e sjell më poshtë, pjesë-pjesë:

Masat kineze janë asnjanëse; në kohë lufte ato nuk e dijnë se cilit krah i përkasin, dhe në fakt nuk i përkasin asnjë krahu. Kur vijnë rebelët, e konsiderojnë popullin si të qeverisë, dhe bëjnë plaçkitje dhe vrasje. Pastaj vjen ushtria e rregullt dhe, në vend që t’i njohë dhe t’i pranojë të vetët, edhe ajo plaçkit dhe vret, thuase populli kish marrë anën e rebelëve. Në këtë pikë, e vetmja dëshirë e popullit është të gjejë një Zot, një Zot që do të denjonte ta pranonte si popullin e vet; madje jo, më pak akoma, ta pranonte si bagëtinë e vet. […] Si rregull, pas çdo periudhe anarkie, kur kaosi arrin kulmin, shfaqet ndonjë personalitet i fortë […] që merr përsipër të bashkojë vendin dhe të vendosë një farë rregulli. […] Me pak fjalë, mënyra më e thjeshtë dhe më e përshtatshme për të përshkruar historinë e Kinës do të ishte të shquanim dy lloj periudhash: (1) Periudhat kur populli dëshiron më kot që të gëzonte një jetë të qëndrueshme prej skllavi; dhe (2) Periudhat kur populli arrin të gëzojë një jetë të qëndrueshme prej skllavi. Këmbimi mes këtyre dy gjendjeve është ajo çka dijetarët tanë e kanë quajtur “cikli i kaosit dhe rregullsisë.” (nxjerrë nga Leys, S., Chinese Shadows).

Sikurse kinezët, edhe shqiptarët kanë qenë një popull kryesisht fshatar, me një kulturë që nuk ka arritur të organizohet as të koagulohet rreth Qytetit, si mishërim të publikes, të historisë jociklike dhe shoqërisë civile. Ndryshe nga kinezët, të cilët Perandorinë e kishin të tyren, ne shqiptarët Perandoritë gjithnjë na kanë qeverisur nga jashtë, duke na reduktuar në popull periferik me përkufizim; dhe kjo ndoshta shpjegon, më thjesht se argumente të tjera, si etnocentrizmin tonë ashtu edhe qëndrimin aq ambivalent ndaj të huajve; sikurse shpjegon edhe lehtësinë me të cilën, në çdo shqiptar të respektueshëm, bashkëjetojnë kapadaiu kokorroç dhe servili më i jargavitur – meqë ky shqiptar, për të cilin ndër të tjera flet ambasadori danez, është zot e patriark në katundin e vet shpirtëror, dhe lustraxhi i përunjur në pallatet e pushtetit.

E keqja e një populli, e një shoqërie, e një kulture, nuk ka aq të bëjë me situatën reale në të cilën gjenden, ose me plagët nga të cilat vuajnë, sesa me aspiratat praktike, me planet për të ardhmen, ose me çfarë këta dëshirojnë të arrijnë, me përpjekje dhe sakrifica, materiale dhe morale, të pashembullta. Dhe nëse është kështu, atëherë disa nota optimizmi, përndryshe të domosdoshme në fjalët e diplomatit europian, tingëllojnë disi të papërligjura.

Pa Komente

  1. ne kete 100 vjetor te pavaresise eshte mire te shtohen zera te tille pesimiste se real shqetesimi i perditshem. Dhe jane shtuar.

    Thirrje qe rrekin te na prekin ne seder: shqiptar i poshter, i ndyre, batakci, bashibozuk dhe servil, nuk ke se cfare te festosh ne pavaresine tende kur ne keta 100 vjete vetem se i ke bere keq vetes, as ke lejuar te te bejne mire.

    Por kam frike se as kjo nuk na ben fajde. Na jane mesuar veshet te degjojme karakterizime te tilla, syte te shohim poshtersira, e gojet dhe duart tek i bejme perdite. Nuk genjejme as veten, si dikur, e pranojme qe jemi te lig.

    Por megjithate shoh neper Shqiperi, dhe kam bredhur caze, ende njerez qe u ben pershtypje poshtersia, nuk pajtohen me ndyresit e perditshme dhe pasigurine qe ofron makuteria dhe korrupsioni.

    Madje pjesa me e madhe e popullit shqiptar e deshiron sigurine dhe respektimin e ligjit, por nuk ia lejojne vetes qe te tjere te perfitojne nepermjet konkurrences se pandershme per perfitime materiale. Eshte ceshtje mbijetese. Por, nese ne nje kontekst te caktuar, ata shohin se ka nje perkushtim ndaj rregullit, te sinqerte dhe me drejtesi, te njejtet njerez qe perndryshe nxitojne ne poshtersi, i nenshtrohen me kenaqesi rregullit. Me ka rene rasti te bej eksperimente te tilla edhe ne rrethe apo qytete me reputacion shume te keq per mosbindje ndaj ligjit si Tepelena apo Laci. Kam arritur ne te njejtin perfundim, se njerezit jane te prirur per t’u bindur. Mekanizmat e zgjidhjes se konflikteve per mbijetese i zgjedhin njerezit sipas kontekstit shoqeror. Atje ku kerkohet dhune, mashtrim dhe korrupsion per te rrembyer te drejten apo realizuar deshiren, atje njerezit do t’i perdorin.

    Prania e dhunes familjare dhe neper rruge ne Shqiperi eshte rrjedhoje e frustracionit me realizimin e deshirave, qe pengohen nga korrupsioni apo konkurrenca e padrejte.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin