CENSORËT E GJUHËS

Gjuha shkon vërtet ku dhemb dhëmbi, sidomos kur dhëmbi është gjuha shqipe. Vëmendja që i kushtojmë shqipes është sa e ligjshme aq edhe e kuptueshme, për sa kohë gjuha paraqitet e lidhur pazgjidhshmërisht me identitetin tonë kombëtar. Me fjalë të tjera, kur flasim për gjuhën flasim për veten tonë, për të kaluarën, të tashmen e të ardhmen.

Mirëpo të flasësh për gjuhën nuk do të thotë ta perceptosh gjuhën si obsesion, ose të kesh obsesionin e gjuhës, edhe pse për disa aspekte të veçanta gjuha shqipe kërkon përnjimend kujdes të veçantë, maksimal, natyrisht pa cekur teprimet me karakter patologjik. Kjo hapësirë ku po shkruaj, kryesisht falë penës së Xhaxhait, e ka dëshmuar prej kohësh interesin e ekuilibruar, konstruktiv e plot pasion për shqipen.

Në një nga shkrimet e veta kushtuar purizmit gjuhësor Xhaxhai, pasi vërente një farë përputhje të dukurisë në fjalë me ideologjinë autarkike të periudhës totalitare shqiptare, shtonte:

Sot këtij lloj purizmi i ka humbur motivimi ideologjik dhe filozofik, por i kanë mbijetuar më një anë teknikat e zëvendësimit, të përpunuara mirë nga mjeshtër të gjuhës; dhe nga ana tjetër, fryma kombëtariste folklorike, shprehje e një mendësie të thjeshtuar, të tipit “ke përdorur një fjalë të huaj”, e cila tani është pjesë e arsenalit kulturor të çdo shqiptari të ndershëm kuqezi. […] Perspektivat e këtij gjakimi kulturor në lëmin e gjuhës janë zero, sepse strategjikisht një qasje e tillë, romantike, ndaj sfidës madhore të modernizimit dhe të globalizimit, është e dënuar të dështojë, madje të bëjë fiasko. Paradoksalisht, shqipja sot mund të mbrohet sado pak, ndaj këtij invazioni fjalësh, konceptesh dhe praktikash të huaja, duke luftuar para së gjithash purizmin – si filozofi, si ideologji dhe si praktikë. Po sa janë vallë shanset që të ndodhë kjo?

Nuk duhen shumë njohuri gjuhësore për të kuptuar se qëndrimi higjienist, dezinfektues, sterilizues, prej antibiotiku me spektër të gjerë, që nuk bën dallime por vepron kuturu, e shndërron purizmin në të kundërtën e qëllimeve të veta të deklaruara. Tashmë është fare e qartë se purizmi vishet me këmishën e bardhë të mjekut, duke mëtuar shërimin e trupit të shqipes, por nga ana tjetër përbën pengesën më të madhe të zhvillimit të shqipes vetë, sepse i pengon zhvillimin, i minon imunitetin, i harxhon energjitë për kotësira. Edhe nga kjo pikëpamje, në kufi të provincializmit e naivitetit, purizmi është vërtet shprehje e folklorizmit kombëtar.

Në qoftë se deri dje purizmi trupëzohej në konferenca ekspertësh, libra këndimesh, përmbledhje esesh, artikuj gazetash, e kështu me radhë, sot livadhet ku purizmi mund të ushqehet e të argëtohet janë të pafundme. Deri dje ekspertët mund të komunikonin midis tyre, edhe nëpërmjet duelesh në shtyp, për dobinë e purizmit, ose shprehjet soft të tij, duke i ruajtur qartë caqet e ringut, d.m.th. të shkencës së linguistikës. Sepse vërtet purizmi bazohej disi tek ideologjia totalitare e periudhës enveriane, por kjo s’do të thotë se gjuhëtarët e asaj kohe nuk e dinin, si specialistë që ishin, se një gjuhë nuk mund të (mbi)jetojë në kushte aseptike laboratorike, pa kontakte me gjuhët e tjera. Pra huazimet në gjuhë jo rrallë konsiderohen si kolesteroli i mirë, ose si bakteret fiziologjike, sa për të vazhduar me metaforat mjekësore.

Natyrisht, ndryshe nga gjuhëtarët, që e kanë gjuhën bukë të përditshme, publiku e kishte më të vështirë ta bënte ndarjen midis politikës gjuhësore zyrtare, në thelb retorikës së saj, dhe realitetit gjuhësor, pra të gjuhës si sistem që funksionon në jetën e përditshme. Çdo person me përgatitje gjuhësore e dinte që asokohe se lufta ndaj shfaqjeve të huaja nuk mund të shndërrohej brenda gjuhës në luftën ndaj fjalëve të huaja. Thjesht për arsye funksionale, thjesht sepse nuk mund të pastrohet gjuha in toto nga fjalët e huaja. Nga ana tjetër, edhe pse shumëkush u improvizua etimolog e gjuhëtar, duke u shndërruar në Terminator të fjalëve me adn të ndotur, ishte e qartë se publiku i gjerë nuk i perceptonte siç duhet “fjalët e huaja”: disa i tingëllonin absolutisht të huaja, të tjera shqiptare safi, ose puro shqiptare. Përfundimisht, virusi i ideologjisë puriste hyri gjerësisht në kulturën shqiptare falë propagandës totalitare, duke shfrytëzuar edhe korpusin e retorikës rilindase.

Aktualisht virusi i purizmit mund të ketë hyrë në fazën e hopit cilësor, falë humusit të ofruar nga mediat e reja dhe interneti. Ndikim të konsiderueshëm, në kahun politik, duhet të ketë pasur edhe ideologjia neokombëtariste dhe populizmi kuqezi, që shërbejnë në kësi rastesh si amplifikatorë ose amfetamina për brohoritjet dhe veprimet pastruese. Fakti është se tastierat janë tashmë kobure të mbushura, me fishekun gjithnjë në tytë, që vënë në shënjestër çdo artikull që nxjerr kryet nëpër faqe interneti. Fakt tjetër është se të gjithë e kanë tashmë nga një revole nëpër duar dhe qëllojnë sa herë t’ua ketë qejfi kundër “fjalëve të huaja”, ndonjëherë me entuziazmin e parkut të lojërave. Kështu, lexuesit nuk janë më ata që lexojnë, por ata që kontrollojnë për gabime gjuhësore; përgjithësisht pa i pasur kompetencat e duhura.

Ka diçka të çuditshme në inkursionet e disave që vërsulen në hapësirën publike vetëm për të denoncuar përdorimin e fjalëve të huaja. Këta, për nga sjellja, duken vërtet barbarë, edhe pse sulmojnë fjalët kinse barbare. Nuk kuptohet nëse është e vetmja mënyrë e konceptimit të kontributit në publik, apo mënyra e vetme që u jep siguri në paraqitjen në publik. Fakti është se prezantohen me një suficit formalizmi të pajustifikueshëm. Është njëlloj sikur, pas predikimit të zjarrtë e tejet aktual, ta qortosh priftin se tunikën e ka një gisht më të gjatë seç duhet. Është njëlloj sikur traktatit cilësor të filozofisë, me disa qindra faqe, shtyllë betoni në themelet e diturisë botërore, t’i kundërshtosh ngjyrën e kopertinës, ose ballinës për të qenë korrekt me pastërtorët.

Në faqet e blogut “Peizazhe të fjalës” – sipas disa vëzhguesve një nga hapësirat ku shqipja ende e ruan dinjitetin e vet – mund të gjesh plot raste ku nuk komentohet përmbajtja e shkrimit, argumenti mbështetës, ose gjuha e ushtruar, por vetëm përdorimi i një fjale të huaj. Këta komentues paraqiten rrallë sikurse meteoritët; denoncojnë mëkatin botërisht, revoltohen, dënojnë e pastaj tërhiqen në anonimësi, në heshtjen e universit, pa thënë asnjë fjalë për temën kryesore. Disa ditë më parë një komentues shkruante:

Themi te shkruajme shqip. Po nga na doli kjo fjala pozite? Cili fjalor i shqipes e permban? Cila e folme shqipe? I shkrepi ndonje politikani kokebosh te perdore fjalen pozite ne vend te shumice (ose makar maxhorance) dhe vu, e ndoqen te gjithe e harruan shqipen. Njesoj si me arroret (mua mund te me shkrepe te them lajthoret, apo bajamoret) Njesoj si me dakordesine. Mos e pasurojne shqipen keto fjale kot me kot apo e percudnojne?

Ky koment jo vetëm që urinon jashtë oturakut, sepse flet krejtësisht për tjetër gjë, jashtë teme e padrejtësisht ex-cathedra, por harron se shkrimi është botuar në rubrikën “humorr” (me dy “r” nuk është gabim, është bërë qëllimisht – shënim për policin gjuhësor), ku lejohen lojëra fjalësh që ia shkelin syrin politikës e gjuhës së politikës shqiptare. Nga ana tjetër, duhet të jesh vërtet kokëshkretë të korrigjosh dikë pa hapur fillimisht fjalorin e për më tepër duke bërë vetë gabime të llahtarshme. Komenti i mësipërm është i pakualifikueshëm nga pikëpamja gjuhësore. Koment i pakomentueshëm.

Qëndrimi prej sherifi të gjuhës vjen nga një koncept disi i shtrembër i vetëgjyqësisë gjuhësore, i nxitur sipas gjasës nga bindja absolute e subjektit se gjendet nga ana e së drejtës. Puristi, madje edhe ai që e refuzon si term përkufizues, ngaqë linguistika e ka konotuar tashmë negativisht, i atribuon vetes rol etik në shoqëri, ndoshta edhe në histori. Gisht duhet të ketë edhe ndjesia vetëpërkëdhelëse se diskutimi për gjuhën të jep automatikisht një dorë bojë vaji me ngjyrë intelektuali. Paradoksi qëndron tek mospërputhja midis përhapjes së puristëve të improvizuar në hapësirat virtuale dhe cilësisë së shqipes që qarkullon sot në shtyp, libra e internet. Ndërsa purizmi lulëzon, shqipja vyshket, ndërsa puristët riprodhohen shumëfish, lëvruesit e shqipes rrallohen. E kjo ndodh pikërisht kur sfidat ndaj gjuhës shqipe po shtrohen në trajta epokale e si të tilla kërkojnë përpjekje me të njëjta përmasa. Do të merremi me sfidat, apo me prejardhjen e kësaj fjale?

Nuk ka komente

  1. ”’Edhe nga kjo pikëpamje, në kufi të provincializmit e naivitetit, purizmi është vërtet shprehje e folklorizmit kombëtar.”’

    Po po, ti dhe xha xhai shko pyesni francezet se ç’mendojne.

    Historia eshte deshmitare e dhjetra e qindra etnive qe jane zhdukur pergjate mijevjeçareve.

    Por te zhduket nje etni, nuk do te thote te jete kryer genocid, dmth zhdukje fizike e gjithe atyre qe i perkasin asaj etnie. Nuk ka absolutisht asnje shembull te ketille ne histori.

    E megjithate jane zhdukur dhjetra e qindra etni pergjate historise.

    Shpjegimi i zhdukjes eshte vetem nje dhe fare i thjeshte, etnite kane humbur gjuhet, ne favor te gjuhes mbizoteruese.

    Keshtu ka nisur çdo zhdukje, me njerez qe fillojne e fusin fjalet e huaja, fillimisht ato qe i mungojne fjalorit, pastaj fjalet tregtare, fjalet e veshjeve, mobiljeve, zakonisht te kategorise se emrit, e deri tek ato me kokefortat, foljet, per te perfunduar tek zhdukja e gramatikes, e tipit:

    Une i thashe Pishakut —- une i thashe Pishak-ut —— Une i thashe Pishak.

    Pervoja njerezore tregon, qe gjuha mbizoteruese edhe pa qene e zhvilluar, ta zeme sllavizimi i Ballkanit, brenda 2 shekujsh arrin te mbyse gjuhen e popullit te nenshtruar dhe duke zhdukur gjuhen te zhduke etnine.

    Ne jemi ne fazen e dyte te proçesit te zhdukjes se Kombit, kur pasi kemi futur fjale qe mungojne (faza e pare), tani po fusim fjale tregtare, te veshjeve te mobiljeve e me radhe.

    Gjate Rilindjes e Komunizmit, pati tentativa per ta kthyer mbrapsht proçesin e zhdukjes se kombit, duke goditur fjalet turke qe kishin perfunduar me sukses fazen e dyte.

    Nderkaq Kadareja eshte deshmi e gjalle e suksesit te ketij proçesi sherues se shqipes.

    Shqiptaret sot shohin se faza e dyte e zhdukjes po godet dhe nuk eshte aspake e vertete, por nje mashtrim i madh te thuash se purizmi po lulezon.

    Te gjitha gazetat e kane shqyer deren, ndersa autoret e rinj, fusin fjale te huaja pa asnje lloj problemi edhe aty ku s’eshte fare nevoja.

    E verteta eshte se nga poshte ka njefare presioni ndaj elites qe te mos perdore fjalet e huaja vend e pavend.

    Mesa duket elites nuk i pelqen ky presion se e lidh statusin e saj, jo me me dukurine qe ka zanafill prej Rilindjes, por me globalizmin.

    Meqe populi s’mund te nderrohet, duhet te nderrohet elita dhe te vije nje e re qe vazhdon rrugen e hapur prej Rilindjes.
    Me pak fjale z. Pishak, per mua problemi je ti, jo komentuesi.

  2. Sukseset e purizmit pergjate historise jane te panumerta, po sjell 3 shembuj per ilustrim, latinishtja, arabishtja, gjermanishtja.

    Sikunder dihet, latinishtja klasike e filloi jeten duke filluar prej shek 3 p.l.k, por gjeresisht prej shek 2 p.l.k.

    Deri atehere Roma perdorte greqishten, latinishtja antike ka shume pak mbishkrime dhe as eshte vertetuar ende bindshem si ndodhi kalimi nga latinishtja antike ne ate klasike.

    Latinishtja klasike, ka aq shume fjale filozofike, te administrates, ligjit e tregtise, te vetat, saqe duket qarte se zhvillimi i saj ka ndodhur fale nje zbythjeje te vazhdueshme te fjaleve greke, se dihet qe greqishtja ishte gjuha e filozofise, administrates, ligjit, tregtise, letersise e me radhe.

    Fale nje purizmi 2-3 shekullor, latinishtja u be deri edhe rivale e greqishtes dhe filloi procesi i kundert, greqishtja filloi te humbase fjale e te latinizohet. Kapercimi nga greqishtja antike tek ajo mesjetare i detyrohet padyshim presionit te latinishtes.

    Arabishtja ne fillim ishte gjuhe nomadesh, fare e pazhvilluar dhe kalifet e pare shkruanin kryesisht ne persisht e me pak greqisht.

    Brenda pak shekujsh purizmi, nuk ishte me arabishtja qe huazoi nga persishtja, por persishtja qe humbi terren e filloi te arabizohet.
    Arabishtja ashtu si latinishtja, jo vetem qe u zhvilluan, por arriten statusin e greqishtes dhe persishtes.

    Gjermanishtja para Luterit ishte gjuhe vetem e tregtise, kishin dyndur fjalet e latinishtes mesjetare. Gradualisht, gjermanishtja i qeroi te gjitha fjalet latine qe mundi, duke i zevendesuar me fjale gjermanisht, dhe mori zhvillim te jashtezakoshem, u be deri edhe gjuha e filozofise, qe eshte statusi me i larte qe nje gjuhe mund te lakmoje.

    C’i bashkon keta 3 shembuj ?

    I bashkon fuqia politike, ekonomike e ushtarake qe fshihej prapa zhvillimit te gjuhes.

    Keto tregojne qe edhe gjuhet e nomadeve, kane potencial te atille qe po te levrohen fale politikave te duhura, arrijne jo vetem t’i mbijetojne gjuheve te zhvilluara, por edhe t’i kercenojne keto te fundit me fjalet e veta.

    Fjalet e huaja, jane gjithnje viruse e barbarizma, duhen marre perkohesisht si hua, derisa fale zhvillimit me ane te politikave puriste ( qe eshte si merkantilizmi ne ekonomi – Franca e Kolbertit, Anglia e shek 16-18, Gjermania e shek 19, Japonia e shek 19-20, Kina e sotme etj), gjuha te jete ne gjendje te paguaje huane.

    Ne duhet te konceptojme pjesen me te madhe te fjalorit shqiptar si hua, qe kryesisht na e kane dhene me zor dhe nje pjese e kemi marre se na eshte dashur apo na duhet.

    Kjo hua duhet paguar, nuk duhet te pranojme te na e ‘falin’ dhe fale politikave te duhura, ne krye te 2-3 shekujve, duhet te jemi ne gjendje te paguajme shumicen e ‘huase’.

    Natyrisht me kete elite post-komuniste, ne po shkojme drejt huave me te shumta, prandaj ashtu si çdo kryefamiljar qe duhet hequr ne rast se rron me borxhe, edhe kjo duhet shkarkuar nga detyra, se gjithe keto borxhe do te na marrin fryme nje dite.

  3. Hyllin, ta konsiderosh problemin e përdorimit pa cak e pa kriter të fjalëve të huaja si gangrenë të shqipes dhe si rrezik, potencial, të rrëgjimit dhe të zhdukjes së kombit, tradhton një paaftësi – kushedi të qëllimshme, për të kuptuar se ku fle lepuri.

    Po të sjell një krahasim: merr një të sëmurë me SIDA, i cili vuan, ndër të tjera, nga infeksione të shumta të lëkurës: puçrra, ndonjëherë të qelbëzuara, që i dalin gjithandej. Merr edhe një mjek synim-mirë, por sylesh, që ia kuron këto puçrra duke ia lyer me një pomadë antibiotiku; por sapo ia shëron njërën, hop i del një tjetër gjetiu.

    Fjalët e huaja janë këto puçrra të ligjërimit shqip; por ato s’mund të kurohen me antibiotikë, siç bëjnë xherahët puristë – sa më profanë, aq më arrogantë. Përkundrazi, hapi i parë drejt kurës është të kuptohet se ky zell për zëvendësim fjalësh, i zbatuar në praktikë, e dobëson normën leksikore deri në atë shkallë, sa ua bën më të lehtë huazimeve parazitare që të hyjnë në përdorim.

    E keqja shqipes, në këtë prizëm, i vjen edhe nga voluntarizmi i atyre synim-mirëve, që kërkojnë t’ia prashitin leksikun vend e pa vend, duke ia shkatërruar ekosistemin.

    Përkundrazi, një hap i mundshëm drejt frenimit të kësaj paqëndrueshmërie leksikore (ku hyjnë, veç fjalëve të huaja, edhe neologjizmat, krahinizmat dhe ekzoticizmat), është krijimi hap pas hapi i një bindjeje se me leksikun e shqipes nuk mund të bëjmë ç’të duam; se ka një normë për t’u respektuar; dhe se zëvendësimi i një fjale të huaj është po aq atentat ndaj normës sa edhe futja e një fjale të huaj parazitare.

    Shqipes i është sëmurur sistemi imunitar (norma); dhe antibiotikët e puristëve veç ia keqësojnë statusin. Për fat të keq, kjo politikë gjuhësore sa primitive, aq edhe e paefektshme dhe në fund të fundit kundërprodhuese, është shndërruar tani në mushkën mbi të cilën mushkërojnë gjithfarë Adhamudhësh të gjuhës, të cilët shpëtojnë shpirtin e tyre patriotik, teksa shqipes vetë nuk po i ndalet rrokullima.

  4. Me thene te drejten une e argumentova me shembuj qendrimin tim, jo vetem me metafora, se metaforat mund t’i perdorin te gjithe, po shembujt jane te veshtire per t’u gjetur.

    Te njejten gje verej edhe ne debatet ekonomike me ata qe mbrojne tregtine e lire duke akuzuar doganat e neomerkantilizmin. U them mire metaforat dhe teorine, po me sill nje shembull te nje shteti te pazhvilluar qe ka kaluar ne statusin e shtetit te zhvilluar fale tregtise se lire.

    Tani me sill nje shembull ku purizmi ka sjelle deme te te sjell 10 ku ka sjelle te mira.

    Komentuesi tregon parehatine e ketij 20 vjeçari, e cila eshte legjitime, cilido qofte shkaku.

    Sipas gjasave, shkaku eshte politik, sepse gjuha zhvillohet e demtohet kur politika eshte e afte apo e paafte, te kryeje rolin e saj ne politikat gjuhesore.

    Nese politika di te investoje tek gjuha, jane edhe te mundshme sukseset, nese politika injoron gjuhen, kjo kthehet ne nje kaos te pashembullt, me gjithfare teorish qe kacafyten.

    Per mua eshte e qarte, qe edhe ata qe mund te benin diçka jashte politikes, dmth shkrimtare, poete, studiues te shkencave sociale, nuk kane asnje deshire te punojne duke bere ‘bujkun’ e te lerojne token, por punojne duke bere importuesin.

    E vetmja zgjidhje per t’i shpetuar kaosit eshte politike, shteti te marre persiper mireqenien e gjuhes, te investoje ne rivendosjen e rendit dhe t’i ktheje ‘bujqit ne pune’, duke marre persiper rolin e ‘importuesit’, me ane te institucioneve te posaçme.

    Ore po s’ka ngelur rob pa futur ne te shkruar huazimet qe deshiron, biles e verdallisin formen e fjalise qe t’i pershtatet huazimit, ne vend qe te verdallosin fjaline qe t’i shpetojne huazimit. As ne thonjeza nuk e vene me, a thua se jane ata qe vendosin se cila fjale mund te hyje ne shqipe, e cila thjesht eshte kandidate e propozuar nga thonjezat qe i vene.

    E meqe jemi te gjithe ‘sovrane’ te shqipes, atehere kushdo mund te kritikoje, derisa sovranitetin ta rikanalizojme politikisht ne institucionet e duhura.

    Kete rregullim, natyrisht mund ta beje vetem nje force politike qe ka qendrim te artikuluar publikisht ndaj gjuhes, perndryshe do te vazhdojme me kaosin, i cili nuk eshte aspak produkt i purizmit, por i globalizmit. Deri me 1990,faza puriste, s’ka pasur fare kaos.

    1. Hyllin, vetë gjendja ku është katandisur sot shqipja është shembulli më evident i dëmeve që ka sjellë purizmi.

      Purizmi ka mbjellë në mendjet e njerëzve bindjen se në gjuhë mund (madje duhet) të ndërhyhet për arsye gjithfarësh, mjaft që qëllimi të jetë i mirë. Ia ka zbehur gjuhës paprekshmërinë, ose shenjtërinë – quaje si të duash.

      Këtej hiqet një fjalë “e huaj” (dreqi e di se me c’kriter pikaset kjo fjalë); andej gjymtohet alfabeti, futen fjalë krahinore ose arkaike; njëri shkruan me të folmen e gjyshes, tjetri përpiqet të imitojë Fishtën; me një fjalë është hapur loja për “ndryshime”; por nuk ka më asnjë autoritet që t’i vlerësojë këto ndryshime, t’i disiplinojë, t’i gjykojë nga pikëpamja profesionale.

      Por kujdes: fillimi dhe rrënja e kësaj dukurie është bindja se gjuha mund të ndryshohet, për arsye ideologjike, ose për t’u vënë në shërbim – po, në shërbim – të politikës.

      Sa për shembuj nga gjuhë të tjera – këtu në blog vetëm para pak muajsh kam bërë një parashtrim të pasojave të reformës gjuhësore për një gjuhë në kushte sociale të ngjashme me shqipen: turqishten e kohës së Ataturkut.

      Mund të sjell edhe shembuj të tjerë – sa të duash. Vetëm se këta shembuj ti mund t’i gjesh edhe vetë, mjafton të shfletosh literaturën. Një fillim i mirë do të ishte Linguistic Purism, nga George Thomas. Përndryshe, unë nuk mund të zbraz timen që të mbush tënden këtu.

      1. Nuk ka nevoje te zbrazesh tenden, spekullimet mund t’i mbash per vete. Une flas per shembuj, ku shihet qarte ne nivel historik disashekullor demi, jo spekullimet se ky demi vjen nga kjo se keshtu me del nga analiza mua, ne nje kohe qe atij tjetrit po nga analiza i del tjeter gje dhe pastaj i bie te besojme mbi bazen e parimit te autoritetit.

        Ti mund te besh sa te duash analiza qe 150 vjet purizem mbizoterues, deri me 1990, i kane sjelle deme shqipes, po mund te te dalin nja 20 qe ta kontestojne me analiza te pakten po aq bindese.

        Prandaj them , te dalim nga spekulimet dhe te marrim shembuj historike te gjithepranuar, aty do te shohim qe fazat e zhvillimit te gjuheve lidhen pashmangshmerisht me lufte te suksesshme ndaj gjuhes mbizoteruese, e mundesuar fale purizmit, ndersa fundi i gjuheve dhe etnive ka ardhur si pasoje e nenshtrimit ndaj gjuhes mbizoteruese.

        Une s’kam as njohje, as kohe e as deshire te merrem me çeshtje teknike, me to merren ata te zanatit, prandaj mjaftohem me deduksione nga historia.
        Me siguri nuk ma rrezon deduksionin duke me thene futu ne çeshtjet spekullative te gjuhesise, aq me pak te me mbushesh mendjen. Biles, them me mire sesa te pergjigjesh keshtu, bej si Pishaku, futi nje une vetem marr vesh, kush me konteston eshte hu, keshtu je me i nderuar me heshtjen.

        1. As unë nuk e mohoj që një farë ndërhyrjeje ose subjektivizmi në shqipe ka qenë i nevojshëm dhe i ka shërbyer kulturës, në periudhën e Rilindjes, ose kur po formohej shqipja si gjuhë e një kombi, e ndryshme nga shqipja, si emërues i përbashkët i të folmeve shqipe.

          Megjithatë, unë gjithashtu jam i bindur se shqipja e shkruar e shekullit XX do të ishte pastruar vetvetiu nga turqizmat, edhe pa zellin purist të shkrimtarëve dhe gjuhëtarëve të asaj kohe – sepse vetë përftimi i kulturës shqiptare të periudhës së Rilindjes dhe të Pavarësisë u krye si distancim, ndonjëherë dramatik, nga trashëgimia osmane në kulturë dhe në gjuhë.

          Sot, megjithatë, rrethanat janë të tjera. Sot shqipja nuk është në rrezik të shuhet, as kombi shqiptar të zhduket nga faqja e dheut; kemi një letërsi dhe një standard dhe një shkollë tashmë me traditën e vet; kemi institucione që po të funksiononin si duhej, do ta kishin ndihmuar shqipen të ishte më e shëndetshme.

          Nga ana tjetër, sot kulturën perëndimore ne e shohim me simpati të madhe, duam t’i përkasim me çdo kusht, ta imitojmë dhe ta kopjojmë dhe ta bëjmë tonën; dhe në këto rrethana edhe gjuha do të rrezikohet nga huazime të reja, sipërfaqësore, si këto që i gjen sot në shtyp. E njëjta gjë ndodh edhe me gjuhë të mëdha dhe jashtëzakonsisht solide, si italishtja – hap një revistë biznesi, dhe do të habitesh me depërtimin e anglishtes, në kufi të neverisë.

          Çështja është se pse shqipfolësit e kanë kaq të lehtë, që të futin një fjalë të huaj në idiolekt, ose në ligjëratën vetjake; çfarë nuk funksionon me normën leksikore; çfarë mekanizmi është dobësuar.

          Por kjo çështje nuk mund të zgjidhet dhe nuk do të zgjidhet nëpërmjet zëvendësimeve; veçanërisht zëvendësimeve të motivuara patriotikisht. Mënyra më e frytshme si mund t’i qasemi problemit, besoj unë, është të gjejmë se si mund ta pasurojmë shqipen sot, që kjo t’i përgjigjet nevojave leksikore të kohës.

          Gjuhë të tjera, të ngjashme me shqipen, e kanë pasur dhe e kanë më të lehtë, sepse mund të peshkojnë fjalë në traditat e tyre: gjuhët sllave kanë gjithnjë sllavishten e vjetër kishtare dhe rusishten, gjuhë madhore; rumanishtja ka gjuhët romane ose, fundja, edhe vetë latinishten; greqishtja e re ka greqishten e vjetër. Shqipja, nga kjo pikëpamje, është filologjikisht jetime – nuk ka pus se ku të mbushë ujë.

          Personalisht do të mbroja propozimin që, sidomos në lëmin terminologjik, shqipja të ndiqte hap pas hapi frëngjishten – meqë i ka të gatshme modelet për përvetësimin, formal ose semantik, të huazimeve nga ajo gjuhë, madje duke i përshtatur për bukuri. Nuk kemi pse të themi softuer (fjalë e çuditshme, për të mos thënë e shpifur), teksa mund të themi logjiciel. Më mirë kështu, sesa të sjellim në gjuhë ndonjë preciozizëm nga Gollokamja ose Nkolli. Por në këtë lëmë e di që jam në pakicë.

          P.S. Unë nuk mërzitem kur më duhet të debatoj me një amator, përkundrazi: mendja e amatorit është gjithnjë krijuese dhe burim sugjerimesh të vyera. Por e kam zët të përsërit gjëra që i kemi thënë e stërthënë në blog prej kohësh.

          1. Zevendesimet e turqizmave si pasoje e ndryshimit te boshtit, pa purizmin e Rilindasve, do te ishin ndryshim fjalesh nga turqishtja ne italisht ose frengjisht dhe jo krijim i fjaleve, penxheres do i thoshim finestra jo dritare.

            Para pak diteve, hasa ne nje korrigjim qe nje forumist po i bente nje tjetri. Fjala kompjuter ne shqip ka hyre nga italishtja (pavaresisht se kjo e ka marre nga anglishtja) dhe kjo u korrigjua ne ‘laptop’. Ky eshte zevendesimi qe sjell thjesht ndryshimi i boshtit, pa elementin purist.

            Ti pranon te ndjekim huazimin nga frengjishtja, por jo purizmin freng, i cili eshte shkaktari i fjales logjiciel. Ne fakt, une nuk gjej dot se per ç’arsye frengu arrin te gjeje fjalen logjiciel ndersa shqiptari s’e gjen dot nje vete. Frengu s’e ka marre as nga latinishtja, as nga ndonje gjuhe moter, thjesht ka vrare mendjen, e ka nxjerre dhe urdheruar qe kjo eshte fjala per gjithe frengjishtfolesit.

            Dallimi mua me duket nje i vetem, frengu ne ndryshim nga shqiptari, te nxjerr jashte medias e mjedisit akademik po nuk zbatove politiken gjuhesore. Tek ne nxitet e kunderta, te thuren lavde.

            Shkrimtaret e poetet e medhenj, jo vetem tanet si Naimi e Kadareja, por edhe ta zeme Dante, Shekspiri, Gete, Pushkini e Dostojevski, jane edhe prodhimtaret me te medhej te fjaleve te reja ne gjuhet perkatese amtare (perveç qe kane qene edhe etnocentrike te thekur). Jane kryesisht keta qe i bejne gjuhet te zhvilluara dhe jo rastesisht jane te gjithe puriste, ata jane bujq qe e njohin token edhe metafizikisht.

            Vertet qe gjerat risillen ne blog, po ja te bej nje trajtim nga nje kendveshtrim tjeter, qe natyrisht do sjelle uje ne mullirin tim.

            Sa kohe ka purizmi ne Shqiperi e sa kohe shqipja ka qene gjuhe e hapur ndaj huazimeve ?

            Mua me rezulton se para Rilindjes, shqipja ka qene historikisht gjuhe e hapur ndaj huazimeve dhe vertetimin e kam te thjeshte, mjaft te shohim se pjesa derrmuese e fjaleve eshte me prejardhje te huaj.

            Cfare ka fituar shqipja nga ato mijevjeçare hapje, duke nisur nga huazimet e greqishtes se vjeter, por sidomos ato numerikisht te llahtarshme te latinishtes ?

            Te them absolutisht asgje, nuk jam aspak larg se vertetes, meqe shqipja para Rilindjes ishte ndoshta gjuha me pak e zhvilluar e Europes.

            Cfare na solli pra te qenit gjuhe e hapur ndaj huazimeve perpos varferise ? Cfare perfitoi shqipja, kur ata para 2000 vjetesh ne vend te thoshin ‘peme e drejte’ ne shqip (parashqip, protoshqip, ilirisht, trakisht quaje si te duash) vajten dhe moren dy fjale te latinishtes ‘pomum’ dhe ‘directus’ ?

            C’perfitoi shqipja, kur ballgjerit te lumit (lloj krapi) nuk i thashe me se eshte xyz po moren latinishten piscis (megjithese indoeuropianishtja peiscus eshte njesoj afer formes peshk) ?

            2000 vjet te qenit gjuhe e hapur ndaj huazimeve nuk sollen asnjelloj pasurimi te shqipes, sollen vetem zhdukje te fjaleve me prejardhje indoeuropiane ne favor te fjaleve me prejardhje indoeuropiane te gjuheve mbizoteruese e ne rastin e turqishtes te nje gjuhe altaike.

            Vertet ne keto 150 purizmi ka mbizoteruar ne teori, por huazimet gjate fazes puriste jane shume me te medha sesa pastrimi i shqipes dhe ka ndodhur qe ndryshimi i boshtit te kete sjelle heqje te fjaleve turke e zevendesim me fjale latine e jo fjale te reja, pa llogaritur qe per dukurine e industrializimit themi industri, uzine, fabrike, torno, nafte, benzine, makine, motor etj e s’kemi fjale te reja te shqipes.

            Prandaj, them qe ne kushtet kur te qenit gjuhe e hapur s’kemi perfituar absolutisht asgje ne lidhje me pasurimin e fjalorit, nuk me duket se ne kemi ndonje tradite pozitive qe te na shtyje drejt hapjes, perkundrazi siç po duken bathet, hapja e ketyre 20 vjeteve, po ndjek traditen e vjeter te zhdukjes se fjaleve te fondit shqip ne favor te huazimeve (dhe natyrisht zevendesimin e huazimeve te ish-gjuheve mbizoterues me huazime te gjuheve sot mbizoteruese).

            Perndryshe, edhe gjate fazes puriste, s’kemi pasur kurrfare problemi te huazojme fjalet qe lidhen me perparimin teknologjik e te shkences ne pergjithesi.

            Pra problemi i mbetjes pas si pasoje e bllokimit prej purizmit te huazimeve teknike e shkencore eshte krejt fals, pa baza ne traditen puriste dhe tashmeri, nderkaq zevendesimi i fjaleve shqip me huazimeve mbetet i thekshem, mjaft te degjosh Adi Krasten se ç’masaker i ben shqipes ne televizionin me te ndjekur kombetar.

  5. Purizmi ne Shqiperi ka qene gjithnje relativ, edhe gjate komunizmit. Huazimet me te vjetra latine e sllave nuk u preken fare, e pesoi turqishtja, por edhe kjo me shume sepse ishte ne perplasje te dyfishte, qofte ndaj shqipes si gjuhe e kombit dhe themel identitar, qofte ndaj gjuheve te Perendimit si pasoje e ndryshimit te boshtit apo strategjise kombetare.

    Nderkaq, faqja tjeter e purizmit, ajo qe lidhet me importin e dukurise por jo te fjales se huaj, ka qene fare pak e zhvilluar, ne shkence e teknologji, kulture, arte, sporte, guzhine etj. Kudo verehen fjalet e huaja, jane te gjitha huazime gjate fazes puriste.

    Kjo me shume sesa me paaftesine e elites sone intelektuale, qe nuk ishte ne gjendje te bente si greku, italiani, frengu, gjermani etj, lidhet me faktin qe per shqiptaret me i rendesishem edhe se vete identiteti kombetar ka qene e eshte perkatesia ideologjike, me Lindjen (turkun, sovjetikun) a me Perendimin ( Italine, Francen, Gjermanine).

    Politikat me te forta puriste u ndoqen ne vitet 70-80, pikerisht sepse ne nuk kishim me nje perkatesi ideologjike, as me Lindjen as me Perendimin, per here te pare ne histori ishim me veten tone. Ne fakt u mbytem, te mesuar siç ishim nga historia te mos mesonim not, por t’i hipnim varkes se Lindjes ose Perendimit.

    Xha xhai thote:

    – Çështja është se pse shqipfolësit e kanë kaq të lehtë, që të futin një fjalë të huaj në idiolekt, ose në ligjëratën vetjake…….

    Sepse ashtu ka ndodhur gjithnje, eshte si tip refleksi i kushtezuar, perkatesia ideologjike me Lindjen ose Perendimin eshte me e rendesishme sesa perkatesia gjuhesore apo kombetare.

    Debimi i turqishtes per masat ishte me i rendesishem ne aspektin e perkatesise ideologjike sesa ne ate te perkatesise kombetare. Vetem per elitat ishte me i rendesishem ne ate te perkatesise kombetare, sepse keto donin t’i mesonin not shqiptareve, jo thjesht menyrat si i hipet varkes se Lindjes apo Perendimit.

    Biles, edhe vete nacionalizmi qe kerkon borgjezi e jo katundare, bejlere, tregtare e proletare, hasi veshtiresi te jashtezakonshme, derisa shumica e shqiptareve e kthyen koken nga Perendimi dhe pane qe nacionalizmi atje ishte ideologjia mbizoteruese. Po keshtu shumica e ka perkrahur por nuk ka milituar tek nacionalizmi, sikunder bejne historikisht shqiptaret me ideologjite e Perandorise 0, i perkrahin por nuk militojne, jane mbeshtetes por jo anetare.

    Shqiptari e fut ne te folur me lehtesi, por eshte mesuar qe gjuhen e shkruar ta shohe ndryshe nga e folura, e shkruara s’duhet te kete huazime te pavendta sepse eshte ‘kombetare’, elitat qe e krijuan shqipen e shkruar, vendosen si rregulli nr 1, shqipja e shkruar s’duhet te kete huazime vend e pavend.

    Masat e respektojne kete rregull, biles tallin edhe njeri-tjetrin nese dikush shkruan me huazime te pavendta, nderkaq ne te folur mund t’ja kercasin per qejf.

    Ata i perkasin ideologjikisht Perendimit, e folura e tyre mund te ndikohet pa problem, por shqipja e shkruar eshte entitet me vete dhe jashte tyre, ajo eshte kombetare, speciale, jashte ideologjise se Perandorise O, si me thene shqipja e shkruar gezon nje ‘eksterritorialitet’ ideologjik, si nje spirance shpetimi ne rast se Perandoria 0 i zhgenjen, sepse sikunder thashe e mbeshtesin por s’behen anetare, nuk sakrifikojne per te ( nuk do shpjegohej dot as ndryshe qe ne keto 20 vjet s’kemi bere asgje konkrete per t’u bere anetare te BE-se, vetem llafe dashurie).

    Nuk eshte thjesht se kete qendrim ua nguliten elitat e meparshme, shqiptaret nuhaten vete ne pragmatizmin proverbial, se shqipja e shkruar duhet te gezoje eksterritorialitet.

    Prandaj ju elitat e reja post-komuniste, hasni ne veshtiresi te medha per te zbritur ne popull, biles edhe vete perkrahesit e zjarrte, ju shohin ca me dyshim, kur vjen puna tek propozimet per huazime te lira, pa teklif. Ti xha xha mund te perdoresh fjalen ‘imbecil’ po tek kjo fjale s’ka gjasa te te ndjeke edhe perkrahesi jot me i zjarrte.

    Por nga ana tjeter, per vete masat fjalet tekniko-shkencore gezojne ‘imunitet’ prej shqipes, prandaj purizmi alla frenga nuk funksionon. Ato jane fjale ‘ideologjike’ ( uzine prej Lindjes, fabrike prej Perendimit), ato i takojne gjuhes se Perandorise 0. Tek to purizmi s’ka pire uje as ne fazen me ekstreme, t’i shohin me dyshim gjithe propozimet, edhe kur mund te jene fare mire te goditura, me te goditura se vete ato qe ben frengu apo gjermani ( keta kane edhe fjale kilometrike, vetem per hir te pastertise se gjermanishtes, qe po te propozohen tek ne, gajasen robte ).

    Si perfundim, nuk ta ka fajin purizmi, qe s’te lejon huazimet per qejf, por pragmatizmi shqiptar qe e sheh shqipen e shkruar si domosdoshmeri per mbijetesen, edhe ne rast se Perandoria 0 merr fund. Qe Perandorite 0 jane te perkohshme, kete e kemi mesuar mjaft mire, eshte ne ADN tone kulturore. Gjeja e pare qe shqiptari meson eshte se keta sot jane, neser s’jane, sidomos gjate shek 20, kur kembyem nja 5 Perandori 0.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: