Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Shah

SHAH: ANAND KONFIRMOHET SI KAMPION BOTE

Sot indiani Vishy Anand e ruajti titullin e kampionit të botës në shah, kundër sfidantit izraelit Boris Gelfand.

Matçi i rregullt, prej 12 lojërash, përfundoi në barazim, prandaj u kalua, sipas marrëveshjes, në një tiebreak prej 4 lojërash të shpejta (25 minuta për lojëtar plus 10 sekonda të shtuara për çdo lëvizje); dhe kampioni në fuqi arriti të fitojë lojën e dytë të tiebreak-ut dhe krejt matçin, meqë lojërat e tjera të shpejta përfunduan gjithashtu në barazim.

Ja edhe pozicioni kritik në lojën vendimtare:

Gelfandi, që luante me të zezat, gabimisht e lejoi Anandin të ndërrojë figurën e lehtë (Ke6 shah, pastaj Kd4); dhe pas kësaj fitorja ishte çështje teknike vetëm.

Ndeshjen, të komentuar, mund ta ndiqni këtu.

Anandi nuk shkëlqeu këtë herë, edhe pse duhet thënë që kundërshtari i tij ishte ujk i vjetër dhe specialist betejash të tendosura pozicionale. Me dy përjashtime, ndeshjet e rregullta të matçit përfunduan në barazim – dhe vëzhguesit fajësuan, për këtë mërzi, temperamentet e kujdesshme të të dy lojëtarëve. Në fakt, as Anandi as Gelfandi nuk janë mes shahistëve më të mirë sot; meqë në klasifikimet e FIDE-s Anandi renditet pas danezit Magnus Carlsen, armenit Levon Aronian dhe rusit Vladimir Kramnik, ndërsa Gelfandi është diku nga vendi i 20-të.

Megjithatë, është meritë e Anandit që ka arritur t’i fitojë të tre matçet e fundit për titullin botëror, duke u treguar më i miri në botë, në mos si shahist absolut, së paku si interpretues i sistemit kompetitiv të tanishëm.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin