Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi / Totalitarizëm

SFIDA PREJ TABUVE

Revista The New Yorker boton fragmente nga një leksion i Salman Rushdie-ut për raportet e censurës me krijuesin dhe krijimtarinë.

Autori i Vargjeve Satanike flet për lirinë, të cilën ai dhe ne të tjerët që jetojmë në Perëndim e marrim ndonjëherë për të mirëqenë, dhe pastaj vëren:

Arti krijues kërkon jo vetëm liri, por edhe këtë supozim të lirisë. Në qoftë se artisti krijues shqetësohet nëse do të jetë i lirë nesër, atëherë ai nuk do të jetë i lirë as sot. Nëse ai ka frikë për pasojat e subjektit që do të zgjedhë, ose mënyrën si do ta trajtojë atë, atëherë zgjedhjet e tij nuk do të përcaktohen nga talenti i tij, por nga frika. Nëse ne nuk kemi besim në lirinë tonë, atëherë nuk jemi të lirë.

Natyrisht, ne që kemi përjetuar letërsi të shkruar në periudha të censurës së fortë nuk mund t’i përtypim kollaj pohime të tilla; jo vetëm ngaqë Kadareja shqiptar e shkroi veprën e vet më të mirë në kushtet e censurës më të rreptë, aq sa vetë ajo vepër është produkt i ‘jo’-ve të asaj censure po aq sa ç’është edhe produkt i talentit dhe i imagjinatës së shkrimtarit; por edhe ngaqë njohim dhe admirojmë një numër të madh shkrimtarësh të tjerë, shqiptarë dhe joshqiptarë, që i kanë negociuar veprat e tyre me censurën, madje edhe me autocensurën.

Mjaft të përmend autorë të kalibrit të Bulgakovit, të Pasternakut ose të Solzhenjicinit, të cilët prodhuan letërsi të mirëfilltë në periudhën më të errët, deri edhe staliniste, të kulturës ruse-sovjetike; ose poetë si Mandelstamm-i, Cvetaeva, Bloku dhe Akhmatova.

Madje, ndryshe nga ç’thotë Rushdie-u, periudhat e trysnisë ideologjike, të kërcënimit dhe të frikës përkojnë, shpesh, me periudhat e shkëlqimit letrar.

Shkruan Rushdie-u:

Do të gjesh gjithnjë njerëz që të argumentojnë se censura është e mirë për artistët, sepse ua sfidon imagjinatën. Kjo është njëlloj si të argumentosh se, po t’ia presësh krahët një burri, pastaj mund ta admirosh që ai ka mësuar të shkruajë duke e mbajtur penën midis dhëmbëve. Censura nuk është e mirë për artin, dhe është edhe më pak e mirë për artistët vetë.

Në fakt, sikurse e vëren një nga komentuesit e shkrimit, vetë Rushdie-u ka bërë emër në botë jo falë ndonjë talenti letrar verbues, sesa sfidës që ia bëri imagjinatës së tij censura fetare-ideologjike e Islamit – dhe pasojat e shkeljes së tabuve përkatëse.

(c) Dave McKean

Suksesi i këtij shkrimtari indian – përndryshe disi të mërzitshëm, për mendimin tim – dëshmon se letërsia, tani sikurse në të shkuarën, për mendësinë moderne sikurse edhe për mendësinë tradicionale, gjithnjë është lojë me tabutë e kohës, ose bashkëtingëllim, në nivelin imagjinar, i shqetësimeve themelore të një epoke, me të cilat lidhen edhe këto tabu.

Roli i censurës, në këtë rast, do të ishte i ngjashëm me atë të një dige hidrocentrali: vetëm diga arrin t’ia ngrejë nivelin lumit për të krijuar liqenin e deri sa ta shndërrojë pastaj rrjedhën në kaskadë të fuqishme, energji-prurëse.

Shkrimtari i madh, pavarësisht se në ç’epokë jeton dhe për çfarë shkruan, rregullisht do të përleshet me një forcë që i thotë JO; dhe në përleshje e sipër do të prodhojë veprën.

Liria është e nevojshme për letërsinë, por jo e mjaftueshme; meqë shkrimtari vërtet mund të jetë i lirë të shkruajë ç’të dojë, por ajo çka shkruan duhet të jetë edhe relevante, që shkrimtari të jetë vërtet i mirë; dhe relevanca gjithnjë i kryqëzon shpatat me ndonjë tabu të fortë.

Në fakt, censura ia jep shkrimtarit identitetin dhe autoritetin e nevojshëm, për t’i folur publikut në mënyrë bindëse – si alternativë ndaj reales dhe JO-së, në kuptimin hegelian të termit.

Një autor si Kadareja e provoi censurën praktikisht me çdo vepër që shkroi, të paktën deri në vitin 1990; përkundrazi, veprat e tij të mëpasme i ka krijuar në liri të plotë. Edhe pse nuk ka arsye që ta konsiderojmë atmosferën shtypëse totalitare si faktorin kryesor përcaktues të nivelit të lartë të veprave të shkruara në vitet 1960-1980, prapë ajo një rol e ka luajtur, qoftë edhe vetëm si partner gjatë duelit abstrakt të shkrimtarit me aparatin shtypës të regjimit; dhe një provë e tërthortë për këtë është edhe cilësia në rënie e prozës kadarejane pas 1990-ës.

Natyrisht, regjimi mund edhe ta kishte burgosur Kadarenë, dhe atëherë nuk do të kishim fare shkrimtar; por burgosja, pa çka se mund të jetë pasojë e censurës, në të vërtetë e bën të panevojshme censurën; sepse një shkrimtari të burgosur nuk se se çfarë t’i censurosh më.

Për shkak të fatvasë së lëshuar kundër tij dhe dënimit me vdekje që ia kanë shpallur autoritetet e fesë islame në Iran, Rushdie-u ka ngjallur simpatinë, admirimin dhe solidaritetin e të gjithë atyre që vlerësojnë lirinë ndaj nënshtrimit dhe, në veçanti, lirinë e fjalës ndaj konformimit.

Vetë vepra e Rushdie-ut është censuruar me forcë në shumë vende të botës, çka e ka shndërruar shkrimtarin në celebritet, pavarësisht nga cilësia mirëfilli artistike e veprës si të tillë. Nëse Rushdie-u gëzon liri si shkrimtar, ngaqë këtë liri ia garanton vendi ku ka zgjedhur të jetojë, vepra e tij këtë liri nuk e ka; madje, paradoksalisht, ajo ia detyron suksesin e vet censurimit, të tekstit dhe të autorit.

Shkrimtarë si Pasternak-u dhe Solzhenjitsin-i, në kohën e tyre, u nderuan me çmimin Nobel edhe ngaqë vepra e tyre u perceptua, në Perëndim, si kritikë ose distancim ndaj diktaturës komuniste sovjetike; as njëri as tjetri nuk ishin njerëz dhe krijues të lirë, në kuptimin që i jep kësaj Salman Rushdie-u, por ata i shërbyen lirisë pikërisht duke iu folur të vërtetën lexuesve të tyre.

Më në fund, autori i Vargjeve Satanike, nuk e fsheh epërsinë e vet morale, teksa flet për lirinë që gëzon si qytetar i botës perëndimore, ku censura nuk ekziston; dhe ku qorton ashpër, ndër të tjera, regjimin kinez ose fundamentalistët e krishterë në ShBA, të cilët ende besojnë në censurën; por unë do të isha kureshtar të dija si do ta shpjegonte, ky paladin i lirisë së shkrimtarit për t’u lexuar, faktin që vepra e fundit e Solzhenjicinit, Dyqind vjet së bashku (Двести лет вместе), e botuar në rusishte këtu e dhjetë vjet të shkuara dhe e përkthyer menjëherë në frëngjishte dhe në gjermanishte, ende nuk është përkthyer në anglishte.

Autori nobelist i Arkipelagut Gulag, dhe një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit XX, i dënuar për një kohë të gjatë me heshtje në atdheun e vet si disident dhe antikomunist dhe persona non grata për kulturën sovjetike, u pagua ironikisht me të njëjtën monedhë nga ShBA, në momentin kur u perceptua si politikisht jokorrekt dhe anti-konformist.

Shkrimi i tanishëm i Rushdie-ut më kujtoi, me këtë rast, pse nuk më bind deri në fund ky shkrimtar, i riformatuar tashmë si celebrity, sikurse më kujtoi një anekdotë të vjetër të kohës së Luftës së Ftohtë.

Bisedonin një rus dhe një amerikan për lirinë e fjalës. Tek ne ka liri të fjalës, tha amerikani. Kushdo mund të shkojë para Shtëpisë së Bardhë, në DC, dhe të bërtasë se Presidenti Reagan është idiot noterik. Po edhe te ne ka liri të fjalës, njëlloj si te ju, ia ktheu rusi. Çdo qytetar sovjetik mund të shkojë para Kremlinit dhe të bërtasë se Presidenti Reagan është idiot noterik!

O tempora, o mores…

Pa Komente

  1. Ndoshta nuk ka kuptim te Shkruhet, pervecse per te vene ne pikepyetje a per te kundershtuar autoritete. Rastet e tjera jane shkresa, jo Shkrime, jane pune skribesh e burokratesh.

    Cilesia e Shkrimit varet nga mprehtesia e pikepyetjes, nga fuqia e kundershtimit a nga mizoria e autoritetit. Perndryshe me ngritjen e stilistikes ne altar, le te merren dashnoret e riprodhimit kitsch, dhe komentuesit baroke.

  2. Cdo shkrim, eshte rezultati i nje tabuje ose “censure” (ligjore, morale..) edhe ne demokraci. Eshte perpjekja per te luftuar mediokritetin, kulturen e konsumit, paaftesine, dhunen verbale ose fizike… eshte perpjekje per te permiresuar njeriun. Ndryshe nga sistemi komunist, sot, problemin me te madh une e shoh te autocensuara. Gazetare qe dine shume, por nuk flasin. Ose, thone te verteta te pjesshme (nese mund te quhen te tilla). Ka nje autocensure, qe mendoj se vjen nga “diktatura” e parase. Frika per te humbur vendin e punes,per te mbetur menjane, per tu lexuar, frika ndaj shefit e pronarit. Ndonese jetojme ne nje shoqeri demokratike, ne dukje te lire, – nuk ka liri. Serish, nevojitet nje sforcim i shkrimtarit, gazetarit, poetit per te shmangur kompromisin, apo te ashtequajturin “paktin e diallit” me mediokritetin dhe hipokrizine shoqerore… Ne fund, – sikurse thote miku im Arshin Xhezo, shkrimtari i vertete do te mbetet gjithmone i varfer..! (nga ana materiale) por nje pasuri e njerezimit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin