HITLERI, CENSURA, KRITIKA

Po t’i dëgjonim fjalët e Volterit, sipas të cilit mund të mos jemi dakord me mendimin e dikujt, por duhet t’ia mbrojmë deri në vdekje lirinë e shprehjes; ose po t’i besonim Chomsky-t, sipas të cilit nëse nuk besojmë ne lirinë e shprehjes për njerëz të cilët i përbuzim, atëherë nuk besojmë në lirinë e shprehjes, botimi në shqip i Mein Kampf-it të Hitlerit dhe polemikat pasuese, nuk do të na dukeshin gjë tjetër veçse një lloj ushtrimi i demokracisë.

Mirëpo vetë demokracia bazohet në vlera që janë të papajtueshme me çka predikohet në librat e diktatorëve paranoiakë të prodhuar nga njerëzimi. Që këtu lind problemi i parë. Nga ana tjetër, çështja e Hitlerit në shqip nuk mund të minimizohet duke e nxjerrë nga qerthulli kulturor për ta derubrikuar në problem botuesish, së fundi për t’u trajtuar vetëm në zyrat e shtëpive botuese. Që çështja duhet rrahur në mejdanin kulturor e vërteton edhe botimi i vëllimeve të reja që i kushtohen diktatorit nazist, sikurse suksesi (i pritshëm?) i Mein Kampf-it pranë publikut shqiptar.

Tri përqasje kryesore u përvijuan pas ardhjes në shqip të liderit nazist. I pari buronte nga qëndrimet liberale. Disa e komentuan botimin e Mein Kampf-it si diçka normale në sistemin demokratik. Këtu duhet të ndalemi për të analizuar nuancat e cilësorit “normal”, meqë disa lanë të nënkuptojnë se kjo prurje mund të ishte deri pasuruese për lirinë e shprehjes dhe të mendimit; disa të tjerë e shqiptuan fjalën “normale” me shqetësim, me mbledhje buzësh, si të thuash “nuk kam aspak dëshirë por s’kam ç’bëj se rregullat e lojës këto janë”. Nuk duhen harruar, së fundi, ata të fushës neutrale, atyre që nuk iu drodh aspak qerpiku nga hyrja e mendimit hitlerian në tregun shqiptar.

Në të kundërt u shfaq qëndrimi intolerant, përndryshe autoritar, që e shikonte botimin si diçka të papranueshme, që duhej ndaluar me çdo kusht, edhe pse në kushte demokratike. Dikush e krahasoi librin Mein Kampf me armën e rrezikshme në duart e fëmijëve. Pati nga ata që evokuan kushtetutën ose kodin penal të Shqipërisë, që e dënojnë nxitjen e urrejtjes, racizmin, etj. duke i ftuar institucionet që të ndërhynin vendosmërisht kundër librit dhe botuesit. Anipse i një rangu tjetër, këtu mund të futet edhe orvatja për ta marrë kalanë nga brenda, nëpërmjet artificeve juridike, duke shfrytëzuar mosrespektimin e të drejtat të autorit për ta bllokuar përhapjen e librit.

Përqasja e tretë kishte karakter analitik, që nisej nga premisa se fenomeni ishte së pari kulturor dhe si i tillë duhej studiuar e kuptuar. Këtu gjendeshin të gjithë ata që u rrekën t’u japin përgjigje pyetjeve si: “A ka nevojë lexuesi shqiptar për libra si Mein Kampf-i?”, “Përse i jepet pikërisht tani publikut shqiptar?”, “Libra të tillë sjellin risi apo përsëritje në kulturën shqiptare?”, “Si e ndikon Mein Kampf-i shoqërinë e tulatur shqiptare?”, “Ia shton apo ia pakëson ndjesinë e çoroditjes?”…  Analiza e eventit nga pikëpamja kulturore, qoftë vetëm duke ngritur probleme, përpiqej ta nxirrte debatin nga mendësia mekanike e postbllokut, që ka vetëm dy mënyra për ta trajtuar problemin, me ngritjen ose jo të traut ndalues.

Kategorizimet e lartpërmendura janë përmbledhëse, aspak shteruese, por e japin gjithsesi idenë e qëndrimeve ndaj prezantimit të führer-it në shqip. Natyrisht, brenda tri përqasjeve të mëdha ka pasur deklarata të nyjëtuara, me nuanca të ndryshme, si p.sh. ata që vunë shenjën e barazimit midis veprave të Enver Hoxhës, Stalinit, etj. dhe Mein Kampf-it, duke e konsideruar krejt të natyrshëm botimin e tij e njëkohësisht duke i kujtuar opinionit publik se punët nuk i prish një diktator më shumë a më pak në librari; ose ata që e mirëpritën botimin për efektet e supozuara pedagogjike, meqë “njerëzimi duhet t’i njohë…”, “bota nuk duhet të harrojë” e kështu me radhë.

Pakkush analizoi dyzimin e ballinës së Mein Kampf-it në shqip (shtëpia botuese “Belina H”). Në krye thuhet: “Një nga librat më me ndikim i të gjitha kohërave”, pohim-reklamë që e fton lexuesin ta blejë e t’ia përpijë faqet, meqë nuk është libër dosido, por nga ata që kanë tërhequr miliona vetë, madje duke i ndikuar më shumë se çdo libër në hapësirë e në kohë. Përballë një ftese të tillë, lexuesi standard e fut automatikisht dorën në xhep e nxjerr paret për ta blerë. Shënimi i mëtejshëm, gjithnjë në ballinë, duket disi i sforcuar, disi i diktuar, disi formal, pothuajse sa për të larë gojën, edhe pse duhet vlerësuar e duhet konsideruar me mirëbesim: “Ky libër duhet lexuar për të kuptuar më mirë holokaustin e totalitarizmin e çdo ngjyre. Është një paralajmërim për brezat e rinj që çmenduri të tilla të mos përsëriten më kurrë”.

Librat e Hitlerit po përhapen jo vetëm në Shqipëri por edhe në vende të tjera. Skadimi i afateve të të drejtave po ua jep mundësinë botuesve ta nxjerrin në formate xhepi ose luksoze. Lajmi i fundit për botimin e vëllimeve të tjera dëshmon se tregu është ende i interesuar. Edhe librashitësi në aeroportin e Rinasit ta konfirmon se ka shumë interes nga lexuesit për librin e Hitlerit. Si rrjedhim, duhen analizuar jo vetëm shitjet në rang vendi, por edhe libraritë ku këta libra ecin kaq mirë. Sepse nuk është e njëjta gjë sikur të vihen re shitje të larta në këtë apo aksh qytet, ose në këtë apo aksh librari. Nuk do të ishte keq të kuptonim arsyet e suksesit në librarinë e aeroportit, ku zakonisht kalojnë njerëz që botën e kanë parë ose po shkojnë për ta parë, ku librat e çfarëdolloji nuk mungojnë. Gjithsesi, para se të jetë punë tregtie, çështja është natyrisht kulturore dhe në atë terren duhet gërmuar.

A mund të ndalohet botimi i Hitlerit në Shqipëri? Kam frikë që jo, përderisa edhe në shumë vende të tjera të Europës po bëhet ose po përgatitet për t’u bërë e njëjta gjë. Censura nuk mund të jetë zgjidhja, të paktën jo e vetmja, e gjithsesi jo ex-post. Nga ana tjetër, censura rrezikon ta amplifikojë impaktin e kësisoj librash në treg, duke e rritur artificialisht kërshërinë e publikut. Transformimi në best-seller i delirit nazist mund të bllokohet, por ndoshta veprimi i bllokimit duhej zgjedhuar në kohën e shkuar, ngaqë parandalimi është vërtet më efikas se sa ndalimi, por duhet nyjëtuar në nivel kulturor. Çka kërkon punë e kohë, e mbi të gjitha kritikë të nivelit të lartë e me ndikim në shoqëri.

Fakti është se këto njëzet vitet e fundit kultura antitotalitare në Shqipëri nuk është përthelluar shumë më tepër se sa ajo antifashiste që zhvillohej gjatë periudhës komuniste. Nga një anë ka mbizotëruar një dozë e lartë demagogjie e retorike, nga ana tjetër totalitarizmi është njëjtësuar me një ngjyrë të vetme, çka është e kuptueshme, por e pamjaftueshme për një kulturë që duhet ta refuzojë totalitarizmat dhe diktaturat in toto e me të gjitha format, si dukuri e përgjithshme, jo vetëm si shprehje e shekullit të kaluar. Antitrupat e shoqërisë shqiptare mund t’i dallojnë fare mirë bakteret e totalitarizmit komunist, por janë të papërgatitura për të dalluar viruset moderne që mund të kenë petka demokratike, por në thelb janë shprehje të diktaturës. Demokracia, gjithashtu, trajtohet në Shqipëri si arritje e pakthyeshme, ndërkohë që duhet konsideruar me kujdesin më të madh, si diçka e brishtë, e kanosur gjithnjë nga rreziqet, si diçka që duhet ruajtur përditë si sytë e ballit.

Për t’iu kthyer Mein Kampf-it në shqip, mund të thuhet se botimi i tij (pasi të vendosej natyrisht nga institucionet përkatëse kulturore e shoqërore), duhej bërë me shumë kujdes. Një libër i tillë ka nevojë për parathënie, hyrje, komente, ilustrime, shënime, pasthënie, dëshmi, për ta ndihmuar lexuesin ta ndajë shapin nga sheqeri, në mënyrë që ta kuptojë se ai libër që mban në dorë ka ndikuar me miliona njerëz që të vrisnin miliona të tjerë. Një libër i tillë ka nevojë për kritikë, historianë, dëshmitarë, shkolla, emisione,…. Fjalët e führer-it nazist nuk të evokojnë automatikisht fotografitë e holokaustit, krematoriumet, pushkatimet, djegiet, shkatërrimet, urrejtjen, racizmin, vdekjet nga uria, masakrat, e kështu me radhë. Gjërat duhen shpjeguar, duhen thënë hapur, e ndoshta në kopertinë duheshin vënë fotografitë e Shoah e jo e autorit. Lexuesi duhet të kuptojë se fjalët e atij libri kanë helmuar mendjet e njerëzimit dhe si i tillë duhet trajtuar, si helm vdekjeprurës. Së fundi, duhet ta kuptojë se ajo ç’po duam të ndërtojmë sot, është ngritur mbi gërmadhat që shkaktoi thelbi i atij libri, pra shoqëria e sotme që duam të jetojmë është në antitezë me mësimet delirante të tij.

E për këtë nuk mjafton vetëm një fjali si ajo që u vihet paketave të cigareve.

Nuk ka komente

  1. Hitleri e bazoi racizmin tek superioriteti kulturor e shtetformues, nje dukuri e vjeter sa vete njerezimi. Egjiptianet,kinezet, helenet, romaket etj tek ky superioritet kulturor e shtetformues bazonin edhe racizmat perkates.

    Pas Hitlerit u ndeshkua pasoja por jo shkaku, dmth superioriteti kulturor e politik, te cilin po e quaj shtetformues, meqe thelbi i politikes eshte shtetformimi.

    Racizmi i mirefillte, ai antropologjik, eshte natyror dhe lidhet me mbijetesen e grupit, nje i ndryshem perben kercenim, prandaj edhe kontinentet hyne ne Histori, si Europa e bardhe, Afrika nensahariane e zeze, Azia e Largme ‘e verdhe’ dhe pjesa e ndermjetme, ne vija te trasha Kalifati arab e India, ‘te bardhe te nxire’.

    I ndryshem donte te thoshte kercenim per mbijetesen, jo inferior, biles ne terma natyrore ai qe eshte kercenues per mbijetesen eshte superior, se nga inferiori s’te vjen kercenimi.

    Kete raport e permbys superioriteti kulturor e politik, i cili zakonisht perkthehet ne superioritet ekonomik, ose me mire buron prej ketij.

    I ndryshem do te thote barbar, rrezik prej inferiorit, qe eshte kategori mendimi shume e mbrapshte, meqe s’ka lidhje me logjiken e shendoshe se rreziku vjen prej superiorit jo prej inferiorit.

    Ne kete kendveshtrim, superioriteti kulturor e politik, si produkt i superioritetit ekonomik ( qe prej sumereve, pasuria eshte perkthyer ne superioritet kulturor e politik, pa dallim racash a gjeografie planetare) e kthen racizmin antropologjik apo te mirefillte ne dukuri negative.

    Kryqezimi mes racizmit kulturoro-politik aktiv dhe atij antropologjik pasiv, ndodhi ne shek 19 sepse shkenca avancoi ne menyre te jashtezakonshme. Justifikimi shkencor, ku kontributin themelor e kane dhene anglezet e francezet, ka qene thelbi i teorise raciste te Hitlerit.

    Pas Hitlerit u demonizua racizmi antropologjik pasiv, qe s’i kish bere dem askujt pergjate historise 5 mije vjeçare te civilizimit, para daljes se shkences (skllaveria e zezakeve ne Amerikat, ishte me shume nje nevoje ekonomike sesa pasoje e racizmin antropologjik, ne Europe psh ku s’ishte nevoja, nuk skllaverohej kush), por nuk e be asgje per superioritetin kulturor e politik.

    Perkundrazi superioriteti kulturor e politik (kapitalizmi dhe demokracia) u bene shtyllat e Luftes se Ftohte.

    Racizmi i prodhuar eshte i dukshem, Perendimi eshte thellesisht racist ndaj Lindjes Europiane, ndjesia e superioritetit te perendimorit eshte ne majat e Everestit, si kurre me pare ndaj Lindjes se Europes, biles gjermano-lindoret e vuajne ende ndaj bashkekombasve te Perendimit.

    Hitleri, mund te terheqe sot vetem supremacistet kulturore e politike, te cilet nuk gjejne dot hapesira tek racizmi i sofistikuar i elitave perendimore apo filoperendimore.

    Sot per sot, shqiptaret jane subjekti europian qe peson racizmin me te eger kulturoro-politik, qe mund te shkaktoje edhe nje etnocid kulturor.
    Ai qe ishte lajtmotivi serbo-grek i para 100 vjeteve, shqiptareve s’u duhet lene shtet, s’kane kulture etj sot ka hyre deri ne thellesi te poreve te elites se re kulturore shqiptare, nderkaq eshte edhe menyra si na shohin Perendimoret.

    Gjithe ky stres per mbijetesen kulturore, mund te krijoje kushtet per interesim ndaj Hitlerit, homogjeniteti i larte racor i shqiptareve si kundervenie ndaj shoqerive shumengjyreshe, te cilat ushtrojne shtypje te vazhdueshme kulturore e politike.

    Persa i perket Hitlerit ne vetvete, po te hiqet holokausti, do te vendosej ne nje rang me Napoleonin, qe deshi te pushtoje boten e t’ia jape kombit te vet, po iu prishen endrrat nga Dimri Rus.
    Napoleoni u demonizua gjate shek 19 e u adhurua ne shek 20. Keshtu do i ndodhte edhe Hitlerit, andej nga viti 2050, po te mos ishte per Holokaustin do mund te fillohej te admirohej masivisht.

    Historia i harron gjerat e vogla ( si ta zeme kalimi ne gijotine e mijera provencaleve qe s’donin te identifikoheshin si frengj), per t’u perqendruar tek gjerat e medha, dhe ideja e pushtimit te Botes e krijimi i nje perandorie universale qe jeton ne paqe te perjetshme, eshte e madhe e eshte admiruar gjeresisht nga njerezit pergjate historise.

    Persa na perket neve si shqiptare, nuk eshte se jetuam me mire pse fituan Aleatet, vrasje masive, genocide, pastrime etnike, diskriminim e diktature, morem si perfitim nga fitorja e Aleateve.
    Ne s’fituam gje si komb, fituan pushtetin komunistet ne Shqiperi, vetem nje 1% e shqiptareve ne Ballkan perfituan, 99% e hengren.

    Ndoshta do ta hanim edhe me keq, po te kish fituar Hitleri, po ate nuk e dime, dime qe si komb e hengrem keq prej fitores se aleateve.

  2. Zoti Pishak.
    Ky shkrim eshte nje ushtrim ne korrektesine politike.
    E kuptoj se eshte nje teme e veshtire, dhe qe po nuk u “mbajt” me “kujdes”, te gjakos duar e kembe.

    Nje liber shume me interesant se sa Lufta ime, eshte ai me titullin ” Biseda tavoline me Hitlerin”.
    Qe nga 1941 e deri ne fund, Hitleri kishte zakon te hante dreke me gjithe enturazhin e tij. Bisedat gjate ketyre drekave shkonin gjate dhe temat preknin cdo gje qe interesonte mendjen e shefit. Stenografistet qe ishin aty i kane marre shenim te gjita keto prej nga ku ka dale edhe libri me titullin e meparshem.

    Reduktimi deri ne budallallek i periudhes se L2B eshte zgjidhja me e kollajte. Deri tashti…

    Kur mendja ( njeriu) perplaset me realitetin, ky i dyti gjithnje fiton.
    Dhe realitet eshte se Gjermania sot eshte shtetit me nivelin me te larte te eksporteve ne bote (proporcionalisht), dhe se ne Amerike, per here te pare kete vit , numri i femijve te lindur nga minoretitet, eshte me i madh se sa numri i femijve te lindur nga te bardhet.

    1. Nuk po e kuptoj ende pse permendet ketu reduktimi ‘deri ne budallallek’ i L2B (ku?), e ashtu nuk po kuptoj pse gjithe ky elitizem anonim per te qesendisur tjetrin se u ushtruakerka ne politikisht korrekten (lexo: ne antifashizem light) dhe gjithashtu nuk kuptoj logjiken a moralin e perqasjes midis eksporteve fitimtare gjermane te industrise sot dhe importit apo zhbalancimit demografik ne SHBA: eshte kjo ndonje hakmarrje pas vetevrasjes nga ndonje profet i keqkuptuar, a si?

      1. …”Nuk po e kuptoj ende pse permendet ketu reduktimi ‘deri ne budallallek’ i L2B (ku?)…”
        –AH + Main Kampf = L2B + holocaust + krematoriume, etj, etj
        Per mendimin tim ky “ekuacion” eshte reduktim deri ne budallallek i ngjarjes, me te gjitha shkaqet dhe pasojat. Per mendimin tim ajo periudhe eshte shume me komplekse se sa c`na eshte thene e mesuar deri tani
        Jo se ka ndonje rendesi ne shkalle te gjerave, por per shembull, duhet te gjurmosh neper vrimat e miut qe te gjesh se AH mund te jete ndofta nje nga pararendesit e levizjes ekologjike, kur shpreh shqetesimin se lendet e para qe nxirren nga nentoka dhe perdoren nuk jane te riperterishme, dhe se ishte plotesisht i bindur se e ardhmja i takon energjise se eres, asaj se diellit dhe valve te detite (batice/zbatice)

        …” nuk po kuptoj pse gjithe ky elitizem anonim per te qesendisur tjetrin se u ushtruakerka ne politikisht korrekten…”
        –Z. Pizhak kam mbi 13 vjet qe e lexoj dhe e ndjek, Elitizmi im do te ishte si pende palloji, po ta pretendoja tani.

        …”nuk kuptoj logjiken a moralin e perqasjes midis eksporteve fitimtare gjermane te industris…”
        –Po ajo qe e shtyu AH te sipermarre drejtimin e Gjermanise, po ajo eshte qe e ben ate vend nje nga ekonomite/ shoqerite me te sukseshme te kohes. Gjermania eshte ne kerkim te fatit te vet. Per te mire te te gjitheve eshte per te uruar qe ta gjeje, pa iu futur shkopa neper kembe.

        …”nuk kuptoj logjiken…importit apo zhbalancimit demografik ne SHBA…”
        –jane dy “kuaj” perballe njeri-tjetrit. Choose your bet.

        Fashizmi eshte karateristike e shoqerive te zhvilluara, te pjekura dhe jo e atyre te pazhvilluara, sic eshte rasti i shoqerise shqiptare, qe eshte akome e ndare dhe e organizuar ne gens Claudia, gens Fulvia apo gens Julia ( zgjidh krahinen), njesoj si ne kohen e 12 tabelave.

        1. Qe AH-ja ka qene adept i ekologjise dhe qe sot e djathta ekstreme – sidomos ne Gjermani – eshte ne pararoje te ekologjizmit, per kete nuk ka nevoje te germosh asgjekund. Tjeter pune se ishim kalamaj dhe e hanim sapunin per djathe, po AH-ne e kemi mbajtur me kohe edhe per praktikues te riciklimit industrial bio, keshtu qe nga ky krah, me hak ose jo, e ka nje lloj reputacioni te sigurte AH-ja

          Elitizmi nuk eshte fjale e keqe vetem ne kuptimin e nje monopoli normativ mbi politikisht korrekten, mbi diktatin e ideologjise mbi realitetin ku gjallon populli qe punon dhe voton demagogun qe ia shpjegon popullit diktatin: elitizmi eshte dhe te mos shantazhohesh emocionalisht nga shifra e terma -sado te abuzuara – si Holokausti apo kampet e perqendrimit apo skllaverimi i Europes Lindore, por te shohesh aty ku nuk shohin budallenjte: tek bujqesia pa kimikate amerikane, tek mistika e manit te tokes ne pyllin hermetik, apo tek e ardhmja e drerit, po aty

          Fashizmi vertet lindi ne shoqeri te zhvilluara (e shpresoj zhvillimin te mos e reduktojme tek industria), po kaloi me leter kalk deri ne Bullgari e Rumani, u rishfaq me sqepar ne dore pak dekada me pare ne Serbi, dhe po fitoi, sado pjesshem, ne Amerike – aty ku ke edhe ti frike – behet problem automatikisht edhe per ne ne Shqiperi, bile behet problem pikerisht pse nuk jemi homogjenizuar aq sa duhet dhe kemi Claudian qe shpall cifut apo untermensch Julian, me argumente te cilat ekzistojne bollshem qe sot

          1. Madje Hitleri ishte koherent në ekologjizmin e tij; meqë edhe ajo që u bëri hebrenjve një lloj ekologjie sociale ishte.

          2. …kaloi me leter kalk deri ne Bullgari e Rumani, u rishfaq me sqepar ne dore pak dekada me pare ne Serbi, dhe po fitoi, sado pjesshem, ne Amerike…

            Dua te ve ne dukje faktin se keto vende qe permenden, sikunder edhe ato ku ka lindur fashizmi jane te gjithe vende kristiane.

  3. Asnje arsye për alarm, sipas meje. Mjafton fakti qe ne kopertine libri te kete emrin e autorit (Hitler, Enver a Millosheviq), dhe e tërë ideja ose ideologjia e librit neutralizohet nga ky fakt. Shqetesime te tilla si “ideologji e rrezikshme” ose “arme e rrezikshme ne duar te lexuesit”, jane te pabaza nga vet fakti qe lexuesi është i vetdijshem se libri qe ka ne dore, është i një autori qe njerezimi e njeh si “kasap” e “kriminel te semure” etj.
    Shqetesuese do te ishte nëse nesër, pershembull, Kadareja ose Pamuku te shkruanin një liber me permbajtje te tipit “Mein kampf”. Ne ate rast po qe do te ishte shumë e rrezikshme, dhe po qe do duhej ndaluar.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin