Rexhep Qosja i dha një intervistë gazetës Shqiptarja, ku u shpreh për çështjen e ndryshimit në himnin kombëtar, që është propozuar tani së voni, por edhe e në përgjithësi për qëndrimin tonë ndaj së kaluarës.
Natyrisht, propozimi për ta prekur tekstin e himnit në emër të barazisë gjinore nuk përbën kurrfarë zgjidhjeje, as kontributi në të mirë të kësaj barazie. Teksti i himnit, sa i përket vizionit gjinor, i përket kohës kur është shkruar – dhe nuk mund të rregullohet me arna.
Vetëm pak ditë më parë, e pata cekur këtu në blog problemin e himnit tonë – meqë për mua vërtet përbën problem ai tekst, por jo ngaqë diskriminon gratë. Përkundrazi, problemi lidhet me atë që teksti është shumë i dobët, nga ana artistike; dhe me atë tjetrën, që në të thuhen gjëra pa kuptim, parulla të kota, pasthirrma patriotike.
E vetmja mënyrë si mund ta pranojmë, është duke e vendosur në kontekstin kulturor dhe historik të kohës, sado që, edhe atëherë, shkruheshin vargje më të mira, nga poetë të tjerë; madje edhe nga Asdreni vetë.
Thotë Qosja:
[E] ka dashur puna ashtu, dhe e ka shkruar Asdreni. Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi, kanë qëlluar në Bukuresht kur kanë ardhur të shpallin Pavarësinë në Vlorë. Iu është dashur Himni dhe Asdreni e ka bërë tekstin për himnin kombëtar, iu është dashur flamuri dhe një grua e ka qëndisur edhe flamurin. Kështu ka ndodhur atëherë e ne duhet ta respektojmë atë moment historik, atë kohë, ata njerëz.
Shpallja e pavarësisë ka qenë vërtet ngjarje e madhe; por më tepër është bërë e madhe me kalimin e viteve – ose duke u rritur fëmija që lindi atë ditë.
Ka njerëz që mendojnë se ngjarje të tilla, kapitale për historinë e një shteti e të një kombi, e kanë madhështinë të shkruar, si të thuash, në gen; në kuptimin që mund t’i interpretojmë si sublime edhe pse, në të vërtetë, ato janë bërë sublime më pas.
Mirëpo ngjarjet, madje edhe ato të mëdhatë, zakonisht nuk ndjekin skenarë të menduar mirë; protagonistët improvizojnë, u japin zgjidhje problemeve të çastit dhe ashtu i qasen edhe historisë, pa e kuptuar shumë.
Le të bëjmë një krahasim me ortekun: sikurse e dimë, edhe ai më i madhi dhe shkatërruesi, nis nga një rrëzim i vogël, nga një grusht dëbore që bie poshtë prej erës. Orteku mund të fshijë nga faqja e dheut një fshat të tërë në shpat të malit, por asgjë të tillë s’ia gjejmë dot në origjinë.
Qarkullon një histori, me siguri apokrife, që shpjegon se pse u gjend Enver Hoxha në mbledhjen e themelimit të PKSh-së; thonë sikur e takoi një mik rastësisht rrugës dhe i tha, eja edhe ti sonte, se do të formojmë Partinë. Ngjarje banale në vetvete – por edhe e tillë që, sikur të jetë e vërtetë, ia ka përcaktuar formën krejt historisë së Shqipërisë në gjysmën e dytë të shekullit XX.
Kam lexuar, te Nazione e religione in Albania, i Roberto Morozzo dalla Rocca-s, se në vitin 1940, në mos gabohem, edhe françeskanët kishin krijuar një “grup komunist” në Shkodër… Natyrisht, asgjë nuk doli nga ajo përpjekje, prandaj edhe askush nuk e kujton atë ngjarje, as ia feston përvjetorët.
Mos vallë do të thotë kjo se kujtesa historike, së bashku me kremtimet dhe liturgjitë përkatëse, ndjek në fund të fundit një logjikë gati darviniste, ku fiton ajo nismë dhe ai vizion që arrijnë të mbijetojnë, ose të lënë pasardhës?
Ne kujtojmë dhe nderojmë, bie fjala, Marigo Posion, gruan që qëndisi flamurin kombëtar të ngritur nga Ismail Qemali në Vlorë, ditën e shpalljes së Pavarësisë; edhe pse nuk ka pasur asgjë të veçantë, as heroike, në atë flamur pikërisht – përveçse është shfaqur në momentin e duhur.
Nuk ka si të ndodhë ndryshe, meqë njerëzit kujtojnë, kremtojnë dhe nderojnë historinë që ka ndodhur, jo atë që mund të ndodhte. Edhe pse historianët do të shpjegojnë që rrethanat ishin të tilla, që Pavarësia e Shqipërisë ishte objektivisht në rend të ditës për t’u shpallur, dhe se këtë nuk mund ta bënte tjetërkush veç Ismail Qemalit ose ndonjë burri tjetër shteti të Perandorisë Osmane, që kish lidhje të mira me fuqitë e huaja dashamirëse të shqiptarëve, prapë se prapë, kur futemi në hollësi, si p.sh. kur flasim për himnin kombëtar, tekst e muzikë, ose edhe për qëndistaren e flamurit, hyjmë në një fushë të mbjellë anembanë me rastësi.
Tani, meqë kombëtarizmi, si ideologji, modelohet sipas fesë; dhe pikërisht sipas Krishterimit, atëherë gjithnjë ka qenë prirja që momentet kyçe në jetën e një kombi, përfshi këtu edhe krijimin e shtetit përkatës, të lexohen e të interpretohen sikur të ishin tekste biblike, ku asgjë nuk është e rastit dhe gjithçka gjen vend në skemën katërshe të interpretimit literal, tipologjik, moral dhe anagogjik.
Po historia nuk është skripturë, as mund të lexohet si skripturë. Do të ishte gabim fëminor, sikur të merrnim çdo rastësi, përfshi këtu edhe stofin e palltos të Ismail Qemalit më 28 nëntor, dhe të kërkonim aty sublimen, kuptimin e thellë, heroikën e çka do të vinte më pas.
Kështu edhe himni: është vjershë e keqe në vetvete, pa ndonjë vlerë artistike; por vlerën e ka marrë me kalimin e viteve, ose duke u sublimuar hap pas hapi, deri në atë pikë sa të kalojë përtej letërsisë dhe estetikës; duke na detyruar ta marrim ashtu siç është, sepse nuk mund të zhbëhet më.
Domosdoshmeria e can rrugen permes rastesive.Ashtu si nga ata mijra spermatozoide, njeri arrin te fekondohet. Dhe nga embrioni lind nje femije, rritet dhe kshu nga asgjeja, ose nga nje pike e rastesishme e lengut cudiberes, behet nje njeri i madh qe sperkat me sterkala te vogla peshtyme rastesite.
Jam dakord: problemi gjinor eshte maja e aisbergut, ne mos me pak, e himnit tone. Si shprehes tipik i kendveshtrimit te asaj kohe mund te kete vende per permiresime kozmetike. Himni yne ka probleme ekzistenciale. I tille eshte teksti i dobet e personalisht e vleresoj si absurd dhe primitiv. Ne nuk mund te mburremi me te qenin luftarake sepse ne te vertete, me shume kemi mbijetuar sesa kemi qene agresore. E pra, te qenit luftarak rendom nenkupton edhe prirjen ndaj agresionit dhe luftes. Historikisht, duke qene popull i vogel dhe pa shtet te fuqishem (qofte shtet mesjetar, pas mesjetar apo modern) nuk jemi natyrshem ne luftaraket. Luftaraket nuk jane domosdoshmerisht per t’u vleresuar. Lufta sjell krime te perbindshme. Te qenit popull i vogel na ka shpetuar nga kjo damke deri diku. Popujt e vegjel rendom jane me fat kur mbijetojne. Mire eshte t’ia njohim vetes kete fatmiresi (se nuk eshte bere domosdoshmerisht me qellim dhe strategji te qarte…ashtu ka qelluar.) Ne skenen e madhe te historise, nese njerezit pergjithesisht kane zgjedhjen mes luftes kundrejt prapsjes per mbijetese (fight or flight) ne na ka qelluar me shume e dyta.
Le ta duam pra atdheun tone dhe ato vlerat e pak-prekshme po ekzistuese ashtu sic jane. Atdheun per bukurite natyrore: malet, lendinat, detin. Kulturen: gjuhen, vlerat shoqerore qe kane mbetur (me paterica) apo ato qe po zbehen, dhe t’i thurim lavde vlerave qe do krijojme ne te ardhmen si nje shoqeri qe vlereson individin e shoqerine njeherazi pa shtypur te parin, e mbi te gjitha, paqen, pragmatizmin e tolerancen.