PLUMBIN BALLIT

Ç’po na shohin sytë e na dëgjojnë veshët!

Sipas një njoftimi të ResPublica-s, nënkryetari i PLL-së (Lëvizja e Legalitetit) Murat Basha, ithtar i metodave “të forta”, paska deklaruar në një intervistë televizive se:

“Homoseksualizmi është sëmundje. Unë po ta kisha djalin gay do t’i fusja plumbin ballit.”

Nëse homoseksualiteti është sëmundje (‘homoseksualizmi’ e quan Basha), kjo mund të diskutohet – edhe pse jo nga politikanët. Megjithatë, sa kohë që Basha është i bindur se është fjala për sëmundje, atëherë nuk kuptohet pse ky kërkon t’i trajtojë të prekurit prej saj me plumbin ballit.

Si rregull, të sëmurët i vrasin vetëm në shoqëritë jashtëzakonisht të degraduara; përndryshe, edhe në Shqipëri, këta i trajtojnë duke i mjekuar ose duke i shtruar në spitale a në qendra të posaçme kurimi.

Këtë Murat Bashës mund t’ia shpjegojë edhe eksperti i etikës mjekësore, Dr. Mentor Petrela.

Gjithsesi, nëse ky politikan mendon se të qenët homoseksual është sëmundje, atëherë do të isha kureshtar të di se ç’nismë ka marrë partia e tij politike, e cila është pjesë e koalicionit qeveritar (në mos gabohem), për të lehtësuar trajtimin e kësaj sëmundjeje në Shqipëri.

Nuk besoj se do duan ta kurojnë edhe atë duke “rivendosur dënimin me vdekje”, një flamur tashmë i rreckosur i së djathtës, që e tund sa herë që kërkon të disiplinojë masat e pabindura.

Nëse këta politikanë përndryshe të regjur flasin kështu ngaqë nuk u funksionon mirë truri, apo ngaqë kujtojnë se baza e tyre elektorale përbëhet nga njerëz me dëmtime mendore, kjo mbetet për t’u parë.

Ndoshta ndonjë aktivist gay do të përfitonte nga rasti për ta cilësuar këtë lloj logjike të gjymtuar “sëmundje” dhe për të rekomanduar gjithashtu kurimin e saj (edhe pse jo me plumb ballit).

Nuk ka komente

  1. Per te folur tamam tamam, me pare kur donin ti tregonin dikujt vendin, nuk i thoshin qe “do ti fus plumbin ballit”- gjithe ky vleresim per trimin – por do ti fus nje plumb bytheve. Nje lloj zhgradimi, alla Franko dhe Cico i zhurmuesve dhe zullumqareve. Me duket si i paqarte ne ide ky Murati II i Bashajve edhe pse te kerkosh vota keshtu tregon friken e nje shoqerie. Frike nga e panjohura te jete valle?

  2. politikane! po politikane per cfare jane keta? cfare politikash duan, mendojne ata dhe ne, se do te bejne keta, kur nuk kane as minimumin e pervojes ne ate fushe?

    dale dale, se andej nga SHBA-ja po (na) dalin kandidat per president nja ca “eksperte” evolucioniste!

  3. po ja, kane qejf te thone ndonjehere ndonje budallallek qe t’ju lakohet emri si “politikane”. Ne fakt per mua jane vecse mjerane!

  4. Rati, ne gjimnaz keshtu e therrisnim shkurt, ka qene djale i qete dhe i sjellshem, kalonte vete klasen dhe ishte ne hedhje gjyle me Dinamon.

    Me keto qe thote me duket se ja do zanati. Nje gje eshte e sigurte. Nuk eshte i dhunshem po ashtu ben se do te bjere ne sy.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin