nga Curzio Malaparte
përkthyer nga Ba Bái
O italianë që e kini zakon të përqafoheni me njëri-tjetrin dhe çdo gjë e merrni lehtë, gjithçka e shihni të ndritur dhe gjithë sa bëni e shisni për heroike, dhe vetja u duket e virtytshme kur gojën e kini plot liri të papërtypur mirë dhe që të gjithë mendoni po në të njëjtën mënyrë, përherë, dhe s’u shkon aspak ndër mend se jeni viça të qethur.
O italianë që s’e doni të vërtetën, dhe e kini frikë. Që përgjëroheni për drejtësi dhe s’ëndërroni veç privilegje, nuk lakmoni veçse abuzime e prepotencë, dhe keni vetëm një gjakim: të jeni padronë, sepse nuk dini të jeni njerëz të lirë e të drejtë; dini të jeni o skllevër, o padronë.
O italianë të gjorë që jeni skllevër jo vetëm të atij që ju urdhëron, por edhe të atij që ju shërben, skllevër dhe të vetes suaj; që s’humbisni asnjë rast për të marrë poza heronjsh dhe martirësh lirie, dhe fare lehtë ia ulni qafën arrogancës, prepotencës, burracakërisë së njëmijë pronarëve tuaj: mësoni, pra, nga toskanët si t’u qeshni në surrat gjithë atyre që ju fyejnë dhe ju shtypin, t’i poshtëroni me mendjen e mprehtë, me përçmimin e sjellshëm, me paturpësinë e hapur, të hareshme.
Mësoni nga toskanët se ç’është respekti pa frikën e ligjit, apo të kalecëve që në Itali kanë zënë vendin e ligjit, dhe që janë më të fortë se ky i fundit.
Mësoni nga toskanët si t’u pështyni në gojë të fuqishmëve, mbretërve, perandorëve, peshkopëve, inkuizitorëve, gjykatësve, sinjorive, kurtizanëve të çdo kallëpi, siç është bërë rëndom në Toskanë, dhe bëhet ende sot e kësaj dite.
Mësoni nga toskanët se «nuk është parë të hajë njeriu njerinë», që «njëri vlen sa tjetri, e ndoshta dhe më pak».
Mësoni nga toskanët se s’ka gjë të shenjtë në këtë botë, veç njerëzores; se shpirti i njërit është baraz me atë të tjetrit: dhe se mjafton të dish si ta mbash pastër, në të thatë, që të mos zërë as lagështirë as pluhur dhe mjerë ai që guxon t’ua prekë, t’ua poshtërojë, mirosë, bekojë, lërë peng, t’ua marrë me qerá, t’ua blejë; dhe se ka shpirtra femra dhe shpirtra meshkuj, dhe që shpirtrat e toskanëve janë të seksit mashkull, siç shihet nga ato që u dalin prej goje të vdekurve në Kamposanton e Pizës, qimiterit të vetëm në botë; gjithë të tjerat janë varreza.
Mësoni nga toskanët si të mos i frikësoheni urrejtjes së njerëzve, as zilisë, mërisë, fodullëkut, të mos u kini frikë as dashurinë.
Mësoni si ligësisë t’ia ktheni me goditjet e ulta, dyshimeve me dhëmbët në fyt, puthjes në faqe me gishta në sy.