Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim / Histori

METODA E STRUCIT

Po u kthehem shënimeve të udhëtimit tim nëpër tekstet e historisë për klasën e 12-të të shkollave të mesme të Republikës Shqiptare, meqë pas çdo kthese, gjej aty të papritura.

Një nga arsyet, në mos kryesorja, e studimit të historisë në shkollë ka të bëjë me përgatitjen e brezit të ri për ta kuptuar të sotmen si produkt të ngjarjeve të shkuara.

Nëse është kështu, atëherë do të duhej, logjikisht, që në këto tekste të jepej ndonjë shpjegim për strukturën fetare të përçarë të shoqërisë shqiptare; si dhe për shkaqet dhe rrethanat e përhapjes së fesë islame ndër shqiptarët.

Aq më e vërtetë është kjo, sa kohë që problemi i fesë mbetet aktual dhe lidhet ngushtë me çështjen e identitetit të shqiptarit, në vetvete dhe në raport me popujt e tjerë të kontinentit.

Një nga mënyrat për t’iu qasur çështjes së Islamit në Shqipëri është ta shpërfillësh pothuajse krejt, siç ka bërë Pegi në tekstin e vet; i njëjti tekst që u kushton dy faqe “të dhënave biografike për mbretërit ilirë”; dy faqe Kanuneve shqiptare; dhe dy faqe të tjera “Anzhuinëve në Shqipëri”, (duke sjellë të përkthyer edhe një shpallje të mbretit Karl I Anzhu, të 21 shkurtit 1272); sikurse u kushton dy faqe, në një kapitull të veçantë, Krishterimit në Arbëri dhe veçorive e tij në shekujt I-XV. Në këtë kapitull, gjejmë edhe shënimin se:

Pushtimi osman nxiti shqiptarët e dy riteve [katolikë dhe ortodoksë, 2xh] t’i drejtonin sytë nga perëndimi katolik si shpëtimtar nga islamizimi.

Çuditërisht, të dhënat dhe vlerësimet për përhapjen e Islamit i gjejmë pikërisht në këtë kapitull; në katër rreshta të vetme ku flitet për islamizimin, si faktor tkurrës i katolicizmit dhe ortodoksisë.

Në të vërtetë, teksti i Pegit dështon krejtësisht në parashtrimin e historisë së shqiptarëve nën sundimin osman, duke përfshirë këtu edhe shtrirjen e Islamit.

Teksti i Uegen-it i jep shtrirjes së Islamit diçka më tepër vend, por çuditërisht në seksionin e veprimtarive praktike, në fund të kapitullit për Rilindjen kombëtare. Aty nuk flitet për Islamin, por për islamizmin dhe jepen sqarime të tilla si: “Pas pushtimit osman, në Shqipëri filloi të përhapej një fe e re: islamizmi.”

Duket e pabesueshme që autorët e një teksti historie për shkollën e mesme të ngatërrojnë Islamin (fe) me islamizmin, një term politikisht dhe ideologjikisht i ngarkuar, që shënjon zakonisht praktikat politike të lidhura me Islamin dhe që gjithnjë e më dendur po përdoret për t’iu referuar fundamentalizmit islamik dhe krushqive të tjera ideologjikisht ekstreme mes fesë dhe politikës.

Përndryshe, Uegen-i ndjek të njëjtën strukturë si edhe Pegi, duke shpërfillur të gjitha aspektet e jetës fetare nën Perandorinë Osmane, që lidhen me Islamin dhe komunitetet shqiptare myslimane. Ky është i njëjti tekst ku, në fq. 49, nxënësve u kërkohet të dinë se “Ç’ishte Kisha Autoqefale (e pavarur) Serbe me qendër në Pejë?” etj.

Përndryshe – dhe ndoshta më duhet të them çuditërisht – teksti i Albasit, brenda kufijve të përcaktuar nga programi i Ministrisë së Arsimit, dhe me një paragraf të vetëm, tregon se është e mundshme t’u jepet nxënësve informacion korrekt për këtë zhvillim kaq kritik në jetën e shqiptarëve.

Këtu, sikurse edhe gjetiu, duhet gjithnjë dalluar midis mangësive të tekstit dhe mangësive të programit. Nëse programi nuk parashikon kapitull të veçantë për shtrirjen e Islamit në trojet shqiptare, atëherë autorët e teksteve mund të bëjnë vetëm shumë pak, për të kompensuar.

Përkundrazi, kur në një tekst autorët ngatërrojnë Islamin me islamizmin, ose kur shkruajnë paragrafe të tilla si ky më poshtë (Pegi, theksimi im):

Në vitet ’50 të shek. XIV, turqit osmanë kaluan në pushtimin e Ballkanit. Historianët numërojnë si shkaqe kryesore të pushtimit epërsinë e osmanëve dhe të sulltanëve ndaj popujve të tjerë, natyrën luftarake dhe aftësitë administrative, luftën e shenjtë fetare për shtrirjen e mbretërisë islame në të gjithë botën […]

Atëherë mangësitë janë të autorëve vetë, të cilët nuk arrijnë të artikulohen.

Përtej këtyre konsideratave në detaje, vëzhguesi e ka të vështirë të mos supozojë se shpërfillja e Islamit në këto tekste për shkak të kufizimeve të programit ministror, lidhet, nga njëra anë, me mosmarrëveshjet mes historianëve në nivel akademik, për mënyrën si duhet trajtuar kjo dukuri dhe vlerësimet përkatëse; dhe nga ana tjetër, me dëshirën për ta minimizuar si çështje, duke përqafuar, si edhe në raste të tjera, metodën e mirënjohur të strucit.

Në thelb, nxënësit e mbarojnë shkollën e mesme pa e pasë kuptuar se pse u shtri Islami ndër shqiptarët, në vetvete dhe në krahasim me çfarë ndodhi me popujt fqinjë; dhe krejt të pambrojtur, ndaj propagandës me ngjyrim ideologjik dhe fetar, pro dhe kundër Islamit dhe myslimanëve shqiptarë, së cilës i janë ekspozuar dhe do t’i ekspozohen pa prerë gjatë jetës. Dhe kjo natyrisht nuk i shërben askujt.

Shënim: tekstet e Historisë së shqiptarëve për klasën e 12-të të shkollave të mesme të cilave u referohem më lart janë ai i UEGEN-it (2011, nga Beqir Meta, Muharrem Dezhgiu, Bedri Kola dhe Xhevahir Lleshi); ai i Pegi-t (2011, nga Petrika Thëngjilli, Fatmira Rama, Ajet Shahu dhe Liliana Guga) dhe ai i Botimeve Shkollore Albas (2011, nga Menduh Dërguti, Ledia Dushku, Ferit Duka dhe Sonila Boçi).

Pa Komente

  1. Xha-xha mire ben qe i diskretiton keta pseudo historiane qe edhe per te perkthyer nuk ja thone fare. Mirpo, e keqja eshte se jane shtuar shume njerezit jo kopetent ne punet qe bejne. E te mendosh qe jemi ne kapitalizem?!!

    1. Ana, në fakt unë mendoj se këtyre historianëve nuk u mungon përgatitja profesionale, por vetëdija e intelektualit; ose përkushtimi ndaj dijes dhe së vërtetës. I shtrembërojnë faktet dhe sjellin interpretime të tërhequra për flokësh, ngaqë duan të konformohen me vijën kombëtariste; nuk kërkojnë aq të vërtetën, sa ç’duan ta përdorin atë, për qëllime të tjera. Nuk informojnë, por konformojnë, duke u konformuar edhe vetë.

  2. Kjo ceshtje behet edhe me e ndjeshme kur perzihet me temat e zakonshme te nacionalisteve, si psh. damkosjen e njerit si turkoshak, “taleban” apo “islamist”.

    1. Alibeaj ne Komisionin e tredhur te hetimit ndaj Spahiut:

    Aq më tepër që ka një legjendë urbane, e cila thotë se gjenealogjia e tij nuk e nxjerr një shqiptar, porse si një përfaqësues i një etnie të huaj të ngulur në rrethinat shqiptare të Prizrenit! Mjafton kaq për të kuptuar se sa i sinqertë dhe “i ndier” është “irritimi” nacionalist i këtij të fundit.

    2. Nje trajtim interesant jep edhe Agron Tufa ne Ideologjizimi (i)mediatik i debatit mbi fenë

  3. Per me teper, nxenesve te klases se shtate mos gabohem, ne njerin nga tekstet e historise se para pak viteve u mesohej se Jezu Krishti u ringjall tre dite pas vdekjes ne kryq. Ky informacion teologjik i kontrabanduar ne lecitjet e historise ecte paralelisht dhe paradoksalisht me doktrinen e evolucionit qe predikohej nga zysha tjeter ne oren e biologjise.

  4. Ne nje studim qe bera disa vite me pare per tekstet e shkollave te Shkiperise, erdha ne konkluzionin se ata qe shkruajne tekste ne Shkeperi, jane thjeshte injorante. Ndersa jane te mirelexuar ne tregimet tona me Balliste e Partizane, ne anen tjeter kane mungesa te medhaja leximi shekullar mbi fete. Pse disa nga personat qe permenden me larte, jane Kishe – ndjekes. Ama asnje nuk eshte xhami ndjekes. E per me teper informacioni mbi fete qe jepet ne shkolla, ose eshte fantastik si ai per ringjalljen e Jezu Krishtit apo per ilirianizmin e Shen Palit, ose eshte terrorizues – si ai i Islamizimit me dhune nga turku. Me pak fjale, Shqeperi hesapi.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin