Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim / Histori

GJIMNAZISTËT MES ILIRËVE

Që shqiptarët rrjedhin prej ilirëve, këtë e dinë edhe trakët. Që këtej, nuk habitemi për vendin që u është lënë ilirëve në tekstet e historisë së popullit shqiptar për klasën e 12-të të shkollës së mesme. Kështu ka qenë, kështu do të jetë në amshim.

Teksti i Uegenit merret me etnogjenezën e ilirëve – duke u futur kështu në ujëra të thella – dhe që në krye e sqaron se çfarë ka parasysh:

Ilirët, si trashëgimtarë të pellazgëve, janë ndër banorët më të vjetër të gadishullit Ballkanik.

Ky pohim, që këtë herë habit vërtet, mbështetet në dy presupozime të lumtura: (1) që pellazgët janë shtrirë edhe në trojet në veri të Greqisë së sotme; dhe (2) që pellazgët kanë lënë trashëgimtarë: ilirët. Më duhet të shtoj se këto presupozime, sikur të kishin ndonjë vlerë, do ta kishin tronditur krejt historinë e popujve të Ballkanit të lashtë.

Uegen-i, së bashku me dy tekstet e tjera që po shqyrtojnë, janë pjesë e një përbetimi që, sikurse çdo përbetim tjetër, ka lidhje me heshtjen: të mos i japin peshë, në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë, faktorit indoeuropian. Po a mund të kuptohen ilirët dhe historia e tyre jashtë indoeuropianizmit?

Tekstet e anashkalojnë faktin që ilirët janë popull indoeuropian dhe kanë folur një gjuhë indoeuropiane, por ndalen gjerë e gjatë në “dy teoritë e etnogjenezës së ilirëve”: njëra që i nxjerr ilirët të ardhur nga Europa Qendrore, dhe që lidhet me “dyndjen e popujve nga veriu” (eufemizëm për termin quasi tabu “indoeuropian”) dhe që, sipas tyre, “është rrëzuar nga studimet arkeologjike të kryera pas Luftës II Botërore”; tjetra, “teoria më e qëndrueshme, me argumente bindëse, është ajo që i sheh ilirët si autoktonë në Ballkanin Perëndimor.” Këtë të dytën unë do ta quaja teoria botanike e prejardhjes ilire – këtu kanë mbirë, këtu janë rritur.

Kjo argumentohet me zbulimet arkeologjike në shumë qendra, vendbanime dhe varreza…

Sikurse i ka hije çdo teorie botanike, edhe kjo argumentet e veta i mbështet në gërmimet, duke u përqendruar në të nëndheshmen dhe duke shpërfillur çfarë ka mbetur mbi dhe që nga ajo kohë e dikurshme: gjuhën shqipe.

Edhe teksti i Pegit i kushton një seksion “etnogjenezës ilire” dhe “lidhjeve të ilirëve me pellazgët”, teori të cilën ia aitribuon, në analizë të fundit, Hahn-it (i cili e ka formuluar para 150 vjetësh – duke shpërfillur gjithë ujin që ka rrjedhur nën urë që nga ajo kohë). Hahn-i citohet të ketë thënë se “ilirishtja është një gjuhë pellazgjike, në kuptimin më të gjerë iliriano-pellazg”, çka do të thotë, sipas autorëve të tekstit, se kjo hipotezë “shpreh karakterin autokton të formimit të popullsisë ilire nga një popullsi më e lashtë mesdhetare, e cila quhej pellazge.” Natyrisht, edhe te Pegi termi ‘indoeuropian’ është tabu; madje këtu gjejmë edhe xhevahire të natyrës [theksimi im]:

Në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX, origjina e ilirëve u shpjegua më tej nëpërmjet metodave të reja shkencore, të cilat filloi t’i përdorte gjuhësia krahasuese. Mbështetja vetëm në studimet gjuhësore çoi në përfundime jo të sakta. Pas Luftës II Botërore, gërmimet dhe studimet arkeologjike shënuan arritje të rëndësishme, krejtësisht të kundërta mbi pikëpamjen përpara Luftës II Botërore.

Duket se arkeologjia e ka fituar tashmë luftën me gjuhësinë, siç e dëshmon edhe fotografia me ngjyra e prof. Muzafer Korkutit në f. 34 të këtij teksti: arkeolog dhe mbrojtës i mirënjohur i hipotezës së autoktonisë ilire.

Pegi ndalet pastaj në etnogjenezën ilire, me një seksion ku përmendet, për herë të parë, fjala indoeuropian; dhe duke parashtruar dy hipotezat që i pamë më sipër. Asnjë fjalë nuk thuhet, natyrisht, se ç’ishin këta indoeuropianë dhe pse kanë rëndësi (p.sh., që ne sot e kësaj dite flasim një gjuhë indoeuropiane, pa çka se të vdekurit nuk i varrosim më në kodërvarre). Autorët anojnë nga teza autoktone, siç mund të pritej, dhe sjellin si argumente disa përfundime të Garashaninit dhe të Benacit, të mbështetura në gërmimet, për të përfunduar:

Mbi bazën e të gjitha të dhënave nga gërmimet arkeologjike, Muzafer Korkuti (1974) bëri përgjithësimin e mendimit shqiptar. Sipas tij formimi i etnosit ilir u bë si një proces i gjatë historik, që lindi dhe u zhvillua mbi një bazë dhe stad të caktuar të zhvillimit social-ekonomik të shoqërisë ilire.

Pegi e ka identifikuar kështu autorin pikë referimi të albanologjisë shqiptare të shekullit XXI, duke shpërfillur, në të njëjtin kontekst, të gjithë indoeuropianistët dhe ilirologët si Majeri, Jokli, Çimohovski, Pisani, Katicici; pastaj edhe Çabeun tonë – që në këto punë nuk kishte të dytë; dhe krejt Kuvendin e Studimeve Ilire, të vitit 1972. Këta autorë dhe këto studime mbeten tabu, sa kohë që nuk e vënë në dyshim, madje e përdorin si premisë, natyrën e ardhur ose joautoktone të ilirëve, si popull indoeuropian.

Siç mund të pritej, edhe Albasi i kushton vëmendje etnogjenezës ilire – edhe pse çështja, në vetvete, është kaq e specializuar, se mund të trajtohet vetëm në kuadrin e një historie të indoeuropianëve, jo të shqiptarëve. Albasi përmend dy hipotezat e kundërta, njëra prej të cilave i nxjerr ilirët si indoeuropianë të ardhur, pra këta “nuk janë bij pellazgë” (shprehimisht); dhe tjetra që ilirët janë “etnos autokton” dhe “nuk kanë ardhur nga veriu.” Në trajtesë, merret si e mirëqenë shtresa pellazgjike; sipas hipotezës së parë, ilirët janë përzier me këtë shtresë, ndërsa sipas të dytës rrjedhin prej tyre. Më duhet të vërej se kjo është një hipotezë margjinale si për pellazgët në vetvete, ashtu edhe për natyrën e popullsisë paraindoeuropiane në Ballkanin Perëndimor.

Megjithatë, edhe këtë herë Albasi mban qëndrim më të ekuilibruar në krahasim me dy tekstet e tjera, duke mos marrë pozicion haptazi në favor të hipotezës së autoktonisë. Për t’u shënuar është shpërfillja që i bëhet, në këtë seksion, natyrës indoeuropiane të shqipes, ose të gjuhës që flasin sot e kësaj dite shqiptarët, prejardhja e të cilëve nga ilirët është e vetmja arsye që përligj interesin kaq të madh për ilirët në një tekst të historisë së shqiptarëve.

Për t’u shënuar është edhe karakteri mekanik, në të tre tekstet e shqyrtuara, i mënyrës si paraqiten dy hipotezat – njëra përballë tjetrës, si të papajtueshme; në një kohë që ekziston një zgjidhje sa sintetike aq edhe elegante e kësaj kontradikte foshnjore: indoeuropianët kanë zbritur në Ballkan si një aristokraci luftarake, dhe ashtu i janë imponuar – me gjuhën dhe kulturën e tyre – një popullsie vendëse, joindoeuropiane, e cila përndryshe ka mbijetuar si e tillë ose si popullsi fizike (ose, nëse duam si gjak, ose si vazhdimësi gjenetike); dhe në etnitë e përftuara pas këtij amalgamimi, gjen gjurmë të të dyja palëve, edhe pse jo në masë të barabartë, sa kohë që indoeuropianët arritën të imponohen pothuajse kudo.

(Gjithsesi, dallimi mes popujve dhe gjuhëve indoeuropiane nuk mund të shpjegohet, dhe nuk është shpjeguar gjë kryesisht me substratet, ose me natyrën e popullsive dhe të gjuhëve të nënshtruara dhe të asimiluara prej fiseve të ndryshme indoeuropiane.)

Ky defekt i rëndë i të tre teksteve, ose paaftësia për ta pasqyruar në mënyrë dinamike parahistorinë e trojeve shqiptare në Ballkan, ka të bëjë me shumë faktorë, nga të cilët unë do të veçoja këmbënguljen për të shpërfillur arritjet e indoeuropianistikës në përgjithësi, dhe të studimeve historike-krahasuese për shqipen në veçanti, por edhe për ilirishten vetë (ka autorë mjerisht të huaj dhe joarkeologë që e kanë studiuar me themel onomastikën ilire); këmbëngulje të cilën unë nuk mund ta shpjegoj, veçse si rezultat i një vizioni ideologjik, të ngushtë dhe të shëmtuar, për mënyrën si duhet të jetë parahistoria e shqiptarëve.

Parashtrimin e argumentit e dëmton rëndë edhe përmendja e flogjistonit pellazgjik në argumentet (pellazgëve do t’u kushtoj një kapitull të veçantë në këtë parashtresë); sepse pellazgët janë një madhësi krejt e panjohur, një popull mitik, një ekstrapolim ose shenjë algjebrike që përdoret për të treguar çfarë nuk dimë; një “x” në ekuacionet parahistorike dhe paleogjuhësore të Ballkanit të lashtë, veçanërisht në sa i takon parahistorisë greke. Lidhja e pellazgëve me trojet e Ballkanit Perëndimor dhe me ilirët është krejt hipotetike; dhe vetë autorët nuk gjejnë ndonjë autoritet për të cituar në këtë fushë (meqë pakkush guxon ende t’i lidhë pellazgët me ilirët; aq më tepër që pellazgët edhe kur u pranohet ekzistenca, konsiderohen zakonisht si joindoeuropianë).

Me një fjalë, fryma e këtyre tre teksteve, sa u përket natyrës etnike të ilirëve, mbështetet, me nuanca të ndryshme, në dogmën thelbësisht kombëtariste se ilirët janë një popull autokton, i rrjedhur prej pellazgëve dhe i formuar si i tillë në trojet e Ballkanit Perëndimor. Si edhe gjetiu, autoktonia merr përparësi ‘metodologjike’ ndaj shtegtimit, faktori i brendshëm ndaj faktorit të jashtëm, individualiteti ndaj lidhjeve me popuj dhe kultura të tjera, gjaku ndaj gjuhës. Nuk thuhet gjë për të qenë jo vetëm për gjuhën e ilirëve (edhe pse Albasi thotë se “Ilirët kishin gjuhën e tyre, ilirishten, që dallohej nga gjuha e popujve të tjerë ;[…] Ajo jo vetëm flitej nga popullsia ilire, por ishte dhe gjuha e tyre zyrtare” [theksimi im, 2xh]), por as për marrëdhëniet e tyre me popuj të tjerë indoeuropianë, si trakët dhe keltët; as për marrëdhëniet e tyre, prehistorike, me Italinë përballë (mesapët, etj.).

E trishtueshme është edhe heshtja e plotë për trakët në këto tre tekste, veçanërisht në raport me hapësirën që u jepet pellazgëve – pa çka se hipoteza për prejardhjen e shqipes nga trakishtja qarkullon edhe sot gjallërisht në albanologji, dhe është ku e ku më mirë e mbështetur, sesa hipoteza për autoktoninë e ilirëve, të cilën tekstet tona e paraqitin për të mirëqenë (kujdes: nuk po flas për autoktoni të shqiptarëve, as po diskutoj dy hipotezat, ilire dhe trake, të prejardhjes së shqipes, meqë ky diskutim s’e ka vendin këtu).

Shënim: tekstet e Historisë së shqiptarëve për klasën e 12-të të shkollave të mesme të cilave u referohem më lart janë ai i UEGEN (2011, nga Beqir Meta, Muharrem Dezhgiu, Bedri Kola dhe Xhevahir Lleshi); ai i Pegi-t (2011, nga Petrika Thëngjilli, Fatmira Rama, Ajet Shahu dhe Liliana Guga) dhe ai i Botimeve Shkollore Albas (2011, nga Menduh Dërguti, Ledia Dushku, Ferit Duka dhe Sonila Boçi).

Pa Komente

  1. Është e natyrshme që një filolog t’u kthehet teksteve të filologjisë (histori/gjeografi/gjuhësi) dhe të gjejë inkongruenca (o mospajtime?!) me ato çka ka studiuar/lexuar/dëgjuar më vonë përgjatë aktivitetit të tij.
    Të njëjtat inkongruenca do të gjente dhe një shkencëtar, qoftë matematikan apo fizikant, por qoftë edhe cilido student që ka studiuar në degë shkencore, po t’iu rikthehej teksteve të shkollës fillore apo të mesme, ku p.sh vazhdohet me studimin e fizikës njutoniane dhe Ajnshtajnin e njohin vetëm nëpërmjet fotografisë së famshme përballë dërrasës së zezë.

    Nëse “matematika nuk është një opinion”, është një shprehje që e vendos matematikën në rangun e degëve më rigoroze të dijes, po të shkojmë e të shikojmë në “etnogjenezën” e gjeometrisë, në përkufizmin e pikës,do të shohim që: “Pika është vendi gjeopmetrik i ndërprerjes së dy drejtëzave”, ku ndërkohë, vetë drejtëza jepet si bashkësi pikash… duket sikur ka një paradoks, ose, së paku një paqartësi shkencore, në këtë aspekt, por që, edhe pse me premesa të paqarta, matematika vazhdon të mos konsiderohet “një opinion” edhe sot e kësaj dite.

    P.s: Xhaxha, vërtet që në artikullin e mësipërm nuk merrni përsipër që të vendosni fjalën e fundit tek muhabeti pellazgo-ilir, por megjithatë, kur flitet për histori, do të ishte mirë që të vendoseshin ca data, qoftë edhe aprosimative/të përafërta, që lexuesi ta dijë se për ç’periudhë bëhet fjalë. Jo për gjë, por më ka rastisur të dëgjoj ndarje historike të tillë: pellazgët deri para Krishtit, Ilirët deri tek Skënderbeu, arbërit deri tek Rilindja e shqiptarë në vijim.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin