Në kontekstin e ripunimit që ia ka bërë Ismail Kadareja romanit Kështjella, tërheq vëmendjen edhe ndryshimi i disahershëm i titullit.
Vepra u botua në krye me titullin Kështjella, por që shpejt u ndërrua në Les tambours de la pluie, në botimin frëngjisht e më pas në gjuhë të tjera (shq. Daullet e shiut).
Në hyrjen e vëllimit të tretë të Veprës së tij, të botuar tani nga Onufri (2008), vetë Kadareja shpjegon se Daullet e shiut ai e kish menduar si titull për veprën, por që pastaj u ndërrua në Kështjella me sugjerimin e botuesit, “me qëllim theksimin e pranisë shqiptare.” Mbijetesa e këtij titulli në përkthimin frëngjisht të Jusuf Vrionit i detyrohet, gjithnjë sipas autorit, “një harrese të lumtur.”
Mirëpo Kadareja nuk paskësh qenë i kënaqur as me Daullet e shiut, meqë, siç thotë, “nuk kishte kuptimin që unë kisha dashur t’i jap,” sa kohë që “shumica e lexuesve e merrnin për një nga metaforat që përdoreshin zakonisht për shiun dhe të rrallë ishin ata që e lidhnin me repartin ushtarak [të daulleve të shiut në ushtrinë osmane, 2Xh].”
Për këtë arsye, në ribotimin e romanit në veprën e plotë shqip, të ndërmarrë prej Fayard-it në Paris, romani doli me titullin Kasnecet e shiut (Paris 1994). Të vërehet këtu gjinia femërore e fjalës kasnecet, të cilën shumëkush e anashkaloi, duke e lexuar fjalën kasnecet si kasnecët, kushedi edhe meqë në shqipen e shkruar me shkronja të mëdha, shpesh Ë-ja ka qenë lejuar të zëvendësohej nga një E.
Meqë Kadaresë edhe Kasnecet e shiut iu duk i mangët si titull, vendosi që, në versionin përfundimtar të veprës, të botuar nga Onufri në 2008, ta ripagëzojë romanin si Rrethimi.
Kemi kështu së paku katër tituj: Kështjella, Daullet e shiut, Kasnecet e shiut dhe Rrethimi.
Sipas Eric Faye (të cilin po e citoj sipas një përmendjeje që ia ka bërë E. Miracco në monografinë e vet për Kështjellën), një nga arsyet që Kadareja dhe botuesit e tij francezë nuk ishin të kënaqur me titullin Kështjella, ishte edhe fakti që ky titull ishte konsumuar tashmë në letërsi, veçanërisht me Kështjellën e Kafkës, të Kroninit, të Saint-Exupéry-së, e ndonjë tjetër.
Nuk është i qartë kuptimi i fjalës kasnecet, në titullin jetëshkurtër (1994-2003) të botimit shqip të Fayard-it; kasnec në shqip do të thotë “lajmëtar”; dhe në këtë rast gjinia femërore u referohet ndoshta daulleve; të cilat janë bërë lodra, ose lodërtije, në versionin e vitit 2003 (të titulluar sërish Kështjella).
Për arsyet e këtyre ndërrimeve të titullit, megjithatë, nuk është thënë fjala e fundit.
Titulli i një vepre letrare shërben si emër i saj, me të cilin ajo identifikohet në publik (përndryshe, janë të tjera kritere, më të sakta, që e identifikojnë për industrinë botuese, tregtinë e librit ose bibliotekat, si p.sh. numri ISBN). Sipas kritikut të njohur frëng Genette, “nëse teksti [i një vepre letrare, A.V.] është objekt i leximit, titulli, njëlloj sikurse edhe emri i autorit, është objekt qarkullimi – ose, po të duam të shprehemi kështu, një temë bisede.”
Sikurse emrat e njerëzve, edhe ato të veprave ekzistojnë në forma të ndryshme: të plota dhe të shkurtuara. Të gjithë, në biseda, i referohemi Gjeneralit të ushtrisë së vdekur si “Gjenerali”, Dimrit të vetmisë së madhe si “Dimri”, Koncertit në fund të dimrit si “Koncerti”, Kush e solli Doruntinën si “Doruntina”. Bash për këtë arsye praktike, Kështjella vështirë se do të njihet ndonjëherë me ndonjë emër tjetër – së paku edhe për nja gjysmë shekulli, ose derisa të dalin nga skena lexuesit e saj të parë dhe më të shumtët.
Në shtesën (postille) që ia bën romanit të vet Emri i trëndafilit (Bompiani, 2002), Umberto Eco shkruan se, kur po e shkruante romanin, i kish vënë si titull pune L’abbazia del delitto, në një kohë që dëshira e tij kish qenë për ta titulluar, kur të botohej, Adso da Melk, ose sipas heroit eponim; meqë tituj të tillë, thotë ai, “tregojnë më shumë respekt për lexuesin.” Mirëpo këtu botuesve nuk u pëlqeu një titull (ose emër i përveçëm i librit) që të ishte njëkohësisht emër i përveçëm personazhi; që këtej, Eco-s i shkoi në mendje titulli i ri, i cili mbështetej në një simbol kaq të mbushur me kuptime, sa veç mund ta ngatërronte lexuesin. Thotë autori: “një titull duhet t’i pështjellojë idetë, jo t’i disiplinojë.”
Këtë e kuptojmë edhe më mirë, po të kemi parasysh se, për Eco-n, “një titull është tashmë, për fat të keq, kyç interpretimi”; ose një ndërhyrje e autorit, për t’u shpjeguar lexuesve se si ta lexojnë veprën. Në fakt, titulli edhe është, edhe nuk është pjesë e veprës; por sa kohë që i vihet librit si etiketë identifikuese, atëherë ndërhyn në leximin që do t’i bëhet veprës. Nëse është kështu, atëherë kuptohet pse Eco-s i pëlqejnë tituj të tillë si, Tre musketjerët, i cili i referohet një romani që “është, në të vërtetë, historia e të katërtit.”
Por, le të kthehemi tek ideja e Eco-s, që titulli është kyç interpretimi; ose udhëzim që i jepet lexuesit, se si të orientohet, ose si ta gjejë rrugën, në “pyllin narrativ.” Një ide të ngjashme pat shprehur, tri shekuj më parë, dijetari frëng Furetière, sipas të cilit “një titull i bukur është kodoshi (proxénète) i vërtetë i tekstit.” Bash për këtë arsye, titujt e ndryshëm të romanit Kështjella – po lejohem ta quaj kështu – janë jo vetëm rregullime kozmetike të autorit, por edhe ftesa që ky ia bën lexuesit, për ta qndryshuar interpretimin e romanit: duke e zhvendosur vëmendjen nga kështjella (si personazh kolektiv; kujtoni edhe famëkeqen barakë pupuliti, nga romani Dasma), te daullet e shiut, si lajmëtare të shiut fatal dhe si repart i ushtrisë osmane; dhe pastaj te kasnecet, fjalë e çuditshme; e më në fund te rrethimi; një kalim që, në të vërtetë, është edhe një zhvendosje nga kampi arbër në kampin osman – sa kohë që rrethimin e bëjnë osmanët, të cilët u bien edhe, në analizë të fundit, daulleve të shiut. Edhe shiu i lag ndryshe, dy palët e rreshtuara për luftë, njëra përballë tjetrës.
Pagëzimi që ia bëjmë një fëmije përmban shpesh një dëshirë; dhe emri zakonisht nuk ka ndonjë lidhje kuptimore me cilësitë e fëmijës vetë, si individ; një vajzë e quajtur Flutur nuk është se ka dalë nga ndonjë krisalidë.
Raportin e autorit (dhe të botuesit deri diku) me veprën mund ta shohim si të ngjashëm me atë të prindit, ose të kumbarit, me fëmijën që do të pagëzohet; që këtej edhe afëritë mes titullimit dhe pagëzimit; këto dy akte gjuhësore, të cilat vetëm persona të caktuar mund t’i kryejnë, në rrethana të caktuara.
Kur është fjala për t’ia vënë veprës një titull, dëshira implicite në çdo akt pagëzimi konkretizohet si udhëzim që vepra të interpretohet në një mënyrë të caktuar.
Duke e çuar më tej këtë paralelizëm, mund të gjejmë ngjashmëri edhe mes ndërrimit të titullit dhe ndërrimit të emrit, ose ripagëzimit; sërish të kryeshëm vetëm nga një autoritet i caktuar ligjërimor, që është autori, në rastin e një vepre letrare. Ripagëzimi i Kështjellës si Daullet e shiut ose më pas si Rrethimi, dëshmon jo vetëm zhvendosjen e interesit interpretativ të pagëzuesit nga kështjella te daullet dhe më tej te rrethimi, por edhe largimin e projektorëve më parë nga kështjella, pastaj nga daullet. Kemi të bëjmë me dëshirën për ta riemërtuar romanin Daullet e shiut ose më pas Rrethimi, sikurse kemi të bëjmë me dëshirën për të mos e quajtur më romanin Kështjella, ose Daullet e shiut.
Çdo rititullim është edhe një mohim i versionit të mëparshëm.
Te romani Kronikë në gur, të cilit i ka mbijetuar titulli fillestar (ai vetë një risi, në raport me tregimin Qyteti i jugut, që i parapriu romanit), ndeshim një personazh episodik, një farë Gjergj Pula, që e ndërron emrin, sa herë që ndërron duar pushteti në Gjirokastër: Giorgio Pulo, kur vijnë italianët; Jorgos Poulos, kur ia behin grekët; Jurgen Pullo, kur arrijnë gjermanët. Ky ndërrim emri është edhe përshtatje, mimetizim, përpjekje për mbijetesë, nëpërmjet përditësimit. Në të vërtetë, në lëmin e emrave të përveçëm, ose të etiketave të identitetit tonë personal, çdo akt ndërrimi është shprehje e diçkaje që nuk shkon, e një keqfunksionimi, e një përpjekje për riformatim të identitetit, në pajtim me rrethanat.
Efekti ndihet, edhe pse i dobësuar, në ndërrimin e titullit të një vepre; duke tradhtuar, në rastin e Kështjellës, një raport të tendosur të autorit me tekstin e veprës. Tek e fundit, sa më i gjatë që bëhet vargu i titujve të njëpasnjëshëm, Kështjella, Daullet e shiut, Kasnecet e shiut, Rrethimi… aq më shumë titulli i romanit vjen dhe i afrohet titullit default, ose rematik (sipas Genette-it): Roman.
Në postillen e lartcituar, Eco-ja thekson, më se një herë, se “narratori nuk duhet të ofrojë interpretime të veprës së vet, përndryshe nuk do të kish shkruar një roman, që është një makinë për të përftuar interpretime” se “autori nuk duhet të interpretojë”, dhe se “autori duhet të vdesë, pasi të ketë shkruar. Për të mos trazuar rrugëtimin e tekstit.” Në të vërtetë, lexuesit e sotëm të romanit në shqip ende duket se i referohen atij, mendërisht, si Kështjella; them “duket se”, meqë për këtë duhen të dhëna të sakta, të cilat nuk i kam; por besoj se versioni me këtë titull, në botimet e vitit 1970 dhe 2003, është nxjerrë në treg me tirazh shumë më të lartë sesa vepra në shqip e botimit parizian (2004), dhe kjo e tanishmja, e Onufrit (2008). Në thelb, lexuesi nuk ka asnjë arsye që t’ia ndërrojë titullin veprës, ose emrin me të cilin e njeh veprën; nuk ka asgjë të keqe, të censurueshme, të dënueshme ose tabu, në titullin Kështjella, që u dashka ndrydhur, për t’u zëvendësuar me, bie fjala, Rrethimi. Kjo është një nga ato situata kur lexuesi, sa më dashamirës dhe i apasionuar të jetë pas shkrimtarit, aq më i gatshëm ndihet për të mos ia vënë shumë veshin.
Për kritikun, përkundrazi, ndërrimet e titullit janë një simptomë e dëshirës së autorit për t’ia ndërruar formën veprës; ose, për ta thënë me Eco-n, për t’ia ndërruar udhëzimet e përdorimit makinës interpretative, që është teksti. Ndoshta ky ndërrim do të ketë sukses me atë brez lexuesish që do të vijë më pas, dhe që do t’i qaset Kështjellës në versionin Rrethimi; por tani për tani, nuk mund të thuhet se, si operacion paratekstual, i ka shërbyer në ndonjë farë mënyre veprës.
Bibliografi:
Miracco, Elio, Analizë e temave të romanit “Kështjella” të Ismail Kadaresë, Centro di Studi Albanesi, Facolta di Lettere e Filosofia, Universita degli Studi di Roma “La Sapienza”, Roma 2007.
Kadare, Ismail, “Rrethimi paradoksal” (Shënim i autorit), Vepra 3, Onufri 2008.
Genette, Gérard, Seuils, Éditions du Seuil, 1987.
Eco, Umberto, “Postille a Il Nome della Rosa,”, Il Nome della Rosa, Bompiani 2002.