Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

LIBRA QË S’FLASIN

Vjet bleva, në Tiranë, librin Skënderbeu – një histori politike, të Aurel Plasarit; sivjet Historinë e Serbëve, të Jireçekut. Janë libra referencë, të cilat nuk i gjen dot lehtë kur jeton larg Shqipërisë, si unë.

Gjithnjë të thonë, njerëz të ndryshëm, se librat sot në atdhé janë “të bukur” – pavarësisht se ç’do të thotë kjo tamam. Në të vërtetë, edhe unë shoh shumë botime “të bukura”, ose të tilla që do të doja t’i kisha në bibliotekë – edhe pse jo doemos me vlera estetike dhe grafike.

Një i tillë, të cilin e bleva menjëherë, ishte Fjalori i Orientalizmave në Gjuhën Shqipe, i Tahir N. Dizdarit, botuar nga Instituti i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam. Vitet që kam punuar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Historisë, mbaj mend që e kemi pasur dorëshkrimin e zverdhur e të pluhurosur të këtij fjalori në zyrë, të vendosur në një raft çfarëdo (dorëshkrimi konsistonte në rreth 15-20 broshura të lidhura në mënyrë artizanale, me kapak kartoni; por fletët brenda ishin fare të brishta). Kolegët e mi leksikografë e konsultonin rregullisht, sa herë që u dilte ndonjë problem me fjalët e tyre. Por nuk tregohej ndonjë kujdes i veçantë, institucional për dorëshkrimin, përveçse nga punonjësit e Institutit vetë, që ia dinin vlerën e paçmuar. Gjithsesi, ishte një mrekulli që shpëtoi pa u dëmtuar rëndë dhe që sot është shndërruar në objekt ideal, të paprekshëm më.

Nga ana tjetër, të vjen keq që botimet në trade paperback që ia ka bërë Ismail Kadaresë shtëpia botuese Onufri janë tipografikisht të shëmtuara, me shkronja tepër të mëdha, që kur i lexon, të duket sikur autorit i është trashur gjuha . Me mjetet financiare që zotërohen për një personalitet të letrave si Kadareja, cilësia duhej të kish qenë shumë më e lartë dhe paraqitja më e rafinuar.

Por nuk dua të zgjatem shumë në estetikën e librit si produkt tipografik – se kur thashë “libra të bukur” më lart, kisha parasysh shkëlqimin intelektual, jo të lustrës dhe të ngjyrave të kopertinës.

Kur e mora librin e Plasarit në dorë, një mamuth 900-faqësh që do të bënte të stepej edhe Barletin, e hapa menjëherë në fund për t’i hedhur një sy treguesit (indeksit) alfabetik – por për tmerrin tim, tregues libri nuk kishte. Nuk di ç’e ka penguar autorin, që ta pajisë veprën e vet me tregues; ky i fundit nuk është luks, por zemra, madje zemereku i një libri të destinuar për t’u përdorur si referencë.

Ta zëmë se unë dua të di se ç’është thënë në libër për Lekë Dushmanin (sa për të sjellë një shembull). Në gjendjen siç është sjellë studimi, kjo ndërmarrje është praktikisht e pamundur – përveçse po t’i vihesh librit dhe ta lexosh nga fillimi në fund. Aq më e vërtetë është kjo për brezin e tanishëm të lexuesve, i cili është mësuar që informacionit t’i qaset, si rregull, nëpërmjet një motori kërkimi.

E njëjta gjë më ndodhi edhe me Historinë e Serbëve, të Jireçekut, botuar në dy vëllime nga Shtëpia Botuese 55; dhe që gjithashtu i mungon treguesi alfabetik i emrave të njerëzve dhe të vendeve. Natyrisht, mund ta marr dhe ta lexoj si të ishte roman; por pa tregues vepra denatyrohet dhe shkëputet nga funksioni i vet.

Për të bërë një analogji me leksikografinë, vepra të tilla historike pa tregues do të mund të krahasoheshin me fjalorë ku fjalët nuk janë të renditura alfabetikisht. Mund t’i lexosh edhe fjalorët, por libra të tillë, të referencës, nuk lexohen në mënyrë drejtvizore; dhe lineariteti shërben vetëm si kuadër orientues për treguesinë (indeksikalitetin); në kuptimin që treguesi, nga pikëpamja funksionale, është më i rëndësishëm sesa vepra vetë.

Në botime disi më të vjetra, që kam në bibliotekë, treguesi u mungon edhe veprave Ilirët, të Stipçeviçit dhe të Wilkes-it; sikurse një vepre të M. Korkutit për Parailirët, Ilirët, Arbrit.

Nuk spekuloj dot shumë për arsyet që vepra të tilla janë lënë pa tregues, meqë edhe autorët (kur janë shqiptarë) edhe përkthyesit dhe redaktorët ia dinë rëndësinë kësaj vegle, që libri të mund ta kryejë funksionin e vet. Ma merr mendja që kjo do të ketë diçka të bëjë me faktin që përgatitja e një treguesi kushton kohë dhe mjete (dhe në librat e përkthyer, treguesi vetë nuk mund të përkthehet, por duhet përgatitur rishtas).

Çfarë më shqetëson edhe më, është që mungesa e treguesit, në vepra të tilla referimi bazë, nuk duket se shqetëson kënd, madje as kritikun e rrallë, që shkruan recensionin në shtyp. Ka një si ngutje të përgjithshme në librat, origjinale dhe përkthimet, që shfaqet si përpjekje për të fituar kohë, përballë errësirës dhe obskurantizmit totalitar të para 1990-ës; por kjo nuk është se e përligj amatorizmin bibliografik.

Përndryshe është qesharake të mendosh që liria e fjalës dhe e botimit, të interpretohet edhe si liri për t’i lënë vepra të tilla, shpesh madhore, pa aparatin e nevojshëm shoqërues.

Shumë e shumë mend, por pak e pak dije në Shqipërinë e sotme, do të thoshte rapsodi.

Pa Komente

  1. Paketa e Onufri-t me librat e Kadaresë, më dha përshtypjen e atyre librave që të shesin për të mobiluar raftin e bibliotekës në shtëpi.

  2. Xhaxha, mungesa e indeksit duhet te jete tipar i botimeve evropiane, te pakten tek ato franceze une e kam vene re shpesh. Dua te them qe s’besoj se behet fjale per ndonje lajthitje te gjithen tonen.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin