Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Letërsi

QUO VADIS LETËRSI SHQIPE

nga Gazmend Krasniqi

Përballja me vitrinat e librarive (aq sa janë) është vendi ideal për të ngritur pyetjen se çfarë po ndodh sot me letërsinë shqipe. Aty shikohet menjëherë se mungon mendimi hierarkik i vlerësimit të saj dhe ngrihet pyetja: kur tregtuesi i librit ngre supet dhe të thotë se cilët libra i shiten, kur në librarinë që mbahet si më seriozja, ngjitur me romanet e të shquarve gjenden romanet e panumërt të një shkruesi a shkrueseje amatore, kur në raftin e librave prej rrëmujës së madhe konsumiste të titujve zgjohet pyetja se cili është shkrimtari i sotëm shqiptar – ku t’i kërkojmë përgjigjet?

Imazhet e krijuara nga media e përditshme, e cila gjithmonë noton nëpër faktorë jashtëletrarë, turbullojnë edhe më keq: një vend i vogël si i yni nuk mund të ketë me qindra shkrimtarë të mëdhenj, siç duket se del prej trumbetimeve të saj. Mendimi i paspecializuar, afërmendsh, i bën jehonë një prodhimi mesatar dhe nënmesatar, diçkaje që është artikuluar për arsye të ndryshme dhe diçkaje të pranuar përgjithësisht me sy mbyllur (fama është një shumë keqkuptimesh, i thotë Rilke Stefan Cvajgut), ndërsa prekja e këtyre tabuve bie reagime të ashpra, veçse pa argumente të mirëfillta artistike, duke mbjellë tash e parë vetëm pamje kaotike, qoftë në rastin e thjeshtë të lexuesit fanatik, qoftë në rastin e ndonjë esteti të mbijetuar nga epoka e socrealizmit. Rasti i këtij të fundit na kujton edhe një herë se thembra e Akilit nuk është krijimi, por gjykimi: prodhimi vulgar i socrealizmit do të kishte vdekur me kohë pa këtë të fundit, pra pa vënien në funksion, me të gjitha mjetet që zotëronte një shtet totalitar, si mjet propagande. Manipulimet me emra të tillë si Naimi, Noli, Migjeni ofrohen si shembujt më të kapshëm, pasi sot, edhe për mendjet më të thjeshta, dalin ndryshe nga ç’janë fabrikuar për disa dekada.

Si një herë e një kohë, paaftësia e plotë për të folur për letërsinë si letërsi, paaftësia e plotë për të zotëruar kodet elementare, pjell lista emrash që nuk maten as me nivelin mediokër të letërsisë shqipe, sipas parimit lista pjell listën dhe kështu diçka do të mbetet, pasi koha e kaluar e ka aprovuar këtë, përderisa predikuesve të mendimit të ri u mungon pushteti për të qenë të bindshëm për turmën, e cila s’i ka për qejf ndryshimet e shpeshta. Gjithçka që u tha më sipër tregon se, si çdo fushë tjetër e jetës shqiptare, edhe letërsia paguan çmimin e lirisë së fituar në emër të demokracisë, ku parësore janë fitimi i parave dhe thellimi i kësaj të fundit. Kjo është arsyeja që sot letërsia ndjehet e humbur përballë politikës dhe medias, dy prej pushteteve kryesore të kohës: ku media trumbeton politikanët si shkrimtarë, ndërsa politika, duke qenë çdo çast në qendër të vëmendjes, ia kthen kusurin me mjetet e saj, përballë një publiku të çoroditur prej lojës së pingpongut.

Po cilët janë shkrimtarët shqiptarë, nëse heqim vetvetiu autorët thjesht pjella të subkulturave politike a mediatike, prandaj me mundësi të mëdha proklamimi? Sot për sot, në pamje të parë shquajmë ata që vijnë nga periudha e djeshme e komunizmit, në fakt dy kampe krejt të ndryshme, por edhe të përshkuar nga një tipar i përbashkët: kryesisht ata përcaktohen nga marrëdhënia me politikën dhe jo nga cilësia e veprës.

Në rastin e parë kemi shkrimtarin me etiketën e intelektualit të shtetit, i cili lindi në një shoqëri strukturat e së cilës u bënë qartazi artificiale, pasi klasa sunduese e humbi funksionin e saj, por arrinte të mbahej në pushtet me forcë dhe mashtrim, duke premtuar më tepër një kohë skizofrenie sesa një kohë besimi, një kohë që nuk lejonte regjistrimin besnik të fakteve dhe sinqeritetin emocional të krijimit: nga pikëshikimi i shoqërisë totalitariste historia është diçka që duhet krijuar e jo diçka që duhet mësuar, kështu që lejohej vetëm një opinion, i cili sillte për pasojë një falsifikim të plotë. Kasta sunduese e shtetit totalitar duhej të ruante sundimin e saj, prandaj duhet të konsiderohej si e pagabueshme, mirëpo meqë në praktikë askush nuk është i pagabueshëm, është e nevojshme që ngjarjet e kaluara të përshtaten në mënyrë që triumfet e imagjinuara të duket se kanë ndodhur vërtet. Ky kamp i identifikuar lehtë si oportunist ishte dhe vazhdon të mbetet më i madhi, ngaqë në gjirin e tij krijohej mundësia e një mënyre mirëkuptimi me kastën drejtuese të shtetit, çka nënkupton vazhdimësinë e të shkruarit dhe të botuarit, sigurisht kundrejt çmimit të vetëcensurimit apo gjuhës së Ezopit, duke çuar nëpër disa simbolika dhe metafora të stërholluara.

Në rastin e dytë, si në të gjitha vendet e Evropës lindore, kërkojmë ekzistencën e shkrimtarit disident, edhe pse efekti i përftuar prej tij, për arsyet e njohura të një diktature të shkallës më të lartë, ka pasur një minimizim të skajshëm në krahasim me vendet e tjera, kështu që edhe sot e kësaj dite vlerësimi për këtë shkrimtar vazhdon të luhatet përmes ulje-ngritjesh të mëdha: paradoksalisht, në të njëjtën kohë, për dikë janë gjeni, për dikë nuk vlejnë fare.

Këto dy prerje të mëdha nuk mbyllin gjithçka, sepse ka edhe përjashtime të rralla për letërsinë shqipe në përgjithësi, por shërbejnë për të krijuar një ide për pamjet e saj më tipike që hasen në media apo shumë shpesh edhe nëpër studimet letrare, siç shihet në punime magjistrale apo doktorale, sepse njëzet vitet e fundit, lulëzoi ideja se grupi i parë vazhdonte të ishte më i fituari: vula zyrtare, verdikt politik i një kohe të perënduar, shtrëngohej me forcë, duke gëzuar edhe përkrahje organesh shtypi, përgatitësish tekstesh shkollore, apo fantazmash të ndonjë institucioni kohësh të kaluara – gjykime nga një kohë kur shkrimtarët merreshin seriozisht si nga shteti dhe nga publiku, ku dihej se ç’duhej shkruar, ç’duhej thënë ose menduar, ku shkrimtarët vlerësoheshin më shumë sesa shkrimtarë, duke u marrë si ideologë, si ndërgjegje morale, si mbartës të disa vlerave apo të drejtash të njeriut. Po tashti që nuk ka më ideologji sunduese, që vetë politika nuk ka më interes për asnjërin model dhe çmimin e lirisë së tyre, tashti që për ta shtrohet problemi se mund të shkruajnë çfarë të duan, po kush do t’i lexojë; tashti që shtrohet problemi: a do të kemi pas kësaj shkrimtarë me vlerat e tyre të vërteta – sepse ata nuk kanë më funksion të veçantë në shoqëri, funksion ideologjik apo moral, dhe u mbetet veçse të prodhojnë letërsi – a kemi të bëjmë me një humbje apo me një mundësi për vlerësim më real të letërsisë?

Studimeve serioze u takon të jenë me të dytën.

Dikush mund të thotë se tipari konsumist është fenomen tipik edhe në shoqëritë më të zhvilluara perëndimore (Kodi i Da Vinçit a Harri Poteri), por s’duhet harruar se atje ai përballet me mendimin e specializuar, i cili sqaron se kur diskutohet në mënyrë serioze për letërsinë, W. S. Maughm dhe Archibald Cronin, bie fjala, janë shkrimtarë që shërbejnë për të rritur numrin e lexuesve, por pa i dhënë ndonjë shtysë letërsisë në vetvete. Sigurisht, pyetja Ç’bëhet me shkrimtarin shqiptar, do të thotë, ndërkohë, se Ç’bëhet me letërsinë shqipe. Mund të mendohet se në letërsinë shqipe nuk mund të diskutohet me tone kaq të ngritura: kaosi dhe rrëmuja që e karakterizojnë pamjen e saj hierarkike i japin pak mundësi këtij diskutimi, pasi statusi i tekstit letrar vazhdon të mos e ketë fituar qytetarinë. Nga ana tjetër, ende nuk kemi hartuar antologji që do të paraqisnin historinë e zbulimeve e risive dhe shprehjeve të tyre në kuadrin e fjalës artistike shqipe, të cilat pasuesit e shumtë i përsërisin, i zbusin ose i modifikojnë. Zgjedhja vetëm në bazë të zbulimeve që shtrihen në dimensionin e thellësisë, jo vetëm të ndonjë risie në sipërfaqe, do të hidhte dritë më të qartë sesa paraqitja kuturu dhe en block. Kjo metodë që nuk ka asgjë të përbashkët me metodat ose përpjekjet e atyre që i ndajnë elementet e letërsisë sipas disa kategorive joletrare, do të ndihmonte që të dallojmë shpikësit, mjeshtrit, ata që kanë merita në ngritjen e ndonjë forme në shkallë më të lartë, apo mbllaçitësit që nuk kanë ndonjë efekt mbi rrjedhën kryesore, pasi përndryshe do të jetë tregu dhe mendimi amatoresk ai që do të vazhdojë ta përcaktojë fatin e letërsisë shqipe edhe për shumë kohë, kështu nuk do ta marrim vesh kurrë Letërsinë që është shkruar, që po shkruhet dhe që do të shkruhet.

Për kuptimin njerëzor, veçanërisht në modernitet, historia e letërsisë dhe letërsia vetë – që priren të funksionalizohet subjektiviteti në strukturën e përgjithshme të shoqërisë – nuk janë një e dhënë e pandryshueshme.

Prej këtij toni subjektiviteti, kuptimi i tyre zgjerohet:

  • Me hyrjen e veprave të reja në sistemin dinamik të traditës;
  • Me vlerën e (ri)leximeve nga brezat e fundit;
  • Sot nuk mund të jetë më një sistem referimi botimi i fundit i historisë së letërsisë (konkretisht Historia e letërsisë shqiptare, botim i Akademisë së Shkencave e RPSH, Instituti Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë 1983), apo tekste të tjera para tij;
  • Është krijuar një traditë tjetër, në liri të plotë dhe bashkëkohore, e studimit teorik;
  • Është arritur një rezultat tjetër për vepra të veçanta, që, për arsye jashtëletrare, mund të ishin përjashtuar si pika referuese, megjithëse mund të tërheqin pas gjithë mendimin për letërsinë dhe poetikën e saj;
  • Nuk funksionon më kriteri përjashtues ideologjik;
  • Nuk funksionon më përpjekja për të kërkuar shpjegimin e historisë së letërsisë me historinë sociale.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin