Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Media

SINDROMI I KAPOSHIT

E keni vënë re sa pak humor që ka në media?

Ose më mirë, e keni vënë re që humori në media vjen gjithnjë i rrethuar me kornizë, i shënjuar me tabela, që të thonë: ky shkrim tani është për të qeshur, prandaj qesh të lutem?

Pjesa tjetër e gazetës nxin nga serioziteti; të gjithë, që nga autorët e shkrimeve e deri te personat për të cilët flitet, e marrin veten shumë seriozisht.

Këtë unë do ta quaja sindromi e kaposhit, sepse kaposhi, nga të gjithë shpendët, më duket ai që ka më pak humor.

Tema nga më të lehtat, për kulturën dhe spektaklin; ose për jetën e përditshme dhe çikërrimat e celebrities-ve, përcillen me tone simfonike; sikur protagonistët të jenë përballur befas me transhendencën ose të kenë komunikuar me hyjninë.

Humori nuk është se mungon. Te Shekulli, bie fjala, është gjithnjë i pranishëm në vargjet e rimuara të A. Dukës, që i gjen në rubrikën e opinioneve; ose te Tema,  në rubrikën e mirënjohur Antena brenda familjes, me bëmat groteske të Saimirit e të Flamurit.

Megjithatë, duket sikur gazetat kanë krijuar zona të posaçme ku mund të ushtrohet humori, ose vathë të gajasjes; dhe brenda atyre zonave, humori është zakonisht i zhurmshëm, prej kabareje; humor që fluturon me cërka të pështymës.

Nuk ka gjë të keqe me këtë humor, as me vjershat dhe bejtet, madje as me cërkat e pështymës. E keqja është kur vjen e mungon ai tjetri, humori i hollë dhe nënqeshja, ironia dhe nënkuptimi, ose shpotia e gërshetuar me seriozitetin.

Humori jo aq i tekstit, sesa i nëntekstit.

Këtë të dytin e ndesh ndonjëherë te kolona e E. Tupes, në Panorama; por vetëm rastësisht, meqë Tupja ka vendosur të thyejë tabu të tjera dhe ka vite që rreh një kalë praktikisht të ngordhur.

Por Tupja, të paktën, është aq i rafinuar sa të të japë një ide se si mund të kish qenë ky zhanër i humorit inteligjent, i cili në një botë ideale nuk duhet t’i mungojë asnjëherë komunikimit publik.

Tek-tuk, gjen shkëndija humori të mprehtë te Artan Lame e te Kiço Blushi; dhe pikërisht në pasazhet më të goditura e të frymëzuara të këtyre dy opinionistëve sot nga më të mirët.

Në kulturën shqiptare, humori e ka ende të vështirë të shkëputet nga skena e estradës, skeçi folklorik dhe dialektor, Portokallija, ulërima dhe banaliteti, xha Brahoja dhe xha Vangjoja.

Si pa dashur, ka pllakosur kjo psikozë se gjërat e rëndësishme, çështjet me peshë për autorin dhe lexuesin, argumentet e thella dhe filozofike, mund të shërbehen vetëm me vetulla të ngrysura, profesorale, autoritare.

Paradoksalisht, sa më qesharake të jenë çështjet për të cilat flitet, aq më shumë i dëgjon zërat e protagonistëve të trashen. Podiumi i së përditshmes publike është katandisur skena e një opere ku këndojnë vetëm basë – jo ndonjë eksperiencë dëgjimi për t’u lakmuar.

Ndonjëherë të duket sikur tonet e ligjërimit publik, veçanërisht në debatet, kanë gjetur si emërues të përbashkët shprehjen ”nuk lejoj njeri të tallet me nënën time,” e cila vërtet i referohet një talljeje të supozuar, por tallja ndonjëherë është e kundërta e humorit; dhe shprehja vetë ka të bëjë më shumë me Kanunin dhe dorën në alltí, sesa me buzëqeshjen e mendjes.

Jo se tradita e humorit në kulturë dhe komunikim na mungon, përkundrazi. Mjaft të përmend autorë si Qamil Buxheli dhe Pëllumb Kulla, por edhe Dritero Agollin e Zylos së madh, që na kanë treguar, në vite, se si mund të bëhet art dhe filozofi me të qeshurën. Por edhe jashtë zhanrit, një vepër e lumtur si Kronikë në gur, e Kadaresë, i ka dhuruar lexuesit atë lloj humori të vetvetishëm, që vjen me hilaritet dhe nuk të lëshon më, derisa të shndërrohet në entuziazëm për një lexim të bukur.

Në mediat, humori për të cilin e kam fjalën është shenjë e mençurisë dhe e shëndetit mendor të autorit; por edhe përkujtesë për t’i mbajtur gjithnjë gati gjilpërat, në këtë botë tollumbacesh shumëngjyrëshe.

Që të shijohet, megjithatë, ky humor ka nevojë për pak qetësi – ose pikërisht për çfarë i mungon komunikimit publik sot, ku njerëzit më shumë se flasin, i recitojnë publikut poema epike si ato të Fishtës, ose shahen mes tyre si gra të liga (kështu zakonisht në Parlament).

Çfarë të shqetëson më tej, është se edhe lexuesit që komenton po i topitet shqisa e humorit; herë ngaqë e merr shumë seriozisht atë që shkruan, e më shpesh ngaqë e merr shumë seriozisht veten.

Kufiri mes dinjitetit dhe fryrjes së puplave është çështje shijeje, edukimi dhe… humori.

Çuditërisht, vetë imazhi i kësaj bote të populluar me kaposhë të bën të vësh buzën në gaz, se është antidot ngushëllues, për kapardisjet toksike.

Pa Komente

  1. Nese krahasimi do te ishte me Ameriken e sotme, Angline e shek 19, Francen e shek 18, ku ndjesia e plotfuqise jep si pasoje edhe humorin me nota ironike deri ne sarkazem, nenqeshjen deri ne zgerdheshje, ‘hollesine’ deri ne padukshmeri, atehere do te ishte me e drejte te akuzoheshin amerikanet e sotem, anglezet e djeshem dhe frengjte e pardjeshem (vemi prapa deri tek greket ne kohen e Aristofanit), per sindromen e Kokogjelit.

    Perndyshe, popujt ne halle e ankth, s’ia kane shume ngene xhibizmit ne forma te arrira, meqe ta zeme eshte e veshtire te besh gjeresisht humor kur vidhen votat apo vriten njerez ne shesh, pa harruar qe nuk do ngjante si dukuri pozitive, por si karagjozllek.

    1. Hyllin, Amerikën e sotme ti nuk e njeh – përndryshe nuk do të thoje gjëra kaq të çuditshme.

      Sa për Anglinë dhe Francën, bëre mirë që i përmende; po të sjell vetëm dy emra – Jonathan Swift dhe Voltaire, të cilët shkruanin pikërisht në periudha hallesh dhe ankthi.

  2. P.s sindrome e Kokogjelit ne kuptimin tjeter te kaposhit, dmth atij qe kendon gjithe diten maje plehut, se i ka punet ne terezi.

  3. Më thonë, me të drejtë, se çfarë i mungon ligjërimit sot në media nuk është aq humori, në kuptimin tradicional të kësaj fjale në shqipe, por ajo çka në anglishte e quajnë wit. Me fjalë të tjera, jo aq Alberto Sordi, sesa Umberto Eco-ja; jo aq Sacha-Baron Cohen, sesa Christopher Hitchens.

  4. Ameriken nuk e njoh, po kam verejtur dhe me kane thene se eshte ne mode ironia e nenqeshja ne publicistike, plus qe filozofia e take it easy nga bota anglo-saksone e ka burimin.

    Nuk mund te perkufizohet dukuria me emra te perveçem, po psh i ashtuquajtur humor anglez ( qe perdoret si tallje ne Shqiperi, tip humor aq i holle saqe i padukshem) eshte produkt i shek 18-19.

    Ta zeme Qamil Buxheli apo Driteroi, i perkasin nje periudhe qe pergjithesisht ishte ‘e qete’, njerezit e dinin çdo benin e çfare nuk duhet te benin, e ardhmja paraqitej gjithnje e sigurte(pavaresisht se ishte falso) per shumicen derrmuese.

    Pastaj publicistika jone eshte teper e zene me nxjerrjen e ndonje leku nga x apo y parti apo shoqeri civile per te qene aq e shpenguar sa te prodhoje ate qe kerkon ti.

    1. Të kisha keqkuptuar për Amerikën e sotme – m’u duk sikur thoje që i mungon ironia dhe nënqeshja në mediat.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin