Borges-i i sugjeron diku lexuesit që të provojë t’i lexojë Iliadën dhe Odisenë sikur të ishin shkruar pas Eneidës. Duke pasur parasysh raportin mes Homerit dhe Virgjilit, nuk habitemi që ky sugjerim, paradoksal, të vijë nga krijuesi i Pierre Ménard-it, autorit të Kishotit, i cili apasionohej kaq sinqerisht pas intertekstualitetit.
Nga ana tjetër, ne vdekëtarët përpiqemi t’u qasemi autorëve tanë të preferuar në mënyrë kronologjike, duke pranuar me mend një paralelizëm mes biografisë letrare dhe vartësisë së veprave së mëpasme nga të mëparshmet. Në muzikë këtë e ndien më mirë – askush nuk do të ngatërronte Beatles-at e albumit A Hard Day’s Night me ata të Abbey Road; ose edhe Mozart-in e Simfonisë no. 12, me atë të Requiem-it.
E megjithatë, unë e kam të pamundur në këtë moment që shkruaj, të them nëse Hamleti i ka paraprirë si vepër Macbeth-it apo e kundërta, pa e kontrolluar këtë në Google. Di vetëm të them që mua edhe njëri edhe tjetri, si mite letrare, më kanë mbërritur fillimisht nëpërmjet vepërzës së Charles & Merry Lamb.
Rolin e kronologjisë së veprave në pritjen e tyre nga publiku e përjetojmë veçanërisht me autorët dhe artin bashkëkohor: për një njeri që e ndjek muzikën rock, albumi The Joshua Tree i U2 doemos i ka paraprirë albumit Achtung Baby. Nga ana tjetër, ndodh rëndom që dikush që e ka pasur kontaktin e parë me U2 nëpërmjet albumit No Line on the Horizon, të kthehet dhe ta zbulojë The Joshua Tree në mënyrë prapavajtëse.
Dukuria më ka interesuar veçanërisht për veprën e një autori jetëgjatë në letërsinë shqipe, si Kadareja; jam munduar të kuptoj se si do ta lexonte këtë shkrimtar dikush që i qasej veprës së tij duke filluar nga romani Aksidenti; nuk e them dot, por jam i sigurt se Kadareja i këtij lexuesi jo dhe aq hipotetik do të ishte i ndryshëm nga Kadareja im, meqë unë e kam ndjekur në mënyrë pak a shumë kronologjike, ose ia kam lexuar veprat në rend që edhe i janë botuar.
Me Borges-in, mund të kërkonim që Dimri i Madh të lexohej si i shkruar pas Koncertit; dhe Kronikë në Gur si i shkruar pas Çështje të Marrëzisë; ndoshta kjo do të ishte edhe një mënyrë për t’iu qasur origjinalisht një vepre e cila brezin tim e ka bërë pjesë të vetën.
Sociologët e artit, sikurse edhe robotët e rekomandimeve në Amazon.com, e kanë vënë re se ai lexues, ose amator i muzikës etj., që bie në kontakt me një vepër që i pëlqen jashtëzakonisht, do të kërkojë vepra të ngjashme nga i njëjti autor, shpesh duke e shteruar. Kështu, po të na pëlqejë një koncert për piano dhe orkestër i Mozart-it, gjasat janë që të shkojmë dhe t’ia blejmë të gjitha koncertet. Nëse veprojmë kështu, duke dashur ta përsëritim epifaninë, atëherë gjasat janë që kronologjia e krijimit të veprave prej një autori dhe kronologjia e zbulimit të tyre prej nesh nuk do të përkojnë më.
Si rregull, shumë njerëz hyjnë në kontakt fillimisht me veprën më të suksesshme të një artisti; dhe pastaj fillojnë të qëmtojnë vepra të tjera, duke ecur së prapthi në të shkuarën. Kështu, në rastin e Márquez-it, ky u zbulua, së paku në Europë, me romanin 100 vjet vetmi (1967), të cilin zakonisht e lidhin edhe me çmimin Nobel që iu dha këtij autori; dhe vetëm më pas kanë lexuar Kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë, që është e vitit 1961. Për lexuesit shqiptarë të viteve 1980, që e zbuluan Kadarenë nëpërmjet novelave Ura me tri harqe, Kush e solli Doruntinën dhe Prilli i thyer, romani Kronikë në gur, i shkruar në fund të viteve 1960, erdhi më pas; pa folur për Kështjellën, Dasmën dhe Gjeneralin e ushtrisë së vdekur. Nëse kjo eksperiencë e këtyre lexuesve është më pak autentike se imja, meqë unë i kam lexuar këto vepra kronologjikisht, për këtë duhet diskutuar.
Më ka ndodhur rëndom, edhe mua, që të eci së prapthi; por një shembull nga shumë më duket domethënës, për rrengjet që mund t’ia luajë vepra e artit publikut. Grupin prog rock Pink Floyd e kemi njohur, në Shqipëri, falë megahit-it Another Brick in the Wall, i cili qëndroi për një kohë të gjatë në krye të Hit Parade-it italian; por përndryshe këngët e tyre nuk kanë qenë shumë radio friendly, së paku për radiot italiane. Kësisoj, albumi i parë i këtij grupi, që artin e vet e shtjellonte pikërisht nëpërmjet albumesh, më ra në dorë rastësisht, kur dikush më dha një kasetë me The Final Cut, një album atipik i vitit 1983, i dominuar nga zymtësia dhe paranoja e Roger Waters-it.
Natyrisht, në atë kohë unë s’kisha dëgjuar asgjë për The Dark Side of the Moon dhe për Wish You Were Here; për mua Pink Floyd ishin artistët e The Final Cut. As e dija që, për njohësit e rafinuar të atij grupi, The Final Cut ishte një dështim, një fiasko, një triumf i mendjes politike mbi shpirtin filozofik; ose malinjizimi i një tumori që kish filluar të shfaqej që me The Wall.
Prandaj e dëgjova këtë album pa kurrfarë paragjykimi në mendje, as pritjeje; dhe më pëlqeu pa masë, aq sa mund të kem kaluar ndoshta një muaj duke e dëgjuar çdo natë, të tërin, para se të flija.
Tani më vjen të qesh kur mendoj se, për ndonjë aficionado të Pink Floyd, t’i njohësh këta vetëm nga The Final Cut është njëlloj si ta njohësh Ismail Kadarenë vetëm nga romani Dasma; ose regjisorin Oliver Stone vetëm nga filmi Alexander; mirëpo kushtet tona në Shqipëri ishin ato që ishin; dhe ne ishim mësuar të gjenim një kockë gjëkundi dhe ta shndërronim në gjellën më të mrekullueshme të botës.
Mua m’u deshën dy vjet, që të gjeja diçka tjetër nga Pink Floyd; dhe në ato dy vjet, The Final Cut ishte albumi im i preferuar. Pastaj më sollën një kasetë me The Dark Side of the Moon, dhe që atëherë mikut tim të hershëm nuk i kam folur më; edhe pse, duke ecur së prapthi si gaforrja e Borges-it, i kam gjetur gjurmët e The Final Cut jo vetëm te The Wall, por edhe te Animals, që është edhe më i vjetër si album.
Ndoshta mënyra më e mirë për t’i konsideruar këto hyjni të universit artistik është t’i përfytyrosh si planetet: prani të përhershme, të përjetshme, timeless. Vërtet Jupiteri është më afër nesh se Saturni, por të pyesësh nëse njëri është më i vjetër se tjetri, nuk ka ndonjë kuptim. Vjetërsia fut në perceptimin e artit një element të huaj, të pamirëpritur; ose idenë se edhe një vepër mund të vdesë, njëlloj si autori i saj – në një kohë që ne tek arti kërkojmë ta mohojmë edhe kohën, edhe moshën, edhe vdekjen.
Une i perkas brezit qe vepren e Kadarese e ka lexuar kronologjikisht, duke filluar me Dimrin dhe duke lexuar me pas Kronike ,Keshtjellen, Gjeneralin (pa permendur krijimtarine poetike)
I mbetem i mendimit se leximi kronologjik i veprave te Kadarese, si bashkekohes i shkrimtarit , pra i kohes shkrimore , i ka dhene leximit nje dimension tashme te humbur, pikerisht leximin e lendes tekstuale kur ato mbartnin breroren madheshtore te nentekstit dhe kontekstualitetit. Sigurisht qe ka qene ne radhe te pare teksti , si substanca e vetme qe mbart shenjen letrare , stilin , estetiken dhe artistiken prej nga perftohej ajo kenaqsi qe jep leximi i nje letresie te mire.Por po aq i pranishem ka qene edhe leximi ideologjik: per lexuesin naiv, dogmatik ishte frymezuese rezonaca e temes historike me aktualitetin,per lexuesin e nentekstit ishte impresionues alegoria , simbolika dhe dykuptimesia e teksteve.
Duke qene komplekse, vepra e Kadarese ka privilegjin e rileximit dhe leximeve ne disa rrafshe sikurse mund te jete ai ideologjik, sociologjik, patriotik, biografik etj. Nqs ,bie fjala, romani Dimri impresiononte lexuesin e dikurshem me sherbimin ideologjik qe mbartete teksti ne ate kontekst,pra si tablo epike e qendreses apo kundervenies se E.Hoxhes ndaj hrushovianeve, i rilexuar dhe jashte kontekstit kur u shkrua, mbetet nje tekst qe emeton perseri kenaqsi estetike si gjuhe, stil, forme dhe strukture.
Romani Dasma-me i dobti roman i nxjerre nga pena e shkrimtarit ne sistemin totalitar, ashiqare nje dorezim i shkrimtarit ne rolin e agjitatorit te partise, sot, i rilexuar ne nje kontekst tjeter, duket, sikurse ka konstatuar A.Pipa si nje perqeshje e shkrimtarit me metoden e socrealizmit.
Pra edhe sot nqs nje lexues i ri, bie ne kontakt per here te pare me Dasmen, fare mire mund ta lexoje si nje parodi te zeze per frymen revolucionare te asaj kohe. Tharmi artistik dhe letrarja nuk mungon as tek Dasma por leximi i saj mund te jete edhe sociologjik.
Sidoqofte ka rendesi dhe koha kur te bie ne dore leximi i nje shkrimtari me te cilin prezantohesh per here te pare, ora biologjike, situata meteorologjike dhe disponimi shpirteror. 🙂
ps:xhaxhai pergezime per shembujt e shumte autobiografike qe si ornamente zbukurojne pikenisjen e shkrimit.Ornamentet nganjeher jane aq fine sa e lene ne plan te dyte objektin qe zbukurojne.
Gazmend Krasniqi
Një lexim i Kadaresë
Nëse ngremë pyetjen se Çfarë bën një poet pranë një fushe në shi, plot pellgje, një mendim i parë, një mendim që kemi për poezinë tradicionaliste, na thotë se shkruan për melankolinë, kohën që ikën, miqësinë a dashurinë e humbur, për jetën e luleve a fatin e tyre, e gjëra të tjera si këto.
Si sinkron i kësaj që përmendëm, në vitin 1957, para një fushe të tillë Kadareja i ri shkruan:
Një ditë në fushë shëtisnim,
Dhe ja, te ky pellg mu në fund
Të qeshur të dy ne u pamë
Në ujët që era lëkund.
Tani erdha prap’ tek udha
Bredh tutje me mallin në gji!
Por pellgu është tharë… siç duket,
Që veten mos shoh në vetmi.
Vetëm tre vjet më vonë, pra në vitin 1960, duke parë piketat që ngulin punëtorët në fushë, Ismail Kadareja (i cili vjen pas studimeve në Moskë) ka vegimin e një qyteti të ardhshëm industrial dhe shkruan një poemë (Ëndërr industriale) ku gjejmë përvijimin e ndërtesave vigane, zhurmën shurdhuese të makinave, fabrikat që derdhin çelik dhe oxhaqet që vjedhin tym kuq e zi. Pra, vargje si këto:
Metali do të derdhet
metali i parë
Shqipëria do të japë metal të saj,
çelik të gjallë.
…………..
avujt kuq e zi
dhe flamujt kuq e zi.
Ky qytet i shqiptarëve
për shqiptarët.
Dhe s’do të mbajë ai emra të bujshëm,
“Qyteti i diellit”
“Qyteti i parajsës”
“Qyteti i lumturisë”,
Ky do të quhet thjesht
Qyteti i ri industrial
i RP të Shqipërisë.
Në një poemë tjetër, po ky poet e sheh Republikën “me syze të zeza” “mbi fise oksidrike”, me shtylla tensioni të lartë që përshkojnë vendin ngado (Shënime për brezin tim).
Citojmë:
E shoh Republikën
në mëngjese industriale
me kombinezonin proletar veshur.
Republikën time
q’akoma mban qeleshe.
“Patetika” dhe “romantika e së ardhmes” do të shkruante kritika zyrtare e kohës për këtë lloj krijimtarie, edhe në botimet akademike dhe universitare, duke harruar se metoda krijuese – pra realizmi socialist – duhet të kuptonte diçka tjetër që lidhet me termat e emërtimit – realizëm dhe socialist. Kjo mënyrë krijuese që po natyralizohej në letërsinë shqipe, sigurisht që ishte jashtë frymës së saj të deriatëhershme. Ajo po sillej nga disa poetë të rinj që studiuan në vendet e Lindjes komuniste, apo të demokracive popullore, siç quheshin atëherë. Dimë se, edhe pse gjeti rezistencë te krijuesit dhe kritikët tradicionalistë të kohës – në mesin e të cilëve, në të vërtetë, mungonin talentet e spikatur, pasi nuk kanë lënë ndonjë shenjë – kjo letërsi mori “bekimin” e udhëheqjes politike të vendit, me anë të sloganit: “Afirmohuni me vargun tuaj”, por duke marrë kështu, automatikisht, vulën e një krijimtarie të funksionit.
Nuk mund të mohohet se modeli i asaj krijimtarie qe letërsia sovjetike, më saktë Majakovski, poeti me devizën e famshme:
Govorit partija, padrazumevajem Lenin.
Gojorit Lenin, padrazumevajem partija.
(Kur themi partia, nënkuptojmë Lenini.
Kur themi Lenini, nënkuptojmë partia.)
Por nuk mund të harrojmë se ky poet me ndikim të madh në letërsinë e angazhuar botërore, kishte formimin e një futuristi, madje të një lideri të kësaj rryme poetike ruse e evropiane. Ai mbetet shembulli i madh i simbiozës së një letërsie me deviza ekstravagante si “Shkatërrimi i sintaksës”, “Shuplakë shijes së publikut”, “E kaluara është shumë e ngushtë”, “Flakini Pushkinin, Dostojevskin, Tolstorin etj., etj., jashtë Anijes së Modernitetit” me një letërsi të funksionit, duke u vënë në shërbim të një ideologjie a partie politike të caktuar. Se cilat qenë bazat e këtij futurizmi, na e thotë Marineti, me të cilin Majakovski ka qenë shumë i afërt në ide, përveç ndonjë parimi mbi luftën (të cilën Marineti e quante “higjiena e vetme e botës”) si dhe talentit që ndjek ndjeshmërinë e vet, kur shkruan:
Futurizmi bazohet në rinovimin e plotë të ndjeshmërinë njerëzore. Ata njerëz që përdorin sot telegrafin, telefonin, gramafonin, trenin, biçikletën, motoçikletën, automobilin, transoqeanikun, zepelinin, aeroplanin, kinemanë, gazetën e madhe (përmbledhja e një dite të jetës së botës) nuk e kuptojnë se këto mjete të ndryshme komunikimi, transporti dhe informacioni kanë një ndikim vendimtar mbi psikikën e tyre.
Thyerja e vrullshme dhe e zhurmshme me të shkuarën, shtrimi për zgjidhje i problemit të domosdoshmërisë së gjetjes së formave të reja shprehëse – ku spikat futja e një leksiku të paparë ndonjëherë – trajtohet sot si vlera më kulmore e këtij drejtimi letraro-artistik. Letërsia e angazhuar i shfrytëzoi ide si këto për të modifikuar idetë e veta mbi letërsinë e funksionit, përfshirë këtu edhe Majakovskin. Në Shqipëri, ku ky poet u mor si pikë reference, sidomos nga Ismail Kadare, ndodhi e njëjta gjë me të quajturën Letërsia e Realizmit Socialist, edhe atëherë kur ajo pati vlerat e saj më të larta artistike.
Kujtojmë se në sprovën për të përcaktuar shkolla letrare shqipe, këtë periudhë letrare Sabri Hamiti e përshkruan:
Ideologjia e majtë, e kthyer në konvencë shoqërore me pretendime të kodifikimit të metodës letrare, e zyrtarizuar si metodë socrealiste. Natyrisht si derivim satelitor i modelit sovjetik rus. Kthimi i sërishëm i misionit të shkrimtarit në shoqëri dhe i rolit shërbyes të letërsisë, me një tematikë të re kolektive, por tash jo nacionale, po ideologjike me premisa internacionale. Artikulim i konflikteve shtresore shoqërore, të cilat i zgjidh heroi pozitiv, si misionar i idesë së përparimit. Një neoromantizëm rreth projektit të shoqërisë të së ardhmes, pra tepër larg kriterit të realitetit të deklaruar. Letërsia si art i aplikuar për nevojat shoqërore e ideologjike.
Dhe thekson: Diksurset letrare subjektive të munguara përpara vërshimës së diksursit të përgjithshëm skematizues.
Sot, meqë nga pikëpamja përmbajtësore (me të cilën mburrej aq shumë kritika e kohës, shoqëruar aq shpesh edhe me qëndrime naiviste… ), kjo metodë letrare ka rënë bashkë me kohën që përfaqësonte, sfidat e një historie letrare përballë saj do të ishin të një natyre tjetër.
Veçojmë dy prej tyre:
a) ligjërimi;
b) leksiku (diksioni).
Nga pikëpamja e ligjërimit, te këto poema epiko lirike, apo monologë lirikë:
1. Kontribute më të spikatura kemi një varg tonik i cili ngrihet mbi sintaksën e të folurit të zakonshëm, që në letërsinë tonë e pat futur Migjeni. Poeti e zhvesh vargun prej muzikalitetit që rrjedh nga ruajtja strikte e sasisë së theksave dhe të rrokjeve duke u përpjekur të sigurojë më shumë një numër të caktuar theksash në çdo varg.
2. Nga pikëpamja e historisë letrare, një tjetër veçori mbetet qëndrimi ndaj rimave. Rimat janë: Të sakta – të guxojë/ xixëllojë – vini/ bini; Të pasakta – vjetër/ vjet – maleve/ madhe; Të përafërta – rrëmujës/ rrokopujë – valëve/ stërkalave.
3. Hiperbolat dhe antitezat mbeten figurat dominante. Ato mund të përdoren edhe njëherësh, si në rastin kur plakut të thinjur – që zbret për të vrarë bijën që e koriti, sepse la të fejuarin dhe u bë metalurge – do t’i thonë “ndal“ furrat “martin”, me ulërima sirenash dhe mijëra sy shkëndijash e avujsh të tmerrshëm.
Nga pikëpamja e leksikut, kemi një qark që zgjerohet vazhdimisht:
1. Në poema hyjnë fjalët e rëndomta si gavetë, pension etj.
2. Hyjnë kompozitat si vargje – binare etj.
Nxitja për t’u marrë me këtë pjesë të krijimtarisë së Kadaresë erdhi ngaqë flitej pikërisht për të në botimin Historia e letërsisë shqiptare të realizmit socialist (Akademia e Shkencave të RPS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Tiranë 1978), çka presupozon veprën më ndikuese për studiuesit, kritikët, lexuesit, krijuesit dhe tekstet shkollore nga pikëpamja e perspektivave letrare.
Sot shohim se Kadareja vetë nuk i ka përfshirë poemat e sipërpërmendura në përmbledhjet e veta poetike të bëra pas ’90-s. Ato nuk gjenden as te Vepra 7, Poezi e poema, Onufri, Tiranë 2008. Aty, poema si Përse mendohen këto male e ndonjë tjetër janë dhënë të riprekuara, sigurisht për probleme tematike e jo të formës artistike, që do të ishte tjetër problem, sepse për këtë trajtesë, tjetër është se si synon të mbetet në letërsi poeti Kadare, dhe tjetër fenomeni letrar i kohës me të cilin janë ushqyer breza të tërë dhe studimet letrare shqiptare të kohës.
Sigurisht, ndryshimet e bëra në këto vepra mëtojnë një tjetër perspektivë letrare, por kjo nuk është çështje e këtij diskutimi, veçse na shtyjnë të mendojmë për panatyrshmërinë që karakterizonte veprimtarinë letrare në shqyrtim. Sidoqoftë, ky veprim i heqjes, i cili bëhet për hir të lexuesit të sotëm e të ardhshëm, nga ana e vet pasuron historianin e historisë në rrugën për gjetjen e paradigmave më të qëndrueshme për studimin e kësaj periudhe të shtrirë në disa dekada, qoftë për të evidentuar vlera – për t’i bërë ato pjesë të historisë letrare – qoftë për të evidentuar antivlera – në mënyrë që të gjendet rruga e përmirësimit të tyre në të ardhmen.
Alternativa e paradigmës së historisë letrare, me shtysën e letrarësisë, ofron praninë e saj të munguar gjatë në studimet shqiptare.
Une jam i brezit te Adrianit dhe kam arritur ti lexoje veprat e Kadarese ne kroniologjine e tyre. Ne kohen tone kur diktatura ishte ne pushtet, sic e tha edhe Ardiani, me nje kocke anti-socialiste ne ndertuam nje ide tjetersisht te vecante nga realismi socioalist. Mbaj mend se si rinim ne radhe te blenim librin e sapo botuar. Per ne ishte mendimi i lire kunder dogmes edhe pse i fshehur midis fjaleve. Nga ana tjeter vepra e tij na rriti krenare per gjeresine e kultures shqipetare e si domos te mbijeteses se saj, e mbi te gjitha lna dha krenarine te ishim bij te atij trualli. Me koken te rete ne e jetonim lirine fale librave te Kadares.
Per mendimin tim Kadare eshte nje hero si gjithe heronjte shqipetare, i vecante, i ndryshem, enigmatik, me rreza te errta kujtimesh ne vehtvehte, kokeshkrete. Si letrar dhe njeri i letrave eshte i ralle, por mos harrojme ai eshte e do te mbetet product i kohes se tij. Chronos diktator po e ban e do ta mbaje ne kthetrat e tij sa here Kadare do te jete i lidhur me te kaluaren. Kadare ka thene se shkrimtari eshte shpirti i popullit shpresoj qe ai te mbetet i tille deri ne fund.