Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Politikë

SISTEMI ME BABÁ

Funksioni kryesor i babait, thotë psikanalisti frëng Lacan-i në seminarin XIX, është “të mahnitë familjen e vet” (“épater sa famille”).

Kjo m’u kujtua, tek lexoja shkrimin e K. Cukalit, “Një njeri i vetëm do të shpëtojë Shqipërinë”, në Shekullin e së dielës dt. 13 nëntor 2011.

Aty Cukali rrëfen si një furgon me udhëtarë ishte bllokuar nga bora në Qafë-Mali dhe askush nuk po kujtohej të dërgonte borëpastruesen për të hapur rrugën; derisa njëri prej udhëtarëve pati idenë e mrekullueshme t’i dërgonte një SMS kryeministrit Berisha. Pas gjysmë ore, u shfaq borëpastruesja, si me magji.

Kështu i mahniti kryeministri Berisha udhëtarët e furgonit të bllokuar në borë.

Në një bisedë për funksionet e babait, që mbajti pak ditë më parë në Tiranë, psikanalistja frënge Francesca Biagi-Chai përdori, për të ilustruar këtë efekt mahnitës të babait, skenën e famshme të shandanëve, nga romani Të mjerët, i Victor Hugo-it; në të cilën Jean Valjean-i, i cili ia ka vjedhur shtëpinë imzot Myriel-it që e lejoi të kalonte aty natën, mbetet pa gojë, kur peshkopi ia fal këtë krim, në sy të xhandarëve.

Tradicionalisht klemenca, ose falja, ka qenë prerogativë e njerëzve të fuqishëm, e princërve dhe mbretërve, të cilët edhe ashtu e ushtronin pushtetin ndaj nënshtetasve të vet.

Në shkrimin e cituar, Cukali rrëfen edhe për një student, i cili ka ngecur në rrjetën e merimangës të rregullave burokratike, dhe rrezikon të humbë titullin që ka fituar, për shkak të një gabimi shtypi në diplomë. Edhe këtë herë, ai vendos t’ia dërgojë një SMS kryeministrit, dhe shpëtimi i vjen sakaq, sërish si me magji.

Shembulli flet për një mënyrë të dyfishtë të ushtrimit të pushtetit tek ne: nëpërmjet rregullave, të cilat burokracia i përdor, kryesisht, për të bllokuar gjithçka (le t’i krahasojmë edhe me borën e shembullit të parë); dhe nëpërmjet veprimit arbitrar të liderit, prijësit, princit, despotit – i cili është i vetmi që mund t’i shkelë këto rregulla lirisht (duke e dërguar borëpastruesen me një telefonatë).

Nga lartësitë e pushtetit jo vetëm ndaj qytetarëve, por edhe ndaj vetë rregullave që bëjnë të mundur qytetarinë, Berisha kryeministër ia doli ta mahnitë studentin, si babá i vërtetë lacan-ian.

Këtë lloj pushteti ushtronte në totalitarizëm Enver Hoxha; i cili drejtonte një sistem djallëzor të kontrollit absolut, ose një rrjetë merimange ku ishin kapur të gjithë qytetarët; amá e drejtonte duke qëndruar, vetë, jashtë këtij sistemi – që ta kishte të lehtë të ndërhynte, sipas rastit, për t’i shkelur të gjitha rregullat.

Kultura politike shqiptare e pranon si të natyrshëm këtë rol të kryepushtetarit babá; mishërim të konceptit patriarkal të hierarkive sociale, ose të përfytyrimit të shoqërisë si familje e zgjeruar, e cila organizohet, ose mpikset rreth Babait – me B të madhe.

Falë autoritetit që ka, ky babá manifestohet nëpërmjet rregullave të shumta e mbytëse, që drejtojnë sjelljen e të vetëve dhe që, kryesisht, synojnë t’ia ruajnë pushtetin, duke bllokuar që në embrion çdo lloj përpjekjeje krijuese, ose at-sfiduese; sikurse manifestohet edhe, e sidomos, në prerogativën, ose privilegjin për t’i shkelur këto rregulla, për t’u ngritur sipër tyre, për të vënë njerëzoren në plan të parë, për të kompensuar logjikën e verbër të burokracisë, me logjikën e ndriçuar të bon sens-it.

Pa këtë aspekt të dytë, por jo dytësor të ushtrimit të pushtetit; ose pa rolin e liderit-babá si anulues i rregullave dhe rregullsive, ose arbitër i ballafaqimit të qytetarëve me ligjin dhe burokracinë, sistemi patriarkal nuk funksionon dot; meqë do të bllokojë menjëherë vetveten.

Këtë ne shqiptarët e përjetuam pas vdekjes së Enver Hoxhës, kur sistemi totalitar mbeti i paprekur si sistem, por u privua nga babai, që deri atëherë e kish drejtuar dhe, sidomos, korrigjuar nga jashtë, sipas nevojës dhe me mënyra krejtësisht, ndonjëherë skandalisht arbitrare. Brenda pesë vjetësh, ai sistem në dukje i përsosur e mbyti vetveten, duke u katandisur në një makinë që nuk prodhoi dot asgjë tjetër, veç entropisë.

“ Përqendrimi në një njeri të vetëm i fatit të njerëzve dhe i zgjidhjes së halleve të tyre, më duket problem kyç i shoqërisë dhe shtetformimit tonë,” shkruan Cukali; i cili vazhdon pastaj duke vënë në dukje, me të drejtë, se ky lloj modeli patriarkal i pushtetit, me një babá që synon të mahnitë familjen duke vepruar në mënyrë arbitrare, të paparashikueshme, dhe në shpërfillje të rregullave që i ka vendosur dhe imponuar ai vetë, pasqyrohet dora-dorës në të gjitha strukturat hierarkike të pushtetit – që nga institucionet më të larta të shtetit, deri edhe në sipërmarrjen më të thjeshtë dhe biznesin më të vogël.

Ndërhyrjet e Berishës për të shpëtuar qytetarët e ngecur në rrjetin e merimangës mund të frymëzohen vërtet nga dëshira e tij e mirë për të ndihmuar qytetarët; por efekti i tyre objektiv është t’ia konfirmojnë dhe t’ia popullarizojnë kryeministrit rolin dhe funksionin e vet prej babai, brenda një pushteti patriarkal, të konceptuar në mënyrë të tillë që, pa këtë arbitraritet nga lart, veç do të bllokonte gjithçka.

Këtë model politik shoqëria shqiptare e pjell vetvetiu dhe me natyrshmëri – siç e konfirmon emëruesi i përbashkët i tre figurave të Zogut, Hoxhës dhe Berishës.

Kjo nuk do të thotë, megjithatë, se modeli është i vetmi; por vetëm e vetëm se modeli patriarkal do të çojë vetvetiu në këtë bllokim, impasse, ose pat midis nevojës së qytetarit për të qenë i lirë brenda hapësirave të pushtetit, dhe nevojës së pushtetarit për t’u realizuar si tillë nëpërmjet arbitraritetit, ose shpërfilljes së rregullave.

Që kjo përbën problem madhor për t’u zgjidhur e provojnë edhe ata shembuj, me siguri të shumtë, kur babai kryepushtetar është dashur të ndërhyjë drejtpërdrejt për të zgjidhur diçka, për të ndihmuar një njeri në hall, për të shpëtuar një fëmijë të sëmurë ose një familje të dëshpëruar.

Çfarë na duhet është, përkundrazi, ai sistem ku dinamika mes rregullit dhe përjashtimit, ose zbatimit dhe krijimtarisë, të veprojë vetvetiu në mënyrë kapilare e në të gjitha instancat, jo të jetë prerogativë e “atij lart.”

Babai lacan-ian, që habit familjen e vet, parakupton një shoqëri ende të mitur, fëmijësh që ende s’e kanë arritur pjekurinë, ose integrimin e tyre organik në strukturat sociale.

Nëse duam që sistemi ynë politik të shpëtojë nga diktati dhe arbitrariteti i njëshit, atëherë na duhet një program gjithëpërfshirës, i tillë që të ndihmojë qytetarët të arrijnë pjekurinë, si qytetarë dhe si njerëz.

Shënim: botuar në krye te ResPublica.

Pa Komente

  1. te vjen turp kur degjon zgjidhje problemi te tilla.Qytetaret duhet te kene garancine dhe besimin ne institucionet dhe jo ne individe,ciletdo qofshin ata.
    Mbase me ben shume pershtypje naqe jetoj prej vitesh jashte Shqiperise,por keto sisteme me babà jane edhe nje baze e mire per korrupsionin.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin