Më në fund, libri është gati për t’u shpërndarë në ditët Panairit (14-18 nëntor 2012). Falënderoj botuesen Arlinda Dudaj, redaktorin Sejdin Cekani dhe piktorin Vlash Papa, për ndihmën, mirëkuptimin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar.
Në vijim, teksti në kopertinën e pasme.
Çfarë të bëjmë përballë huazimeve të freskëta nga gjuhët perëndimore, si italishtja dhe anglishtja, që kanë vërshuar në shqipen publike, sidomos në mediat?
Të gjithëve na vrasin veshët dhe, një palë e zhurmshme prej nesh po kërkon me të madhe që të ndërhyhet për ta “pastruar” shqipen nga fjalët e huaja të panevojshme.
Si edhe në periudhën e Rilindjes Kombëtare, politikat e pastrimit të gjuhës po risillen si e vetmja alternativë mirëfilli kombëtariste, për t’i bërë ballë trysnive globalizuese dhe për t’ia ruajtur kulturës shqiptare identitetin.
Teksa akademikët vijojnë të bëjnë thirrje për forcimin e përpjekjeve për “pastrimin dhe pasurimin” e leksikut, pa çka se këto dy lloje ndërhyrjesh në gjuhë anulojnë njëra-tjetrën, ndesh në amatorë patriotikë që po rreken të zëvendësojnë deri edhe emrat e vendeve me burim të huaj, pa çka se shumë prej këtyre janë përdorur vijueshëm që në Mesjetë.
Nga shumë anë, po kërkohet (s)pastrim – në gjuhë, në kulturë dhe në politikë, në emër të rikthimit te një thelb shqiptar autentik, i cili qenka korruptuar, nëpërmjet kontakteve tona me tjetrin.
E gjithë kjo, në një kohë kur nuk ka asnjë shenjë, as provë që ndërhyrja policore në leksik dhe përndjekja e fjalëve sipas prejardhjes së tyre mund të ketë ndonjë efekt pozitiv në zhvillimet e gjuhës; dhe kur po duket haptazi se “ndotësit” e shqipes dhe entuziastët e (s)pastrimit të saj veç ushqejnë dhe riprodhojnë njëri-tjetrin.
Ky libër përcjell një polemikë të autorit kundër qëndrimeve puriste në leksik dhe në toponimi, të cilat e varfërojnë gjuhën, traditën dhe mendimin, duke ia cunguar e ndonjëherë hequr përmasën historike kulturës dhe identitetit shqiptar, për ta zëvendësuar atë me një vizion sa idealist, aq edhe të gënjeshtërt të marrëdhënieve tona, si shqiptarë, mes nesh dhe me Tjetrin.