Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art

NGA FOTOJA NË PIKTURË

Bob Dylan-i, legjenda e folk-rock-ut për kaq e kaq dekada, merret edhe me pikturë. Madje këto ditë, në Galerinë Gagosian në New York, është hapur një ekspozitë me kuadrot e tij të ”Serisë aziatike”, që iu prezantua publikut si një ”ditar vizual” i udhëtimeve të Dylan-it në Japoni, Kinë, Vietnam dhe Kore, me ”pikturime të drejtpërdrejta të njerëzve, skenave të rrugës, arkitekturës dhe peizazhit.”

Mirëpo disa vizitorëve u ra në sy fakti që disa prej pikturave të ekspozitës janë kopje, pak a shumë ekzakte, fotografish nga autorë të tjerë. Çka do të thotë se Dylan-i akuzohet tani për plagjiaturë.

Ja një shembull i një kuadri të kopjuar; majtas është vepra e Dylan-it, e titulluar ”Opium”; djathtas një fotografi e nxjerrë në Vietnam, në 1915, nga Léon Busy:

Për fotografinë, si teknikë e fiksimit të imazhit, është thënë se e dënoi me vdekje realizmin në pikturë, duke ia hapur rrugën eksperimentimit modernist. Që nga ajo kohë, megjithatë, ka rrjedhur shumë ujë; aq shumë ujë, sa tani piktura që janë kopje fotografish varen në muret e galerive mondane të kryemetropolit botëror.

Pa folur për autorin e tyre, që është varur në mur të thahet bashkë me eksperiencat e tij ”aziatike”.

Kjo nuk është hera e parë që Bob Dylan-i akuzohet se i ka marrë hua idetë e veta; të tjerë ia kanë vënë në dukje këtë farë kleptomanie më parë, në muzikë dhe në tekstet e këngëve të tij.

Më duhet të pranoj se si këngëtar dhe kantautor Dylan-i s’më ka pëlqyer kurrë (fakt pa rëndësi në vetvete); edhe pse tekstet e këngëve i ka të bukura; madje aq sa ta futnin, vjet në mos gabohem, në listën e kandidatëve për Nobelin në letërsi, ku i kishin dhënë më shumë shanse se Kadareja ynë.

Po çfarë mund ta shtyjë një legjendë të muzikës folk, si Dylan-i, të kopjojë pikturat e veta nga fotografi të çfarëdoshme?

Disa kritikë i kanë dalë në mbrojtje kantautorit të rizbuluar piktor, duke argumentuar se shumë piktorë, edhe në të kaluarën, i kanë bazuar veprat e tyre në fotografi.

Këta të shpjegojnë edhe se Dylan-i, duke i kopjuar dhe ndonjëherë ngjyrosur fotot, vendos në pikturë diçka nga vetja, ose i personalizon, deri në atë shkallë sa t’i rikrijojë.

Përmendet, në këtë kontekst, Andy Warhol dhe të tjerë manipulatorë të shijes pop në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Mirëpo Warhol-i, të paktën, nuk e paraqiti Campbell Soup-ën si krijim të vetin origjinal, as si ”ditar vizual” të eksperiencave të tij kulinare.

Dhe kjo ndoshta e dallon prej Dylan-it legjendar.

Një koincidencë, ndërkohë, bëri që ta lexoj këtë lajm për Bob Dylan-in ngjyrues fotosh një ditë pasi kisha parë, në një gazetë italiane, lajmin se shumë prej ”piktorëve” që u ofrojnë akuarelet e tyre turistëve në Piazza Navona dhe të tjera zona të Romës, në fakt shesin fotokopje të thjeshta fotografish të fotoshopuara, të cilat i realizojnë me një printer të zakonshëm me ngjyra, por duke përdorur një letër speciale, që e thith bojën e printerit dhe i bën fotokopjet të duken si të bëra me bojëra uji.

Këta peshq cironka të baltërave e të lyshtërave nuk kanë famën dhe prestigjin e Bob Dylan-it, as dalin dot me pretendimin se fotokopjimi i një fotografie të fotoshopuar është edhe ai një lloj arti konceptual, madje i tillë që të hedhë dritë në vetë ekzistencën e riprodhuar të njeriut post-modern, të kapur peng i simulakrave të vet, në një botë ku dallimi mes kopjes dhe origjinalit nuk mund të bëhet më, sepse tanimë kopja i paraprin origjinalit (si do të tingëllonte sa më lart, e thënë nga një Baudrillard?).

Këta proletarë të kitsch-it u ofrojnë turistëve atë çfarë turistët duan: autenticitet fals, në një kontekst ku veç falsiteti mund të përjetohet si autentik.

Bob Dylan-i, përkundrazi, e ka një fron të rezervuar në Olimpin e artit, i cili ia garanton se çdo gjest, çdo huq dhe çdo hobby do t’i etiketohet sakaq si i admirueshëm. Vetëm se tani kemi kaluar nga arti te celebriteti; madje aq trashë, sa mund të themi, pa e ndyrë shumë gojën, se Bob Dylan-i piktor nuk i afrohet as Lady Gaga-s, për nga krijimtaria vizuale e kësaj të fundit (të paktën në zgjedhjen e krijimeve të së tjerëve).

Thoshin për Dylan-in, që në vitet 1980, se po e përjetonte famën e vet si rock star dhe legjendë e arenave të kundërkulturës perëndimore duke prishur, nëpërmjet ”rikrijimit”, të gjitha këngët e veta të suksesshme të viteve 1960. Në fakt, disa versione live të këngëve të tij nuk kanë gjë të përbashkët me origjinalin, veç Bob Dylan-it vetë që i këndon me zë të çjerrë dhe tek-tuk ndonjë fjale që u kuptohet nga tekstet e dikurshme.

Cinikët do të thonin, në këto rrethana, se Dylan-i po kopjonte vetveten; dhe jo pa të drejtë, sa kohë që këngët e rikënduara edhe ishin të njëjta me ato të vjetrat edhe nuk ishin.

I don’t believe in Dylan, këndonte John Lennon-i, kushedi për ç’arsye; pikërisht ai Lennon që kaloi edhe ai vetë një fazë të artistit chic, personazh të galerive më ekskluzive të Londrës më parë dhe të New York-ut më pas, krah për krah shoqes së vet të çuditshme Yoko Ono; por e kapërceu shpejt.

Tek e fundit, edhe Paul McCartney ka shkruar muzikë serioze (oratorio dhe kuartete harqesh të sherbetosura, thonë kritikët) dhe tani së fundi po vihet në skenë një balet me muzikën e tij.

Megalomani? Ndoshta. Por megalomania e Dylan-it piktor nuk mund të shpjegohet, veçse si efekt anësor i degradimit të skenës së artit bashkëkohor, ku talenti më i çmuar dhe i vlerësuar nga kritikët dhe connoisseurs duket të jetë ai i klounit.

Pa Komente

  1. “Megalomani? Ndoshta. Por megalomania e Dylan-it piktor nuk mund të shpjegohet, veçse si efekt anësor i degradimit të skenës së artit bashkëkohor, ku talenti më i çmuar dhe i vlerësuar nga kritikët dhe connoisseurs duket të jetë ai i klounit.”

    Haha! Me dukesh pak i nxituar me Koons dhe skenen e artit bashkekohor, xhaxha. Dylan eshte aq efekt i skenes se artit bashkekohor sa c’mund te jene edhe ankandet e Liri Berishes. Koons i perket nje sarkazme metalike gjigande te lemuar barabar me Moore apo dhe me Mikelanxhelo per ndonje me shije klasike, nderkohe qe pedanca e mbrojtjes se Dylan-it eshte po aq lakuriq sa dhe vete Dylan. Ta kam llafin qe “nga foto ne pikture” le nje shije te keqe kur perkthehet ne “nga kistch ne skene bashkekohore.”

    1. Po mirë o Lul, zëvendësoje Koons, në mendjen tënde, me ndonjë tjetër që ta shpif ty, nga skena e artit bashkëkohor. S’besoj që ta kesh të vështirë të zgjedhësh, klounët i ke me okë. Vetëm mbaj parasysh se ç’po them unë: është ulja madje përdhosja e standardeve, e promovuar dhe e katalizuar nga Koons-ët, që u hap rrugë këtyre të kallëpit të Dylan-it. (Gjithsesi, nuk e hapa këtë temë për të folur për Koons-in.)

      1. Koons nuk promovon ulje standardesh, madje as Paul McCarthy qe ta shpif. Ndodhen ne fund te fundit brenda nje elementi poetik te vetin. Eshte si me thene qe Metamorfoza, po nuk qe detyrimisht per larte, apo sublime, me gjithe c’romanticizem kjo permban, ta shpif. Koons e McCarthy, e c’kam frike se quan ne pergjithesi klouna, kane nje cilesi objektive. Subjekti pastaj: secili sipas brezit a periudhes; ne kontekst qe nuk mund te shprehet thjesht me terma trupor si shpifja; apo pa vleresuar me pare se cfare manovre eshte kjo.

        Per Dylan, pastaj, ndryshon muhabeti. Ne fund te fundit eshte legjende ku kjo ngjarje me zor perben nje hyrje. E kuptoj shqetesimin tend dhe e vleresoj. Vetem pse eshte Dylan, gafa te tilla nuk kane pse i falen, pasi kerkon nje lloj artikulimi te mediumit ai gjest qe Dylan e ka ne nivel hobby, por nuk besoj se perben thjesht objekt per kritike negative. Nje e mire qe mund te vije, eshte nje lloj ngjalljeje interesimi ndaj puneve te Busy, edhe pse kerrkund te atij niveli qe Manet qendroi mbi shpatullat e Tizianos (nga piktura ne pikture). Ta kam llafin qe plagjatura mua me duket term per studente, per dike te cilit nuk ia njohim integritetin moral. E une, mos qofsha gabim, Dylan e kam degjuar per njeri me integritet.

        1. Po mirë, xhanëm, ty kaq shumë të pëlqen çdo vepër arti bashkëkohore, sa të mos gjesh dot një artist që ta zëvendësosh me Koons në tekstin më lart? Edhe me probabilitet sikur ti qasesh kësaj pune, shumica e atyre punëve që mbushin galeritë dhe ekspozitat janë plehra. Unë jam gati t’ia jap një shans atij artisti që përpiqet të arrijë diçka por dështon, sepse nuk ka talent, ose dhe sidomos, sepse i ka modelet të këqija. Por Koons nuk e fut dot në këtë kategori – ky është kloun me patentë.

            1. Në fakt, unë kur them “kloun” kam parasysh pikërisht atë që kam parasysh – d.m.th. Koons-in.

            2. Subjektiviteti eshte i lejuar, por kerkon argument, perndryshe biem ne arbitraritet, e c’kuptim ka pastaj te ndajme Artet Fine nga kistch. E deri sa ky argument te prodhohet une do besoj se ti ke parasysh pikerisht Bubbles.

            3. Ta sqarova se unë nuk e hapa këtë temë për të diskutuar për Koons-in. Kur t’i vijë radha (dhe koha), flasim. Mos e bëj si ai i dehuri që kërkonte çelësat poshtë llampës në rrugë. Nëse të intereson Koons si subjekt, shkruaj diçka dhe e nxjerrim si shkrim kryesor – po përndryshe le të mos e prishim temën me këto fluturime anësore.

            4. Po dakord pra, dhe te dhashe te drejte per artikullin, dhe aq sa me intereson besoj se u sqarova dhe ne lidhje me Koons. Tashti ti kembengul ta quash “kloun.” Po quaje!

          1. Poshte… i nenvijzuar, Xha, rezistoj te te shoh, se kam parasysh shkrime te fushes se specialitetit te gjuhesis dhe me gjere qe kam lexuar prej teje.

            Kam pershtypjen, se ndjesia e kloun qe ke prej dike, ne kete rast edhe prej Dilanit, me gjen edhe mua ne te njejtin krah, por duke permendur edhe Koons, duket sikur nuk eshte ndjesi, por qendrim personal. Klunizemi yt per ta, eshte estetik, kritik, si e koncepton njerin rol nga tjetri te nje lloj arti nga tjetri. Kaq e veshtire eshte te stimulohesh, argetohesh, provokohesh, inspirohesh neper muzeumet e artit?! Ne kete drejtimin qe ve veten, me ben te shoh se mendimi yt shan, gjykon, dhe jo vlerson, prandaj me lind nevoja te te shpreh mendimin me lart.
            Per sa i takon shijes time nuk jan as Dilan as Koons ata qe une zgjedh, por absolutisht gjej strong points ne vepren e tyre qe arti i tyre i shpreh bindshem.
            Sa per pikturat e Dilanit; E vetmja gje qe i ben ato klouneske eshte se eshte Dilan, por ato jane nje shprehje e sinqert ne pikturen e tij, qe nuk sjell as gje te re per artin ne pikture. S’guxon Dilan te jet ordiner, se zbulohet pa u cfaqur, dhe jo me gjith ato petlla qe s’ka ku fshihet.

            P.S. Tendenca per te egzagjeruar eshte cdo gje por jo per tu admiruar.

  2. Ta kishe lene per me vone kete shkrim, xhaxha. Ka gjashte muaj qe kam prere biletat per te pare koncertin e tij me dhjete tetor:-((

      1. Kuptohet se ne kete mes ka edhe nje dimension te vogel westalgjie, qe perligj apriori “investimin”, por shpresoj edhe me shume. Kam parasysh pervojen me koncertin e Leonard Cohen, nje vit me pare. Nje mrrekulli e vërtete! (Dhe ishte 75 vjeç)

        Gjithsesi kete radhe Dylan eshte i shoqeruar edhe nga Mark Knopfler.

  3. Nen karkasen e lodhur te Bob Dylan, po shkelqen Robert Zimmerman-i i vertete.
    E thashe kete vetem per efekt batute. Ne fakt mendoj se eshte e veshtire te ndash artin nga komercializmi. Qellimi i vertete i Dylan ( Zimmerman) apo i te tjereve nuk eshte te ndryshoje boten, por te beje ca pare. Problemi qendron tek fakti qe dikur qe te beje pare ne fushen e artit duhet te beje art te vertete kurse sot te besh pare ne fushen e artit duhet te besh te kunderten.
    Po te bejme nje vije kohore te hit parade boteror, ne vitet 70 me te shiturit ishin Pink Floyd, ne vitet 80 Michael Jackson, ne vitet 90 Backstreet Boys, dhe ne vitet 2000 Lady Gaga…..
    Te njejtin zhvillim me kokeposhte kane dhe artet e tjera.
    Ne fakt problemi qendron tek budallallepsja progresive qe ka kapur shoqerine.
    Dylan, si manaxher i shkelqyer i vetvetes ( ndoshta prej genit hebraik) vazhdon te beje pare dhe nuk ka rendesi se i ben me piktura apo duke ( mos ) kenduar per ndryshimin para bijve te bllokut te Pekinit ( e lexuar ne ptf).

    1. Pink Floyd, Michael Jackson, the Chronic, Tom Waits’ come back, Lady Gaga, e paqme me duket tablloja. Ti mund te kishe futur edhe Justin Bieber pas backstreet boys per te provuar hipotezen, por ne vend te backstreet boys do me detyrosh te fus albumin Nevermind, pastaj, te provoj timen.

    2. Nuk me pelqen shume si rol ai i i aktivistit te Frontit, qofte edhe gjate ballos me maska, po taksirat | elton |, futi ndonje pale thonjeza asaj lidhjes se gjeneve me hebraizmin e pastaj te dyjave ketyre me lekun, nese do te mos keqkuptohesh. Sapo rame kolektivisht telef ketu duke demaskuar karagjozet me hartat gjenetike te turkut (“turkofaget” si i kapi pineksa ketu) dhe aroma e epruvetave te tilla eshte kuterbonjese njelloj

      Kerkoj falje po e pata tepruar, dmth nese te kane shpetuar thonjezat si me shpetojne mua pikat mbi e

  4. thjesht kam vendosur gabimisht kllapa ne vend te thonjezave.
    Kusure te faktit qe e frekuentoj blogun ne orar te punes.
    Sa per rolin e aktivistit te frontit, maska qe ke zgjedhur, ( kulla e rojes ) i shkon shume atij roli.
    Ne fakt nuk e kam kritiken me Dylan. Ne fund te fundit te gjithe duam ca pare.
    http://www.youtube.com/watch?v=9WbKBKima4Q

  5. Nuk them se u pendova nga koncerti i pardjeshëm i Dylan, por gjithsesi nuk ishte ajo që prisja. Mbase ishte edhe faji im që kisha hartuar në kokën time programin e koncertit me atë repertor qe mbaja mend unë. (Kur përfundoi koncerti dhe takova nja dy të njohur, moshatarë të mi, pashe se e njëjta gjë kishte ndodhur edhe me ata) Dhe nga ajo që prisja e shpresoja nuk kisha si të përjashtoja ato hitet e mëdha të viteve shtatëdhjetë, që e bënë emrin e tij të njohur kudo në botë. E pra, në atë koncert nuk u duken as hijet e atyre këngëve. Me hije nënkuptoj stilin e tyre. Dylan vazhdonte të eksploronte gjuhë të reja muzikore, që më lanë pak të ftohtë. Zëri, sidomos në tonet e ulta ishte katastrofik.
    Pjesa e pare e Mark Knopflerit ishte e mire, por ai vetë mu duk pak si Zukero i Anglisë. Teknikisht shumë lart, por me thellesi te kufizuar, pak i thatë e drejtëvizor.

    Megjithatë, rrija e vështroja Dylan nga aty ku isha dhe nuk mund të mos mendoja se dikur kishte ardhur një çast që kujtoja se ai si edhe të tjerë si ai i përkisnin një dimensioni tjetër, jo kësaj bote. E pra, e kisha aty përpara, me fytyrë të mprehtë e pak mustaqe dhe nje kapele republike te bardhe jo fort te larte.. Here merrte kitarën në dorë, here një harmonikë e herë ulej në tastierë.

    Dritat ishin llogaritur qe ne asnje çast te mos i ndrçohej plotesisht fytyra.
    Viktimë e nostalgjisë sime, edhe pse dua të them se kam pranuar anën e tij rebele, por per shume arsye nuk kisha si ta kuptoja protestën e tij.

    Duke ruajtur proporcionet, gjithnjë kam menduar se me të e kisha pësuar si Milosh Formani e Polanski, që çanë e ikën njëri nga Polonia e tjetri nga Cz. komuniste dhe ranë në Francën protestuese te fundit të viteve gjashtëdhjetë që edhe vetë komunistët i cilësonte tradhtarë dhe po përqafonte maoizmin dhe pak hoxhizmin. Dy regjizorve te rinj e te talentuar nisi tu vinte mëndja vërdallë dhe nuk po e kuptonin nga sillej bota, kur u kërkuan të bojkotojnë festivalin e Kanës, që kishin ëndërruar gjithë jetën… Dhe e bojkotuan per oportunizem.

    Unë ç’është e vërteta nuk u rreshtova ndonjëherë pas Dylan-it, por kjo nuk i ra në sy kërkujt :-))
    Gjithsesi duhet thene se me vone ai nuk kishte qejf t’i permendej ajo periudhe.

    Megjithatë më ka pëlqyer shumë sinqeriteti tij. Në faqet e një biografie te tij, para shumë vjetësh, lexova se pyetjes si vepronte për të krijuar stilin e tij të veçantë muzikor, ai u përgjigj: Mbi të gjitha kam menduar të ushqej familjen time…
    Po per kete punen e fotografive qe po mesojme ne kete post, ai nuk ka me alibi familjare…

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin