Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

KOKA E TURKUT (II)

Deri në shekullin XIX dhe zgjimin kombëtar të popujve të Ballkanit, myslimanët e gadishullit e quanin veten rregullisht “turq”, duke u identifikuar nëpërmjet fesë; ndërsa identifikimi etnik, edhe kur bëhej, nuk kishte ndonjë rëndësi kritike.

Ne sot shohim një dikotomi në fjalën “turk” – si cilësim etnik dhe si cilësim fetar, që i kundërvihet “kaurit”; madje i japim rëndësi kësaj dikotomie, sa herë që duam të kuptojmë diçka më shumë për periudhën otomane në Ballkan.

Por ballkanasit e para shekullit XIX e përdornin fjalën “turk” në mënyrë monovalente, pa dalluar mes fesë dhe kombësisë; meqë kjo e dyta nuk kishte ndonjë rëndësi, ose të paktën nuk i përkiste të njëjtit rrafsh identifikimi me të parën.

Njëlloj duhet ta kuptojmë edhe historinë e fjalëve të tjera të ngjashme, si “kaur”, “l(a)tin” dhe “grek”; në këto përmasa fetare dominonte.

Një mysliman shqiptar ishte kështu “turk”, sikurse edhe një mysliman boshnjak ishte gjithashtu “turk”. Kjo do të thotë se edhe shqiptari, edhe boshnjaku, vetë-identifikoheshin nëpërmjet këtij raporti të tërthortë me një palë të tretë: Perandorinë Osmane, të së cilës ishin nënshtetas të klasit të parë.

Po a e dinte “turku” shqiptar se ishte shqiptar, d.m.th. se kishte diçka që e dallonte nga “turku” boshnjak? Natyrisht që e dinte; vetëm se ky dallim nuk ngrinte peshë (ose ngrinte aq peshë sa ç’mund të ngrejë sot, bie fjala, dallimi mes një beratasi dhe një elbasanlliu).

Kam parë të pranohet që, së paku në Ballkan, dallimi midis “turkut” si cilësim fetar dhe “turkut” si cilësim etnik/kombëtar filloi të bëhej vetëm gjatë shekullit XIX.

Nëse e pranojmë arsyetimin më lart, atëherë çështja nëse ka pasur “turq etnikë” të ngulitur në trojet e shqiptarëve duhet shtruar me kujdes të madh; sepse instrumentet për t’i dalluar këta turq para shekullit XIX gjithsesi mungojnë.

Dua të them: turqit e Prizrenit dhe të Shkupit i dallojmë sepse sot e kësaj dite flasin turqisht. Nëse e përdorim këtë si kriter, atëherë praninë e kolonëve turq në trojet e Shqipërisë së sotme mund ta përjashtojmë.

Tani, mund të ngrihet ndonjë si R. Marku dhe të thotë se këta turq janë asimiluar dhe e kanë humbur gjuhën e tyre, një hipotezë që nuk hidhet dot poshtë a priori; vetëm se unë nuk di ku e mbështet ai këtë, në ç’burime.

Edhe fakti që ndër shqiptarët myslimanë (dhe jo vetëm) turqishtja do të jetë folur rëndom, sidomos në qytetet, si gjuhë e administratës, por edhe si lingua franca, e ngatërron disi problemin. Krejt shtresa e lartë shqiptare myslimane e asaj kohe e fliste dhe shkruante turqishten (osmane) në publik; por në shtëpi fliste shqip; çka vlen veçanërisht për burrat në Shkodër, në Gjirokastër, në Dibër, në Berat, në Vlorë, në Manastir dhe në qendra të tjera urbane.

Të gjithë këta do ta kenë konsideruar veten “turq” si persona publikë, edhe pse për nga prejardhja etnike ishin pa dyshim shqiptarë. Shto këtu edhe që bilinguizmi, madje trilinguizmi kanë qenë të zakonshme në atë kohë: stërgjyshët e mi myslimanë, në qytetin e Gjirokastrës, flisnin lirisht edhe shqip, edhe turqisht, edhe greqisht.

Për të kuptuar më mirë konfuzionin që mbretëronte, deri edhe në shekullin XIX, në lidhje me raportet mes feve dhe etnive në Ballkan, le t’i hedhim një sy kësaj harte të “Turqisë së Europës”, të vitit 1877, ku, sipas legjendës në frëngjishte, dallohen me ngjyra të ndryshme “greko-bullgarët”, “grekët”, “myslimanët”, “bullgarët”, “serbo-kroatët”, “rumunët” dhe “shqiptarët” (vëreni edhe që në Epirin e Veriut, deri lart në Shkumbin, nuk është shënuar këmbë “albanais”-i, por vetëm “grekë” dhe “myslimanë”; por mos ia merrni për të keq autorit).

Dhe meqë ra fjala, vepra e njohur e Ami Boué, La Turquie d’Europe (1840), mund të shkarkohet falas nga kjo adresë.

Pa Komente

  1. interesante keto qe lexojme e te them te drejten jane mese te verteta pavarsisht pretendimeve qe mund te ngrihen………edhe une jam nga gjirokastra dhe eshte e vertete qe flistnin tre gjuhe madje gjyshja ime sot qe eshte 87 vjece ende kujton se prinderit e saj e detyronin te mesonte turqisht dhe greqisht qe te fliste ne rruge por ne shtepi vetem shqip…..e kjo tregon qe jemi shqiptare safi e me gjak 100% shqiptar………

  2. Tek pjesa e pare e kokes se turkut thua:
    ” Për mendimin tim, pengesa kryesore në këtë mes vjen nga të gjithë ata të cilët mitologjinë “antiturke” duan ta përdorin për të larë hesape meskine me myslimanët në Shqipëri; sepse ashtu nis edhe një reaksion zinxhir, që i bën pastaj myslimanët ta konsiderojnë si çështje drejtpërdrejt të identitetit të tyre trajtimin që i bëhet Perandorisë Osmane në tekstet dhe në përgjithësi në historiografinë shqiptare. Turkut dhe Turqisë mund t’i biesh në kokë fare lehtë; sikurse po aq lehtë mund të bësh me faj për prapambetjen shqiptare Azinë, aziatikët, Anadollin, anadollakët, lindorët, turkoshakët etj. Fjala tabu, në këtë mes, fjala të cilën askush nuk guxon ta përmendë, është Islami. Pikërisht kjo tabu e bën diskursin historik anti-turk të tingëllojë artificial; dhe po aq artificiale edhe përpjekjet për të “korrigjuar” historinë.”

    Mendoj se kjo eshte nyja ku lidhen te gjitha linjat e mendimit ” radikal ” qe po lulezon sot ne Shqiperi.
    Qe Islami eshte ” problem ” bien dakord pothuaj te gjithe. Te djathte, te majte, nacionaliste, antinacionaliste, liberale, konservatore….
    Po te shohesh gjuhen qe perdoret ndaj Islamit, me perjashtim te urimeve per festen e Bajramit, thua se ne kete vend muslimanet jane nje pakice komandosh qe jetojne maleve dhe here pas here e mbytin ne gjak shumicen e paqme te krishtere.
    Ne kemi ne vend nje tolerance fetare e cila per mua eshte rrjedhoje e tradites tolerante islame te trasheguar nga osmanet. E di se dikujt mund t’i duket si teze pak ekstreme, por po t’a krahasojme Shqiperine me pjesen tjeter te ballkanit ish-osman, kemi dy vecanti.
    1- i vetmi vend i cili nuk ka zhvilluar kurre lufte apo diskriminim fetar ndaj pakicave
    2- i vetmi vend ne te cilin muslimanet nuk jane pakice por shumice.

    Kjo tolerance po kerkohet te vihet ne rrezik nga disa faktore qe vijne qe nga servilizmi i pakuptimte ndaj perendimit qe ka klasa politike ( a thua se zevendesimi i minareve me kambanore do te na bente europiane) deri tek ekstremizmi i disa zerave mediatike dhe kulturore te cilet vendosen ne pozicionin e turpshem te goditjes se me te dobtit.
    Sot muslimanet ne Shqiperi dhe ne Kosove kane praktikisht nje humbje konstante te te drejtave, kryesisht ne arsimim dhe punesim, gje qe vihet re kryesisht nga ata qe e prakitkojne islamin.
    Hapur flitet per fene e te pareve qe na qenka ajo katolike ( realisht para islamizimit kemi qene kryesisht ortodokse, por kjo eshte teme tjeter), dhe per nevojen e rekonkuistes qe te europianizohemi.
    Druaj se po investohet fort ne radikalizimin fetar te Shqiperise, dhe ky ndoshta do te jete maskaralleku me i madh qe i behet ketij ” kombi” dhe po doli me sukses, ndoshta maskaralleku i fundit.

  3. Megjithse nuk kam qenë dakord me qëndrimin radikal të Xhaxhait ndaj Wikipedias, kësaj here, përdorimi që Ai i bën këtij burimi, lë për të dëshiruar… Po “t’i hedhim një sy kësaj harte të “Turqisë së Europës”, të vitit 1877”
    do shikojmë që, megjithse jo më në kulmin e Perandorisë Osmane, në atë që njohim për Turqi nuk shihen turq…. ngjyra mbisunduese është ajo që simbolizon Greqinë/Rumaninë tek legjenda… dhe kur s’gjejmë turq në Stamboll, edhe me aq shqiptarë sa kanë lënë mbi Shkumbin, duhet të na bëjnë të ndihemi mirë

    Një pyetje: Në atë kohë, a egzistonte Turqia si entitet instiutcional (si shtet)? Po të lëmë mënjane oligarkinë (e fuqishme) fetare, po Greqia dhe Serbia?

    1. Edrus, po ashtu e kanë quajtur francezët aso kohe: La Turquie d’Europe! Po ta vësh re, e kam vënë në thonjëza dhe një nga funksionet e thonjëzave është të tregojnë citim. Pastaj, edhe libri i Ami Boue-së që përmenda në fund të shkrimit ashtu titullohet.

      (P.S. Ngutesh shumë me kritika. A meno che… e ke me frëngjtë e hartës.)

      1. Jo Xhaxha, nisur edhe nga tërheja e vemendjes që bënit në një shkrim të shkuar (përsa i përkiste terminologjisë turk-otoman, gjë që më gjen komplet dakord), do thoja që meriton të sqarohet mirë ky nocion.
        Perandoria Otomane, në atë kohë, nuk ishte shprehje politike-gjeografike që përfaqësonte Turqinë.
        Nëse njihej etnia turke, si ajo që kishte revanshin në atë moment, shteti Turk, ky që njohim ne tani, është njohur si i tillë vetëm pas revolucionit të Ataturkut dhe kufinjve që i njohën Fuqitë e Mëdha pas atij revolucioni.

        Një gjë tjetër që më ngacmon, megjithëse s’jam aspak i thekur rreth problemit, por me aq sa mund të konstatoj, është edhe fakti që, me “turq” janë thërritur të gjithë ata që s’ishin “kaurë” (katolikë e ortodoksë)… ndërkohë që shumica e atyre “turqve” shqiptarë janë bektashinj, që në imagjinatën time janë shumë larg minareve dhe islamizmit të shumpërfolur (shpesh me të padrejtë) në dhjetvjeçarin e fundit.

        P.s: Kritika ime nuk kishte të bënte me ju (sepse s’besoj se keni kujtuar që unë kam kujtuar se hartën e kishit bërë ju), por me romanticizmin francez, aq të përdëllyer (në ato kohëra) në krijimin e mitit Helen (dhe të vetë shtetit Grek). Po të shtoni këtu dhe interesat franceze për të treguar, përballë Fuqive të Mëdha pas shpërbërjes së Perandorisë (në atë kohë Bonoparti kishte trupat e veta në Greqi), një hapësirë gjithnjë e më të madhe të territoreve greke, për të shtuar dominimet e tyre , atëhere zgjidhet dhe rebusi i greqisë së madhe… me po aq lehtësi mund të gjenden harta Italiane (që për të njëjtat interesa) i zhvendosin kufinjtë e Shqipërisë deeeeeeri shum poshtë.

        1. Dakord – vetëm ki parasysh që unë e solla hartën për të ilustruar konfuzionin që mbretëronte, edhe në atë kohë relativisht të vonë, në lidhje me raportet mes fesë dhe kombësisë (etnisë) në Ballkan. Natyrisht, këta që bënin hartat, vendosnin pastaj edhe për kufijtë…

  4. Po a e dinte “turku” shqiptar se ishte shqiptar, d.m.th. se kishte diçka që e dallonte nga “turku” boshnjak? Natyrisht që e dinte; vetëm se ky dallim nuk ngrinte peshë (ose ngrinte aq peshë sa ç’mund të ngrejë sot, bie fjala, dallimi mes një beratasi dhe një elbasanlliu).

    Kam lexuar diku nje evidence anekdodike qe ne fakt qe dallimi nga ‘turqit’ e tjere ka qene i rendesishem. Nje bande kusaresh ne rrethinat e Hormoves, dikur nga fillimi i shek XIX, kur kapte ‘kaure’ greke i vidhte e i vriste, ‘kauret’ shqiptare dhe turqit safi i vidhte, ndersa ‘turqit’ shqiptare i linte te lire.

    Pra, ne terren, situata njihej mire. Ne nivelin per te cilin flet R.Marku gjerat turbullohen. Sistemi i miletit eshte i ngjashem me te famshmin ‘american melting pot’, por kete here kemi 6-7 qypa e jo 1.

    Konfuzioni eshte i kuptueshem. Sidomos, ne shek 19 kur reformat imperiale ja hoqen avantazhin klasor ‘turqve’, dhe u dhane barazine ‘rajave’ (gje qe u kundershtua psh nga tipa si Rrapo Hekali, qe mori armet dhe doli maleve ne proteste)

  5. Ka mjaft rrefime udhetaresh perendimore qe tregonin qarte se shqiptaret indetifikoheshin se pari me etnine e tyre, para se me fene dhe rrjedhimisht me etiketimet e mjegullta turk (myslyman) grek (ortodoks), edhe para shekullit te 19-te.

    Sa per keto pretendimet e Markut mbi kolone turq te vendosur ne troje specifike shqiptare, keto mundet vetem te trajtohen duke pare defter osmane te rregjistrimeve te popullsise te cilat beheshin si mbas etnise dhe ishin goxha te besueshme. Cdo trajtim tjeter i ketyre pretendimeve eshte spekullim qe vete i ben dhe pretendimet e Markut spekullime te ulta per arsye te ndryshme.

    1. Shkruan:

      Ka mjaft rrefime udhetaresh perendimore qe tregonin qarte se shqiptaret indetifikoheshin se pari me etnine e tyre, para se me fene dhe rrjedhimisht me etiketimet e mjegullta turk (myslyman) grek (ortodoks), edhe para shekullit te 19-te.

      Unë po përpiqesha të argumentoja diçka tjetër: edhe ata që identifikoheshin si turq, nuk e bënin këtë sipas parametrave etnike, por fetare. Në fakt, argumenti që jep ti, se shqiptarët identifikoheshin me etninë para së gjithash, ushqen argumentin e atij tjetrit, se kush identifikohej si turk (mysliman) ishte edhe turk (etnik), meqë po të ishte shqiptar, do të ishte identifikuar si shqiptar. Për mua kjo nuk qëndron, është e gabuar si koncept.

      1. Ai thjesht pohon se ka pasur kolone turq te vendosur ne zona te caktuara te cilat gjendet sot ne shtetit perendimor, pa e faktuar kete gje. Nuk besoj se ai argumenton se kush identifikohej si turk ishte turk etnik. Edhe sikur ta bente kete gje duhet te argumento qe shqiptaret e vetequajtur myslimane, kur i referoheshin fese se tyre i referoheshin me termin turk.

        1. Po edhe unë vetë e kam dëgjuar, nga pleqtë e moçëm, të më thonin ndonjëherë: “ne jemi turq.” Doemos, e kishin për fenë, jo për kombësinë (madje edhe për fenë, më tepër si përkatësi sesa si kult të mirëfilltë). Unë kam qenë kalama atëherë, dhe kjo më shqetësonte shumë. Pyesja të mëdhenjtë, dhe ma sqaronin pastaj.

          1. Sigurisht ! Aq e vertete eshte kjo, sa nje diçka e tille mund te lexohet edhe ne “Kujtime” (1885-1925) te Eqrem Bej Vlores i cili shkruan se kur i pyesje shqiptaret (myslimane) se ç’fare jeni, te pergjigjeshin : “turk elam dyrylah”. Kuptohet, ne sensin e fese !

  6. Edhe diçka tjetër (dhe të më falin besimtarët për injorancën time): S’kam dëgjuar ndonjëherë që katolikët apo ortodksët të thonë për vehten e tyre që “jam kaurr”.
    Fakti që ky epitet, që, sipas meje, jashtë kontekstit origjinal, përdorej si term përçmues (o nganjëherë ziliqar), tregon që egzistonte një contraparte që ja u thoshte… dhe kjo pjesa tjetër, ishte aq turke po aq sa edhe kaurët e cituar nuk ishin shqiptarë… dhe këtu bëhet fjalë vetëm për terminologjinë e përdorur ndër shqiptarë, sepse vështirë që mund të dalë ndonjë “studiues” i orëve të fundit që të thotë që islamizmi ka qënë/është aq i rrënjosur në Shqipëri sa shqiptarët të thërrisnin me termin kaur serbët, grekët apo italjanët.

  7. Ne fakt Islami si i tere (jo sektet e vecanta) nuk eshte nje etnoreligjion, eshte vetem religjion dhe i perket si arabit qe etnikisht eshte i njejte me profetin Muhamed, ashtu edhe turkut apo edhe shqiptarit, boshnjakut ose nje spanjolli. Islami si fe nuk shenjon perkatesine etnike te dikujt dhe as nuk larteson etnine e dikujt ndaj etnise se te tjereve. Keshtu qe ky emertimi “turk” edhe per ata qe jane muslimane por etnikisht te ndryshem nga turqit me duket i dyshimte dhe mund te jete ndonje shpikje orientaliste sic gjenden rendom ne librat e shekullit 18-19-20 ku muslimanet thirren me shume muhamedane ku ne fakt duhet te thirren MUSLIMANE. Ne rastin e shqiptareve, ju thone turq dhe kjo perdoret nga pdija edhe nga vete ndonje musliman shqiptar (po nje arab qe ishte qytetar i PO, si thirrej, turk?). Feja, si kudo perpara nacionalizmit ka qene themelore dhe identifikimi etnik ka qene i dores se dyte ose edhe te trete, prandaj kur flitet per popullsite qe jane ne nje vend te caktuar, para se te japin etnine japin fene se kjo ka qene e rendesishme. Vete defteret e PO nuk na identifikojne me aq sa di une diku si turq, por si arnaute dhe muslimane. Kjo puna e koloneve turq ne Shqiperi, eshte politike me shume se bazohet tek faktet historike ose ndryshe duhet argumentuar me dokumente se ku ka pasur kolone turq ne Shqiperine e sotme dhe pse keta jane asimiluar nderkohe qe turqit ne Kosove, Maqedoni etj. kane ngelur edhe sot turq. Keto gjera jane marifete te islamofobeve qe per te mos dale krejt zbuluar si islamofobe, te keqen e shikojne gjoja, tek “turqit shqipfoles”.

    1. Nuk ka lidhje fare me Orientalizmin kjo pune: meshire!

      Njerezia ne Ballkan e therrisnin veten normalisht “turq” fetarisht, ndersa ne Anadoll, per aq sa ishin, etnikisht. Metropoli kishte terma te tjere per veten, larg turkut, sa me larg. Deshmite jane kaq te shumta e te sigurta sa nuk ia vlen t’i referosh.

      Nderkaq, nese mund te quhet orientalizem (jo, nuk quhet) “Turqia” dhe “turku” ne perendim ishin rrumbullakosje te pasakta, abuzive – homologe me “oksidentalizmin” “frenk, (frenxhi”, ifranxhi tek arabet etj) Frankistan qe perdorej zakonisht ne Perandorine Osmane per Europen katolike apo edhe protestante me vone. As osmanllija nuk e therriste vendin e vet Turqi e as hollandezet nuk e quanin veten frengj etj

      Vetemertimi si turk per muslimanet ka te beje me perbashkimin idividual, pak nga pak, rreth nje grupi fillimisht te huaj kulturor, qe organizohej rreth gjuhes se administrates, turqishtes. Per sllavet myslimanet ishin “poturci”, per greket ende sot termat jane ne traditen me te mire te fjaleformimit helen -“turkoalvanoi”, per shqiptaret, “turkokritikoi” per kretanet myslimane etj.

      Gjithe kenget popullore te vjetra permendin “turqinine” per Islamin (si komunitet dhe si besim, bashke apo ndaras) deri edhe ulemaja ka folur per “shartet e turqinise”, pra per kushtet e fese: kjo ka qene gjuha e popullit e nuk ka lidhje fare me krenimin per ndonje etni. Populli ka pasur fjale te tjera per te treguar turkun etnik (turceli, turkoshak etj). Ne vetvete, turku me turqishten amtare, ka qene sinonim per malokun, te pakten ne metropol: asnje mundesi krenimi me te

      Arabet i quanin “turqit” turq, ndersa kurdet bie fjala “turqit” i quanin “rum”, ne te njejten menyre si njiheshin zakonisht grekoortodokset. Arabet nderkaq njiheshin si arabe tashme ne perendim (dikur si maure e saracene) por per osmanet arabe quheshin vetem beduinet; arabi i qytetit ishte thjesht nje mysliman nga Halebi apo Akra.

      Po sigurisht, “ne” kemi qene perhere arnaute, sapo dilnim nga konteksti lokal-me shkrim a me goje, te krishtere a myslimane.

      1. Vazhdo bjeri kudum-it (si eshte ne shqip, loder a tupan?) se i bije mire por te pakten mos u mundo te na besh ne muslimaneve te tjere te kercejme me tam-tamet e tua. S’ka fe turqish por fe Islame. Edhe vete Abdylhamiti, duke pare qe otomanizmi si identitet perbashkues per subjektet e veta ishte teper i dobet dhe nuk afrohej kerkund me pansllavizmin rus ose me panhelenizmin, potencoi Islamin dhe Kalifatin si element per te ruajtur kohezionin dhe as otomanizmin e aq me pak turqizmin.

        1. Po ta bej hallall acarimin se e kuptova me ke me ngaterrove. Harroje figuren dhe lexo titrat: mos ler nam, se nuk po thote njeri se ka fe turqish apo arabesh e as eshte ndonje pune vecanerisht e bukur qe ‘turk’ paska qene zevendesuese per ‘mysliman’; thjesht keshtu ka qene dhe (mos ler nam per here te dyte) nuk e kane sajuar orientalistet kete skeme (“Turku nuk ua solla une”).

          Po te le nje tekst kenge popullore ketu. Mund te kisha gjetur pafund te tjere ku “turk” perdoret si “mysliman”, 100%, por po sjell kete, se ka edhe permendje te etnikes brenda.

          Po thrret pasha: — O Boshnjak!
          Hajde t’çkruej bylykbash!
          E kom sos’ me t’bo çirak.
          Bylykbash due me t’çkrue,
          5 Gjakë e Vllasë me i sundue
          E vergin’ me ma tubue. (vergi -takse/gjobe)
          — Bylykbash un për m’u çkrue
          ’Zet zapti ty, pashë, t’i due.
          ’Zet zapti ja paska çkrue.
          10 Mir’zaptit m’i ka shtrëngue;
          Dogri n’Llap Boshnjaku o shkue; (dogri – drejt)
          Murat Gjakës i u ngërmue.
          Thrret Boshnjaku: — O Murat,
          Do t’m’u bojsh asqerit konak!
          15 Thot Murati: — O Boshnjak!
          S’mund t’u boj asqerit konak,
          Jom qillue me kojshi t’ngratë;
          Kan’për sillë e s’kan për darkë,
          Buk’me kryp’, shpijat me kashtë.
          20 Flet Boshnjaku: — O Murat!
          Mos m’u bofsh asqerit konak
          Kom emrin me jau marr’ grat’.
          Qyr Murati çka i ka thonë:
          — P’e pves plakën si në t’marrt,
          25 Si në t’marrt, ta paça dhonë!
          Murat Gjakja po i hip atit,
          Fund e n’krye Llapit e Gollakut.
          — Kush o turk qi e fal sabahin.
          Bjen shahadet e fal’ besh vaktin! (besh vaktin – pese kohet e faljes)
          30 O ardh Boshnjaku e na lyp niqahin. (niqahin-martesen/grate)
          Murat Gjakja n’kom’ na u çue:
          — Kush o turk qi vje’ me mue?!
          Shum djelm t’ri mas i kan ’shkue,
          Ton me pushka jon’ shtërngue;
          35 Boshnjakun ma kan’ rethue.
          Murat Gjakja i thrret Boshnjakut:
          — Ti kom pru ktu grat’ e Llapit!
          Vrik Boshnjaku n’kom’na u çue,
          N’pisk të jetës na u ngërmue:
          40 — Kush Muratin ma ka idhnue?
          O Murat, o ti dai,
          I kem’ pas’ kto fjal’ n’mahi.
          Murat Gjakja iu ngërmue,
          45 Ja nis luftën me liftue;
          Njo për far’ nuk e kan’ lëshue,
          Soll Boshnjaku i paska pshtue,
          Fill te pasha koka shkue,
          Ren’ e ren’ i ka kallxue.
          50 P’e pvet pasha: ku e le zaptin’?
          — I lash n’Llap tu mbledh’ vergin’.
          P’e pvet pasha: Ku i le pishtolet?
          — I lash n’Llap tui ruejt’ vorret.
          P’e pvet pasha: Ku e le thikën?
          — Ja kom lyp’ Muratit çikën.
          55 P’e pvet pasha: Ku e le sylahin?
          — Ja kom ly’ Muratit niqahin.
          P’e pvet pasha: o ku e le atin?
          — S’ish për mue, ish për Muratin!

          1. Po ne per cfare po flasim deri tani? Ka mundesi qe ne fillim emertimi “turk” per muslimanet e sapo-konvertuar ka pasur ngarkese negative pastaj me kohen e ka humbur kete dhe ti si muzikant popullor qe je na ben aheng me keto kenget me siper. Por kjo s’do te thote qe eshte ne rregull se nuk ka sharte turqinie e as fe turqinie e te jesh me turqit a afer tyre ose krah tyre nuk ka te beje me besimin. Nderkaq ti je konfuz ne keto qe thua, se nese te thirrurit vetes apo nga te tjeret “turk” nuk ka pasur te beje me ndonje status, por ne te kundert turqit konsideroheshin edhe maloke, atehere ku ka qene terheqja per kete emertim? Sqarohu me veten i here.

            1. Ky eshte vetemertim ne province te keqen muzikanti popullor, i shqiptareve dhe sllaveve me shoke, ne gjuhen e perditshme, jo ne shkresa e literature, as ne epigrafi. Mekanizmat sesi e sepse u ngulit kjo emertese mund te interpretohen sa te duash (po jo nga ti); rendesi ka vetem fakti, dhe ky fakti superdokumentohet. Eshte apo nuk eshte ne rregull, ky po ashtu eshte komplet tjeter diskutim dhe nuk ka lidhje me faktin: nje fakt eshte fakt, ndonese shkel ndonje rregull, apo gjithe rregullat, si pershembull bombardimi ne Hiroshima qe eshte edhe fakt dhe njekohesisht nuk eshte ne rregull si ngjarje, eshte skandal fare. (Meso se jam mysliman vete, i llojit qe “bjen shahadet e fal’ besh vaktin”, dhe para se te nisesh te riperseritesh pa lidhje edhe ne replika te ardhshme – ku nuk merr me pergjigje – se feja nuk eshte pune turqish, po te rithem se nuk eshte pune turqish dhe nuk ka qene bile).

              Te thashe se populli ketej nga ne qe e njihte myslimanin si turk, kishte te tjera emertesa per turkun etnik, ate qe flet turce (turceli, tyrk) etj. Nderkaq, metropoli (zona e kryeqyteteve te deres se Osmanit) kishte institucione e terminologji klasike ne perdorim, kishte komunitet mysliman me vijimesi territoriale dhe kohore me origjinen dhe nuk kishte fare pse te behej kreativ, sidomos jo ne kurriz te turkut. Erdh nje kohe kur turku per perfytyrimet metropolitane ishte ai qe nuk ishte shkartisur dhe qe kishte mbetur besnik i qiellit te hapur dhe kalit: i paqyteteruari, i ashpri, ai me fe te dyshimte. Edhe kjo nuk eshte ne rregull mbase, po edhe kesaj nuk kemi cfare t’i bejme.

              Te gjithe keto, i kisha thene me keto dy fjalite, ku ti zbulove konfuzion:

              “Populli ka pasur fjale te tjera per te treguar turkun etnik (turceli, turkoshak etj). Ne vetvete, turku me turqishten amtare, ka qene sinonim per malokun, te pakten ne metropol: asnje mundesi krenimi me te”

              (Krenarine nuk e kisha futur per qejf, por per te te mbeshtetur-fill pas kundershtimit-ne kete qe thoje :”Islami si fe (…) nuk larteson etnine e dikujt ndaj etnise se te tjereve”.)

              ps: Zahmet gjeje vete ne Youtube Qazim Mulletin e Besim Levonjes kur betohet: Per tyrqini qi kom! Meqe dje vura kenge, sot thashe po ve nje skec, si per dite te djele.

  8. ””Konfuzioni eshte i kuptueshem. Sidomos, ne shek 19 kur reformat imperiale ja hoqen avantazhin klasor ‘turqve’, dhe u dhane barazine ‘rajave’ (gje qe u kundershtua psh nga tipa si Rrapo Hekali, qe mori armet dhe doli maleve ne proteste)””

    Mos e shto rremujen , se Rrapo Hekali ashtu si gjithe kryengritjet kunder Tanzimatit kryesisht ne Toskerine veriore e qendrore(Gjirokaster) dhe krahinen e Shkodres ishin ndaj heqjes se privilegjeve qe paria shqiptare gezonte prej te pakten 1 shekulli.
    Ne fakt turku pasi shtypi kryengritjet dalengadale rifilloi ti jape ofiqe ne territoret shqiptare e ne Stamboll parise shqiptare.

    Ndersa barazia per te cilet flet ti eshte e mevonshme, pas Luftes se Krimese, Turqise iu vu si detyre nga Fuqite e Medha zbatimi i barazise, Faza e pare e reformave ishte leter higjenike ne aspektin e barazise.
    Faza e dyte nuk eshte se ndryshoi ndonje gje thelbesore, te krishteret vazhdonin te ishin te diskriminuar si ne administrate, si ne tregti, si ne kulture, biles tek kjo e fundit iu la ne dore grekeve, te cilet hapen shkolla greke.

    Heqja qafe e Turqise ishte nje çlirim epokal per te krishteret shqiptare, me pak per myslymanet, ne veçanti bejleret te cilet duhet te fillonin te ndanin pushtetin politik,ekonomik e kulturor me te krishteret dhe s’kishin me baba sulltanin qe i jepte akullore.
    Prandaj bejleret s’kane qene asnjehere per pavaresine por per autonomine, meqe autonomia lejonte baba sulltanin te fuste hundet ne punet e shqiptareve.

    Pastaj ne fund edhe Ismail beu kaloi nga rryma e pavaresise.

    Natyrisht elementi myslyman nuk mund te kritikohet zyrtarisht per qendrimin pengues ndaj pavaresise, prandaj historianet per hir te kohezionit kombetar, fusin ca gjera politikisht korrekte, por ne fakt jashte nevojave te kohezionit kombetar, elementi myslyman, hiq disa kokrra nen ndikimin e kristianeve dhe frymes perendimore, ka qene pengues’ per pavaresine.
    Elementi myslyman nuk arrinte dot pertej konceptit te autonomise, per te mos thene qe pavaresia i dukej blasfemi.

    Jo se e kishin nga feja ne vetevete, por se feja percillte deshiren e Sulltanit, ishte mjet politik per nenshtrimin e myslymaneve shqiptare.

    Sikunder e kane vene re qysh heret (Lidhja e Prizrenit) diplomatet e huaj, ne Shqiperi perçarja fetare ishte produkt i propagandes se huaj, e jo produkt i ndonje zelli fetar.
    Keshtu kur Turqise i leverdiste ne 1880 qe shqiptaret te luftonin kunder malazezve per Plaven,Gucine, Hotin e Grudes, kemi nje Shkoder unike, myslymane e katolike krahperkrah, dmth te pakten katoliket pranuan bashkepunimin me myslymanet kunder malazezve, qe ishin te nje ‘race’ tjeter, sikunder dokumentohet ne arkivat diplomatike.

    Biles, kaq e perhapur ishte bindja e konsujve europiane ne terren, se perçarja fetare ishte produkt i huaj, saqe ne 1919 ne Paris, kur po diskutohej mbi fatin e Gjirokastres, perfaqesuesi freng e pa te udhes te argumentonte, se Gjirokastra po te ngelte nen Shqiperine, nuk do kishte stabilitet , pasi Greqia do bente propagande fetare te cilen askush nuk mund ta ndalonte, keshtu qe do kishte gjithnje nje situate te ndezur, perkundrazi po ti jepej Greqise, kjo nuk do kishte arsye te mbante nje situate te ndezur fetare.

  9. Dokumenti me i hershem ku e kam ndeshur emertimin “turk” per arber myslymane eshte Kronika e Gjon Muzakes, ne te cilin per te konvertuarit shkruhet se “u kthyen ne turq”.
    Ndersa ne anen tjeter Skenderbeu pasi ne fillim eshte ” kthyer turk” me pas ne momentin e braktisjes te fese myslymane, “kthehet i krishtere” dhe jo grek, ose latin!
    Me sa duket gjate lufterave te shekullit XV, arberit e krishtere nuk duhet ta kene kaperdire edhe aq lehte bashkepunimin e vellezerve te tyre me pushtuesit, dhe te qenit turk ne kete rast eshte ne fakt nje identifikim (ofendues) etnik e jo fetar. “Epiteti” per myslymanet e kohes ishte “I pafe” dmth ai qe nuk beson ne fene e vertete, ndersa ketu te konvertuarit quhen turq, nenkupto nuk jane me arber.
    Shqiptaret myslymane s’kane ngelur prapa dhe jua kane kthyer kortezine me pas me fjalen “kaur” e me vone “grek” qe duhet te kete qene ofenduese gjithashtu per njefare kohe. Megjithese per apelativin “grek” te ortodokseve ka edhe arsye te tjera.

    Gjithsesi kjo çarje e madhe e arberve/shqiptareve nuk duhet te kete zgjatur shume me gjate se periudha e luftes megjithese njefare ndasie ka ekzistuar gjithnje. POR shqiptaret e besimeve te ndryshme kane pasur nga ana tjeter gjithnje dijeni mbi lidhjen e gjakut qe i bashkonte me vellezerit e tyre te besimeve te tjera.

    Nje pjese nga libri “Studime kulturore ballkanike” te S. Skendit:

    “Nder shqiptaret ndjenja fetare nuk ishte e thelle. Ata qe perqafuan islamizmin nuk e bene nga bindja; motivi ka qene pergjithesisht ai i disa avantazheve qe mund te perfitonin. Lidhjet e gjakut midis anetareve te grupeve te ndryshme, kriptokristianizmi dhe bektashizmi, ishin po ashtu nje faktor qe pengonte shperthimet e fanatizmit. … Gjuha e perbashket i dallonte shqiptaret nga fqinjet e tyre dhe nga turqit dhe kjo i bente te vetedijshem per kombesine e tyre”.

    1. Ka shume mundesi qe te jete kjo qe permend ti. Braktisja e nje feje dhe perqafimi i fese se “re” qe vinte nga “pushtuesi”, eshte shikuar si akt i rende qe konstituonte jo vetem tradheti fetare por edhe etnike. Kjo gje ndeshet edhe tek muslimanet boshnjake dhe menyra sesi serbet ortodokse (kupto, etnikisht sllave) i shikojne keta njerez pas perqafimit te Islamit nga ana e tyre. Serbet arrijne deri aty sa te thone qe Islami ka ndikur edhe gjenetikisht tek boshnjaket keshtu qe keta jane race e deformuar pa lidhje me ne. Me shqiptaret nuk ka ndodhur kjo, por keto shperthimet kunder “turqve shqipfoles” i fryjne ketyre zjarreve.

      Nderkohe arsyet pse shqiptaret kane pranuar Islamin, ka ardhur koha qe te studiohen ne menyre tjeter dhe mbi premisa te tjera. Nuk eshte fare e vertete qe shqiptaret perqafuan Islamin jo nga bindja por nga avantazhet, apo sic e banalizon Blushi, pse nje fshatari nuk ju shiten perimet ne treg te qytetit. Duhet shikuar se pari pikerisht bindja e njerezve dhe besimi qe ofronte njera fe dhe tjera, sa arrinin tek popullata, sa te qarte e bindes ishin, ne c’menyre etj. Sigurisht nuk perjashtohen arsyet e favoreve por nuk duhet perjashtuar depertimi i Islamit thjesht si besim.

      1. Nqs eshte kjo qe them une atehere ketu kemi diçka shume interesante:
        Arbrit e krishtere ne shekullin XV ju mohojne etnine myslymaneve te pare duke i emeruar si “turq” ndersa keta te fundit fillojne te vetequhen shqiptare, dhe me vone pasi shqiptaret myslymane fuqizohen numerikisht politikisht dhe ekonomikisht jane te krishteret qe ju ribashkohen duke u identifikuar edhe ata si shqiptare. Ne nje fare menyre mund te themi se ndasite qe sjell pushtuesi edhe feja thyen rrezohen perpara disa vlerave me te sigurta si gjuha dhe perkatesia etnike.

    2. “POR shqiptaret e besimeve te ndryshme kane pasur nga ana tjeter gjithnje dijeni mbi lidhjen e gjakut qe i bashkonte me vellezerit e tyre te besimeve te tjera.”

      Kam degjuar nga goja e nje etnologu shqiptar kur isha ne Tirane ne 2009 qe ne malesine e pukes fiset katolike, mbanin ene te vecanta per te gatuar ushqimin kur kishin si miq ne shtepi pjestare te fisit qe ishin konvertuar ne myslimane.

  10. Ka qene modus operandi i turqve qe ne cdo zone qe pushtonin, ata sillnin kolonet e tyre, se bashku me administraten.
    E gjithe klasa e pasur ne ate zone, e kohes se paraturqeve zere se pushonte se ekzistuari.
    Une nuk shoh arsye qe turqit te kene vepruar ndryshe ne Shqiperi.

    Por mbasi ke thene kete, do shtuar se ka pak zona te Ballkanit apo te pjese Europiane to Perandorise Osmane qe te kene qene me te paqedrueshme se sa Arberia. Kronikat regjistrojne 11 kryengritje ne ate toke vetem nga viti 1500 deri ne 1599. DHe ketu s`llogarisim cfare ndodhi nga 1400-1499. Pra per 200 vjet ajo do kete qene nje zone e pasigurte per cdo lloj koloni.

    Nga fundi i shek 16 deri nja 150 vjet me pas, kemi rreth 26 kryeministra te Perenadorise, me origjine shqiptare – me njerin prej tyre – Mere Hysein Pasha – qe nuk fliste as edhe nje fjale turqisht. ( emri Mere i pat ngelur sepse kur denonte me vdekje urdheronte – mere koken).

    Domethene kemi kalimin nga nje prej antagonisteve me te medhenj ne nje prej me te integruareve, qe ishin ne gjendje te arrinin edhe shkallet me te larta te pushtetit?

    Cfare ndodhi? Ndota ka te beje me pragmatizmin e shqiptareve, i njejti pragmatizem qe e kthen Artanin apo Besnikun e sotem ne Jorgo apo Dimitri.

    Kurse aftesia per te dale ne krye flet me shume per mundesine e levizjes dhe avancimit social brenda-perbrenda shoqerise osmane.

    Kjo lloj lehtesie adaptimi mund te sherbeje si argument se mbas 1600 kolonializmi ( ka nje perkufizim te qarte se cfare eshte kolonializem) turk humbet arsyen per te ekzistuar.
    Ose ata asimilohen, pa lene gjurme.
    Ose ata nuk sigurojne dot me asnje avantazhi material per te justifikuar shpernguljen te themi nga Anadolli, ne Arberi/Shqiperi.

    Po c’ne Rudolofi ne lufte me mullinjet – kolonet desha te thosha.

    E di qe dikur i pelqente W. Whitman. Po tani, c`pasion e ka kapur qe do te behet edhe antropolog?

    1. Nqftse kolonizimi ka qene modus operandi i turqve, pse athere turqit etnike nuk egzistojne ne Turqine e sotcme?

  11. ”’dhe te qenit turk ne kete rast eshte ne fakt nje identifikim (ofendues) etnik e jo fetar”’

    Turk ishte epiteti fyes per shqiptaret myslymane deri vone. Ndaj turkut prej Turqie, ngarkesa fyese nuk ekzistonte, nderkaq ndaj shqiptarit myslyman ne çastet e gjaknxehtesise perdorej gjithnje ‘turk’. Nuk me rezulton ‘grek’, ndersa kaur ishte fyes po qe me vone ndryshe nga çthote Edrusi filloi te perdorej pa kuptim negativ nga vete te krishteret (te pakten ortodokset), si jemi kaure (jemi greke nuk me rezulton ne anet e mia), ndersa myslymanet thonin kaure derri.
    Mesa duket edhe tek myslymanet i njejti proçes, turk nga fyes humbi ngarkesen negative dhe po perdorej per veteidentifikimin. Gjithsesi paresia i ngeli fjales ‘te krishtere’ ne vetidentifikimin fetar.

    Praktikisht ajo qe thote Gjon Muzaka u ruajt tek ortodokset, dmth shqiptari quhej ‘i krishtere’ ( ortodoks fare rralle, tek kjo fjale kembengulin greket ne trajten greke orthodhoks) dhe shqiptarin myslyman e quante turk, se mesa duket ne popull arber/shqiptar = i krishtere, perndryshe i myslimanizuari me fene humbte edhe identitetin etnik.
    Kjo vihet re si tek arbereshet si tek arvanitet qe nuk e konceptojne dot etnicitetin jashte te qenit i krishtere.

    Hamendesoj se kembengulja tek fjala ‘i krishtere’ ka ardhur si pasoje e konfiktit greko-latin ne Shqiperi, qe ne njefare menyre anashkalonte konfliktin katoliko-ortodoks dhe u jepte mundesi te gjithe arberve te barazonin etnine me fene, perndryshe nuk shpjegohet dot qe rregullisht katolike e ortodokse i quanin myslymanet turq, fjale qe ne ndryshim nga ‘greke’ e ‘latine’ te cilat nuk kishin ngjyra etnike, ka pasur ngjyre etnike.

    Natyrisht, krijimi i shtetit te Greqise dhe humbja e trajtave shqiptare te emrave biblike ne jug, ndihmuan ne trajten etnoperjashtuese ‘grek’, gje qe eshte perdorur edhe ndaj himarioteve qe gjenden jashte Himares, meqe u thuhet ‘grek’ ne kuptimin etnoperjashtues, çka i irriton veçanerisht ( te pakten ata me te cilet kam pasur te bej).

    Mesa duket ‘etnoperjashtimi’ sillte gjithnje ngarkesen negative ne fjale, gje qe mund te vihet re edhe sot, kur ‘etnoperjashtimi’ ka sjelle fjalen ‘shqipfoles’ si te kundervene ndaj fjales ‘shqiptar’.
    Kur do te fyesh dike i thua je shqipfoles, jo shqiptar, keshtu nje fjale qe eshte korrespondente me grekofon,frankofon,gjermanofon dhe ne keto raste nuk ka kurrfare kuptimi negativ, nder shqiptare ka marre vetvetiu kuptimin negativ te etnoperjashtimit.

    Ndersa greket, frengjit, gjermanet etj hedhin para per te fuqizuar elementet grekofone,frankofone,gjermanofone etj, nje ‘shqipofon’ do rezultonte shume i bezdisshem si term, ndersa shqipfoles tashme e ka marre kuptimin negativ.

    Mesa duket ne rast se nje dite ashtu si Italia e Greqia nga vend emigrantesh do kthehemi ne vend qe pranon emigrante, per keta termi ‘shqipfoles’ eshte gati, natyrisht me gjithe ngarkesen e vet negative dhe diskriminuese.

    Me duket goxha humbje fjala ‘shqipfoles’ , per shkak te pamundesise fonetike ‘shqipofon’ ( qe duket si tallje, telefon, mikrofon,shqipofon), mirepo tashme etnoperjashtimi bazohet mjaft tek gjaku, me shume se edhe vete gjuha, aq sa gjuha mund te shperfillet lirisht, saqe te ekzitoje ‘shqipfoles’ si term etnoperjashtues.

    1. E vertete, mbaj mend kohe me pare qe me kane quajtur “grek” pasi jam me origjine ortodokse, nje here nje shqiptar me shaka ndersa heren e dyte me seriozisht nje grek ne France, megjithese ne familje asnjehere nuk jemi vetequajtur te tille, as edhe gjysherit bilinguale nga Dhermiu.
      Nuk e di per te tjeret por mua ne keto dy rastet “grek” me eshte dukur fyes, dhe ju jam pergjigjur me fyerje ne te dyja rastet, megjithese kur i mendoj tani them se e kam ekzagjeruar

  12. ””Gjithe kenget popullore te vjetra permendin “turqinine” per Islamin (si komunitet dhe si besim, bashke apo ndaras) deri edhe ulemaja ka folur per “shartet e turqinise”, pra per kushtet e fese: kjo ka qene gjuha e popullit e nuk ka lidhje fare me krenimin per ndonje etni.””

    Po behet pak ngaterrese, se po merret Turqia ne fazen maksimale te perhapjes.

    Kur turqit erdhen ne Ballkan, kishin ne Azi nje shtet te vogel, dhe zgjerimi i shpejte ne Ballkan e premisat per pushtime te shpejta i shtyne te vini kryeqytetin ne Adrianopoje/Edrene.
    Po keshtu sulltanet shpesh ishin ‘Ghazi’, dmth luftetare te fese islame, te cilet nuk benin lufte me islamike por vetem me te krishtere, çka ka bere te veten ne shtysen drejt Ballkanit te krishtere.

    Po keshtu kur vdiq Mehmeti 2, ne Azi te vogel ai sapo kish perfunduar perfshirjen e gjithe turqve etnike (e te turqizuar), pra kur perfundoi pushtimi i Shqiperise, te vetmit myslmane te sulltanatit ishin turq etnike(e te turqizuar te Anadollit). Vete Mehmeti e mbante veten per Ghazi, pavaresisht se pushtoi Karamanine islame, nderkaq dihet pasioni i tij qe pas Kostandipojes te vinte duart edhe mbi Romen, prandaj si Ghazi u perqendrua kryesisht ne Ballkanin e krishtere.

    Keshtu qe myslymanet e pare me te cilet kishim te benim ishin turq dhe per plot 100 vjet, pra e thjeshte te perftohej barazimi turk=myslyman.

    Ushtria osmane bazohej tek jeniçeret dhe turqit etnike te njohur si spahij.Pastaj kishte edhe akinxhinj nga tribute nomade te anadollit, po keta ishin elemente plotesuese.

    Spahijte ishin fillimisht turq etnike, tip aristokracie, qe sulltani i shperndante ne territoret e pushtuara me funksion te dyfishte, ti mbante larg vetes, keshtu nuk rrezikonte pushtetin dhe tu jepte pushtet ne periferi qe ti kenaqte ekonomikisht e si me te besueshem ne kontrollin e territorit.
    Afer vetes sulltani mbante jeniçeret (me vone me pushtet absolut ne Stamboll), qe i sherbenin si garde mbrojtese por edhe si elemente vendimtare ne beteja.

    Ne shek 16, spahinjte nuk ishin me domosdoshmerisht turq etnike, por thjesht myslymane, sepse me pushtimin e vendeve islamike dhe titullin e Kalifit u zgjerua baza e sulltanatit.

    Megjithate themelet e sulltanatit osman i kane hedhur padyshim turqit etnike (e te turqizuarit e anadollit).

    Keshtu eshte e kuptueshme qe Gjon Muzaka flet per ‘kthim ne turk’, sepse turk=myslyman gjate gjithe shek 14-15, pasi te vetmit myslmane ishin turq etnike.
    Pastaj gjithe termat e tjere jane te mevonshem, i perkasin shek 16 kur osmanet u perhapen ne Lindjen e Mesme islamike, tek ne ngeli pa dyshim barazimi turk=myslyman, barazim i cili tek-tuk verdalloset ende.

    Ne Perendim mori=myslymane, se kryesisht mauri-tanet e pushtuan Spanjen dhe luftuan me franket.

    Ne kete kendveshtrim mendoj se duhej pare barazimi turk=myslyman, por qe eshte i vlefshem ne fazen e pare si i pare nga te krishteret, perndryshe ne Anadoll turqit fetarisht vetes nuk i thonin turq dhe as te myslymanizuarit shqiptare nuk kishin pse ti thoshin fetarisht vetes turq se feja eshte islame.

  13. Te marrim vetem nje shembull, kur Luther flet per muslimanet, ai i therret turq, megjithese muslimane te etnive te tjera, si arabet njiheshin ne ate kohe ne Evrope per te musliman eshte = turk pasi me keta Evropa ne ate kohe po “jepte e merrte” dhe osmanet turq ishin elementi me i rendesishem ne perandori. Edhe ne Shqiperi mund te kete ndodhur e njejta gje dhe me kalimin e kohes kjo eshte perdorur edhe vete muslimanet shqiptare.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin