Për ndërtesat e arkitekturës moderniste kanë thënë se nuk i mbijetojnë dot destinimit të tyre, në kuptimin që ka një lidhje të pazgjidhshme, pothuajse fatale, mes funksionit të tyre të paramenduar dhe ekzistencës së tyre në qytet. Një burg i ndërtuar sipas preceptit modernist, nuk përshtatet dot në spital; as një supermarket në hotel ose galeri artesh.
Tani, nëse kjo vlen edhe për Piramidën tonë në Tiranë, objekt i kaq e kaq debatesh dhe instrumentimesh politike, varet nga shumë faktorë – duke filluar që nga natyra moderniste e ndërtesës, e cila mund të diskutohet gjatë. Por që Piramida e ka humbur funksionalitetin e vet fillestar, të qenët muzé ose mauzoleum i Enver Hoxhës, për këtë të gjithë biem dakord. Sikurse biem dakord që kjo ndërtesë publike nuk u është përshtatur dot kushteve të reja, duke mbetur më shumë e zbrazët në vite, sesa e mbushur – me njerëz, veprimtari dhe ide.
Do të më thonë se braktisja është hapi i parë drejt kapjes abuzive; një model shfrytëzimi të cilin, për fat të keq, e ndesh anembanë Shqipërisë dhe jo vetëm në manipulimin e hapësirës publike. Si të thuash, një objekt lihet më parë qëllimisht pas dore, pastaj thuhet se ai nuk po mbijeton dot, për një arsye të brendshme, strukturore ose ideologjike çfarëdo, prandaj duhet prishur. Synimi, në këtë rast, ka qenë që në krye trualli mbi të cilin ngrihet objekti. Por kjo është teori komploti, nuk e përdorim dot si argument; vetëm mund ta marrim në vështrim si një sugjerim për të reflektuar.
Ka një ironi në faktin që Piramida, e cila për shumëkënd përfaqëson varrin e lavdishëm të Diktatorit, të ketë përfunduar sot në varrin e vetvetes, ose të dëshirës së saj për t’u përdorur. Historia e saj pas 1990-ës është histori dështimesh të njëpasnjëshme, të cilat kanë logjikën e tyre, sado perverse. Kjo logjikë prek edhe vullnetin e atyre që duan ta ruajnë tani me çdo kusht, si landmark të kryeqytetit, ose për hir të vlerave të saj estetike, arkitektonike, urbane, humane; ose edhe vetëm për t’iu kundërvënë voluntarizmit të hareshëm të proponentëve të shkatërrimit.
Nuk jam nga ata që duan ta ruajnë Piramidën me çdo kusht, edhe pse më duket e paarsyeshme prishja e saj; përndryshe dhe tek e fundit, edhe ajo mbi gërmadha është ngritur, në një zonë të kryeqytetit nga më të dashurat, më të lakmuarat, dhe megjithatë më fatkeqet – dje dhe sot. Të thuash se ka një mallkim në ajër, që nuk e lë Bulevardin të rritë një qytet rreth vetes, por vetëm i lejon harlisje të megalomanisë politike dhe strip-malls të autoritarizmit fashistoid provincial, i cili na vjen kaq natyrshëm.
Në debatet rreth Piramidës kam pritur që specialistët urbanistë të ndalen edhe në çfarë lidhet drejtpërdrejt me fatin e truallit të liruar prej aktit shkatërrimtar; ose për ndërtesën e re të Parlamentit. Nuk më duket se është folur aq sa duhet, edhe pse besoj që shumë nga ata që i janë kundërvënë haptazi prishjes e kanë bërë këtë më tepër ngaqë nuk i ka ngrohur perspektiva, ose përfytyrimi i ndërtesës që do të vijë dhe i rolit të kësaj ndërtese në gjeometritë dhe skenografitë kryeqytetase. Dhe këtu nuk e kam fjalën për prestigjin e ulët të Parlamentit të tanishëm të Republikës, i cili kurrsesi nuk po arrin ta imponojë veten në rolin që i jep Kushtetuta (çështje për t’u rrahur gjetiu); po për llojin e ndërtesës vetë dhe të institucionit që do të strehohet atje.
Bulevardi i Madh është i shtruar (i shkruar) me institucione të tilla: Ministritë, Kryeministria, selia e Presidentit të Republikës, Pallati i Kongreseve, ish-Hotel “Dajti” tashmë edhe ai në rrugë drejt “institucionalizmit’, Parlamenti ekzistues në selinë e ish Komitetit Qendror të PPSh-së… Të gjitha këto ndërtesa funksionojnë, në thelb, si mure ose skarpata kanali; meqë publiku nuk mund të depërtojë aty, as t’ua përdorë hapësirat lirisht; por vetëm t’ua shohë ballinat, teksa lëviz – me këmbë ose me makinë – në korridorin mes tyre. Në këtë pjesë kaq qendrore të Tiranës, qyteti tërhiqet pothuajse krejt, për t’ia lënë vendin kryeqytetit; sikurse tërhiqet hapësira publike për t’ia lënë vendin hapësirës politike të ndalueme për qytetarin.
Natyrisht, këta qytetarë do të kërkonin dhe shijonin diçka tjetër, të ndryshme nga Parlamenti, i cili nuk pritet t’i shtojë gjë eksperiencës së qytetit nga banorët e vet; përveç ballinës detyrimisht “europiane” dhe një luksi vezullues për syrin. Me përkufizim, Parlamenti i ri do t’i mbajë dyert të mbyllura për të gjithë ata që do të donin ta përvetësonin, sado përkohësisht, atë hapësirë; ta përvetësonin në kuptimin që ta përdornin për vete, si qytetarë; dhe sidomos për të komunikuar me njëri-tjetrin, përsëri si qytetarë.
Një qendër kulturore-tregtare multifunksionale dhe shumëkatëshe, sado banale dhe meskine dhe borgjeze në vetvete, do të kishte luajtur, përkundrazi, një rol të kundërt; duke i ftuar qytetarët në brendësinë e vet, për të vizituar dhe konsumuar tregtoret, libraritë, restorantet; ndoshta edhe kinematë, teatrot ose galeritë e artit. Ata tiranas sot që ankohen për prishjen e Piramidës, duke përmendur mallshëm përdorimin që i kanë bërë hapësirës rreth saj për të kaluar kohën, qoftë edhe thjesht për të vrarë kohën, me siguri do t’ia kuptonin vlerën një projekti, sado hipotetik, i cili të synonte gjallërimin e kësaj hapësire nëpërmjet amplifikimit të përdorimit të saj nga qytetarët; jo zhdukjen e saj, nëpërmjet institucionalizimit.
Parlamenti është institucion i lartë i Republikës, por kjo karakteristikë e tij, sado thelbësore, nuk kërkon gjë që ndërtesa përkatëse të ngrihet pikërisht e doemos në një truall që, përndryshe i ka mundësitë të shndërrohet në një katalizator të ri-urbanizimit të Tiranës politike, ish-totalitare; e cila ende rreket të gjejë identitetin e saj përtej kafeve, bareve dhe night-clubeve të bllokut. Shumë tiranas e ndiejnë këtë edhe kur nuk e nyjëtojnë dot, dhe protesta e tyre kundër prishjes së një karkase bosh si Piramida, tashmë pjesë e pranuar e peizazhit urban, është në fakt protestë kundër abuzimit të pushtetit me hapësirën e Tiranës qytet dhe kryeqytet. Parlamenti i ri, sado mirë të jetë projektuar si ndërtesë, nuk do t’ua blatojë dot hapësirat e veta, por vetëm ballinën në dy përmasa; ndërkohë Bulevardi i Madh, si edhe dje në totalitarizëm, do të mbetet brenda rolit të tij prej korridori të rrethuar, në të dy anët, me mure të shurdhëta, dritare me kangjella hekuri dhe roje të armatosura, çka është edhe mënyra më e sigurt për ta ndarë kryeqytetin nga qyteti dhe për t’i bërë qytetarët t’i shohin institucionet politike si projeksione të pushtetit, jo si burimet e tij.
Shënim: botuar fillimisht në ResPublica, dt. 14 gusht 2011.
Ja më në fund një ndërhyrje që e sheh këtë problem në perspektivën e tij. E vërteta është se në vendin më strategjik nga pikëpamja arkitekturore u ndërtua një institucion që shumë shpejt u shndërrua në një ekimozë urbane.
Eshtë fyese të kujtosh fillimet kineze të këtij institucioni. Autobusët që sillnin kooperativistët, ushtarë të dalluar dhe nxënësit e shkollave të fshatrave, që pastaj prisnin rrallën te hyrja me shall në qafë, por po aq e vërtetë është se në vitet e mëvonshme ajo ndërtesë kurrë nuk e gjeti vetveten, as si formë e as si funksionalitet.
Çfarë kërkohet më shumë për padobinë e saj, ndërkohë që në pikëpamje arkitekturore vetëm se të krijon imazhin e një kallamari të ngordhur, të cilin deti e ka vjellë në breg ?
Kontrasti bëhet më i dukshëm kur mendon se ajo u ngrit e mori vend aty ku ishte dhënë një shëmbëlle i jashtëzakonshëm pothuaj botëror i marrjes parasysh të perspektivës.
Në Tiranën e asaj kohe kemi rastin unik të një bulevardi pa qytet. Ai u ndërtua atëhere kur Tirana e asaj ane nuk ekzistonte. Eshtë surrealiste të mendosh se ai bulevard u zgjat deri atje ku hanin gjemba dhitë e fshatarëve të Tiranës, çante përmes ca moçaleve. Dhe megjithatë zotëronte të gjitha të dhënat gjenetike, që t’i përgjigjej edhe për disa qindra vjet të ardhmes së atij qytetit, duke qenë në të njëjtën kohë e vetmja hapësirë që thyente dimensionin e një otomanizmi të hershëm të Tiranës.
Duhet shtuar se këtu nuk kemi të bëjmë me gjenialitetin e arkitektëve italianë, siç mund të mendohet. Lexoni BKK (Bisedimet e Kuvendit Kombëtar) të kohës për të kuptuar se me çfarë këmbëngulje kërkoi administrata e monarkisë së kohës që ai të ketë përmasën aktuale, megjithëse ishte e ndërgjegjshme për mënyrën si e rëndonte kredinë e rastit.
Duke pranuar paaftësinë për të bërë gjësendi të denjë për atë bulevard, puna më e mençur është që piramida të shembet (ajo ka vlerën e një pështyme që dikujt i është hedhur në surrat), por trishtues si një burg i sigurisë së lartë më ngjan e dhe projekti i parlamentit të ardhshëm.
Vendi ka rastin të tregohet një herë i mençur duke mos bërë asgjë, e shumta duke e kthyer atë vend në lulishte.