Jugu ose Toskëria paskan një problem të toponimeve sllave, ose më mirë të dendësisë së toponimeve sllave, të thonë.
Kështu e shpjegoi, me qartësi të madhe, njëri nga komentuesit [Hyllini]:
Problemi është fytyra joshqiptare e toponimeve në Toskëri si pasojë e dendësisë së toponimeve sllave.
Po çfarë problemi është ky?
Që në fillim, duhet saktësuar se është fjala jo për toponime sllave, po për toponime me origjinë sllave, të cilat sot funksionojnë njëlloj si toponimet e tjera.
Cilësimin e tyre si “sllave” e bëjnë etimologët dhe specialistët e gjuhës – përndryshe, ato nuk e kanë të shkruar “në ballë” sllavitetin e tyre.
Të gjithë i biem shkurt dhe themi ndonjëherë “toponime sllave”, “toponime greke” etj.; por në kontekstin e këtij diskutimi, vërejtja se është fjala për një cilësim sipas origjinës do mbajtur gjithnjë parasysh.
Tani, është e vërtetë: në Jug të Shqipërisë ka dendësi të madhe toponimesh me origjinë sllave, të cilat pas gjithë gjasave janë përdorur për herë të parë dikur në Mesjetë.
Njëlloj sikurse është e vërtetë se në gjuhën shqipe, në të gjitha dialektet, gjendet një numër huazimesh nga sllavishtja e asaj kohe (bullgarishtja dhe serbishtja), të cilat tashmë janë asimiluar mirë në gjuhë, aq sa nuk i dallon kush që janë fjalë “të huaja” me përjashtim të historianëve të gjuhës.
E përsëris, çfarë problemi është ky?
Ky është problem për historianët dhe albanologët, të cilëve u bie barra të shpjegojnë arsyet e ekzistencës së këtyre toponimeve.
Në Jug të Shqipërisë – që nga Mokra në Labëri, që nga Gramshi në Gjirokastër, sllavë nuk ka. Disa do të thonë: ka pasur dikur, por sot nuk ka më. Dallimi mund të jetë me interes për historianët – meqë nuk është për t’u përjashtuar që dikur, në trojet e Shqipërisë së Jugut, të ketë pasur sllavë – jo si administratë pushtuese dhe si ushtri, por si kolonë.
Gjithsesi, sllavë në Shqipëri të Jugut sot nuk ka, me përjashtim të pakicës maqedonase në zonën e Prespës, që nuk hyn fare në këtë muhabet…
Siç e thashë, u përket historianëve dhe gjuhëtarëve të përpiqen të shpjegojnë ekzistencën e këtyre toponimeve dhe mbijetesën e tyre në shekuj; dhe në këtë rast problemi do kuptuar si sfidë, ose si ftesë për hulumtim.
Ka disa prej nesh, duke përfshirë këtu edhe veprimtarë të AKZ-së, që këtë problem të dijes e bartin në planin politik, duke e paraqitur – befasisht – si problem social, kulturor, etnik.
Po pse vallë? Sepse këto toponime “nuk janë shqip”, sepse janë shumë, sepse i përshoqërohen një armiku historik të shqiptarëve, sepse mund të përdoren nga të tjerët për të provuar teza të cilat na vijnë liksht.
Dhe si propozojnë këta që të zgjidhet problemi?
Duke i zëvendësuar toponimet “e huaja”.
Pikërisht zgjidhja e propozuar e tregon krejt kalbësinë e teoremës së toponimeve. Zëvendësimi është një operacion në nivelin praktik, sinkronik, të përdorimit të përditshëm: e heqim Bellovodën dhe e bëjmë Ujëbardhë; ose e heqim Dishnicën, dhe e bëjmë Fatbardhë ose Luledele.
Kjo është e realizueshme, tek e fundit.
Por vëreni kontradiktën flagrante: nevojën për ta ndërruar emrin këta e motivojnë me argumente historike – është emër sllav i një vendi shqiptar, etj. – në një kohë që ndërrimi nuk i jep kurrfarë zgjidhjeje “problemit” historik.
Çdo historian, dashakeq a dashamirës yni, kudo në botë, që do të interesohet për historinë e kësaj treve të Ballkanit, nuk do ta ketë të vështirë të gjejë emrat e vjetër të vendeve dhe të konstatojë natyrën e tyre dhe prejardhjen.
Kësaj i thonë ta mjekosh majasëllin duke u bërë synet!
Zëvendësimi i Bellovodës me Ujëbardhë nuk e zgjidh aspak problemin (do të thoja pseudo-problemin) që u bë shkas për ta nxitur këtë ndërmarrje e për ta paraqitur si të ngutshme, qoftë edhe me argumentin e mjerë “ç’të keqe ka?”.
Vetë banorët e Bellovodës ky zëvendësim nuk është se do t’i bëjë të ndihen më shqiptarë.
Efekti maksimal, që mund të shpresohet të arrihet, është që për dy-tre breza emri Bellovodë të mos përdoret më nga vendësit.
Mirëpo Bellovoda, si toponim aktiv, ose si shenjë gjuhësore në gojën e banorëve dhe të gjithë shqiptarëve, nuk ka qenë kurrë problematik, as e ka penguar ndonjëherë komunikimin, as i ka futur banorët në kriza ekzistenciale serioze (për ta thënë me shprehjen e Xhufit), as i ka ngatërruar udhëtarët dhe kallauzët vetë. Funksioni i një toponimi është ta identifikojë një vend të caktuar në mënyrë unike; dhe Bellovoda, sikurse të gjitha toponimet me origjinë sllave të Shqipërisë, në Jug dhe në Veri, e kanë kryer dhe e kryejnë këtë funksion identifikues për bukuri.
Sikurse ndodh anembanë botës, edhe në Shqipëri shumica e toponimeve janë të pamotivueshme me gjuhën e vendit.
Me fjalë të tjera: AKZ-ja dhe entuziastët e tjerë, e kanë gati zgjidhjen reale për një problem imagjinar.
Toponimia me origjinë sllave është problem dhe sfidë për dijetarët; dhe ky problem nuk mund të zgjidhet nëpërmjet zëvendësimit.
Përkrahësit e zëvendësimit duan të ndryshojnë të kaluarën, nëpërmjet një veprimi në thelb magjik, ose duke ia fshirë gjurmët.
Kësisoj, orvatja për të zëvendësuar emrat e vendeve paraqitet si orvatje patetike për të ndërtuar një makinë kohe.
Pse e them këtë? Sepse kombëtaristëve sigurisht nuk u pëlqen fare që sllavët kanë vënë kaq shumë emra vendesh, në Shqipërinë e Jugut. Të ishin kohë të tjera, këta do t’u kishin vënë sllavëve mesjetarë kufirin te thana, si Skënderbeu turqve, dhe do të kishin bërë kërdinë – duke e larë Ballkanin në gjak.
Në pamundësi për të udhëtuar vetë në të shkuarën, nëpërmjet një makine kohe të mirëfilltë, këta e zgjidhin dilemën në mënyrë konceptuale – duke kërkuar ndryshimin e emrave.
Një peizazh i mbushur me Kaltërza, Valëza, Ujëbardha, Ujëkaltra, Flatërbardha, Mollakuqe, Krueftohta, Shendevera, Trendelina dhe Buzëlume do t’u krijojë këtyre idenë, fantastike por ngushëlluese, se e kanë çliruar më në fund Shqipërinë nga zgjedha e huaj.
E përsërit: toponimet me origjinë sllave në Shqipërinë e Jugut janë problem për historianët dhe gjuhëtarët, të cilët ende nuk i kanë shpjeguar mirë, jo për përdoruesit e emrave, të cilët nuk ua dinë origjinën, meqë nuk janë sllavë por shqiptarë; ndërkohë, AKZ-ja dhe të tjerë entuziastë duan të zbatojnë një zgjidhje, në terren, për një problem fund e krye imagjinar.
Tani, a nuk kam vallë të drejtë të pyes, se nëse zëvendësimi nuk është ndonjë zgjidhje për “problemin” e toponimisë me origjinë sllave, atëherë çfarë synon të arrijë pikërisht?
Pyet XhaXhai: “Tani, a nuk kam vallë të drejtë të pyes, se nëse zëvendësimi nuk është ndonjë zgjidhje për “problemin” e toponimisë me origjinë sllave, atëherë çfarë synon të arrijë pikërisht?”
Unë do përgjigjesha: Asgjë. Po përpiqen vetëm të bëjnë pak zhurmë e rrëmujë, me shpresën e vetme që nesër, kur t’i kenë kartat në rregull, të dalin e të lypin ca vota (andej nga Jugu më së shumti) e me shpresën e madhe që do të mund ta kapërcejnë pragun prej 5% (thuhet se do e ulin për të bërë ca ynere..), të zenë një karrige a dy në sallën e re, të Parliamentit të Ri. Nuk është edhe aq e keqe si ide. Preçedenti Veliaj, flet qartë.
Toponimia me origjinë sllave është problem dhe sfidë për dijetarët;…
Pas 3-4 artikujsh rreth kësaj teme, i vetmi dijetar i cituar (dhe i konsideruar si i pabesueshëm) ishte Xhufi…
Nuk e di se ç’bëjnë të tjerët, por kur edhe Xhaxhai (person që ja vlerësoj bagazhin kulturor dhe të njohurive) flet me “të cilat pas gjithë gjasave”, atëhere si duhet të sillet “turma”?
Përsa i përket temës: Këtu, me sa kam kuptuar, nga AKZ, por qoftë edhe nga z.Topi apo kryeministri Berisha, NUK ËSHTË PRETENDUAR një zëvendësim rrënjësor i të gjitha toponimeve, por ndryshimi i atyre që bëjnë muuuuuu dhe që duhet të jenë vetë banorët që ta kërkojnë.
A është e drejtë kërkesa për ndryshimin e toponimeve?
Do thoja që PO.
Sepse nuk po kërkohet që t’i ndryshohet emri Napolit apo Agrigentos, që janë qëndra që kanë ruajtur dhe përcjellin trashëgiminë kulturore të periudhës që kur kanë lindur… tek ne bëhet fjalë për qëndra të vogla banimi që vetëm në 100 vjetët e fundit kanë ndërruar fytyrë me qindra herë.
A përbën rrezik lënia e emërtimeve të vjetra?
Sinqerisht: PO
Jo se pëbën një rrezik për momentin, por ku ta dimë që, pas 50 apo 500vjetësh një popullsi tjetër të marrë revanshin, të themi vllehët p.sh dhe të thonë që ato emërtime i kanë vënë kur zbritën të parët e tyre që kanë banuar në ato treva dhe nga ku, të pretendojnë “natyrshëm” për dominimin e tyre.
Pse eshte problem prania e madhe e sllavizmave apo e turqizmave apo çfaredo dukurie te huaj aty ku duhet te jete dukuri vendase, kete e shpjegon fare mire ne rastin tone, qe shumica e fshatrave te reja jane ne shqip.
Natyrisht ka pasur edhe shume turqizma , si perveç Karaburunit e Karavastase edhe emra fshatrash si Ciflig, Fier-Cifçi, Daullas,Sulaj, Muçaj, Gjokalli etj.
Aty s’ka pase kembe turku ama emrat jane turqizma, ne rastin e Gjokallise vetem prapashtesa -lli.
Rasti i gjithe ketyre turqizmave, qe rivalizojne sllavizmat e zones, eshte nje deshmues i forces se shtetit dhe ndikimit te gjuhes se pushtuesit, pra ekuacioni toponim-kolonizim nuk ka aspak vlere universale, dmth i pambeshtetur nga fakte te tjera ngelet spekullim i pabaze, perndryshe ne rastin e turqizmave faktet thone se s’ka pasur kolonizim por nje proçes asimilimi gjuhesor qe i ka shtyre vendasit te krijojne fshatrat e reja me turqizma.
Tani, ne kushte normale toponimet e vendbanimeve te reja do ishin shqip, me kushte normale nenkuptohet LIRIA POLITIKE dhe ne praktike pothuaj gjithe fshatrat e rinj pas 1912 (me perjashtimet e rastit kuptohet) jane emertuar ne gjuhen shqipe ose kane marre gjithsesi prapashtese shqip, shumica me -as.
Atehere, pse kur shqiptaret gezojne lirine politike jane te prirur ti vendosin emrat ne gjuhen e tyre ose te pakten me prapashtesa shqip ?
Pergjigja eshte e thjeshte , sepse shqiptaret si çdo popull ne gjendje lirie politike, jane te prirur te perdorin gjuhen e tyre ne emertime, sepse eshte ne rendin e natyrshem te gjerave qe emrat te jene ne gjuhen amtare kur s’ka ndonje sundues te huaj.
Eshte zhvillimi i natyrshem i nje kombi ai qe kerkon emertimin ne gjuhen amtare, apo zhvillimi i natyrshem i nje shteti ai qe kerkon emertimin ne gjuhen zyrtare/sunduese te atij shteti.
Ne rastin e shtet-kombeve eshte zhvillimi i nderthurur i kombit e i shtetit qe kerkon emertimin ne gjuhen e atij kombi qe eshte edhe gjuha e shtetit.
Keshtu nese do krijohet ndonje fshat i ri apo qytet i ri, nese dikush do propozonte ndonje emer sllav, turk,grek, italian, anglez normalisht do te shihej shtrember dhe kjo per faktin e thjeshte se liria politike kerkon simbolin e vet.
Tani, kjo perzgjedhje ka fuqi prapavepruese, sepse nese e drejta e zhvillimit te kombit kerkon emertimin ne shqip, eshte e lidhur pashmagshmerisht e pazgjishmerisht me emertimin ne shqip, atehere emertimet ne gjuhe te tjera jane deshmi e moszhvillimit, e nje padrejtesie historike e cila legjitimon vetveten me ane te emertimeve.
Keshtu fuqia prapavepruese e kesaj perzgjedhjeje sherben per vendosjen e drejtesise ne vend, sikunder ta zeme do kishte vlere nje ligj me fuqi prapavepruese per te ndeshkuar padrejtesite e komunizmit ose si ka pasur fuqi prapavepruese ligji qe ndeshkoi padrejtesite nazi-fashiste.
Emertimet ne gjuhen e huaj jane te lidhura me zgjedhen e huaj, me ruajtjen e gjurmeve masive te zgjedhes se huaj, pra me nje padrejtesi historike e cila merr keshtu tagrin e se drejtes historike.
Vetem nese ne e konceptojme historine e shqiptareve si te drejte, mund ta konceptojme eshte emertimin e huaj si te drejte, perndryshe çdo shqiptar i cili sheh tek historia padrejtesi te njepasnjeshme, qe na kane penguar te zhvillohemi, qe na kane privuar nga liria politike dhe vijueshmeria normale e gjuhes dhe kultures sone, nuk ka si te mos e shohe shtrember nje dendesi toponimesh joshqip, qe i heq fytyren shqiptare toponimise se zones.
Prandaj pertej çdo konsiderate, ne thelb kemi te bejme me legjitimimin ose jo te padrejtesive historike.
Ata qe i legjitimojne jane per mbajtjen e huazimeve, ata qe nuk duan ti legjitimojne jane kunder tyre.
Nuk mund te legjitimohet roberia e produktet e saj, nje popull i emancipuar prej zgjedhes se huaj, legjitimon vetem lirine e produktet e saj, roberine dhe produktet e saj i hedh ne koshin e historise, jo ne ate pjese aktive te historise qe ndikon ne ardhmerine e tij.
Hyllin:
Hyllin, shumica e toponimeve osmane që ke sjellë, vërtetojnë të kundërtën e asaj që kërkon të vërtetosh ti.
Emra si Çiflig, Çifçi, Daullas, Sulaj, Muçaj, Gjokalli dhe dhjetra të tjerë që mund të sillen, janë emra të vendosur prej shqiptarëve.
Çiflig, çifçi dhe daulle janë fjalë osmane që përdoren sot e kësaj dite; Sula, Muça dhe Gjoka janë emra njerëzish (antroponime) që i ndesh edhe sot rëndom ndër shqiptarë, si emra dhe si mbiemra; prapashtesa –li/–lli është bërë produktive edhe në shqipe (elbasanlli, skraparlli, vendali, merakli).
Përkundrazi, toponimet sllave janë jo vetëm me origjinë sllave, por edhe kanë një bazë gjuhësore të pamotivueshme.
Për shembull, një shqiptar mund ta vërejë se Trebeshinë, Trebickë, Trebinjë dhe ndoshta Tërbaç kanë një rrënjë të përbashkët (treb-), por kjo fjalë në shqipe nuk ka asnjë kuptim.
Ka kuptim në sllavishte (“shpyllëzim, vend i shpyllëzuar”); çka tregon se këtë vend e kanë emërtuar njerëz që flisnin sllavisht, por jo shqip.
Për ta thënë në mënyrë pak më teknike: toponimet turke, në masë të madhe, e kanë pikënisjen në apelativë; toponimet sllave jo.
Ka përjashtime: Karaburun dhe Karavasta (dhe vetë Elbasan, që është më i vjetër) nuk duket të jenë vënë prej shqiptfolësve; por këto janë tepër pak, për ta lëkundur tezën se toponimet osmane në Shqipëri i kanë vendosur shqipfolësit vetë.
Unë nuk shoh se ç’rol mund të ketë luajtur administrata osmane, në këto emërtime. Shqipfolësi nuk bën dallim mes fjalëve që përdor, përveçse kur i ka bërë propagandë historiani i gjuhës; prandaj nuk ka pasur nevojë për Portën e Lartë, që t’i vihej emri fshatit Fier-Çifçi; sikurse nuk ka pasur nevojë për Carin Bullgar, për t’i emërtuar vendet e shpyllëzuara për toka buke.
Dallimi, e përsëris, është te etnia e emërtuesit: Trebinjën dhe Trebeshinën, i ka emërtuar një komunitet që fliste sllavisht; Gjokallinë dhe Çifligun, një komunitet që fliste shqip.
Edhe një herë, origjina e fjalëve të përdorura është irrelevante.
Toponimet e huaja nuk janë probleme, përveçse sfida për kë kërkon t’i shpjegojë. Duhet të kesh një këndvështrim shumë të shtrembër, shumë mitik, madje krejt paranoid për historinë, që t’i konsiderosh “probleme” që kërkojnë zgjidhje praktike. I ashtuquajturi “problem sllav” në Shqipërinë e Jugut është i tillë për historianin që rreket ta shpjegojë, jo për toskët që jetojnë aty.
”’Ka kuptim në sllavishte (“shpyllëzim, vend i shpyllëzuar”); çka tregon se këtë vend e kanë emërtuar njerëz që flisnin sllavisht, por jo shqip.”’
Meqe solle fjalet me treb-, sllavet praktikonin bujqesi primitive, me primitive sesa gjermanet e pershkruar nga Taciti dhe ky rasti ne fjale, shpreh metoden e tyre.
Metoda sllave, e cila ka nje emer ne italisht qe s’me kujtohet, praktikisht ishte djegje e pyjeve ose e zonave me shkurre keshtu terreni nga hiri behej pjellor (pak a shume si veprohet ende sot pasi korret gruri) dhe per disa vjet i garantonte tokes pjellori, por pas disa vjetesh toka shterpezohej, keshtu sllavet leviznin drejt nje pylli tjeter per te djegur e keshtu me radhe toke pas toke.
Sigurisht qe rasti ne fjale lidhet patjeter me kete metode dhe mund te jete nga toponime sllavesh qe kane praktikuar ate bujqesi primitive ne tokat shqiptare dhe ky kalim brendapakvjeçar nga nje territor tek tjetri mund te jete nje shpjegim per toponimet para-bullgare.
Ideja e sllaveve si kolonizatore hidhet poshte nga vete modeli i bujqesise qe praktikonin, perveç natyrisht argumentave gjenetike, antropologjike etj.
Ne njefare menyre vete perhapja e madhe ne nje kohe shume te shkurter ( 550-650) i detyrohej bujqesise primitive dhe hapesirave te gjera ku mund te zgjidhnin çfare te digjnin.
Harrohet se sllavet ishin nomade te suksesshem, keshtu qe krijohet perfytyrimi i gabuar i sllaveve si qenie sedentare.
Ajo qe eshte kurioze per mendimin tim, vjen nga fakti qe qysh ne kohen e Herodotit skithet bujqesore dalloheshin per prodhimtari te larte gruri, keshtu qe kjo bujqesi primitive e sllaveve eshte nje anakronizem i habitshem per shek 6 – 7.
Nje anakronizem qe i shtynte te mos rrinin dot me shume sesa disa vjet ne te njejtin vend.
Sa per krahasimin, nuk e njohim shkallen e sllavizimit, me siguri nje thes me fjale sllave do jene nderruar me fjale turke pergjate sundimit turk.
Nuk ka logjike qe turqizmat te perzgjidhnin vetem pjesen shqip te leksikut e te linin pjesen sllave apo latine.
Krahas humbjes se fjaleve shqip me turqizmat jane zevendesuar edhe fjale sllave (ashtu sikunder edhe latine) dmth niveli i sllavizmave duhet te supozohet me i larte ne epoken paraturke dhe po ashtu para nderhyrjes se latinizmave mesjetare.
Prandaj nuk e shoh kaq automatike barazimin tend, i cili mund te jete i vlefshem per rastin ne fjale, per treb-, sepse perkon edhe me metoden sllave te bujqesise, por jo thjesht sepse ka rrenjen sllave.
Sa per probleme, jane probleme e kaluar problemit, çdo huazim zhduk nje hapesire per gjuhen shqipe, sa me te dendur jane huazimet aq me pak hapesire ka gjuha shqipe per zhvillimin leksikor.
Perndryshe nuk e ha njeri meraku per gramatiken, sistemin foljor apo sintaksen, sepse autenticiteti shqiptar nuk vihet aspak ne dyshim.
Njerezine e ha meraku per leksikun sepse aty demet jane te medha, hapesirat per autenticitetin shqiptar jane tkurrur ndjeshem, pasi hapesirat per fjalet shqip jane zene nga barbarizma.
Keshtu edhe tek toponimia, duhet korrur bari i keq per ti lene vend grurit shqiptar.
Nuk ka paranoje ketu, paranoja gjendet tek perpjekjet 20 ditore te tuat per te na mbushur mendjen se sllavizmat jane te paprekshme.
Ti ke nje konceptim te historise, qe del nga aftesite e mia te kuptimit, sepse mbron historine joshqiptare ne trojet shqiptare, ne nje kohe qe nje shqiptar logjikisht mbron historine e shqiptareve ne trojet shqiptare, sepse ç’eshte joshqiptare ne trojet shqiptare, nuk ka çi duhet ardhmerise se shqiptareve, eshte pjesa e historise si kosh gjerash qe qene, jo ajo pjese aktive qe i duhet ardhmerise se shqiptareve per te mprehur konceptet e lirise politike, dinjitetit kombetar, interesave kombetare, me pak fjale konceptet qe sot dominojne skenen nderkombetare dhe qe ardhmeria u ka garantuar vendin e nderit.
Hyllin:
Kur vjen puna për historinë dhe albanologjinë në përgjithësi, nuk më intereson absolutisht asgjë tjetër, veç së vërtetës. Tani, nëse tanët e kanë shtrembëruar këtë në mënyra kombëtariste trashanike, atëherë përpjekjet e mia do të duken sikur i mëshojnë së kundërtës.
Thua:
Po kjo është edhe simptoma më e qartë e paranojës sate: bindja se mund të ketë diçka “shqiptare” të kulluar, përtej raporteve të asaj çka është shqiptare më e vjetër, dhe asaj tjetrës që është bërë shqiptare më pas. Nuk ka asgjë racionale në këtë mes: botëkuptimi yt, Hyllin, është fetar. God bless you!
Edhe nje gje tjeter, perveç metodes bujqesore nje zakon i njohur sllav, ka qene qe ne ndryshim nga popujt e tjere nomade (bujqesore si gjermanet ose blegtorale si avaret), te cilet popullsite e mundura i kthenin ne skllever ose ne vasale, ka qene pranimi i tyre ne gjirin e bashkesise, dmth ndersa popujt e tjere sklleverit, roberit i mbanin gjithnje si te tille, sllavet pas pak kohesh u jepnin statusin e bashkekatundarit, ose ndryshe sllavet vepronin ne kuptim integrues ndersa te tjeret ne kuptim perjashtues.
Ky zakon krejt anormal, perveçse eshte marre si nje nga faktoret e suksesit sllav ne Europe (ne nje kohe shume te shkurter) ka qene edhe burim hipotezash rreth faktit qe sllavet nuk kane pase qene nje etni, por nje mix popullatash si psh Antet qe jane sllavet e pare te pemendur nga burimet historike, jane ne fakt nje konfederate sarmato-sllave me elemente te mbetur gjermanike, hune etj, po ashtu Florin Curta, formacionin etnik te sllaveve e vendos ne Danubin e siperm.
Ne Shqiperi ky zakon asimilues, mund te kete dhene formacione katundesh sllavo-vendase, ku ndersa sllavet leviznin tek pylli me i afert sipas zakonit, vendasit rrinin ne katund e rekuperonin tokat shterpe, natyrisht duke mbajtur marredhenie te ngushta me sllavet e mirefillte.
Keshtu psh shpjegohet prania e races mesdhetare vetem ne Ultesiren perendimore ashtu si ka pase qene perhere.
Shpjegimi duhet te jete jo thjesht per toponimet por edhe ne aspektin antropologjik e gjenetik sepse psh perveç gjuhesise e historiane, antropologjia eshte shume e interesuar te shpjegoje mbijetesen e mediterraneve ne Ultesiren Perendimore ne kushtet kur thuhet se fushat u zbrazen nga njerezit.
Keto 2 zakone thelbesore njera ekonomike dhe tjetra sociale, japin shpjegime te kenaqshme multidisiplinore.
Ky zakon i dyte social, pengonte ne fakt krijimin e shtetit tek sllavet, sepse ne mungese te nje institucioni te mirefillte monarkik siç e kishin tribute gjermane, hune, avare etj, dhe piramides inekzistente sociale (psh roberit e luftes japin mundesi te kete nje aristokraci) sllavet gjendeshin te shperndare dhe nuk mund te krijonin dot shtet.
Jo rastesisht avaret ishin elita, turko-bullgaret elite tjeter shteformuese, ose vikinget varenge krijuesit e shtetit te Rusise se Kievit, ose shteti i Samos , tregtar frank.
Biles edhe per serbet e kroatet ka teori qe i bejne me origjine sarmatike ose iranike, por tek keta shteti u krijua fale ndikimit kristian, te gjendurit mes Romes e Bizantit dhe shume vone ne krahasim me dyndjen e tyre ne Ballkan.
”’Po kjo është edhe simptoma më e qartë e paranojës sate: bindja se mund të ketë diçka “shqiptare” të kulluar, përtej raporteve të asaj çka është shqiptare më e vjetër, dhe asaj tjetrës që është bërë shqiptare më pas. Nuk ka asgjë racionale në këtë mes: botëkuptimi yt, Hyllin, është fetar. God bless you!”’
Ue si s’paska gjera shqiptare te kulluara, pse çeshtje ajo gje qe na jep autenticitetit mes kombeve te tjere, nuk eshte pikerisht ajo gje shqiptare e kulluar ?
Nuk jane ato fjalet qe vijne direkt nga indoeuropianishtja qe na japin autenticitetin ?
Ku ka me racionale se kaq, je ti qe rrekesh me sofizma e me kollotumba gjuhesore, qe po perpiqesh te na mohosh autenticitetin, mos t’i ngaterrojme gjerat te lutem shume.
Jo, jo, unë nuk e shoh ashtu. Autenticiteti është rezultat i kombinimit të së resë me të vjetrën. Fjalët që vijnë direkt nga indo-europianishtja na bëjnë indo-europianë, që është një kategori ombrellë. Përkundrazi, është historia jonë – me gjithë incidentet e saj – që na ka bërë unikë, ose individualë, ose autentikë si popull. Autenticiteti buron nga kontakti, shkëmbimi, madje edhe përzierja; jo nga ruajtja!
Quhe si te duash indoeuropianishten, autenticiteti i shqipes mes gjuheve te tjera vjen si pasoje e fjaleve me rrenje indoeuropiane dhe gramatikes e kategorive te tjera gjuhesore.
Keto e bejne gjuhen shqipe autentike, te dallueshme prej gjuheve te tjera.
Ti quaje ca te duash ta zeme Ameriken dhe amerikanet, per europianet jane nje perzierje etnish e racash nen nje shtet qe per me teper s’ka autentike as gjuhen se ajo eshte e anglezeve,jo me kot quhet anglisht.
Ti po shemb racionalitetin per te ndertuar mitin tend, kjo me duket e verteta dhe nevoja e mitit kozmopolit te shtrengon te mbeshtetesh çdo laramaneri e barbarizem gjuhesor, etnik etj.
Nuk me duket se shqiptaret jane gati te perqafojne mitin tend kozmopolit, perveçse i keqargumentuar, nuk eshte as i bukur, as terheqes, as kenaq nevojen e individit per te qene unik e i paperseritshem, jo me kot eshte mit i ndertuar ne tavoline ne ndryshim nga mitet normale qe ndertohen brenda mjedisit folklorik.
Edhe nga pikepamja strukturore eshte pseudo-mit, beji ca hesapet pse s’terheq njeri.
Po ti mendoje pak fare: rrënjë indo-europiane kanë të gjitha gjuhët indo-europiane. Çfarë e bën shqipen autentike është, mes shumë të tjerash, edhe trajtimi që u ka bërë këtyre rrënjëve, cilat ka ruajtur, cilat ka humbur, ç’kuptime u ka dhënë…
Ose më mirë: pyet veten se çfarë i ka diferencuar gjuhët indo-europiane nga njëra-tjetra; çfarë i ka bërë kaq të ndryshme mes tyre sot. Përgjigjja dihet: mënyra si kanë evoluar. Po çfarë ndikon në evoluimin e një gjuhe më shumë sesa kontakti me një gjuhë dhe një popull dhe një kulturë tjetër?
Përmend anglishten, por harron se anglishtja, me karakteristikat që ka sot, është produkt i kryqëzimit të anglo-saksonishtes me frëngjishten normane!
Edhe një shembull nga ballkanistika: çfarë i ka bërë të ngjashme mes tyre gjuhët ballkanike, si shqipja, bullgarishtja, maqedonishtja, greqishtja dhe rumanishtja, përtej përkatësisë së tyre indo-europiane? Kontakti, marrëdhëniet dhe substrati – fjalë e madhe, por që në të vërtetë do të thotë thjesht ndërrim gjuhe.
Në të gjitha rastet, thelbi yt është Tjetri.
Për të bërë një krahasim nga biologjia, çfarë është interesante në lidhje me ty, si Hyllin, nuk është fakti që ke mushkëri dhe veshka dhe thonj – por thelbi yt individual, që është produkt (kontingjent) i të gjitha incidenteve në jetën tënde (duke futur këtu edhe ADN-në e prindërve të tu, e cila është kombinuar rastësisht).