Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Politikë

ARGJEND I NXIRË

nga Doan Dani

Emri i Srebrenicës tashmë është rrënjosur në histori si arketipi përmbledhës i ngjarjeve më tragjike ballkanike të fundshekullit të kaluar, i rishfaqjes së fantazmave të ideologjisë më primitive të zhdukjes së Tjetrit, një ideologji që pothuajse të gjithë evropianët e përfytyronin të varrosur ose të paktën të zëvendësuar nga “harmonia” e sforcuar si prodhim i komunizmave lindorë dhe nga kujtesa perëndimore e pasojave të Luftës së Dytë Botërore.

Aktor, regjisor dhe spektator

Ai mes korriku i 1995 fatkeqësisht dëshmoi se një gjysmë shekulli nga gjyqi i Nurembergut, në qoshen jo edhe aq të humbur të një kontinenti me pretendimin e parësisë territoriale dhe kohore të civilizimit, u konsumuan krime akoma më të llahtarshme, e gjithashtu vërtetoi se zgjidhjet në tryezën e Fuqive të Mëdha në të vërtetë kishin qenë shtyrje e kasaphanës nga fillimi i shekullit të XX në epilogun e tij.

Përsëri politika ndërkombëtare, veçanërisht ajo evropiane që luante në shtëpi, e zvarriti lojën me heshtje dhe me manovra të çuditshme derisa zgjidhjen e morën përsipër serbët. “Derrat”, siç i quante Ratko Mladič, ishin tubuar në Srebrenicë mes ankthit dhe shpresës së shpëtimit nga ndërhyrja evropiane, por kërkesat e komandantit të “top-modelëve” holandezë për ndërhyrje ajrore ranë në veshin e tre “gjeneralëve paqësorë” të UNPROFOR.

Pak kohë përpara ditëve të korrikut, në fund të muajit maj, siç vëren Jože Pirjevec, Boutros-Ghali kishte mbështetur kërkesën e triumviratit për të tërhequr paqeruajtësit e OKB drejt zonave më të sigurta të Bosnjës së kontrolluar nga forcat e boshnjakëve muslimanë dhe kroatëve: se çfarë duheshin paqeruajtësit larg zonave ku mungonte paqja ngelet një dilemë komike në mesin e atyre ngjarjeve të tmerrshme.

Që këtu, por edhe përgjatë gjithë konfliktit, lexohet qartë hezitimi fatal, veçanërisht ai i kryesuar nga politika franceze, përballë ndërhyrjes në mbrojtje të popullsisë boshnjake, ironikisht përkrah vëtëshpalljes me kokëfortësi si mbrojtësit e civilizimit.

Lotët e krokodilit: kërkimi i indulgjencës

Se çfarë ndodhi ato ditë agonie është realitet i njohur dhe i dokumentuar, madje edhe me xhirime: vrasja nuk e shuante etjen e gjakut, duhej edhe spektakli për ta rrëfyer si trofe nga “trimat” që kënaqeshin mbi pleq dhe fëmije. Forcat serbe patën kohën e duhur për të shfarosur, për të varrosur dhe zhvarrosur, sigurisht sipas një plani të paracaktuar dhe largpamës, i ngjashëm me “zgjidhjen përfundimtare të çështjes hebraike” të jetësuar nga nazizmi. Ashtu si në rastin e kampeve të përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore, kush kishte mundësi dhe detyrë – kjo u dëshmua në ndërhyrjen e menjëhershme për parandalimin e konfliktit në Slloveni dhe ndërprerjen e luftimeve në Kroaci – qëndroi indiferent. Është akoma herët për historianët plotësimi i mozaikut të ngjarjeve dhe mjaft libra nuk shkojnë përtej emocioneve dhe teorisë së misterit. Le t’ia lëmë kohës. Problemi është se çfarë ndodh sot pas 16 viteve.

Janë me mijëra viktimat që prehen të humbura nëpër gropa, ka të tjera që janë zbuluar por identifikimi është akoma me i komplikuar se odiseja e zhvarrimit. Moralisht është i detyrueshëm varrimi dinjitoz, ligjërisht është akoma më i detyrueshëm gjykimi i krimit dhe i kriminelëve.

Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim është arritur me arrestimin e Radovan Karadžič, në korrikun e vitit 2008, dhe Ratko Mladič, në majin e këtij viti. Serbia arreston Mladič dhe i afrohet Evropës ishte titulli i faqes së parë të gazetës më të lexuar në Itali. Kur u arrestua Karadžič, ministri i jashtëm italian nënvizoi domosdoshmërinë e përshpejtimit të procesit të integrimit serb në Evropë. Fjalë të ngjashme erdhën nga presidenca franceze pas arrestimit të kriminelit tjetër.

Pra, pasi Karadžič dhe Mladič jetuan të qetë në Serbi, njeri duke mbajtur leksione e duke u shfaqur në televizion, tjetri duke kaluar pushimet në Malin e Zi, i strehuar për një kohë të gjatë në lagjen më rezidenciale të Beogradit, i mbrojtur dhe, sipas sondazheve, i adhuruar nga 2/3 e serbëve, për politikën kontinentale rruga e Serbisë drejt familjes evropiane është në zbritje.

“Nëse në Perëndim vras një person, jam kriminel e do të ndëshkohem. Nëse vras dhjetë persona, do të thonë se jam një kriminel serial. Por nëse në Bosnje vras 200.000 persona, do të jem i ftuar në tryezën e bisedimeve”, deklaronte në 1994 Haris Silajdžič për revistën gjermane Die Woche, dhe tani mund të shtojmë, mjafton dorëzimi i vonuar i dy kriminelëve për të marrë edhe medalje nderi.

Këtu janë kapërcyer disa hapa njëherësh duke shkelur mbi të vdekurit. Denoncimi, arrestimi dhe gjykimi i kriminelëve është vetëm fillimi i një procesi i cili ka për qëllim realizimin e bashkëjetesës pas ndërtimit të valvolave që çlirojnë urrejtjen hakmarrëse të akumuluar gjatë dhe pas konfliktit. Edhe në brendësi të këtij hapi ka disa shkallë. Kush janë kriminelët? Sa janë ndëshkuar? Sa të tjerë jetojnë të patrazuar në Serbi? Çfarë ndëshkimi/trajtimi kanë marrë?

Shpesh herë duket i mjaftueshëm arrestimi, por në fakt nuk është kështu, pasi viktimat e gjalla privohen nga drejtësia nëse, për shembull, Miladin Trivič dhe Slobodan Bajič dënohen nga gjykata e Hagës, në 2009, me 15 dhe 8 vite burgim për vrasje, përdhunim dhe tortura.

Në pritje të metamorfozës

Hapi i mëtejshëm është pendesa politike dhe dëmshpërblimi i viktimave, siç na mëson shembulli i Gjermanisë pas dy Luftërave. Deri më sot Beogradi nuk ka ndërmarrë asnjë nismë në drejtim të dëmshpërblimeve, por i ka kërkuar zyrtarisht falje popullit boshnjak në vitin 2010, të paktën për ngjarjet e Srebrenicës.

Janë dashur 15 vite për miratimin e një rezolute të tillë nga parlamenti serb, kur po ndjehej flladi i anëtarësimit evropian, pas 13 orësh debat dhe 127 votash, dy më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të parlamentarëve, edhe pse të detyruar. Pendesa duket shumë serioze!

Po në të njëjtin vit është zyrtarizuar edhe pendesa për ngjarjet e Vukovarit, simbolin e konfliktit në Kroaci, ndërsa për vandalizmin e tifozerisë serbe në Genova, përpara ndeshjes së futbollit me Italinë të datës 12 tetor 2010, pendesa zyrtare ishte e vetëtimshme: u thyen ca xhama, u dogj një flamur shqiptar, u shpalosën disa parrudha “çuditërisht” koherente me ato të Beogradit politik, mbeti nëpër faqet e para të gazetave tatuazhi i një datë simbolike të kompleksit mitologjik të nacionalizmit serb, dhe asgjë më tepër, ndërsa për viktimat e Kosovës ka ende kohë.

Kur politika reflekton sforcimin, madje në falsitetin e saj, hapi vendimtar, ai i revizionimit të ndërgjegjes kolektive, vazhdon të jetë një mirazh i largët. Sigurisht që kjo terapi nevojon kohë të gjatë ndërhyrjeje konstante nga elitat, nëpërmjet ilaçeve shkencore, me qëllim riparimin e asaj çka është infektuar nga fillimet e shekullit të XIX, por nga ana tjetër është e vetmja shpresë e tejkalimit përfundimtarë të situatës konfliktuale ende zhurmuese në Ballkan.

Kështu, derisa viti 1389 të vijojë simbolizmin e rënies së djepit mesjetarë të serbëve – kur ky territor ishte gjoja “djep” vetëm për dy shekuj e gjysmë nga rreth 1.400 vitet e ngulitjes serbe në Ballkan –, derisa boshnjakët muslimanë të konsiderohen tradhtarë ose rrëmbyes të tokave akoma më të hershme – kur këta janë “tradhtarët” e një tradite paraardhëse dhe “zaptues” po aq sa edhe serbët e kroatët –, derisa Krajina e serbizuar me vlleh nga austriakët dhe osmanët të ëndërrohet si skaji veriperëndimor i djepeve mitologjike etj., rruga e stabilizimit të rajonit është e tëra në ngjitje.

Kultivimi dhe përcjellja e urrejtjes

Megjithatë, do të ishte i padrejtë fajësimi i individëve ose i shumicës të një populli të vetëm në vorbullën ballkanike. Të sëmura ka edhe në gjirin popullit tonë, fatkeqësisht më shumë tek elitat.

Vitin e kaluar At Anton Kçira i quante “qenë” viktimat në Bosnje dhe shqiptarët e shpëtuar të Kosovës: e njëjta etiketë u rishfaq në artikullin e botuar nga gazeta Sot me datë 9 qershor 2011, e përforcuar me: “dhe unë do ta kisha dëshiruar me të gjithë zemër, që ata dhe prindërit që i lindën ata të qenë asgjësuar nga serbët dhe kroatët në luftën e fundit në Bosnjë dhe Herzegovinë”, apo holandezët mundësuan “që Ballkani të çlirohet sadopak nga ky mallkim që janë boshnjakët islamikë”. “Koincidencë” interesante.

Po të mendosh se janë larguar shumë pak, nga “derrat” (sipas Mladič) tek “qentë”, “koincidenca” është edhe më interesante. Natyrisht ky është shpërthimi më delirant dhe provokues i urrejtjes që buron nga mospranimi i realitetit, ndërsa autorët janë vullnetarët e munguar përkrah forcave serbe, ukrainase, ruse, greke etj, në Srebrenicë: siç duket pagesën e 2.000 markave për ato ditë korriku e marrin me këto shërbesa.

Huntington, duke propozuar një artikull të The New York Times të 1994, përshkruan spastrimin serb të muslimanëve nga qyteti Zvornik sëbashku me “vendosjen e një kryqi në vend të kullës osmane të porsa hedhur në erë, që kishte zëvendësuar një kishë ortodokse të shkatërruar nga turqit në vitin 1463”.

Pa i mohuar asgjë këndvështrimit konkret të autorit të “përplasjes së qytetërimeve”,  ky rast mund të lexohet si “përplasje kohore”: 250 vitet e simbolit të ortodoksisë, të tejkaluara që prej më shumë se pesë shekujsh, u kanë mjaftuar serbëve të përmbysin tragjikisht realitetin, madje edhe me kampe përqendrimi. Për më tepër, këto dy shekuj e gjysmë vijnë pas një periudhe përmbysjesh të vazhdueshme, pasi serbët dhe identiteti i imponuar në Zvornik pas vitit 1992 nuk kanë mbirë nga dheu.

Kjo forcë perverse e mbivendosjes së dhunshme të kaluarës mbi realitetin aktual ka ushqyer konfliktet ballkanike – dhe e jo vetëm ato – që në shekullin e XIX dhe vazhdon të përkundë akoma sot imagjinatën e përbashkët të personave me hapësira publike.

Slavoj Žižek, filozofi slloven, e përmbledh akoma më qartë ‘përjashtimin e realitetit’ nëpërmjet metaforës të ngritjes së kufijve identitarë nga popullsitë e ish-Jugosllavisë: sipas sllovenëve, vëren ai, kufiri i Evropës është lumi Kupa – kufiri natyrorë me Kroacinë –, për kroatët ky kufi është ai me Serbinë ortodokse, ndërsa për serbët kufiri zhvendoset në vijën ndarëse me boshnjakët dhe shqiptarët, pra mes besimeve fetare.

Tani, për ata shqiptarë, që sipas imagjinatës serbe ndodhen në zonën përtej Evropës dhe që me të vërtetë ndjehen të pushtuar nga një realitet alien, mënyrat për të shtyrë kufirin janë dy: e para, ajo e sipërcituara e “vrasjes së qenve”; e dyta, e ndërhyrjes së përqendruar imagjinare në histori.

Kjo e fundit, e lexueshme në drejtues dhe politikanë, është edhe më e rrezikshmja sepse, ndryshe nga shembujt e mësipërm banal, ndrydh me pasoja patologjike mllefin e kultivuar gjatë shekujve, tashmë të transformuar në zi brezash, për ta konservuar në momente të ardhshme. E kam fjalën për ato që e konsiderojnë realitetin e sotëm shqiptar si “tradhti e tradhtive” ndaj një trungu mesjetarë të pretenduar, të cilit qëllimisht ja harrojnë rrënjët politeiste; për ato, madje edhe politikanë e shkrimtarë, që, përtej fantazive hamletiane, u shfaqet fantazma e Kostandinopojës dhe ëndërrojnë misionin kanunor “të gjakmarrjes shëruese” për popullin tonë “më përpara me titull të plotë evropian, më pas të nxirë, të skuqur dhe të zverdhur […] tani në kërkim të vetvetes”: pastaj vetëshpallen atdhetarë dhe nacionalistë, por shqiptarizmi nuk është bazuar në mohimin e një pjese të kombit për ëndrrat fetare tradicionale.

Meqenëse këtyre individëve, të cilëve ua japim rrogën dhe votën, kjo u shëmbëllen si zgjidhja e problemeve të shqiptarëve, le ta provojnë ashtu siç i lexuan grekët retë e Kostandinit në fundin e Luftës së Parë Botërore, pasi Kostandinopoja, sot Stambolli, nuk është larg.

Shërimi kolektiv, kaq shumë i shpresuar, është ende i largët. Fatkeqësisht Srebrenica – srebren, ‘argjend’ – dhe gropat e tjera të zhdukjes së realitetit ngelen të padukshme, për të mos thënë të adhurueshme, për shumë ballkanas. Është e kotë krenaria e relikteve me “titull evropian” kur  nga Evropa nuk mësojnë të tejkalojnë primitivizmin vetjak.

 

Shënim: Titulli është i PTF. Titulli i origjinalit: Shkëlqimi i argjendit të nxirë.

Pa Komente

  1. I nderuar autor.

    Barazimi i premisave midis te gjithe lojtareve te “match”-it ballkanik eshte i rreme.
    Shqiptaret e shkrete kurr nuk kane qene ne gjendje te kene virtuozitetin e komshinjve tane.
    Shqiptaret as i shpallen lufte kujt, as pushtuan ndokend, as enderruan e thuren plane grandioze perandorish te famshme.

    Mbaj mend tim gjysh, qe dikur, kur isha femije, me spjegonte se ” nji bullgar asht ma i keq se sa 10 shkje”

    Ku tjeter pervecse nder shqiptar mund te haset ai lloj bashkejetimi midis feve madhore te kohes? Dhe kjo s’i do atribuar as injorances e as prapambetjes se gjithfarshme. Ka ne kete realitet nje dicka qe, po te me fale Xhaxhai perifrazimin, shkon pertej se “ardhmes”.
    Jo cdo gje eshte e kalbur ne shtetin e Danimarkes.

  2. Artikull shume i mire per ate qe mund te quhet ndryshe si “alkimia ballkanase” qe sjell transformimin nga “evropianet me titull te plote” te znj. Shamku nepermjet “nxirjes” dhe “zverdhjes” ne “qente” e At Antonit…

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin