BJERI T’I BIEM

nga Xhabyni

Tashmë që vendimi u mor, tashmë që fjala u tha të gjithë janë gati të zbrazin armët e tyre. Një pjesë e kaubojsave do të godasin fituesin ndërsa një pjesë tjetër e kaubojsave do të mbrojnë fituesin, po më tej? Më tej nuk ka asgjë, të paktën nuk e di se çdo të ndodhë. Por gjithsesi patllaket kësaj radhe do të jenë mbushur më mirë, municionet do jenë grumbulluar më shumë dhe gjithsekush ka thurur planet për të sulmuar shënjestrën e kundërshtarit.

Ata që kanë rënë nga pushteti do të jenë më të egërsuar për të sulmuar fortifikatën në të cilën sapo është vendosur fituesi i ri, sepse pluhuri i të mospasurit pushtet do t’i ketë lënë një shijë shumë të hidhur, ndërkohë që fituesi dhe kaubojsat e tij do të zënë vendet pranë fortifikatës në mënyrë të tillë që t’i bëjnë ballë sulmit të atyre që sapo u larguan për të ruajtur pushtetin.

Ata që do të sulmojnë fituesin do të përdorin fishekë sa populistë aq edhe juridikë, por në çdo rast do distancohen nga të qenët një analist për popullin apo një jurist, kështu do të jenë kaubojsa më të zellshëm dhe më të rrezikshëm për t’u mbërthyer apo për t’iu mbyllur goja, sepse do të flasin nga “padija” apo nga dija e marrë në një moshë të vonë.

Do të ngrihen edhe do të pohojnë se regjimi i mëparshëm në bashki ishte shumë më i suksesshëm dhe më i mirë menaxhuar se ai që do të vijë tani. Do të pohojnë se zgjedhjet u vodhën (a thua të jetë e para herë që ndodh kjo?), do të krahasojnë Shqipërinë dhe Tiranën (që me demek e duan si sytë e ballit) me ndonjë Kandahar, Azerbaixhan, Republikë Islamike, Sudan Jugor etj; duke rënë nga paragjykimi në racizëm, ndërkohë që mbiemrave të ndryshëm të krahut fitues do t’u veshin ndonjë prapashtesë turkoshake apo me origjinë lindore si për të treguar nofkën “Ja Lulka është bir i lindjes, nuk është perëndimor si Edi”. Do të përdorin thashethemnajat që bëjnë në Lounge-t e Tiranës si meze për shkrimet e tyre duke vënë gjithnjë në pah se nuk po vajtojnë për karrigen e humbur, por për Tiranën e dashur.

Ndonjë kauboj do të bëj edhe ndonjë dredhi lufte duke sulmuar me kinse komandantin e tij, për t’i mëshuar faktit se po mendon për Demokracinë  (pra për popullin, qytetin, komunitetin), por në realitet vetëm po  mëkon dhe ngushëllon komandantin, sa herë që ai kujtohet se ka humbur pushtetin.

Kështu duke u kthyer në një filozof cinik, kauboji në fjalë, fillon dhe i predikon moralin e lartë (brenda një audience të madhe), moralin e përkryer, ndërkohë që komandanti i tij luan rolin e atij liderit të penduar që ka kuptuar gabimin dhe që premton se jo vetëm që do ndryshojë por edhe do sjellë ndryshimin.

Dikush tjetër thotë se do të largohet nga qyteti, se tashmë në këtë qytet nuk mund të jetohet më, duke qenë se kamzalinjtë do ti zënë vendin tepelenasve, duke qenë se me shumë mundësi Lulka do ti heqë nga puna të gjithë dhe ndryshe nga komandanti i tij ai nuk do ketë mëshirë për askënd.

Po ç’të bëjë Luli kur Edi të gjithë ushtarët dhe figurat e tij i kishte krijuar me duart e veta në bashki?! Dikush tjetër do të dezertojë sepse s’do të durojë më “vuajtjen” e të qenit pa pushtet dhe do të vijë me flamurë të bardhë përpara kalasë së fituesit duke shpresuar në mishërimin e shprehjes “Armiku i armikut tim është miku im!”.

Kaubojsat që janë rreshtuar krah Lulit, do të mundohen të mbrojnë idetë e tij (që në të shumtën e rasteve janë dhe idetë e tyre), për të ruajtur balancën mes kritizerit dhe shtytësit. Shumë prej tyre do t’u duhet t’i thonë shpesh derrit dajë. Disa të tjerë mund të mbeten të zhgënjyer, sepse mund të kenë shpenzuar shumë në këtë betejë dhe tani nuk do të jenë të kënaqur me plaçkën e luftës, kështu që do të mërziten…do të dezertojnë.

Disa syresh do të sulmojnë Lulin sepse do ta shohin si rrezikun e ri brenda tarafit të tyre, disa të tjerë do të qëndrojnë në hije duke pritur rastin për t’iu afruar sërish plaçkës të cilën e kanë kërkuar por nuk u është dhënë. Të tjerë do të ngazëllehen aq shumë për fitoren që korrën ndaj kundërshtarit, saqë do të mund të dehen sikundër bënë trojanët kur menduan se i kishin mundur Grekët, por kujdes Uliksin dhe kalin e tij!

Do t’u duhet shumë punë sherifave, për të mbrojtur premtimet; do t’u duhet të luftojnë shumë ndaj vetes së tyre por edhe ndaj presioneve të të premtuarve; në fund të fundit duhet të tregojnë se e meritojnë ngritjen në detyrë nga Kauboj në Sherif të qytetit. Do t’u duhet që plumbave populiste dhe juridike të kaubojsave t’ua kthejnë me plumba të tjerë, për të treguar atë maturi që treguan në fushatë, kështu do të kuptojmë të gjithë nëse Luli me kinse bënte në fushatë apo është realisht i tillë. Do t’u duhet që të mos hutohen nga pasuritë e mëdha që mund t’u ofrojë kryeqyteti, për të treguar se nuk e morën me hile kalanë, se e kanë pasur me të vërtetë sloganin “Të parët jeni ju”.

Për këtë të fundit dyshoj, gjithsesi një pjesë e qytetarëve kanë qenë të bindur, në votën e tyre, se Tirana meriton më shumë dhe kanë besuar te plani i Lulit dhe ia kanë dhënë votën me shpresën dhe bindjen se ai do të bëjë diçka. Të tjerë u mërzitën nga prepotenca e komandantit të kaubojsave, nga feudalizmi i tij, nga idetë diktatoriale dhe anarkiste që jo pak herë shfaqen në fjalimet e tij, nga dhuna mediatike (të cilën po e kopjon mot à mot edhe Berisha, çka do t’i kushtojë shumë).

Shumë të tjerë, që kanë votuar për Edin më së shumti, do të vazhdojnë të pohojnë se Luli nuk e mori por ia dhanë apo e grabiti, të tjerë akoma do të marrin plumbat e kaubojve dhe do t’i përdorin si argument. Ka prej tyre që nuk kanë votuar, të lodhur dhe të mërzitur nga feudalizmi i veshur me maskën “Kapitalizëm neoliberal” dhe natyrshëm shtrohet pyetja: Ç’duhet të bëjë fituesi? Duhet të punojë! Kush paragjykohet le të tregojë se ata (paragjykuesit) e kanë gabim; dhe kush ka besuar le të shpërblehet në besimin e tij, përndryshe do të vazhdojmë të mishërojmë shprehjen “Bjeri ti biem”!

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin