Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Histori

MËRI ALFABETESH (I)

Rastësisht, duke kërkuar të dhëna për Kongresin e Manastirit, të vitit 1908, ndesha në faqen përkatëse të Wikipedia-s shqipe.

Siç dihet, Kongresi në fjalë u mblodh për të vendosur se me ç’alfabet do të shkruhej tash e tutje gjuha shqipe; ose për të zgjedhur midis alfabeteve të ndryshme të shqipes që qarkullonin në atë kohë.

Mes alfabeteve ekzistuese, shumë autorë të Rilindjes Kombëtare, sidomos ata me prejardhje nga Jugu, kishin bërë të vetin të ashtuquajturin Alfabet të Stambollit, i cili përdorte një bazë latine, të plotësuar me një numër shkronjash jolatine – greqishte dhe cirilike.

Krahas Alfabetit të Stambollit, për të shkruar shqipen përdoreshin edhe alfabete të tjera, mes të cilave më të rëndësishmit ishin ato me bazë tërësisht latine të shoqërive katolike “Bashkimi” dhe “Agimi” në Shkodër.

Më parë shqipja ishte shkruar edhe me alfabetin grek, alfabetin arab, ose alfabete origjinale, të shpikura prej autorëve individualë. Megjithatë, nga të gjitha këto alfabete, vetëm dy konkurronin seriozisht mes tyre – ai i Stambollit, dhe alfabeti me shkronja thjesht latine.

Dihet botërisht se Kongresi i Manastirit, pas shumë diskutimesh, vendosi që ta lërë të hapur çështjen e njësimit të alfabetit, duke i pranuar të dy alfabetet si të përshtatshme për shqipen.

Ishte një vendim kompromisi, që i hapi rrugë imponimit të alfabetit thjesht latin, meqë ky ishte më i thjeshtë dhe tipografikisht më i volitshëm si ai i Stambollit.

Të gjitha këto, janë njohuri elementare, të cilat mund t’i gjesh në çdo tekst historie.

Prandaj u çudita tek lexova, në Wikipedia, se:

Kërkesa e kombëtaristëve shqiptarë ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin, gjë që nënkupton mosnënshtrimin qoftë ndaj otomanëve, qoftë ndaj grekëve. Kongresi vendosi me votë unanime të lënë mënjanë alfabetin e Stambollit, dhe ta shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja dhe që përdoret deri më ditët tona.

Ky informacion jo vetëm është i gabuar dhe kumton, në thelb, të kundërtën e çfarë vendosi Kongresi, por edhe lë të kuptohet sikur Alfabeti i Stambollit i përket njëfarësoj traditës së të shkruarit të shqipes me shkronja jolatine.

Kësisoj, zëri i Wikipedia-s në vend që të informojë, haptazi dizinformon; dhe e bën këtë jo nga padija. Në fakt, në bibliografinë e faqes, citohet edhe vepra e mirënjohur e Sh. Demirajt dhe K. Priftit, për Kongresin e Manastirit, në të cilën këto punë janë sqaruar mirë dhe krejt ndryshe nga ç’thuhet në artikull.

M’u kujtua, në këtë kontekst, që para disa kohësh, edhe unë kisha polemizuar me shkrimtarin Albri Brahusha, i cili, në një artikull të vetin në Shekulli, kishte shkruar, ndër të tjera:

Due me permendë faktin se në Manastir me 1908, prej Mjedës dhe Fishtës asht ba një luftë e madhe që gjuha shqipe me përdor germa latine. Kjo u arrit dhe do ta ndante përfundimisht gjuhën shqipe dhe Shqipninë prej ndikimeve turke, greke apo cirilike.

Ky paragraf, nga mënyra siç është formuluar, lë të kuptohet se ishte krahu katolik i Rilindjes Kombëtare, që luftoi për alfabetin latin të shqipes. Në fakt – dhe kjo duhet mbajtur parasysh mirë – Alfabeti i Stambollit është alfabet mbi bazë latine, i plotësuar me disa shkronja greke dhe cirilike, të cilat përdoren për të shenjuar ato fonema të shqipes që nuk kanë përgjegjëse të drejtpërdrejta në alfabetin latin.

M’u kujtua pastaj edhe një artikull i K. Myftarajt, botuar në gazetën Sot, ku autori e quante Alfabetin e Stambollit “të turpshëm”, për shkak të shkronjave greke dhe sllave që përdoren aty, dhe pastaj vërente me delikatesën karakteristike:

Ata që i imponuan gjuhës shqipe alfabetin me gërma greke dhe me cirilica, morën mbi vete turpin e historisë dhe vepra e tyre u mbulua në varrezën e turpeve të historisë shqiptare.

Me sa duket, ekziston një rrymë e nëndheshme në mendimin shqiptar bashkëkohor, e cila po ia mban për faj të madh Alfabetit të Stambollit shkronjat jolatine që ka pranuar – duke harruar rolin që ka luajtur ky alfabet gjatë Rilindjes Kombëtare, librat që janë shkruar me të, autorët që e kanë krijuar dhe autorët e tjerë që e kanë përdorur.

Siç mund të pritej, dizinformimi i faqes në Wikipedia është përcjellë edhe në faqe të tjera të Internetit shqip, të cilat njëlloj flasin për hoxhën që ka përqafuar Gjergj Fishtën në Kongres dhe për vendimin e atjeshëm që të “lihej mënjanë” Alfabeti i Stambollit. Një shpifje-lajthitje, e shumëzuar deri në marrëzi, falë papërgjegjësisë brutale të Internetit shqip.

Si do ta shpjegojmë këtë mllef gati histerik ndaj Alfabetit të Stambollit, me të cilin janë shkruar jo vetëm veprat themelore të Rilindjes Kombëtare, por edhe tekstet shkollore dhe abetaret e shkollave të para shqipe; dhe që, pa pikë dyshimi, është pjesë konstitutive e Rilindjes Kombëtare?

Në sipërfaqe, duket sikur mllefi ka të bëjë me ato pak shkronja jolatine që përmban alfabeti; por mllefi për shkronjat jolatine shumë lehtë mund të shndërrohet në një vegël për të stigmatizuar dhe minimizuar komponenten jugore (toske) të Rilindjes, në emër edhe të një revanshi katolik në kulturën kombëtare. Mjaft të lexosh elukubracionet e Myftarajt, më sipër, për të kuptuar se sa thellë kërkon ta futë kazmën shkatërruese ky farë revizionisti i historisë kombëtare.

Për kureshtarët, po sjell këtu më poshtë një tabelë përmbledhëse të shkronjave të Alfabetit të Stambollit:

Ja edhe si i shpjegon vetë Sami Frashëri arsyet e përdorimit të shkronjave jolatine në Alfabetin e Stambollit (cituar sipas Lloshit, vep. cit. f. 166-167):

Vërtet shkronjat’ e llatinishtesë janë aqë të paka, sa jo për gjuhët tënë, që ka kaqë zërra, po edhe për gjuhërat e Evropësë nuk janë mjaft. Evropianët për të mbushurë ato të pakatë, shkruajnë nga dy shkronja, e i këndojënë të dyja bashkë, po kjo është një pun’ e rëndë e e mërziturë. Kësaj i desh gjëndurë një udhë.

Përmi këtë shumë njerëz janë menduarë edhe shumë udhëra kanë gjeturë, po nonjë nukë ka qën’ e leht’ e e pëlqyerë sikundrë duhetë. Këtë herë që u duk nevoj’ e madhe për të shkruarët e të gjuhësë sanë, këtë her’ u gjënt edhe një udhë shumë e lehtë’ edhe shum’e mirë: Muarrmë të njëzet e pesë shkronjatë llatinishte, u dhamë cave nga ato një këndim pas nevojës së gjuhësë sanë, edhe nga të njëmbëdhjetat’ e tjera ca i bëmë prapë nga ato shkronja, duke ndërruarë pak fytyrënë, ca i muarrmë nga greqishtja, që ësht’ edhe ajo një nga motërat e vjetëra të gjuhësë sanë, si edhe llatinishtja.

Xhevat Lloshi, i cili historisë së alfabetit të shqipes i ka kushtuar një monografi tani së fundi (Rreth alfabetit të shqipes, Logos-A, 2008), vëren se argumentimi i mësipërm i Sami Frashërit është i saktë teknikisht, por jo deri në fund bindës, sa kohë që mangësitë e alfabetit thjesht latin mund të plotësoheshin edhe nëpërmjet përdorimit të shenjave diakritike (p.sh. ë, ô, ï, ç, ñ, etj.) sikurse edhe veprohet, në dy raste, me alfabetin e sotëm të shqipes; prandaj, zgjedhja e shkronjave greke, përkatësisht sllave, nuk do të ketë qenë e diktuar thjesht nga rrethanat teknike dhe tipografike. Sipas Lloshit, në të vërtetë:

Alfabeti i Stambollit ishte një zgjidhje kompromisi, një kompromis që theksohej duke e quajtur “alfabet kombëtar.” Ai ishte hapi i fundit, përpara se të arrihej shkëputja vendosmërisht nga alfabeti grek. [f. 167].

Lloshi vëren se Alfabeti i Stambollit “përgjithësisht nuk u ndoq në Veriperëndim të vendit”, ndërsa gjeti mbështetje të madhe në Shqipërinë e mesme dhe veçanërisht te bejlerët dhe myslimanët e Tiranës.

Megjithatë, shpjegimin më të besueshëm për shkronjat jolatine në Alfabetin e Stambollit ndoshta do ta gjejmë gjetiu.

[vijon]

Pa Komente

  1. Xhaxha, të më falësh që dal pak nga tema, por nuk e mbaj dot të qeshurën me këtë: “Në këtë punishte ishin të punësuar 17 vetë, të cilët punonin me një makinë të re elektrike, që vihej në lëvizje me dorë tek linku i Kongresit të Manastirit.
    Ndërsa linku tjetër, i alfabetit të Stambollit, rezulton i grisur.

    1. Ja ç’gjeta në faqen përkatëse të Wiki-t:

      20 nëntor 2008 17:06 Cradel (Diskuto | kontribute) grisi “Alfabeti i Stambollit” ‎ (përmbajtja ishte: ‘ma hani karin‘ (dhe i vetmi redaktor ishte ‘77.242.26.173’))

      Jetojmë në kohë rrugaçësh dhe shpellarësh. Nëse ky pohim imi “fyen” ndokënd prej këtyre Neandertalëve të Internetit shqip, këta do të dinë se ku të drejtohen për ndihmë akademike.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading