Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Komunikim / Politikë

SUPERLATIVITIS ACUTA

Kam vënë re që kryeministri Berisha, kohët e fundit, ka filluar të përdorë pak si shpesh një ndërtim gjuhësor karakteristik, të njohur si “sipërore relative”.

Ja një shembull i këtij ndërtimi (me shkronja të theksuara; lidhja gjendet në krye të fjalisë):

Në Shqipëri ju do të gjeni tregun e forcës punëtore më të mirë në Europë. Një treg të ri, të edukuar mirë, shumë punëtor, por gjithashtu më të lirin.

Ndërtimi konsiston në një mbiemër në shkallën sipërore relative (më të mirë), të ndjekur nga një emër i cili në thelb shenjon bashkësinë me të cilën bëhet krahasimi.

Mbiemri zakonisht i shoqërohet një emri i cili ka lidhje me një sektor të ekonomisë, ose një ligj, ose një karakteristikë tjetër e cila lidhet njëfarësoj me punën e qeverisë.

Ekonomia shqiptare është një ekonomi në vrapim, ne qëndrojmë në krye të rritjes ekonomike në Europë, bëjmë rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve. Sot ne kemi një arsye madhore për të qenë krenar sepse, këtë vit Lezha dhe Shqipëria është shpallur e bukura e dheut, destinacioni turistik më i bukur i gjithë botës”, deklaroi ai.

Krahasimi mund të bëhet brenda rajonit (Ballkanit), kontinentit (Europës) ose botës mbarë.

Sipas tij një hap tjetër pozitiv është edhe lëvizja e lirë ë shqiptarëve, pasi këto reforma kanë bërë që ekonomia të jetë nga më entuziastet dhe më të mirat në Europë.

Nëpërmjet këtyre sipëroreve, Berisha synon – së paku drejtpërdrejt – të japë vlerësime për punën e vet si kryeministër, ose të administratës që ai drejton. Ndonjëherë, sipëroret janë interpretime të atij vetë, të të dhënave të ndryshme të nxjerra nga shtypi ndërkombëtar ose nga raporte organizatash të ndryshme:

Ka bërë që Shqipëria të ketë sot, siç deklarojnë institucionet më serioze ndërkombëtare si një nga sistemet më të mira në botë të prokurimit publik, ka bërë që Shqipëria të shndërohet në mënyrën më të paimagjinueshme në një hark kohor 6-vjeçar në hartën e turizmit botëror në Miss Bota 2011 për sa i përket turizmit.

Megjithatë, në shumë raste të tjera, sipërorja nuk i referohet ndonjë fakti konkret, por vetëm një dëshire sa të mjegullt, aq edhe entuziaste (wishful thinking):

Shqipëria sot është vendi më i mirë në botë për turizmin.

Vërtet vallë? Vështirë ta besosh. Janë bërë disa hapa përpara, p.sh. në krahasim me vitin 1997; por vështirë deri në atë shkallë sa ç’e nënkupton sipërorja. Infrastruktura e transportit në Shqipëri është në gjendje të mjeruar, deti është i ndotur nga fekalet, shërbimet e tjera, që nga uji i pishëm e deri tek Interneti, nuk janë si gjetiu në Europë dhe në Mesdhé.

Ne që miratuam një nga ligjet më të mira në Europë për konfiskimin e aseteve, le të vazhdojmë punën për përmirësimin apo kompletimin e të gjithë kuadrit ligjor, të trajtimit të tyre, të luftës kundër pastrimit të parave.

Në shembullin e mëposhtëm, sipëroret ndjekin njëra-tjetrën, si vagonat e një treni që po rrokulliset drejt humnerës:

Sakaq ai theksoi se kjo qeveri dhe kjo shumicë për të arritur në standardet më të mira ka bërë investimet më të mëdha, prandaj shkon drejt zgjedhjeve me një moral tërësisht konsensual, shkon drejt zgjedhjeve me standardet më të larta teknologjike për numërimin e votave, si dhe të vendosur për të respektuar vullnetin e çdo shqiptari.

Të vërehet mungesa e gjymtyrës mbyllëse të krahasimit: standardet më të mira në botë? Investimet më të mëdha në Ballkan? Standardet më të larta teknologjike në trojet e ish-Perandorisë Osmane?

Gjatë fjalës së mbajtur para elektoratit të këtij vendi lideri i maxhorancës tha se, në tre vjet, Shqipëria do të ketë infrastrukturën më të mirë në Europën Juglindore dhe nga më të mirat në Europë.

Përshtypja e menjëhershme e lexuesit është se kryeministrit nuk i mjafton mbiemri në vetvete; ose më mirë, cilësia që shpreh mbiemri për të nuk ka ndonjë rëndësi si e tillë; çfarë ngre peshë, përkundrazi, është krahasimi me një standard, një rival, ose një objektiv çfarëdo – sa më të paarritshëm, aq më mirë.

Unë, sigurisht, nuk u ndjeva mirë, por në vetvete u betova se do të bëja çdo gjë që qytetarët shqiptarë të kenë drita 24 orë dhe jam krenar që tani u harrua ndërprerja e dritave, që qytetarët të kenë një nga rrjetet rrugore më të mira në Europë dhe ndjehem shumë krenar e i lehtësuar që brenda këtij mandati nga Valbona në Kakavijë, nga Morina në Konispol, qytetarët shqiptarë do të ecin në rrugë të reja.

Korça dhe Shqipëria, nuk do të mund të ishin një vend ku mund të jetohet më mirë në rast se ne nuk do të krijonim klimën e biznesit që krijuam dhe vendin e investimeve të ndaluara 15 vjet më parë e shndërruam në një nga vendet më tërheqëse për investime në Evrope dhe në Botë. Gjithçka është bërë në këtë vend , është bërë me mund të madh me sakrifica”- tha kryeministri.

Këtu do të mjaftonte të thuhej: një rrjet rrugor të mirë (funksional, të përshtatshëm, etj.); një vend tërheqës për investimet (favorizues, etj.); krahasimi nuk shton gjë për nga kuptimi. Një vend mjafton të jetë “tërheqës” për investimet; nëse është “nga më tërheqëset në Europë” ose “në botë” kjo nuk do të thotë shumë.

Kartat e identitetit që do të prodhohen nga firma “Sazhem sikjuriti” përbëjnë standartet më të mira në Europë. Deklarata u bë sot nga kryeministri Berisha në ceremoninë e inagurimit të qëndrës kombëtare të prodhimit të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike.

Në shembullin më lart, publikut i mjafton të dijë që kartat e identitetit do t’i ketë të mira; nëse do t’i ketë më të mira, bie fjala, se irlandezët ose letonezët, kjo nuk përbën ndonjë fakt me interes për publikun. Funksioni i kartës së identitetit ka rëndësi më të madhe sesa pozicionimi i saj kundrejt kartave të vendeve të tjera; vlera e saj absolute ka përparësi ndaj vlerave të saj krahasuese.

Me vullnet të hekurt për të luftuar korrupsionin ne u shndërruam në vendin e parë në botë për prokurimet elektronike; me vullnet të hekurt për të luftuar korrupsionin ne kemi vendosur një nga standardet më të mira në Evropë për sa i përket transportit të zyrtarëve.

Edhe këtu, mjaftonte të thuhej se standardet e transportit të zyrtarëve janë të mjaftueshme, për të penguar korrupsionin.

Në raste të tjera, sipëroret përcjellin informacion grotesk, ose së paku të pabesueshëm:

Me vullnet të hekurt për të luftuar korrupsionin ne u shndërruam në vendin e parë në botë për prokurimet elektronike; me vullnet të hekurt për të luftuar korrupsionin ne kemi vendosur një nga standardet më të mira në Evropë për sa i përket transportit të zyrtarëve.

Vendin e parë në botë për prokurimet elektronike? Po kush e përcaktoi këtë? Më tej akoma – sa efekt ka pasur kjo, në tenderët dhe investimet e huaja? Vallë të kenë qenë procedurat e prokurimeve ato që e kanë lënë ekonominë shqiptare në bisht të zhvillimit dhe të tërheqjes së investimeve?

Zgjodhëm Bashën, sepse ai është një njeri që ka njohur vetëm shkëlqime gjatë jetës së tij. Ai ishte gjimnazisti që shkëlqeu në lëvizjen anti-komuniste, studenti që shkëlqeu në Utreht, në një prej universiteteve më të mira në botë.

Vërtet? Universiteti i Utrecht-it një prej më të mirave në botë? Si kështu? Në bazë të cilit kriter? (Sipas Wikipedia-s, renditet i 11-i në Europë dhe i 50-i në botë.)

Dhe çfarë lidhje ka fakti që dikush mund të ketë ndjekur “një prej universiteteve më të mira në botë” me kandidaturën e këtij për kryebashkiak?

Kryeministri ka kërkuar që të përkthehen pjesa më e madhe e teksteve në vend, duke marrë si shembuj tekstet më të mira në botë dhe ka kërkuar që biznesi i ndërtimit të bëhet palë për ndërtimin e kampusit universitar.

Pse vallë? Normale do të ishte që të përktheheshin tekstet që na hyjnë më shumë në punë, jo “më të mirat në botë”. Veç kësaj, si do të gjenden këto tekste më të mira në botë? Apo do t’ua kërkojmë të na i gjejnë vlerësuesve më të mirë të teksteve në botë?

Ne që miratuam një nga ligjet më të mira në Europë për konfiskimin e aseteve, le të vazhdojmë punën për përmirësimin apo kompletimin e të gjithë kuadrit ligjor, të trajtimit të tyre, të luftës kundër pastrimit të parave.

Përmirësimi që i bëmë ligjit të konfiskimit të pasurive është një hap shumë i rëndësishëm. Ne kemi sot një nga ligjet më të mira në Europë. Prandaj t’i qëndrojmë, ta zbatojmë atë në interesin më të mirë, të vendit, por në tërësi të luftës kundër kriminalitetit, i cili sa ç’është kombëtar është edhe ndërkombëtar”, tha Berisha.

“Një nga ligjet më të mira në Europë”? Ligji është i mirë, nëse funksionon mirë; një ligj i mirë në Belgjikë, mund të jetë i keq në Itali; pa përmendur pastaj që edhe ligji i zgjedhjeve “nga më të mirët” ishte, por kishim harruar të kopjonim edhe manualin e zbatimit të tij…

Si do ta shpjegojmë këtë sëmundje të ligjëratës kryeministrore, këtë superlativitis, që po ua nxjerr bojën mbiemrave në tekst, duke i shndërruar në suporte të thjeshta krahasimesh, klasifikimesh dhe karshillëqesh?

Shpjegimi i parë, është që Berisha është i vetëdijshëm se Shqipëria e tij është vendi më i prapambetur në Europë, dhe i fundit në të gjithë treguesit që ngrenë peshë. Kjo prapambetje gjen shprehjen e vet më elokuente në faktin që Shqipëria ka gjasa të jetë vendi i fundit në kontinent, që do t’i bashkohet BE-së.

Sikur të ekzistonte rënia nga kategoria si në futboll, Shqipëria do të kishte përfunduar, tashmë, diku andej nga Azia qendrore ose Kaukazi.

Katrahura që sapo ndodhi me zgjedhjet dhe numërimin e votave e theksoi edhe një herë këtë prapambetje institucionale; edhe pse nuk ishte nevoja, sidomos pas 21 janarit dhe të vrarëve dhe akuzave gratis për putsch. E gjithë megalomania e arritjeve dhe pispillosja në pasqyrë, deluzionet për t’u matur me Europën dhe botën duan parë, kështu, edhe si përpjekje, në thelb të trishtuara, për të përligjur dështimin e përgjithshëm të shtetit dhe të institucioneve – për të cilin dështim Berisha dhe administrata e tij mbajnë përgjegjësinë kryesore.

Shpjegimi i dytë ka lidhje me raportin e këtij ligjërimi me të vërtetën; sa kohë që shumë nga sipëroret e kryeministrit nuk kanë ndonjë bazë në realitet, janë hiperbola, zbukurime retorike, ornamente të fjalës, erëza diskursive. Me këtë nuk dua të them, bie fjala, se kur Berisha thotë që “Në Shqipëri ju do të gjeni tregun e forcës punëtore më të mirë në Europë,” po rren me vetëdije; por vetëm atë që, sipëroret, në ligjërimin e Kryeministrit, po funksionojnë si tregues të një indiference ndaj së vërtetës, ose ndaj asaj që anglo-saksonët e quajnë bullshit. Megjithatë, tek e fundit ky që flet është kryeministër, edhe njeri edhe institucion; dhe të gjithë ata që nuk e përballojnë dot më këtë overdose hiperbolash në ligjërimin politik të shtetit herët a vonë do ta vënë në diskutim etosin e burimit të këtij ligjërimi, autoritetin e tij, seriozitetin e këtij njeriu, që këput të trasha pa iu dridhur qerpiku – siç edhe e kanë bërë.

Shpjegimi i tretë ka natyrë psikologjike, dhe lidhet me një nevojë pothuajse patologjike të folësit për t’u mburrur; karakteristikë kulturore dhe sociale e krahinës nga rrjedh kryeministri, ku një lloj bombastike (asnjëherë, “që nga koha e Skënderbeut liria e Shqipërisë nuk ka qenë e sigurt sa sot”) e shoqëruar me ulërima, rrahje shpatullash dhe të shtëna armësh, është pamje më se normale në tryezat dhe logjet e burrave. Në kontekste të tilla, shmangia e vetëdijshme nga e vërteta tolerohet, madje njëfarësoj pritet; sepse ligjëruesi nuk është duke komunikuar gjë, por vetëm riprodhuar rolin e tij në strukturat ligjërimore dhe kontekstin social të ligjërimit.

Shpjegimi i katërt, gjithnjë me natyrë psikologjike, ka të bëjë me faktin që sipëroret relative i ndesh, zakonisht, në ligjërimin e fëmijëve ose në ligjërimin që përdorin të rriturit kur u drejtohen fëmijëve: “ti je çuni më i zgjuar në botë”, “ti je goca më e bukur e Tiranës”, “shtëpia ime është më bukura e lagjes”; çka tradhton një lloj raporti prindëror (patriarkal, autokratik) të kryeministrit me publikun e vet.

Shpjegimi i pestë dhe i fundit ka të bëjë me ndikimin që mund të kenë pasur, në ligjërimin e kryeministrit, firmat PR me të cilat zyra e tij është këshilluar gjatë viteve të fundit. Dihet se, në ligjërimin politik dhe përgjithësisht publik amerikan, ndërtime të tilla si “the best French fries in the Northern Hemisphere”, “the best nose hair removal technique in the world”, “the best-tasting soft drink in the planet”, etj. janë standard dhe nuk i bëjnë përshtypje njeriu, meqë perceptohen si pjesë e bullshit-it të domosdoshëm. Ka në këto ndërtime diçka nga jingoism-i amerikan, diçka nga naiviteti i kujt nuk ka dalë kurrë nga ShBA, diçka nga ligjërata e sportit dhe e reklamave.

Në shqipe, këto ndërtime tingëllojnë ende të rreme; meqë shqipfolësi, në kontekste të pashenjuara, ende e konsideron sipëroren relative si formë heuristike të komunikimit (pjesë të logosit, jo të etosit, as të patosit).

Çfarë është e re, në këtë ligjërim politik të Berishës, është zhvendosja nga emotivizmi i drejtpërdrejtë, folklorik, drejt një strukture ligjërimore prej shitësi të mallit; ku bindja mbështetet më tepër në teknika pak a shumë të kolauduara të marketing-ut. Blerësit – ose skajit pritës të këtij lloj ligjërimi – i ofrohet jo aq cilësia në vetvete, sesa fakti që kjo cilësi do ta ndihmojë atë për t’u shquar prej të tjerëve; është një teknikë që, në thelb, i bën thirrje narcisizmit brenda nesh, ose edhe vanitetit, po të duam ta quajmë kështu. S’ka rëndësi se ç’jemi tamam, sa kohë që jemi të parët e botës…

Dihet, nga semantika, që mbiemri në shkallën krahasore e humb raportin heuristik me cilësinë që shpreh; të thuash që kjo mollë është më e mirë se tjetra, nuk është njëlloj sikur të thuash se kjo mollë është e mirë. Në rastin e dytë, cilësia pozitive shprehet në mënyrë absolute; në rastin e parë, molla mund të jetë, tek e fundit, e keqe; meqë thënia veç kumton një cilësi relative.

Nga të gjitha shpjegimet që u sollën më lart, ky i Berishës që kërkon t’ia shesë publikut të brendshëm arritjet e administratës së vet dhe publikut të jashtëm arritjet e Shqipërisë ekonomike është ai që i përmbledh të tjerët në mënyrë më të kënaqshme, edhe pse, tek e fundit, shitja nuk është veçse një metaforë. Do të ishte me interes të gjurmohej nëse këtë regjim ligjërimor prej sekseri kryeministrit ia kanë induktuar, në mos imponuar këshilltarët nga përtej detit.

Pa Komente

  1. Qe kryeministri yne ka kohe qe ka dale nga binaret kjo dihej. Ajo qe me ben me shume pershtypje eshte koncepti qe ka Saliu me stafin PR rreth vetes se tij karshi popullit. Pra koncepti nw fjale mund te pershkruhet si i tille qe “Ky eshte nje popull komplet budalla, i painformuar, analfabet, lehtesisht i manipulueshem”. Nderkohe qe asnje prej ketyre karakteristikave negative nuk qendron pasi shoqeria shqiptare me gjithe veshtiresite e veta qe has nuk eshte kurrsesi te pakten e painformuar ne raport me pjesen tjeter te botes. Une kam punuar per nje kohe te gjate ne sektorin e marketing-shitjes dhe kurre nuk kemi shpenzuar burimet tona financiare dhe rrezikuar imazhin ne tregje ku nuk ka potenciale shitjeje. Cfare ben ben kryeministrin tone te flase brockulla para nje publiku relativisht te ndergjegjshem me faktet kete nuk e kuptoj dot! I vetmi shpjegim qe me vjen me llogjikshem ne keto momente eshte mundesia per nje gjendje te paqendrueshme psiqike e liderit politik te Tiranes

  2. Siperoret ne duhet t’i kemi ne ADN kombetare sepse identiteti yn kombetar bazohet ne “ne jemi me te zgjuarit e gjithe botes” sikunder edhe xhaxhi i perdort jo pak kete forme komunikimi. Ne (vet)konsideroheshim si vendi “me socialist” biles i vetmi vend socialist ne te gjithe boten. Kryeministri nuk ben gje tjeter, per mendimin tim, veçse i meshon kesaj forme komunikimi qe popullit iu ka ngulur ne koke (te pakten ne keto 50 vitet e fundit).
    Problemi kryesor eshte se – fatkeqesisht – kryeministri i (vet)beson superlativat qe mbroçkullit

  3. Ky ligjerim mundet edhe te shihet si forme e fushates elektorale permanente qe kryeministri zhvillon edhe gjate kohes normale te qeverisjes se tij. Te thuash qe une jam me i miri ne bote, minimalisht e ben kundershtarin te paafte te diskutoje, apo te ndertoje debat per ceshtje konkrete, pse fillimisht te merr me te qeshur, por mandej nuk di nga t’ia nise. Aq me teper kur pala tjeter eshte e shenjuar si bartese e mekateve te medha, te cilat te aktualizuara si biografi, thjesht e ulin vleren e kritikes se vertete. Une jam me i miri dhe kam bere gjera te padegjuara- dhe ne momentin qe tjetri kundershton-atehere arsenali i akuzave eshte ne plan te pare. Duket sikur ligjerimi i Berishes krijon nje realitet te vetin, ndaj te cilit e shumta mund te kesh nje refuzim kategorik, e per pasoje nje nenqeshje e cila humbet kuptimin per sa kohe qe iniciativa e korrje shirjeve mbetet ne nje dore.
    Ne nje plan retrospektiv, Berisha vjen ne kete moment edhe si nje ligjerues qe ka veteheroizuar veten dhe ne kete rast ne ndihme i vjen rruga politike dhe pikenisja e karrieres se vet. Keshtu ne fitoren e vitit 1992, i sinkronizuar plotesisht me turmen dhe pritmerite e shumekujt ai do te gjente fjalet e duhura; Nata e zeze, Diktatura me e eger, dallendyshja e demokracise. Duket si filozofi i lumturise ne kete vend, si mposhtes i se keqes dhe si dikush qe ka optimizmin absolut si regjim unik psikik.
    Ne fund mendoj se kjo taktike qe nuk eshte e re ne Shqiperi, ka vlere jote vogel propagandistike, pse riprodhohet lehte apo krijon hapsira te medha spekulimi. Amplifikimi i saj eshte me i kollajshem, perderisa mes fjaleve si me i mire, apo me te miret, korrigjimet behen pa humbur ndonje gje thelbesore, pse aty thelb nuk ka. E kam fjalen, altoporlantet e qeverise, analistet dhe ata qe jane ne krahun e qeverise, e kane me te thjeshte te ballafaqohen nisur nga keto deklarime shabllon, sesa nga deklarimet e nje lideri qe vetepermbahet ne demagogji minimale, te cilat ne kontekstin shqiptar do perceptoheshin menjehere si humbje e vetebesimit.

  4. “Shpjegimi i tretë ka natyrë psikologjike, dhe lidhet me një nevojë pothuajse patologjike të folësit për t’u mburrur; karakteristikë kulturore dhe sociale e krahinës nga rrjedh kryeministri, ku një lloj bombastike (asnjëherë, “që nga koha e Skënderbeut liria e Shqipërisë nuk ka qenë e sigurt sa sot”) e shoqëruar me ulërima, rrahje shpatullash dhe të shtëna armësh, është pamje më se normale në tryezat dhe logjet e burrave. Në kontekste të tilla, shmangia e vetëdijshme nga e vërteta tolerohet, madje njëfarësoj pritet; sepse ligjëruesi nuk është duke komunikuar gjë, por vetëm riprodhuar rolin e tij në strukturat ligjërimore dhe kontekstin social të ligjërimit”

    Nje pyetje kam per Xha Xhain:
    a e ke rilexuar kete pjese pasi ta kane shtypur gishtat ne kompjuter? Perndryshe, ky shpjegim merr kuptim vetem ne gojen e Milosevicit, i cili, me justifikimin se SIPTARI jane pikerisht keshtu si i pershkruan ti, nje tufe shpellaresh gjakatare te pakomunikueshem e te paqyteterueshem, deshi t’i ndreqte me te vetmen menyre me te cilen ata mund te hanin pyke – SPASTRIM

    1. Ah, po ky është provokim.

      Unë u referohem karakteristikave krahinore, me ngjyrë folklorike, të cilat janë pjesë e pandashme e të qenit shqiptar.

      Për shembull, në disa krahina të Veriut ndesh një mënyrë të foluri, që quhet në mos gaboj “me rrokulla”; nëse ti nuk e njeh kodin e atij të foluri, kujton se mos ke rënë në një mjedis ku përdorin LSD.

      Mirëpo nëse një kryeministër del në podium dhe fillon të flasë me rrokulla, atëherë kemi një problem – meqë kjo do t’i keqkuptohet.

      Nuk ka asnjë të keqe me këto karakteristika folklorike krahinore, sa kohë që nuk dalin haptazi nga konteksti i tyre. Funksionojnë njëlloj si dialekti – në disa rrethana mund dhe duhen përdorur, në disa të tjera jo.

      Gjithçka ka të bëjë me kodin, ose marrëveshjen që i nënvendoset çdo akti ligjërimor. Nëse ti pret nga unë që, në një rrethanë të caktuar, unë të flas të vërtetën, atëherë hiperbola ime do të të tingëllojë si gënjeshtër; por nëse unë prej prej teje që hiperbolën ta interpretosh si shenjë të kënaqësisë sime ose të faktit që unë jam në kontroll të punëve dhe i kënaqur me mbarëvajtjen e tyre, atëherë unë do të habitesha sikur ti të më mbaje të përgjegjshëm për përmbajtjen e hiperbolës.

      Vetë e kam shëtitur Shqipërinë poshtë e përpjetë, dhe kam vërejtur sa të ndryshme janë tryezat e burrave në Veri, në krahasim me ato në Jug; them të ndryshme, jo më të mira ose më të këqija, më të vlefshme ose më të pavlefshme.

      Ky ndryshim nis që me mënyrën si përcillet e vërteta: herë drejtpërdrejt, herë tërthorazi, herë me një metaforë, herë me një metonimi.

      Në një krahinë ku sundon kanuni, një fjalë goje mund të të kushtojë kokën; aty shprehja e figurshme është edhe një mënyrë për mund të vazhduar diskursin në nivel gjuhësor, ose për të penguar degradimin në pushkë.

      Një krahinë ku burrat e përkufizojnë machismo-n e vet nëpërmjet raportit me armën do t’i shprehë hierarkitë sociale ndryshe nga një krahinë ku burrat e përkufizojnë këtë machismo nga paratë që kanë bërë, ose nga topat e stofit që kanë në dyqan.

      Në një diskurs mund të mbizotërojë vetëmburrja, në një diskurs tjetër mburrja e ndërsjelltë. Ka lloje diskursesh ku pjesëmarrësit gënjejnë, por jo sepse duan të shtrembërojnë të vërtetën; gënjejnë sepse nëpërmjet gënjeshtrës shprehin edhe dëshirat e tyre dhe personalitetin.

      Doemos Milosevici nuk hyn fare këtu. Unë as që e di se ç’mendim ka pasur ai për shqiptarët dhe, në thelb, nuk më intereson se ç’mendim mund të ketë pasur një politikan serb për shqiptarët. As nuk shoh si mund të deduktohet, nga çfarë kam shkruar unë, se “shqiptarët janë një tufë shpellarësh gjakatarë të pakomunikueshëm…”, përveçse po të supozoj dashakeqësinë tënde të hapur, Glupnost (fakt irrelevant në vetvete); përndryshe do të më duhet të mendoj se pseudonimin që përdor e përdor me tërë mend.

      Dua të shtoj këtu edhe se falsiteti në shprehje është shenjë jo e prapambetjes, as e ‘shpellarisë’, por përkundrazi, e rafinimit në komunikim. Mjaft të përmend të ashtuquajturën ‘frëngjishte të oborrit’, e cila u përpunua sidomos në kohën e Luigjit XIV dhe që konsistonte, kryesisht, në lajka. Krahaso, edhe këto dy shprehje në anglishte: “give me the salt” dhe “would you be so kind as to pass me the salt”, dhe përpiqu t’i orientosh përkundrejt statusit social të folësit – i dyti e ka, ose e synon ta ketë më të lartë se i pari.

      Njëlloj, për t’u kthyer te rrokullat, unë nuk kam ndeshur ndonjëherë formë më të sofistikuar të komunikimit në shqip – e megjithatë, ajo ndodh mes fshatarësh që mund të jenë edhe analfabetë.

      Glupnost, ti ke komentuar për të dëmtuar shkrimin tim, me një argument që nuk qëndron; meqë nuk të njoh, nuk di ç’të them më tepër. Aq më tepër, po ta lexosh shkrimin të gjithin, do ta vësh re se unë argumentin ‘folklorik’ e përmend për hir të plotësisë, ose për të mos e lënë jashtë; por nuk e konsideroj si vendimtar. Edhe pse prejardhja krahinore mund të pasqyrohet në sjelljen e njërit dhe të tjetrit, në rastin konkret kam frikë se shpjegimi i superlativizmit të kryeministrit duhet kërkuar gjetiu.

  5. xha xha, ti ke thene se kryeministri rrjedh nga nje krahine, ku njerezit kane nevoje patologjike per t’u mburrur, ku bombastika shoqerohet me ulerima, rrahje krahesh e shtenie armesh… pervec shume objeksioneve qe kam ne lidhje me kete kuptim te folklorit apo ku e di une cfare perpiqesh te japesh si argument se nuk e ke me te keq, je tejet stereotip-krijues-percjelles etj. fjalet e tua te perdorura ne shkrim flasin qartaz. Nuk jam une qe jam keqdashes, por i tille eshte argumenti yt.
    Ne radhe te pare, ti perdor shkencen tende per te denigruar nje njeri. Ok, mund te thone disa, por ai e meriton. Ok, them une, ndoshta e meriton, por ama nese studiuesi e ve shkencen e vet per te degjeneruar kundershtarin politik, te papreferuarin politik, etj, atehere ketu kemi te bejme me nje ideologjizim te shkences ose profesionit – te njejten gje qe ben edhe Fuga, por ne sherbim, dhe jo kunder Berishes.
    Ne radhe te dyte, ai imi nuk ishte provokim, por habi. milloshevici me erdhi vetiu ne mendje kur lexoja ato rreshta mbi etnopsikologjine e nje krahine, sepse fiks keto argumente ka perdorur ai ne lufte kunder shqiptareve te Kosoves. Pra kjo quhet gjuhe percmimi dhe urrejtjeje i dashur xhaxha, mund qe nuk te vjen mire, por kete gjuhe ke perdorur.
    Sa here flitet per Tropojen aq here do zini ne goje kanunin – nje pjese per te lartesuar shpirtin demokratik te shqiptarit te shprehur ne kanunin origjinal iliro-shqiptar, kurse nje pjese per te kunderten, bash per te denigruar njerezit e asaj krahine si barbare kanunore folklorike, e ku e di cfare. Ama zor se ndonjeri te jete perpjekur te kuptoje nga pikepamja struktural-funksionaliste kanunin dhe gjithcka qe ai ngerthen. Por eshte shume e thjeshte, po te jete tropojan, eshte malok, me deshire patologjike per t’u mburrur, per te uleritur e per te shtene.
    “Ata nuk mund ta perfaqesojne vetveten. ata duhen perfaqesuar” – kjo eshte filozofia, dhe ne momentin kur kjo zone, sipas teje perfaqesohet, ja cfare ndodh, i paqyteteruari patologjik, di vetem te mburret.
    Pra ne momentin kur ti kete faktor e ke bere pjese te argumentit, i ke rrezuar vete me dore te gjithe argumentet e tjera.

    1. Glupnost, të lutem mjaft me këtë provokim dhe këtë diversion – po bën diçka të neveritshme.

      Shpjegimi im “folklorik” është vetëm një nga pesë shpjegimet që kam sjellë, dhe nga më anësorët. Shkrimi im është i mbështetur gjerësisht në fakte të cilat flasin vetë.

      Interpretimi im kryesor për këto dukuri gjuhësore, është se ato e kanë prejardhjen nga ligjërimi shitës (sales pitch). Se çfarë po shitet pikërisht, kjo ndoshta meriton të diskutohet.

      Përndryshe ne këtu s’jemi në gjyq dhe as kam ndërmend të të shpjegoj se pse dhe si ka qëlluar që e kam thënë çfarë kam thënë. Fjalë si këto të tuat vetëm më bëjnë të ndihem i gëzuar që jam larguar nga ai mjedis akademik i mykur – në Shqipëri – ku do të kisha të bëj me figura si ty.

      Për fat të mirë, gjendem gjetiu dhe në një hapësirë ku nuk i mbyllet kujt goja me truke të pështira, si ky i yti me Milosevicin. S’kishte asgjë denigruese në fjalët dhe komentet e mia; por edhe sikur të të jetë dukur ty ashtu, besoj shpjegimi im i tanishëm do të të mjaftojë.

      Megjithatë, po ta përsërit edhe një herë se sjellja katundare, folklorike dhe baritore, në Jug dhe në Veri, e ka vendin në katund; në qytet, në institucionet dhe në marrëdhënie me publikun duhet zëvendësuar me diçka tjetër, të përshtatshme.

      Me këtë nuk dua të them se Berisha është mishërim i një sjelljeje të tillë dhe aq më pak të denigroj kryeministrin shqiptar; por vetëm të arsyetoj për një dukuri të cilën, besoj, e kam faktuar gjerë e gjatë në shkrim, me shembuj që kushdo mund t’i verifikojë. Për këtë le të diskutojmë. Për këtë do të diskutojmë; jo për çfarë kam thënë unë dhe pse.

    2. Akuzohet XhaXhai:

      je tejet stereotip-krijues-percjelles etj

      dhe me kujton nje anektode qe e kam perjetuar kur po studioja nje program masteri per biznes (“me i miri ne galaktike”).

      Mesuesja e lendes te cuditshme “Organizational Behavior” (qe duhet ta merrnin si lende se s’ben) hapi subjektin e stereotipeve. Sigurisht duke thene qe nuk jane politikisht korrekt, madje ekzistenca e tyre ne mendjen manaxheriale shkakton humbje monetare per nje organizate. U ngrita e i thashe “S’eshte e vertete. Sterotipet ndihmojne ne manaxhim” Mu versul nji kandidate per avokate (femer e bardhe kjo) dhe menaxhere duke me thene “Nuk e koncepton dot ket pune ti se je mashkull i bardhe”.

      Si perfundim vendosa te bej nje teze per fund semestri, ku doja te provoja karticiperisht qe s’ja vlen te merresh fare as me stereotipe as me korrektese politike ne ceshtje manaxheriale, perndryshe humb para kot. Doli ashtu si mendoja, shkrova tezen, mora note maksimale.

      Mesimi: stereotipi eshte arketip. Te ndihmon ne gjykim situate, edhe te kursen kohe e para.

  6. “Ata nuk mund ta perfaqesojne vetveten. ata duhen perfaqesuar” – kjo eshte filozofia, dhe ne momentin kur kjo zone, sipas teje perfaqesohet, ja cfare ndodh, i paqyteteruari patologjik, di vetem te mburret.”

    Glupnost, te lutem me ndihmo te kuptoj filozofine me siper sipas kesaj me poshte.

    “LEVIZJA VETVENDOSJE ne Kosove, nuk ben gje tjeter vetem se konfirmon e rikonfirmon per te gjithe vendet qe nuk ia kane njohur pavaresine Kosoves SE NUK DUHET TA BEJNE KETE….”

    1. Shkrimi i Xha-xhait eshte tejet i ekuilibruar: nuk po marr vesh se si do ta nxjerre pretekstin per reagimin e vet glupnosti!

      1. Nipi, nuk do ta marrim dot vesh kurrë se ç’e shtyu Glupnost të komentojë ashtu.

        I qartë, përkundrazi, është efekti i ndërhyrjes së tij: diversioni. Shkrimi ngrinte një problem, Glupnost e zhvendosi diskutimin drejt një problemi krejt tjetër.

        Nga analiza e diskursit politik të kryeministrit të Shqipërisë në një periudhë krize të thellë institucionale, kaluam – si pa e marrë vesh – në analizën e diskursit individual të Xha Xhait në blog dhe në “gjyqin” e moskorrektesës së tij politike.

        Unë diversionin e shoh si atak të drejtpërdrejtë ndaj blogut. Pavarësisht nga çfarë mund të jetë frymëzuar Glupnost, gjesti në vetvete është armiqësor.

        U lutem kolegëve që këtë çështje të mos e diskutojmë më tutje.

    2. Glupnost, kur e sheh veten ne pasqyre, si te duket? Po nuk te pelqeu, kush ta ka fajin? Pasqyra? Drita? Pagjumesia? Une? Apo shkenca ne emer te se ciles flet dhe abuzon kaq lirisht?

      Citimi me lart u soll per te te vene ne dijeni se po shkel ne shkalle te reja hipokrizie — jo dhe aq per çfare thua ti vete per Vetvendosjen, se sa per dyftyresine e indinjimit tend per qendrimin e imagjinuar te Xha Xhait ndaj nje krahine, nderkohe qe vetes, gjithnje me standardin tend, ia lejon fjale qe “as Miloshevici” nuk do t’i kishte thene dot!

      Si nuk e meritoka Kosova pavarsine per “faj” te ca fashisteve sic i pandeh ti te pagdhendurit, barbaret, te prapambeturit, burracaket nacionaliste qe rrahin gjoksin ne emer te Vetvendosjes si “me te miret”?

      Te lutem kjo nuk eshte ftese per diskutim mbi VV pasi jemi deri diku ne mendime te ngjashme, perjashto faktin se une kurre nuk do t’ia lejoja vetes te bej deklarata te tilla dhe prap t’i them vetes antropologe dhe te bej me gisht te tjeret per fajet e tyre ne folklorizim, duke perdorur formen me te trashe dhe manipulative te argumentit “ad Hitlerum”.

      Ne fakt ti, pikerisht ti, me ke kujtuar arrogancen tipike te na ishte nje here e nje mot antropologjia kolonialiste.

      Kjo e jotja eshte gjuhe percmimi dhe urrejtjeje Glupnost, mundet qe nuk te vjen mire, por fjalet jane te tuat.

      Me vjen keq sepse ne nderhyrjen tende mund te kishe ofruar nje kritike te pranueshme per si u shpreh Xha Xhai pa e bere qimen tra dhe te gjithe mund te kishim mesuar shume prej teje dhe perspektives sate.

      1. LEVIZJA VETVENDOSJE ne Kosove, nuk ben gje tjeter vetem se konfirmon e rikonfirmon per te gjithe vendet qe nuk ia kane njohur pavaresine Kosoves SE NUK DUHET TA BEJNE KETE….
        konfirmon dhe rikonfirmon se nuk jane gje tjeter vetem se brigatte rosse, stili nacionalist
        konfirmon dhe rikonfirmon, se nuk jane gje tjeter vetem se terroriste potenciale

        Ky do te duhej te ishte citimi i plote, dhe per te qene te sakte, duhet thene se ky komenti IMI, ne FB tim personal – pra privat – ku mendoj qe komentet e mia i ndaj vetem me ata qe kam “miq” – ka ardhur pas dites kur Vv ne menyre te turpshme sulmoi institucionet shteterore te Republikes se Kosoves, plagosi me shume se 10 police, etj, vetem pse ata priten kryenegiciatorin e pales serbe. Pra nuk jam une ajo qe jam kunder pavaresise se Kosoves, por eshte Vv qe permes kesaj strategjie, dhe permes filozofise se saj per nje Shqiperi etnike, ose natyrale, u jep argumente shteteve qe nuk e kane njohur ende Kosoven se nuk duhet ta bejne kete… rreziku real per mosnjohje Kosoves i vjen nga Vv dhe jo nga une.
        Kurre, as ne FB, e as ne ndonje koment poshte e perpjete neper blogje te internetit – nuk jam shprehur me fjale te buta per Vv si levizje. E kam konsideruar dhe vazhdoj ta konsideroj filozofine dhe platformen politike te Vv si nje platforme qe con drejt luftrave te reja ballkanike, ku padyshim Shqiperia e Kosova dalin te humbura.
        Po ashtu, kurre nuk i kam quajtur barbare e fshatare te pagdhendur aktivistet dhe mbeshtetesit e saj, perkundrazi, alarmi im vjen nga fakti qe i konsideroj si pjese te elites intelektuale qe cojne ne manipulimin e ndjenjave popullore per liri e pavaresi, duke i kanalizuar ato ne ndjenja luftarake per te mos pushuar se derdhuri gjakun e tyre per idealin e madh te Shqiperise etnike.
        Kritika ime, apo me mire kundershtimi im per Vv gjithnje ka qene ne drejtim te nacionalizmit, dhe asnjehere ndaj kritikes ndaj politikave neoliberale te privatizimeve, ku shteti e EULEX kane dore. Halli im eshte qe kjo kauze e drejte, manipulohet dhe korruptohet nga qellimi nacionalist i Vv.
        Thene kete, je ti ajo apo ai qe ne planin moral del hipokrit/e, sepse me sa duket gjurmon theniet e njerezve qe ke miq ne FB duke i arkivuar dhe vendosur sipas qejfit.
        Po ashtu, ne kritiken time kunder Vv une flas ne emer te antinacionalizmit tim dhe jo te profesionit tim. Fusha ime e kerkimit eshte tjeter. Por po, si njeri, nuk mu ndenj pa i thene autorit te shkrimit se ajo pike, pika tre (nuk iu futa fare diskutimit te pikave te tjera), eshte aq e rende – saqe tingellon si te ishte thene nga goja e Milosevicit. Ndoshta i rashe rende, por nuk e thashe kete nisur nga ndonje superioritet shkencor – ne fakt ne komentin tim te pare une as qe e zura ne goje zanatin tim, e as qe fola nisur nga ai zanat, perndryshe pergjigjja ime do kishte qene krejt tjeter. Pas pergjigjjes se autorit – une vendosa te jap nje gjykim nisur nga profesioni, dhe me rezulton qe autori i perdor dijet e veta vetem kur vjen tek kryeministri, dhe nuk eshte hera e pare qe merret me stonimin e komunikimit te tij publik – ama une nuk shoh te kapet me ndonje personazh tjeter politik, megjithese te tille ka plot. Ky eshte nje konstatim ne fund te fundit, nuk mendoj se kam ofenduar njeri me kete konstatim timin. Dhe e mendoj keshtu. Dhe e shpreha kete ne komentin e dyte. Por me sa duket, nese dikush nuk e adhuron autorin e shkrimit, ai behet hipokrit, dashakeq, devijues argumenti, diversant etj. OK. E drejta juaj te mendoni keshtu. Por ama lerini truket me privacine e tjetrit, se keto nuk shkojne.

        1. Ju lutem për herë të fundit, të mos e shpërndani diskutimin në tema pa lidhje me atë të shkrimit kryesor.

          Glupnost, kuptoje se nuk është e hijshme, sidomos për dikë të lëçitur si puna jote, që të hysh në diskutim duke u marrë menjëherë me çikërrima. Qasja jote ndaj kësaj teme ishte, që në krye, e gabuar.

          Justifikoje veten se kush je, dijet e tua dhe përvojën tënde, duke mos ndërhyrë në debat me tonin dhe argumentet e një qoftexhiu në Ferizaj. Lëre Milosevicin për debatet ku flitet për Milosevicin.

  7. Më kujtove shembullin e Chomsky :“I like her cooking”, e cila mund te kuptohet si “Une e pëlqej atë kur gatuan”, por edhe mund të kuptohet “Unë e pëlqej atë kur është duke u gatuar”, Ose “kur gatuhet”. Natyrisht, Chomsky nuk e dinte gjuhën shqipe që e ndan shumë mirë këtë , duke mos lënë vend për a“mbë”guos, me anë të “kur gatuan”, “kur gatuhet”, ‘Kur është duke gatuar”, duke future vetem nje “u” te vockel ne mes tek “kur është duke u gatuar”, si edhe “ta shoh të pjekur”, ndojnjiherë edhe “të shkuar në hell”. Sa për mburrjen ,ajo është sjellje universale njerëzore, për shëmbull, indianët që kam unë punë kanë mbaruar të gjithë Universitetin, saqë në rastin e njërit me Universitetin Indian më të mirë, që dukej haptas që nuk kishte njohuri elemntare të kompjuterit, pamvarësisht se kishte shkruar në resume që kishte punuar si IT ne kompaninë e Dell-it, I thashë një amerikanaje, “Mos vallë quhet shkolla fillore Universitet ne Indi”. Në një rast tjetër, po prej Indie, ai pqëpiqej të dilte edhe sipër dikujt që ishte adap në fushën e tij, u detyrova e thashë që “Ky, edhe nëse ti di 100 %, ky di gjithmonë diçka më shumë, mdoshta 120%. Kur ja thanë shprehjen time atij, kishte thënë” “Jo 120%, por më shumë”. Janë më të mirët.

  8. Eshte e kuptueshme qe Xhaxhait ketu t`ia shohin fjalet me lupe. Sekush sheh ate qe do ne to.
    E mira e do qe ai te mos ta kete me shtrengese spjegimin e fjales se vet, atehere kur lind nevoja. Ka pó aq vlere sa edhe temat qe sillen.

    Cfare me cudit eshte se si, hiq PTF, asnje deri tani s`eshte marre me ligjeraten e Berishes, dhe elementet e saj. Duam s`duam , Berisha ngelet nje figure qendrore ne politiken e vendit, me gjithe mjetet ndihmese te saj ( politika si koncetrat i ekonomise se nje shoqerie).
    Radha e punes se fjaleve qe perdor Berisha te sjell ndermend hiperbolen e karaduzes, Por Xhaxhai ka shkruajtur mjaf e mjaftueshem, e s`ka vend per te shtuar.

    Me c`kam pare, fjalet e pozites zakonisht merren nga opozita dhe zberthehen deri ne fund, kur flitet per te ardhmen, por ca me shume kur flitet per te kaluaren. Kur kete nuk e ben opozita, sepse e sheh te parendesishme ne strategjine apo taktiken e vet ne rrugen per pushte, atehere i takon ta beje shtypi (fourth estate). Nese dhe ky eshte kthyer ne nje duartrokites me porosi, punet s`jane ashtu sic duken. Ose shoqeria eshte tejet e trysnuar, sa pranon cfaredo qe I hidhet persiper pa bza, ose shoqeria eshte aq e lire nga gjithe maredheniet me politiken, sa cfare ndodh ne politike dhe me politiken, nuk I hyn as ne pune e as ne xhep, sepse s`ka pike influence ne jeten e vet te perditshme.

    Berisha si kryeminister ofron ne diskursin e vet pika referimi, te cilat i perdor si argument ne mbeshtetje te veprimit te tij.
    Psh, ai thote:
    -“Shqiperia ka tregun e forces punetore me te mire ne Europe”. Pyetja del: Bazuar ne ku? Ne krahasim me ke?
    -“Shqiperia… ka tregun e punes me te lirin ne Europe’. Komercializimi i jetes se sotme ka krijuar koncepte mjaf te qarta te raportit midis cilesise dhe cmimit te mallit. Madje edhe ne Tropoje.
    -‘Ekonomia shqiptare… qendron ne krye te rritjes ekonomike ne Europe,… me rritjen me te madhe te rrogave dhe pensioneve ‘. Nje kryeministri nuk i lejohet te xhongloje me fakte dhe numra. Sepse dikush mund t`i kthehet e ti thote se edhe ne Zimbabve, te gjithe jane miljardere.
    -‘Lezha dhe Shqiperia eshte shpallur e bukura e dheut, destinacioni turistik me i bukur i gjithe botes’. Me kete fjale do te qeshte ai qe jeton jashte Shqiperise dhe qan ai qe jeton ne te.
    -‘Shqiperia ka sot nje nga sistemet me te mira ne bote te prokurimit publik”. Cudi. Sepse Banka Boterore e radhit Shqiperine ne vendin e 127, midis 159 shteteve persa i perket korrupsionit ne business.
    -‘Shqipëria sot është vendi më i mirë në botë për turizmin’. Po te mos e dije se vinte nga goja e kryeministrit shqiptare, nje rrjesht i tille i takon programeve ne televizionin shqiptare te tipit “Portokalli”.
    -“Shqiperia ka … një nga ligjet më të mira në Europë për konfiskimin e aseteve”. Hemm. Me rreth 40-50% te aktivitetit ekonomik, ne ekonomine informale, njerezit kane bere zgjedhjen e vet me ane te xhepit, kur vjen puna ne raportet me shtetin.
    -“ Shqipëria do të ketë infrastrukturën më të mirë në Europën Juglindore dhe nga më të mirat në Europë.” Me infrastrukture simbas Wiki-t ( mos me zini me gure) nenkuptohet dhe perfshihen strukturat fizike dhe organizative te nevojshme per funskionimin e nje shoqerie. Ose sherbimet dhe strukturat fizike te nevojshme per funskionimin e nje ekonomie. Me kete term perfshihen strukturat teknike si rruget, furnizimi me uje, ujerat e zeza, rrjeti elektrik, telekomunikazioni, prodhimi I te mirave materiale dhe sherbimeve, shperndarja e prodhimeve ne treg, shkollat, spitalet etj. Pra Berisha ne te gjitha zerat e permendura me siper ka ndermend ta beje Shqiperine me te miren ne Ballkan, dhe nga me te mirat ne Europe. Pyetja qe del eshte thjesh: a eshte ne metro kryeminitri i shqiptareve? Apo flet budallalleqe, me bindjen se ka te beje me budallenj?
    -“Shqiperia… një nga vendet më tërheqëse për investime në Evrope dhe në Botë”. Me sektorin privat qe puneson vetem 47% to krahut te punes, me nje borxh te jashtem 41 % te GDP, dhe i 127 ne bote per korrupsion, jane te gjitha premisat qe cfaredo lloj investimi qe do behet ne ate vend do te behet ne baze interesash private dhe jo publike. Njesoj si ato investimet ne Banana Republics ( kujt nuk i pelqen paraja e lehte).

    Eh thuaj…

  9. Analiza e bere nga xhaxhai me duket me se realiste, nuk e kuptoj shqetesimin e glupnostit. Ne pergjithesi politikanet perdorin kete lloj retorike pikerisht duke vene ne dukje si dicka pozitive, pikerisht ate qe nuk eshte e tille ne momentin.
    Historia ka shume raste te tilla:
    Kur shpertheu Cernobili, thane qe ka nje problem te vockel, ka pak rrezatim por pa qeder fare. Kete gje e bene edhe tani vone japonezet me rastin e Fukushimes: e kemi gjendjen nen kontroll. Doli e kunderta!
    Para se te plasnin (shembeshin) lojerat piramidale ne Shqiperi, Saliu nxitoi te deklaronte: parate e shqiptareve jane me te pastrat ne bote!(doli e kunderta)
    Tani per zgjedhjet tha se jane me modernet! (nga ana teknologjike) : Por po del e kunderta. Njerezit se marrin vesh ku duhet hedhur vota.
    Pra komentues te dashur, kur i meshojne shume nje teli (kupto politikanet) ajo duhet konsideruar se aty ka problem.
    Shikoni Berluskonin: eshte ne krize politike dhe thote se ska problem, kam numrat, jemi te forte.
    Ne rastin e Saliut eshte ironike se te gjitha elementet (temat e prekura nga SB) qe analizon xhaxhai perbejne probleme reale te Shqiperise.
    Mes shume te tjerave qe tha harroi te permendte qe Shqiperia ka perjetuar shperthimin me te forte ne Ballkan ne Gerdec, nqs donte me te vertete te ishte realist.
    Keshtu une jam gjithmone i detyruar qe ne fjalet e politikaneve te nxjerr mesazhin e vertete qe fshehin ligjeratat.
    Dhe Saliut personalisht do ti rekomandoja: me mire rri i heshtur, e mos u ndje, se me shume i ben dem vetes kur hap gojen.

  10. Ja edhe disa hiperbola të tjera të kryeministrit, në një fjalim me rastin e inaugurimit të rrugës Lezhë-Rrilë-Shënkoll:

    Kjo rrugë, e ndërtuar sipas parametrave më të mirë evropianë…

    Rruga e sistemi i ri rrugor që ne ndërtojmë përbën elementin më themelor në përpjekjen tonë për të realizuar një ëndërr fisnike

    Shqipëria vend i zhvilluar është ëndrra më e bukur, më e denjë, më e merituar për çdo shqiptar.

    Shqipëria vend i zhvilluar është ëndrra më e guximshme, por që kam bindjen më të madhe e më të plotë se ne, së bashku, këtë ëndërr do ta bëjmë realitet deri në vitin 2017.

    Sot, pas 20 vitesh, ne gjejmë se, me lumenj djerse, mundi, sakrifica, me punën e vetëmohimin e fëmijëve tanë, e bijve tanë në Greqi, në Itali e kudo në Europë, ky vend ka realizuar rritjen më të madhe të të ardhurave në historinë e këtij kontinenti.

    Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme që, me mundin e djersën tuaj dhe reformat e thella e qeverisë, të bëhet një Zvicër e vërtetë me det. Potenciali i saj turistik është potenciali më i madh që mund të ketë një vend.

    Janë rreth 400 kilometra bregdet, nga më të bukurat në Mesdhe, për tu zhvilluar. Janë masivet malorë, ndër më mahnitësit në Europë, me potencial të jashtëzakonshëm turistik.

    Ne së bashku këtë tokë, e cila është e paktë, do ta shndërrojnë në kopshtin më të bukur të Evropës.

    Ne kemi më pak se të gjithë të tjerët në Evropë tokë bujqësore, por kemi tokën më pjellore se gjithë të tjerët.

    Në të njëjtin fjalim, kryeministri gjithashtu tha se ne e kemi ndryshuar Shqipërinë “më shumë se 30 mijë vite të marra së bashku”, se “Zoti e ka bërë Shqipërinë, siç thoshin të parët tanë, Misir për prodhimet e saj” (çfarë do të thotë kjo vallë?), se së shpejti Shqipëria do të jetë “vendi i parë me energji 100 përqind të rinovueshme” dhe do të bëhet “superfuqi energjitike në rajon”, se Shqipëria është “Zvicër e vërtetë me det”, edhe pse ujërat e bollshme e bëjnë atë “një Norvegji të vërtetë të gadishullit të Ballkanit”, dhe se këtë vit jemi shpallur “destinacioni kryesor turistik i planetit.” Më mirë prishet, tha.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin