Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Politikë / Sociologji

EDHE PLAY, EDHE FAIR

Në vizitën që ia bëri së fundi një qendre votimi në Tiranë, ambasadori Arvizu tha diçka që më bëri përshtypje.

Citoj nga gazeta Shqip:

Ambasadori pranoi se ka pasur ndërprerje të qëllimshme të procesit të numërimit nga të dyja palët, por siç tha ai, kjo është pjesë e lojës politike, që gjithsesi duhet të ketë një limit. “Mendoj që të dyja palët po luajnë lojën e tyre dhe kjo është pjesë e politikës, por mendoj se gjithçka duhet të ketë një kufi. Ka ardhur një pikë ku loja nga të dyja palët duhet të përfundojë. Lidershipi politik duhet të japë sinjalet e duhura që procesi të përfundojë”, tha ambasadori amerikan, Arvizu.

Më ngacmoi, në këtë pasazh, referimi ndaj lojës politike, ose i politikës si lojë, një koncept që jam përpjekur ta shtjelloj edhe në trajtesa gjetiu.

[Para se të komentoj më tutje, duhet të vërej se pasazhi është përkthyer nga amerikanishtja; dhe amerikanët safí kanë një zakon – për mua të bezdisshëm – që e ngarkojnë ligjëratën e tyre me metafora sporti, kryesisht nga bejsbolli ose nga futbolli amerikan. Kam pasur dikur një boss, i cili nuk arrinte të thoshte asgjë për të qenë në mbledhjet, sepse me të filluar të fliste e humbte fillin në metaforat e bejsbollit, të cilat ndiqnin njëra-tjetrën si vagona treni. Kur flet, amerikani i referohet lojës pothuajse automatikisht, madje pa i menduar fare figurat që sjell; njëlloj siç na ndodh ne në shqipe, me proverbat dhe frazeologjinë me qerre, këmborë, çati që pikojnë, baltë, kuaj dhe qen.]

Brenda këtij shkrimi, lojën do ta përkufizoj, sipas Katie Salen dhe Eric Zimmerman, si “një sistem në të cilin lojtarët përfshihen në një konflikt artificial, të përcaktuar nga rregulla, dhe që përfundon me një rezultat të kuantifikueshëm.”

Pse më ngacmoi përmendja e lojës nga Arvizu? Sepse, në të vërtetë, loja politike për të cilën flet ambasadori vjen dhe i kundërvihet, në këtë moment, lojës së zgjedhjeve; nëpërmjet një dialektike që duhet ndriçuar.

Them loja e zgjedhjeve, sepse loja është metafora më e mirë për ta ilustruar ritualin elektoral, sidomos në demokraci; zgjedhjet mbështeten në një bashkësi rregullash, zakonisht përftojnë fitues dhe humbës, parakuptojnë përpjekje për të arritur një rezultat, nuk mund të kryhen pa fair play nga ana e palëve, etj.

Nëse loja, të paktën ajo kompetitive, është ritualizim ose simulim i luftës, që lejon sublimim të dhunës (në kuptimin freud-ian), atëherë zgjedhjet janë edhe një simulim i padëmshëm dhe i qytetëruar i luftës civile.

Ndërkohë, loja së cilës i referohet Arvizu i përket një hapësire tjetër, e cila krijohet dhe ekziston për t’u dhënë palëve kundërshtare mundësinë të veprojnë të çliruara prej rregullave.

Po vazhdoj edhe unë me metafora sportive. Një ndeshje futbolli zhvillohet sipas rregullash të panumërta – që s’kanë të bëjnë vetëm me lojën si të tillë. Mjaft t’i hedhësh një sy rregullores së futbollit, për t’u bindur – aty gjen rregulla që kanë të bëjnë jo vetëm me mënyrën si luhet por edhe me përmasat e fushës, fanelat e lojtarëve, sjelljen e arbitrit në fushë, kohëzgjatjen e lojës, etj.

Që futbolli të jetë lojë, duhet të ndjekë disa nga këto rregulla; madje të gjitha, në nivel kampionatesh të organizuara. Gjithsesi, një gjë mbetet e vërtetë – pa rregulla, nuk mund të ketë lojë.

Tani, në një kuptim tjetër, loja mes dy skuadrave fillon që para ndeshjes; kjo lojë ka të bëjë me informacionin që disponohet për lojtarët dhe ekipet, formacionet që do të dalin në fushë, incidente që mund të kenë ndodhur me gazetarë dhe arbitra, etj. Ndonjëherë lojtarët vetë, trajnerët, presidentët e skuadrave dhe gazetarët krijojnë ngatërresa, ose shkaktojnë incidente, për ta rritur tensionin. Dëgjon kërcënime, akuza për favorizim arbitral të skuadrës kundërshtare, thashetheme për këtë apo lojtar që ka deklaruar kështu apo ashtu. Rrallë e tek (në vende ku kanë respekt për sportin, jo në Shqipëri) drejtues të ekipeve bien dakord për ta influencuar rezultatin në një mënyrë ose në një tjetër, ose përpiqen të korruptojnë ose të kërcënojnë arbitrin. Të gjitha këto janë lojëra, por nuk janë pjesë e lojës së futbollit. I vijnë rrotull, nuk kanë kuptim në vetvete, përtej ndeshjes ose aktit ku do të konsumohet loja si e tillë, parazitojnë mbi të; disa manovra kërkojnë mjeshtëri të madhe, sidomos për të mbetur legale ose për të manipuluar shtypin; por gjithsesi, loja përpara dhe ndonjëherë pas ndeshjes (kontestimet e arbitrit, ankimet për keqtrajtim ose për sjelljen e tifozëve, etj.), i kundërvihet në parim lojës gjatë ndeshjes.

Kjo kundërvënie ka të bëjë pikërisht me rregullin kryesor mes rregullave të lojës; dhe jo vetëm të futbollit, por edhe të çdo loje tjetër – atë që zakonisht e quajnë me shprehjen anglishte fair play, dhe që është, në thelb ai rregull, që kërkon respekt të rregullave dhe trajtim të barabartë të palëve. Në fakt, rregulla e fair play është meta-rregull, e cila u nënvendoset të gjitha rregullave të tjera, njëlloj si prezumimi i vërtetësisë në një pohim faktual.

Mund të flasim, kështu, për dy anë të lojës: loja si zbatim i rregullave përkatëse, dhe loja si përpjekje për t’iu shmangur rregullave. Të dyja janë të pranueshme, por e dyta vetëm në atë masë që varet nga e para. Kështu, në boks ndodh rëndom që boksierët të shajnë njëri-tjetrin, gjysmë seriozisht, menjëherë sapo takohen në ring (talking trash, e quajnë këtë në anglishte); shahistët ndonjëherë përpiqen ta irritojnë kundërshtarin duke gogësirë ose gromësirë ose duke kafshuar me zhurmë karamelet që kanë në gojë; goli që shënoi Maradona me dorë ishte shkelje e fair play, por edhe një lojë e tij me arbitrin dhe publikun, që kaloi e pandëshkuar; ndonjëherë, lojtarët flasin keq për rivalët e tyre në shtyp, edhe pse më pas u kërkojnë atyre falje në privat. Gjithsesi, një trajner ose një drejtues i zoti di të kombinojë respektin për fair play me lojën tjetër, atë që kërkon t’i kundërshtojë rregullat, por jo deri aty sa t’i shkelë.

[Këtu ndoshta duhet vërejtur se një lojë bixhozi, si pokeri, e ka përfshirë në rregullat deri edhe deklaratën e rreme (blofin), ose diçka që, në rrethana të tjera, do të konsiderohej “hile”. Diçka e ngjashme ndodh me sistemet artificiale të deklarimit në bridge; por këtu nuk ekziston mundësia e gënjeshtrës, meqë palët janë të detyruara, me rregullore, t’ua shpjegojnë kundërshtarëve sistemin që do të përdorin.]

Përkundrazi, kur loja politike, ose përpjekja sistematike për t’i shkelur rregullat, në një kohë që kundërshtarit ia kërkon zbatimin e tyre me të madhe merr përparësi ndaj lojës sipas rregullave, deri në atë shkallë sa ta ndikojë rezultatin e kësaj të fundit, atëherë vetë loja shthuret, për t’u shndërruar në një lloj dhune të drejtpërdrejtë: do të ishte njëlloj sikur, në sport, një president ekipi të blejë lojtarët e ekipit kundërshtar, një sipërmarrës bastesh t’i paguajë rryshfet arbitrit ose t’i bëjë këtij shantazh me foto komprometuese, një çiklisti t’i hedhin laksativ të fortë në pijen freskuese.

Kur palët në një lojë politike luajnë mes tyre jo sipas rregullave të lojës, por me synimin e vetëm që t’i shkelin këto rregulla më shpejt dhe më pa u ndëshkuar se pala tjetër, atëherë vetë loja është vënë në shërbim të palëve lojtare dhe interesave të tyre.

Prandaj, loja politike së cilës i referohet Arvizu, mund të ketë kuptim brenda sistemit politik dhe kulturor amerikan, të themeluar tërësisht mbi fair play-n, por jo brenda sistemit politik levantin që kemi në Shqipëri, i cili lejon që loja sipërfaqësore, ose çka duhet të shtjellohet sipas rregullave, të përdoret nga palët si pretekst për të plaçkitur kundërshtarin.

Nëse ajo lojë, e zhvilluar në kulisat, larg syve të publikut; dhe e themeluar mbi dinakërinë, dredhinë, kurthin, mashtrimin e kundërshtarit, stratagjemën, Kalin e Trojës, provokimin, befasinë, pritën, thikën pas shpine, shantazhin, frikësimin, intrigën, shpifjen, sharjen, lapërdhinë, pështymën, rryshfetin, shpërblimin, akuzën e rreme, tridhjetë asprat; pra, nëse ajo lojë arrin të marrë përparësi ndaj lojës tjetër, asaj në dritën e diellit, ku palëve u kërkohet zbatimi i rregullave, atëherë edhe vetë kuptimi i termit lojë vjen e rrëshqet, nga ai që përkufizova më lart, drejt kuptimin që i referohet performancës së aktorit në skenë, të cilën e quajmë gjithashtu lojë (edhe në shqipe, edhe në anglishte – play).

Natyrisht, aktori në skenë nuk luan ndonjë lojë (game), as kërkon të fitojë, as synon ndonjë rezultat të kuantifikueshëm; por luan një rol, ose bën një marrëveshje të çastit me publikun, për t’u identifkuar, brenda kufijve hapësinorë të skenës dhe kohorë të shfaqjes, si dikush tjetër, ose personazh i pjesës.

Nëse pyesim se çfarë kanë të përbashkët futbollisti në fushë dhe aktori në skenë, meqë të dy “luajnë”, ose simulojnë; por futbollisti sublimon palën në një konflikt të dhunshëm, në mënyrë simbolike; ndërsa aktori na kërkon ta identifikojmë me dikë tjetër. Në të dy herët, kemi të bëjmë me një zhvendosje nga plani i realitetit, në planin e simulimit – sidoqë në sport simulohet nëpërmjet dinamikës ose ndërveprimit të lojtarëve, ndërsa në skenë nëpërmjet adoptimit të një identiteti të ri.

A ka lidhje kjo me zbatimin, përkatësisht shkeljen e rregullave në politikë? Ndoshta ka. Politikani që luan fair na paraqet fytyrën e vet, madje edhe kur angazhohet në beteja simbolike, ose të sublimuara me kundërshtarët; politikani që luan lojëra jashtë skenës publike, duke u përpjekur t’i përkulë ose t’i thyejë rregullat, deri atje sa ta zhvlerësojë edhe lojën sipas rregullave vetë, na paraqet neve, publikut, një fytyrë tjetër – atë të rolit të vet.

Kësisoj, është në natyrën e politikës që të bashkojë, më shumë e më mirë se fjalori, dy kuptimet e ndryshme të lojës – si sport dhe si art skenik; por kjo martesë mund të pranohet vetëm e vetëm kur skajet e saj mbahen në ekuilibër. Të gjithë e dimë që politika është teatër dhe protagonistët e saj luajnë për publikun; madje edhe kur luajnë me njëri-tjetrin. Të gjithë e dimë, por jemi gati ta pranojmë këtë, sa kohë që kemi arsye të besojmë se ajo loja tjetër, ose simulimi i ndërveprimit social në shkallë të gjerë, vijon të luhet sipas rregullave.

Brenda sistemit të sotëm politik shqiptar, rregullat e lojës ekzistojnë dhe përdoren vetëm brenda një sistemi për të frikësuar kundërshtarin; jo si imperativ moral për të gjithë ata që përfshihen në lojë. Ndoshta Arvizu nuk e ka të lehtë që ta kuptojë këtë në thellësinë e vet; ndoshta e pengon edhe amerikanishtja. Të shohim.

Pa Komente

  1. “rregullat e lojës ekzistojnë dhe përdoren vetëm brenda një sistemi për të frikësuar kundërshtarin”
    Ekzistenca e rregullave, nëse shërben për diçka, shërben vetëm për të zbukuruar fasadën e arritjeve demokratike që ka arritur Shqipëria gjatë këtyre viteve.
    Që “rregullat e lojës” të mund të frikësojnë kundërshtarin, as ka bërë dhe as ka për të bërë ndonjëherë vaki (e di që Xhibi e ka inat, por rasti i kutive, të zgjedhjeve të kaluara, është më i pastri).

    Ndërkohë që lexoja shtjellimet e Xhaxhait rreth rregullave të lojërave, ndrysh nga Xhaxhai mua më vinte ndërmend një lojë tjetër që bënim kur ishim të vegjël:
    – Të jap 10 “cuca (e maleve)” dhe më jep 3 “fshati i ri (socialist)”
    – Jo… po të duash, të jap 4 “fshati” për atë “lulen”
    – jooooo, për lulen dua 4 “fshati” dhe 5 “cuca”

    … ja, pazare të tilla bënim përpara se të fillonim lojën me pullat e postës… pak a shumë, edhe pse s’kishin të bënin me lojën, pazarllëqet bëheshin pjesë e lojës… dhe Arivziu më troç se e ka pasqyruar me fjalën lojë, dmth pazarin e çasteve të fundit para deklarimit të rezultateve, s’ka ku të vejë.
    Në fund të fundit, xhambazët janë më të ftohtë edhe se shahistët më të mirë, në “lojën” e tyre.

  2. Mos të kerkojme ti bëjmë gjerat më të komplikuara kur ato janë të thjeshta.Zgjedhjet janë një loje ku partite perpiqen te bindin zgjedhesit qe te votojne per ta (Laponce). Është e ditur që të fitosh nje loje varet nga nga regullat dhe sesi keto regulla interpretohen. Zgjedhjet nuk bejne perjashstim. Thelbi i zgjedhjeve qëndron në:
    1.Kush ka drejtë të votojë.
    2.Kush ka të drejetë të jetë kanidat.
    3.Si është stabilizuar regjistri elektoral.
    4.Kush drejton zgjedhjet.
    5.Sesi njerëzit shprehin vullnetin e tyre.
    6. Sesi votat shoshiten dhe renditet fituesi.
    Zgjedhjet ne Shqiperi, nga eksperienca, ngecin ne piken 6.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin