Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Sociologji / Urbanistikë

SHQIPËRIA NË TIRANË

Po i kthehem çështjes së emigracionit të brendshëm drejt Tiranës, me shpresë se do të ngjallë debat.

E quajta “dyndje” në një shkrim të mëparshëm; një komentuesi kjo fjalë nuk i pëlqeu.

Atëherë po e korrigjoj: nuk është dyndje, por invazion barbar. Valë shkatërrimtare. Sjellëse e kaosit dhe rrëgjimit.

E quajta dyndje të Shqipërisë drejt kryeqytetit, pa bërë dallim mes Jugut dhe Veriut – sepse ky dallim nuk ngre peshë, nga perspektiva e qytetarit tiranas.

Nuk ka rëndësi nëse të ardhurit janë nga Puka apo nga Skrapari; rëndësi ka konsumi që i bëjnë ata pasurisë dhe hapësirës publike të kufizuar të Tiranës, ose çka e kanë quajtur “the commons”.

(Shihni edhe shkrimin Kullotat e kryeqytetit, në këtë blog.)

Është apo nuk është ky problem për t’u diskutuar, rrahur, shkundur, rrjepur, kruar, kthyer mbrapsht, disektuar, parë në mikroskop gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale për Bashkinë e Tiranës?

Unë them se është.

Ngrihet komentuesi UN dhe vëren: fajin nuk e ka dyndja, por e ka mungesa e vizionit nga ana e pushtetarëve… armiqësia madje e hapur e kreut të Bashkisë së Tiranës ndaj njeriut shqiptar.

Mirëpo këto nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën.

Metafora 1

Ta zëmë, ti ke ndërtuar në një zonë ku nuk duhej të ndërtoje, buzë lumit; dhe nuk duhet të ndërtoje për shkak të rrezikut të përmbytjes.

Tani, fryhet Drini, ta merr shtëpinë dhe katandinë, të lë me një palë brekë dhe me macen vetëm.

Kush e ka fajin? Disa thonë: fajin e ka Drini, force majeure, act of God, Gaia…. Disa të tjerë: fajin e ke ti që ke ndërtuar shtëpinë aty ku nuk duhej. Të tretët: fajin e ke ti që s’e ke siguruar shtëpinë dhe pronën. Të katërtët: fajin e ka shteti/pushteti lokal, që të kanë lënë të ndërtosh aty. Të pestët: fajin e ka Ministria e Punëve Publike, që nuk është kujdesur për argjinaturat, digat, hidrovorët. Të gjashtët: fajin e ka industria e ndërtimit, që ia ka marrë lumit zhavorrin. Të shtatët: fajin e ka meteorologu…

Ja, kështu vete ky arsyetim.

(fund i metaforës)

Le të vëmë veten në pozitat e qytetarit të Tiranës, të cilit i është katërfishuar qyteti i vet brenda njëzet vjetësh; por pa u shoqëruar kjo me ndonjë përmirësim në infrastrukturë (kanalizime, rrjeti elektrik, telefonia fikse, rrugët, parkimet, sipërfaqja e gjelbër, transporti publik, shkollat, shëndetësia, qendrat kulturore).

A ka të drejtë ky qytetar, që ta vendosë problemin në qendër të debatit parazgjedhor?

Në shkrimin tim të mëparshëm, përmendja edhe rolin e të ashtuquajturit lob të ndërtuesve. Qarkullon një mendim, të cilin nuk e kam fiksuar dot mirë, sipas të cilit ndërtuesit jo vetëm janë të interesuar, por edhe i nxitin drejtpërdrejt banorët e provincës që të zhvendosen drejt Tiranës, sepse vetëm ashtu mund t’ua shesin apartamentet që po ngrenë nga të gjitha anët.

Nga ana tjetër, qytetari në Tiranë nuk mund të debatojë, në fushatën për zgjedhjet lokale, rreth arsyeve që i detyrojnë shqiptarët të braktisin provincën, fshatin, malin dhe të zbresin në Tiranë.

Lëvizja e fshatit drejt qytetit është dukuri e zakonshme, anembanë botës. Qyteti tërheq me dritat, por edhe me mundësitë që u krijon njerëzve për të jetuar më mirë.

Megjithatë, çfarë ka ndodhur në Shqipëri këto njëzet vjet nuk mund të konsiderohet normale, pavarësisht nga shkaqet.

Këtu nuk duhet harruar edhe që kjo dyndje e pashembullt e tanishme vjen edhe si pasojë e çarjes së digës – digës që kishte ngritur regjimi komunist, për të penguar njerëzit të lëviznin lirisht. Një qytet si Tirana, që do të ishte rritur pak a shumë gradualisht, të themi si Sofja ose Athina, e pësoi këtë rritje për një kohë të shkurtër.

Por kjo nuk ndryshon asgjë në përjetimet e qytetarëve, të cilët janë dëshmitarë të degradimit, të përditshëm, të hapësirës së qytetit, për shkak të mbipopullimit.

Metafora 2

Ta mendojmë qytetin si një pallat, ku njerëzit jetojnë në apartamente me qira.

Nëse pronari i pallatit ua lëshon apartamentin sipër timit, me një dhomë e një kuzhinë, gjashtë emigrantëve nga Bregu i Fildishtë ose nga Rumania, atëherë mua më hapet punë: gjashtë vetë në një apartament të vogël bëjnë zhurmë, derdhin ujin që më pikon mua në banjë…

Tani, le të përfytyrojmë edhe një familje që vjen nga Jamaica dhe vendoset në shkallët e pallatit, duke e bërë shesh-pushimin dhomë gjumi.

Le të përfytyrojmë edhe një bajgë avulluese në ashensor; meqë disa bullgarë në katin e tetë kanë sjellë një lopë me vete, të cilën e nxjerrin për të kullotur në parkun përbri.

Nga tekstura e bajgës, kuptohet se lopa është ushqyer kryesisht me gazeta të vjetra.

Te lobby i ndërtesës ciganët kanë sajuar një si pazar, duke “shtruar” tezgat, ku shesin çakmakë, triko të përdorura, pula deti të gjalla dhe batanije.

Qentë lehin, gjelat kikirikijnë, gratë zihen.

Në mes të kësaj katrahure, pronari sheh një mundësi biznesi dhe vendos t’ia shtojë pallatit tim edhe tetë kate të tjera, duke i sjellë punëtorët të ndërtojnë në mes të ditës.

Ujë nuk ka, sepse e përdorin ustallarët; korrenti ikën, meqë digjen siguresat, prej betonierave.

Çfarë më mbetet mua të bëj, përveçse të iki që andej? Natyrisht, edhe pronari i pallatit, rob zoti, këtë dëshiron; jo vetëm sepse në apartamentin tim mund të futë tani dy familje të zgjeruara nga Kamboxhia (me cjapin sakral me vete), por edhe ngaqë mua mund të më japë me qira, dy herë më shtrenjtë, një apartament të ri, që e ka ndërtuar pak më tutje, mu aty ku ngrihej deri dje një park me ketra.

Të gjithë të lumtur dhe multikulturorë, të gjithë i themi JO racizmit, por ndërkohë cilësia e jetesës ka marrë rrokullimën.

(fund i metaforës)

Tani, për t’u kthyer te Tirana, unë besoj se ngërçin kryesor Tiranës, si qytet, po ia sjell mbipopullimi; jo në vetvete, por si “tragedy of the commons”; meqë këtij mbipopullimi infrastruktura nuk i është përgjigjur asfare.

Pse nuk i është përgjigjur? Për faj të drejtuesve lokalë, të administratës qendrore, apo ngaqë nuk ka shtet që t’i bëjë ballë, nga pikëpamja ekonomike, katërfishimit të kryeqytetit të vet brenda një periudhe kohe të shkurtër?

Për ta mbyllur: disa vërejnë se të ardhurit janë edhe vota; dhe se ka politikanë të cilëve këto vota u duhen. Ja edhe tabloja përmbyllëse: të varfërit vijnë sepse duan të jetojnë; lobi i ndërtuesve i grish në kryeqytet për t’u shitur billdingjet; politikanët u marrin votën.

Si mendoni ju?

Pa Komente

  1. “Qarkullon një mendim, të cilin nuk e kam fiksuar dot mirë, sipas të cilit ndërtuesit jo vetëm janë të interesuar, por edhe i nxitin drejtpërdrejt banorët e provincës që të zhvendosen drejt Tiranës, sepse vetëm ashtu mund t’ua shesin apartamentet që po ngrenë nga të gjitha anët.”-Xha Xhai

    Besoj se kjo eshte e vertete. Mbaj mend disa vite me pare gjate nje vizite ne Skrapar, si ne Polican edhe ne Corovode, ne bash te qytetit i behej reklame me billborde apartamenteve ne Tirane. Menyra sesi reklamohej te jepte pershtypjen se ata qe do i blinin keto apartamente do te gjenin Ameriken.

    Nga ana tjeter, une nuk besoj se mbipopullimi eshte shkaktari kryesor i kesaj situate. Me teper ai eshte simptome e sindromes Makuteri, si e pushtetareve si e atyre qe vijne e i duan te gjitha sa me shpejt. Gjithashtu nuk mund te themi per hir te te qenit politikisht korrekt se te ardhurit qenkan teresisht pafaj. Ne pjesen me derrmuese niveli i tyre kulturor eshte teper i ulet. Kjo shfrytezohet fare mire nga politikanet. Kujtoni psh se Rama ka fituar tre mandate kryesisht duke tundur punen qe ka bere pergjate Lanes. Madje edhe nje nga posterat e fushates se sivjetshme ka si sfond te stermadh perseri Lanen. “Qytetareve” te Tiranes, dhe kryesisht atyre te ardhur nuk u ben pershtypje se kreu i bashkise ne te katerta heret qe ka kandiduar nuk ka pranuar te bej debat publik me kundershtarin (arrogance dhe mungese e theksuar qytetarie). Mirepo atyre u ben pershtypje puna e bere tek Lana (7 km ne 10 vjet). Natyrisht qe me te tille nivel te ulet kerkesash dhe kulture nuk mund te presim shume nga kjo Tirane si ne nivelin qytetar ashtu edhe ne nivelet e tjera. Trysnia qe banoret e saj ushtrojne mbi administratoret e qytetit si dhe politikanet eshte shume e paket. Rjedhimisht e paket do te jete edhe puna e tyre.

  2. “un” e thashe mendimin tim njehere, te qarte dhe pa leshime.

    Ngulmimi juaj ne perdorimin e disa fjaleve me ngjyrese “mongoliane”, tregon se nuk eshte nje hutim i çastit, nje shkarje gjuhe, nje lapsus freudian apo jo.

    Ne historine e gjuhes shqipe, “dyndje” ka thelbesisht ngjyrese xhingiz khane. Hordhite dynden ne dyert e qytetit, turmat dynden ne dyert e kinemase, debilat dynden ne blogjet shqip.

    Megjithate, une s’habitem nga keto perdorime qe ju, zoteri, i beni fjales. Ato percjellin me se miri botekuptimin tuaj te ceket, qe siç e kam thene diku tjeter, eshte tipike tiranso-jugoro-pesedhjete vjeçesh. E njejta histori ne nje faqe te dashur tuajen, gazeta “shekulli”. E njejta gje ne nje faqe tjeter te dashur tuajen, “res publica”. Eshte e vajtueshme qe nje brez i tere (50 vjeçaresh) te jete indoktrinuar ne kete pike, te jete shpelare trush nga mistika e qelbur e nje kryeqyteti idilik i arritshem vetem nga nje grusht “te kenduarish”.

    Nuk ka asnje kuptim qe te vazhdoj ne kete histori. Ajo qe me ngazellen, eshte qe brezat e rinj, 20 vjeçaret dhe 10 vjeçaret e sotem do te habiten nje dite me idiotesirat qe do te keni shkruar papushim.

    Falemnderit per reklamen, nuk prisja qe postimet e mia te behen kaq “star”. Vetem nje hap me ndan nga dalja ne gazete, siç duket.

    1. Mos i jep kaq rëndësi vetes. Prej kohësh e kam parë që t’i vjen këtu vetëm për të pështyrë; por ashtu edhe më ndihmon, si specimen.

    2. uaaa…eshte e pamundur te mos lexosh Egoizem ne Maximum me kete komentin e parafolesit “un”…egoizem qe arrin ne narcicizem! Eshte mese e qarte qe “un” nuk praktikon fare komunikim jo-te dhunshem (non-violent). Dhe per me teper ju zoteria, “un” megjithese keni te drejten e fjales dhe opinionit tuaj ne kete diskutim demokratik, ju me duket se po humbi thelbin e problemit dhe ne te njejten kohe po e reflekton problemin vet, egoizmi i tepert i politikanve shqiptare, te cilet nuk marrin parasysh nevojat e popullit dhe nuk degjojne thirrjet e popullit per rruge te drejte ne te gjitha deget e sistemit qeveritar.

      Jam shum e sigurt se edhe ti vete e kupton qe eshte problem sic thua…”Eshte e vajtueshme qe nje brez i tere (50 vjeçaresh) te jete indoktrinuar ne kete pike, te jete shpelare trush nga mistika e qelbur e nje kryeqyteti idilik i arritshem vetem nga nje grusht “te kenduarish”.”…por mund te jesh kaq i lodhur nga pazgjidhshmerite qe shaktohet edhe nga problemet me te vogla. Mgjth, edhe ky brezi i 50-vjecareve te indoktrinuar nuk perfaqeson prinderit e mi 50-vjecare te cilet kane kaluar pasojat e dy systemeve diktatoriale si ne komunizem edhe tani ne post-komunizem dhe me shum si middle-eastern politics. Po kjo pjse e 50-vjecare jane ata qe e shohin problemin shum qarte, por ju mugon besimi dhe kurajo te protestojne. Keto probleme dhe injorime te nevojave elementare te jeteses ne Shqiperi dhe fshatrat e shtetit kane zgjatur kaq shume sa ka ndikuar komplet ne kulturen e njerezve. Problemi eshte kulturor dhe social. Kur populli eshte i percare, kasapet bejen karapane!!!

  3. “Këtu nuk duhet harruar edhe që kjo dyndje e pashembullt e tanishme vjen edhe si pasojë e çarjes së digës – digës që kishte ngritur regjimi komunist, për të penguar njerëzit të lëviznin lirisht”

    Lirisht, liri me bilete takimi ne Tirane, e moren dhe po e marin nga zhelet tiranen ata qe po perfitojne. Perfituesit, koke e kembe, jane jashte vendit.

    As nji individ nuk e ka ne dore zgjidhjan me te mire apo te keqe, eshte si epidemi qe pllakos masivisht ate qe ben shoqerin. Nuk ka fund, pa nje fillim. E vetmja pike referimi e fillimit te cdo gjeje eshte fundi i nje tjetre, paraardhese.

    Mund te gjendet diagnoza e smundjes epidemi, por jo pa imunitet,. Imunitet nga semundjet e mepareshme, te sistemit ne kete rast.

    Mendoj se vler per panoramik te epidemise ka shkrimi, ndofta s’eshte dignoze sherimi nga epidemia.

    Ata qe e kane kalitur gjoksin me carje rrethimesh me tela gjembi neper m..t, s’ka burre nene ti ndal sot, ku cdo gje mund ti ndaloj, por jo pa tela gjembi per tu kredhur ne m..t. Pra eshte bere ai vend si vrima jashteqitese e nje organizmi me trup evrope dhe bote.

    1. Driti jam shum dakord me egzaminimin e diagnozes…shum e veretete puna e imunitetit. Nje dicka me ben shum pershtype, sepse inteligjenca ekizston ne Shqiperi dhe jam shum e bindur se edhe inxhinieri/arkitekti me i dobet akademikisht do dinte te dallonte pikat baze te rrindertimit apo te zhvillimit te nje terreni. PO e njejta inteligjence ekziston te vere ne dukje se problemi nuk eshte vetem i Evropes dhe Botes, por brenda ne Shqiperi ….nuk mund te vazhdojme ti veme fajin vetem te tjereve. Cdo gje e ka nje zgjidhje por problemi edhe pse shum i vogel ne dukje, duhet praktikuar ne shprehjet e komunikimit….nuk mund te vazhdohet te flitet akoma duke treguar me gisht kush e ka FAJIN…njerezit duhet te flasin per zgjidhje, te arrijne te zhvillojne dhe praktikojne zgjidhjen deri ne realitet, me pas analizohen pasojat e problemeve, dhe ndertohet imuniteti baze per te mos arritur ne te njejtin problem perseri. Eshte tmerri te degjosh politikanet lokale apo shteteror te flasin me nje gjuhe brutale, pa respektuar rregullat e lojes se debatit dhe kjo reflekohet me pas ne publik. Mbi te gjitha, me pelqen shum opinioni jot !! Shpresa jeton!!

  4. Të mos harrojmë si nisi ky diskutim: nga tematika e debateve, gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale.

    Tirana, si qytet, po bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u jetuar. Nuk kam statistika në dorë, por besoj se shumë tregues të cilësisë së jetesës i ka më të ulëtit në Europë (mes kryeqyteteve): shkallën e punësimit, ndotjen e ajrit, furnizimin me ujë të pishëm, sipërfaqen e gjelbër për banor, linjat e telefonisë fikse, transportin publik, vendparkimet, numrin e shtretërve të spitalit për 100,000 banorë…

    Qytetarët e Tiranës, ata që nuk kanë ardhur aty këto 20 vjetët e fundit, besojnë se një pjesë e madhe e problemeve kanë të bëjnë me rritjen e pakontrolluar të qytetit, për shkak të emigracionit të brendshëm.

    Kësaj rritjeje qyteti nuk i është përgjigjur dot me përmirësim të infrastrukturave.

    Shto këtu edhe që Tirana e para 1990-ës ishte një qytet që nuk ishte menduar për qarkullim automjetesh private. Vërtet ai u rrit gati 10 herë, në krahasim me 1945-ën, por u rrit si qytet këmbësorësh dhe biçiklistësh. U ndërtuan pallate, por jo rrugë për makinat dhe vendparkime të mjaftueshme.

    Tani, shkaqet e krizës së tanishme janë të shumta – varfëria në provincë, mungesa e investimeve në provincë, fakti që deri në 1990-ën emigracioni i brendshëm ishte i kontrolluar rreptë nga shteti, tërheqja e natyrshme e njerëzve ndaj kryeqytetit, mundësitë për punë që ofron kryeqyteti, lobimi i ndërtuesve për klientë dhe i politikanëve për vota…

    Një gjë është e qartë: qytetarët e para 1990-ës janë humbësit më të mëdhenj. Të ardhurit, edhe ata humbës, ende nuk e kuptojnë lojën që luhet me ta – të zënë siç janë në luftën për mbijetesë.

    Komentuesi un, i cili përpiqet të lajë hesape imagjinare me çdo koment që shkruan, kot ngatërron në këtë mes Jugun dhe Veriun; në fakt, me gjithë dyndjen e jugorëve drejt Tiranës pas vitit 1945 për arsye që dihen, Tirana mbetet qytet geg, i Gegërisë; po aq geg sa edhe Durrësi dhe Elbasani.

    Deri edhe zhargoni i rrugës, i rinisë kryeqytetase, pavarësisht nga origjina e gjyshërve të tyre, është qartazi i rrënjosur në të folmen gegërishte jugore të Shqipërisë së Mesme.

    Në Tiranë ka një bërthamë të rëndësishme të popullsisë vendëse, ose “tiranas autoktonë”, siç i quajnë ndonjëherë; këta kanë edhe shumë prona në qytet. Qyteti ka qenë i tyre. Lebërit që erdhën me yllin partizan në ballë u vendosën në ndërtesa të shtetëzuara (të cilave tani u ka dalë pronari) dhe më pas në pallate. Por pronat e truallit janë të vendësve.

    Në Tiranë ka edhe të ardhur të vjetër nga fshatrat përreth; në lagjen ku jetoj unë, të gjithë komshinjtë rreth e qark janë të ardhur nga Ndroqi, para 1945-ës.

    Pa folur pastaj për dibranët, që kanë ardhur aty para 1945-ës gjithashtu; dhe komuniteti i vllehëve, që sot dallohet prej të tjerëve kryesisht për shkak të fesë ortodokse.

    Pa folur edhe për jevgjit në Brrakë.

    Gjithsesi, nuk ka konflikt jug-veri në Tiranë; konflikti është midis qytetarit dhe katundarit, në sipërfaqe; qytetit dhe kryeqytetit, në thellësi.

    Detyrë e politikanit lokal është të ndërmjetësojë në këto konflikte, për të shpjeguar arsyet dhe propozuar zgjidhjet. Por që ta bëjë këtë politikani, i duhet serenitet, kthjelltësi, duar të lira. Fushata e zgjedhjeve të tanishme është e tëra e helmuar nga përplasja në krye të shtetit, e mishëruar në vrasjet e 21 janarit dhe përgjegjësitë përkatëse. Prandaj nuk pres që të debatohen, haptazi dhe qetësisht, çështje të tilla gjatë kësaj fushate.

  5. Kjo “nxitje” debati, ne thelb, po te ja levizesh pak kapakun eshte nje mentalitet dominues tek “qytetaret e Tiranes” te ardhur pas clirimit te Shqiperise. Trajtohet Tirana sikur te ishte prone e dikujt qe te ardhurit po e prekin ne menyre te paligjshme.

    Demokracia e ardhur ne vitin ’90, sfidoi edhe kete mentalitet te pashaportizimit dhe Bllokut qe kishte ndare njerezit ne kasta qe zyrtarisht nuk pranoheshin por ekzistonin.

    Po t’i hyjme ketij debati se pari duhet sqaruar se kush konsiderohet qytetar i Tiranes. Ata tironasit e vjeter, te ardhurit ne vitet ’30 pastaj ata te kohes se partise? Po ata te ardhur ne vitet e ’90-te, jane qytetare te ketij qyteti? Cilat jane kriteret per te quajtur dike qytetar te Tiranes? Kur duhet te filloje kontestimi i tironcllekut te dikujt? Pas ’45-es? Pas ’90-es?

    Qytetaret e Republikes se Shqiperise kane te drejte te levizin dhe jetojne ku te duan. E drejte themelore. Eshte shteti ai qe duhet te menaxhoje kete levizje duke futur ne hullite e ligjit ndertimet, ceshtjen e pronave etj. Qytetari ka te drejte te kerkoje lumturine ku te doje. Qytetari/shtetasi (Kushtetuta nuk njeh dallim ndermjet atij qe banon ne fshat apo qytet) leviz aty ku jeton me mire, aty ku gjen sherbim mjeksor me te mire, shkolla me te mira, punesim me shume etj.

    Disa prej nesh kane emigruar edhe ne Amerike per nje jete me te mire.

    C’faj ka nje shtetas shqiptar i ardhur nga nje fshat i veriut apo i jugut pse Edi Rama nuk ka disiplinuar ndertimet ne Tirane? Nuk ka bere planin urbanistik ku te caktohen ndertimet, parqet, shkollat etj.? Katrahuara e betonit ne Tirane nuk eshte bere nga hallexhinjte, por nga politika dhe biznesi i ndertimit. Nuk po kerkon dikush bllokim te ndertimeve dhe as nuk urren dikush fitimin, por keto te ishin bere me rregull dhe ligj, duke pasur parasysh hapesirat e nevojshme per banoret, gjelberimin, sherbimet etj. Nese nuk dilnin hapesirat Tirana te behej policentrike e keshtu me rradhe.

    Hallexhinjte e ardhur nga zonat e tjera te Shqiperise shumica zune vend ne rrethinat e Tiranes dhe i dhane nje hov zhvillimi atyre zonave. E keni pare se si ka ndryshuar Kamza? Nga nje vendbanim i vogel qe s’mund ta quaje as fshat e as qytet eshte kthyer ne nje qytet qe te kenaq syrin.

    Pas nderrimit te sistemit dhe duke ditur mjerimin e Shqiperise, vecanerisht fshatit shqiptar, ishte e kuptueshme qe te kishte migrim nga keto zona ne drejtim te qyteteve te medha dhe qe ofronin mundesi per jete me te mire (vendet e tjera kete e kane kaluar me kohe, qe kur nisi industrializimi). Gjithashtu eshte e kuptueshme edhe dobesia e shtetit ne fillimvitet e 90-ta, por nuk eshte e justifikueshme dobesia me dashje e shtetit pas vitit 2000.

    Per shtetin, dmth. per pushtetin qendror e lokal dhe vizionin e detyrat qe duhet te kene flasim sa te doni, por te paragjykojme, diskriminojme apo sulmojme njerezit pse shfrytezojne te drejten e tyre per te levizur, jo. Tek ata qe kerkojne voten tone per te administruar qytetet tona, mund te ndalemi dhe duhet te ndalemi. Te shikojme punerat e tyre, vizionet e propozimet e tyre etj.

    Megjithate per ata qe jane te interesuar, me aq sa di une tani migrimi eshte ndaluar. Nuk ka me levizje masive nga zonat e tjera drejt Tiranes dhe Durresit. Kamza p.sh eshte nder 10 qytetet me te medha te Shqiperise per nga numri i popullsise ne mos gaboj dhe ketu eshte ndalur. Rruget, qe jane komunikim, zhvillim, qyteterim, zgjidhje hallesh, tani jane permiresuar shume, ekonomia ka levizur etj keshtu qe ka rene masiviteti i migrimeve. Sigurisht qe metropole si Tirana kane tendencen te rriten, por intensiteti eshte krejt tjeter tani.

  6. Metal Boy:

    “Hallexhinjte e ardhur nga zonat e tjera te Shqiperise shumica zune vend ne rrethinat e Tiranes dhe i dhane nje hov zhvillimi atyre zonave. E keni pare se si ka ndryshuar Kamza? Nga nje vendbanim i vogel qe s’mund ta quaje as fshat e as qytet eshte kthyer ne nje qytet qe te kenaq syrin.”

    Nje gje s’marr vesh ne fjaline e mesiperme: Si mundet qe “hallexhinj”, pa breke, mund t’i japin zhvillim ketyre zonave?

    A mos erdhen me torbat me para, ndertuan “rrethinat industriale te Tiranes”, me projektet e fuqishme tekno-industriale?

    E ke njohur Kamzen e rrethinat e saj me pare, ato fusha bujqesore qe rrethonin Institutit Bujqesor te Kamzes? Ku jane? Apo ishin shprehje te prapambetjes periferike te Kryeqytetit?

    Sic duket, fushat e Kamzes, mezi prisnin te shihnin mbi gjelberimin e qetesine e peisazhit te tyre, rrjetin te dranazhimit ujor, e kulturave bujqesore qe mbilleshin pervit, te shihnin dicka tjeter: arkitekturen e ndertimeve arna-arna pa kriter, me mungese kanalizimesh, mungese te rrjetin urban te domosdoshem, mesymjen qe i behej nga te gjitha anet duke rrembyer parcela-parcela ne menyre ilegjitime.

    Sic duket kesaj rradhe Tirane kishte nevoje te zhvillohej nga periferia, nje rrethim qe krahinat i benin kryeqytetit per ta zhvilluar.

    1. Pikes i ke vene cdo problemi Metal Boy!! S’mud te bija me teper dakord me keto qe thua!! Cdo problem ne shenjester e ke piketuar…eshte mese e vertete qe drejtuesit e qeverise nuk kane patur vizionin e duhur per te nxitur dhe ndihmuar zhvillimin qe nga fshatrat ne qyetet duke patur parasysh te gjitha keto qe shpjegon ti. Cfare eshte per te ardhur keq, eshte se Shqiperia eshte shum pjellore, por qeveria ka injoruar faktin qe duhej te jete e para per te respektuar ligjet e nje zhvillimi te perbashket social – economic qe cojne ne nje permiresim ose ne te kundert kaos kulturor.

    2. I nderuar “read me”, vleren nje territori ja japin njerezit duke e ndertuar dhe zhvilluar. Territoret e pabanuara kane shume me pak vlere se ato qe banohen e zhvillohen nga njerezit. Edhe po te te jape nje cope nga Sahara Gadafi ty, nuk ke ku e con pasi nuk nderton dot as pallat, se nuk gjen njerez t’i fusesh ne te dhe as nuk hap dot dyqan apo fabrike se nuk gjen kliente apo krah pune aty afer.

      Keta njerez qe erdhen me te vertete ishin hallexhinje por dikush me emigrim, dikush me pune qe e gjente te Ushtari i Panjohur, ndertuan shtepi 2 e 3 kateshe qe ke deshire t’i shohesh.

      Ajo zone filloi te zhvillohej duke terhequr edhe biznese te ndryshme dhe detyrimisht kerkonte dhe urbanizim te zones gje qe po ndodh. Po urbanizohet kjo zone duke na dhene nje qytet te mire ngjitur ose me mire brenda Tiranes por qe jane administrativisht te ndare.

      Ti ndoshta ke nostalgji per Kamzen bujqesore, por ja qe zhvillimi nuk ndalet.

      Meqe jemi ne kete teme, po them edhe dicka tjeter i nderuar “read me”, ketu (PTF) cudite nuk kane te sosur. Te njejtet njerez i lexon duke mbajtur qendrime te majta, bile edhe na permendin emra marksistesh te njohur si Negri, Badiou, Zhizhek etj. dhe te njejtet njerez i lexon duke aluduar per mos barazi ligjore ndermjet atyre qe banojne ne fshat dhe atyre qe banojne ne qytet. Kjo nuk eshte as elitizem, se te pakten elitizmi favorizon nje grup vetem persa ka te beje me idete ose opinionet, por kjo me shume shkon me oligarkine. Duke mbajtur larg Polisit keta te “pazhvilluarit” i mbajme edhe larg pushtetit e keshtu fuqia e pushteti mbetet ne dore te Oligarkise.

      1. Metal Boy në lidhje me PTF:

        Te njejtet njerez i lexon duke mbajtur qendrime te majta, bile edhe na permendin emra marksistesh te njohur si Negri, Badiou, Zhizhek etj. dhe te njejtet njerez i lexon duke aluduar per mos barazi ligjore ndermjet atyre qe banojne ne fshat dhe atyre qe banojne ne qytet.

        A mund ta sqarosh se me kë e ke pikërisht? Ashtu edhe debatin e zhvillojmë më mirë.

        1. Nuk doja te permendja emra por meqe pyete atehere e kam fjalen per ty xhaxha dhe ndonje tjeter si puna e njefare arnauti, arnauti. Kjo eshte pershtypja ime dhe mund te jete edhe e gabuar.

          1. Sa më takon mua, besoj se je ngatërruar. Negri-n dhe Badiou-në unë i njoh shumë pak dhe nuk kam ndërmend të thellohem në ta. Zhizheku është kompleks, dhe popullarizimi që ia ka bërë Lacan-it më pëlqen shumë. Por të siguroj se me komunizmin, të djeshëm dhe të sotëm, nuk më bashkon gjë.

            Tani, për të drejtat e të ardhurve – unë mendoj, pa rezerva, se njerëzit kanë të drejtë të vendosen dhe të jetojnë ku të duan; por një ndërtesë nuk mund ta ngresh ku të duash – liria e ndërtuesit që t’ia hapë themelet pallatit atje ku dëshiron nuk ekziston. Nevojitet një leje, një autorizim, një vendim administrativ për këtë punë. Këtu fillon edhe përgjegjësia.

          2. e kam fjalen per ty xhaxha dhe ndonje tjeter si puna e njefare arnauti, arnauti

            Si e kishe hallin se s’po te marr vesh?

            Ti ndoshta ke nostalgji per Kamzen bujqesore, por ja qe zhvillimi nuk ndalet

            Ke nevoje te lexosh pak me shume per konceptin ‘zhvillim’. Ato ‘energji’ qe zbriten ne Kamez jane destruktive.

  7. Nuk besoj se ne Tirane jane dyndur te varferit, e kam fjalen per Tiranen e mirefillte ‘proprio dicti’ pa Kamzen a Bathoren.
    Duke pare çmimet e banesave nuk mund te thuhet se ne Tirane jane dyndur te varferit.

    Ne qytetet e tjera te Shqiperise, qe nga Leskoviku e deri ne Shkoder, te gjithe ankohen se shtresa e mesme i ka braktisur qytetet per te shkuar ne Tirane dhe se qytetet jane mbushur me fshatare.

    Po ashtu ne Tiranen e mirefillte per shkak te çmimit te shtepive kane ardhur fshataret me te pasur , me parate qe kane bere ne mergim.

    Tirana eshte betonuar sepse ne Tirane kane ardhur ata qe kane me shume leke, qe ia kane çuar çmimin banesave ne shifra prej 600 deri ne 1500 euro per meter katror, çka ka nxitur makuterine e te shumteve perfshire te Edi Rames, qe ka faje esenciale si kryebashkiak i ketyre 10 vjeteve.

    Nderkaq dyndja e shtresave se mesme te qyteteve te tjera, ka varferuar shume qytetet per te miren e Tiranes, biles shumica e shtreses se mesme te Tiranes se sotme perbehet nga te ardhurit e ketyre 20 vjeteve.

    Ne Tiranen e mirefillte mesatarisht me te varfer ose me pak te pasur jane banoret e para 1990-s.

    Pastaj periferite jane muhabet tjeter por edhe bashki te tjera,psh Kamza eshte qytet me vete.

    Tani ne 1990 ne Shqiperi vetem 36% banonin ne qytete ne nje kohe qe ne Angli kjo shifer shkon ne 94%.

    Anglia kete levizje masive e njohu me periudhen e revolucionit industrial ne shek 19 gjate epokes viktoriane.
    Na jepet qe Londra u mbipopullua aq shume saqe ne qytet plasen semundjet, tifo,kolera in primis per shkak te rrjetit te ujerave te zeza qe nuk mbante dot.

    Dyndjet e pas 90 ishin fiziologjike, Tirana ishte e destinuar te shnderrohej, ajo çka mund te shpetohej ishte ne doren e administrates qendrore dhe lokale.

    Te dyja keto jo vetem qe nuk shpetuan gje, po e perkeqesuan gjendjen.

    Gjithsesi, tani duket se po arrin piken e ngopjes, ngadale do perftohet nje status-quo i ri, me shume se 1 mln Tirana me rrethinat nuk mund te shkoje, jane nje sere faktoresh qe nuk e lejojne qe lidhen si me Tiranen ashtu edhe me perspektivat qe hapen ne qytete te tjera.

  8. Do te doja te flisja edhe per nje arsye qe shpesh nuk permendet dhe qe veshtireson trsynine qe i bejne sot qytetaret e Tiranes administratoreve te qytetit: referencat sociale. Keto mund te quhen edhe shenja te transmetimit te shoqerores ne breza. Banorit te ardhur apo edhe te lindur rishtazi ne Tirane nuk ka se si t’i kujtohet kinemaja, lulishtja, biblioteka e lagjes etj. Kjo sepse kur ai ka ardhur ne vend te lulishtes ka gjetur pallatin, ne vend te kinemase bingon, ne vend te bibliotekes dyqanin e elektrikeve etj. Pra te gjitha keto pika te memories sociale ai nuk i ka gjetur ne te ardhur dhe indinjata e tij eshte shume here me e paket. E njejta ndodh edhe me nje banor te Tiranes qe e ka vizituar per here te pare Permetin ne vitet e tranzicionit psh. Ai e ka shume here me te veshtire te imagjinoje sesi mund te kete qene ky qytet. Degjon nga njerezit por nuk ka nje shenje vizuale dhe shume pak gjera i transmetojne atij idete e e jetes sociale, kulturore, intelektuale etj.

    Nuk e di sesa jane shanset qe nje qytet qe nuk transmeton memorie sociale te gjeneroje ide ne ndihme te vetvetes. Ndoshta do te vij nje dite kur banoret pasi te kene hedhur pas vetes hallet e mbijeteses do te kujtohen edhe per lulishte, qendra kulture etj. Por ajo dite nuk do te vije pa pasoja. Alternativa tjeter eshte tashme duke u zhvilluar, rritja e kriminalitetit ne lagjet e qytetit si reagim i natyrshem i nje energjie qe nuk kanalizohet ne menyre shoqerisht te pranueshme. Te ardhurit kane shume energji. Me kete energji do te ishin bere cudira ne Tirane por deri tani nuk eshte pare asnje force politike e as nje politikan me deshiren per ta perdorur pozitivisht ate. Dhe do te vazhdoj keshtu per nje kohe te gjate…

  9. Cudi mua me kujtohet kinemaja, lulishtja dhe biblioteka e qytetit tim verior shume mire dhe po te kishin levizur ne Tirane prindrit mi do me kishin munguar ne Tirane, njesoj sic do me kishin munguar ne qytetin tim te vogel po mos kishim ardhur ne NY. Kjo memorie/reference sociale ekziston ne pjesen me te mire te atyre qe lan qytetet per kryeqytetin por kjo nuk u vu ne funksion te ndonje te mire as institutionalisht se s’behet fjale ne rang individual. Dhe sic thua nuk duket se ndonje gje ka per te ndryshuar se shpejti.

  10. Nuk ka rëndësi nëse të ardhurit janë nga Puka apo nga Skrapari; rëndësi ka konsumi që i bëjnë ata pasurisë dhe hapësirës publike të kufizuar të Tiranës, ose çka e kanë quajtur “the commons”.

    2xh, gabohem une apo je me idene qe toka i takon atij qe e ze i pari?

    nuk ka me pashaportizime, nuk ka me njerez qe “meritojne” te jetojne ne Tirane dhe te tille qe s’meritojne, apo qe duhet te vertetojne se e meritojne para se te zhvendosen.

    Por normal nuk mund ti vesh fajin njerzve qe dynden per katrastrofen e Tiranes, por se pari mjerimit dhe gjendjes skandaloze te menaxhimit dhe qeverisjes ne shkalle vendi, e fill pas kesaj dhe asaj lokale.

    Me duket krejt e pahijshme fryrja e zjarrit te dasive apo kapja e problemit nga bishti.

    Por mbase gabohem ne kuptimin qe s’e di ca keni diskutuar se s’i kam ndjekur shume diskutimet keto dite ketu, e nese konteksti eshte ndryshe nga ca thuhet ketu.

    1. Meqë më pyete, unë jam me idenë që pronësia private mbi tokën nuk duhet të ekzistojë; toka (land) vetëm duhet të jepet në përdorim. Nuk më duket etike, as e ndershme ndaj brezave që vijnë, që të ekzistojë prona private e trashëgueshme mbi burime që janë, me përkufizim, të fundme. (Nuk është ndonjë ide origjinale imja; ka kohë që qarkullon, dhe jo ndër komunistët.)

      Por në shkrim unë e kam fjalën për pasurinë e përbashkët, ose the commons. Kam vënë edhe një link aty, për një shkrim tjetër timin. Po të kesh kohë, hidhi një sy – sepse argumenti është kompleks.

      1. 2xha, shkrimin do e shoh me vone patjeter, po desha te sqaroj qe nqs s’eshte bere e ditur me lart, e kisha fjalen me shaka per ato variacionet e shprehjeve “toka i takon atij qe e punon”, por ne kuptimin qe s’mund te themi akoma dhe sot qe Tirana i takon vetem atyre qe kane qene aty vetem para viteve 90, se kjo eshet absurde.

        Ketu synonte kjo, se mu duk pak si ne vs ata, ne vendalinjte dhe ata te ardhurit.

        Shpresoj qe te pakten ta kem kuptuar une gabim dhe ti te mos e kesh si disa mentalitetin e “tironcit”, ne kuptimin e keq te fjales.

        Ketu synone dhe ajo e pashaportizimit.

        Me gjere, problemi nuk eshte i atyre qe duan te vijne ne Tirane, por i atyre qe ndertojne pallate ngjitur si lodrat e femijeve ne cdo cep te qytetit ketu e nje dekade dhe s’kane bere asnje plan se ku e si do jetojne gjithe keta njerez, asnje fare investimi ne infrastrukture, por me se pari faji eshte i atyre qe nuk e vrasin fare mendjen per kushtet e ketyre qe emigrojne brenda vendit sic thua ti, dhe detyrohen te lene gjithshka per te ardhur ne Tirane me shpresa emigrantesh.

        Nejse, une vetem shkurtimisht kam vajtur ne Tirane ka vite, po kam pershtypjen qe tashme eshte pothuajse e pabanueshme, me perjashtim po te jetosh ne ndonje periferi mbasi te behet unaza e madhe, qe dmth mos jesh i detyruar te kermillezohesh ne trafikun xhunglist te rrugeve te qytetit.

  11. Kete shenim e pata vene ne PTF kur diskutohesh per revolucionin ne Egjypt.

    Me duket se shkon me mire ketu ( nese nuk prish pune per moderatoret):

    Paragrafin e meposhtem e solli Xhaxhai ne shkrimin e vet:
    …”Gjithshka është e qendërzuar në Kairo. Nëse një egjiptian ka nevojë për një pasaportë të re, ose ka një pyetje për pensionin e vet të veteranit, atij i duhet të vijë në Kairo. Industria, administrata qeveritare dhe tregtia janë qendërzuar atje të gjitha. Një në katër egjiptianë jeton atje. Kairoja është Egjipti dhe asgjë domethënëse nuk ndodh jashtë kryeqytetit…”

    Asnje e vertete nuk do shtremberohej sikur ky paragraf te shkruhesh keshtu:

    …”Gjithshka është e qendërzuar në TIRANE. Nëse një shqiptar ka nevojë për një pasaportë të re, ose ka një pyetje për pensionin e vet, atij i duhet të vijë në TIRANE. Industria, administrata qeveritare dhe tregtia janë qendërzuar atje të gjitha. Një në katër shqiptar jeton atje. TiRANA është Shqiperia dhe asgjë domethënëse nuk ndodh jashtë kryeqytetit….”

    Zhvillimi urban eshte t(T)iranizimi i vertete i Shqiperise. Nje politike urbanistike me duket se gjithnje ka munguar, ose edhe kur ka qene e pranishme, ajo eshte vene ne sherbim te politikes, pa marre shume parasysh realitetin apo nevojat lokale. Ne kete drejtim mungesa e pervojes, perzier me interesa afatshkurter, ka ndihmuar ne atrofizimin e qendrave urbane si Shkodra ( Zogu ashtu edhe Hoxha u kujdesen per te prere cdo rrenje zhvillimi ne ate qytet) apo edhe ne krijimin e hibrideve te tilla si urbanizimi i sotem i gjithe hapesires Tirane-Durres.
    Eshte veshtire te moralizosh ne te tilla raste, sepse gjithkush qe ka levizur ne Tirane, e ka bere dhe e ben ate ne perpjekje per te siguruar nje jetese dhe te ardhme me te mire per vete, familjen dhe femijet e tij. Te njejtat reflekse kane vepruar edhe tek une, kur zgjodha “Tiranen” time dhjetra mijra km larg.
    Por eshte pikerisht pervoja personale qe te shtyn te besh krahasime, dhe te arrish ne perfundimin se zhvillimi urban ne Shqiperi i eshte lene ne dore te Zotit dhe specialisteve te politikes, e jo te zanatit.
    Une jetoj shume larg nga Tirana. Qyteti ketu eshte shume i bukur, por edhe shume i ri. Vetem 125 vjet i vjeter. Po te shohesh fotografite e fillimeve te veta, ngjan me shume me Fusharrezin e Pukes se sa me nje qytet vibrant, gjithe drite dhe plot jete. Ajo qe me ka terhequr vemendjen eshte se ka nje perputhej te habitshme midis planifikimit te bere , te themi 40 vjet me pare, me gjendjen dhe kerkesat e sotme. Keto kerkesa jane shume dinamike, te paevitueshme dhe te pafrenueshme. Cdo vit ky Great Region i fundit te botes , merr, pret, pranon mbi 30-40 mije vete. Nje trend qe ka 15-20 vjet qe vazhdon. Por megjithate nuk sheh kerkund getoizim te ndonje zone te qytetit, nuk sheh kerkund qe ky trend te krijoje gjendje ku zhvillimet urban te dalin jashte kontrollit.
    Aftesia e bashkise(ve) te qyetit per te administruar territoret ne juridiksionin e saj ngelet e pa diskutuar (ata vendosin/ kontrollojne/miratojne cdo plan urban).Pushteti i tyre po ashtu shtrihet kudo. Asgje nuk ndodh dot jashte vullnetit te saj. Preve nje peme, pa marre leje aty ku duhet? Gjoba eshte $500.00 deri ne $10,000. Nje familje me origjine nga India kish marre leje vetm per 4 peme dhe preu 20. Banoret e tjere ketu, ne kuptimin e vertet te fjales, po i “lincojne” me komentet e tyre, dhe te gjithe kerkojne qe gjobimi te jete ne maksimum. Nga ana tjeter, ka nje moratorium qe ndalon perdorimin e qofte edhe nje meter katror toke buke per te bere ndertime industriale/ komerciale/ residenciale.

    Ne rastin e Shqiperise, dhe Tiranes ne vecanti, une nuk e besoj se “ora” mund te kthehet mbrapa dhe te kerkohet kthimi perseri ne gjendjen e para 90.
    Por per sa kohe te ngelet percetimi se Tirana mbetet qendra e cdo gjeje ne Shqiperi, eshte vecse natyrale qe njerezit te duan te jetojne ne te. Ne fund te fundit 60% e popullsise se vendit eshte akoma ne fshat. Do pritur deri sa qendra te tjera ekonomike dhe urbane te fillojne e te konkurojne , te pakten nga ana financiare me kryeqytetin, per te pare nje ndryshim te trendit. Trende te cilat mund te influencohen. Te influencohen nga njerezit qe jane ne krye dhe drejtojne. Njerez te cilet ta ndjejne veten ne sherbim te Res Publica dhe jo te flamurit te kombit, partise, apo patronit.
    :

  12. Ky debat i pare nen prizmin e Tiranasve para 90-tes dhe atyre pas 90-tes eshte disi i vonuar ne kohe. Qytetaret tiranas te “vjeter”, pra ato te para 90-tes ne te cilen bje pjese dhe vete, jane tashme nje minorance e sigurte ne metropolin e transformuar shqiptar. Kam idene duhet te jen diku tek 30-40% ne rastin me te mire. Statistika te sakta per kete nuk ka, por nese merr psh nje rast konkret kur ne nje ambient pune ne Tirane, pjesa derrmuese jane te ardhur. Pse eshte e “rendesishme” te vehej ne pah kjo statistike e momentit? Per vete faktin se nuk mund te flasesh me per interesa sociale te popullsise autoktone te Tiranes duke marre parasysh peshen qe ze kjo popullsi ne numrin total te banoreve te kryeqytetit.
    Ajo qe mund te perqendrohemi dhe qe per kete kam besim se ndaj te njejtin opinion me pjesen me te madhe te banoreve te Tiranes eshte se infrastruktura e kryeqytetit eshte tmerresisht e dobet. Mbipopullimi i zonave te banimit perbejne nje bombe sociale qe krijon nje mori problemesh te tjera social-ekonomike. Une jam per nje STOP te fuqishem te ardhjeve te reja ne kryeqytet per sa kohe nuk jane zgjidhur problemet me themelore te infrastruktures. Tirana per fat te keq po i ngjan gjithnje e me shume atyre zonave urbane te superpopulluara te Indise e Kines qe shpesh here na eshte dhene rasti ti shohim ne ekrane.

  13. Ka dicka qe nuk me pelqen ne kete shkrim: elitizmi bruto i autorit, ose me sakte, perceptimi i qytetarit tiranas si qenie me superiore dhe, per pasoje, me te drejta me te medha se ato te atyre te tjereve, qenieve inferiore, te ardhurve nga rrethet. Nuk e kuptoj, 2Xh, je kunder levizjes se lire te njerezve? Sepse me duket se ky eshte thelbi i ketij debati. Ne se po, kjo do te ishte ne kundershtim me parimin e te drejtave te njeriut dhe eshte gabim jo vetem moralisht, por edhe ligjerisht. Shqiperia ka nenshkruar kontrata nderkombetare qe e ndalojne aplikimin e ligjeve te tille kufizues. Por do te thuash ti, ka rregulla per kete. Shume bukur! Cilat jane keto rregulla? Cfare duhet te beje nje “cecen” shqiptar qe te jetoje ne Tirane? (me le pa goje ky racizem i brendshem i shqiptareve)

    Kur leviza nga Connecticut (US) ne New Jersey, gjeja e pare qe me duhej ishte te gjeja nje shtepi me qera dhe te njoftoja paraprakisht banken, kredit kartat, ato qe paguaj faturat per ndryshimin e adreses. Pastaj thjesht te beja regjistrimin ne bashki qe une banoja ne filan qytet. Procedure shume formale qe s’me morri as 5 minuta dhe qe edhe mund te mos e beja fare. E bera me teper ngaqe me duhej nje leje per parkimin e makines brenda qytetit. E njejta gje eshte edhe ne New York. Asnje lloj ndryshimi. Po pse nuk ka kaos ne NY dhe ka ne Tirane. Pikerisht per ate qe thote edhe un. S’ka organizim, jepen leje banimi ne vende qe nuk duheshin dhene. Ne vend qe Tirana te hapej ne siperfaqe, u rrit dendesia brenda se ashtuquajtur “vije e verdhe”. U ndertuan pallate si kerpudha b..e me b..e, duke eliminuar ne menyren me te papergjegjshme hapesirat e lira ndermjet. Nga pikepamja urbanistike, Tirana eshte nje skandal. Eshte nje deshtim i plote. Po pse nuk ndodhi ne Tirane ajo qe ishte normale te ndodhte? Zgjerimi ne periferi dhe permiresimi i urbanistikes ne zonat ekzistuese? Sepse zgjerimi ne periferi i Tiranes do te ishte me i kushtueshem, do te kerkonte kanalizime te reja, shtrirje linjash te reja, rruge te reja, etj. Kudo ne bote keto kosto i paguajne ndertuesit, ata qe marrin persiper te investojne e fitojne nga ky investim. Po me sa duket, ne Tirane, ketyre ndertuesve u bie me mire te paguajne perfaqesuesit e bashkise ate 20%, se sa te bejne shpenzimet ekstra per ndertimet periferike. Pra, per mua faji eshte i qarte, dhe me sa duket 2Xh e di ate fort mire, por nuk i pelqen ta thote keshtu hapur. Ne vend te saj sajon metafora qe s’kane fare te bejne me problemin ne fjale. Po hic fare ama. Ceshtja e te ndertuarit ne zona me rrezik, sic mund te jete rasti i te ndertuarit ne zona ku ka permbytje te vazhdueshme, eshte komplet irrelevant me ceshtjen e skandalit urbanistik ne Tirane. Tek e para eshte e qarte faktori i jashtem natyror dhe risku qe njerezit qe vendosin te rrojne atje me ndergjegje marrin persiper rrezikun. Ndersa tek e dyta (rasti i Tiranes), nuk ka fare rol faktori i jashtem, natyra apo rreziqe te tjera. Eshte vetem nje faktor, ai njerezor, apo me sakte faktori politikeberes i Tiranes. Megjithate, do te isha i hapur ndaj nje argumenti qe do ta lidhte ne nje fare menyre shqetesimin ne situaten metaforike me kete te urbanistikes se Tiranes.

    1. Jo, nuk jam kundër lëvizjes së lirë të njerëzve. Jam kundër lexuesve që më bëjnë pyetje të llojit “ti je kundër lëvizjes së njerëzve?”. Këta njerëz, duan t’i fitojnë debatet duke i ndërtuar argumentet sipas midesë.

      Nuk jam kundër lëvizjes së lirë të njerëzve. Edhe unë kam lëvizur lirisht nga Tirana në NYC. Nesër mund të lëviz sërish.

      Duke lëvizur kam ushtruar lirinë time. Autoritetet lokale, në NYC, janë kujdesur që, duke ushtruar lirinë time, të mos dhunoj, madje as aksidentalisht, lirinë e të tjerëve.

      Qytetarët e Tiranës janë viktimat e para të spekulimit që është bërë me Tiranën e hapur ndaj emigracionit të brendshëm. Unë prandaj përpiqem t’i mbroj. Tirana, si qytet dhe KRYEqytet i Shqipërisë është një viktimë tjetër. Edhe atë do të doja ta mbroj. Lirinë e qytetarëve të Tiranës për ta pasur qytetin e tyre normal: me ujë të pijshëm, me transport urban, me trotuare të lira, me trafik jo shumë të ngarkuar, me ajër të pastër, me gjelbërim të mjaftueshëm – besoj se kjo listë mund të vazhdohet më tej – e kanë shkelur madje bërë copë-copë.

      Fajin kryesor për këtë dhunim të lirisë së qytetarit e ka, natyrisht, administrimi i keq i hapësirës urbane. Në Tiranë janë shtuar apartamentet e banimit, makinat private dhe popullsia; por këtyre nuk u është përgjigjur ndonjë shtim dhe përmirësim infrastrukturor – kanalizime, parqe, shkolla të reja, spitale, rrugë.

      Kësisoj, liria e qytetarëve të Tiranës në raport me hapësirën e tyre urbane ka ardhur duke u shkelur dhe dhunuar paralelisht me mbipopullimin.

      Të ardhurit rishtas nuk kanë faj, janë edhe ata viktima të cilat marrin pjesë në dhunën që ushtrohet ndaj tyre; por praninë e këtyre të ardhurve në qytet vendësit e perceptojnë si fytyrën e fajit. Megjithatë, lufta kundër këtij perceptimi është problem tjetër nga ai i ngushtimit të hapësirave të qytetit Tiranë; dhe do të trajtohet veçmas.

      Tirana mund të zgjerohej, për shembull, duke ngritur lagje të reja në periferi, me infrastrukturat përkatëse; ose nëpërmjet zonimit; por kjo nuk ka ndodhur.

      Për shembull, në lagjen time, lagje tiranase tradicionale, me shtëpi një ose dy katëshe, një komshi imi, Muli, vendosi të shfrytëzojë hapësirën që kishte në oborr për të ngritur një pallat gjashtëkatësh, ku janë strehuar ndoshta 25 ose 30 familje të reja. Për të shkuar te ky pallat, ende duhet të futesh në të njëjtën rrugicë qorre ku futeshe dikur për të shkuar te shtëpia me oborr e Mulit; dhe ku jetojnë edhe 4-5 familje të tjera, me shtëpitë e tyre ende me oborr.

      Ku do t’i parkojnë makinat familjet e reja? Në trotuarët e rrugës sime, ku dikur luanin gocat e vogla me peta. Ku do ta gjejnë ujin banorët e pallatit të ri? Do ta marrin nga i njëjti ujësjellës i amortizuar, që u shërbente shtëpive përdhese. Ku do të shkojnë ujërat e zeza të këtyre të rinjve? Në po ato kanale që na shërbenin ne të tjerëve.

      Ky pallat i ka shtuar mëhallës, vertikalisht, po aq banorë sa çdo të shtoheshin sikur mëhalla të dyfishohej horizontalisht.

      Tani, një administratë normale e qytetit, nuk do t’ia lejonte Mulit të ndërtonte në mes të një mëhalle me shtëpi dykatëshe, dhe me një kolpo të vetme t’ua rrënonte cilësinë e jetesës banorëve të mëhallës.

      Provo, Ilirjan, të ndërtosh një bina të tillë në NYC, në NJ apo në CT, dhe pastaj eja ta vazhdosh argumentin.

      Administrata do të duhej t’i thoshte ndërtuesit: ti mund të ndërtosh vetëm këtu dhe këtu; jo aty ku ke truallin, sepse në atë truall vetëm një shtëpi dykatëshe mund të ndërtosh. Vetë mëhalla duhej të kishte protestuar – por qytetarët as që e dinë se mund të protestojnë për këto gjëra, edhe pse është jeta e tyre që u shkon në vrimë të nevojtores.

      Të ardhurit në pallat, që nuk e kam idenë se nga janë, kanë prishur edhe harmoninë ose komunitetin e vjetër të mëhallës; askush s’i njeh, askush nuk di se ç’janë. Me siguri e kalojnë ditën duke u marrë me problemet që u krijon banimi: u zu nevojtorja, u prish pompa e ujit, e këputi kamioni kabllon e telefonit, s’di ku ta parkoj makinën, m’u thye kërbishtja duke ngjitur në kat të gjashtë divanin, më kullon tavani…

      Fëmijët e këtyre shkojnë tek e njëjta shkollë ku kam shkuar edhe unë; në mëhallë NUK është ndërtuar ndonjë shkollë e re, edhe pse mu ngjitur me shkollën e vjetër janë ngritur bina të hatashme. Numri i nxënësve në klasa është dyfishuar. Ndërkohë, qendra sanitare e “lagjes”, ku shkonim të mjekoheshim kur na hapnin kokën me gur, nuk ekziston më. Ne kemi pasë luajtur në rrugë, futboll me porta të vogla; por rruga sot është e zënë me makina të parkuara (me një vijë të ngushtë në mes, për të lënë trafikun të kullojë nga pak).

      Muli, nga ana e vet, i ka financat në rregull dhe bëhet gati të ngrejë edhe një pallat tjetër.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin