Ka ditë që në faqen hyrëse të Gazetës Shqiptare, në seksionin e kulturës, mund të lexohet një shkrim i Novruz Xh. Shehut me titullin Ardian Kyçyku, Konti i ri i letrave.
Në krye kujtova se mos autori po e krahasonte shkrimtarin Kyçyku, edhe ai, me prokuroren televizive italiane, mitiken Silvia Conti, por pastaj e sqarova se ishte fjala për titullin aristokratik të kontit.
Nuk di kush e ka nisur këtë modë për t’i përqasur shkrimtarët shqiptarë me aristokratë, princa dhe kontë dhe dukë; cilësimi i tanishëm prej Shehut nuk është natyrisht i pari, por veç i radhës, madje i një vazhde të gjatë dhe të mërzitshme.
Di, përkundrazi, se krahasimi tradhton një koncept të keq për hierarkitë letrare dhe vlerat artistike.
Shkrimtarët e mirë janë përnjimend të çmuar e të rrallë; të gjithë ne e dimë se çfarë do të thotë libër i bukur; por dhuntia letrare i afron autorët me lexuesit, nuk i largon, si titulli aristokratik.
Kontët, princat, baronët, markezët dhe dukët i përkisnin një kaste e cila ishte “më e mirë” se vulgu jo për çfarë bënte, por për gjakun blu që i rridhte në deje.
Ashtu, aristokracia përfaqëson një model të kundërt me atë të meritokracisë në art, ku talenti i madh shprehet në vepra, jo në emra.
Për Kyçykun kam dëgjuar veç fjalë të mira; sikurse di se ai i ka merituar ato fjalë me veprat që ka shkruar, jo me bojën e shkrimit që i rrjedh në deje, as me ndonjë titull që ka trashëguar prej familjes.
T’i quash shkrimtarët e mëdhenj kontë dhe princa është njëfarësoj t’ua zvogëlosh shtatin dhe t’ua ulësh karatin; duke ua shkëputur shkëlqimin e emrit nga ai i veprës.
Titujt aristokratikë trashëgohen, në mënyrë që kasta sunduese të përvijohet jo vetëm në hapësirë por edhe në kohë. Asgjë e tillë nuk ndodh në letrat dhe në përgjithësi në art, ku autorët e mirë shquhen nëpërmjet raportit që vendosin me lexuesin, ose në një akt riprodhimi të pandërprerë.
Natyrisht, ka pasur edhe një takëm kontësh dhe princash (ndoshta ende ka) që titujt nuk i kanë trashëguar, por i kanë blerë; zakonisht, merita e vetme e këtyre pallonjve është që kanë arritur të blejnë një titull.
Përndryshe, i vetmi kontekst në të cilin do të pranoja princa dhe kontër të letrave, do të ishte ai ku mbret të ishte shpallur lexuesi.
Xha, xha, kjo deshira jone e ethshme per te perligjur cdo lloj vlere me rrjedhen e gjakut blu neper vena, them se vjen prej faktit se shqiptaret pergjithsisht nuk kane patur asnje lidhje me aristokracine. Pikerisht kete lloj boshlleku kerkojme te kompensojme me krahasime gorteske apo rremime e ekzaltime foshnjore. Por une mendoj se nese kane patur ndonjehere ndonje vlere te forte, humane, shqiptaret kjo i dedikohet pikerisht kesaj origjine jo -aristokratike…