Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Sociologji

LEKU QIMEN E NDËRRON…

Në vitin 1999, një sondë e lëshuar nga NASA (Mars Climate Orbiter) në orbitë rreth planetit Mars u shkatërrua e tëra, ngaqë ekipi i inxhinierëve te Lockheed Martin kishte përdorur njësitë matëse angleze gjatë ndërtimit të pajisjes, ndërsa vetë agjencia hapësinore amerikane përdori sistemin metrik konvencional gjatë ekzekutimit të një manovre kritike në orbitë.

Tirana ende nuk ka lëshuar sonda në hapësirë, por shteti dhe sidomos publiku në Shqipëri e kanë një problem të madh me standardin – dhe këtu nuk po kam parasysh shqipen e njësuar.

E kam fjalën, përkundrazi, për lekun.

Që prej vitit 1964, ose për më se 45 vjet, qytetarët e republikës shqiptare kanë ngulur këmbë të ruajnë dikotominë, përndryshe absurde, midis lekëve të vjetra dhe lekëve të reja.

Nuk di kush e mori vendimin, gati gjysmë shekulli më parë, për t’u hequr një zero shumave në lek, ose për t’i zvogëluar dhjetëfish; nuk di as sa energji mendore do t’u ketë kushtuar qytetarëve të republikës, deri më sot, zgjedhja e çastit, mendërisht, midis lekëve të vjetra dhe të reja, konvertimi i detyruar i shifrave, nevoja për të përvetësuar dy regjistra monetarë: formal dhe informal.

Ka qenë një kohë që, të flisje me lekë të reja, të lidhnin teneqen; quhej shenjë madje simptomë paaftësie totale për t’u konformuar, ose shihej si provë se të mungonte shqisa sociale, ose nuhatja për kontekstet.

Ne që jemi larguar prej Shqipërie, sikur e harrojmë disi këtë dyzim monetar, ose së paku e dëbojmë nga vetëdija. Pastaj, kur kthehemi, bëhemi gazi i botës.

Një prej ditëve të mia në Tiranë, na u prish grila e dhomës së pritjes. Thirrëm një djalë nga dyqani përbri rrugicës, që e ndreqi për pesë minuta. Kur ky bëhej gati të ikte, ime më më thotë: “jepi dy mijë lekë, se s’kam.” Unë nxjerr nga kuleta dy mijëshe të freskëta dhe matem t’ia jap atij tipit, çka u prit me përbuzje nga ime më, dhe me habi ngazëllyese nga marrësi. “Po jo, more, jo; ç’bën kështu tani. Hiqi tutje ato,” më thotë ime më, teksa rrëmonte në kuletë, për ndonjë monedhë. Ai djali u tregua më i zgjuar – iku pa marrë pará, por në dalje kërkoi të këpuste një portokall nga pema.

Shoqja ime, e ardhur edhe ajo vizitore njëkohësisht me mua, u tregua pak si tepër e shkathët te një bankomat dhe e kërkoi me lekë të vjetra shumën e parave që i duheshin për shpenzime xhepi për 3-4 ditë, ose gjithsej 50 dollarë; dhe ashtu makina ia dorëzoi, pa iu dridhur qerpiku, 50 000 lekë të reja, në bankënota të freskëta.

Ditët e para në Tiranë më japin kryesisht dy porosi: (1) kujdes nga makinat dhe (2) kujdes me lekun, se këtu ta hedhin. Në të dy rastet, ti je invalidi, të tjerët janë personeli terapeutik-social, që kujdeset për ty.

Në restorante ose kafé, të gjithë më qortojnë për bakshishet e majme që u lë kamarierëve. U them: “po monedha janë, dreqi ta hajë.” Mundet, por në lekë të vjetra, emrat u tingëllojnë të kripur.

Ka pasur edhe vende dhe tregje të tjera, që e kanë vuajtur kokëfortësinë e miletit, përballë një ndërrimi të rrumbullakuar të kursit të monedhës. Në Stamboll, kur e kam vizituar vjet, ende kishte ndonjë dyqanxhi që m’i bënte llogaritë me miliona lira – por aty diferenca ishte kaq e madhe, sa askush nuk do të gabohej. Gjithsesi, Turqia e ka riformatuar monedhën e vet, në 2005, duke i hequr asaj gjashtë zero; në të njëjtin vit, edhe Rumania ia krasiti leu-t të vet katër zero. Në Perëndim, diçka të ngjashme pat bërë Franca në 1960, kur një frangë e re zëvendësoi njëqind të vjetra. Rivlerësime të tilla i kanë të shumëllojshme shkaqet: inflacioni e hiperinflacioni, por edhe vullneti institucional, jo gjithnjë beninj, për ta rishpërndarë paranë në qarkullim, nëpërmjet kufizimeve në konvertim.

Edhe në Shqipërinë e 1964-ës, ky farë ndërrimi do të ketë pasur arsyet e veta, por që nuk do të kenë pasur lidhje me marrëdhëniet e lekut me monedha të tjera, as me ndonjë farë inflacioni imagjinar. Specialistët e financës me siguri mund të shpjegojnë me saktësi për ç’arsye dhjetë lekë u bënë një lek, dhe njëmijë lekë u bënë njëqind; dhe pse u shtuan qindarkat në sistem.

Po kush do të ma shpjegonte mua fëmijës atëherë, si ndodhi që pasta pesëlekëshe erdhi dhe u bë pesëdhjetë qindarka?

(Qindarkat në fakt më pëlqenin shumë, por vetëm nga emri që kishin. I përfytyroja si milingona ose miza të vogla, qënie tërësisht nën pushtetin tim.)

Gjithsesi, leku aso kohe edhe u ndërrua edhe s’u ndërrua. Asnjë qytetar shqiptar nuk i përqafoi format e reja tërësisht; përveçse në kontekste tepër formale, kur shumat specifikoheshin si me “lekë të reja” ose “lekë të vjetra”, sipas rastit (vëreni edhe gjininë e gabuar të mbiemrit – por askush nuk thotë lekë të rinj ose lekë të vjetër). Shprehjet monetare në lekë të vjetra, zakonisht të paspecifikuara si të tilla, i kanë rezistuar riformatimit për gjysmë shekulli, njëlloj si e folmja e rrugës gjuhës zyrtare; dhe ndoshta për të njëjtat motive.

Mirëpo mbijetesa, sot e kësaj dite, e kësaj skizofrenie monetare bën që, së paku virtualisht, askush të mos jetë qind për qind (apo mijë për mijë?) i sigurt për vlerën e saktë të një malli ose të një transaksioni. Kurrë s’mund të përjashtohet mundësia që një shprehje asnjanëse si “dyqind lekë” të jetë në të vjetra ose të reja, prandaj pjesëmarrësit në transaksion duhet gjithnjë të përdorin bon sensin, ose të krahasojnë mallin me mallra të tjera.

Indikacioni numerik mbetet kështu relativ. Dyqind lekë mund të jetë edhe dy mijë lekë; por nuk mund të jetë treqind.

Si mysafir këto ditë në Tiranë, ende i pafamiljarizuar me ekonominë e tregut lokal, u mësova shpejt që të konvertoja çdo shumë në dollarë, sepse ashtu mund të orientohesha më mirë. Kështu, kur më njoftonin se një palë këpucë kushtonin “dyzet mijë lekë”, unë këtë informacion e përktheja në dyzet dollarë – çmim i arsyeshëm për një dyqan të lirë këpucësh në NYC; në një kohë që çmimin katër dollarë e përjashtoja vetvetiu, përndryshe dyqani do të dyndej nga blerësit. Që këtej, deduktoja se çmimi më ishte njoftuar në lekë të vjetra.

Natyrisht, të pyesësh haptazi nëse informacioni për çmimin të është dhënë në lekë të vjetra ose të reja, është njëlloj sikur të ftosh tjetrin të ta hedhë.

Në rastin më të mirë, njerëzia do të qeshin me ty.

Kjo luhatje e detyrueshme midis një shume dhe dhjetëfishit të saj, e shndërron çdo transaksion të paspecifikuar në sfidë, sa kohë që vlera e shkëmbyer nuk është standard. Kam dëgjuar shitës në rrugë t’i japin çmimet në lekë të reja, sepse ashtu tingëllojnë më pak, të paktën për veshët e regjur të blerësve të moshuar.

Por – dhe ky është një por i bukur – mundësia gjithnjë ekziston për një mrekulli; rënie të një zeroje, ose ridimensionim të dhjetëfishtë. Nuk ka përgjigje që të ta largojë shpresën për allish-verish të suksesshëm.

Ndoshta një dilemë e tillë i bën njerëzit më syçelët në pazar, veçanërisht kur çmimi diskutohet me shitësin; ndoshta shitësit ende shpresojnë se, një në njëzet klientë, do të ngatërrohet dhe do të paguajë dy mijë lekë të reja, për një rrip mesi plastik prodhuar në Etiopi ose në Bangladesh, që kushton dy mijë lekë të vjetra. Të tjerë, që ndihen fajtorë se prishën tridhjetë mijë lekë të vjetra për një drekë në një restorant frutash deti, do të ngushëllohen duke menduar se, në fakt, kanë paguar vetëm tre mijë lekë të reja.

Kësisoj, asnjë shumë e deklaruar ose e negociuar nuk mund të jetë univoke: ti mund ta shtosh ose ta heqësh zeron në mendje, sipas dëshirës, derisa të vijë momenti kur lekët të ndërrojnë duart.

Nuk di pse kjo lloj pacaktueshmërie më kujton, metaforikisht, disa dukuri të përshkruara në mekanikën kuantike – si macja e Schrödinger-it, që ekziston njëkohësisht në dy gjendje, e gjallë dhe e vdekur, derisa nuk e kemi hapur kutinë.

Përndryshe, ndonjë ekonomist do ta përshkruante më mirë efektin financiar të kësaj luhatjeje rreth një vlere që duhej të ishte, me përkufizim, statike, ose tërësisht joekuivoke.

Këtu, do të mjaftohem vetëm me vërejtjen se, nëse ky sistem paralel i lekëve të vjetra dhe të reja ka mbijetuar kaq dekada, kjo nuk i detyrohet ndonjë nostalgjie ose obsesioni me sistemin e dikurshëm, as ndonjë pamundësie mendore për t’u mësuar me sistemin e ri – por vetëm sugjeron se shqiptarëve, si aktorë të tregut, do t’u ketë pëlqyer dikotomia, dyzimi, ose pacaktueshmëria monetare që sillte me vete luhatshmëria e zeros.

Dhe këtu gjuhëtari duhet t’ia kalojë stafetën sociologut.

Shënim: botuar fillimisht Res Publica.

Pa Komente

  1. Me sa duket, ditet qe qendrove ne Tirane nuk te qelloj qe nena te kerkonte qe te shkoje te paguaje faturat e dritave, ujit dhe telefonit sepse do te shikoje qe ato jo vetem jane ne fuqi akoma por edhe rradha nje burre dhe nje grua vazhdon sot e kesaj dite qe te zbatohet rigorozisht ne Shqiperi.

    Sic duket, sociologut i ka dale pak me shume pune se sa mendon ti.

  2. Për fat të mirë, apo të keq, kjo dilemë duket se do të ketë një zgjidhje fatale pak a shumë si patrulla që i dha fund sherrit të Shvejkut dhe Vogjiçkes me hungarezët në Çeske Bugjejovicë. Ajo çka shërbeu për shuarjen permanente të sherreve mes çekëve dhe hungarezëve në Bugjejovicë apo gjetiu, mes gjermanëve dhe francezëve, francezëve dhe anglezëve, gjermanëve dhe polakëve, italianëve dhe austriakëve, çka u mundëson aktualisht sherre shumë komode valonëve dhe flamanëve, anglezëve dhe irlandezëve, shqiptarëve dhe serbëve dhe boshnjakëve dhe kroatëve dhe maqedonasve dhe grekëve dhe veriorëve dhe jugorëve dhe shoferëve dhe pasagjerëve, po ajo (gjëja) po vjen me një zgjidhje tejet simpatike. Simpatike si dhuratë nordike që tashmë nuk është më as surprizë e megjithatë kur t’i vijë ora ne do të bëjmë sikur na gjeti gafil, siç na gjen vit për vit minuti i parë i hutuar i vitit pasues. Në dilemën mes zakonit dhe vetëeksitimit të automatizuar do trokasim gotat e do puthim të dashurat, pa na shkuar aspak ndërmend se pa e ditur po kremtojmë edhe lindjen zyrtare të një dileme të re, e lindur sakaq edhe ajo. Për fat të mirë të interesave kolektive kombëtare dhe për fat të keq të kujtdo që pret të them ndonjë gjë që t’ia vlejë për kaq sa thashë deri tani, jo kushedi çfarë. Një diftong i vogël; sa i vogël aq i pashmangshëm, sa i pashmangshëm aq i padëmshëm. Sa i padëmshëm aq i këndshëm. Sipas rastit edhe e kundërta, ose në të tjera variante. Fjala vjen, nëse rrogën e ke të konvertueshme në, po themi, 1000 diftongje të tilla, shqiptimi i njërit prej tyre është goxha ndjesi, por nëse nuk posedon diftongje të mjaftueshme për t’i blerë ilaçe fëmijës, shqiptimi në fjalë mund të tingëllojë tragjik. Sigurisht, jo më tragjiku. Nga ana tjetër një shqiptim i mbiushqyer nga posedimi, i ndershëm apo i pandershëm, i diftongjeve në sasi të shprehura me një numër të harrueshëm zerosh, shoqërohet me njëfarë zvjerdhjeje, e konvertueshme sipas rastit në shtresa të mëtejshme dhjami, në filantropi, në fantazi të pagueshme seksuale, në vizione të realizueshme futuristike, në ishuj artificialë, në taxhmahalë personalë, në budizëm, në neobudizëm, apo, pse jo, në të gjitha bashkë me një emër të ri..

    Me që ra fjala (fjalët bien si mollët) sot u ndesha me një fjalë të re. E re jo se nuk e kisha hasur unë, por e re vetë, e re fringo. Veç, prapë, jo ndonjë çudi e madhe; deri nesër, e shumta për një javë, do e kenë hasur të gjithë. MASHUP. Jo fjalë në fakt, por emërtim. Për një lloj përzierje, apo pinjolli, të majspejsit me fejsbukun. Emërtim, por unë e bëra fjalë. E bëra madje poezi:

    Mashup

    Mashup mashup mashup?

    mashup mashup,

    mashup;

    mashup mashup mashup mashup

    mashup mashup mashup: “Non omnis moriar!”

    Mashup mashup mashup mashup

    mashup mashup mashup mashup mashup

    mashup mashup mashup.

    Mashup!

    Mashup!

    Për hir të kopirajtit më duhet të them se fraza latinisht është e Horacit dhe unë e gjeta mes shumë të tjerave duke kërkuar “latin phrases” në gugëll. Kuptimi qenkësh “not all of me shall die”. Shqip “unë për varr, varri për shpi”, përkujtimore me çati, me kangjella e parking, i përjetshëm kujtimi i tij!

    i përjetshëm qoftë kujtimi i lekut

    që lindi i vjetër e vdiq i ri

    s’dinte ç’ish ekonomi e tregut

    e donin të gjithë, s’e qau njeri

    megjithatë i përjetshëm qoftë

    të paktën si sinonim i parasë,

    si fotografi bashkëshorti të ndjerë

    ndërkohë që paraja bredh me të tjerë

    ndërkohë që euro vendin ia ka zënë

    gjysmë mitik me diftong në ballë

    ç’e do që prapashtesat mirë s’i rrinë

    e s’merret vesh çike është a trim

    por kur të jesh mërzitur shumë

    a kur pa euro të kesh nostalgji

    ‘s’kam lekë’ të thuash do ndjesh mall

    lexo këtë epitaf që s’është dhe elegji

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin