A ka plazh pa shitës ambulantë? Nuk besoj, edhe pse nuk i kam shëtitur të gjitha plazhet e botës. Gjithsesi, plazhi shqiptar ka ambulantë që pushuesit e huaj as në ëndërr nuk i kanë parë.Në qoftë se plazhi nënkupton relaksin total, pra përtacinë në katror, moslëvizjen si moto kryesore, egocentrizmin si forcë gravitacionale, atëherë kahu i çdo gjëje duhet të jetë në drejtim nga pushuesi. Me fjalë të thjeshta, gjërat duhet të shkojnë tek ai e jo ai të shkojë tek gjërat. Më mirë se plazhisti vetë, këtë sistem e ka kuptuar shitësi ambulant. Për të, plogështia e pushuesit shndërrohet në energji, relaksi bëhet dinamizëm, boshatisja e xhepit kthehet në mbushje.
Gjithsesi, pa shitësit ambulantë plazhi nuk do të kishte kuptim.
Ambulanti ideal është ai që i afrohet plazhistit deri tek koka. Ky, i shtrirë sa gjerë gjatë si zhapiku në diell, mezi lëviz kokën për t’ia parë mallin. Me dembelì sulltani fillon e pyet për çmimet, llojin, prejardhjen. Shitësi ambulant ia nuhat me dhelpëri interesin e njëmendtë. Kërkon të kalojë mërzinë e pjekjes në diell, apo dëshiron të blejë vërtet diçka? Rreket të përmirësojë aftësitë e veta negociuese, apo do të heqë qafe të fejuarën me një kinkaleri kineze? Ambulanti mban frymën derisa lëkurëspeci kërkon pantallonat për të marrë portofolin. Ambulantë të tillë ka ende pak në plazhet shqiptare, jemi në fazën e tranzicionit.
Ndoshta shpjegohet me formula ekonomike, ndoshta me urinë tradicionale të plazhistit, fakti është se shitësit ambulantë shqiptarë përqendrohen kryesisht tek ushqimi. Përjashto shitësin e gazetave, atë që bërtet me të madhe “Gazeta, revista, karta mbushëse!”, të tjerët tregtojnë mallra ushqimore. Nga pikëpamja e distancës fizike, gazetashitësi ambulant është ai që u afrohet më shumë plazhistëve. Kjo nënkupton edhe rrezik për ndonjë shpullë, ose sharje, përderisa gazeta kushton dyfishin e çmimit në letër.
Të ngjashëm me ambulantin e shtypit, gjithnjë nga afërsia me pushuesit në çadra, janë romët, ose të miturit që shesin bajame të pjekura në kaushë me njolla vaji, manaferra në kaushë me njolla të kuqe, fara kungulli në kaushë me faqe gazetash. Çuditërisht, të gjitha manitë e plazhistit për mallrat ushqimore, pra afatin e skadimit, vendin e prodhimit, përbërësit, konservantët, sikur anulohen (efekti i diellit përvëlues?), çka shpie në blerjen e farave, ose të bajameve, procesi përgatitor i të cilave nuk besoj se i respekton standardet e sigurisë ushqimore të BE-së.
Nga dy figurat e mësipërme, më moderni mbetet gazetashitësi, sepse i përket pluralizmit. Në kohën e diktaturës, në plazhet shqiptare nuk qarkullonin shitës të tillë, kurse farashitësit i gjeje kudo. Këta kanë qenë gjithnjë të specializuar, vetì që e ruajnë edhe sot, sepse ata që tregtojnë fara luledielli nuk ngatërrohen kollaj me ata të kungullit. Mesa duket teknologjia e përgatitjes duhet të jetë krejtësisht e ndryshme.
Shitësit e tjerë në plazh e ruajnë një farë distance me pushuesin. Me fjalë të tjera, ia respektojnë hapësirën jetike nën çadër. Nga pikëpamja e sjelljes këta janë më pak invadentë, qëndrojnë buzë detit e presin që pushuesit të shkojnë tek ta. Në këtë kategori hyjnë akulloreshitësit dhe misrapjekësit. Të parët, zakonisht në motoçikleta të lehta që zhurmojnë në breg të detit, presin plazhistët me kaushë në dorë. Të dytët, me mangallët e vjetër që tymojnë mes detit e çadrave, presin pushuesit duke pastruar koçanët e misrit.
Më interesant mbetet gjithsesi misrapjekësi. Ky jo vetëm rezulton ekzotik për turistët e huaj, por është një figurë në të cilën shkrihen dy profesione artizanale. Ndryshe nga akulloreshitësi, i cili nuk e përgatit por vetëm e shet akulloren, shitësi i misrave të pjekur e përgatit personalisht mallin që do ta shesë. Pjekja e misrave, pa frikë përgënjeshtrimi, është art i vërtetë. Fillimisht duhet zgjedhur qymyri i drurit, pastaj duhet ndezur zjarri, e më pas fillon pjekja. Pjekja e kallinjve të misrit kërkon durim e përvojë, zjarr mesatar e nxehtësi të mjaftueshme. Rreziku i djegies varet edhe nga cilësia e misrit. Ja pra, kërkohen edhe aftësi agronomi.
Misrapjekësi është shitës më inteligjent se akullorexhiu. Kush ka aftësi vëzhgimi do të vërejë në plazhin shqiptar se si pjekësi i misrave e studion me zgjuarsi kahun e erës në bregdet, në mënyrë të tillë që aroma e misrit t’ua gudulisë flegrat pushuesve. Orari i zgjedhur nuk është rastësor. Duhet të jetë larg mëngjesit, por jo shumë, dhe afër drekës, por jo shumë. Aroma e misrave të pjekur ia ngacmon plazhistit kujtesën e shijeve nëpërmjet evokimesh të ndërlikuara cerebrale, proces i mirënjohur nga artizani i misrit, i cili e pret “viktimën” i qetë përballë mangallit flijues. Çmimi, në atë çast, nuk ka kurrfarë rëndësie për pushuesin, sidomos kur sapo ka dalë nga uji dhe uria po i gërryen zorrët.
Vendvendosja e misrapjekësve, ndoshta 0,3 km deri 0,9 km nga njëri tjetri, nuk ka ndonjë bazë tregu, në kuptimin që nuk është bërë ndonjë studim specifik për zakonet e konsumatorëve. Ka baza nuhatjeje, është hapësira ideale e përhapjes së aromës. Për këtë arsye ambulantët e misrit kanë lëvizshmëri më të theksuar se të tjerët, sepse duhet të përditësohen sipas kahut e llojit të erës në plazh. Kam përshtypjen se kanë një shërbim meteorologjik të posaçëm, sikurse anijet e lundruesit në det.
Ka një dallim thelbësor midis strategjive të marketingut të birësuara nga ambulantët e mësipërm. Shitësit e akulloreve përdorin një buri me bombola gazi, që lëshojnë një tingull të ngjashëm me vuvuzelat (evokim sportiv?); shitësit e misrave përdorin si karem aromën e pjekjes. Në çastin e kontaktit me konsumatorin, i pari rreket të shpjegojë cilësinë superiore të produktit dhe freskinë e skajshme të tij. Tjetri argumenton me varietetin e misrit, artin e pjekjes dhe cilësitë dietetike të drithit tradicional shqiptar. Të dy nuk dinë nga bie higjiena e siguria ushqimore.
Ka një ambulant që nuk e vret mendjen fare për strategjitë moderne të marketingut: është fshatari me gomar që shet perime e fruta të stinës. Me kandar në dorë, ai i mat konsumatorit kërkesat jetike jo qejfin, peshon thelbësoren jo të tepërtën, shet të nevojshmen jo të kotën. Prandaj i lëviz koqet e kandarit me qetësi olimpike. Pushuesit mund të rrinë pa akullore e misra, por jo pa domate, speca e fruta. Këtë e dinë të gjithë: fshatari, gomari e plazhisti.
P.S. Fotografitë janë të miat.
Une per vete jam tifoz i fshatarit qe shet fiq.
Fiku eshte frut fantastik qe nuk rritet kudo dhe une, me nostalgji tipike prej emigranti, pohoj pa frike se fiqte qe shesin katnaret me gamor me kosha prej thupre neper plazhet tona ranore jane Kulmi i Frutit! 🙂
Fruti i fikut nuk eshte frut por lule 🙂
http://en.wikipedia.org/wiki/Common_fig
Insistimi per te raportuar nga plazhi can not go unnoticed.