Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Gjuhësi / Histori / Kulturë

ÇFARË SJELL SHIROKA

Filozofi dhe publicisti Ardian Ndreca u dhuron lexuesve të Shekullit shënime të këndshme udhëtimi në fshatrat arbëreshe të Italisë së Jugut.

Qëllimi i këtyre shënimeve, në mos i udhëtimeve vetë, formulohet qartazi që në paragrafin e përzgjedhur si hyrje të shkrimit:

Shënime udhtimi te arbëreshët, nji mrekulli e historisë së fisit tonë. Ata na tregojnë sot, se si ndoshta do të kishin qenë shqiptarët po të mos kishin pasë fatin e keq me ra në robnín shekullore.

Me fjalë të tjera, arbëreshët i kujtojnë autorit Arbërinë paraturke, me “legjendat dhe andrrat”; me gjuhën e “shpalosun sa krenisht aq edhe vetvetijshëm”…

Të tilla rrëmbushje nuk janë të rralla në publicistikën shqiptare; madje mishërojnë, në vetvete, një klishe nga më të rreckosurat, kur vjen puna për të folur për arbëreshët.

Autori takon edhe një legjendë të gjallë, Papas Emanuil Jordanin, dijetar nga më të mëdhenjtë që u kanë mbetur atyre trevave; dhe ka fatin të kuvendojë me të.

Shkruan Ndreca:

Tue më mbushë edhe mue gotën me venë […] dishepulli i dikurshëm i Koliqit në Universitetin e Romës dhe poet i njohtun arbëresh më thotë tue qeshë: – Po ti sikur vjen nga Shiroka!

E më shpjegon se kjo shprehje ka zanë vend në imagjinatën popullore për me tregue nji vend shumë të largët, ndoshta nji vend që dikur stërgjyshat e tyne kanë braktis dikur.

Autori dëgjon fjalën shirokë dhe mendja i shkon te Shiroka e Shkodrës; edhe pse, siç e vuri re një komentues me nofkën Pa_Nick në faqen Peshku pa Ujë, është fjala për një shqipërim banal të shprehjes italishte “portato dallo scirocco”, ku scirocco është era e njohur e Jugut, që nuk fryn vetëm në Shkodër.

Ndreca gjithashtu gjen gegë në Frasnita, duke iu referuar një citati çfarëdo të një historiani të shekullit XVII; edhe pse në të folmet e arbëreshëve të Italisë së Jugut askush nuk ka gjetur, praktikisht, ndonjë gjurmë të besueshme të gegërishtes (vetë Ndreca paska pikasur një paskajore – të shohim).

Shkruan autori:

Aq fort e duen gjuhën shqipe këta arbëreshët e thjeshtë, të cilët syni i ndokujt âsht mësue me i pa me nji farë shpërfilljet, sa kafshëve i flasin edhe sot e kësaj dite në italisht, mbasi arbërishtja për ‘ta âsht aq gjuhë fisnike sa që nuk mund të përdoret me kafshët.

Në të vërtetë, arbërishtja në Italinë e Jugut po vjen duke u tkurrur sidomos jashtë “vatrës”, krahas me integrimin e detyruar të arbëreshëve në shoqërinë italiane moderne, të ngjitur së bashku nga mass mediat, jo nga kisha; dhe vetë realiteti ekonomik dhe social në ato katunde të thella është shumë larg pamjeve idilike që përshkruan vizitori nga Shkodra.

Nga ana tjetër, Ndreca etimolog nuk duket të ketë qenë shumë në formë kur i ka qëndisur këto shënime.

Shkruan për katundin arbëresh të Çiftit:

Megjithatë katundi i Çiftit (it. Civita), i cili quhet kështu mbasi âsht i ndërtuem mes dy shkambijsh masivë, âsht vend turistik e i begatë. Nalt mbi 1000 metra, ndër bjeshkë, ka fillue me bâ ftohtë, era fryn me dy bulshij e mbas pak ka me ra edhe bora e parë.

Në fakt, janë të shumta fshatrat dhe qytezat, në krejt Europën e romanizuar, që e kanë marrë emrin nga latinishtja civitas; dhe shqipja çift nuk hyn fare këtu, aq më tepër si fjalë me prejardhje nga turqishtja!

Ose ndoshta edhe hyn, por si do të ndihej autori, po të mësonte se një fshat arbëresh qenka quajtur sipas një huazimi turk, të marrë me vete nga Ballkani, ose ndoshta të sjellë nga shiroka?

Vade retro, satana!

Në një konferencë gjuhësore mbajtur në 1984, në Tiranë, kishin ftuar, mes të tjerësh, edhe një mësues arbëresh, të cilit i dhanë edhe fjalën. Ky, që s’ia kujtoj dot emrin, iu drejtua të pranishmëve kështu: “Ju shqiptarët keni marrë shumë fjalë nga turqishtja, ne arbëreshët kemi marrë shumë fjalë nga italishtja. Le të merremi vesh e t’i pastrojmë edhe të parat edhe të dytat, për të krijuar një gjuhë të përbashkët.”

Kostallari, që nga tribuna e patriarkëve, ia dhuroi këtij atë lloj buzëqeshjeje që zakonisht e përdorte me mësuesit e fshatrave që sillnin torba me fjalë të rralla, plaka e të harrueme, për kartotekën leksikore të Institutit të Gjuhësisë.

Nuk di pse m’u kujtua kjo histori e kotë, kur lexova reportazhin e djalit nga Shiroka, që s’u lodh së ëndërruari një Shqipëri të çliruar prej shqiptarëve.

Pa Komente

  1. Pa dashur të hyj në diskutim me autorin, kur ai thotë se:

    Ndreca gjithashtu gjen gegë në Frasnita, duke iu referuar një citati çfarëdo të një historiani të shekullit XVII; edhe pse në të folmet e arbëreshëve të Italisë së Jugut askush nuk ka gjetur, praktikisht, ndonjë gjurmë të besueshme të gegërishtes (vetë Ndreca paska pikasur një paskajore – të shohim).

    desha të kujtoj një dëshmi personale të para disa vitesh në Romë. Bisedoja me një person të administratës së institutit ku ndodhesha, i cili më thotë se vinte nga një fshat i Puljes, dhe se ngjitur me të kishte edhe ngulime arbëreshe, banorët e të cilëve vendësit italianë i quanin (me pak përçmim më ngjau mua), “gheghi”.

    Të kenë qenë vallë mbetje të ardhura nga Arbëria e mbi-Shkumbinit dhe, mandej, të kenë qenë përzier edhe me Arbër të tjerë nga Toskëria?

    1. Vërtet, gjegj quhen arbëreshët prej italianëve përreth; por jo mes tyre; në kuptimin që një arbëresh nuk do ta quajë kurrë gjegj veten ose arbëreshin tjetër. Kaq mjafton, besoj unë, për ta përjashtuar lidhjen me fjalën geg.

      Me sa kam parë e mbaj mend nga leximet, gjegj si etnonim ka të bëjë me foljen gjegj, që në arbërishte ka kuptimin “dëgjoj” dhe përdoret shumë; për nga tipologjia, mund të krahasohet me emrin që shqiptarët përdorin për vllehtë: llacifac; në të dy rastet, një popull i huaj emërtohet sipas një fjale ose një kombinimi tingujsh që i dëgjohet shpesh në gjuhë.

      1. Kjo pune duhet te jete diçka me e ngaterruar. Rafaele Nigro duke folur per kujtimet e feminise se tij ne amalfitana (Bazilikate) tregon per kontaktin e tij te para me shqiptaret dhe keta ishin shoket e klases se tij, te cilet e quanin veten gegë.

        Kete e vura re vete nje here kur Nigro me shoqeroi ne fshatin e tij te lindjes, Melfi per te me njojur me te ëmen e tij, ne tetor 1990. Natyrisht shume gjera kishin ndryshuar, mass mediat siç thote me te drejte xhaxhai, kishin shënjuar pranine e tyre nefaste, çeshtje gege nuk ishte shume e thjeshte, por ajo jetonte midis shqiptarve. (Natyrisht duhej zbuluar se nuk ishte me fjala per barinj, por per sipermarres dhe punonjes te FIAT-it, meqe uzina e njohur kishte ndertuar aty nje filiale per te ulur papunesine)

        Duke e permbledhur ate qe kuptova une, mund te them se deri nje gjysme shekulli me pare, arbereshet e vegjel te asaj zone e dinin vetem ne menyre te vagët se ishin shqiptare (me origjine). Pa iu dridhur syri fare, ne jeten e perditeshme ata paraqiteshin si gegë, gje qe me shtyri te mendoj se dikur midis vendasve te origjines, emertesa e dialekteve te sotme shenonte nje faze kalimtare te emrit te ardhshem kombetar te paraardhesve tane. (Persiatje kjo qe me ndihmoi te kaloj pa u merzitur shume udhetimin me traget e qe e harrova me te vene kembet ne Durres)

        Gjithsesi kjo prani gege edhe mua me beri pershtypje te madhe ne ate kohe sepse e dija qe gegët katolike kishin emigruar ne pjeset me te siperme te Italise dhe ishin asimiluar krejtesisht per shkak te kultit te njejte qe praktikonin me vendasit, por mund te deshmoj para Historise se kam njohur gegë ne Bazilikata:-))

        1. Ja çfarë thotë pikërisht Raffaele Nigro:

          Unë kam lindur në një qytet që ka përreth rreth 400 komunitete arbëreshe. Edhe në Bari ku jetova më vonë, kishte arbëreshë. Madje edhe në shkollë kisha disa shokë që ishin arbëreshë dhe mes tyre ndonjëherë flisnin një gjuhë ‘të çuditshme’. Ata flasin gjuhën shqipe të viteve 1400-1500, gjuhë që ka mbetur e mbyllur mes tyre. Ne e dëgjonim këtë gjuhë, por s’e dinim që ishte një gjuhë shqipe, ato i thoshin ‘gegena’. E kjo ishte dialekti gegë, i Shqipërisë së Veriut.

          Nuk po dua ta paragjykoj, por sinqerisht nuk më duket se ky zotëri e di për çfarë po flet këtu. Dialekti geg nuk flitet në asnjë fshat arbëresh të Italisë së Jugut. Edhe këto 400 komunitetet unë nuk e marr vesh ku i ka gjetur (do të jetë gabim shtypi), meqë komunitetet arbëreshe në Itali bëhen a s’bëhen 50.

      2. Xha xha folja “gjegj” në vend të foljes “dëgjoj” përdoret edhe në Dibër dhe në të folme tjera të gegërishtes qëndrore.

        Sa i takon përdorimit të etnonimit “gegë” ndër arbëreshë, të them të drejtën edhe unë e kam ndeshur këtë fjalë në variante të ndryshme (gegë, ngegë, gheghë, apo gjegjë) në disa faqe interneti të arbëreshëve (dhe amerikano-arbëreshëve), si emër me të cilin arbëreshët, ose të paktën një pjesë e tyre, e identifikojnë veten dhe të folmen e tyre. Për mendimin tim forma gegë/gjegjë e arbëreshëve ka lidhje me fjalën gegë (Gegni/Gegëri) dhe sipas gjasave ka të njëjtën prejardhje.

        Fjalët gegë dhe Gegëri sot përdoren në kuptim të përgjithësuar por në të kaluarën janë përdorur në kuptim më të ngushtë: “gegë” për t’ju referuar banorëve të një zone më të vogël mes lumenjve Shkumbin dhe Mat, dhe “Gegni”- viseve ku banonin këta gegë. Sipas etnologëve shqiptarë që kanë studiuar etnografinë shqiptare, territori i kësaj Gegnie të ngushtë korrespondon me territorin ku është shtrirë dikur Principata e Skënderbeut (Arbëria). Në këtë zonë, sipas etnologëve, deri në fillim të shekullit të kaluar ruheshin disa zakone e rregulla nga i ashtuquajturi “kanuni i Skënderbeut”. Me rënien e shtetit të Skënderbeut fjalët Arbëni për territorin dhe arbër për popullatën gradualisht dalin nga përdorimi për tu zëvendësuar me fjalët Gegni (ose malet e gegëve) për territorin dhe gegë për popullsinë.

        Prejardhja e etnonomit “gegë”, që më rrallë haset edhe në formën gjegjë, nuk është e qartë edhe pse egzistojnë disa hipoteza. Sipas njërës prej tyre fjala gegë vjen nga një shkurtim dhe korruptim i emrit Gregor, sipas një tjetre, asaj të albanologut Hahn, vjen nga onomatopeja ga-ga pra me kuptim ruajtës patash, një e tretë e nxjerr nga fjala greke gigas (gjigande), po këto janë vetëm mendime të pambështetura dhe nuk duken të besueshme.
        Ti xha xha rrekesh të shpjegosh se etnonimi gjegjë (gegë), ashtu si përdoret ndër arbëreshë, vjen nga folja “gjegj” që dëgjohet shpesh ne gojët e arbëreshëve, dhe ka hyre ndër arbereshë si një ekzonim. Ky shpjegimi yt xha xha duket i besueshëm, por në qoftë i saktë do të spjegonte edhe prejardhjen e fjalës “gegë” (Gegëri). Këtë e them ngaqë në të folmet e Gegërisë ashtu si dhe në të folmet arbëreshe është përdorur dhe përdoret folja “gjegj”, prej të cilës ti supozon se vjen etnonimi “gjegjë” i arbëreshëve. Nuk duhet harruar se një numër i arbëreshëve janë me origjinë nga zona të të folmeve të gegërishtes qëndrore (nga territoret e ish Principatës së Skënderbeut) pra ka shumë të ngjarë që këta arbëreshë ta kenë marrë emrin “gegë/gjegjë” me vete kur u shpërngulën për në Itali aty nga fundi i shekullit të XV dhe fillimi i shekullit XVI.

        Gjithashtu nuk duhet përjashtuar mundësia se etnonimi gegë vjen jo nga një shkurtim dhe korruptim i emrit Gregor, meqë historia e atyre viseve nuk njeh ndonjë feudal apo udhëheqës me këtë emër, po nga një korruptim dhe përshtatje e emrit Gjergj. Kjo tezë e imja gjenë mbështetje në atë që është thënë nga etnologët se Gegnia e mirëfilltë është, në një farë mënyre, trashëgimtarja e shtetit të Skënderbeut, se kufijtë e saj përputhen me ato të Arbërisë Skënderbegase, dhe se banorët e saj (gegët) janë pasardhësit e popullsisë që u mbijetuan luftërave otomano-skënderbegase, mbetën në vend dhe që me kohë u islamizuan (ndryshe nga arbëreshët gegë/gjegjë me origjinë nga ky territor që u larguan për në zotërimet napolitane në Itali). Ngjajshëm ka ndodhur edhe me viset që shtrihen në veri të lumit Mat, pra në veri të Gegërisë së ngushtë (asaj të mirëfilltë). Këto vise deri vonë njiheshin si Leknia apo Dukagjini, ndërsa banorët dukagjinas (lekë/t), sipas feudalit Lekë Dukagjini, bashkëkohas i Skënderbeut dhe zotërues i atyre territoreve.

        1. Mjaft interesante hipoteza e etnonimit Geg nga Gjergj.
          Atëhere, ndofta zinxhiri i fjalës është: Gjergj-Gjergjni (për popullsinë dhe më tej për vendin; krahaso p.sh. me “vegjëli”) – Gjegjni – Gegni – Gegëri.
          A mbështetet kjo nga fonetika historike?
          Gjithsesi, prejardhja e Gegni duhet parë edhe në lidhje me etnonimin tjetër TOSK.
          Pyetje tjetër: a ka ndonjë mendim për periudhën se kur përafërsisht ndodhi ndarja e madhe dialektologjike gegërisht-toskërisht?

        2. Unë hipotezën e prejardhjes së emrit gjegj e kam gjetur te Çabej, i cili gjithashtu përmend përdorimin e foljes gjegj në gegërishten e zonave të Dibrës.

          Sa për origjinën gege të disa arbëreshëve të Italisë së Jugut – unë këtu gjej një pikëpyetje të madhe: ose kemi të bëjmë me një legjendë të vonë, ose gegët e mesjetës flisnin një formë të toskërishtes.

          Çuditërisht, origjinë gege (nga Kruja) pretendojnë edhe disa fise në Himarë; por edhe aty gjurmët e gegërishtes mungojnë.

          Më në fund, hipoteza se geg mund të vijë nga Gjergj më duket e pambështetur nga ana fonetike – dhe pikërisht kalimi nga një qiellzore (gj) në një grykore (g). Normalisht në shqipe ka ndodhur e kundërta, para një zanoreje si e-ja; vetë emri Gjergj e dëshmon këtë.

          1. Thote xhaxhai “…ose gegët e mesjetës flisnin një formë të toskërishtes”.

            Kam pershtypjen se po Çabej thote diku se diferenca e dy dialekteve ne Mesjete nuk ka qene kaq e dukeshme dhe e thelle sa sot.

          2. malcoret thone “tu ngate” dhe jo “tu ngjate”.

            thone “guhe” dhe jo “gjuhe”.

            Ne pergjithesi, katundarçe fare, ne zonat gege, tingulli “gj” eshte jashte natyre, dmth mund ta thone, por pak me siklet. Parapelqehet tingulli “g”.

            Nuk ka pse te duket habi qe mund te jete kaluar nga nje “gj” ne “g”. Mbase kalimi i kundert nga “g” ne “gj” ka ndodhur me i natyrshem ne Jug, per arsye te fqinjesise me greqishten (qe keta i kane qejf keto tingujt keshtu q, gj).

            Sidoqofte, nuk jam ndonje njohes i fushes por ama jam njohes i mire i katundareve te mi.

            1. Duke u ndalur në zhvillimet g > gj, dhe gj > g në shqipe, ehe… vëren:

              malcoret thone “tu ngate” dhe jo “tu ngjate”. Thone “guhe” dhe jo “gjuhe”.

              Sipas Atlasit Dialektologjik të Gjuhës Shqipe (ku jam bazuar për sa më poshtë), kjo ndodh në gegërishten verilindore; me Pukën dhe Iballën si skajet më perëndimore të një zone që shtrihet pastaj duke përfshirë gjithë Kosovën.

              Dhe çfarë është edhe më e rëndësishme, si fenomen prek vetëm ato fjalë që, në toskërishte dhe në gegërishten e mesme dhe jugore kanë një gj nistore e cila vjen nga një gl- nistore e dikurshme (gluhë, i glatë, glu, etj.).

              Natyrisht, jo çdo gj e shqipes së përgjithshme vjen nga grupi gl-; ka edhe shumë gj– me prejardhje të tjera (p.sh. nga palatalizimi i një g-je para një zanoreje të lartë, si gjel; ose nga fjalë indoeuropiane me një s nistore të ndjekur nga zanore ose likuide si gjak, gjarpër, gji). Të gjitha këto gj nuk janë thjeshtuar ndonjëherë në g, në asnjë dialekt të shqipes – edhe pse kanë evoluar në tinguj të tjerë (p.sh. x ose xh).

              Ne pergjithesi, katundarçe fare, ne zonat gege, tingulli “gj” eshte jashte natyre, dmth mund ta thone, por pak me siklet. Parapelqehet tingulli “g”.

              Kjo nuk ka lidhje me shndërrimin gj > g, as me ndonjë parapëlqim të grykores g; por vetëm me një zhvillim të veçantë të qiellzoreve në disa variante të gegërishtes – si në të folmet e Kosovës, ku qiellzorja gj ka evoluar në afrikate (xh).

              Që s’ka gjëkundi në gegërishte ndonjë “parapëlqim” të tingullit g, këtë e tregon edhe fakti që, disa të folme të gegërishtes i bëjnë gj edhe disa g që përndryshe, gjetiu në shqipe, janë ruajtur mirë. Kështu në zona të Krujës, të Matit e deri në Lumë të Kukësit, dëgjon forma të tilla si zogj, burgj në vend të të zakonshmeve zog, burg (e kam fjalën vetëm për format në njëjës). Po ashtu, pak a shumë në të njëjtat zona, dëgjon forma të tilla si gjojë (për gojë), gjrue (për grua), gjropë (për gropë), gjrusht (për grusht), etj.

              Nuk ka pse te duket habi qe mund te jete kaluar nga nje “gj” ne “g”. Mbase kalimi i kundert nga “g” ne “gj” ka ndodhur me i natyrshem ne Jug, per arsye te fqinjesise me greqishten (qe keta i kane qejf keto tingujt keshtu q, gj).

              Palatalizimi (ose qiellzorizimi) i grykoreve ndeshet anembanë botës; dhe në veçanti Ballkanit – greqishtja këtu nuk hyn fare. Kalimi i g-së në gj në shqipen është shumë i vjetër, ndeshet rregullisht në huazimet latine. Nuk është huazim as ndikim nga greqishtja, por zhvillim i natyrshëm fonetik, p.sh. në kushtet kur g-ja (dhe k-ja) ndiqen nga një zanore e lartë (por jo vetëm).

              Sidoqofte, nuk jam ndonje njohes i fushes por ama jam njohes i mire i katundareve te mi.

              Kaq nuk mjafton.

              Tani, për t’iu kthyer temës – i vetmi rast kur një gj-je të shqipes në përgjithësi i përgjigjet një g në disa të folme gege, ka të bëjë me evolucionin e grupit nistor gl– në gjuhë. Që dukuria të vlejë për të arsyetuar rreth kalimit hipotetik nga gjegj geg, duhet që që gjegj të dëshmohet gjëkundi, në shqipen e vjetër ose në dialektet, me një gl– nistore në vend të gj-së (sepse gluhë, glu, i glatë janë të dokumentuara). Dëshmi të tilla nuk ekzistojnë, prandaj bie edhe argumenti.

  2. ”’Të kenë qenë vallë mbetje të ardhura nga Arbëria e mbi-Shkumbinit dhe, mandej, të kenë qenë përzier edhe me Arbër të tjerë nga Toskëria? ”’

    Edhe me te tjere nga Greqia, duhet shtuar. Arbereshet kane mbijetuar edhe fale fese, ortodokset mes katolikeve kane me shume mundesi te ruhen sesa katoliket, megjithate shqiptaret e kohes arberore duket te kene pasur nje ndjeshmeri etnike te llahtarshme per kohen, po te shikojme perveç arberesheve edhe arvanitasit, qe ishin greko-ortodokse te thekur .
    Llogarit qe ate qe degjohej deri dje se kosovaret jane si serbe e hasim tek Gjon Muzaka dmth Muzaka e kishte fiksim etnicitetin e vet aq sa i vinte gishtin deri edhe Skenderbeut dmth e modelonte etnicitetin sipas kutit te vet, kjo eshte paraqitje ekstremiste e etnocentrizmit.
    Kjo ‘semundje’ shqiptare nuk duket te jete aspak e re.

    Arbereshet paten nje veçori qe rezultoi e dobishme me vone per ne ketej, ata turkun s’e donin fare dhe ruajten me besikeri identitetin etnik ndaj frymes greko-ortodokse dhe jane keto te dyja qe u ngrene vleren sesa ruajtja e gjuhes.
    Ruajtja e gjuhes eshte tip kurioziteti, habie qe jep me shume vlere ekzotike (ue si i thoni kesaj, po asaj) dhe ngjall interes real tek antropologet dhe gjuhetaret, kurse vetidentifikimi nepermjet nje perplasjeje te pershqisuar si apokaliptike me turqit dhe shembulli i gjalle se mund te ishe edhe ortodoks edhe shqiptar jane faktore vendimtare ne paraqitjen bashkekohore te shqiptarise.

    Ndreca qe ka nisur misionin e gjetjes se rrenjeve, nuk mund te mos shfaqet i mahnitur dhe i sinqerte ne mahnine e tij, pasi arbereshet jane etape e detyruar, ku mahnia nxit romantizmin. Fryma romantike eshte e vetvetishme, kur dikush kerkon rrenjet e diçkaje.

    Mirepo nga nje filozof i sotem pritet diçka tjeter, keto jane pune poetesh e shkrimtaresh qe mund ti vardisen anes artistike derisa ti nxjerrin zine, kurse nje filozof duhet te nxjerre diçka tjeter, i mungon legjitimiteti per tu shprehur ne kete menyre. Vetem nese te qenit publicist ne Shqiperi ka mbytur te qenit filozof se nuk ka si shpjegohet ndryshe.

  3. Eqrem Çabej që është autoritet për gjuhën shqipe dhe që ka studiuar gjuhën e arbëreshëve (duke filluar që nga dizertacioni i tij) shkruan:

    Duke qëndruar mbi këtë bazë parimore, do vënë re që arbërishtja e Italisë, sikundër u tha edhe më lart, i përket përgjithësisht toskërishtes, duke paraqitur qartë tiparet karakteristike të këtij dialekti.

    Por, i njejti autor, shënon pak më poshtë:

    Që ndërkaq në këtë fushë dialektore gjinden edhe elemente gege, kjo, me situatën historike që u ravizua më lart, është një gjë që pritet a priori. Aty hyjnë trajta si âsht për është, mâm për mëmë në katundin Vakarico (Vaccarizzo) të Kalabrisë (Gius. de Rada, në vendin e cituar, f. 7), në Kalabri gjithashtu edhe opangë për opingë, mbase edhe katërdjét në S. Marzano afër tarentit (Tarantos) në Apuli, në vend të dizét. Po sidomos zbutimi i l-së pas një p, b, f, v-je, në forma fjalësh si pjak, fjetë, në ligjerimet e luginës së lumit Krati në Kalabri të Mesme, na shpie në anët e Gegërisë, veçse aty më fort në Shqipëri të Mesme se sa në viset më në lindje, të Dibrës e të Maqedonisë.

    Çabej E., “Çështja e prejardhjes së ngulimevet arbëreshe të Italisë në dritën kryesisht të gjuhës e të emrave vetjake”, në të njëtit autor, Në botën e arbëreshëve të italisë, 8 nëntori, Tiranë 1987, ff. 9-22.

    Tashti, XhaXhai si specialist në këtë fushë, mund të na shpjegojë nqs arbërishtja në mënyrë të pavarur, mund të zhvillojë të njëjtat karakteristika me ato të gegërishtes apo i ka sjellë më vete. Sepse shikoj që kjo pikë ka qenë edhe objekt diskutimi mes Çabejt edhe Demirajt në Konferencën II të Studimeve Albanologjike.

    1. Vlerësimi i saktë historik-dialektor i të folmeve arbëreshe është pothuajse i pamundur.

      I vetmi gjykim që mund të jepet, dhe që e kanë dhënë të gjithë, është se këto i përkasin, përgjithësisht, shqipes jugperëndimore, duke u afruar me labërishten e sidomos çamërishten.

      Përndryshe, ka disa pika që ia problematizojnë punën dialektologut.

      Së pari, të folmet arbëreshe nuk mund të trajtohen si vijueshmëri; sepse janë ishuj gjuhësorë, të formuar aksidentalisht. Nëse dy katunde arbëreshe janë afër gjeografikisht, kjo nuk do të thotë se të folmet përkatëse do të jenë edhe ato afër. Kjo pikë ka rëndësi kapitale, për të marrë vesh natyrën e problemit që i del gjuhëtarit.

      Së dyti, banorët e një katundi nuk është e thënë të kenë sjellë në Itali të njëjtën të folme; përzierja e të folmeve ka ndodhur në momentin e ikjes. Një analogji mund të bëhet me prejardhjen e refugjatëve në një anije që largohej prej Durrësit në mars të vitit 1991, përsëri drejt Italisë: disa përkatësi mund të përvijohen, por në përgjithësi kombinimi i elementeve është rastësor.

      Së treti, nuk dihet situata dialektore në Arbërinë që lanë pas arbëreshët – sidomos nuk dihet se ku kalonte kufiri midis dy kryedialekteve.

      Së katërti, nuk dihet edhe ç’rol ka luajtur, në përvijimin e arbërishtes së sotme, mbivendosja e arbërorëve që erdhën në Italinë e Jugut nga Greqia (Moreja) disi më vonë, duke sjellë me vete të folmet e tyre; meqë vetë këta arbërorë të Greqisë pak kohë kishin që ishin bartur në trojet në Greqi, të zhvendosur nga zona të tjera më në veri.

      Kush studion historinë e një dialekti, normalisht mund të përdorë metoda të njohura të gjuhësisë historike; por këto nuk vlejnë në rastin e ishujve gjuhësorë. Për shembull, një risi fonetike në rrethana normale përhapet gjeografikisht sipas rregullsive të caktuara; por risitë fonetike të të folmeve arbëreshe nuk përhapen dot ashtu, sepse të folmet vetë i kanë pasur të parregullta kontaktet mes tyre – duke u futur shpesh dialektet e italishtes në mes.

      Prandaj disa elemente të rralla të gegërishtes që i ndesh sot në ndonjë të folme nuk janë të mjaftueshme për të nxjerrë ndonjë lloj përfundimi. Këto mund t’i kenë sjellë gegë nga Arbëria, por mund edhe t’i kenë futur artificialisht në përdorim arbëreshët vetë, sa kohë që dihet se në kolegjet e tyre qarkullonte letërsi e shkrimtarëve të vjetër katolikë të Veriut (p.sh. vepra e Budit).

    2. “Tashti, XhaXhai si specialist në këtë fushë…”

      Tannhauser, pse e përdore “Tashti” e jo “Tani”?

      Pyes, sepse dikur kam pas lexuar diçka për këtë. Mendoj se je personi i duhur për këtë sqarim.

  4. Sipas banoreve te fshatit, Civita dmth “Çifti” dhe keshtu shkruhet edhe ne hyrje tij (“Benvenuti a Civita -Mireserdhet ne Çift, katund arberesh” – kam nje foto po nuk po mund ta bashkengjis dot). Etimiologjia ka rrenje sipas legjendes tek nje djale e nje vajze (çifti medemek) qe u ngulen te paret aty (ndonese kjo mua me duket e pabesueshme). Sa me siper ma shpjegoi drejtori i muzeut etnografik arberesh te Çiftit, kur isha per vizite kete vere. Madje ai shprehu edhe shqetesimin qe emri “Çift” sefundi po percudnohej ne “Çivit” (sipas tij keshtu e therrasin jo-arbereshet dhe te rinjte qe po humbin gluhen). Nderkohe, nje miku im italian qe me shoqeronte me tha se fshati nuk eshte nje ngulim rastesor i dy te rinjve, por nje toke e mirepercaktuar qe iu dha perpara shume shekujve nga Mbreti i Napolit te ardhurve te pare, si dhe se, ne lidhje me emrin, Civita ka edhe te tjere lart e poshte neper Itali. Dhe per ata qe e kane vizituar zonen (te tre fshatrat ndodhen prane e prane: Ianina – Janina, Frasineto – Frasheri dhe Civita-Çifti) ky shpjegim behet menjehere i kuptueshem: arberesheve iu jane falur skerkat me te largeta te zones, ku ate kohe kishte ndoshta vetem dhi. Sidoqofte panorama sot eshte e mrekullueshme: Çifti ne maje te malit (te kujton disi Krujen), ne krah parku nacional i Pollinos dhe poshte Joni i kalter…

  5. Ka edhe vendbanime arbereshesh gege ne Itali por jane shume pak ne krahasim me tosket . Eshte psh. Pianiano afer Viterbos. Diku tjeter kam lexuar per nje fshat qe banohej nga te ardhur prej nje zone gege ne lindje te Shkodres. Duhet te kishin ardh ne shek e XVII me sa mbaj mend dhe jo nga perndjekja e Turqve por thjesht per arsye ekonomike. Nje tregtar nga Shkodra kishte marre ne anijen e tij njerez te aferm dhe ishin vendos ne nje zone te pabanuar e me pas shqiptare te tjere i kishin ndjek nga pas, vec s’me mbahet mend emri i fshatit.
    Nga ana tjeter eshte e cuditshme se si disa fshatra sidomos ne Pulje dhe kalabri qe dihen se jane formuar nga luftetare gege te Skenderbeut qe u derguan ne ndihme te Ferantes, sot flasin toskerisht. Ndoshta te ardhur te shumte toske kane shkuar aty me vone ??

  6. Thoshte Merxhani me 1936 (peshku po ben pune te mire):

    – Puna është thjeshtësisht për një pikëpamje themelore të gjith cështjes: Puna është për një krye, për një pikënisje!S’kemi arritur edhe në abce-në e punës. Përse? –Ja pika më me rëndësi dhe më e hidhur e gjithë davas. Mua m e duket se kjo gjendje e vajturashme rrjedh nga dy shkaqe kryesore: Shkak temperamenti dhe shkak edukate…Egoizma intelektuale!Shkak temperamenti. Njerzit t’onë të mësuar nuk janë të formuar ende mirë nga pikëpamja e karakterit intelektual. Nuk kanë një jetë mendore të sinqertë një herë për vehten e vet. Jemi pedantë. Cdo njeri prej nesh zbret në tokën shqiptare drejtë për së drejti nga qielli. Nuk jemi njerz na. Jemi perëndi! Vetëm na i dijmë që të gjitha.

    Vallaj veshtire te thuash se ka ndonje ndryshim thelbesor qe nga 1936.

    Shiroka vallaj sjell vitin 1936.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin