Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Nostalgji

PRURËSIT

Cili prej nesh, ende fëmijë, nuk është mrekulluar nga bankënotat vallë, sidomos kur ia falnin ndonjëherë të freskëta, të papërdorura kurrë më parë, lule të sapokëputura, që kundërmonin aromë solventi tipografik; me gjithfarë ornamentesh e arabeskash përsipër, numrat të shkruara bukur, grafikën aq realiste-socialiste me mbitone të ëmbla sovjeto-kineze…

Nuk kishim ndërmend t’i përdornim, jo. Donim t’i ruanim në faqe librash si pullat e postës, t’i shkëmbenim me njëri-tjetrin, t’i grumbullonim, t’i kundronim me admirim, t’i akumulonim si zahiré simbolike, t’ua tregonim mysafirëve si vepra arti dhe zbukurimi, relike të çmuara të tregut, insekte të hequra nga kopshtet e qarkullimit e të ngulura me thumb, entomologjikisht, mbi dërrasat e koleksioneve tona ambicioze.

Na pëlqente t’ua preknim letrën e cilësisë së lartë, që fëshfërinte nën mollëzat e gishtave, si faqe e ndonjë libri të vyer; na pëlqente t’i mbanim tufë, letra bixhozi të holla e megjithatë elastike, fletë të epshme por të paepura plastike, pak të tejdukshme madje opaleshente kundër dritës, me një tis qumështor që u përhihej përbrenda, për të shfaqur në sytë tanë sekretet e filigranës; intriguese me numrat e serive, që na lexoheshin si kode të fshehta, të plotkuptimshme për sytë e atyre që dinin; me fjalët, figurëzat dhe numrat që u fshiheshin diku përmes imazheve, rebuse figurative për të mençmit, pengesa të pakalueshme për batakçinjtë, kallpazanët dhe keqdashësit.

Kartëmonedhat mbanin erë shtet. I kishin të gjitha: hijen e rëndë të institucioneve, rregullin, rangun si të ushtrisë, rreptësinë e ndëshkimit për mashtruesit, ikonografinë prej dokumentari të Kinostudios. Vinin në prerje të ndryshme dhe në format të ndryshëm: sa më e madhe vlera në lekë, aq më i madh formati. Vinin edhe në ngjyra të ndryshme, por gjithnjë hijerënda si kadifetë e zonjave dhe divanet e familjeve të mëdha; nuk gjeje atje të verdha të ndezura dhe vulgare, të kuqe zhurmëtare e të përdala, bojëqielli të shpëlara si tualetet e plakave; por vetëm nuanca dhe tone me emra të huaj, bezhë, kaki, zumrud, terra di Siena. Pa përmendur pastaj imazheritë: makinat shirëse, Gjergjin, tezgjahistet, kallëzat e grurit, Rozafatin, valltarët me kostime popullore te Pallati i Kulturës, Naim Frashërin, trenin e pasagjerëve Rrogozhinë-Fier, partizanët çlirimtarë, kooperativistët, vaporin “Vlora” me oxhakun tymosës, vjelësen e rrushit, shkrirësit e metalurgjikut, urën e Bushtricës, ndërtuesit e hidrocentraleve, skelat e pallateve që po ndërtoheshin, kazmën dhe pushkën.

Për ne që dinim të lexonim, edhe më intriguese ishin mbishkrimet, të pakëta, por enigmatike.

Në njërin nga mbishkrimet thuhej:

LIGJA DËNON ATA QË FABRIKOJNË DHE NDAJNË BILETA TË FALLSIFIKUARA

Shumë kokëçarje na sillte kjo shprehje. Duke filluar që nga fjala e çuditshme ligja, të cilën po ta përdorje në detyrat e gjuhës, të ulej nota; meqë kushdo e dinte se fjala duhej shkruar ligji, e gjinisë mashkullore, siç i ka hije vetë ligjit dhe autoritetit; përndryshe ligja tingëllonte si fik i ngjitur në gojën pa dhëmbë të ndonjë plaku të moçëm, diversanti të vdekur urie, ose xhandari të Zogut tashmë të penduar; ose fundja edhe e ndonjë punonjësi tuhaf të gjendjes civile që ende i plotësonte formularët në elbasanishte…

Më tej akoma – pse vallë ishte parë e arsyeshme që një kartëmonedhë t’u kujtonte, përdoruesve, se falsifikimi i biletave dënohej me ligj? Ndoshta ngaqë ata që falsifikonin bileta sporti ose kinemaje, përpiqeshin pastaj t’ua shisnin syleshëve për t’u pasuruar me rrugë të paligjshme? Mister. Në ato vite ishte e vështirë të siguroje bileta për ndeshje futbolli ndërkombëtare, sidomos kur vinin për të luajtur gjermanët; por edhe për ndeshje basketbolli, si ajo e Partizanit tonë me italianët e Oransoda-s, që përfundoi në barazim 73:73… A nuk ishte edhe kjo një çudi më vete, një barazim në ndeshje basketbolli?

Sa për ligjën që dënonte falsifikatorët e biletave, kjo na ka munduar së tepërmi, madje disa vazhdon t’i mundojë sot e kësaj dite. Ideja për të vendosur, në kartëmonedha, porosi të ndryshme për çështje me interes publik nuk ishte e keqe në vetvete; por vallë kaq problem i madh paskësh qenë ky i falsifikimit të biletave? Hiq tek-tuk ndonjë ndeshje me gjermanët, ndonjë film francez me Alain Delon, ose ndonjë premierë të estradës së Fierit, biletat zakonisht i gjeje pa shumë zahmet; mbaje radhë si njeri, një ose dy orë, paguaje çmimin përkatës dhe voilà: biletat i kishe në dorë, të tuat, s’t’i prekte kush. Pse të mos vihej ndonjë tjetër porosi e dobishme, si ajo “mos pështyni përtokë”, që përndryshe e gjeje të shkruar deri edhe në trotuaret e qendrës (me ç’rast të gjithë ne kujtoheshim dhe e pështynim)?

Një tjetër enigmë, te ky mbishkrim, kishte të bënte me faktin që ligja dënonte jo vetëm ata që falsifikonin, por edhe ata të tjerët, që biletat e falsifikuara i ndanin. Që falsifikatorët duheshin dënuar, madje rreptë, nuk diskutohet; por që të dënoheshim edhe ne të tjerët, që blenim një biletë të falsifikuar për, bie fjala, finalet e Kampionatit Kombëtar të Mundjes Greko-Romake, dhe pastaj na e jepte në kokë ta ndanim në mes me gërshërë, kjo nuk përtypej lehtë. Tek e fundit, ç’humbje kishte shteti, sikur robët t’i blenin këto bileta dhe t’i ndanin pastaj në mes, me gërshërë, ose me thikë duhani, ose fundja edhe duke i grisur? Pse nuk u dashkëshin ndarë biletat xhanëm? Nuk është se duke e ndarë biletën më dysh, do të përftoje dy bileta dhe mund të merrje me vete në stadium edhe vëllanë e vogël; prandaj nëse ndokujt ia kishte qejfi ta ndante madje edhe më tresh e më katërsh, pse të mos e lije rehat në punë të vet?

Shteti të fliste ndonjëherë me gjuhë të frikshme. Sa më e pakuptueshme, aq edhe më e frikshme; sepse mund të dilte ndonjë nesër dhe ta interpretonte krejtësisht kundër teje. Dhe pastaj kush do të guxonte vallë, të të mbronte ty nga ligja?

Edhe më i pazbërthyeshëm ishte mbishkrimi në anën tjetër të kartëmonedhës:

I PAGUHEN PRURËSIT ME TË PARË

Këtu fjala që të tërhiqte menjëherë vëmendjen, ishte kjo prurësit: cilit prurës? Prurësit të kujt? Përfytyronim dikë që do ta shpinte kartëmonedhën atje ku do të paguhej (paguhej?): Mirëdita, unë jam prurësi, kam sjellë këtë kartëmonedhë prej njëzet e pesë lekësh të reja, a mund të më paguani pak ju lutem? Dhe ne: po për çfarë të të paguajmë ne ty? Ti i ke paratë tashmë, çfarë kërkon të paguhesh akoma? Nëse kërkon të ta thyejmë me të vogla, bujrum. Nëse kërkon të blesh diçka, për shembull krem Shëndeti ose Vapik, urdhëro përsëri. Por ne s’të paguajmë dot vetëm ngaqë ti e zotëron këtë kartëmonedhë, meqë ashtu do të ishte njëlloj sikur ti të na e shisje paranë. Lejohet kjo?

Lëre pastaj këtë prurësin – vetë fjala kishte diçka të pahijshme, diçka që nuk di pse na sillte ndërmend ata që spiunonin shokët në drejtorinë e shkollës, ose të tjerët, që informonin për fqinjët e tyre te kryetari i Frontit në bllok. Prurësi ishte një fjalë të cilën ne nuk e përdornim me njëri-tjetrin; jo tamam e ndyrë, por më tepër shprehje e nënshtrimit ndaj autoritetit administrativ, për shembull portierit gojëprishur të spitalit civil no. 2 ose fatorinos në autobusin e Kamzës.

Por ndoshta mesazhi bënte fjalë vetëm për ata që e gjenin kartëmonedhën në rrugë, për ta shpënë diku – për shembull te Zyra e sendeve të gjetura në stacionin e trenit, ose në ndonjë zyrë tjetër të ngeshme. Mirëdita, unë gjeta këtë kartëmonedhë, jam prurësi i saj, nëse mund të shprehem kështu; ja ku është, a mund të më paguani tani?

Edhe kështu sikur nuk shkonte.

Po të ishim ne titullarë të asaj zyre, do të përgjigjeshim: falemnderit që e gjete kartëmonedhën, o prurës; por do të bëje mirë ta kishe mbajtur, sepse tani ne nuk dimë ç’të bëjmë me të – as e prishim dot për hesapin tonë, as kemi ku ta ruajmë që të vijë e ta marrë humbësi përkatës. Edhe po ta ruanim ne gjëkundi me procesverbal, nuk ka humbës aq të trashë, aq kafshë, sa të vijë në Zyrën e sendeve të gjetura dhe të kërkojë një dyqind e pesëdhjetëshe të qelbur që i ka rënë nga xhepi para një jave. Si ka mundësi që ti, o prurës, të jesh kaq hajvan sa të shpresosh se ne do të të shpërblejmë duke të paguar, vetëm e vetëm ngaqë na hap punë kot më kot?

Pastaj, ishte edhe ajo pjesa e dytë e thënies: me të parë. Si kështu me të parë? Domethënë, mjaftonte ta nxirrte dikush kartëmonedhën, t’ia tregonte shitëses dhe kjo do ta paguante tak-fak? E kishte provuar njeri të paguhej kështu? Me sa kishim vënë re ne, kur ti shkoje në dyqan të bleje, bie fjala, një tenxhere me presion të markës Alupret ose një palë nallane grash të pirografuara, paraja i mbetej dyqanit, në fund të transaksionit. Shitësja jo vetëm e shihte kartëmonedhën, por edhe e fuste me kujdes në sirtar, duke të kthyer reston, sipas rastit. Vetëm e para nuk mjaftonte: tenxherja me presion kushton njëzet e pesë lekë; ah, falemnderit, ja ku i kam paratë, në kuletë. Jo zotëri, kartëmonedha nuk është dokument që të ma tregoni, si fletë-hyrje ose letërnjoftimi; duhet të ma jepni mua. Po këtu thotë: i paguhen prurësit me të parë…

Shko thuaj pastaj pse e thirrën policin kot.

Disa prej nesh e interpretonin ndryshe atë me të parë; thoshin, i paguhen prurësit me të parë, do të thotë që mjafton ta shohësh kartëmonedhën, dhe e ke paguar. Përndryshe, shpjegonin këta, shprehja e saktë do të ishte: i paguhen prurësit me ta parë (atë, kartëmonedhën). Brenda këtij grupi, kishte edhe një fraksion që pretendonte se pagesa do të bëhej sapo paguesi të shihte jo kartëmonedhën, por prurësin vetë: me ta parë prurësin, paguaje në dorë. Përgjegjësia i mbetet shtetit.

Një grup i tretë, ngulnin këmbë se mbishkrimi në fjalë nuk kishte të bënte me kartëmonedhën, por me vlerën e saj në lekë; për shkak të foljes paguhen e cila shfaqej në shumës dhe, si e tillë, e kërkonte kryefjalën në shumës. Cilat paguhen? Lekët (në shumës). Medemek, ti e tregoje kartëmonedhën, shitësi ose vetë autoriteti mbikëqyrës në Bankën e Shtetit Shqiptar e shihte (me të parë) dhe pastaj ta paguante kundërvlerën në njësi monetare. As më shumë, as më pak, çka deshëm e vërtetuam.

Në këtë botë, thoshim ne, nuk ka punë më të mirë se të jesh prurës kartëmonedhash.

Kishte edhe një shkollë të katërt interpretuesish, të cilët niseshin nga premisa se tekstet e kartëmonedhave përmbanin gabime të ndryshme; për shembull, a nuk ishte shkruar vallë gabim fjala ligja në vend të ligji; ose fjala pesë qint, në disa kartëmonedha të tjera të vjetra, në vend të pesëqind, siç do ta shkruanim ne sot? Po ashtu, a nuk ishte e vërtetë që, në të gjitha kartëmonedhat në përdorim, shkruhej, bie fjala, tre lekë dhe lexohej tridhjetë lekë; ose pesëdhjetë lekë dhe lexohej pesëqind lekë, e kështu me radhë?

Atëherë, thoshin këta, duhet të mendojmë se ka një gabim edhe në mbishkrimin tonë, i cili duhet lexuar:

I PAGUHEN PRURËSIT MË TË PARË

Është thjesht një gabim i lehtë, ngulnin këmbë këta; të gjithëve na qëllon që, kur shkruajmë pa frikë dhe me shkronja të mëdha, harrojmë t’ua vëmë pikat ë-ve; tek e fundit edhe vetë “ZËRI I POPULLIT” harron t’ia vërë dhe e shkruan emrin e vet “ZERI I POPULLIT”.

Po pastaj, pyesnim ne të tjerët.

Atëherë, vazhdonin këta, mesazhi ka kuptimin se paratë nuk do t’i paguhen çdo prurësi, por vetëm atij më të parit, ose atij që i shpie kartëmonedhat i pari në bankë, sipas rastit. Sepse vetëm kështu mund të vësh rregull në popull, sipas parimit: kush është i pari, përfiton; të tjerët do të presin, fundja le të duken edhe një herë nga java.

Ky shpjegim tingëllonte i arsyeshëm, vetëm se e reduktonte disi numrin e atyre që do të përfitonin, kur t’ia shpinin kartëmonedhat Bankës së Shtetit Shqiptar. Pa përmendur pastaj një kokëçarje tjetër: unë kam një dyqind e pesëdhjetëshe, ti ke një dyqind e pesëdhjetëshe (ose njëzet e pesëshe, siç ishte e shkruar); të dy mbajmë filozofikisht radhën, poshtë barelieveve madhështore të Bankës së Shtetit Shqiptar, me gjithfarë figurash lakuriqe bojë tjegulle, mozaikësh dhe pornografish të tjera fashiste. Ti je prurësi më i parë i kartëmonedhës sate, por unë jam prurësi më i parë i kartëmonedhës sime.

Po atëherë ç’u kuptua? Ti je kampion mundjeje në peshën tënde, unë në peshën time. Titulli yt nuk e përjashton timin.

Prandaj edhe ky shpjegim binte. Askush prej nesh nuk arrinte dot të ofronte lexime të plota dhe të kënaqshme të mbishkrimeve në kartëmonedhat e Republikës, po vallë a nuk ndodh kështu me të gjitha mbishkrimet e respektueshme, që me ato shumere, hitite, egjiptiane, etruske, e mesape, pa përmendur pastaj linearin A të Kretës dhe mbishkrimet pellazgo-ilire, që presin ende kazmën e arkeologut për t’u zbuluar?

Mos vallë fajin e kishim ne prurësit, që rrinim e vrisnim kohën duke lexuar kartëmonedhat, në vend që t’i përdornim, të blenim bileta të ndryshme teatri, cirku, kinemaje bardhezi, pastaj të merrnim gërshërët dhe t’i ndanim më dysh e më katërsh, ose edhe t’i falsifikonim, derisa të vepronte ligja dhe të na jepte dënimin e merituar? Se ashtu, së paku, do të mund të ngushëlloheshim me faktin se kishim jetuar…

Pa Komente

  1. Xhaxha, kur e shoh që paska qënë e vështirë për ju që të zhbiriloni origjinën e përdorimit të fjalës prurësi, unë as që e marr mundimin që të kërkoj.
    Por, për aq sa më ka zënë veshi, është një gjuhë burokrateze që shpesh përdoret në dokumentet zyrtare dhe që, shpeshherë, është shumë ndryshe jo vetëm nga gjuha e së folurës së përditshme, por edhe nga vetë gjuha letrare.

    Besoj se fjala “prurësi”, ashtu si shumë fjalë të tjera të terminologjisë bankare, është përkthyer nga gjuha nga e cila kanë marrë edukimin ata që kanë hedhur bazat e Bankës Shqipëtare.

    Në italisht përdoret rëndom (titoli al portatore, assegno al portatore, libretti al portatore).
    Nga përkufizimi i “titujve që i paguhen prurësit më të parë”(titoli al portatore) shikoj që thotë se: Titoli pagabili al possessore degli stessi, che non vengono registrati nei libri del soggetto che li emette (Tituj që i paguhen zotëruesit të tyre, që nuk janë (dmth zotëruesit) të regjistruar në regjistrin e subjektit që i ka lëshuar (titujt).
    Pra, edhe paraja, si një titull me vlerë i lëshuar nga BSH, me diçiturën e “prurësit”, lejon këdo që t’i përdorë ato para pa patur nevojë që të ketë çertifikatë nga banka që ato para janë të tijat.

    1. Edrus, burokratishten e marrin literalisht vetëm fëmijët; sepse fëmijët nuk arrijnë dot ta rrokin funksionin “formal” ose “juridik” të teksteve; ose nevojën që disa gjëra të thuhen për arsye ligjore, ose për t’u përdorur më pas si referencë.

      Përkundrazi, fëmija që sapo nis t’i negociojë marrëdhëniet e veta me shoqërinë, ndesh në këto tekste, sidomos në mbishkrime objektesh të kudogjendura, si bankënotat; dhe përpiqet t’i lexojë me mënyrën e vet, ose duke i integruar në botën e vet, që është ende e kufizuar.

      Për fëmijën ka rëndësi të madhe, ndoshta edhe më të madhe se për të rriturin, që të dijë burimin e një teksti ose të një thënieje; kur i jati i thotë “shko të flesh tani”, është pothuajse i detyruar të bindet; po t’ia thotë të njëjtën gjë, bie fjala, e motra, mund ta kundërshtojë pa problem. Me fjalë të tjera, shpesh fëmija ua nxjerr kuptimin e plotë thënieve duke identifikuar autorin.

      Tani, në mbishkrimet autori nuk është kaq evident; ne e dimë që është vetë shteti që i shkruan ato gjëra, ose Bashkia, ose administrata; por këto janë subjekte abstrakte. Unë kur isha fëmijë dhe shkoja te mjeku dhe lexoja në mur tabela të tipit “mbani qetësi”, isha i bindur se ato i kishte shkruar vetë mjeku. Sot mund të duket qesharake kjo, por mbaj mend edhe një tabelë mbi një derë te dyqani i këpucarit, që thoshte diçka të tillë si “hyrja vetëm për personelin”; dhe që më bënte përshtypje, sepse ishte e shkruar bukur, dhe unë mendoja që sa mirë ky këpucar, jo vetëm rregullon këpucët, por edhe di të shkruajë bukur.

      Mbishkrimet anonime, mbi kartëmonedha, merrnin një cilësi pothuajse mistike; sikur të fliste vetë paraja, duke dhënë porosi okulte, të pakuptueshme, me fjalë që s’përdoreshin kund tjetër. Fëmija është vetvetiu i prirur të besojë se çdo mbishkrim që lexon i drejtohet doemos atij, për vetë faktin që ai po e lexon; kjo ka të bëjë me magjinë e leximit, si një portë e re komunikimi me botën.

      Prandaj edhe, kur isha i vogël, doja patjetër ta merrja vesh atë “prurësin”; sepse me siguri besoja se ishte e rëndësishme, për mua, që ta kuptoja mbishkrimin mbi bankënotë. Përkundrazi, një i rritur është stërvitur tashmë që ta pranojë se shumë tekste, duke përfshirë edhe mbishkrimet, nuk i drejtohen atij; mund t’i shpërfillë pa ndonjë pasojë. Nëse ti nuk e pi duhanin, mbishkrimi “ndalohet duhani” nuk do të të bëjë ndonjë përshtypje të veçantë.

      Fëmija, nga ana e vet, po të shohë tabelën “ndalohet duhani” do të pyesë se si u ndaloka duhani; mos vallë kjo do të thotë se njerëzit nuk mund të mbajnë duhan me vete apo vetëm që nuk mund ta përdorin; pse pikërisht duhani dhe jo pirja e cigareve; kush e ndalon duhanin dhe si; çfarë ndodh nëse dikush e ndez cigaren, kush do të vijë t’i thotë që ta fikë, etj. Kjo është si të thuash se fëmija i kupton këto tekste duke i narrativizuar me mendje, ose duke i shndërruar në rrëfenja.

  2. Tani po e marr vesh se ishte shkruar: me të parë, dhe jo: më të parë.

    Dhe gjithçka e lidhja me denimin e paralajmeruar te falsifikatorit, kallpazanit. Pra, ai shoku i parë sjell paranë te dyqani, merr mallin pa iu nenshtruar asnje lloj kontrolli per origjinen e parase dhe iken.
    (Shiteset, qe kisha pershtypjen se te gjitha quheshin Bali, mbanin shenim ne ndonje forme, qe mendoja se isha ende i vogel per ta kuptuar)
    I dyti pastaj kishte ca hesape te tjera. Po qe se kartmonedha e tij kishte te njejtin numer serie sikunder ajo e të parit, ky i dyti kapej ne vend dhe drejt e ne burg si falsifikator.

    Shteti kishte pune me te rendesishme se sa te rrinte e te gjente cili ishte falsifikatori i vertete. Per me teper edhe kishte paralajmeruar se cili do ta hante, gje qe nuk kishte zakon ta bente ne ca “ligja” te tjera.

    Eshte e çuditeshme se me gjithe informacionin me te plote qe patem me pas per te kuptuar “burokratishten” e kartmonedhave, sot ne mendje ruaj vetem perpjekjet e feminise per ta deshifruar ate.

    Me tabelat e dyqaneve pastaj ishte hesap tjeter. Meqe ne feminine e hereshme jetuam periudhen e shndrrimit nga priivate (ku mbi dyqane vihej emri i pronarit) ne shteterore, ku vihej emri i natyres se mallrave, me linin pa mend tabelat e reja ku shkruhej: Kinkaleri. Nje here mbaj mend qe kam pyetur tim atë: Pse te gjithe këta qe shesin xhingla quhen Kinkaler?

  3. Kur isha femije nuk di pse kisha nje ide fikse dhe te mundimshme mbi henen. Hena me dukej nje objekt shume misterioz dhe gjithmone pyesja te rriturit se kush e kish vene henen atje lart? Po si mundesh ti pergjigjesh kesaj pyetje? Keshtu qe te gjithe mundoheshin te me “genjenin” derisa me ne fund kur u rrita e mora vesh vete. Tjeter “shqetesim” feminor kisha kuptimin “nena parti”. Me bente shume pershtypje sesi mund te ishte nje nene me kaq shume femije!!!
    Nderkaq qe ne ate kohe te rriturit me jepnin shume para neper dore, te vetmen magji qe i shijoja parave ishte prishja e tyre sa me e shpejte. Mblidhja gjithe kalamajte e lagjes, dhe i bleja akullore, i coja tek cirku i Tiranes dhe fotografi tek sheshi Skenderbe. Fun, fun, fun.

  4. Po Xha Xha, c’na kujtove Vapik-un, i jepej te vaposurit pa e pare!

    Po nuk kemi shpetuar jo! Tek bankenotat e reja ka gabime edhe me spektakolare! E gjeni dot nje te tille tek 2000 lekeshi?

  5. 2000 lekshi i vjeter ?

    Ne Shqiperi na jep nder… ne vend te Ti Shqiperi na jep nder.

    Ha…

  6. Je Shqiperi me jep nder,
    me jep emrin Shqipetar.

    Se dyti : Naimin e konsultova me kujtesen time dhe me google – eshte Naimi.

    Kam ne xhep nje prerje te 2007 mban firmen e Fullanit. Shkruhet ngado me te njejten germe, numri nuk ngaterrohet, shqiponja eshte e ajo qe ka qene, godina i shembellen pak Bankes, por duket si ajo; ne dritehije te shiriti i sigurise lexohet 200.

    Papaver, cfare po mbajme ne xhepa ?

  7. Shiko shiko pak imazhet! Aty duhet perqendruar kesaj rradhe! Autoriteti e di ku e ka gabimin por druan se kushton nese pret te reja! E gjete o Kasolle ku na mblodhe?

  8. Jam esell fare o Papi dhe nuk po e gjej dot. I shoh imazhet, ato konkrete; nuk vuaj nga vegimet dhe serish nuk po gjej gje.

    Ideja e fundit imja eshte se shtepia qe prezantohet ndoshta si Mesonjtorja nuk perputhet me ate realen. Megjithate pyeta dhe me thane qe kartmonedha 200 lekeshe do te dale nga qarkullimi ne fund te ketij viti.

    Ne pritje ankcioze te njohjes me zbulimin tuaj…pershendetje atdhetare per Papaver Somniferum!

  9. “Anallallim loje” dhe jo Anullim bertisnim kur ishim femije neper lendina e pallate kohe me pare!
    Cilin autoritet pyetet bre lidhje me daljen nga qarkullimi te kartemonedhes 200 lekeshe?
    E kisha llafin per ate 2000 lekeshe (te reja). Aty eshte misteri! Te them te drejten posa me bie ne dore kjo kartemonedhe me duket si fallco dhe ose e thyej ose e shpenzoj! Eshte ajo me me sfond ngjyre violet, apo jo?
    Te me falesh o Kasolle ku na mblodhe!
    Mundet edhe te punoni edhe me veten e dyte!
    Papi

  10. Papi pa merak. Duhet te kesh arsyet e tua edhe ti. Misteri eshte privilegj i mendjeve te zgjuara dhe i Autoritetit; jam koshient per kete. Nje pyetje: cili eshte motivi qe te gjitha fjalite (pervec atyre pyetese) i mbyll me pikecuditese ?

  11. Dinari jugosllav kishte shkrime në tri gjuhë:serbokroatisht, sllovenisht dhe maqedonisht.Serbokroatishtja shkruhej me dy alfabete, i thoshin latinicë dhe qirilicë.
    ”Kartëmonedhat mbanin erë shtet.” Edhe pse na thoshin se ne shqiptarët ishim plotësisht të barabartë me popujt e tjerë të Jugosllavisë, unë nuk e shihja këtë barazi në kartëmonedha.Dinari jugosllav më dukej si një pasqyrë ku unë nuk mund ta shihja veten.Në dinarë nuk përfaqësoheshin shqiptarët dhepse ishim numerikisht më shumë se sllovenët dhe maqedonasit.Kur e pashë për të parën herë lekun shqiptar, u përmallova.Më përmalloi gjuha ime amtare e shkruar në kartëmonedhë.Edhe mua më hutoi pak fjala ”Ligja” por ajo nuk më pengoi që të dridhem para fjalëve ”BANKA E SHTETIT SHQIPTAR”.

  12. Kasolle? Pse ma mblodhe? Hahaha! Kisha edhe ndonje pike aty ketu.
    E gjete gabimin?

  13. Hahaha. Papi nuk ta mbledh njeri ty se me pyetjet qe shtron, por edhe me inflacionin e pikecuditjeve sherben si sedativ. Shyqyr qe i ke komentet te shkurtra se do na kish zene zgjumi.

  14. O Kasi! Me vjen ne mendje Dion Kasi. Keshtu do te te quaj sot. Me bere t’i futem me zell “pikes” tani. Kam nje tastiere qe mezi i gjej shenjat e pikesimit, e i marr me mend madje bej dhe prova. E bleva arzuallin ne dyqan italian.

    Nashithi a do e gjesh apo jo gabimin? Eshte nje diciture poshte imazhit. E tregova fare, fare tani.

    Thuame ke te tilla apo duhet te emetoj ne internet nje 2000 leksh apo 20 000 te vjeter!

    Ne pritje te gabimgjetjes dhe ne gjendje stervitjeje per shenjat e pikesimit ne moshe te shkuar – Atributi i Hypnosit – Papi dora vete…

  15. 14 vjec dhender o Vero ? Po cfare behet keshtu – nuk mendon edhe ti valle se kemi histori aq te madhe se te prezantojme edhe cilimijte qe kane purthjepsur ketyre aneve? Nejse, ty te faleminderit! Per pikecuditjet kembengula, sepse mu duk si refleks i zbulimeve te perditshme qe na i percjell ne profaneve te kriptuara pas simboleve.

    Vero, per kartemonedhen 200 eshte e sigurte dalja nga qarkullimi. Bankat e nivelit te dyte kane afishuar tabela informuese lidhur me kete gje.

    Pershendetje ilirike…

  16. O Solli! Po njeri i bie gozhdes e tjetri patkoit.

    Gjate gjithe kohes interesohem per fatin e zi te kartemonedhes 2000. E shoh qe qenke larg dhe e ke te veshtire ta gjesh 2000. T’i bej nje foto, ta skanoj, t’a dergoj?
    Do e gjesh pastaj gabimin ne dicituren poshte monumentit?

    Vazhdimishi i sjell ti Veros se shkrete te reja per kartemonedhen 200 te cilen nuk e kam verifikuar edhe!

    Ave Vero mjeshtri,

    Papi i prapi!

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin