Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Sociologji

NGRIRJA E DETIT

Vite më parë, në kohët kur Shqipëria ishte kala e pamposhtur në brigjet e Adriatikut, një i afërmi im shkodran, Fejzi H., e përfytyronte kështu momentin e pagjasë të hapjes së kufijve:

Ban me ngri deti, n’çorap leshit e fill n’Itali.

Sot, Ylli Polovina, në një artikull me titullin “Kur të hapen kufijtë” botuar sot në “Shqip”, shkruan për liberalizimin e pritshëm të vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe interpretimin, gjithnjë të pritshëm, të këtij procesi si “hapje të kufijve” nga publiku.

Kur e lexova, m’u kujtua menjëherë deti i Fejzisë.

Jo se Adriatiku nuk ka ngrirë më parë për shqiptarët, meqë imazhet dhe dramat e vitit 1991 i kemi ende të gjalla në mendje; por këtë herë ujërat do të shndërrohen në ura zyrtarisht, me bekimin e padronëve të Europës.

Ç’do të ndodhë me shqiptarët?

Ismail Ademi ka shkruar në PTF për rrezikun destabilizues të dyndjeve të reja drejt Perëndimit, duke vërejtur se shumë prej shqiptarëve që sot mezi arrijnë të mbijetojnë me më pak se 2 dollarë në ditë, do të tentojnë fatin në vendet fqinjë.

Tani edhe Polovina vëren:

Kur jo pak shqiptarë ngulin këmbë se ajo që do të ngjajë është një hapje kufijsh, që do të thotë se në mentalitetin e tyre sundon përfytyrimi se me t’u shpallur data e fillimit të hyrjes së lirë në vendet e Bashkimit Europian, ata do të vrapojnë drejt pikave doganore dhe me britma hareje do t’u hipin trageteve, avionëve apo makinave që kanë.

Duke shtuar pastaj se e njëjta dukuri ka ndodhur edhe me qytetarët e vendeve fqinje – të Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi:

Me siguri shumë[ve] prej nesh u ka rënë në sy se kjo dukuri, ndoshta më e përmbajtur nga sa pritet të ngjajë mes nesh, pas liberalizimit të vizave me Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, alarmoi zyrat e larta të Brukselit. Të dërguarit e saj vrapuan menjëherë në kryeqytetet e të tria vendeve për t’i vënë fre pikërisht mendësisë së hapjes së kufijve, të cilën siç deklaruan ata publikisht, e manifestonin shumë dukshëm shqiptarët e këtyre tri shteteve ballkanike. Deri familjarisht bashkëkombësit tanë qenë zhvendosur në zemër të kontinentit për të kërkuar azil përfundimtar.

Me fjalë të tjera, kjo gatishmëri për të ikur, ose për t’u zhvendosur drejt qendrave të kamura të kontinentit qenka shfaqur kryesisht te shqiptarët.

Shton autori:

Duke besuar se citimi enkas i shqiptarëve si moskuptues të ngjarjes së liberalizimit të vizave nuk ka pas ndonjë paragjykim apo prirje për t’i kompleksuar me ndjenjën e inferioritetit, si paralajmërim ai duhet marrë patjetër. Ne vërtet jemi një popull me ndjenjë të fortë atdhedashurie, por dëshirën e të ikurit prej trojeve amtare e kemi më të lartë se shumë popuj të tjerë fqinj.

Po pse qenka kështu? Polovina nuk e shpjegon, duke u mjaftuar të thotë se “se si ngjan kjo “kontradiktë” e shpjegon ndonjë studiues perëndimor, por nuk është vendi këtu ta lëshojmë shkrimin në thellësi të këtij misteri.” Për të shkaqet e kësaj dukurie kanë më pak rëndësi se pasojat që mund të sjellë, duke përfshirë këtu edhe imazhin e “shqiptarit” në botë.

Mirëpo pyetja mbetet: përse duan të ikin e të emigrojnë pikërisht shqiptarët, pavarësisht nga shtetet ku jetojnë?

Pse jemi pikërisht ne, nga të gjithë ballkanasit, që presim të ngrijë deti?

Ademi përmend varfërinë; të tjerë, në kohën e zhvendosjeve katastrofike të fillimviteve 1990 kanë përmendur totalitarizmin; të tjerë akoma, mungesën e pronës mbi tokën, e cila i rrënjos njerëzit në truall; dhe kështu me radhë: shtesën e madhe të popullsisë, të mësuarit me një jetë migrimesh nga periferitë drejt qendrës…

Në ato vite pati një debat të gjerë në mediat italiane, nëse kjo ishte ikje nga, apo ikje drejt; nëse ishte Perëndimi që tërhiqte, apo Shqipëria që tmerronte.

Sado e çuditshme të duket tani, debati i atëhershëm rrekej t’i shkonte thellë çështjes se çfarë do të thotë sot të jesh shqiptar, përtej identifikimit me gjuhën, historinë, mitet dhe tokën tënde.

Sot i njëjti debat mund të koagulohet rreth paradoksit të një mase njerëzish që ngrihen si një trup i vetëm kur është fjala për disa kilometra katrorë det që “i falen” Greqisë; por që përsëri si një trup i vetëm bëhen gati, me çorape leshi, për ta kapërcyer detin sapo të ngrijë…

Si të mos thuash pastaj që ne e kemi atdheun në mit, njëlloj si hebrenjtë?

Ndonjë antropolog mund të pastaj shtyhet edhe më tepër dhe të vërejë se gatishmëria për të emigruar buron nga vetë natyra ose “gjeni” i të qenit shqiptar, deri në atë masë sa ta përkufizojë këtë të fundit.

Ndonjë historian, do të kujtojë emigrime të tjera, të shkuara; duke nisur me “bombën demografike” të Stadtmüllerit e duke vazhduar me arbërorët në Mesjetë e kështu me radhë deri ditët e sotme.

Ndonjë tjetër studiues do të vërejë se kjo dëshirë e papritur për t’u larguar prej vendit tënd, veçanërisht prej shtresave të popullsisë të pamësuara me diversitetin dhe pa ndonjë interes të veçantë për Perëndimin si të tillë, mund të lidhet me dëshirën madje nevojën tonë për të jetuar së bashku me një popull tjetër dhe kulturë tjetër dhe qytetërim tjetër të qëndrueshëm: në simbiozë, në rastin më të mirë; në formë parazitare, në rastin më të keq; ose me vështirësinë tonë për t’u organizuar si shoqëri e mëvetësishme, mbi baza qoftë etnike, qoftë qytetare.

Këta të fundit do të kujtojnë edhe se sa shumë shqiptarë në Perëndim rrojnë me ndihma të shtetit, duke mashtruar për të ardhurat dhe identitetin e tyre; ose duke gënjyer në gjyqet për azil politik; ose duke u përpjekur të nxjerrin çdo përfitim të mundshëm, në zonën e hirtë midis ligjshmërisë dhe paligjshmërisë, ose në kufijtë (limes) virtualë të qytetërimit; pa përmendur pastaj ata të tjerët, të cilët janë pjesë e ekonomisë kriminale dhe mbijetojnë me trafiqe gjithfarësh, falsifikime dhe krime të tjera të njohura.

Janë gjëra që i shohim dhe i dimë; sikurse shohim dhe dimë për të tjerët, shumicën e heshtur, që kërkon të jetojë në Perëndim në mënyrë etike dhe të ligjshme, pavarësisht nga çfarë e ka shtyrë të largohet prej trojeve shqiptare.

Pyetja në lidhje me hapjen e vizave mund të shtrohet edhe kështu: të jenë vallë njerëzit kontributi kryesor i entitetit shqiptar ndaj kontinentit europian sot ose prodhimi kryesor i botës shqiptare për Europën? Kësaj pyetjeje përgjigjen duhet t’ia kërkojnë para së gjithash politikanët; por edhe liderët e komuniteteve, të institucioneve fetare dhe të opinionit publik – dhe të gjithë ata të tjerët që merren me riprodhimin e vetëdijes kombëtare dhe mbikqyrjen e identitetit tonë sot.

Pa Komente

  1. Po e nis edhe une me nje barsalete, ate te atij qe therriste “leshomeni, leshomeni se po se vrava” kur ata rrotull vertet … i mbanin xhaketen, te ciles ky i vishte here njerin here tjetrin krah.
    Nga nje ane me vjen keq per njerez si personazhi i Polovines, te cileve do tu ike me kete rast edhe preteksti i fundit per te bere pare te madhe. Por nga ana tjeter e mendoj se shkeputjen perfundimtare te nje prange qe aq sa pengon ata qe vertet duan pune, aq edhe mban te lidhur per tu shellerur ne diell nje pjese.
    Kam verejtje per Polovinen per modifikimin qe i ka bere kerkeses se azilit politik te shqiptareve te vendeve fqinje me Shqiperine me kerkesen e azilit perfundimtar (si term i shpikur me ngjan). Kjo i pergjigjet e pjeserisht pyetjes se pse ikin shqiptaret. Por ikin e kane ikur nga gjithe kombet e Evropes, ikjet e tyre jane me te largeta, kane ndodhur jo kaq masivisht dhe jo antiligjerisht si tonat. Ne, shqiptaret normalisht qe jemi me te ndjeshem per ikjet tona, se ikjet e te tjereve.
    Ve re, qe per fat te keq, per plot tema me rendesi jetike, njerezit tane te shtypit e medieve, i hyjne thuajse njelloj problemit, te ndryshme jane koha, media, dhe lexuesit, degjuesit a shikuesit. Keshtu, mbas Ademit kemi Polovinen, mbas tyre do kemi te tjeret. Ketu ka nje te keqe mendoj, se ndersa te gjithe njeheri mund ti hidhnin gjithe c’kishin e ti shihnim, keshtu sic veprohet secili pasues mjafton te heqe prej paraardhesve ato gjera qe zene vend me pak tek lexuesit.
    E kam friken se sinjale te tilla edhe nxisin njerez te ikin kuturu, por edhe jane kapur nga televizione qe mezi presin te amplifikojne “eksodin e shekullit”. Te bejne kujdes, si Tefa, mos gaboj, ti ngrene kamerat e antenat maje plepit.

  2. Ban me ngri deti, n’çorap leshit e fill n’Itali… Më duket mua apo flitet në njëjës ky miku këtu? A mund të përgjithësohet se kjo thënie vlente për të gjithë shqiptarët?
    E di që ndokush do thotë që faktet e eksodeve masivë duhet të ma mbyllnin gojën, por unë po pyes ata që kanë jetuar në periudhën e “mikut” të Xhaxhait, nëse vërtet ngryseshin me ëndërrën që ishallaha bëhet deti kos?

    P.s: Unë JAM I BINDUR, që me liberalizimin e vizave, fluksi i lëvizjes së shqiptarëve do të jetë shumë më i madh në drejtim të hyrjes drejt Shqipërisë se sa në dalje… kujtohuni për qindramijëra shqiptarë që jetojnë pa dokumente në vënde të ndryshme të BE dhe që s’kanë mundur të rikthehen dot për shumë vite në Shqipëri.

  3. Xha Xha,

    Ba me u hjek vizat, Fejzija po bahet me corap dhe nuk po ka hic gajle se asht tuj ngri apo jo Adriatiku.

    Fejzija qi ka ken dje asht ene sot.

    Dua te shtoj dicka mbi P.S. e erdus ku thote: ” Unë JAM I BINDUR, që me liberalizimin e vizave, fluksi i lëvizjes së shqiptarëve do të jetë shumë më i madh në drejtim të hyrjes drejt Shqipërisë se sa në dalje…”.

    Se pari ku e gjen BINDJEN qe do te kete me shume shqiptare qe do hyjne se sa do te dalin? Eshte bere vezhgim dhe ka statistika apo e ke thjesht si hamendje?

    Se dyti, kthimin e atyre qe do hyjne, ne rastin me te mire, do ta marin vesh linjat ajrore dhe ato te trageteve dhe nuk do ti hyje shume ne pune njerzve pervec te afermve te tyre. Nderkohe qe, per ata qe do dalin, mendoj se do jemi per shume dite ne titujt e gazetave dhe televizioneve te BOTES.

    Kur dalim ne ne media, ose dalim ne gjithe boten ose nuk dalim fare.

  4. Meqë disa përmendën Fejzinë – shakaja e çorapeve të leshit u përket viteve të diktaturës komuniste; sot Fejzia jeton mirë e bukur në Tiranë, ndoshta as RAI-n nuk e sheh më dhe italishten do ta ketë harruar. E solla shembullin për të treguar se, kur një republikë është e rrethuar me tela me gjemba, nuk bën dot me faj kë veç ëndërron të arratiset prej andej.

  5. Edhe pas shkrimit te XhaXha-it pyetja perse ikin shqiptaret tradicionalisht keshtu, madje edhe pa corape leshi mes detit te ngrire (mua Fejzia si tip me dha sh kenaqesi se e shoh aq mire…s’e marr vesh si i duket fenomen i izoluar Edrusit…une mbaj mend qe isha e rrethuar me Fejzij tipash e dialektesh te ndryshme qe enderronin forma te pafundme denatyralizimi te kushteve fizike qe mund t’i nxirrnin pertej kufirit)…pra pyetja mbetet ende pa pergjigje. Dhe eshte keshtu sepse edhe studime te thelluara e komplekse te kesaj pergjigjeje do kishin nje cope te mire te veten te bazuar ne shpjegime subjektive, dhe hamendje sado logjike apo intuitive qofshin.

    Pa dyshim shqiptaret ikin vazhdimisht se nuk i mban gje aty ku jane, i kane lidhjet me copen ku kane lere te dobeta…dhe kjo kryesisht ne kuptimin e lidhjeve fizike, por jo vetem. KJo ikje me cdo kusht, dhe abuzimi apo parazitizmi pas “ikjes” sic fokusohet me lart nga XhaXhai, nuk jane karakteristike vec e shqiptareve, por e gjithe grupeve te varfera (dhe me tradite ikjeje) si ne. (Madje prirja per abuzim e parazitizem tek ne, si edhe ne kulturat e tjera te popullsive ikese, nuk lidhet me te dalet jashte territorit, por eshte po aq e fuqishme edhe nder ata qe vazjdojne te jene brenda tij). Tamam ajo perzierja e kushteve ekonomike e politike, e mosqeverisjes se pavarur, e nje mungese tradite e kulture qe te mban aty ku je e qe te ben te gjesh menyra per te permiresuar jeten aty ku je ne vend qe te “rendesh diku tjeter” ku duket se buka e perditshme nxirret me kollaj, te menduarit driteshkurter ku ceshtja zgjidhet sa per sot e per neser, pastaj ka Perendia… keto jane te gjitha ceshtje qe une nuk besoj mund te gjejne pergjigje ne nje shkrim…por si ceshtje jane te mundimshme e dhembin.

    Pa dyshim, pa ndryshuar kushtet e Shqiperise (apo shqiptareve qe perbejne popullsite me te varfera ne gjithe zonat perreth nesh), liberalizimi i vizave eshte pese me hic. Ata qe do duan te dalin per turizem e pune e te rikthehen, pak a shume dalin edhe tani nga Shqiperia. Ata te vetmit qe do mund “te perfitonin” nga liberalizimi, pas tij, do dalin ne tufe amorfe ne kerkim te kotheres hedhur diku prej dikujt sic ndodhi ne rastet e liberalizimeve perreth Shqiperie… Punto e a capo.

    1. une mbaj mend qe isha e rrethuar me Fejzij tipash e dialektesh te ndryshme qe enderronin forma te pafundme denatyralizimi te kushteve fizike qe mund t’i nxirrnin pertej kufirit

      ED, një ndër ata fejzi-jtë që ëndërronin, po të njiheshim, patjetër që përreth do më kishe dhe mua 🙂 … por ishte thjesht një ëndërr që, pak televizori (që është fajtori n1) dhe pak nga dëshira për të prekur me dorë dhe parë nga afër një botë që e gjithë bota e ka zili (flas për Italinë), ma bënte këtë vënd, vëndin e ëndërrave.
      Por, siç ka pas thënë dikush me një cinizëm therës(Wilde më duket):“Ka edhe më keq se mosrealizimi i ëndërrave… realizimi i tyre”.

      Tani vazhdojmë pak me realitetin. që t’i përgjigjem edhe Teatralit kur thotë:…ku e gjen BINDJEN qe do te kete me shume shqiptare qe do hyjne se sa do te dalin?:
      Bindjen time e mbështes në këto fakte (të eksperiencës personale, por që besoj se kur i kam unë këto probleme, ata që janë pa dokumente do t’i kenë se s’bën):
      1- Zhgënjimi.
      Sepse realiteti që gjetën shumë emigrantë nuk ishte “Non e la Rai” e Rafaella Carra… por nganjëherë edhe me më tepër vuajtje se ç’do hiqnin në Shqipëri.
      2- Shumë persona, për të ikur jashtë,për një pasurim më të shpejtë nëpërmjet punës(!!!), edhe sikur të mos kishin shitur gjithçka, mjafton 1milion lekshi i paguar skafistëve për të dalë, që t’i mbante peng jashtë (edhe kur e ke një vend pune të siguruar, pasi heq të gjitha shpenzimet për të jetuar, 1 milion do të të duhej të punoje 6 muaj për ta vënë mënjanë… )
      3- Pasi ngelesh peng i përndjekjes, jo më të pasurimit, por të paktën të paguash borxhet… kalojnë vitet… dhe, pasi të kenë kaluar 5-6 vjet, NGELESH hava. Edhe nëse vendos që të kthehesh, i takon të rifillosh emigrimin nga e para (të gjesh shtëpi, punë etj etj)… dhe pasi e ke vuajtur një herë emigrimin, edhe pse do kthehesh në vëndin tënd, kjo vështirësi e rikthimit (përveç kalamajve që tashmë janë rritur jashtë) të bën që të preferosh sakrificat jashtë se të rifillosh edhe një herë nga e para duke u kthyer.
      4-Në pamundësi të lëvizjes së lirë (dhe këtu i përgjigjem Teatralit), vetëm ndonjë arsye e jashtzakonshme (zakonisht prindërit e sëmurë) e detyrojnë klandestinin që të rikthehet në Shqipëri… duke e futur në 100 belara (qoftë edhe vetëm ekonomike/financiare pa llogaritur nëse do të ketë më mundësi që të rikthehet në habitatin e krijuar jashtë)… gjë që, nëse do të kishte mundësi të lëvizte pa viza, jo vetëm në kto rastet e jashtzakonshme, por edhe thjesht për një fundjavë mund të vinte dhe ta kalonte pranë prindërve.
      5- mund të shfrytëzohen mundësira/rrugë të tjera për të ardhur në Shqipëri.
      Sjell shembullin personal: Kur vij vetëm në Shqipëri, i hyp avionit dhe 3-4 orë humbas vajtje-ardhje me një shpenzim 100-150 euro, por nëse do shkoja me gruan dhe fëmijët… shpenzimi shkon 7-8-900euro, ndërkohë që, nëse kaloj nga ishJugosllavija, shpenzimi vajtjeardhje, duke udhëtuar me makinë, është 300 euro (nga të cilat 140 euro për vizat Kroate). N’hale t’gomerëve 140 eurot që paguaj për vizat Croate… mua më acaron nervat më tepër që duhet të harxhoj një ditë për të vajtur në konsullatën kroate për të nxjerrë vizat. Pra, nëse do të kishim lirinë që të bridhnim pa viza, i hyp makinës të premten pasdite, kalon një të shtunë e të djelë në Shqipëri dhe të hënën je sërish i kthyer.
      Pra, dhe diferenca nga 300 në 900 euro besoj se frenon shumë si puna ime që ta marrin aventurën e ardhjes në Shqipëri shumë më shpesh.

  6. Nese pranojme se IKJA eshte tipar i perbashket i popullsive qe kane banuar ketyre aneve, atehere mund te kemi gjetur deri diku pergjigje per ate qe nenvizon autori, pra qe ; ne e kemi atdheun ne mit. Ardhes dhe Ikes, kalimtare te perhershem ne nje vend te paafte per te qene atdheu i vertete per njerezit. Kete tipar tonin e ka vene re edhe nje i Jashtem, nese mund ta quajme keshtu, si qyetari shqiptar me kombesi greke, Panajot Barka, i cili para disa vitesh botoi librin e tij me titull shume kuptimplote: “Shqiptaret, keta ikes te medhenj”. Kam pershtypjen se ne ikim larg nga njeri-tjetri, si brenda per brenda, ashtu edhe per se jashtmi. Ikim nga njeri-tjetri, sepse shqiptari me te Huajin ka marredhenien e servilit, ndersa me shqiptarin marredhenien e nje konkurece dhe zilie te eger, ate zili, e cila nuk toleron duartokritjen e natyrshme per suksesin e tjetrit. Tjetri per nje shqiptar eshte vetem nje Shqiptar.
    Tipar i indigjenit te alienizuar, qe paradoksalisht te ne si indigjence ruhet ne sjellje, por humbet me perpjekjen titanike per integrim, me falni Imitim.
    Dikush me ka thene se serbet kane nje fjale te urte per ne, qe mund te jete qesendisese, por qe gjithesesi me vertetesine e vet mund te jete e dobishme. “Ata sillen me vendin e tyre sikur te jene te perkohshem aty”; nuk e di sa e vertete eshte kjo thenie dhe autoresia serbe e saj, por ajo na tipizon mire. Na tipizon shume mire po te kemi parasysh se edhe Kadareja na ka dhene me pershkrimin e demografise se Gjirokastres nje shembull qe mund te pergjithesoje mire edhe Shqiperine. Njerez te rene nga vafti, ish-ministra dhe qeveritare, gjenerale dhe guvernatore, qe u mblodhen ne qytet per te pleqeruar. Ikanaket e bene edhe shtetin. Ekzotika ketu eshte te kontrasti i sjelljes se nje qytetari “kozmopolit” ne nje province qe edhe pse perbehet nga te tille cuditerisht mbetet qe mbetet province, por pa provinciale. A nuk perseritet kjo gje pafundesisht? Ikes dhe vetem ikes ne cdo cep te kesaj dynjaje; studente te shkelqyer, artiste, profesore ne universitete te metropoleve, neser ndoshta edhe emra te njohur te kultures, por sapo te vene kemben ketu natyrisht qe duhet ta kene me vete ne xhep leksionin e duhur per Memedheun, qe eshte Konica. Qe te mos lodhin koken e thom une mo.

  7. Ulem mbrëmë të shoh një film çfarëdo, për të mbyllur ditën. Në meny, Nid de guêpes (“Foleja e grenxave”), një prodhim francez që ishte vlerësuar nga kritika në zhanrin e vet (action).

    Që në skenat e para, një kortezh i blinduar transporton nëpër Europë një krye-kriminel, të implikuar në trafiqe, përdhunime, vrasje… emri: Abedin Nexhep, kombësia: shqiptar.

    Kamera udhëton për një çast diku në bjeshkë: në hartë arrij të lexoj emrin e Gjakovës. Një malësor, i ulur në një dhomë të nxjerrë nga një muzeum etnografik i Shqipërisë së Veriut, flet në celular me Nexhepin. Diku tjetër jepet një edicion lajmesh – ku njoftimi për krye-kriminelin fillon dhe mbaron me flamurin shqiptar.

    Njëlloj si Shqipëria në Europën e pas 1989-ës, Abedin Nexhepi qëndron i mbyllur në një dhomë të fortifikuar, brenda kamionit të blinduar, i lidhur në pranga, me gojën të bllokuar: versioni kontinental i Hannibal Lecter-it. Kur e transportojnë nga avioni në autoblindë, përdorin një lloj shufre metalike që e kam parë të përdoret për të transportuar demat e ndërkryer, në fermat e ndërzimit artificial.

    Natyrisht, filmi nuk bën ndonjë kritikë sociale, por përqendrohet në aksion, në një magazinë gjigante në periferi të Strasburgut. Miqtë e Abedin Nexhepit, pas gjase shqiptarë, organizohen për të liruar bashkatdhetarin e tyre, me një operacion që do t’ua kishte zili vetë NATO-ja. I burgosuri, së bashku me policët që e shoqërojnë (italianë, francezë, gjermanë) përfundon në atë magazinë, pas një konflikti brutal me bandat e armatosura të shqiptarëve.

    Ndodhin të tjera ngatërresa që nuk është vendi këtu të sqarohen; po mjaftohem të them vetëm që kur shqiptarët sulmojnë magazinën për të liruar të tyrin, thërresin të gjithë së bashku “gjakmarrje!” (në shqipe të kulluar) dhe u hedhin kundërshtarëve para këmbëve një dorë që sapo ia kanë prerë njërit prej tyre.

    Siç e thashë, në film shqiptarët nuk janë veçse një simbol algjebrik për Tjetrin, ose përfaqësues të kërcënimit nga kozmosi; ekuivalent sociologjik i Aliens (të Cameron-it, që nuk duhen ngatërruar me të mirët Na’vi te Avatar), me të cilët komunikimi mund të kryhet vetëm me plumba (dhe raketa anti-tank). As mund të presësh nga një film si Nid de guêpes që të veprojë ndryshe; meqë prodhime të tilla luajnë me pritjet e publikut, pa pretenduar që t’i krijojnë ose modifikojnë ato.

    Me fjalë të tjera, mua filmi vetëm më konfirmoi se ç’vizion është rrënjosur për shqiptarët, në mass mediat europiane dhe në kompetencën (në kuptimin chomskyan) të publikut atje.

    E solla këtë shembull vetëm për ta vënë problemin që diskutojmë në kontekst.

    1. Myslimani shqiptar, Abedin Nexhep, nje eksponencial historik i fisit te Autariateve, na i zgjidhka hallet me Kanunin e Leke Dukagjinit. Hajde koncentrat historik hajde!

      Ne fakt problemi eshte shume aktual dhe i mprehte dhe ketu me gjithe mend qe ka nje rol shteti shqiptar – ai rrecka qe eshte u pa puna. Eshte i mprehte pse pas 20 vjetesh perpjekje dhe deri diku edhe besimi ne ate qe quhet integrimi, gjeopolitika per shqiptaret po behet simetrike. D.m.th tashme ne horizont po shfaqet edhe opsioni oriental, i sponsorizuar fort nga Turqia, por deri diku edhe nga Irani.
      Ketu http://www.panorama.com.al/index.php?id=38476, z. Pirro Misha ben nje analize, apo me sakte riaktualizon nje analize te kryer me pare edhe nga Arber Xhaferi mbi ate qe mund te quhet “rreziku i rikthimit te otomanizmit”. Misha ketu zbulon nder te tjera edhe sesa i vemendshem ka qene nder vite rreth aktivitetit te qendrave orientale; emri i tij ne Shqiperi e mbron Mishen ne analizen e tij nga akuza per ekzagjerim apo ideim te teorive te konspiracionit qe perndryshe minimumi i ngjan nje permbledhjeje te zyrave te sherbimeve sekrete. Ky eshte gjykimi im qe permbi te gjitha e sheh shkrimin e Mishes si “100% te vertete”. Reshtimi eshte tjeter pune.

      Pse ka rendesi kjo qe thua ti xha xha me Dinen e filmit? Ka rendesi sepse me sa marrim vesh te gjithe mbi konturet e kultures sone, si trashegimi apo edhe si sjellje ndertohen politikat, vihen kufijte e familjes europiane qe se fundmi nuk po mendon me per zgjerim, por per kordone sanitare.

      Rreziku demografik eshte pjese integrale e strategjise detare edhe te Italise, qaramenes historike te kontinentit. Ne nje shkrim te para 1 viti revista Limes botonte nje studim te peshes qe ka emigracioni ne kete vend, ku shqiptaret edhe pse renditeshin nder te paret ne pikepamje numerike, nga kendveshtrimi kulturor, qe konsiston ne idene e nje njolle qe perhapet ne trungun baze nuk permendeshin fare. Shqiperise edhe sot i kerkohet si kusht forcimi i kufijve, ne nje kohe qe ajo rrethohet nga hapesira BE dhe NATO. Armiku ne fakt qendron te fakti se Shqiperia dhe Bosnja kercenojne duke u pare si pararoje te Turqise dhe regjizura franceze e filmit thjesht sa jep nje shembull te radhes per kete. E solla shkrimin e Mishes per faktin se nxitja e politikave nga Turqia te vjen ketu si jehone edhe e nje koncesioni permes heshtjes nga Perendimi, apo nje pjese e tij qe mandej te mund te thote se shqiptaret e zgjodhen rrugen e tyre. Natyrisht kjo eshte nje perpjekje afatgjate, por qe nuk mund te neglizhohet. Nje shembull tjeter sesi op levizet ne kete drejtim na vjen nga fantazistet e pashtershem te Beogradit; nese Srebrenica per disa eshte genocid, atehere opoziat serbe kerkon miratimin e rezolutes se firmosur nga 20 vende per “genocidin armen”. A po rifarketohen aleancat mbi baze edhe fetare ? Misha na thote (meqe ai eshte nje emer i njohur) se po, nje perpjekje po behet ne kete drejtim.

      Puna nuk eshte fare ketu per mendimin tim; puna eshte se une (kupto nje pjese jo e vogel e qyetareve) nuk e refuzoj me a priori veshtrimin drejt Lindjes, ideja rreth se ciles po ripervijohet si permes permbysjes se kuptimit per gabimin historik ashtu edhe per shkak te lodhjes nga standarded e atyre qe Artur Zheji ta zeme i quan si raportere “me quka apo pa quka”.

      Nese qytetarit francez qe edhe pse i njohur si eksplorues historik i hidhet nje sallate idiote si ajo e Dines, eshte e qarte se per ata qe kane sy te shohin se shoket e Nexhepit u bene copa per ta shpetuar. Puna eshte se Europa po ve ne jete personazhin e saj me karizmatik, Don Kishotin, ne nje cikel historik ku epike mbetet vetem trishtimi prej dobesise.

  8. …”sot Fejzia jeton mirë e bukur në Tiranë, ndoshta as RAI-n nuk e sheh më dhe italishten do ta ketë harruar.” – Xha

    “kur një republikë është e rrethuar me tela me gjemba, nuk bën dot me faj kë veç ëndërron të arratiset prej andej.”, prap, Xha.

    Interesant eshte fakti, kur ai, vet, qe arratiset eshte me gjemba,, gjembac, i rrethuar, dhe perdoret per gardh te cfardo rrepublike, dhe beso ose jo, eshte figur artistike, qe edhe politikanet e duan per te rrethuar ndonji nga avllit e ndonji rrepublike, nga ato te brendsheme ose te jashtemeje.

    Nga ana tjeter, nuk ka njeri, qe njeriun e vepron/jeton, te arratiset, Ai gjithnji gjendet, Ate e gjejne, kudo. Eshte si te shohim me qart figuren e madhe, largohemi, ne distance, dhe me e qarte duket Ajo.

  9. Mendoj se, si “imazhi” mekuar audiencave nderkomb. nga mass mediat, si logjika induktive qe i nxjerr shqiptaret si rrace “ikesish” (“Ikim nga njeri-tjetri, sepse shqiptari me te Huajin ka marredhenien e servilit, ndersa me shqiptarin marredhenien e nje konkurece dhe zilie te eger, ate zili, e cila nuk toleron duartokritjen e natyrshme per suksesin e tjetrit”) jane po aq konstrukte here te romantizuara qe te shiten, e here te cuara ne ekstrem per paaftesi qe te gjendet nje imazh me realist. Por padyshim, asnjeri prej tyre nuk merr shpjegimin as te kuptoje e as te shpjegoje se cfare ndodh ne pergjithesi. Per fat te keq, shkencat tona shoqerore dhe prodhimet tona kulturore nuk bejne as me pak e as me shume vecse qarkullojne e perforcojne imazhet siperfaqesore te prodhuara nga kush ka njohje te pjesshme ose njohje 0 te realiteteve shqiptare. Filmat tane, ata qe mbahen si me te mire, perpiqen te imitojne sa prodhohet e si behet jashte e t’i servirin botes tamam ate qe bota do te shohe, packa sa shpjeguese dhe ndricuese eshte ajo. Jemi gati te pranojme qe ka nje problem primal ne kodin tone gjenetik… dhe kjo mua me duket tejet qesharake, edhe sikur te provohet se te gjithe shqiptaret pa perjashtim kane cene te tipave qe po diskutojme. Dhe kete e them jo vec se popullsite ballkanase jane te sterperziera, por e them ne parim dhe teorikisht.
    Fenomeni i “Fejzise” eshte nyje qe duhet studiuar nga te gjitha krahet e qe duhet ta zhbejme bashke me te tjerat, qe te mund te riformesojme nje identitet tonin te bere lemsh e artificialisht te deformuar e te mashtruar, e me pas realisht te imituar, te ngritur ne qiell e te peshtyre nga ne e te gjithe, per te arritur ketu ku jemi, ne kaos e humbetire totale per nga c’mund te themi per veten si pjese e grupit.

  10. Nuk ka faj Barjaba, theollogos, shqiptarëve grekët ia kanë bërë gjitmonë më mirë hesapet e popullësisë.

    Sot, për shembull, ndërsa i dhuronim grekëve varreza me eshtra shqiptarësh, thonë gojët e liga, për ditën e pavarsë, ushtria greke po ia bënte prapë hesapet e popullësisë shqiptarëve gjatë paradës.

    http://www.enet.gr/?i=news.el.ellada&id=145615

    http://bw.balkanweb.com/homepage/skandal-ushtria-greke-shqiptareve-do-tu-derdhim-gjakun-8868.html

    1. Une kete nuk e di, qe varrezat te jene te dhuruara dhe per me shume me eshtra shqiptaresh, se nuk dua as te paragjykoj orientimet e kolegeve te mi qe kane “zbardhur” te pakten ngjarjen e Kosines, ta zeme. Por, po qe qe se ka ardhur puna deri aty se ne shesim edhe eshtrat e te pareve tane, sikurse thone gojet e liga ne Kosine, atehere ajo qe bertasin ushtaret greke eshte pak per ne, se me gjithe mend nuk kemi as din dhe as iman. Do me thote dikush; nuk mund te pergjithesosh veprimin e nje fshatari me te gjithe shqiptaret. Po, sikurse nuk mund te pergjithesojme ulerimat e nje toge ushtaresh me tere opinionin grek, se se fundi shoh gjithe andej te miqte e mi ne Facebook thirrje antigreke, marrjen e flamurit si embleme virtuale te shumefishuar e deri edhe thirrje per Gerdec para ambasades greke ne Tirane. Llafe, llafe dhe vetem llafe ne ere, asgje me shume. Ne fund e zgjidh ambasada amerikane kete pune; ky eshte patriotizmi yne.

      Per sa i perket varrezave, ne Shqiperi do ndertohen edhe varreza te ushtareve turq – heronj te vrare per ideale te medha, sikurse ushtaret greke qe tani prehen me eshtra te shkartisura ne token e embel te Kosines me bekimin e priftit babaxhan, Papa Thomollari.

      http://www.todayszaman.com/tz-web/news-180370-turkey-restores-burial-grounds-for-fallen-heroes-abroad.html; ketu njoftimi per lajmin e gezuar se edhe viktimat e Skenderbeut etj do te ridalin simbolikisht mbi toke.
      Per keto nuk ka asnje problem ne fakt, nuk e ngre kush zerin se jane simbole qe deshmojne per lashtesine e popullit tone, heroizmin e tij; sa me shume te jene aq me shume e sheh dhe bota se cfare epopeje eshte lozur ne keto ane. Po nje dizaj edhe nje prift serb kerkoi varreza per ushtaret serbe ne Shkoder; a nuk kane luftuar ata kunder Esat Pashes dikur, armik i Shqiperise ?

      Tani ia vlen ajo poezia e brenges qe me duket se e ka shkruar Kristo Floqi (?):

      Per ne Parajse u nisem
      sosem ne xhenem
      Shqiperi moj kurve
      na bere verem.

      1. U bëra kaq dhe ende nuk më ka zhgënjyer kush me përdorimin e shfrenuar të kobures kundër turkut, aq herë sa greku kapet me presh në duar.

        Pa përmendur pastaj gadishmërinë e përpiktë të një pjese të bashkëatdhetarëve për t’i shërbyer si zëdhënës fqinjit jugor, gadishmëri e cila më fut në meditim për besnikëritë e vërteta.

        1. Do te ishte me me vlere per ata qe e ndjejne veten me prane zedhenies se interesave shqiptare, sikur per punen e varrezave te mblidheshin dhe te protestonin aty ku ato ndertohen, do ishte mire per ata qe veteshpallin shqiptari dhe interesa shqiptare qe ne Athine ku ka 500 000 shqiptare te nxisnin nje proteste, si ajo pas fitores se Shqiperise ne futboll, do ishte mire qe pertej deklaratave ne media, baballaret e kombit, shpirtrat e shqetesuar, te mund te na bindinin dhe ne sherbetoreve te shitur, se ka vertet dicka te sinqerte, dicka prej shqiptari ne ragimin ndaj poshterimit, do ishte me e ndershme qe ata protestues (nja 20) te mbledhur para ambasades te mos ishin vetem improvizim i ndonje partie, do ishte mire pra qe flamuri te mos shperdorohej si rrufeprites, do ishte mire… qe te liheshin njehere te vetme llafet dhe te braktisej shpresa e genjeshtert te padroni i shtepise, do ishte shume mire nese ata besimtare ortodokse qe vertet mendojne se eshte shqetesuese injorimi i gjuhes shqipe ne meshe te ngrihej dhe te fliste per Kryepeshkopin, Hiresine e Tij, do ishte mire pra qe Shqiptaret te meritojne emrin e Shqiptarit.

          Por ja qe nuk eshte.

          Dikush ketu me ka quajtur edhe tosk te shkombetarizuar. Ne fakt te qenit tosk nuk eshte ne fillese perkatesi kombetare – etiketimi pra permban nje kontradiksion. I shkombetarizuar ose jo, keto jane receta te gatshme qe nuk i tret me njeri.
          Dikush po aludon per zedhenie dhe sherbim ndaj fqinjit jugor. Dobesia eshte zedhenia me e mire dhe kete e verej me shumice te patriotet e vendit tim, qe pertej perfytyrimit origjinal per ate qe eshte dhe duhet te jete shqiptare, shohin vetem te shitur.

          Per rrjedhoje une nuk i detyrohem askujt justifikime qe vijne nga shperdorimi i fantazise.

  11. Kjo gjendje mund te perifrazohet me nje rrjesht te Juvenalit:

    “Perendite na duan me shume se sa c`duam ne veten”

  12. Shume po fokusohemi ne pse-te e largimit dhe pak vemendje po u kushtojme arsyeve qe duhet te na mbajne te ngulur ne Shqiperi. Nuk mund t’i rreshtoj dot me mire se ne lutjen Eja moter te Edison Ypit, qe sot duhet ripagezuar MOS IKE MOTER.

  13. E sotmja ka nje gje te perbashket me te shkuaren, asnjehere s’arrijme dot te kuptojme ‘pse-ne’. I rreshtojme ‘pse-te’ si palafiqte ne varg, po pse-ne nuk arrijme ta rrokim dot.
    Edhe kesaj here kemi 72,7 variante (‘pse’ te gershetuara) dhe na ngelet vec te hedhim voten per variantin qe na duket me i mundshem.
    Ndoshta pse-ja ska edhe aq rendesi sa duket, perderisa s’e gjejme asnjehere, a ndoshta pse-ja ska kuptim ne njejes dhe na duhet te pyesim: Cilat jane pse-te e kesaj ngjarjeje?

    Pertej pse-se apo pse-ve, meqe sdo e marrim vesh asnjehere ne ka nje apo disa (se)pse(dhe pse ka nje apo disa), do perpiqesha te shqyrtoja marredheniet mes ikjes dhe lirise se levizjes.

    Kemi 20 vjet qe kerkojme lirine e levizjes (ose levizjen e lire), nderkaq rreth 30% e popullsise gjendet jashte. Atehere ne kemi ikur, nuk kemi shfrytezuar lirine e levizjes. Por kjo ne pamje te pare duket paradoksale, meqe si mund te ikesh pa patur lirine e levizjes, a nuk e fituam ne 1990?

    Per t’iu pergjigjur kesaj pyetje duhet bere dallimi midis lirise natyrore te levizjes dhe lirise politike te levizjes.

    Liria natyrore e levizjes eshte liria e nomadit, ai s’ngulet ne nje vend sepse nuk arrin ti shfrytezoje dot racionalisht te gjitha burimet e mundshme te nje trualli.

    Liria politike e levizjes eshte liria e te nguliturit, i cili mund te levize per arsye te ndryshme por kurrsesi sepse nuk eshte ne gjendje te shfrytezoje burimet e truallit. Ky leviz me lacka e placka vetem kur trualli nuk ka me racionalisht burime te mjaftueshme ( ligji i Malthusit).

    Nese ky dallim eshte i vertete atehere ne 1990, ne fituam lirine natyrore/nomadike te levizjes, edhe meqe lirine politike po e kerkojme ende. Keshtu shprehja:

    – Ban me ngri deti, n’çorap leshit e fill n’Itali; nenkupton lirine e nomadit, atij qe mbledh rraqet e domosdoshme dhe leviz.

    Ky nuk ‘iken drejt’ apo ‘iken nga’, sepse nomadi nuk ‘iken drejt’ ne domethenien qellimore, nuk ka nje ‘drejt’ te mirefillte, drejt ne rastin tone nenkupton, ku te dale me mire, edhe ne Kine. Nga ana tjeter nuk ‘iken nga’, sepse te ikurit nga, nuk ka kuptim ne lirine nomadike, te ikurit nga ka kuptim brenda lirise politike. Per shpirtin nomadik nje ‘nga’ eshte si cdo ‘nga’.

    E megjithate koncepti i atdheut duket i forte. Ne fakt vetem duket se nuk eshte. Po te ishte i forte, do ishim ne gjendje te zbulonim ne shqiptari ‘iken drejt’ apo ‘iken nga’.

    Para 1945, ka pasur ikje duke filluar qysh nga mesi i shek 19, por asnjehere kaq gjitheperfshirese, si te gjithe popujt e Ballkanit (Europes) edhe shqiptaret emigronin.

    Kjo fryma nomadike e 20 vjeteve te fundit per mendimin tim e ka zanafillen ne raportin e shqiptarit me shtetin, si me shtetin shqiptar per ata te Shqiperise ashtu edhe me shtetin(shtetet) e Jugosllavise per ata te ish-Jugosllavise(qysh me pare).

    Ka nje shkretim, nje shkreterire qe perhapet dhe qe e gjen zanafillen tek shteti. Shteti, sidomos ai komunist, duket se e ka shkretizuar, nomadizuar, shqiptarin dhe shqiptari duket se i largohet shtetit shqiptar, jo atdheut.

    Ndersa nga mesi i shek 19 deri ne 1945, emigronin kryesisht nga jugu apo zonat e uleta te veriut, ne 1944-45 per here te pare emigruan ne njefare mase edhe zonat kanunore. Eshte kurioze ne kanun, te shihet se nje nga ndeshkimet me te renda ishte debimi nga katundi.
    Pas 1990 ish-zonat kanunore u larguan masivisht nga katundet.

    Eshte domethenes, sesi nje nga ndeshkimet me te renda, debimi/largimi prej katundit eshte kthyer ne ‘fat te madh’. Sot te gjithe duan te largohen nga katundi, debim apo jo, ska pike rendesie.

    Pra ndersa krahina joshteterore e shihte largimin si fatkeqesi, si mallkim, si paaftesi, krahina shteterore e sheh si clirim,si e mira e madhe dhe ne mes kemi shtetin komunist.
    Keshtu teoria gjenetike per mendimin tim bie poshte, shkaku duhet gjetur ne raportin midis shqiptarit dhe shtetit.
    Eshte e ditur qe emigrantet ja vene fajin shtetit. E vetmja gje ku te gjithe emigrantet kudo jane, bien dakort 100% eshte venia e gishtit kunder shtetit. Kjo nuk duhet marre me lehtesi, eshte e vetmja dukuri ku emigrantet jane njezeri dakort.

    Shteti i derisotem e ka gerryer nga brenda shqiptarin, i ka shkretuar frymen, kthyer ne nomad, ku edhe atdheut i ka humbur esenca/permbajtja, por formen e ka te me forte se kurre. Shteti eshte kthyer ne Kucedren e rrefenjes dhe dynjaja pret Trimin. Se fundmi e pa Trimin tek Rama.

    Nese kjo pasgjase perputhet me realitetin, autoritarizmi ndodhet ne ajer, si e vetmja shprese qe kucedra te behet zap, qe shteti te pervetesohet.

    U kerkuan lirite ne 1990, u shfrytezua vetem liria natyrore e levizjes, lirite e tjera u lane ne ajer apo vazhdojne e te shihen si pa ndonje rendesi, si mese te flijueshme per hir te lirise se levizjes. Ne fund te fundit, per nje nomad liria e levizjes eshte vete jeta. Ndoshta me kohen do mesojme se liria e levizjes eshte kaq primitive dhe rrenjeshkulese, saqe asnje popull civil nuk do guxonte te flijonte gjithcka per te. Populli civil rinderton, nuk braktis.

  14. Bashkohem me ED qe pervec te tjerash ceshtja duhet pare si perfaqesim, me shume se si realitet. Me kete dua te them qe ketu shkrimi i Polovines u mor i mireqene dhe nuk u diksutua per asnje moment nese ishin vertete shqiptare qytetaret e tre vendeve fqinje apo jo?

    Ne radhe te pare kjo nuk eshte fare e vertete, Vuk Jeremicit nuk do i kishte ikur mendja ashtu sic i iku, nese qytetaret qe kerkuan azil do te ishin shqiptaret e Presheves, perkundrazi, do e kishte perdorur kete si pretekst edhe per ndonje operacionth te vogel ushtarak qe qeveria serbe vazhdon ta kete hobi per ta ushtruar mbi shqiptaret e serbise.
    Sa per Maqedonine, vlen e njejta gje. nuk them qe nuk ka pasur shqiptare, por jo pjesa me e madhe e tyre. Shqiptaret e Maqedonise ne shumicen e tyre kane nga nje emigrant ne familje, ndersa maqedonasit e lindjes jetojne ne nje varferi mitike, me te ardhura mesatare 60 euro ne muaj per familje. Vete shqiptaret e Maqedonise jane ata qe edhe pse ankohen per kushtet e veshtira ekonomike, as qe e krahasojne veten me fshataret e maqedonise lindore.
    A do te emigrojne me shume shqiptaret pas liberalizimit te vizave? Nje Zot e di, se vetem e ardhmja nuk mund te parashikohet. Une jam e mendimit, qe kush ka dashur te ike, gjithnje e ka gjetur menyren e ka ikur, per me teper qe shembulli i te kthyerve ne shtetet fqinje flet qarte ne kete drejtim. Ka vite qe me agjensite turistike nuk po arratiset me njeri, dhe ne radhet e shumta te vizave qe me eshte dashur te marr, nuk kam hasur gjate ketyre kater viteve te degjoj per dike qe do te iki per te mos u kthyer. ne fakt kontigjenti para dyerve te ambasadave ka qene i perbere ose nga akademike/ studente/ nepunes shteti, ose nga tregtare, ose nga prinder te permalluar, ose nga legalizime martesash me te huaj, ose agjenci udhetimi., perndryshe, kush ka dashur te emigrojne, pergjithesisht ka ikur me menyra te tjera. do te jete kjo kategori qe do ta provoje shkeljen e vizes, por a nuk eshte po kjo kategori ne fund te fundit qe gjithnje ia del te ike, edhe kur ka viza? atehere une mendoj se me liberalizimin e vizave eshte me i lehte kontrolli i emigracionit te paligjshem, sesa me mbajtjen ne kembe prej tyre. Nje i aferm i imi ne Itali,qe kishte ikur pa dokumente fare, kishte arritur te legalizohej, ndersa askush nga ata qe kishin shkelur vizat nuk kishte shance t’ia dilte ndonjehere – e ne ilegalitet mund te jetohet. ndoshta kur kalon kufirin nga Konica pa dale ne Janine, po zor se i shpeton vize e shkelur postbllokut te Janines, qe une do ta quaja brezi i dyte kufitar.
    Ajo qe une dua te them eshte se deshira per te ikur nuk ka te beje me ndonje arsye mistike te te qenit shqiptar, boll u vetestereotipizuam se do na duhet qe ne vazhden e orientalizmit te Saidit dhe ballkanizmit te Todoroves, te shpikim termin Shqiptarizim – pra disa tipare negative qe u esencializohen shqiptareve e prej tyre kalojne tek te tjeret. Keshtu sipas llogjikes se te gjithe atyre qe kerkojne te gjejne shkaqet pse vetem shqiptari paska ne gjak largimin, sapo dikush te emigroje nga Sllovenia psh, do te thuhet – shqiptarizimi i sllovenise. Ose jo, se u gabova. Levizja ne fakt iu eshte stereotipizuar romeve. Mos kemi te bejme me gabelizim te Shqiptarit 😉 nga vete shqiptaret? (Se nga te tjeret dihet se ne te njejten kategori futemi – marredhenie pushteti par exellance)

  15. Po pse xhaxhai tek kthina me emrin Antroplogji Sociologji, me gjenet merret?
    Meqe del se paska nje gjen edhe per emigrimin, shpresoj ta pikasin, se edhe kufijte pastaj do i hapin vetem per ata qe nuk e kane gjenin e per ata qe e kane jo. Trak ve gishtin tregon kuq llampa, s’kalon dot. Apo thua ta kemi te gjithe more?

    1. Në fakt, PNM, të gjitha ato dukuri sociale që riprodhohen, përhapen dhe transmetohen nga brezi në brez mund të analizohen dhe të interpretohen sipas një modeli biologjik.

      Merr gjuhën; nënat ua mësojnë fëmijëve, dhe në kuptim më të përgjithshëm, mund të supozohet se për transmetimin e tyre nevojitet kontakti – si të ishte fjala për një virus, që kalon nga një bartës te tjetri, nëpërmjet një puthjeje ose një teshtime.

      Edhe në kulturë ndodh diçka e ngjashme; merr një figurë të tillë si Skënderbeu, e cila është pjesë e identitetit tonë kulturor si shqiptarë. Mundohu të kujtosh ku ke dëgjuar për herë të parë për të – ndoshta në familje, ose ke parë një pikturë ose një bust, ose ke lexuar një libër, ose ke parë një film; më pas ke mësuar për të në shkollë, e kështu me radhë. Po ta mendosh Skënderbeun si pjesë të gjenetikës kulturore të shqiptarit, ja ku dolëm te gjenet; sepse këto mund t’i përkufizosh edhe si njësi informacioni të transmetueshme nga një entitet në tjetrin (nga një brez në tjetrin, etj.).

      Sikurse yjet e detit, bie fjala, formën e trupit të tyre ia detyrojnë një grupi gjenesh, ashtu edhe një grup etnik, bie fjala shqiptarët, identitetin e tyre të grupit ia detyrojnë disa strukturave që sillen në mënyrë të ngjashme me gjenet, duke u përcjellë nga një bartës në tjetrin nëpërmjet kopjimit (imitimit, modës, konformimit, etj.). Këto struktura i kanë quajtur meme.

      Çfarë na bën ne shqiptarët të ndryshëm nga serbët, grekët, maqedonasit, bullgarët, italianët, etj. e ka një komponente të trashëguar nga e shkuara nëpërmjet replikimit – në gjuhë, në shkollë, në tradita që induktohen nëpërmjet kontaktit, në komunikimin artistik etj. Disa kanë dëshirë të flasin për “gjak shqiptari”, duke e ankoruar këtë komponente të trashëguar në gjenet biologjike; të tjerë e marrin shprehjen “gjak shqiptari” në mënyrë metaforike, si një mënyrë për t’iu referuar pikërisht memeve kulturore të shqiptarisë – duke filluar nga gjuha e pastaj më tej, në marrëdhëniet familjare, në etikën, në qëndrimin ndaj Tjetrit, në qëndrimin ndaj inovacionit, etj.

      Këtu hyn edhe marrëdhënia me tokën ose truallin; një popullsi nomade, me përkufizim, do ta ketë këtë marrëdhënie të ndryshme nga një popullsi e ngulitur; një popullsi blegtorale të ndryshme nga një popullsi bujqësore. Edhe motivet që i shtyjnë njerëzit të ndërrojnë vend janë të ndryshme; për barinjtë, kjo është pjesë e normalitetit; për pronarët e tokës diçka traumatike, sepse tokën nuk mund ta marrësh me vete. Disa ikin për arsye të persekutimit politik ose fetar; të tjerë për arsye ekonomike ose për shkak të mbipopullimit, i cili mund të jetë absolut ose relativ.

      Kur flasim për shqiptarët, një gjë dihet me siguri: gjatë shekullit XX shumë ngjarje ndodhën, që ua dobësuan këtyre lidhjet me tokën; nga të cilat, më të rëndësishmet ishin perëndimi i kastës së bejlerëve, reformat agrare, kolektivizimi dhe sidomos rritja e një brezi të tërë, në fshat, që nuk kishte ndonjë lidhje të veçantë me tokën, nuk e konsideronte të vetën. Fëmijët vërtet mësonin në shkollë vjersha për “baltën më të ëmbël se mjalta”, por për shumë prej nesh balta ishte thjesht diçka që duhej fshirë prej këpucëve. Një gjen kulturor humbi; dhe askush nuk duket të kujtohet dhe ta quajë këtë katastrofë.

  16. Edhe dicka. Ajo qe keni harruar te permendni eshte emigracioni sezonal.
    Kjo do te thote se liberalizimi i vizave nuk do te shfarose demografikisht Shqiperine per arsyen e thjeshte ekonomike. Shume nga ata fukarenj te gjore e te perjashtuar nga tregu i punes ne Shqiperi mund te ‘arratisen’ perkohesisht per te punuar arat e Greqise gjate muajve te volitshem te bujqesise, por do kthehen te investojne tek kati i dyte i viles ne Bathore, qe u ka ngelur pergjysem e pa ja hedhur catine, se te shkretet nuk kishin te paguanin as per legalizimin e plote e as per xhepat e legalizim-beresve per nje pellembe me shume siperfaqe banimi.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin