Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Ekonomi

BETONIZIMI I SHQIPËRISË

nga Ismail Ademi

Ekonomia shqiptare, njëlloj me simotra të tjera të vendeve të ashtuquajtura emergjente, po pëson një frenim të rritjes. Natyrisht kjo ka të bëjë me shumë faktorë, disa prej të cilëve nuk varen fare nga politikat e Tiranës. Kriza ndërkombëtare që ka mbërthyer botën po ndihet dhe në Shqipëri. Po peshon shumë kriza e fortë greke, duke konsideruar që atje jetojnë e punojnë më shumë se 600 mijë shqiptarë.

Një nga sektorët që ka tërhequr pas vetes zhvillimin ekonomik të viteve të fundit është padyshim ai i ndërtimeve. Është nën sytë e të gjithëve rritja marramendëse e ndërtimeve në gjithë Shqipërinë, në mënyrë akoma më evidente në gjithë vijën bregdetare nga Lezha deri në Sarandë. Në të shumtën e rasteve janë prishur shumë pjesë natyrore të bukura dhe nuk janë respektuar kufijtë e mbrojtjes së peizazhit natyror. Një vend si Shqipëria që aspiron të shndërrohet në tërheqje turistike për Evropën dhe më gjerë, nuk mund të shpërdorojë kapitalin kryesor të turizmit: natyrën.

Një nga problemet e tjera që hasen me ndërtimet shqiptare është ajo e veprave të urbanizimit. Mungojnë kanalizime të përshtatshme, linja korrenti, ujësjellës të përmasave të duhura dhe mbi të gjitha rrugë lidhëse. Këto faktorë ndikojnë shumë në interesin e investitorëve të huaj për të blerë prona. Blerësit potencialë që ndodhen në vendet perëndimore, nuk mund të blejnë një objekt, që sidoqoftë nuk kushton pak në krahasim me vende të tjera, nëse nuk shikojnë një infrastrukturë të përshtatshme. Kësaj natyrisht i shtohen dhe problemet që në shumë raste lindin me pronësinë e trualli ku është ndërtuar.

Në Shqipëri ka ndodhur një urbanizim të egër, i udhëhequr vetëm nga një fitim monetar i menjëhershëm për një grup të ngushtë individësh, me një dëm marramendës për gjithë të tjerët, e mbi të gjitha për brezat që do vijnë. Në momentin që një ambient, një kodër, një pllajë apo një hapësirë në qytet mbushet me beton, hapësirat për tu rikthyer mbrapa janë inekzistente.

Tregu i pallateve ka qenë i ushqyer gjatë këtyre viteve nga kërkesa e emigrantëve shqiptarë me banim jashtë shtetit. Është lajm i këtyre ditëve fakti që shitjet kanë rënë ndjeshëm dhe aktualisht ka më shumë se 8 mijë apartamente e shumë dyqane të pashitura. Emigrantët që blinin apartamente me mendimin se një ditë do të ktheheshin në Shqipëri, tani ndodhen në situata paradoksale ku po mundohen të shesin me çmime më të ulta atë pronë që kanë blerë vetëm disa vite më parë. Kjo ndodh në pjesën dërmuese të rasteve sepse ata nuk arrijnë më të përballojnë pagesat e rregullta të kësteve të huasë që kanë, për shkak të krizës dhe papunësisë natyrisht.

Po shfryhet hovi i ndërtimeve që dukej sikur nuk do reshte më. Sot po kuptojmë se në Shqipëri është ndërtuar shumë më tepër nga sa ishin nevojat për banesa që popullsia shqiptare kishte. Po shikojmë çdo ditë e më shumë se zhvillimi urbanistik pa kontroll po e deklasifikon vendin tonë në vendet me potencial të ulët zhvillimi turistik.

Është e vërtetë që Shqipëria ka një bregdet të bukur dhe natyrë akoma të pastër, por politikat e turizmit dhe mjedisit nuk mund të kufizohen me kaq. Mjafton të shikon se çfarë shërbimesh dhe me çfarë çmimesh bëjnë turizëm vendet e tjera të rajonit, duke filluar nga Kroacia, Greqia, Mali i Zi etj. Shumë kollaj arrijmë ta kuptojmë se pa të ashtuquajturin “turizëm patriotik”, emigrantët që vazhdojnë akoma të kalojnë pushimet në atdhe, sektori i turizmit do të ishte pothuajse i papërfillshëm.

Pa Komente

  1. “Rreshqet Shqiperia”. Me kete titull televizioni me i mire ne Hemisferen Veriore kishte titulluar nje emision te vetin. Arsyeja kishte te bente me shtimin e dukurise se rreshqitjes se tokes anembane vatanit; kodra qe ikin me metra te tera se bashku me shtepite, shkembinj qe shkeputen sikur ta kene bere me fjale me njeri – tjetrin, pa harruar ketu permbytje per shkak te ndertimeve ne zona te depresionit, si ne kanale, shtrat perroi, mbi kolektore, pa harruar ketu manine tone per pamje nga deti sic jane p.sh shtepite me distance centimetrale nga autostrada.
    Ne fillim qesha me titullin, sepse per te pershkruar nje dukuri natyrore, te krijohej ideja se behej fjale per mendte e kokes. Por po ta mendosh holle holle, titulli padashur godiste ne shenje.

    Sa i perket tregut te apartamenteve qe ndodhen neper pallate, une mendoj se ky perben nje ceshtje qe ne Shqiperi po ta kundershtosh te marrin per tutkun.

    “Okazion – 650 euro/m2, apartament 100 m2, ndertim i ri, afer qendres ne Sarande, me pamje te shkelqyer nga deti”. (para 6 muajsh)

    Ky ishte okazioni. 65 000 euro apartament + 10 000 euro mobilim = 75 000 euro. Ama pushon si zotni, jo merohesh hoteleve apo me qerara. O okazion o okazion, te vdes une sa perpjete ke marre ne Shqiperi. (75 000 euro ti pjestosh me 15 bejne 5000 euro pushime ne vit). Jo per gje se une kisha kohe qe mendohesha per nje emertese te goditur per Saranden, kur ia jep Maks Velo: Psikiatri Betoni.
    Per Tiranen as qe ja vlen te flasesh fare lidhur me kete gje; ketu ka lagje qe edhe aty ku nuk ta pret mendja ka nje ngushtice, qe ose ka mbijetuar per te konservuar kujtimin e kalamjve, ose per te riprojektuar rrugen e dhive edhe ne epoken e urabanizimit. Ne fund te fundit nje rrugedalje e do njeriu, se nuk behen te gjitha ne rruge me drite apo ne rrugen kryesore.

    1. Gjumi më prishet, kur mendoj Sarandën. Ku shkoi ajo urbanistikë e thjeshtë dhe natyrshme e qytetit e para ’90-es; rrugët paralele me bregun e detit, shëtitore me lulishte përgjate vijës së detit (asnjë ndërtim në vijën e parë!); rruga e dytë vetëm me godina të ulta të administratës dhe me pak lokale, pallatet 3-4 katëshe me lulishtet përpara në rrugët e brendshme te qytetit dhe shkallët prej guri që nisnin nga bregu dhe i ngjiteshin malit duke kyqëzuar rrugët. Godinat më të larta, me jo më tepër se 5-6 kate, ndërtoheshin gjithnjë në vijën e fundit, që të mos pengonin pamjen e detit, kurse ndërmarrjet ishin ose jashtë qytetit, ose edhe më lart malit.

      Po sot? As me dinamit nuk i bën më dot derman betonit! Beton nga të të ha syri, kapicë pallatesh e shtesash pallatesh monstruoze, hotele provincial, lokale e restorante byth-m’-byth (sorry) direkt ne vijen e detit dhe një hu i madh me 20 e ca kate i ngulur mu në mes të qytetit! As shenjë rruge e as shkalle nuk ka ngelur më, le më pastaj lulishte, ambiente sportive apo sipërfaqje të lira!

      Për turizëm qyteti është djegur një herë e mirë, por gjynah për ata që jetojnë akoma ty. Gjynah i madh!

      1. Une nuk jetoj aty, jetoj ne Tirane. Si mendon ti, jam per gjynah ne kete rast?

  2. Në Shqipëri ka ndodhur një urbanizim të egër, i udhëhequr vetëm nga një fitim monetar i menjëhershëm për një grup të ngushtë individësh, me një dëm marramendës për gjithë të tjerët, e mbi të gjitha për brezat që do vijnë.

    Pikerisht. Gjendja eshte shume me alarmante sesa flitet ne media besoj. Tani jemi akoma ‘ne rremuje e siper’. Po imagjino kur te stabilizohet disi me mire situata ne aspektet e tjera dhe njerezit te mos jene te preokupuar vetem me nevojat baze, dhe atehere do kthejne syte te shikojne qe pallatet e lagjeve te Tiranes jane si bunkeret qemoti.

    Ndersa shume gjera te tjera mund te ndryshohen gradualisht me zhvillimin, infrastruktura eshte permanente, ose tmerresisht e kushtueshme per tu ndryshuar, keshtu pra permanente.

    Dakort dhe me obzervimin tuaj per mungesen e ambienteve (te organizuara0 perreth plazheve. Ne plazh turistet nuk shkojne vec te rrine 24/7 ne uje dhe ne rere.

  3. Nje arkitekt, Maks Kola, thote qe paska pasur nje plan rajonal per rregullimin e Tiranes qe ne 2001, financuar nga Banka Boterore qe ne 2001, po s’qenka miratuar kurre. I wonder why. lol

    Shembulli më i afërt është ai i kryeqytetit tonë, Tirana. Ku për vetë problematikën që kishte, në vitin 2001 u ndërtua një “Plan Strategjik” nga Instituti P.A.D.C.O. me qendër në Uashington, e që financohej nga Banka Botërore. Ky plan ishte në nivelin e Planit Rajonal, me vlera të larta shkencore, i cili do të ishte një mbështetje shumë e fortë e planeve të tjera te Tiranës, si për Planin e Përgjithshëm Urbanistik, ashtu edhe për Planin Urbanistik të Qendrës.
    Por ç’ndodhi? Plani Strategjik i Tiranës mbeti në mes të rrugës. As u miratua dhe as u refuzua. Në një kohë që është miratuar Studimi Urbanistik i Qendrës nga një studio franceze, dhe tjetër plan i Sheshit “SKENDERBEJ”, pritet të miratohet në KRRTRSH nga një tjetër studio.
    Pse kjo mungesë e respektimit të Kodit?! I njëjti fat do të jetë edhe për hapësirat e tjera të qytetit?!

    Artikulli nga eshte marre citati quhet “Shpërfillja e arkitekturës”: http://www.panorama.com.al/index.php?id=38801

  4. Shqiperia Betonarme’ u realizua ne sinkronizim te perpikte te treshes; Pushtet-Ndertues-Individ. Ishte pikerisht pushteti qendror dhe vendor, i korruptuar totalisht nga ndertuesit, qe i la dore te lire shkaterrimit masiv te ambienteve.

    Ngjashmerisht, ne permasa krejtesisht kolosale, ndodhi i njejti skenar edhe ne SHBA. Edhe atje politika i hapi rrugen kapitalit te pa rregulluar dhe kompanive gjysem shteterore Fannie Mae dhe Freddie Mac qe te siguronin fonde me bollek per kredi per ndertuesit dhe individet.

    Edhe pse ne permasa krejt te pa krahasueshme, individet ne te dy vendet u turren qe te kapitalizonin ne ndertim pasi mendonin qe cmimet nuk do te reshtnin se ngrituri. Mirpo historia ka treguar qe biznesi i te paluajtshmeve eshte shume i rrezikshem ashtu si u provua ne te vertete.

    Dihet qe industria e ndertimit eshte udheheqesja e shume sektoreve dhe nxehja e ekonomise gjate dhjetvjecarit te fundit i dedikohet pikerisht ketij sektori.

    Eshte nje e vertete e pa mohueshme tashme se Shqiperia eshte e mbindertuar dhe se perpara kemi nje renie te betonizimit masiv qe na pane syte gjate ketyre viteve.

    Se bashku me te keqijat qe sjell ngadalesimi i ekonomise, le te shpresojme se do gezojme edhe nje periudhe pauze dhe reflektimi per demet e pa llogaritshme qe jane shkaktuar.

    Personalisht nuk e shoh te bardhe te ardhmen sepse nuk ka ndergjegjesim kombetar per gjendjen e mjerueshme dhe shqiptaret e enderrojne Europen e Bashkuar me sy mbyllur.

  5. Sot, pas kaq kohesh qe nga funksionimi i nje bari teper luksoz, ne njeren prej godinave me te larta ne Tirane, disa metra me tutje TVSH, pata rastin te sodis nje pajme me diapazon te gjere veshtrimi, te qytetit tim.. Kafeja, me pelqen shume kur e pi; sot me “sekelldisi”! Ishte pamja e qytetit qe mu shfaq aq e shemtuar: grumbuj kunjash, ndertime te crregullta, pa kurrfare harmonie arkitekturore, rruge qe dukeshin si kanale ku levrinin gjallesa, kerkoje me sy pranine e ndonje jeshilleku, qofte edhe shkurre, por me kot… Per te mos folur per “look-un” e ri qe kishin fituar kodrat perret liqenit artficial e me tutje (Selites)!! Me erdhi shume keq per kryeqytetin, se si eshte katandisur…! Faji do mbetet per jete jetim, pasojat e ketij betonimi te shfrenuar, rrjedhoje e babezise se pushteteve, do i vuajme brez pas brezi.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin