Disa fërkime të fundit diplomatike mes Italisë dhe Kroacisë, në lidhje me masakrat e njohura si le foibe në Venezia Giulia dhe në Dalmaci menjëherë pas Luftës së II Botërore, më kujtuan ngjashmëri të rëndësishme midis fatit të italianëve të ish-Jugosllavisë dhe fatit të çamëve shqiptarë, për të njëjtën periudhë.
Çështja e le foibe është tepër e ndërlikuar për t’u shtjelluar këtu e plotë; të interesuarit i ftoj të shohin artikullin përkatës në Wikipedia. Megjithatë, po përpiqem ta përmbledh me pak fjalë këtu e në vijim, duke ndjekur natyrisht Wiki-n.
Historikisht, krejt bregdeti dalmat, deri lart në Trieste, ka pasur një popullsi të përzier sllave dhe latine; e para ka ardhur duke u identifikuar gjithnjë e më tepër me kroatët dhe slovenët; ndërsa e dyta i është referuar rregullisht Italisë.
Pas Luftës I Botërore, Italia i përforcoi pozitat e veta në Adriatik, duke marrë edhe disa territore në bregun përballë; në një kohë që ndikimi i saj në krejt Dalmacinë mbetej i fortë.
Me fillimin e Luftës II Botërore, Italia mori pjesë në sulmin e Aksit kundër Jugosllavisë dhe, me Traktatin e Romës, aneksoi një pjesë të madhe të Sllovenisë, Dalmacinë veriore dhe Grykat e Kotorrit; si dhe pushtoi krejt vijën bregdetare të ish-Jugosllavisë, së bashku me një pjesë të konsiderueshme të brendatokës.
Me këtë rast, në Dalmaci u imponua një politikë e fortë italianizimi, shpesh me rezultate të trishtueshme.
Pas kapitullimit të Italisë fashiste dhe armëpushimit që u nënshkrua me forcat aleate në 8 shtator 1943, territoret e kontrolluara prej italianëve në Dalmaci dhe gjetiu kaluan përkohësisht në duart e partizanëve jugosllavë, të cilët filluan të ushtrojnë dhunë sistematike kundër italianëve të atjeshëm; jo vetëm ndaj atyre që kishin bashkëpunuar me fashistët, por edhe ndaj parive gjithfarësh, me qëllim që të dobësonin komunitetet.
Shumë prej të pushkatuarve u hodhën në foibe-t, ose gropat karstike; ndonjëherë ende të gjallë. Mendohet që vetëm gjatë vjeshtës së vitit 1943 u ekzekutuan rreth 600-800 italianë.
Më pas Dalmacia u pushtua prej gjermanëve; me përjashtim të Zarës që mbeti deri në fund nën sovranitetin italian.
Forcat e Titos e pushtuan Zarën në 1 nëntor 1944 dhe vranë aty rreth 180 italianë.
Në pranverë të vitit 1945, armata jugosllave sulmoi zonën e Fiume-s, Istria-s dhe Trieste-s, me qëllim që të pushtonte Venezia Giulia-n para se të arrinin aty aleatët. Me këtë rast, rifilluan masakrat ndaj popullsisë italiane të atjeshme, të cilat patën si rezultat 2500 italianë të vdekur dhe 7500 të zhdukur; një pjesë e mirë e këtyre u hodhën të gjallë në gropat karstike, për t’i zhdukur kufomat.
Po ashtu, në Gorizia thuhet se u internuan rreth 1048 italianë, prej të cilëve 900 nuk u kthyen më; ndërsa 652 italianë dihet me siguri se janë vrarë në Fiume (Rijeka).
Gjithsej, numri i viktimave luhatet mes 5000 dhe 30.000 vetë.
Ndryshimet e mëdha gjeopolitike pas Luftës II Botërore në Adriatik sollën, veç masakrave, edhe zhvendosje të mëdha të popullsisë italiane, prej territoreve tashmë nën kontrollin jugosllav drejt Italisë.
Hollësi për këto eksode mund të gjenden këtu; nuk jam në gjendje të gjykoj për paanshmërinë dhe saktësinë e tyre, por do t’iu referohem në sa vijon.
Dihet se pjesa më e madhe e italianëve të Istria-s vendosi të largohej që andej, për t’u bartur në Itali, sapo u bë e qartë se Istria do t’i mbetej Jugosllavisë.
Regjimi i Titos nuk është se u përfshi drejtpërdrejt në dëbimin e këtyre njerëzve; por vetëm se ushtroi një trysni të tillë të organizuar ndaj tyre, që të inkurajonte largimin. Përndryshe, ndaj italianëve u zbatua një politikë më e butë sesa ndaj gjermanëve, të cilët u dëbuan metodikisht prej Jugosllavisë (rreth 300.000 prej tyre). Gjithsesi, italianët përfaqësonin shtresën më të pasur dhe më sipërmarrëse të banorëve të Istrias dhe në përgjithësi të Dalmacisë, prandaj dëbimi i tyre kishte edhe arsye ekonomike, meqë regjimi i Beogradit kërkonte t’i jepte fund supremacisë italiane në ekonominë e atyre zonave.
Të parët që u larguan, ishin banorët e qyteteve të tilla si Fiume, Pola dhe Zara në jug; të fundit ishin fshatarët e Istria-s, të cilët mezi u bindën të braktisnin pronat e tyre të patundshme.
Mendohet se midis viteve 1945 dhe 1956 u detyruan të largohen nga Jugosllavia rreth 250.000 italianë.
Lexuesi mund të gjykojë vetë për ngjashmëritë me historinë e dëbimit të çamëve nga Greqia, pas Luftës II Botërore; duke pasur parasysh edhe dallimet e rëndësishme. Megjithatë, në të dy rastet, një popullsi civile u detyrua të paguajë çmimin e lartë dhe të hidhur të një konflikti, në të cilin ishte përfshirë dashur pa dashur.
Unë nuk e kam të qartë nëse është ngritur ndonjëherë, në Itali, çështja e pronave të italianëve të Dalmacisë dhe të Istrias; por do të ishte me interes të madh, për çamët dhe organizatat e tyre në Shqipëri, që të merrnin kontakt me institucionet dhe shoqatat përkatëse në Itali, për të parë si është zgjidhur atje kjo çështje – në rast se ky kontakt nuk ka ndodhur tashmë.
Pas vitit 1990, ose pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, palët e kanë pasur më të lehtë, anë e mbanë Europës, për të folur rreth padrejtësive të mëdha që u janë bërë popullsive civile të kontinentit nga ana e aleatëve fitimtarë të Luftës dhe forcave lokale të përkrahura prej tyre. Kështu kanë dalë në dritë fakte të hidhura për persekutimin e papërligjshëm të popullsive gjermane në Europën lindore; sikurse edhe të popullsive dhe pakicave të tjera, faji i vetëm i të cilëve kishte të bënte me etninë, ose me faktin se paritë e tyre iu bashkuan një kauze humbëse.
Në këtë kontekst, ngjashmëritë mes persekutimit dhe dëbimit të italianëve të Venezia Giulia-s, Istria-s dhe Dalmacisë nga njëra anë dhe persekutimit dhe dëbimit të çamëve shqiptarë të Greqisë nga ana tjetër marrin rëndësi të veçantë; sepse dëshmojnë, të marra së bashku, për një frymë hakmarrjeje dhe revanshi e cila shkaktoi padrejtësi dhe shkelje të rënda të të drejtave civile.
Si në një rast, ashtu edhe në tjetrin, motiv ose pretekst kryesor i persekutimit, masakrave dhe dëbimeve ishte akuza për kolaboracionizëm; e cila mbetet diçka retorike, kur u lëshohet popullsive të tëra. Në të vërtetë, në të dy herët ka qenë fjala për orvatje të suksesshme të një grupi etnik ndaj një grupi tjetër, për të riformatuar hierarkitë sociale dhe sidomos ekonomike dhe për të hequr qafe konkurrencën, në kuptim të gjerë.
Pikërisht për këtë arsye çështja e pronave bëhet veçanërisht e mprehtë; dhe do të ishte mirë sikur të mësohej ç’kanë bërë italianët në këtë drejtim, madje edhe të bashkërendoheshin orvatjet me ta, në vështrim të një veprimi të mëtejshëm, të përbashkët, në instancat europiane.
Per nje perkim kohor sot ne gazeten “Shqip”, eshte perkthyer nje shkrim i Miranda Vickers, qe flet pikerisht per kete gje. “Perspektivat e ceshtjes came”, titullohej artikulli dhe merrte ne analize ngjashmerine e ceshtjes came me probleme te ngjashme ne Evrope; niste qe me gjermanet e Sudeteve, vijonte me problemin e e Istrias duke vleresuar nderkaq daljen ne skene te problemit shqiptar. Madje Vickers nenvizonte se para disa vitesh ka bere nje punim per Ceshtjen Came per llogari te Akademise Britanike te Mbrojtjes.
Nga ana tjeter ajo njihet si bashkepuntore shume e afert e James Pettifer, me te cilin kane nxjerre ne drite librin pak te pakapshem; “Ceshtja Shqiptare”. Por se fundmi nga Vickers ne shqip eshte sjelle edhe nje punim i saj qe sikurse te gjithe librat e tjere me Pettifer flet hapur dhe shqeto. “Enigmat e krijimit te shtetit te Malit te Zi”.
Ne frymen e qellimit te shkrimit te z. Autor, dua te nenvizoj se edhe Vickers ne artikullin e sotshem fliste per nje njohje te problemit shqiptar, njohje kjo qe dikton mandej zgjidhjen.
Analogjia qendron persa i takon genocidit dhe pastrimit etnik, por Shqiperia ne ndryshim nga Itali dhe Gjermania, u rreshtua ne anen e fuqive fituese qe moren demshperblimet e luftes.
Greqia kete se ka pranuar kurre duke mbajtur ligjin e luftes dhe duke kembengulur se Shqiperia ishte vend agresor.
Nga ana tjeter duke u deklaruar si fuqi fituese, nuk mund te perfshihet Cameria ne trajtim si (ish-)territor i Shqiperise, ne ndryshim nga tokat italiane te Adriatikut lindor apo zonat gjermane te Sudeteve, Pomerania, Prusia Lindore etj.
Ka qene ‘prassi’ qe vendi i mundur te ndeshkohej me humbje territoresh, sipas sakrifices edhe siperfaqja territoriale, ne rastin e L2B, edhe me pastrime etnike (gje qe nuk ndodhi ne L1B) per shkak te sakrificave te medha dhe vullnetit politik per te asgjesuar Gjermanine njehere e mire.
Ne rastin tone, ndeshkimi i bashkepunetoreve mundesoi pastrimin etnik, por jo e drejta e fituesit. Ashtu sikunder me nderrimin e banoreve mes Turqise dhe Greqise me 1924, edhe kesaj radhe u gjet nje pretekst per pastrim etnik.
Problemi cam nuk mund te zgjidhet dot me menyra paqesore, as me Gjykaten e Hages, greku mendon se me kalimin e kohes pretendimet shqiptare do bien poshte vetvetiu, ndersa shqiptaret mendojne te futen ne UE dhe pastaj si me magji greku do u jape tokat cameve te debuar.
Greku nga ana e vet e ka te qarte se duhet te kembengule ti trajtoje camet sikunder jugosllavet italianet ose sllavet gjermanet, pasi eshte e vetmja menyre qe ceshtja came per shkak te futjes ne nje katrahure italo-sllavo-gjermane qe Europa mos ta konsideroje, pasi do hapte kesisoj vazon e Pandores.
Prandaj mendoj se ceshtja came duhet konsideruar si rast i vecante qe greku mos te pretendoje se zbatoi mbi shqiptaret ate qe bene aleatet mbi italianet e gjermanet.
Ne rezultuam juridikisht fitues, do apo sdo greku.