BRENDA TEMËS

Sot njoftuan se u mbyll gazeta “Tema”, çka duhet t’i ketë trishtuar lexuesit e saj dhe gazetarët që punonin atje.

Edhe pse këto ditë nekrologjitë (dhe nekrologët) po përjetojnë momente magjike, nuk jap dot vlerësime për këtë gazetë, sepse më shumë e njoh falë bëmave të njeriut që është identifikuar me të – Mero Bazes.

Mero Baze njihet si gazetar i zoti, i guximshëm dhe i fortë nga pena; por jo gjithnjë solid në pozicionet e veta.

Marrëdhëniet e tij me pushtetin ndoshta e kanë ndihmuar të gjejë materiale për artikujt dhe scoop-et e tij; por më shumë do ta kenë dëmtuar.

Çuditërisht, “Tema” u mbyll tamam një ditë pasi Baze përfundoi sërish në kryetitujt trash të shtypit të Tiranës, për shkak të një zënieje me grushta me një gazetar, burrin e një deputeteje të PD-së.

Me këtë rast, publikut iu kujtua një incident i para pak muajve, kur Bazen e rrahën truprojet e magnatit të naftës, Taçi.

Pikërisht atij Taçi që solli në Shqipëri Real Madrid-in, për të luajtur me Gramozin e Ersekës, një ndeshje që do të mbahet mend më shumë për blackout-in në stadium.

Botë e vogël, tha.

Mirëpo një gazetar që përzihet në konflikte të dhunshme fizike është një gazetar që i prodhon lajmet drejtpërdrejt, duke u bërë protagonist i titujve madje edhe të gazetës së vet.

Për Bazen thonë se ka qenë nga të parët që e ka eksperimentuar, në Shqipëri, metodën e dhunimit të privacy-së së personave publikë, duke filluar nga politikanët – dje Rama, sot Berisha.

Nëse është kështu, atëherë mbyllja e gazetës “Tema” le të shërbejë edhe si moment refleksioni për çështjen e etikës së komunikimit publik në Tiranë, dhe jo vetëm mes deshëve me këmborë.

Ideale do të ishte që çështja e privacy-së të zgjidhej me rrugë ligjore; por duke i njohur shqiptarët, kam përshtypjen se një pakt nderi mes aktorëve kryesorë të skenës politike, për t’u qëndruar larg thashethemeve, familjeve, skandaleve seksuale, provokimeve dhe përgojimeve do të ishte një hap i konsiderueshëm përpara, drejt përmirësimit të klimës politike atje.

Natyrisht, mbyllja e “Temës” nuk lidhet drejtpërdrejt me përdhosjen e ligjërimit politik; as lidhet me aktivitetet e Bazes si gazetar investigativ ose editorialist.

Aq më tepër që, prej muajsh, artikujt më të mirë të “Temës” po i boton rregullisht edhe “Shekulli”, falë atij procesi homologimi të mediave, të cilin e kam përshkruar këtu në blog më se një herë.

Disa thonë se “Tema” u mbyll për shkak të presioneve të qeverisë ose të gjykatës; të tjerë thonë se u mbyll ngaqë nuk i përballonte dot detyrimet financiare. Unë kam frikë se u mbyll për shkak të polarizimit të mediave atje, i cili modelohet sipas polarizimit të jetës politike.

Pa shtuar, pastaj, se reduktimi i gazetave në qarkullim është pasojë e drejtpërdrejtë e homologimit; dhe pa u kuturisur fare në diskutimin tjetër, nëse tregu shqiptar i informacionit e përligj apo jo një numër aq të madh gazetash.

A ka pasur vërtet nevojë në Shqipëri për gazetën “Tema”? Nuk i përgjigjem dot kësaj pyetjeje, nuk kam të dhëna. A ka pasur nevojë dhe a ka përfituar shtypi shqiptar për Mero Bazen dhe stilin e tij të të bërit gazetarí? Përsëri, pyetja është e thjeshtë, por përgjigjja e komplikuar.

Nuk ka dyshim se Baze ka talent të madh si gazetar; nuhatje, kontakte dhe guxim; dhe karriera e tij mbetet e hapur pavarësisht nga fatet e “Temës”.

Por që një gazetar i këtij kalibri dhe profili përfundon si protagonist lajmesh, në vend që të shquhet si përcjellës ose katalizator i tyre; ose përflitet si burim hollësish vulgare për jetën private të figurave kryesore të jetës publike në Tiranë, për këtë faji i mbetet, në radhë të parë, atmosferës që është krijuar në Shqipëri; ose infektimit të ligjërimit publik.

Është ky infektim që e shndërroi edhe Bazen, të paktën kohët e fundit, në një figurë dëfryese për publikun; deri në atë shkallë, sa publiku filloi t’ia interpretojë mirinformimin, madje guximin denoncues, si shenjë të afërisë me oborrin, të djeshme dhe të sotme; në kuptimin që edhe vetë privacy-ja e Bazes përfundoi në faqe të lajmeve…

Nga ana tjetër, kacafytjen e fundit të Bazes me gazetarin Enkel Demi, në mjediset e një qendre tregtare futuristike në periferi të Tiranës e shpjeguan me një shkrim fyes të “Temës” ndaj bashkëshortes deputete të atij gazetari.

Ky shpjegim, i arsyeshëm në vetvete, më kujtoi fjalët e Dritero Agollit para pak ditësh, në një intervistë dhënë “Gazetës shqiptare”, në lidhje me ndyrjen e ligjërimit publik në Tiranë, veçanërisht prej protagonistëve vetë:

Kjo është një luftë e plotë klasore, morale dhe politike. Nëse dikur ka qenë vetëm luftë klasore, sot është kthyer në luftë klasore-morale-politike, është rënduar situata. Domethënë, në vend ta zhduknim edhe luftën klasore, na i vënë edhe dy të tjera, kanë shtuar edhe luftën morale, (që përshkruhet në sharjet si “motrën” apo t’i thuash që nëna jote ka qenë kurvë). Shqiptari nderin e ka shumë të shenjtë, dhe ai edhe mund ta vrasë për të. Po të jetë ndonjë i çakërdisur, e bën. Kështu vriten njerëzit. Pse vriten tek ne shumë njerëz nëpër kafene?! Kanë dëgjuar që shahen në parlament dhe thonë; pse të mos shahemi edhe ne kështu, edhe bram-bram vriten. Bile, edhe unë që kam bërë 100 libra, po të mbërrijë një njeri të më shajë nënën, unë do të gjej një kobure dhe do jem gati, do shkoj deri atje po nuk do ta bëj, gjithsesi mendja do më shkojë. Kjo është një prishje e plotë e moralit.

Nëse gazeta “Tema” ka kontribuar në masë të madhe në këtë qelbëzim, nëpërmjet rubrikave të saj “Antena brenda familjes” dhe të tjera për bëmat e “Sandrit”, atëherë ndoshta mbyllja e saj, së paku në edicionin në letër, do t’i bëjë botuesit e tjerë të gazetave dhe editorët e televizioneve publike dhe private të reflektojnë sidomos për rolin e tyre si kujdestarë të ligjërimit publik.

Sa për mbylljen në fjalë, ka shumë mënyra si të reagohet. Gazeta “Tema” vërtet nuk do të dalë më në treg, por faqja e saj online mund të mbetet e hapur, madje të transformohet një faqe model të Internetit shqiptar, duke nxitur fjalën e lirë dhe duke penguar, me rreptësi të madhe, abuzimin me këtë fjalë të lirë.

Ndryshime të tilla do t’i mirëpresim.

Shënim: disa miq e kolegë më shkruan për të korrigjuar identifikimin që ia kisha bërë gazetarit Enkel Demi si “deputet” në versionin origjinal të këtij shkrimi.  I falënderoj, ndërkohë që korrigjimin tashmë e bëra.

Nuk ka komente

  1. E cuditshme do te ishte te mos mbyllej. Gazetat i marin te ardhurat nga reklamat. Ne gazeten tema nuk ka asnje reklame.
    Ose kosto e gazetes perballohet nga fryma e shenjte ose Meroja eshte nipi Nene Terezes.

    Gjithsesi nje gazete pa vlere me pak ne treg. Fatkeqsisht ka dhe shume te tjera!

  2. Edhe një tjetër gazetë pritet t’i bashkohet Temës. Sot nuk doli në treg Rilindja Demokratike. Edhe pse kjo mund të shpjegohet me faktin se është e Hënë, versioni në linjë i RD-së ka ditë që nuk funksionon, çka është pa dyshim tregues tjetër se kriza ekonomike tashmë nuk po kursen as zëdhënësen zyrtare të pushtetit blu. Për më shumë, http://www.rilindjademokratike.com

  3. Mua me vjen keq ne fakt per faktin se me mbylljen e gazetave kritiket e fenomeneve shqiptare nuk do te kene me nje tabele qitjeje per fajtorin. Media po shkon drejt falimentit dhe me kete rast zhvleresohet edhe subjekti i ironise, talljes dhe kritikes se shendoshe te mendjeve te shendosha gjykuese; pra gazetari. Por ky eshte ne vetvete nje zhvillim pozitiv, sepse tani realiteti do te duhet te interceptohet pa ndermjetesi, pra bruto; TV nuk mund te luaje rolin e gazetes, pasi pamjet flasin me shume se mijera fjale. Le te sherbeje pra mbyllja e Temes si nje mundesi Rilindjeje per debatin e vertete shqiptar qe deri me tani eshte njollosur keqas nga gazetaria e Tiranes.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: