Pasi forcat tona të Sigurimit asgjësuan bandën e frikshme të Gani G., që kishte zbarkuar në bregdetin e Shëngjinit me qëllim që t’i afrohej kryeqytetit dhe të bënte terror mbi masat punonjëse dhe kuadrot e larta të Partisë dhe të shtetit, armatimet, pajisjet dhe sendet e ndryshme që iu kapën bandës u ekspozuan në Muzeumin e Ministrisë së Brendshme:
pistoleta Browning, automatikë UZI, krehëra fishekësh, silenciatorë, pilula me helm për ujin e pishëm, harta topografike të territorit shqiptar, harta yjore, radio marrëse dhe dhënëse, thika gjahu, blloqe shënimesh shkruar me bojë simpatike, kronometra të markës Bulova, qindra peta çamsakëzi aromash të ndryshme, busulla precizioni, barometra, anemometra, sende të higjienës personale, tufa me dollarë amerikanë, dollarë australianë, dhrahmi dhe lekë të reja, preservativë, karamele kundër erës së rëndë të gojës, litarë najloni, pagure, ampula morfine, antibiotikë, barna psiko-stimulante, ngrohëse duarsh, tableta kafeine, ushqime të thata, pomada kundër mykut të shputës së këmbës, çakmakë, zmbrapsës për mushkonja, multivitamina, paketa cigaresh Lucky Strike, serume kundër kafshimit të nepërkës, shkrepëse, pinca, shiringa, gërshërë heavy-duty, darë për të shkulur dhëmbët, darë për të këputur tela, dylbi ushtarake, gypa amplifikimi akustik, stilolapsa me ngjyra të ndryshme, fotografi ushtarakësh të lartë të NATO-s, një botim xhepi të poemës “Lahuta e Malsisë”, pasqyra fushore, makina rroje, deri edhe veshje kamuflazhi, rripa mesi prej meshini, çorape termike dhe ndërresa prej pambuku.
Punonjësit nga të katër anët e vendit, të rinjtë dhe të rejat, nxënësit e shkollave dhe efektivët e reparteve ushtarake që vizitonin muzeun ndaleshin gjatë para këtyre stendave, madje një pjesë duke e përfytyruar veten në ndonjë prej dyqaneve madhështore të përtej detit, siç i kishin parë në filmat.
Mes të gjitha këtyre trofeve shumëngjyrëshe, binin në sy atletet e bardha ADIDAS të vetë Ganiut, të ndotura me baltën të ëmbël si mjalta të arave shqiptare, por përndryshe pothuajse të reja; me gjuhën e trashë e të përkulshme prej sfungjeri dhe shollën prej gome rezistente. Punëtorja e pastrimit të Muzeut, Qanije M., e cila mirëmbante edhe objektet e ekspozuara, gjithnjë kujdesej posaçërisht për këto atlete, si t’i kishte të të birit të vetëm, Bardhit, i cili ndiqte vitin e tretë të Politeknikumit të Ndërtimit, por luante edhe basketboll me të rinjtë e “Dinamos”.
Qanijes i fillonte turni në mbrëmje, pasi mbyllej Muzeu; punën nuk e kishte të rëndë, por vetëm pak të vetmuar; megjithatë, me kohë ishte mësuar me reliket, heronjtë dhe historitë që i flisnin nga muret. Edhe pse e varfër dhe me burrin që i kishte zënë krevatin, Qanija kurrë nuk ishte tunduar më parë nga pasuria e të tjerëve; por e ndodhur përballë atyre atleteve aq farfuritëse, papritur u ndie e zhveshur nga çdo lloj skrupulli proletar dhe vendosi që, me marifet, të fillojë t’i vjedhë nga muzeu.
Për një muaj të tërë, zuri t’i mbulojë atletet, pak nga pak, me cepin e gjerë të xhupit të rëndë të armikut Gani G., deri sa një ditë atletet nuk u dukën më; pastaj i la ashtu të padukshme edhe për një muaj tjetër, që ciceronët e muzeut dhe rojet të mësoheshin me mungesën e tyre; më në fund, një natë të keqe marsi, i nxori që andej, i zëvendësoi me këpucët e shëmtuara me qafa të pjesëtarit tjetër të bandës, armikut Xhezair V., i mbuloi këto të fundit me xhupin gjigand të Ganiut dhe u largua nga muzeu me atletet e Ganiut në çantën prej plastmasi.
Bardhi, që e kishte zënë gjumi në minder të kuzhinës modeste, desh mbeti pa frymë kur i pa atletet; dhe e besoi të jëmën, kur kjo i tha se ia kishte blerë një shoferi mauneje, në treg të zi; i rrinin tamam, sepse ishte edhe ai madhosh si Ganiu; madje kur i mbante të veshura një nur tjetër i binte të gjithit.
Ky gëzim, sado i sinqertë, zgjati gjithsej 72 orë; ndryshimin kaq dramatik në veshmbathjen e Bardhit M. e raportuan dy informatorë të ndryshëm, prej të cilëve njëri ishte vullnetar; një operativ që u dërgua për të hetuar mezi u besoi syve kur e pa kombinatsin Bardhi M. të kapardisur me këpucët atletike të armikut të betuar të pushtetit popullor Gani G.; stenda kushtuar bandës së Ganiut në muze u hap në praninë e drejtorit të drejtorisë së rekuizitës; u krahasuan objektet e pranishme në stendë me listën përkatëse të inventarit që ruhej në kasafortën e drejtorisë së rekuizitës, dhe u konstatua se, përveç atleteve të cilat tashmë ishin interceptuar, mungonte edhe një kuti qumështi të kondensuar; Qanijen e morën në pyetje po atë natë, edhe pse ajo e pohoi krimin që pa arritur në hetuesi; për shkak të rrethanave familjare, u pa e arsyeshme që të mos ua dorëzonin organeve të drejtësisë, por ta emëronin pastruese të nevojtoreve të grave në Minierën e Valiasit; atletet iu kthyen fondit të muzeut, por nuk u ekspozuan më; Bardhi M. nuk u lejua të vazhdonte stërvitjen me të rinjtë e “Dinamos”; Qanija nga ana e vet, pasi filloi punë në detyrën e re, i shkroi një letër të shkurtër Ministrit të Brendshëm, ku shprehte pendim të thellë për gjestin e pamenduar të përvetësimit të një objekti muzeal me rëndësi të veçantë, por edhe mohonte me vendosmëri të madhe çdo lloj përgjegjësie ndaj mungesës së kutisë së qumshtit të kondensuar.
Atletja (nuk di pse mbaj mend vetem njeren) e ndricuar si te qe shpute e mermerte gladiatori, me dukej se i ishte nenshtruar ndonje operacioni plastik per ta zmadhuar pertej hiperboles, deri ne nje simbol te asaj qe na priste te gjitheve, sikur te mos qe per syrin vetullshqiponje (nuk di pse kujtoj vetem nje syresh) te Heroit te Heshtur te Armes se Dashur.
Pa i shtuar sot asgje vizionit feminor, me dukej se portreti i enjtur e symbyllur i diversantit me plumb ne temth, ne foton e ekspozuar perbri, shkembehej e perzihej me atleten buzetrashe, aq shume i ngjante.
Edhe pse mund te beje pjese ne “zonen kundra”, cka ishte edhe automatikisht rasti i nje femije si une, atletja e perfolur si numer dyzet e shtate (mbase ne akord aliterativ dhe onomatopeik me emrin xhevdetmustafe) dukej sikur per pak gje mund te kishte kercyer nga tavani per te me shtypur fikthin: kishte te bente me fikthin i gjithe ai peshtjellim plastike te bardhe kriminale, qe edhe pse i ndricuar ngrohte, zhvlersonte gjithe metalin verdalle, dhe te mblidhej ne fyt, shenje e vetme ende e gjalle e robit qe e kishte mbathur. Brutaliteti i gjithe asaj rekuizite rokoko Robocop-i, dukej se mund te organizohej edhe vetvetiu rreth atletes , (xhupi antiplumb me ampulen vetvrasese ne supin e majte, pistoletat fantashkencore si kombinat metalurgjik, tutat kamuflazh) duke formesuar me vrushullime mbi gjurmen numer dyzet e shtate nje perbindesh te droguar qe shkermoqte gurrmaze pa dallim, duke shperfillur edhe ligjesite me minimale te luftes se klasave.
Asgje nuk mbaj mend me fort nga gjithe muzeu (hiq nje bibel te zgavruar me pistoleten klerikale brenda, si llokum me arre) pervec nje atleteje te capelyer qe del nga deti, nje amfibi pa sy me logon hardcore xhevdemtmustafa (e cfare efekti psikologjik do bente valle nje desant i padukshem, sado i hazdisur teknologjikisht, me emrin Thimi Mitko?).
Mbase isha teper i vogel per te admiruar aspektin e terthorte prej altari cargo-cult te gjithe kesaj: me peshonte ne fyt legjenda mbi familjen e kapur peng nga banda ne Rrogozhine, perdorur si thaset me rere gjate perplasjes me forcat e Sigurimit dhe ushtrine. Por tregimi me rriti nderkaq, dhe rishijova krejt ndryshe gjithe inventarin Ganiut-xhevdetmustafe te ndricuar dyfish nga kendi i ekonomise politike, pa terrorin e legjendave qe qarkullonin nen bankat e shkolles fillore.
Sigurisht kjo footnote personale, qe me duket se konfirmon centralitetin ne per-shtypjen kolektive qe ushtroi per arsye te ndryshme atletja turbulluese e ganiut, ka edhe s’ka te beje me tregimin, me tekniken, plotin, tekstin, se ai eshte edhe pa pjesemarrje deshmitaresh nostalgjie, nga me te miret e ciklit (prej kohesh po pres ta rilexoj te plote ne leter)(por aq me mire qe nuk po mbaron).
Per kushedi te saten here, falemnderit Maks
Maks,
Tematikat, si përherë, mbeten ngazëllyese, por vlerësimin maksimal e ruaj për praninë e gjallë të absurdit të gjithë një epoke – formative e binomit qesharak-tragjik të shumëkujt prej nesh – e cila përcillet me mjeshtëri dhe emocion të ekzaltuar në këtë tregim, sikunder dhe në një pjesë të mirë të të tjerëve.
Për hir të hijeshisë, jemi të detyruar të pranojmë se ka edhe kulme – shyqyr!- pjesë e të cilave është edhe ky tregim.
Posedimi i një kopjeje në letër po kthehet në tik.
Të dashur miq, ju falënderoj për fjalët e mira që thoni. Intuicioni i Nr. 47 për altarin cargo cult të stendës në muzeum më la gojëhapur, edhe pse i referohej një teksti të shkruar prej meje… por më sqaroi më në fund se cfarë më kishte tërhequr pikërisht në atë fantazmagori merceologjike, atëherë dhe tani. Përkundrazi, librin e gërryer nga brenda – një katekizëm në mos e kam gabim – për të fshehur aty një revolver të lig, e mbaja mend; madje di që, pasi e kam parë për herë të parë, jam kthyer në shtëpi dhe jam orvatur të zgavroj sakaq një libër rusisht të cilit nuk ia njihja përmbajtjen; për të fshehur edhe unë ndonjë gjë timen, kur të më vinte radha…
Megjithese funksioni referencial i teksteve te Gjerazit natyrisht jep shkas per “rishkrime” interesante gjate leximeve te ndryshme, mua me terheq teksti si i tille, per menyren e organizimit te shenjave cilesisht identifikuese te dy boteveshtrimeve, ne nivelin stilistik, apo celesi i tij dekodues. Konkretesia e verifikueshme e emrit te kreut te bandes dhe perftimi ne te kundert i efekteve te synuara te vizitoreve apo kujdestareve te saj, mund te zevendesohej me cilindo episod tjeter te njohur, sepse te gjitha shkrimet e Gjerazit mbeshteten ne kete loje interpretimi permbyses te “faktit” ne “kunderfakt”, saje pranevenies se panatyrshme te kuptimit te supozuar/pretenduar/imponuar ideologjikisht me kuptimet e perftuara realisht ose ne perspektive, shpesh duke nisur nga perzgjedhja e emrave te perveçem.
Ne aspektin strukturor, tek TUNDIMI, kodi interpretativ me regjister ironik gjendet pikerisht ne kundershtine ndermjet “paanesise” se jashtme te “inventarit” te muzeut me kombinimet befasuese te shenjave qe u perkasin fushave krejt te dallueshme, madje te kunderta, gjate enumeracioneve semike.
Pretendimit te vleresimit si “armiqesore” ose “te rrezikshme” te objekteve, jo thjesht se ka shume arme vrasese (dmth perendimore / perkunder “lindoresise” negativiste te ngjyrimit ideologjik te ligjerimit qe presupozohet nga ideatoret) i kundervihet nga njera ane aletrnimi i shpeshte me rendomesine/utilitetin e shumices se objekteve dhe eshte nje nga menyrat qe mundeson regjistrin ironik.
Nga ana tjeter, llojet e objekteve sherbyese utilitare, tipike te epokes post-industriale pernga komoditeti/mireqenia e jeteses qe perftohet masivisht me ane te tyre (jo thjesht nga emri), perceptohet me efektin e se “mrekullueshmes” se ndaluar/mohuar nga vizitoret dhe kujdestaret.
Autori dhe lexuesit ketu jane perqendruar tek nje objekt, “atletet Adidas”, duke synuar te evidentohet perceptimi ne perspektive refuzues i “modestise proletare” kryesisht i rinise, ku edhe i ka premisat renia e pakmevonshme e “murit” dhe me te drejte.
Apo imazhi cytes i aventures shumekuptimeshe krejt joshese qe lexohet me ane te elementit “liber i zgavruar se brendshmi”, si vendndodhje e sekretit personal (perkunder shoqerizimit te dhunshem te personales), pikerisht aty ku supozohet venerim maksimal (bibla apo libri rusisht, ndonese me permbajtje te kunderta te jashtesi/thellesise per secilin rast).
Edhe nje here vertetohet tipari nderveprues individual i leximit, sipas kodeve semantike qe potencialisht i permban teksti, nga lexime/lexues te ndryshem. Personalisht me terhoqi nje tjeter detaj i “listes”, pernga niveli krejtesisht i vecante i horizontit prites qe sugjeron: “nje botim liber xhepi i ‘Lahutes se Malcis'”. Kesaj here detaji i perket fushes kulturore-letrare, qe nuk mund te terhiqte vemendjen e Qanies, madje, as dikujt tjeter nga kujdestaret, te besuar te shtetit, natyrisht, si pervetesuesi i kutise se qumeshtit, psh.
Autori thjesht e hedh “ne tregun e leximit” kete detaj, ndoshta si provokim, po ne fakt eshte sinjal (kod)individualizues per nje lexues (“personazh”) potencial intelektual, qe nuk e gjen brenda grupit te kujdestareve, natyrisht, por as eshte i sugjeruaruar brenda grupit te bandes. Perceptimi (i) sugjestion/-ues/-uar i emrit “xhevdetmustafa” shenjon tipikisht terroristin musliman, lexim teper i sotem, jo pa qellim, por qe shuan mundesine e ndonje niveli intelektual te kapobandes.
Ka mundesi te shenoje predispoziten antisllave te poetit prift, por edhe ate te bandes (e lexuar: antiperendimore, sepse eshte antishqiptare, qe cuditerisht tek ai rrine shume mire bashke; kujto: “Moj Evrope, moj … e motit!”), me te cilin “xhevdetmustafen” e bashkon urrejtja per komunistet, pavaresisht se e ndan perkatesia fetare.
Por per mua, çudia e vertete qendron ne bashkerenditjen harmonike (brenda te njejtes izotopi shenjash te struktures se tekstit) te kesaj relikeje te Shqiperise se pas Kongresit te Berlinit me elementet e postmodernitetit (fundshekulli XX), qe i quajtem utilitare me lart dhe qe, ne perspektive, jane si bashkesia e milingonave qe do te rrezojne gjigandin totalitar te Lindjes, duke i hequr dheun poshte kembeve.
Kurse “botim xhepi i Lahutes” eshte marre nga arsenali i vjeter/ bere i ri, ne kundershtine e ngarkesave ideo-politike te propagandes se pas ’90-es, e shenuar si risjellje e argumenteve te vjetra (konflikteve soc-pol. te paraLuftes se Dyte e gjate saj) ne Shqiperine e sotme.
Nuk e di ende te them ne se ky ka qene projekti narrativ i rrefimtarit te TUNDIMI, si tundim drejt se ndaluares (shenje e thelbit njerezor), apo nje antiprojekt ne thellesi i ringjalljes revanshiste te konflikteve te vjetra, ne shoqerine shqiptare te pas ’90-es, te sfilitur nga mungesat dhe lojerat, shpesh te pergjakshme, te pushteteve politike e klaneve sunduese ne Shqiperine e shek XX.
shumekush mund te habitet nga prezenca e prezervativeve. por, sic deshmojne manualet e mbijeteses se forcave speciale te perendimit, ato mund te perdoren ne raste emergjence per mbartjen e ujit apo per te mbajtur te thata tytat e armeve kur kalohen pengesa ujore.
Ganiu lexonte “Lahuten e Malsise” nderkohe qe “mbrojtesit e Atdheut” hidhnin eshtrat e Fishtes ne lume.
Pas ketij artikullit nuk do te me duket cudi te lexoj ndonje tjeter ku mund te flitet se c’hiqnin xhelatet per te kapur macoket qe u fusnin grave neper rroba.
Sec me tingellon kjo lista e sendeve te Ganit si ajo e ekuipazhit te avionit nga filmi “Dr Strangelove”. Duhet te jete dicka si “standart operating procedure” pajisja me liste te tille e personave qe infiltrojne ne nje vend armiqesor. Respekte autorit.
(…)Xhevdet Mustafa ishte arratisur në 1964, por ishte njeri i marrë me drogën e të tjera gjëra, shumë sportiv, njeri që për mendimin tim, duhet të jetë përdorur në shumë veprime zbulimi, sepse ishte një qitës shumë i mirë, gjuante në çdo pozicion dhe ai u gjet si ai Ramboja. Për mua, detyra e kësaj bande ishte asgjësimi i Enver Hoxhës dhe gjithë përgatitja bëhej, pavarësisht se ishte e sajuar që do të vinin për të kërkuar florinj, se ishte fshehur diku një thesar. Por, gjithë materiali që iu kap bandës dhe që ekspozua në Ministrinë e Brendshme, pastaj u tërhoq, sepse kur u bë ekspozita, nuk ishin marrë masa për të hequr disa gjëra, sepse ne vazhdonim punën me gjëra të tjera, dhe atje dilnin disa gjëra që dekonspironin veprimet tona. Por ishin të gjitha deri te fijet e telit për të lidhur ushtarët para se të hynte në godinë, janë të dokumentuara.(…)
Ata mbajtën nga një pistoletë “Braun” të blerë në Liezh me 14 fishekë. Mirëpo, ndodhën ato që ndodhën, të papriturat, u takuan dhe vranë policin, një tjetër e morën dhe u prish gjithë skema. Kur erdhën në Rrogozhinë, ku do të hanin mëngjesin atje, sepse u iku treni, ishin porositur njerëzit, sepse ne e prisnim bandën edhe nga kufiri, jo vetëm nga deti dhe i kishim marrë masat dhe atje, kamerierja pa atlete, që nuk ishin në Shqipëri, ai dyshoi e i thotë policit. Në kohën që polici po vinte, bashkëpunëtori ngrihet dhe i thotë: “Atë kapni, kryesorin, unë jam i juaji”. Por, polici nuk reagoi shpejt dhe u krijua një pështjellim.(…)
http://www.shekulli.com.al/2009/11/27/ju-tregoj-vellain-tim-xhevdet-mustafa.html