Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë / Sociologji

SHQIPTARËT NË NATO

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO – shumë bojë është derdhur për ta komentuar dhe interpretuar që nga ajo ditë, ndoshta edhe më shumë do të derdhet, madje edhe në hapësirat e këtij blogu.

Çështja që do të dëshiroja të komentoj këtu, m’u ngacmua nga një koment i Theollogos ndaj përsiatjes sime se hyrja në NATO u përdor në kuadrin e argumentit kombëtarist nga Berisha dhe të vetët; të cilin koment po e riprodhoj më poshtë:

Hyrja në NATO apo edhe në BE nuk mund të jetë një kartë kombëtariste mirëfilli, pse ajo lidhet pikërisht me Integrimin në një familje që në të vërtetë ka si parakusht emancipimin e shoqërisë dhe shërimin e sëmundjeve tona etnike. Nga ana tjetër duhet të jemi më realistë dhe të pranojmë se përgjatë këtyre kohëve të fundit të krizës, në mjaft analiza serioze që vijnë nga qendrat politike të mëdha këmbëngulet në idenë se integrimi i Ballkanit ështe e vetmja rrugë, edhe për ato shtete apo kombe (p.sh Rumania apo Kroacia) që nuk janë shumë entuziaste për këtë gjë. Meqenëse kërkon shembuj dhe ilustrime konkrete: Kuptimi elektoral dhe politik i integrimit në NATO apo BE për shqiptarët është vetëm një – liberalizimi i vizave. Flas në masë të madhe dhe mjafton ky mentalitet për të marrë me mend se retorika e Berishës në këtë drejtim ka lidhje vetëm me një gjë; me zhvlerësimin e propagandës opozitare për Tragjedinë e Gërdecit që ndodhi pak ditë nga marrja e ftesës.

Jam dakord me komentuesin, që një pjesë e entuziazmit publik për integrimin në NATO ka të bëjë, tërthorazi, me mundësinë e shtuar për liberalizim të vizave, çka do të thotë – deri diku – se qytetarët shqiptarë do të ndihen më në fund të lirë për t’u larguar nga Shqipëria. Këtë të fundit, ironikisht, unë do ta lexoja si lexim kombëtarist negativ, meqë edhe dëshira e papërmbajtur për t’u larguar njëherë e mirë nga vendi ku “balta të duket më e ëmbël se mjalta” i referohet, në mënyrën e vet, atdhedashurisë.

Por, pa u shpërndarë në çështje anësore, le ta konsiderojmë këtë lloj entuziazmi si cilësisht të ndryshëm me predisponimin kombëtarist të qytetarëve, ose të forcave politike; sa kohë që integrimi në struktura ndërkombëtare frymëzohet nga filozofi të tjera, që s’kanë të bëjnë me romantizmin, as me etnocentrizmin.

Le të konsiderojmë edhe se një pjesë e publikut as e ka kuptuar fare thelbin e anëtarësimit në NATO, duke e ngatërruar me anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Mua më intereson, këtu, ajo pjesë tjetër e publikut, për të cilën anëtarësimi në një aleancë ushtarake të kryesuar nga SHBA-ja është lexuar si një fitore strategjike e elementit shqiptar në Ballkan, përkundrejt armiqësive dhe skërmitjeve sllave.

Vallë nuk ekziston gjëkundi shpresa se tani ne shqiptarët mund t’ia lejojmë vetes disa aventura në lëmin ushtarak (bie fjala, të djegim Akademinë Maqedonase, siç sugjeronte sot Kim Mehmeti në Gazetën Shqiptare), ngaqë, edhe po të ndodhë gjë dhe të vijnë zjarrfikësit, do të na mbrojë NATO-ja?

Përtej hiperbolave dhe shakave ballkanike, a nuk i janë gëzuar sinqerisht shumë shqiptarë anëtarësimit në Aleancën Atlantike, ngaqë ky anëtarësim e ripërmason krejtësisht rrezikun strategjik që përfaqëson për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë një Serbi armiqësore në Ballkan, e përkrahur deri edhe ushtarakisht prej rusëve?

Vetë Aleanca Atlantike u formua dhe u zgjerua, për dekada me radhë, si mburojë e Perëndimit Europian ndaj kërcënimit rus (Traktati i Varshavës, etj.); për çka sot e kësaj dite arsyet e ekzistencës së kësaj aleance duhen riformuluar, sa kohë që Traktati i Varshavës nuk përbën më rikërcënim. Gjithsesi, për Shqipërinë anëtarësimi në NATO-n ushtarake don të thotë, në praktikë, garanci për mbrojtje në rast konflikti me Serbinë; meqë unë nuk shoh ndonjë fuqi tjetër që të kërcënojë për momentin – madje edhe Greqia, për të cilën nuk mund të përjashtohet a priori mundësia e ndonjë ndërhyrjeje kirurgjikale në Jug për të mbrojtur interesat e veta, ose pakicën greke, ose çfarëdo tjetër, është vetë anëtare e NATO-s; prandaj ajo mundësi duhet konsideruar si tepër e largët.

Prandaj, për t’iu kthyer pyetjes së shtruar në krye të këtij shkrimi e që do të dëshiroja ta diskutoj me ju, unë besoj se leximi kombëtarist i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO është po aq legjitim, sa edhe leximet e tjera. Madje edhe thjesht vetëdija e të qenit nën një ombrellë të superfuqishme, të garantuar “nga Amerika”, merr rëndësi të madhe në psikologjinë e shqiptarit tradicional, të cilit asnjëherë nuk ia kanë mbushur mendjen krerët që ka nxjerrë nga gjiri i vet, me vota të lira; por ia ka dhënë besën pa ngurrim perandorëve dhe konkuistadorëve gjithfarësh, sa kohë këta e kanë siguruar se “Shqipërinë e kanë në zemër”. Fakti që sot për sot, një nga kontributet më të dukshme të shtetit shqiptar për aleancën atlantike, është gatishmëria për të dërguar trupa ku të thërresë koniunktura ndërkombëtare (dje thuhej “ku të thërrasë atdheu”), ma përforcon edhe më tepër paralelizmin me traditën; duke pasur parasysh se mercenarët shqiptarë rregullisht kanë qenë shumë të kërkuar në tregun global të gjakut.

Pavarësisht prej këtyre trupave që, shpresoj, përdoren për misione paqedashëse, nuk kam dyshim se Shqipëria, si shtet referencë i shqiptarëve në Ballkan, ka përfituar nga anëtarësimi në NATO më shumë se ç’ka përfituar NATO-ja prej anëtarësimit të Shqipërisë; të paktën sot për sot. Prandaj kjo ngjarje i ka entuziazmuar shqiptarët anembanë, si shqiptarë; meqë duket sikur për herë të parë pas kaq kohësh, shteti shqiptar ka ditur të zgjedhë e të rreshtohet me një palë fitimtare. Ndoshta nuk ia vlen ta zhbirosh shumë këtë entuziazëm, as të heqësh vija paralele me situata historike të ngjashme; por efekti i drejtpërdrejtë kombëtarist i anëtarësimit më duket se nuk mohohet as minimizohet dot, pavarësisht nga efektet e tjera.

24 Komente

  1. “Përtej hiperbolave dhe shakave ballkanike, a nuk i janë gëzuar sinqerisht shumë shqiptarë anëtarësimit në Aleancën Atlantike, ngaqë ky anëtarësim e ripërmason krejtësisht rrezikun strategjik që përfaqëson për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë një Serbi armiqësore në Ballkan, e përkrahur deri edhe ushtarakisht prej rusëve?”

    Padyshim qe po. Po ku eshte e keqja ketu xhanem? Kjo kenaqesi edhe ne mendjet me te informuara nuk arrin deri aty sa te lejoje si thoni ju “nje aventure ushtarake” kundrejt secilit shtet ne rajon. E vetepercaktove se perballe eshte nje Serbi armiqesore qe e percakton kete sjellje nga pozitat e forces se dhuruar edhe asaj nga Fuqite e Huaja. Per kete arsye kombetarist gezimi yne eshte per faktin se ne perfitojme jo Supremaci, por Siguri. Dhe kete e kerkon gjithkush.

    “Unë besoj se leximi kombëtarist i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO është po aq legjitim, sa edhe leximet e tjera. Madje edhe thjesht vetëdija e të qenit nën një ombrellë të superfuqishme, të garantuar “nga Amerika”, merr rëndësi të madhe në psikologjinë e shqiptarit tradicional, të cilit asnjëherë nuk ia kanë mbushur mendjen krerët që ka nxjerrë nga gjiri i vet, me vota të lira; por ia ka dhënë besën pa ngurrim perandorëve dhe konkuistadorëve gjithfarësh, sa kohë këta e kanë siguruar se “Shqipërinë e kanë në zemër””

    Kur valle ndonjehere lideret e Shqiperise jane zgjedhur me vota te lira? Kur ? Njehere te vetme.
    Pastaj sinqerisht, nuk mendoj se ju shkon qe ta thjeshtoni kaq problemin. Nese i qendrojme te vertetes historike, qendresa shqiptare kundrejt pushtimeve eshte po aq dinjitoze sa ajo e fqinjeve. Te percaktosh shqiptarin tradicional si nje shpirt mercenari me duket e papranueshme dhe pak nihiliste. Shtoj ketu se ka edhe inkoherence logjike. Tani mercenari nuk para pyet shume per ndjenjat e padronit, mjafton qe te paguhet mire. Keshtu qe nje shqiptar tradicional, pra si i tille mercenar, nuk mund te kete patur probleme politike me lideret e vet dhe aq me shume te kete dashur t’ia dije sesa ne zemer e kane patur Shqiperine ata gjithefare konkuistadoresh qe jane sorrollatur ketyre aneve.
    Gezimi kombetarist per hyrjen ne NATO eshte legjitim, pse i gezohet Sigurise dhe jo ndonje endrre pacavure qe e sheh flamurin shqiptar te shtyhet ne Lindje-Jug apo ku e di une se ku. “Ne i dime gabimet tona dhe une dua qe femija im te mesoje Historine e vertete te Ballkanit”. Keto jane fjale te britanikut Tony Blair ne Tirane ne vitin 1999 dhe ne to mund te gjesh fare mire fillin e kombetarizmit te mbetur qe nga 1912 dhe qe sikurse ju parashtroni me te drejte tashme ka kapur kuotat e bajates.

  2. Thellogos, po të kujtoj si nisi ky diskutim, se më duket sikur e paske harruar.

    Në shkrimin tjetër, kur të diskutoja për praninë e kombëtarizmit në jetën publike në Shqipëri, të përmendja edhe mënyrën si u përdor futja në NATO nga koalicioni Berisha, duke stimuluar instinktet kombëtariste në publik, për t’i fituar këtij publiku votën.

    Nuk u shqiptova për futjen në NATO, por për leximin kombëtarist që mund t’i jepej.

    Prandaj, nuk më duket hiç serioze që ti të kthehesh tani dhe të më thuash se “ku është e keqja këtu xhanëm”. Askush nuk foli për ndonjë të keqe. Sa i përket debatit tonë, thelbi i shkrimit tim më lart ishte që të kundërshtonte tezën tënde, se “Hyrja në NATO apo edhe në BE nuk mund të jetë një kartë kombëtariste mirëfilli, pse ajo lidhet pikërisht me Integrimin në një familje që në të vërtetë ka si parakusht emancipimin e shoqërisë dhe shërimin e sëmundjeve tona etnike”. Të keqen dhe të mirën i diskutojmë gjetiu.

    Tani më thuaj, janë këto fjalët e tua apo jo? Të gjithë ndërrojmë mendim, por jo brenda 24 orëve, se pastaj e shndërrojmë diskutimin në estradë. Hyrja në NATO është apo jo një kartë kombëtariste mirëfilli? Sepse dje më the që nuk mund të jetë, sot më thua (tërthorazi) që është, derisa më pyet se “ku është e keqja këtu xhanëm”. Si është kjo punë?

    Sa për çështjet e tjera që ngre, ato qëndrojnë; por nuk mund të diskutohen këtu. I kemi diskutuar gjetiu në blog, do t’u kthehemi përsëri; por jo në këtë temë (sa më takon mua), as për të tërhequr vëmendjen nga debati kryesor. Të kujtoj vetëm që Shqipëria si koncept, dhe shqiptarët si komb, janë krijim i shekullit XIX; ose produkt procesesh historike që lidhen me reformat dhe me shpërbërjen e Perandorisë Osmane nga njëra anë, dhe zgjimin e kombeve në Ballkan nga ana tjetër. Këtë nuk duhet ta ngatërrojmë me Arbërinë e Skënderbeut dhe shekullin XV, as me vijueshmërinë e gjuhës shqipe dhe të traditave krahinore në Mesjetën e vonë. Ta kam fjalën që mercenari mirditor Lleshi i Zi, që vrau Marko Boçarin, nuk është se tradhtoi “kombin” e vet; por thjesht po bënte punën për të cilën paguhej.

    1. E para njehere, jane fjalet e mia, jane, JANE. Nuk u heq asnje presje. Dhe nuk nderroj mendim kaq shpejt, pavaresisht konsiderates per debatuesin, pse jam aq i kthjellet sa te debatoj per nje ceshtje qe nuk me bind dhe jo per t’u dukur njehere, ketej verdalle.

      Lexoje te gjithe pjesen qe kam shkruar dhe mos e shiko te fragmentarizuar. Trajtove se “si u përdor futja në NATO nga koalicioni Berisha, duke stimuluar instinktet kombëtariste në publik, për t’i fituar këtij publiku votën”.

      Te kundershtova per faktin se: qe ta perdoresh kete ne ate sens, parakupton nje audience qe e di se cfare do te thote kjo gje, pra komunikimi politik te jete i mundshem dhe efikas. Per mua nuk ekziston ky opinion dhe parashtrova idene se Integrimi ne Shqiperi nderton kapital politik duke u reduktuar te Vizat.

      E dyta, thashe qe per shkak se Integrimi ne NATO-BE parakupton cedim nga sovraniteti shteteror por edhe kombetar, kjo karte nuk mund te jete kombetariste MIREFILLI, pra: edhe per ata qe kuptojne se c’eshte dhe per ata qe nuk kane haber, kombetariste me te vertete – ne kuptimin e thagmave qe lexohen neper blogje apo atyre qe riprodhon folklori luftarak- ajo nuk mund te jete. Per ata qe nuk dine gje, sepse thjesht NUK DINE dhe presin Vizat. Per ata qe dine dhe kuptojne ta sqarova me lart mendimin tim.

      Edhe dicka: Nese ky lexim kombetarist qe sipas jush ka nje vlere politike aktuale, do te ishte kaq real, pse mendoni ju nuk u perdor edhe nga opozita? Sepse per nje ngjarje kaq te madhe dhe me vlere, kurrkush nuk ka monopolin e propagandes dhe as meriten absolute. Vota po duan te gjithe.
      Nese ky lexim kombetarist qe ekzistoka po sipas jush si “dukuri e perhapur” nder shqiptare, do te ishte kaq evident, pse atehere koalicioni qe e perdori kete karte nuk fitoi ne menyre derrmuese, por rivalizoi me opoziten qe nuk u hodh ne kete mesymje? Se ne fund te fundit eshte pergjigja e qytetarit ajo qe, edhe MUA edhe TY, na ben te kuptojme me MIRE sesa KOMBETARISTE ose JO eshte perceptimi apo leximi i pergjithshem.

      E fundit: Me rikujton se kush jane Shqiperia dhe shqiptaret. Dakord. Pyes. I referohesh shek. XIX e ketej kur perkufizoni “Shqiptarin tradicional të cilit asnjëherë nuk ia kanë mbushur mendjen krerët që ka nxjerrë nga gjiri i vet, me vota të lira; por ia ka dhënë besën pa ngurrim perandorëve dhe konkuistadorëve gjithfarësh, sa kohë këta e kanë siguruar se “Shqipërinë e kanë në zemër”?

      1. Falemnderit.

        E majta nuk thoshte dot gjë për anëtarësimin në NATO, përveçse nëse zgjidhte ta kundërshtonte – gjë që nuk e bënte dot. Kjo, sepse ky anëtarësim u përgatit dhe u realizua në kohën kur fuqinë e kishte PD-ja e Berishës…

        Me sa di unë, askush nuk e kundërshtoi në Shqipëri anëtarësimin në NATO; çka më konfirmon se pluralizmi politik atje ende nuk ekziston si koncept, as si kulturë.

        Nga ana tjetër, unë nuk jetoj në Tiranë, por forumet e shqiptarëve në Internet i ndjek me aq sa mundem; dhe këtu e kam fjalën jo vetëm të atyre nga Shqipëria. Të siguroj se atje NATO-ja shpesh trajtohet si carta bianca për të bërë “kërdinë” në Ballkan; në kuptimin që kjo mendësi ekziston dhe është e përhapur në periferitë.

        Më në fund, kur flisja për qëndrimin e shqiptarëve ndaj liderëve të tyre, ky ka të bëjë me një traditë antropologjike e cila i ka rrënjët në periudhën kur të parët tanë ishin nënshtetas të Perandorisë Osmane. Shqiptarët si komb, Shqipëria si shtet i pavarur dhe sovran dhe qytetari shqiptar si zot i vetes janë koncepte të reja, që ende nuk konkurrojnë dot seriozisht me këto të vjetrat.

        1. “E majta nuk thoshte dot gjë për anëtarësimin në NATO, përveçse nëse zgjidhte ta kundërshtonte – gjë që nuk e bënte dot”.

          Te siguroj se ky ishte nje nder gabimet e saj qe e penalizoi. Opozita jone humbi se nuk pati forcen e duhur dhe madje per cudine e te gjitheve as pragmatizmin e nevojshem. Por kjo eshte tjeter mesele.

          “Me sa di unë, askush nuk e kundërshtoi në Shqipëri anëtarësimin në NATO; çka më provon se pluralizmi politik atje ende nuk ekziston si koncept, as si kulturë”.

          Sinqerisht po te kerkoj te me thuash mendimin dhe argumentin tend kunder anetaresimit ne NATO, nese kuptohet jeni kunder. Une po te ndihmoj me kete nese nevojitet si detaj shtese ne arsyetimin politik apo strategjik.

          Kryeministri rus Vladimir Putin uron Kryeministrin Berisha me rastin e riemërimit të Tij.
          “I nderuar zoti Berisha… Jam i bindur, se forcimi i gjithanshëm i marrëdhënieve ruso-shqiptare i përgjigjet INTERESAVE RRENJESORE të popujve të vendeve tona, garantimit të stabilitetit dhe sigurisë në Ballkan”.

          “Kur flisja për qëndrimin e shqiptarëve ndaj liderëve të tyre, ky ka të bëjë me një traditë antropologjike e cila i ka rrënjët në periudhën kur të parët tanë ishin nënshtetas të Perandorisë Osmane. Shqiptarët si komb, Shqipëria si shtet i pavarur dhe sovran dhe qytetari shqiptar si zot i vetes janë koncepte të reja, që ende nuk konkurrojnë dot seriozisht me këto të vjetrat”. Shume mire. Po e thua edhe vete se kombetarizmi eshte nje karikature perballe mercenarizmit dhe ndjenjes se perkatesise se nje qendre te madhe politike. Pse atehere e cek kaq shume kete koncept kur ky nuk rivalizon dot as me periudhen osmane?

          Une mirekuptoj shqetesimin tuaj se prej kesaj sjelljeje burojne nje sere te keqijash qe ne i kemi vuajtur edhe si shqiptare, por edhe si ballkanas. Por kjo ka kuptim kur ju e trajtoni ne rolin e publicistit apo qytetarit aktiv qe gjithesesi ofron nje qasje te re apo nje alternativ. Perndryshe c’kuptim ka kjo perpjekje e cila shoh qe e edhe keqkuptohet shume? Une mendoj se mund te keni te drejte, shume te drejte, sepse ju mendoni se thoni nje te vertete. Por une me pelqen te kujtoj ngahere nje thenie te Walter Beniamin. “E verteta ka vlere, kur shpalosja e saj behet Drejtesi”.

          1. Po të më pyesnin për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, do të shprehja përkrahjen time pa rezerva; siç edhe e kam shtjelluar gjetiu në këtë blog.

            Çfarë më shqetëson mua nuk është përkrahja, por unanimiteti. Unanimitetin unë e lexoj si konformim, ose si mungesë dëshire për t’u ballafaquar me çështjet.

            Nuk do ta pranoj kurrë që, për çështje kaq madhore si futja në një aleancë ushtarake perëndimore, unanimiteti të ketë qenë i arsyetuar.

            Unë shtypin shqiptar përpiqem ta ndjek, pa folur pastaj për Internetin. Jam i vetëdijshëm se ka ndër shqiptarët rryma të mendimit të cilat janë, në thelb, të papajtueshme me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

            Këto rryma dhe qytetarët që i ndjekin e i përkrahin zgjodhën të qëndrojnë në heshtje dhe të mos kundërshtojnë. Një dukuri e tillë nuk më rezulton të ketë ndodhur gjëkundi tjetër, në vendet e pranuara rishtas në aleancë. Gjithnjë ka pasur një shumicë që e ka përkrahur anëtarësimin, dhe ia ka argumentuar një pakice e cila e ka kundërshtuar. Nëse ky lloj dialogu mungon, atëherë nuk mund të flitet fare për politikë, por vetëm për teatër, në kuptimin e një bashkësie zhvillimesh në skenën publike, sipas një skenari mitik, të gdhendur në gur.

            Për shkaqet e këtij unanimiteti mund të diskutojmë gjatë… thuhet, bie fjala, se të gjithë e kanë kuptuar që Shqipërisë i intereson të futet në një aleancë të tillë si NATO-ja; po vallë e kanë kuptuar vërtet? A është unanimiteti rezultat i një ballafaqimi strategjik mendimesh, apo i përtacisë qytetare?

            1. “Çfarë më shqetëson mua nuk është përkrahja, por unanimiteti. Unanimitetin unë e lexoj si konformim, ose si mungesë dëshire për t’u ballafaquar me çështjet”.

              Pjeserisht dakord, por kjo gjithesesi nuk e kompromenton stadin aktual te demokracise dhe pluralizmit.

              Sa per krahasim (edhe pse jo aq i qelluar).

              Lufta ne Afganistan ne fillimet e veta pati nje perkrahje shume te madhe po te marrim parasysh mentalitetin, por edhe mundesine e informimit dhe pjekurine e opinionit amerikan. Kundershtime kishte por jo aq sa te perlogji tani nje kerkese llogarie ndaj administrates Bush – moralisht flas.

              Obama perloti njerez ne vitin 2008 (09?)kur u zgjodh dhe u shfaq si Shpresa e Madhe. Madje personalisht per mua fitorja e tij ishte operacioni me i madh i marketingut politik i dirigjuar nga CNN dhe New York Times.

              Shohim sot se shpresa e madhe po zbehet.

              Duke ulur piket e vleresimit per stadin e demokracise sone them se “mekati” i unanimitetit paralelisht qendron ne kembe edhe pe nuk perligjet nga gjykimi elitar.

  3. duke pasur parasysh se mercenarët shqiptarë rregullisht kanë qenë shumë të kërkuar në tregun global të gjakut.

    Shume po ia ngre vlerat ushtareve te Forcave te Armatosura te Shqiperise. Ne NATO, tashme, ato jane dic me shume se kuzhinjere te armatosur.

    1. Qafir Arnaut,

      Kam pershtypjen se behet fjale per nje periudhe te meperparshme se shek. XX.

      Nga shek. 13 e lart, shqiptaret i sheh te luftojne kudo e perkedo, vecse per memedhe te vet e per hesap te vet.

      Sa te afte kane qene shqiptaret per lufte?
      Nga shpeshtesia qe permenden, duket se kane qene shume te kerkuar, me bataljone shqiptaresh qe nga oborret e Spanjes, Frances , Napolit etj, etj, pa futur ketu Turqine dhe Greqine, flota luftarake e te ciles mbas 1830-40, iu desh ti kishte te gjithe manualet ne shqip, ngaqe pjesa derrmuese e ekipazheve ishte shqipfolese.
      Napoleon Bonaparti kur zbarkoi ne Egjipt, te vetmen resistence serioze e pati nga shqiptaret, etj, etj, etj.

  4. Xha xhai shkruan:

    „Me sa di unë, askush nuk e kundërshtoi në Shqipëri anëtarësimin në NATO; çka më konfirmon se pluralizmi politik atje ende nuk ekziston si koncept, as si kulturë.“

    Dhe me tej:

    „ka edhe shqipetare .. të cilat, në thelb, nuk jane per anëtarësimin e Shqipërisë në NATO…..Këto rryma dhe qytetarët që i ndjekin e i përkrahin zgjodhën të qëndrojnë në heshtje dhe të mos kundërshtojnë.
    ….Nëse ky lloj dialogu mungon, atëherë nuk mund të flitet fare për politikë.“
    !!!!!!!!

    Me gjithe respektin qe kam per ty, por pluralizmi politik nuk do te thote kundershtim pa perjashtim, me cdo kusht e ne cdo rast….. se atehere do ishte keqperdorim i pluralizmit.
    … Liria per te thene mendim publikisht, pra mundesia per tu shprehur lirisht….. nese keto ryma dhe qytetare ZGJODHEN te qendrojne ne heshtje…. Atehere ata vendosen lirisht … dhe kjo mjafton.

    1. Shakaxhiu:

      nese keto ryma dhe qytetare ZGJODHEN te qendrojne ne heshtje…. Atehere ata vendosen lirisht … dhe kjo mjafton.

      Po të jetë kështu, edhe periudhën totalitare në Shqipëri mund ta quajmë pluraliste me plot gojën – meqë kush nuk pajtohej me regjimin e Enver Hoxhës ZGJIDHTE të qëndronte në heshtje… duke vendosur lirisht. Më korrigjo nëse e kam gabim, por pluralizmi, nëse nuk është publik, nuk ekziston.

      Përsëri Shakaxhiu:

      Me gjithe respektin qe kam per ty, por pluralizmi politik nuk do te thote kundershtim pa perjashtim, me cdo kusht e ne cdo rast….. se atehere do ishte keqperdorim i pluralizmit.

      Unë s’e kisha aq te kundërshtimi, sesa te mundësia ose shansi për të ofruar alternativa.

      1. Më korrigjo nëse e kam gabim, por pluralizmi, nëse nuk është publik, nuk ekziston”.`

        Une heshtjen time ashtu sikurse abstenimin ne votime e ZGJEDH lirisht. Por pse une hesht publikisht sot, nuk do te thote se pluralizmi nuk ekziston, pasi sot nese nuk kam kurajen apo integritetin per te folur publikisht, VOTOJ ne menyre te FSHEHTE.
        Ne asnje kohe HESHTJA nuk i ka shpetuar interpretimit politik, e si i tille pluralizmi teorikisht eshte gjithnje i pranishem.

        1. Shumë herë, në mos gjithnjë, heshtja parakupton frikën nga përndjekja, nëse mendimi ndryshe shqiptohet publikisht. Po nëse mendimi ndryshe përndiqet (ose edhe thjesht pritet të përndiqet), atëherë pluralizmi nuk ekziston.

          Të jetë e qartë se unë me pluralizëm kam parasysh këtu një sistem të komunikimit publik i cili i kundërvihet monizmit. Unë i kam përjetuar të dy këto sisteme, dhe ju siguroj se ndryshimet i kanë më të mëdha se ngjashmëritë. Edhe pse në monizëm heshtja në rast mospajtimi ishte e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar burgut, kurrë nuk e kam menduar heshtjen time si provë se sistemi nën thundrën e të cilit jetoja do të mund të cilësohej një ditë si “pluralist” pikërisht për shkak heshtjesh të tilla.

          Prandaj, për mua ky arsyetim yti, Theollogos, është sofistik dhe nuk ndihmon për të kuptuar dallimin midis pluralizmit dhe monizmit në realitetin politik.

          1. Me jep te lutem, ne kete kuader arsyetimi anti-sofistik nje shpjegim per Kinen e sotme.

            “Edhe pse në monizëm heshtja në rast mospajtimi ishte e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar burgut, kurrë nuk e kam menduar heshtjen time si provë se sistemi nën thundrën e të cilit jetoja do të mund të cilësohej një ditë si “pluralist” pikërisht për shkak të heshtjes sime”.

            Por heshtja juaj duke u nisur nga vetedija per origjinen dhe formimin kuptohej prej shume kujt se cfare nenkuptonte, se ajo fliste per mospajtim me RRYMEN. Kjo e ben ate politike.
            Por TE GJITHE NE ZGJODHEM PERULJEN NDAJ FRIKES. Prandaj edhe ne Shqiperi nuk flitet dot per disdience te mirefillte.

            Sa per krahasim. Sot Irani eshte nje sistem monist politikisht, por a eshte valle ai nje shembull se pluralizmi mungon? Po ta bej kete pyetje, sepse ju ne shkrimet tuaja jeni shume ekzigjent sidomos per pasojat etike te sistemeve apo normave te sjelljeve. P.sh kur qemtoni edhe aspekte formale te nje dukurie si kombetarizmi qe ne Shqiperi te pakten njeh vetem aspekte vulgare. Monizmi politik vetem e pezullon pluralizmin politik por nuk e asgjeson ate plotesisht. Pluralizimi sido qe te jete niset vetem nga idete. Flasim sot te gjithe ne Shqiperi per cdo gje, deri edhe per emrin e gjyshes se komshiut te Enver Hoxhes, por a eshte valle ky Pluralizem i mirefillte?

            1. Tani unë s’po e kuptoj dot më për çfarë diskutojmë. Ai lloj pluralizmi që ekziston sot në Korenë e Veriut, ose që ka ekzistuar në Shqipërinë e djeshme totalitare, nuk është i njëjtë me pluralizmin në një sistem i cili themelohet mbi pluralizmin, çka kërkon të jetë sistemi politik në Shqipërinë e sotme. Nëse publiku vijon të adoptojë mënyra të tilla të pjesëmarrjes qytetare që i përkasin sistemit të djeshëm monist, atëherë pluralizmi nuk ekziston – në kuptimin e një sistemi të komunikimit publik. Kjo nuk ka të bëjë, besoj unë, me faktin që ka gjithnjë njerëz ose rryma të nëndheshme që mendojnë ndryshe.

            2. Po mjaftohem atehere me mendimin tuaj se Demokracia ne Shqiperi nuk ekziston, e per pasoje as pluralizmi.

            3. Mendimi im është pikërisht se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO u promovua dhe u ekzekutua në mënyrë moniste, nga qeveria, nga institucionet dhe nga publiku.

            4. Po te kerkoj atehere edhe njehere, ne emer te domosdoshmerise se pluralizmit, nje argument qe te kundershtoje, apo debatoje, pjesemarrjen ne NATO. Sepse edhe kontestim, apo kundershtim per hir te statistikes nuk behet, pasi po te jete keshtu, mbeshtetja e shqiptareve per NATO eshte jo 100%, por 94%. Ja pra qe 6% kane thene nje JO publike.
              Unanimiteti shqiptar (me gjithe oponencen jopolitike) ne kete rast ka nje perligje historike apo edhe politike, e nuk ka pse ai te shihet si dobesi e aktivizimit qytetar, i cili edhe ne vitin ’90 u pozicionua pa nevojen e “promovimit”, ne bllok kunder Diktatures.

              Po te jap nje shembull per kete unanimitetin dhe per punen e heshtjes qe fola pak me lart. Ne nje interviste te para 6 – muajve, Nexhmije Hoxha e pyetur se si ka mundesi qe shteti i asaj kohe, me aq struktura te konsoliduara nuk arriti qe te parandalonte apo parashikonte ate qe erdhi me pas u pergjigj: “Ne vitin 1989 une shkova ne Sarande dhe me kane bere nje pritje qe nuk kam per ta harruar kurre. 6 muaj me pas ndodhi ajo ndodhi dhe nuk mund ta shpjegoj”. Dua te them se ne probleme te kesaj natyre nuk mund te argumentohet ne menyre te thjeshtuar pse anashkalohen shume gjera qe kane rendesi dhe problemet rrihen ne siperfaqe.
              Nga ana tjeter, ky debat qe zhvillohet mes lexuesve qe vizitojne blogun tuaj ngrihet mbi supozimin se punet ne Shqiperi apo realiteti politik ka nevoje te permiresohet e se bashku me te edhe mentaliteti shoqeror. Pra se ne Shqiperi ka nje kuader relativisht demokratik e pluralist. Ne kete hapesire pra edhe debatimi ne kete forum ka vertet vlere.
              Por nese mendimi juaj i permbahet artikullit “Sigurimi – mami e demokracisë?” me referencen trishtuese ne fund se “Funksioni ynë këtu është që ta plotësojmë tablonë, violina të treta të një simfonie të komplikuar dhe në thelb të mërzitshme”, atehere c’kuptim ka e gjitha kjo?

            5. Duke luajtur rolin e avokatit të djallit, ja disa argumente që mund të silleshin kundër anëtarësimit në NATO:

              – Ne jemi vend i varfër, nuk i përballojmë dot detyrimet financiare që vijnë me anëtarësimin në një organizatë ushtarake

              – Shqipëria duhet të përmirësojë marrëdhëniet me fqinjët, në vend që ta përfytyrojë veten pjesë strategjish globale të cilat në fakt nuk e përfillin, as e prekin

              – Duke u futur në NATO, Shqipëria dhe shqiptarët rrezikojnë të përdoren si mish për top për interesat e aleancës – p.sh. për t’i çuar bijtë e nënave të luftojnë përtej urës së Qabesë, ose për ta shndërruar Karaburunin në poligon qitjeje, etj.

              – Anëtarësimi në NATO dhe ngritja eventuale e bazave ushtarake të NATO-s në territorin shqiptar do ta ekspozonte Shqipërinë ndaj një goditjeje atomike në rast konflikti me Rusinë (të tillë që, megjithatë, të mos provokojë një luftë atomike të përgjithshme, meqë Shqipëria mbetet gjithsesi expendable); ose ndaj aksioneve terroriste të drejtuara kundër SHBA dhe NATO-s

              – Shqipëria është vend i vogël dhe duhet të mbetet neutral si Zvicra, që të mos rrezikojë në rast konfliktesh; veçanërisht në rrethanat e sotme globale, kur konfliktet po rishfaqen sipas vijave gjeografike të dasive fetare

              – Qeveria shqiptare duhej ta kishte trajtuar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si koncesion ndaj aleancës dhe të kërkonte diçka si kundërvlerë: p.sh. anëtarësimin në BE.

              E përsëris, këto nuk janë argumente të miat, por argumente që mund të silleshin, sikurse edhe janë sjellë nga publiku në vende të tjera, kur ka ardhur puna për të diskutuar futjen në aleanca ushtarake.

              Për fat të keq, ngurova kur po i shkruaja radhët e mësipërme; duke menduar se një ditë, ndonjë lexues i zellshëm, do t’i citojë sikur të ishin pikëpamjet e mia, madje edhe t’i përdorë kundër meje. Kjo gjë më ka ndodhur vërtet para pak kohësh te “Peshku pa ujë”… madje ishte një nga arsyet që u largova përfundimisht që andej.

              Sa për shkrimin “Sigurimi – mami e demokracisë,” ky është relativisht i vjetër, dhe nuk duhet lexuar si të ishte manifest i amshuar i qëndrimeve të mia. Nuk mbaj mend në ç’kontekst e kam shkruar, as pse kam qenë aq i dëshpëruar; as do ta shkruaja ashtu, sikur të ma kërkonin sot. Kush të dojë, mund të gjejë atje ndonjë të vërtetë bindëse, përndryshe viti i shënuar në fund mjafton.

  5. Mbase e keni harruar a mbase nuk ju lypset te kujtoni se nje nder hapat vendimtare te hyrjes ne NATO eshte hedhur ne qeverine socialiste te kryeministrit Majko. Por as mua s’me kujtohet tamam: vit jo e jo por as ne behej fjale per Afganistanin apo Irakun. Nejse.
    Se c’qe nje dreq qe lexonte NY Times-in ate kohe kur perendimoret nuk deshironin te dergonin me trupa ne lufte, qe u habit kur pa se dhe me 250.000 dollare per ushtar plot vende kishin refuzuar kerkesen amerikane. E po ky dreq do kete shkruar ato radhet tek gazeta Shekulli ku kerkonte qe shqiptaret te ofronin bashkepunimin e tyre, te dergonin trupa. Pseja, dihet e sot mund te thuhet me gojen plot: mercenarizimi eshte kyci i arte qe te hap porten e cdo keshtjelle. Interesante te thuhet se klima e kohes ka qene e tille sa letershkruesit nuk i eshte dashur te jape argumenta pse duhet te dergojme ushtare ne lufte, por pse SHBA-te do ta pranonin kerkesen shqiptare.
    Kryeministri i Shqiperise Majko, (levizja e te cilit kurrsesi nuk eshte inicuar nga nje leter prej popullit) I cili u nis pas nja dy javesh ne SHBA, i ofroi Rumsfeldit(?) gadishmerine shqiptare: dhe … nga nje burim i brendshem qe s’do te dekonspirohet thuhet se Donald Rumsfeldi nuk mundi ta mbante brenda gojes fjalen voilà!
    Keshtu nga kerkesa, pranimi de facto deri tek ai de jure, socialistet bene sa u takonte. Ndaj dhe nuk mund te kundershtonin ate qe mbeshteten vete. Pse nuk kerkuan pjesen qe u takonte – mbetet e hapur pyetja e theollogos-it.

    Sjellja e politikes, dhe vecanerisht e opozitave duhet trajtuar me vete. Duket sikur kur ato ja dalin te tulatin militantet per te gjetur zgjidhje te ndryshme nga ato revolucionare, gjithe sa bejne eshte te presin kundershatrin te luaje dhe te humbe, pa rrezikuar duke marre iniciativen. Harroni NATO-n kujtoni BE-ne. Dakort te gjithe e deshirojne, strategji etj, por per arritjen e saj ndermerren hapa (si tek mercenarizimi me lart), U tha prej Berishes se po i vjen rradha dhe zevendesimit te lekut me euron, levizje prej te ciles kombetarizmi do te marre nje goxha grusht. Opozita e vetme qe ju be ishte e lekut vete sa beri qe hem Ministri i Financave hem Guvernatori i BSH ti dilnin garant. Opozita ketu (dhe jo gjetiu) duhet te ulet, te gjeje me te miren per shqiptaret, t’ua thote e ta mbroje me perseverance. Se sido qe te ndodhe: edhe po qe se “ai” do tu mbushe shqiptareve xhepat me euro, edhe po qe se do te forcoje lekun, ai, nen heshtjen karakteristike te opozites do te rimarre votat njelloj.

  6. Xha xhai:
    Unë s’e kisha aq te kundërshtimi, sesa te mundësia ose shansi për të ofruar alternativa.

    Aty e kisha edhe une… por ne kuptohemi qe periudha e sotme nuk mund te krahasohet me diktaturen se ne ate kohe nuk kishte alternativa pra nuk kishte asnje mundesi per te zgjedhur (me vullnet te lire) ndersa sot po kundershton lirisht sejcili e per cdo gje, prandaj ZGJEDHJA e sotme nenkupton vullnetin e lire…. kete liri per te thene mendim publikisht, pra mundesine per tu shprehur lirisht e kane sot te gjithe….. dhe kjo mjafton per egzistencen e pluralizmit….. nese keto ryma dhe qytetare ZGJODHEN te qendrojne ne heshtje atehere kjo u be me vullnet te lire.
    Xha xhai:
    …..pluralizmi, nëse nuk është publik, nuk ekziston.

    Jam i nje mendje per kete. Por edhe partite politike ose rryma ose qytetare (pra qe kishin dijeni per hyrjen ne NATO) dhe nuk ishin dakort me te, i kishin mundesite te shfaqnin publikisht mendimin e tyre (me sakte akoma QENDRIMIN e tyre) dhe ne fakt ato e bene ate se edhe heshtja, ne raste te tilla, shpreh nje qendrim i caktuar.

    Cyprinodon diabolis:
    ….U tha prej Berishes se po i vjen rradha dhe zevendesimit te lekut me euron, levizje prej te ciles kombetarizmi do te marre nje goxha grusht.

    Nuk besoj qe shtetet e komunitetit europian po ckombetarizohen se kane kane unifikuar mjetin e pageses ne euro, ose se kane hapur kufite per qarkullimin e lire te mallrave dhe njerzve ose se kane nje parlament te perbashket qe rregullon drejtimet kryesore te veprimtarise se komunitetit.

    1. Kur flasim për besim, duhet ti lemë kohë asaj që do të na bëjë të besojmë ose jo; e cila mund të jetë e pranishme pavarsisht besimit tonë. Të heqesh nga qarkullimi kartmonedhat e monedhat kombetare, heq nga takimi i përditshëm, ledhatimi me dy-tre gishta e fshirja mbas mjekrës së parruar e gjithë ikonografisë kombëtare; me gjuhën e besimit: u heq njerëzve ikonostasin nga katedralet, ikonat e shënjtorëve nga qoshkat e llamburitura me kandile me bateri nëpër shtëpi dhe rruzaret nga duart. Eksperimenti komunisto-ateist e provoi se shqiptarët besojnë shumë më pak.
      Shkrojta se kombëtarizmi do marrë një grusht dhe jo se do shkombëtarizohet kush; kombëtarizmi=nacionalizmi. Por përsëri, zëvendësimi i kartmonedhave dhe monedhave, që është njëkohësisht dhe zëvendësimi i simboleve (kryesisht fytyra që kanë bërë shumë për kombe por relativisht apo pak për njerëzimin,) është pjesë e proçeseve të gjata, madje shekullore të shkombëtarizmit dhe shkombëtarizimit, të cilat jo detyrimisht sjellin një botë pa kombe apo të një gjithëkombi evropian a botëror, por shpesh edhe rikonfigurime të çuditëshme si të lëngjeve brenda në shishe- i tund të duken të përzjera, i lë në qetësi veçohen. Numizmatika ka shembuj me thasë që tregojnë se këto kanë ndodhur; e, kur kanë ndodhur do të ndodhin.

      O nëna, o nëna, pashë ëndërr të frikshme,
      Fytyrat e tyre në dhjeçe, qinçe, mishe.

  7. I nderuar Cyprinodon diabolis,
    shume teatral trajtimi i problemit. As gjermanet, per lekun e tyre (DM) qe ishte simbol me karakter boteror per fuqine e madhe ekonomike te tyre, nuk besoj se u shprehen kaq te emocionuar per nderrimin e saj ne euro.

    Nga ana tjeter ne as nuk i bejme e as nuk i kthejme dot proceset europiane ose boterore. Qe te kapim trenin per ne europe duhet te mos i mbivleresojme kaq shume gjera te tilla. Nejse ….

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin