Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Gjuhësi

PAK PËR DËSHIROREN

Gjatë një bisede për mënyrën dëshirore të shqipes, më doli përpara një paradoks që, kam përshtypjen, ndihmon për të kuptuar si e përdorim gjuhën – ose ndoshta si na përdor gjuha.

Paradoksi ka të bëjë me mallkimin, një akt gjuhësor të cilin shqipja si pak gjuhë të tjera indo-europiane e ka sot të gramatikalizuar, nëpërmjet një mënyre foljore të veçantë: dëshirores.

Natyrisht, mallkimi lidhet me një botëkuptim të caktuar, pa dyshim magjik, dhe që themelohet mbi marrëdhëniet e supozuara midis fjalës dhe sendit, të tilla që fjalës i atribuohen fuqi për të ndikuar drejtpërdrejt mbi botën objektive.

Megjithatë, në ligjërim të përditshëm mallkimi shkëputet disi nga rrënjët e veta në magji, për t’u kthyer në një shprehje të rëndomtë të pakënaqësisë, zemërimit, zemëratës, frikës etj.; gjithashtu, antropologët vërejnë se mallkimet ndeshen shumë më shpesh në ligjërimin grarishte.

Kur isha i vogël, plakat shpesh më mallkonin kështu:

“të raftë pika!”, “të hëngërt mortja!”, “të marrtë mortja!”, “të hëngërt një gjë!”, “të shp[ë]laftë mortja”, “të marrtë e mira!” dhe variante të ngjashme, duke përfshirë edhe disa me përsëritje (“të raftë pika, të raftë!”).

Tani, le të përfytyrojmë për një moment sikur një grua t’i thotë një fëmije “të marrtë mortja!”, dhe fëmija sakaq të vdesë përnjimend.

Pyetja që bëmë, në bisedën që përmenda më sipër, është nëse gruaja, ose subjekti i mallkimit, duhej të ndihej fajtore për çka ndodhi.

Natyrisht, të ndihesh fajtor për një mallkim do të thotë që, njëfarësoj, të besosh në magji, ose në forcën e fjalës për të vepruar mbi botën përtej rregullsive dhe ligjësive të natyrës.

Tani, që ajo gruaja të ndihet fajtore për vdekjen e papritur të fëmijës, duhet që, para së gjithash, të besojë në forcën ilokutive të mallkimit (ose aftësinë e aktit ligjërimor për të vepruar mbi sendet dhe njerëzit; çka do të thotë se gruaja jo vetëm mallkoi, por edhe “vrau” nëpërmjet mallkimit).

curseMirëpo, një grua që beson në forcën ilokutive të mallkimit, ose në mundësinë që fjala “t’i dalë”, nuk do ta përdorë mallkimin në situata triviale, ose kundër një fëmije të pabindur, por do ta ruajë vetëm për ato situata kur vdekja e objektit të mallkimit synohet përnjimend, me ç’rast asnjë ndjenjë faji nuk do ta shoqërojë efektin vrastar.

Nga ana tjetër, një grua që nuk beson në forcën ilokutive të mallkimit, mund të pikëllohet për vdekjen e fëmijës, por nuk do ta lidhë atë me mallkimin që i bëri; prandaj nuk do të ketë arsye për t’u ndier fajtore.

Por nëse dikush nuk beson në forcën e mallkimit, atëherë ç’e shtyn vallë ta përdorë?

U zgjata pak në këtë analizë, meqë mallkimi në situata të përditshme dhe të rëndomta është një nga ato raste të rralla kur themi diçka vetëm e vetëm në qoftë se jemi të bindur që çka themi nuk do të ketë asnjë efekt; përndryshe, cila gjyshe do t’i thoshte nipit të vet “të hëngërt mortja”?

Mallkimin si akt performativ të mirëfilltë nuk mund ta ndërmarrë kushdo; mund ta bëjë magjistari, shtriga ose shamani; ose në rrethana të caktuara prifti (p.sh. për të shkishëruar); ose kuvendi a ndonjë përfaqësi tjetër i komunitetit.

Mirëpo, si akt performativ, a nuk e humb vallë mallkimi përsëri elementin e dëshirës, duke u formalizuar në trajtë autorizimi për ndëshkim, ose damkosjeje poshtëruese?

Plaka që mallkon fëmijën e prapë ose maçokun është e bindur, në thelb, se fjala nuk i ka fuqi ilokutive; ashtu mallkimi merr vlerë në një botë paralele me realen, ku një objekt i dashur mund të vdesë ose të ndëshkohet simbolikisht, në mënyrë që në realitet marrëdhëniet përkatëse të mbeten të paprekura.

Prandaj realizimi i mallkimit do të ishte katastrofë; jo vetëm njerëzore, ngaqë do të “vritej” ose “dëmtohej” një njeri ose send i dashur, por edhe gjuhësore, sepse akti mallkues zakonisht kërkon të realizohet brenda sferës ligjërimore, pa u derdhur përjashta.

Kjo vlen, deri diku, edhe për aktin e kundërt, të bekimit (urimit), që na bën lypësja në rrugë, kur ia hedhim monedhën në pëqí; sepse përsëri dëshirorja e patinuar në ligjërim nëpërmjet prapashtesave të mënyrës përkatëse dhe rregullave të funksionimit të akteve gjuhësore vjen e mishëron pafuqinë për të vepruar mirëfilli në realitet; meqë është pikërisht pafuqia që autorizon përdorimin dorëlëshuar si të urimit, ashtu edhe të bekimit.

Lypësja në trotuar, tek e fundit, e kalon ditën duke prodhuar një numër të madh bekimesh simbolike për kalimtarët; por këto nuk shenjojnë aq dëshirën e saj për të përmirësuar botën ose njerëzit, sa dëshpërimin e saj dhe pafuqinë për ta ndryshuar sadopak mjerimin ku ndodhet.

Ndoshta edhe kjo kundërti është shprehje e të njëjtit paradoks.

7 Komente

  1. Ndjenja e fajit ne rast se mallkimi plotesohet mund te qendroje edhe sikur gruaja qe ben mallkimin te mos e kishte besuar para realizimit te mallkimit fuqine e tij. Ne aspektin ligjor, psh, kjo njihet nepermjet shprehjes “injoranca ndaj ligjit nuk eshte justifikim per fajin.” Keshtu gruaja mund te ndihet fajtore per injorancen e vete. Ka nje ndryshim ne besim. Nese veme re nje event, qe mund te sjelli si efekt nje event tjeter, dhe ky eventi tjeter vjen, edhe sikur te mos kene lidhje, nje lloj inference e bejme. Ne fund te fundit plaka do ndihej fajtore qe perdori nje fuqi si gjuha, te ciles nuk ja njihte perdorimin. Ne lidhje me perdorimin e gjuhes, packa se jo ne lidhje me menyren deshirore, Shen Agustini mendon se nje njeri qe genjen duke besuar se po thote te verteten, eshte ne rregull ne krahasim me nje njeri qe mund te thote te verteten kur ne fakt nuk e beson ate qe po thote, packa se kjo nuk vlen kur behet fjale per ceshtje fetare, apo qe kane te bejne me jeten e pertejshme dhe shpetimin. Ne raste te tilla, nje njeri qe nuk thote te verteten edhe pse nuk e di se c’eshte e verteta, e ka punen me pisk se nje njeri qe thote te verteten padashje. Jo me kot nje nga komandamentet eshte te mos merret emri i zotit kot ne goje. I njejti arsyetim mund te vleje per zotin njesoj si per mortjen.

    Nga ana tjeter, eshte edhe idhullizimi i te vdekurit, dhe edhe sikur te mos kete lidhje fare mes mallkimit dhe vdekjes, thjesht ideja qe i deshirove nje fatkeqesi nje engjelli te tille qe sapo vdiq, te ben te ndjehesh ne mos fajtor, te pakten te te vije turp nga vetja.

  2. Ne fakt Xhaxha, sipas John Searle, filozof amerikan i cili i ka trajtuar gjeresisht fuqine ilokutive te fjales dhe aktet gjuhesore, i bie qe menyra deshirore t’a zoteroje kete fuqi. Keshtu Searle dallon disa tipe aktesh ilokutive, si pranimi, besa, shkisherimi, thirrja prej dhimbjes, kerkimi, urdherimi. Sipas ketij klasifikimi mallkimi (urimi) do te binte brenda tipit te thirrjes prej dhimbjes (gezimit) dhe jo brenda tipit te shkisherimit. Besoj se do jesh dakord me kete klasifikim duke qene se ve ne dukje mallkimin si shprehje e pakenaqesise, zemerimit, zemerates, frikes. Keshtu qe ne nje fare menyre, eshte gabim te thuash se “plaka që mallkon fëmijën e prapë ose maçokun është e bindur, në thelb, se fjala nuk i ka fuqi ilokutive.” Ne fakt ajo e perdor pikerisht sepse fjala i ka fuqi ilokutive. Packa se mund te jete e bindur ne thelb qe kjo fuqi ilokutive nuk ka te beje me realizimin e mallkimit. Kjo eshte me e qarte nese merret ne konsiderate arsyeja qe shpesh jepet nga plakat menjehere pas mallkimit, si psh, “plac, dreq, se me plase” apo “te hengert mortja, se me hengre shpirtin, me hengre,” shembuj keto qe ne thelb kane te njejten vlere ilokutive me “uf, dreq, se me plase” apo “uf, se me hengre shpirtin, me hengre.” Vlera e fuqise ilokutive ketu me te vertete nuk eshte aq e madhe sa tek vlera e fuqise ilokutive te shkisherimit, urdherit apo beses, e kurrsesi aq absolute sa vlera e fuqise ilokutive te magjise, por kjo nuk me duket se do te thote qe “është pikërisht pafuqia që autorizon përdorimin dorëlëshuar si të urimit, ashtu edhe të bekimit,” sa do te pafuqishem te na beje dhimbja te ndjehemi.

  3. Ne rastin e mallkimit (urimit) shpjegimi i afrohet mendesise qe vepron ne rastin e betimit (beses), sipas se ciles, fjala, e cila “del andej nga del fryma (shpirti)”, pra goja, ka ne origjine besimin se degjohet nga “instancat” e eperme dhe behet realitet ne mos sot, neser. Sidomos ne rastet kur ajo artikulohet e shoqeruar nga nje rendese dhimbjeje e thelle per shkak te veprimit shume negativ te subjektit qe e ka provokuar. Nese nje person ka kryer nje veprim demtues te rende, qe shkel apo perdhos cilesi jetike, te “shenjta” sipas vleresimit te pergjithshem (dashuria memesore/aterore, mirenjohja, e drejta, e verteta), rendesa psikologjike, qe ndihet gati si dhimbje fizike, arrin shkallen maksimale. Ne keto raste, thuhet se pesuesit i “mëshon” zemra, i renkon thekshem, edhe nese mallkimi nuk arrin te artikulohet vetedijshem me fjale. Eshte pertej te menduarit racional, sikur therret nga fundi i ferrit (subkoshienca) erenitë e lashta, mbrojtese te memesise. Ne keto raste “zë” mallkimi medoemos.
    Kurse mallkimet e perditshme te nenes thuhet se nuk zene, por kush e di, mund te jete duke kaluar aty pari ndonje zane (zërë, i thone ne Laberi) dhe e degjon… Prandaj, thuhet, gruaja duhet te mbaje ne gisht nje unaze ari, i vetmi perberes qe e prapson te prapën. Edhe prej argjendi te jete, prape nuk eshte keq, mjaft qe ta kete ne gisht, ne kontakt me trupin e saj, se mund te harroje ta preke ne ate cast. Se ato, grate, “e leshojne” gjuhen shpejt, por jo me zemer, sidomos per femijen. Nese nuk ka unaze, ate çast duhet te preke nje send tjeter, edhe nje gur, qe mallkimi te bjere aty dhe jo mbi femijen. Sikur te njihej aftesia percuese e rrymes elektrike me ane te metaleve (po ta perfytyrojme energjine negative qe shkakton dhimbja si nje rryme elektrike qe ve ne levizje mekanizmin e vdekjes), duhet te besohej e kunderta e kesaj, po ja qe edhe sot e kesaj dite besohet se ari e pengon kalimin e mallkimit nga bota e te vdekshmeve ne boten e te perjetshmeve. Ari duhet te kete fituar atribute magjike, per shkak te cilesive te tij te jashtezakonshme.
    Prandaj nga mallkimi i nenes (sidomos kur asaj i mëshon zemra) duhet te kete frike gjithkush. Eshte me i rendi.

  4. Dopodihermes, cdo bestytni ka nje shpjegim rracional. Ajo e unazes, psh, nuk ka te beje fare me elektricitetin e metalit, por me atesine e ligjore te femijes. Nje lloj ligji i atesise eshte martesa me nenen e femijes, cka dhe shprehet nepermjet unazes se arte. Unaza e argjendte eshte fejese, keshtu qe edhe ketu kemi nje lloj angazhimi ligjor, packa se jo aq te fuqishem sa ne martese. Keshtu qe nje nene pa unaze ne gisht, qe mallkon femijen e vet, dihet qe ky mallkim i buron nga shpirti. Ajo mallkon krejt jeten keshtu, dorezohet. Ndersa nje nene me unaze ne gisht, me nje siguri me te madhe jetese, mallkimet i ka thjesht sa per te kaluar rradhen. Po njesoj, ari dhe argjendi jane simbol i nje sigurie mbi mireqenien, keshtu qe mallimi nuk para hyn kollaj. Po njesoj per nje grua qe mallkon femijet e tjetrit, prek unazen, sepse nuk do qe fatkeqesia qe uron te bjere mbi femijet e vet. Mallkimi e ka pishmanllekun me vete qe ne momentin e shprehjes, jo vetem ne rastin kur mallkimi plotesohet.

    Po ashtu, nuk eshte pertej te menduarit racional, sepse ka te njejtin funksion terapeutik me renkimin, apo me ofshamen. Nuk na duket sikur na lirohen dhimbjet kur renkojme?

  5. flm, Julian. Une solla saktesisht ato qe kam degjuar. Shpjegimet shkencore antropologjike i klasifikojne ne kategori fikse te dhenat, po ndoshta duhen pare me pak tolerance, duke perfshire specifikat konkrete te te dhenave per grupe te caktuara. Sidoqofte, nuk jam e fushes dhe nuk po ngul kembe. Tung.

  6. P.sh., qe unaza e arit ka vetem funksionin e “ligjerimit ateror te femijes”, eshte interpretim qe e perjashton elementin thelbesor te besetytnise, si perfytyrim i veprimit te pertejnjerezores apo magjikes. Natyrisht qe ka nje shpjegim racional, per ne (nje nga ato: paaftesia per te kuptuar dhe parandaluar origjinen apo shkakun e nje semundjeje), por ka edhe vdekje nga fatkeqesi te ndryshme, qe nuk varen aspak nga shkalla e njohjes apo aftesi te caktuara njerezore, racionale doemos, si “fati” (vini re fjalen qe e perdorim edhe ne: “fat-keq-ësi”).

    Lidhja e atributit mbrojtes te femijes prej mallkimit nga nena, i unazes se arte, me simboliken e “ligjerimit te atesise”, ka diçka qe nuk shkon, si logjike shpjeguese, perveçse duhet te jete shume me i vone, lidhur me fillesen kohore apo origjinen e bestytnise per mallkimin. Vete bashkimi “i ligjeruar” i çiftit ne martese eshte i vone, perveç se eshte nje ligj njerezor (edhe kur sansionohet ne prani te hyjnores, betimi para Zotit ne kishe), kurse besimi ne atributet specifike te nenes mbi femijen kane origjine shume me te lashte dhe lidhen me misterin e aftesise krijuese te qenieve nga nje tjeter qenie njerezore, sipas meje.

    Po sipas meje, edhe lidhja e mbrojtjes nga mallkimi me mireqenien apo sigurine materiale dhe morale te kushtezuara edhe keto nga martesa me nje burre, e lë ne hije lidhjen specifike te nenes me femijen, qe ne vetvete nuk varet aspak nga prania ose jo e mashkullit-burre. Siguria materiale dhe morale, ne fakt, do kuptuar si pranimi i perkatesise (si prone) se dikujt, i cili ka detyren e mbrojtesit, bashke me te drejtat mbi te dhe femijet e saj. Por edhe ne shoqerite patriarkale, ende nenes (te pakten nenes se shtepise, gruas me te moshuar) i njihen atribute te veçanta dhe respektohet maksimalisht (ne Eposin tone mungon figura e mashkullit-burre, babait te heronjve). Vajtimi i Omerit nga gruaja (nese do te ishte i rritur) apo nga babai, nuk do te qe aq domethenes e ngjethes (kujtojme mallkimin drejtuar henes etj.) sa vajtimi nga nena, Ajkuna. Dhe mos me thoni se ato jane perdorur thjesht dhe vetem si mjete artistike per te dhene permasat kozmike te dhembjes se saj.

    Jam dakord qe mallkimi e ka pishmanllekun me vete, qe ne çastin e shprehjes dhe qe shpesh thuhet sa per te kaluar radhen, por s’me shpjeguat pse, edhe ne kete rast, nena duhet te shqetesohet dhe te marre masa parandaluese, duke prekur nje send? Vertet qe unaza eshte konfirmim i atesise se ligjshme, por atributi mbrojtes i saj mund te jete nje atribut shtese, madje, me i hershem se martesa e ligjeruar (nga matriarkati, ndoshta?). Nuk besoj se gruas qe s’ka nje burre i ndalohet te vere unaze dhe as nuk specifikohet qe unaza mbrojtese duhet te jete unaze martese, por qe doemos duhet te jete prej ari ose argjendi. Ose, pse nje grua qe mallkon femijet e tjetrit, prek unazen qe “mallkimi te mos bjere mbi femijet e vet”? Ne kete rast, si shpjegohet devijimi i veprimit (realizimit) te mallkimit? Pse te mos kete pendese edhe per mallkimin e femijeve te tjetrit?

    Prekja e unazes eshte veprim-pasoje e nje te menduari besetyt, ashtu si ceremonia rituale, pasoje e nje te menduari pagan apo mitologjik. Pra, dallojme te menduarit e caktuar nga veprimi, ceremonia rituale qe e bashkeshoqeron, pikerisht per te zbutur mundesine e demit qe mund te vije nga forca pertejnjerezore, te pashpjegueshme apo padominueshme nga njeriu. Ne kete rast, veprimi apo ceremonia eshte dytesore ne raport me vete te kuptuarit/menduarit pagan per boten/universin, i cili e pranon mitologjiken, magjiken.
    Prandaj, kur marrim te shpjegojme ne menyre racionale nje produkt te ritit, me pare duhet te kuptojme mekanizmin qe e ka vene ne veprim, i cili nuk eshte plotesisht racional, pavaresisht se ka ne baze nje nevoje praktike (racionale).

    Pastaj efekti terapeutik i mallkimit (si shfrim i momentit te ngarkuar emocionalisht) kthehet atyperaty nga pozitiv ne negativ, nga vetedija se ndoshta po i ben nje te keqe te pariparueshme qenies me te dashur, femijes. Se “fjala del andej nga del shpirti”.
    Siç e sheh, nuk ndenja dot pa ngulur kembe. Megjithe ate, diskutimi me ju me dha kenaqesi.

  7. Ndërmjet aktit dhe ndjenjës, dëshirës dhe realizimit duhet shqyrtuar edhe binomi i dëshirës për mallkim dhe nevojës për mallkim.
    Në këtë përballje, mes nevojës dhe dëshirës shtrihet, ndër të tjera, edhe një situatë mjaft interesante e cila ka intriguar jo pak njerëz: Sindroma e Gij de la Turetë. S. Gij de la Turetë është një sindromë që shoqërohet nga fjalosje me përmbajtje shoqërisht të papërshtatshme e qortime fyese. Në një monografi të 1902, Tiket dhe Trajtimi i tyre ky bizaritet u qëmtua nga pikëpamja psikanalitike. Meige and Feindel aty, deklaruan se sindromi i Turetit shkaktohej prej një rikthimi, një regresioni në një sjellje fëmijërore. Një psikiatër tjetër më vonë i riinterpretoi të gjithë rastet që paraqisnin dy psikiatrët e parë, dhe konkludoi se këto tike nuk ishin vetëmse “ekuivalentë stereotipikë të onanizmit” të ardhura prej dëshirave të represuara të vetëgratifikimit seksual.
    Që t’i kthehem edhe njëherë paragrafit tim të parë: është mjaft interesante në dritën e këtyre konsideratave të shfrytëzojmë vandakun e mallkimeve që përdoren , për të shqyrtuar ndër to jo vetëm shkallën e kthimit në sjelljen e fëmijërisë, por edhe popullaritetin e represionit jo vetëm seksual.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin